Monday, February 19, 2007

Një bust që s’duhet ngritur

Besoj se Edi Rama bën kalkulime të sakta elektorale kur kundërshton ngritjen e një busti të Azem Hajdarit mu në zemër të Tiranës në Parkun Rinia. Dhe këto kalkulime, sipas meje, pavarësisht se ai nuk i thotë publikisht, nuk lidhen thjesht me faktin se është apo nuk është marrë leje nga Bashkia, por me një kundërshtim shumë më të thellë e më te gjerë që ka ngritja e një monumenti të tillë në qendër të Tiranës e që besoj se e ndan shumica e banorëve të qytetit.
Ngritja e një monumenti të tillë ndeshet para së gjithash me historinë. Përgjithësisht kudo në botë përpara se të ngrihen menumente të kësaj rëndësie duhet pritur që historia t’i mbyllë disa cikle të vetat e në këtë mënyrë të bëjë edhe vlerësimet e veta për të vënë në vendin e vet figurat që e kanë bërë atë, disa në piedestale nderi e të tjerë në shtylla turpi apo në harresë. Kurse rasti i ngritjes së një monumenti të tillë është pjesë e një procesi historik në vazhdim, e një turbullire në vazhdim, që nuk është kthjelluar ende e që kërkon distancë historike të kthjellohet. Nxitimi për të ngritur monumente të tillë tregon papjekurinë tonë historike, por edhe shpjegon pse shumë monumente që kemi ngritur janë rrëzuar apo kanë mbetur monumente të vdekur apo të urryer.
Në këtë kontekst është interesant të dallosh ndryshimin midis PS dhe PD lidhur me politikat e ngritjes së monumenteve apo venies së emrave rrugëve apo shkollave gjatë kohës së pushteti të tyre. PS nuk ka bërë tjetër gjatë tetë vjetëve që qe në pushtet veçse është kënaqur me monumentet e vjetra duke ruajtur kryesisht ato të Luftës. Në fakt pak gjë të lavdishme, përveç korrupsionit, mund të gjesh në historinë e re të asaj partie. Por edhe sikur të ketë është shumë herët për ta dalluar. Një bust i Fatos Nanos, i cili deklaroi edhe vetë se prapa e ndiqte historia, ndoshta edhe mund të ngrihet, por do të duhet që ai më së pari, larg qoftë, të vdesë e pastaj të presim filtrimin që do t’i bëjë historia, proces që, sipas meje, zorr se do ta nxjerrë në ndonjë piedestal nderi. Në këtë aspekt PS-ja duket se është treguar më e duruar. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se, për fat të keq, ajo nuk ka dashur të vlerësojë ato figura të shquara që gjatë 50 vjetëve sundim të partisë nga ka dalë kanë qenë demonizuar. Historinë ajo ka vazhduar ta lexojë me syzet që i ka lënë Enver Hoxha, e kështu ka mbetur tek Lufta Nac – Çlirimtare.
Kurse PD duket se ka gjetur më shumë vështirësi në nevojën për simbole. Ato të luftës ajo nuk ka dashur t’i pranojë si simbole të vetat meqënëse ishin të kundërshtarit. Por, për padituri apo pse dega më e trashë në pemën e saj është po ajo e dalë nga trungu i Partisë së Punës (kjo vështirë të ndahet), edhe ajo, me përjashtime të pakta, nuk ka pasur fort qejt të vlerësojë e ngrejë monumente të atyre figurave që ka demonizuar diktatura e as të antikomunistëve të persekutuar e pushkatuar nga regjimi. Në mungesë të historisë, pra, duket se ajo gjykon se një monument i Azem Hajdarit mund të ishte më i përshtatshmi për të.
Por mu këtu qëndron i tërë problemi, tek një koncepsion i tillë mbi ngritjen e monumenteve. Kur gjykimi politik nëpërkëmb gjykimin historik, kur pastrohen apo ngrihen monumente që i shërbejnë një pjese kundër një pjese tjetër apo kur tentohet të ngrihen monumente fitimtarësh të një lufte që s’ka mbaruar - sepse lufta jonë sot nuk është midis dy partish, por për demokraci, - çështja rrezikon të degjenerojë.
Kjo vlen edhe për rastin e Azem Hajdarit. Më së pari jemi ende larg mbarimit të procesit gjykues e vlerësues të historisë për figurën e tij. Ai, pa dyshim, është një nga liderët e lëvizjes studentore dhe ideja e ngritjes së bustit të tij më 10 dhjetor duket sikur lidhet me këtë, por, nga ana tjetër, nuk mund të mohoet se jeta dhe kontributi i tij në vitet në vazhdim është me dritëhije të pasqaruara ende nga historia, mbi të gjitha vrasja e tij më 1998, ngjarja që shenjon jetën e tij më fort sesa viti 1991. Kjo vrasje ka mbetur fatkeqësisht ende në terr. PD akuzon se e ka vrarë PS-ja kurse në kohën e kësaj u bë një proces që nuk nxorri shkaqe të qarta. Do të ishte më mirë të sqaroheshin e vërtetoheshin shkaqet para së gjithash.
Jo vetëm, por qysh prej asaj kohe Hajdari është përdorur si flamur i revanshizmit të PD. Dhe pikërisht ky revanshizëm, sipas meje i gabuar në thelbin e vet sepse përgjegjësja kryesore për tragjedinë e vitit 1997 dhe, për pasojë, humbjen e pushtetit të saj ishte vetë PD-ja, e komprometojnë shumë idenë e vendosjes së një monumenti simbol të PD mu në qendër të Tiranës. Vendosja e një monumenti të tillë nuk do të mund të bëhet kurrë simbol i lëvizjes studentore, por do të mbetet monument i luftës politike midis dy partive kryesore. Ajo do të interpretohet si një imponim me dhunë i diçkaje që të paktën gjysma, sipas meje edhe më shumë, nuk e pranojnë. Lëvizja studentore do të meritonte ndonjë skulpturë jo personale që do të figuronte atë moment. Një monument që të evokonte energjinë, rebelimin, por edhe shpresën për liri e demokraci të popullit në ato ditë, e meriton të ngrihet ndoshta në qendër të Tiranës, pasi monumente të tilla duhet të jenë monumente që ndahen nga të gjithë ose nga shumica më e madhe e banorëve lokalë apo kombëtarë. Kurse figura e Azem Hajdarit është një figurë ndarëse. Në këtë rast kemi të bëjmë me një simbol që e ngre një forcë politike që mendon se, meqënëse është fitimtare, ajo edhe bën historinë apo e rishkruan atë, ajo edhe ngre simbolet e saj. Mirëpo ky është stili që na lanë trashëgim komunistët i ngritjes së monumenteve sipas të cilit historia fillon me ta dhe shkruhet nga ata. Pa harruar se nëse do të duhet t’i ngrinte PD-ja një monument atij që i dha fitoren më 2005 ky do të ishte monumenti i korrupsionit të Fatos Nano dhe i të tijve, kurse, po të ktheheshim të votonim vitet 1997-1998, kur Hjadari u bë simbol i ravanshizmit të dhunshëm të PD, ajo do të dilte humbëse. Ky sipas meje është kalkulimi elektoral që bën saktë Edi Rama.
Koha ka treguar se përkujtimoret e ngritura pa përfillur distancat që imponon historia për të kthjelluar ngjarjet e saj apo të përdorura politikisht nga një palë kundër një pale tjetër janë të destinuara herët ose vonë të lenë kujtim të keq, prandaj mendoj se ky bust nuk duhet ngritur.
(Korrieri, 30 nëntor 2006)

1 comment:

N.Ago said...

Zoti Lubonja!
Pasi t'ju shpreh admirimin tim për të disajtën herë, dua njëkohësisht të shpreh dhe kënaqësinë që ndjej si qytetar i thjeshtë me origjinë shqiptare, për largpamësinë dhe vizionin e qartë me të cilin shikoni ngjarjet madhore, të ndodhura në vend.
Tema në fjalë, vetëm nga një penë e pavarur, inteligjente dhe demokratike, sikurse mësëmiri është ajo e juaja, do të mund të trajtohej kaq njëanshmërisht dhe larg inateve apo ngërdheshjeve cinike, që kanë burimin tek ajo ndërgjegjie e cekët që fatkeqësisht, mbizotëron në jetën politike shqiptare.
Assesi, për mendimin tim krejt modest, dhe i bashkuar me atë prej analisti të vërtetë, të kaosit politikoshoqëror mbizotërues në vend, të shprehur prej jush, nuk është koha që një bust i një pjestari politik i forcës së djathtë(me asortimente komuniste e gatuar), i cili humbi jetën në mënyrë krejt misterioze, mund të simbolizojë kryengritjen studentore të fundvitit 1990-të!
Më gjen dakort, çdo mendim juaji.
Kërkoj falje për zgjatjen.
Plot respekt,
N.Ago