Wednesday, June 6, 2007

Një koment mbi takimin Nano Berisha

Kur ndodh ndonjë krim i rëndë nga ata me thika apo hanxharë, që, me reagimin e parë, i cilësojmë me epitetin "e pabesueshme!", "e tmerrshme!", "si ka mundësi?!" kemi prirjen që autorin ta etiketojmë si "monstër". Por psikologët shpjegojnë se ky lloj etiketimi i autorit (apo autorëve) të krimit, në fakt, nuk është i drejtë; se ai, në të vërtetë, nuk është gjë tjetër veçse një akt vetëmbrojtjeje nga ana jonë. Ne kemi frikë se mos edhe vetë jemi si ai/ata, se edhe ne mund të bëjmë gjëra si të atij/atyre në situata të ngjashme, prandaj dhe shpejtojmë ta largojmë këtë frikë duke u distancuar nga vrasësi, duke refuzuar ngjashmërinë me të, duke thënë ne jemi normalë kurse ai/ata që e kryen atë krim është/janë monstra.
Ky arsyetim psikologjik mu kujtua duke parë e dëgjuar një numër jo të vogël reagimesh lidhur me takimin Nano Berisha. Një pjesë njerëzish sikur distancoheshin nga ky akt pikërisht për të thënë "jo, ne s'jemi si këta" "vetëm njerëz si ata, pasi i kanë thënë njëri tjetrit tërë ato që i kanë thënë, pasi kanë premtuar çfarë kanë premtuar, takohen përsëri e flirtojnë përsëri." Në fakt, po ta mendosh pak më thellë me syrin e psikologëve që përmenda në krye të shkrimit, më duket se ky distancim është pikërisht shprehje e mekanizmit tonë të vetëmbrojtjes. Në fakt takimi Nano Berisha është shprehësi më i saktë i moralitetit jo vetëm i të tërë politikës sonë, por edhe i tërë shoqërisë sonë. Ne të gjithë vijmë nga një shoqëri - dhe kemi vazhduar së ndërtuari një shoqëri - ku kompromisi me të keqen është bërë normë mbijetese. Marrëdhëniet tona janë bërë të gjitha si marrëdhëniet midis Nanos dhe Berishës, ku mungon sinqeriteti, ku ka vetëm kalkulime interesash personale, ku miqtë e parimet e fjala e dhënë mund të tradhëtohen sapo që bijen në kundërshtim me këto interesa e ku, nga fytyrat tona, është zhdukur ngjyra e kuqe e turpit.
Shumë e damkosën si imoral takimin e Nanos dhe Berishën, por le ta vemë pak veten në rolin e tyre: njëri me këtë imoralitet mund të bëhet president i vendit tjetrit mund të mbetet njeriu më i fuqishëm i vendit. Çdarë lavdie, e jo vetëm, por edhe çfarë mundësie për tu pasuruar! Sa si ne kanë tradhëtuar parimet dhe miqtë, pale më partitë, për ambicie shumë më të vogla se këta? Pse pak akte të tilla kanë bërë Rama, Meta, Gjinushi e me rradhë e jo vetëm ata, por edhe shumë e shumë të tjerë në fusha të tjera të jetës sonë publike, e jo vetëm, por edhe njerëzit e thjeshtë për të siguruar bukën e gojës?
Larg qoftë me këtë nuk dua të them se e quaj "normal" takimin Nano Berisha. Jo, përkundrazi, dua të them diçka edhe më të tmerrëshme. Por që ta them këtë më parë duhet të përcaktoj se çfarë është normale dhe çfarë është anormale apo e tmerrshme. Dhe sipas meje e tmerrshmja, qëndron në atë kur bëhet normë e të gjithëve ajo që, sipas disa principeve morale të shëndosha, quhet e dënueshme. Prandaj më e tmerrshmja dhe më anormalja qëndron në atë që Nano dhe Berisha nuk do ta kryenin dot atë takim sikur të mos e kishin gjetur aprovimin për atë takim në të gjithë sjelljen tonë të deritanishme duke përfshirë edhe imoralitetin pa fund të bojkotit të zgjedhjeve nga opozita e Ramës.
Por prap dikush do të thotë se po bije në kundërshtim me veten, se fakti që një pjesë e madhe e quajtën të dënueshëm moralisht këtë akt tregon se nuk e quajnë ashtu edhe aq të pranueshëm. Pa harruar shpjegimin që dhashë në krye të shkrimit dhe pa harruar se një pjesë e dënojnë këtë takim për qëllime krejt të tjera nga ato të moralitetit të politikës, do të thoja se pa dyshim dënimi tregon edhe se kemi ende shpresa, se e mira gjithsesi qëndron diku në ajër edhe mbi qiellin e vendit tonë e të ndërgjegjes sonë, por ajo që desha të theksoj është se do të ishte shumë më e efektshme që në vend se të disatancohemi e të mos identifikohemi me ngjarje e veprime të tilla me idenë se jemi të ndryshëm nga autorët e tyre, do të ishte shumë më e efektshme që ngjarje të tilla të mos i shohim si shenja sëmundjeje të Berishës, Nanos, Ramës, Metës e me rradhë, por sëmundjen e tyre ta shohim si produkt i sëmundjes së tërë shqërisë ku bëjmë pjesë edhe ne e infeksionin e së cilës e kemi edhe ne. (Korrieri, 15 janar 2007)

No comments: