Wednesday, February 28, 2007

Rreziqet e një fitoreje

Një pjesë e opinionit, duke patur parasysh dëmet e pakthyeshme që ka pësuar Tirana në kohën e Edi Ramës, teksa diskuton për këto zgjedhje dhe rezultatin e tyre, ngre, mes tjerash, edhe pyetjen se si është e mundur që “ky milet”, megjithatë, e voton. Dhe janë të shumtë ata që e shpjegojnë fitoren e tij të padiskutueshme me “punën e palodhëshme” që ky ka bërë me mediat gjatë viteve që ka qenë në pushtet. Sipas këtij versioni, që nuk është pa bazë, këto media i kanë larë e shpëlarë trutë miletit me ide gjiganiste e moderniste për qytetin metropol dhe Ramën e kanë paraqitur si kampionin e këtij procesi modernizues të qytetit, ndërkohë që e tëra kjo nuk është veçse një manipulim i industrisë së ndërtimit nëpërmjet pronarëve të televizoneve ndërtues që presin të ngrenë grataçielat e prandaj i kanë shmangur kritikat për gjendjen e rëndë të qytetit (në bashkëpunim edhe me të tjerë pronarë që presin të vazhdojnë të qetë bizneset e tyre të pakontrolluar nga ligji e që u ndjenë të kërcënuar nga Berisha.) Ka pra nga ata që i mshojnë shumë faktorit televizione në rezultatin e zgjedhjeve. Roli i Top Channel sillet si shembulli më ekstrem në këtë arsyetim. Disa arrijnë të thonë edhe se fakti që Rama fitoi në qytet dhe Berisha në fshat ka të bëjë me atë se në fshatra nuk duken televizionet private. Sipas gjykimit tim, ndonëse nuk mund të mohoet se krijimi i një bote virtuale televizive ndikon në përjetimin e shikimit të botës reale, qytetarët shqiptarë nuk janë aq të verbuar e manipuluar nga televizionet. Jo vetëm, por le të mos harrojmë se kishte edhe disa televizione që ishin hapur në krahun e Berishës e që nuk munguan të evidentojnë një pjesë problemesh të krijuara nga Rama. Prandaj diskutimi mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve nuk më duket se duhet fokusuar tek Shqipëria virtuale, por tek Shqipëria reale, ajo që njerëzit kanë parë e prekur përditë pa filtrin e ekranit.
Sipas gjykimit tim problemi është se votuesi shqiptar ka qenë e po mbetet i detyruar të zgjedhë midis dy të këqijave dhe, në këtë zgjedhje të fundit, ai ka pasur parasysh se PD-ja nuk ka mundur të ofrojë ndonjë diçka më të mirë nga ç’ka bërë e ofruar Edi Rama, përkundrazi. Fjalët e Olldashit për plan urbanistik, e çerdhe, e kopështe, e parqe, e lulishte rrotull ndërtimeve, që kryebashkiaku nuk i ka bërë, tingëllonin shumë të pabesueshme për votuesin mu pse, ndërkaq, jo vetëm e kaluara qeverisëse e PD, por edhe shumëçka në punët e së tashmes, nuk ofronin ndonjë gjë ndryshe e më të mirë - kam parasysh masakrat urbane të kryera në zonat ku nuk qeveris Rama, si Dajti apo Kashari, kam parasysh një lulëzim të ndërtimeve pa leje pas shpalljes së afatit të legalizimeve, kam parasysh ndërtime abuzive e pa leje edhe në qendër të qytetit. Shtoi kësaj mungesën e kontrollit mbi territorin, që Berisha nuk ka mundur apo nuk ka dashur ta bëjë gjatë një viti e gjysëm qeverisje me shpresën se do të shpërblehej me votë. E për të vërtetuar këtë vinte edhe vetë fushata e Olldashit e cila nuk qe gjë tjetër veçse përpjekje për të imituar modelin Rama të bazuar në sponsorizimet e paligjshmedhe jotransparente të bizneseve që presin pas fushatës të shumfishojnë shumën e parave të hedhura. Prandaj mendoj se nuk duhet fajësuar votuesi shqiptar pse në vend të premtimeve të pabesueshme për ndryshim të fytyrës së Tiranës preferoi të zgjedhë një të keqe që e ka provuar.
Thënë kjo, nga ana tjetër, gjykoj se duhet reflektuar thellë mbi atë se e gjitha kjo histori përzgjedhjeje, ku nuk përjashtohen edhe argumentet mbi rolin e mediave, është e barsur me një rrezik të madh. Rreziku konsiston në faktin se fitorja e Ramës mund ta konsolidojë edhe më tej modelin e tij të qeverisjes e të bërjes politikë duke e veshur atë me petkun e modelit të sukseshëm, modelit të vetëm triumfues e ta bëjë, kësisoj, edhe më të pakritikueshëm.
Para se të shtjelloj rreziqet më duhet të them se problemi më i madh që paraqet modeli Rama është se ai gjatë tetë vjetëve u bë modeli më i sukseshëm politik i kapjes së shtetit nga tërë ato interesa të ekonomisë së paligjëshme si dhe i tërë atyre biznesmenëve “milionerë” që mbahen në këmbë nëpërmjete grabitjes së pronës publike. Dhe ky sukses u garantua kryesisht nga dy faktorë: nga aftësia më e madhe e Ramës për t’i krijuar fasadën kësaj paligjshmërie, duke bërë edhe disa punë publike, (për ata që e kanë harruar kujtoj se pastrimi aq i lavdëruar i Lanës u krye kryesisht “gratis” nga ndërtues që pastaj morën si shpërblim leje ndërtimi në qytet duke mbjellë kuturu dhe pa plan urbanistik monstra shumëkatëshe) si dhe nga ngritja e një makine gjigande propagandistike televizionesh të gjithë të mbajtur në thelb nga burime indirekte që fitohen me ndihmën e politikës si këmbim shërbimesh. Edhe “investimet” e shumta jotransparente në fushata nga biznesmenë të ndryshëm ishin pjesë e këtij modeli.
Ka disa faktorë që e bëjnë rrezikun e triumfit të këtij modeli shumë të madh pas kësaj fushta.
Faktori i parë që bën të rritet rreziku i modelit lidhet me faktin se Berisha dhe të tijtë, sikurse e shpjegova edhe më lart, tentuan ta imitojnë në shumë aspekte këtë model duke i shmanguar akuzat e thella mbi sitemin e duke i përqendruar ato tek personi Rama. Thirrja se qyteti ka nevojë për një njeri normal nuk mund të kishte sukses sepse në fakt anormal është qyteti dhe ky anormalitet nuk vjen nga anormaliteti i Ramës, por nga një anormalitet shumë më i madh që ka të bëjë me sistemin që ka kapur dhe përdorur edhe Ramën.
Një faktor i dytë rreziku ka të bëjë me vetë PS-në e zhvillimet brenda opozitës. Qënia në pushtet e Ramës e të ndjerit fitues më një anë dhe synimi për të rrëzuar Berishën më anë tjetër nuk do të lejojnë PS të kryejë atë që në çdo vend të botës bëjnë partitë kur janë në opozitë: reformimin dhe korrigjimin e tyre. Sikurse thonë politologët është pikërisht periudha e qënies në opozitë që lejon shumë më tepër sesa ajo në pushtet që një parti të reformohet e korrigjohet. Sot brendapërbrenda opozitës mbretëron uniteti dhe kjo fitore i ka zvogëluar shumë mundësitë që PS-ja të krijojë atë proces pastrimi e reformimi për të cilin ka aq shumë nevojë. Me fitoren e Ramës duket se PS krijoi tipin e liderit absolut dhe autoritar i cili nuk kontestohet në asgjë. “Lindja e një monstre” tashmë të paprekëshme e ka quajtur Bushati në një shkrim të para disa ditëve. Por nuk është kështu, sepse, po të ishte kështu, ndoshta do të shpresonim se Rama do ta ushtronte këtë autoritet të paprekshëm për ta pastruar partinë nga të korruptuarit edhe për të goditur sistemin pasi ai nuk mund të mos jetë i vetëdijshëm mbi rrezikun që paraqet edhe për të sistemi që e ka ngritur në pushtet. Por, “monstruoziteti” i tij është shumë i brishtë sepse është krejtësisht i ngritur mbi monstruozitetin e këtij sistemi të cilit ai i ka shumë borxhe prandaj dhe, duke patur parasysh edhe nevojën për të eliminuar goditjet selektive të Berishës, ai do ta përdorë Ramën (dhe jo Rama atë) deri në fund pa e lënë të korrigjojë as veten dhe as partinë.
Së treti: e vetmja shpresë zhvillimesh dialektike brenda opozitës do të mund të vinte nga LSI e cila e ka denoncuar dikur këtë model me shprehjen tashmë të bëra të famshme të Metës për Ramën “makiavelist’ dhe “një pallat një votë”. Mirëpo gjatë kësaj fushate LSI e humbi identitetin e një partie që qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike e kritikonte sistemin. Ajo e reklamoi modelin Rama si modelin pozitiv, në raport me atë që paraqiste PD-ja. Do të ishte e vështërë të pritej nga LSI ndonjë qëndrim ndryshe pas kësaj. E vetmja gjë që premtoi Ilir Meta gjatë fushatës elektorale si dallim të të tijve nga PS-ja ishte transparenca më e madhe, por jo ndonjë model e filozofi tjetër qeverisjeje dhe përfaqësimi.
Së katërti, duhet thënë se modeli Rama bëhet edhe më i rrezikshëm për shkak se ai nuk kontestohet nga shoqëria civile e kryesisht gazetarët pasi mediat punojnë të tëra brenda këtij sistemi dhe interesave të tij. Nuk mbeti pa u vënë re se gjatë gjithë fushatës mediatike elektorale Rama evitoi ballafaqimin dhe debatin me kritikët e modelit të tij duke preferuar të shërbehet nga një mori televizionesh dhe gazetarësh që i krijonin mundësinë të thoshte vetëm atë që donte duke transmetuar me këtë arrogancën e një modeli që nuk duhet vënë në diskutim e që mediat i trajton si propagandueset e veta.
Nëse do t’i shtojmë këtij modeli edhe paramilitarët e një ish polici të egër të Berishës, sot i kthyer në biznesmen e deputet socialist, Paulin Sterkaj, i cili nuk hezitoi të dalë edhe në media të na tregojë se 1600 ish policë të shkarkuar nga Berisha ishin vënë në mbrojtje të votës socialiste e se, për këtë, kishte marrë përgëzimet e veçanta të Kryetarit të Partisë, do të duhet të shqetësohemi seriozisht për rrezikun e modelit Rama. Askush nuk garanton se këta paramilitarë duke u rikthyer nesër në polici, nuk do të jenë një armë më shumë në mbrojtje të pushtetit dhe abuzimeve të Ramës.
Duke patur parasysh triumfin e këtij modeli më një anë dhe mungesën e një kundërmodeli nga PD, LSI e me radhë, nuk është vështirë të arrish në përfundimin se vendi mbetet fortësisht i rrezikuar nga një model që, në thelb, ka të bëjë me atë se ai nuk lejon të zhvillohen e forcohen në vend parti politike që përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore e që i shërbejnë vendit, por grupime të pushtetëshmish, të fortish e të paligjëshmish që kapin shtetin në emër të interesave e përfitimeve të tyre. (Korrieri, 27 shkurt 2007)

No comments: