Wednesday, June 6, 2007

Iracionaliteti i marrëveshjes për çertifikatat

Nuk munda ta çoj deri në fund dokumentin e marëveshjes prej 20 pikash midis mazhorancës dhe opozitës mbi çertifikatat. Ndjenja që më ngjalli, teksa lexoja nen pas neni tërë ato hollësira e masa sigurie, ishte se, nëse do ta përmbledhim punën e këtyre 6 muajve të politikës shqiptare e veçanërisht të opozitës, ajo do të përmblidhej thjeshtë e vetëm në këtë dokument madhështor që do të mbetet në histori për të dëshmuar gjendjen e mjerueshme të karvanit shqiptar e të karrocierëve të tij pas 15 vjetësh rrugë drejt Evropës. Sipas meje nëse koha dhe energjitë e shpenzuara për këtë dokument do të ishin shpenzuar ndryshe, psh. sikur drejtuesit e PS, LSI, PSD, AD, PDS të ishin nisur personalisht në një aksion kombëtar për të regjistruar tërë popullsinë derë më derë, e, duke u bërë, me këtë rast, edhe propagandë në favor të tyre, kjo punë do të ishte kryer më shpejt sesa hartimi i kësaj marëveshjeje mbi çertifikatat. Dhe pa dyshim dobia do të kishte qenë shumë më e madhe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mazhorancën. Por kam frikë se të dy palëve jo vetëm pse në pjesën më të madhe janë një tufë të paaftësh e dembelësh që kanë të vetmin merak të kapardisen mbi pushtet e mbi para, por edhe pse nuk u intereson t'i regjistrojnë qytetarët shqiptarë, u leverdis tamam një punë kështu.
Kryetari i PS Rama deklaroi së fundi se PS-ja ka dijeni për një plan manipulimi me çertifikatat e vjetra të paregjistruara dhe ky ishte shkaku i ngulmimit të opozitës për përdorimin vetëm të çertifikatave të pas 1 nëntorit. A ka vërtet një plan të tillë. siç thonë opozitarët; a është ky produkt i imagjinatës apo paranojës së kryesocialistit apo ishte një sendërgji për të justifikuar shtyrjen e zgjedhjeve siç thotë mazhoranca? Askush nuk di ta thotë me saktësi këtë sot për sot. Por bash loja me këtë ambiguitet e paqartësi është thelbi i politikës sonë.
Do të ishte në dobi të të gjithë publikut që ky plan të denoncohej sa më parë në shtyp, por edhe në Prokurori, nëse ka të dhëna serioze për këtë. Partitë nuk mund të bëjnë një lojë si midis bandash që i ngrenë në errërsirë prita njëra tjetrës në kurriz të votuesit të gjerë. Nëse ka një plan të tillë dikush duhet të përgjigjet për hartimin e tij, nëse jo Rama dhe cilido që ia ka servirur publikut duhet të përgjigjet. Sepse kjo akuzë ka dy të këqija brenda: së pari edhe nëse u pengua vjedhja me çertifikata përderisa vjedhësit janë jashtë ata do të kërkojnë një mënyrë tjetër për të vjedhur, dhe, së dyti, çka është edhe më e rënda, ajo ngre përpara shqiptarëve një çështje shumë më të rëndë, atë të numrit masiv të manipuluesve.
Po të tentosh të imgjinosh se si do të mund të kryhej ky manipulim do të arrijmë në përfundimin se ka dy mënyra: ose një ushtri militantësh PD-istë do të rendinin nga njëra qendër e votimit në tjetrën me çertifikata rezervë në dorë për të votuar dy e tre e katër herë, me të njëjtin emër apo me emra të ndryshëm, ose demokratët paskan gjetur ndonjë marifet që ato të përdoren nga ndonjë grusht i kufizuar manipulatorësh. Rrugë tjetër nuk hamendësohet dot. Nëse do tu referohemi formës së akuzave të PS dhe do të kemi parasysh edhe se pas procesit të votimit kutitë do të jenë në kontroll të të dy palëve, mundësia më e madhe e përdorimit të çertifikatave për manipulim duhet të jetë ajo e para: ushtria e militantëve.
Mirëpo në këtë rast kemi të bëjmë me një akuzë që nuk ngrihet më kundër një e dy personave, apo edhe një grupi personash, por kundër një numri shumë më të madh shqiptarësh. Prandaj dhe është më e rëndë si akuzë sesa një sherr midis politikanësh, por dhe më dëshpëruese për gjendjen e votës së lirë në vend.
Por le të thellohemi pak mbi këtë akuzë dhe mundësinë e vërtetësisë së saj.
Po të kemi parasysh metodat e manipulimit gjatë kohës që socialistët kanë qenë në pushtet (por edhe ato të Berishës në 1996) do të vemë re se ato nuk janë bazuar kurrë në përdorimin e një numri të madh bashkëpunëtorësh në krim. Lojërat janë bërë nga një numër shumë më i ngushtë të interesuarish. Në zgjedhjet e fundit lokale, mesa kujtoj, ka pasur një "dëbim" me kompiuter të votuesve që u hoqi mundësinë një numri shumë të madh votuesish pro PD. U fol për një gabim në program, për një lloj çmendjeje të kompiuterit qendror. (Do të duhej në fakt të ishte hetuar për këtë nga ana e Prokurorisë sepse një punë e mirë e Prokurorisë dje do të na e kursente këtë krizë sot). Po në këto zgjedhje u fol për banda që hapnin kutitë e, si pasojë, në Tiranë rezultuan 2/3 e kutive të pavlefshme po të zbatohej me përpikmëri ligji, kurse me kutitë e rregullta fitonte Ngjela. Por kurrsesi nuk u akuzua një popull i tërë si bandit. Edhe në zona të tilla që janë shumë më jashtë kontrollit përsëri manipuluesit janë një grup i vogël banditësh. Dhe po të kesh parsysh se të interesuarit për manipulim nuk janë njerëzit e thjeshtë, por kryesisht politikanët, del se mundësia e përdorimit të një numri të madh manipulatorësh është shumë e vogël dhe aq më tepër shumë më e zbulueshme.
Pra, ndërkohë që më një anë na del se duhet të përdoret një numër i madh njerëzish për të përmbysur rezultatin me çertifikata më anë tjetër na rezulton se, që kjo punë të bëhet pa u dekonspiruar, duhet përdorur një numër i vogël njerëzish. Të them të drejtën nuk zgjidh dot këtë kontradiktë. Por megjithatë një gjë di të them me siguri: Si në rastin e manipulimit të lokaleve që përmenda ashtu edhe në raste të tjera, çfarëdo formë që është përdorur, ka pasur jo pak "rrjedhje" që i kanë bërë zgjedhjet të jenë jashtë standartëve çka i ka bërë edhe ndërkombëtarët të thonë, për të disatën herë, se zgjedhjet ishin të pranueshme, por jo brenda standarteve. Përndryshe sot nuk do të kishim vëzhgues e nuk do të kishim tërë këtë krizë.
Duket se është pikërisht përvoja e manipulimeve të veta që i bën socialistët të kenë kaq frikë një hakmarrje të demokratëve e po ashtu frika se ndërkombëtarët, të ndodhur, si gjithmonë, përpara faktit të kryer, do të zgjedhin përsëri të keqen më të vogël. Dhe nuk mendoj se demokratët do t'ua kursenin hakmarrjen, e as se kanë një kulturë tjetër politike. Megjithatë një gjë pozitive ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Hapësira e manipulimit ka ardhur duke u ngushtuar për shkak të rregullimit të kontrollit reciprokmë një anë (fatkeqësisht jo për shkak të ngritjes së një arbitrimi të paanshm me krediblitet) e të një votuesi që është gjithnjë e më pak militant më anë tjetër. Por nuk është zhdukur. Dhe nuk besoj se mund të zhdukej duke prodhuar çertifikata të jashtëzakonshme për zgjedhjet apo të noterizuara siç pretendonte opozita; por as edhe me dy dokumentet shtesë nuk mund të zhduket. Sepse, siç thashë, nëse vjedhësit janë jashtë, ata do të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër.
Prandaj, në vend se të shtrohet problemi për një krim të mundshëm dhe të pavërtetueshëm deri në kryerjen e tij a nuk do të ishte më racionale të kërkohet diçka tjetër edhe nga opozita edhe nga mazhoranca edhe nga ndërkombëtarët, por edhe nga opinioni mbarë? Ajo që mund të kërkohet dhe me të drejtë dhe brenda ligjit është që të mos përsëriten me përvojat si ato të zgjedhjeve të shkuara lokale kur megjithëse sipas ligjit 2/3 e kutive në Tiranë rezultuan të pavlefshme, megjithëse në Durrës numri i votuesve u katandis, mesa mbaj mend, në më pak se 30% për shkak të "humbjes" së zonës së votimit nga një pjesë e madhe votuesish, ato përsëri u konsideruan të vlefshme. Le të bëhet një marrëveshje e marrëveshjeve që të respektohet ligji dhe vetëm ligji, i cili parashikon edhe pavlefshmëri të pjesshme apo deri të plotë zgjedhjesh. Angazhimi për të respektuar ligjin kuti më kuti, deri edhe në anullimin e zgjedhjeve në tërësi, do të ishte më efikas sesa ky dokumenti absurd për çertifikatat apo ajo pika edhe më absurde e tij sipas së cilës fallsifikuesi me çertifikata dënohet me aq e kaq vite burg. Kuptohet se kjo do të shtronte problemin e kostove të zgjedhjeve të tjera e të rrëmujës e vakuumit që do të krijohej midis dy zgjedhjeve, në rast të anulllimit të tyre. Por ndoshta një gjë e tillë, shoqëruar me dënimin sipas ligjit të përgjegjësve, do t'i jepte njëherë e mirë fund praktikave të zgjedhjeve brenda dhe jashtë standarteve sepse është pikërisht hapësira e këtij ambiguiteti që është shfrytëzuar nga politika jonë për të nëpërkëmbur votën e lirë. Dhe rruga drejt zgjedhjeve të lira është tamam zhdukja e hapësirës midis ligjit dhe marrëveshjes që lejon këtë ambiguiteti e që, për fat të keq, politika, kërkon ta mbajë më këmbë si të vetmin breg shpëtimi për veten. (Korrieri, 16 janar 2007)

No comments: