Sunday, August 5, 2007

Dy kontradikta të PS

Partia Socialiste dhe lideri i saj i ri Rama pësuan humbje në bojkotin e zgjedhjes së presidentit. Ndonëse jo aq e pastër dhe jo aq spektakolare sa ajo e vitit 2005 kjo ishte një humbje e rëndë, madje që mund të konsiderohet si humbje e tërë së majtës ndërkohë që ajo e 2005 nuk qe e tillë për Ilir Metën dhe partinë e tij. Ajo që, megjithatë, ra në sy në reagimin e parë të Ramës dhe më pas në fjalimin e tij në Asamble ishte ripërsëritja e së njëjtës sindromë që PS ka shfaqur edhe me rastin e humbjes së vitit 2005. E kam fjalën për gjetjen e fajit dhe të përgjegjësisë tek të tjerët dhe refuzimin, deri në pamundësi, të kthimit të shikimin brenda vetes. Nëse para dy vjetësh ishte Ilir Meta dhe të tijtë fajtori, kësaj here fajtori u bë Fatos Nano dhe të tijtë. Madje fjalimi i Ramës ra në sy për rëndimin e kësaj simdrome manikeiste në politikën shqiptare, që kryen vazhdimisht ndarjen e kampeve në të së mirës, ku bën pjesë vetë dhe të së keqes ku futen të tërë, kundërshtarët e vjetër e të rinj.
Në fakt realiteti është shumë tjetër nga ç’na e paraqet kjo sindromë. Kampet e së mirës dhe të së keqes nuk janë të ndarë në atë mënyrë siç kërkon t’ia shesë Rama publikut të gjerë dhe partisë dhe ky vizion rrezikon ta mbajë vendin në luftra të pafundme pa fryt dhe të majtën ta çojë në gafa dhe humbje të tjera të rënda.
Janë dy kontradikta që nuk po i zgjidh dot PS-ja brenda vetes për të dalë nga ky vizion manikeist që e çoi në humbje. Kontradikta e parë është ajo midis shkakut të vërtetë të humbjes dhe shkakut të gjetur për t’ia servirur publikut, por edhe militantëve të partisë. PS ende nuk ka bërë një analizët të vërtetë të humbjes në 2005. Atëhere ia veshi Metës, kurse tani tani të gjashtëve të Nanos. Por partia socialiste ka shmangur prekjen e thelbit të çështjes që i ka çuar tek humbja e cila nuk është ashtu dhe aq humbje ndaj Berishës, por humbje e besimit të anëtarëve të kësaj partie dhe të udhëheqësve të kësaj partie në atë çka i bashkon dhe i bën të quhen parti. E kam fjalën për bjerrjen e vazhdueshme të motiveve që i mbajnë njerëzit bashkuar në atë parti. Dora dorës që kanë kaluar vitet i vetmi faktor lidhës ka mbetur shikimi i politikës si një biznes ndër më fitumprurësit për anëtarët e kësaj partie. Ishte kjo filozofia që çoi në institucionalizimin e praktikave të përdorimit të shtetit për afera private. Ishte kjo që u ndëshkua më 2005. Ndërkaq, ndonëse Nano anatemohet aq shumë nga Rama me fjalët “politikë e vjetër”, asnjë fjalë nuk është thënë nga Rama për këtë proces kaq “të shëndetshëm” dhe kaq “të ri”: për Nanoizmin si korrupsion. Rama ikën nga fjala korrupsion si shejtani nga thimjani. Shkaku është mëse i qartë: tërë ata që kanë mbetur pa Nanon atje me në kryer Ramën vetë (me ndonjë përjashtim të dorës së dytë) janë ndërtuesit e projektit që PS të funksionojë si një trust i madh biznesi fitimprurës që ka në prapavijë oligarkët e ndryshëm. Lufta që u hap me Nanon pra, e që çoi në humbjen e rradhës, (ashtu sikurse edhe ajo me Metën më parë) është rezultat i pritshëm i një degradimi të mëtejshëm të politikës dhe politikanëve në një parti të konceptuar kësisoj. Asgjë parimore nuk gjejmë në këto çarje dhe asgjë të qëndrueshme. Kjo shpjegon se pse ato edhe saldohen shpejt e shpjet e çsaldohen përsëri po aq shpejt. Po ende, aq më pak është e mundur të mbash të bashkuar një parti në emër të interesave të këtilla në një lojë ku mazhoranca, e cila ka pushtetin, është më e fortë. E vërtetoi edhe ikja e të gjashtëve. Rama humbi në këtë rast e mund të humbasë edhe më shumë sikur Berisha me prokurorin e tij të hapë dosjet e disa prej oligarkëve që e kanë mbështetur deri tani. Aq edhe më e rëndë do të bëhej humbja sikur të mos kishte edhe Bashkinë.
Nuk mund të ketë politikë ndryshe dhe PS ndryshe që të inspirojë besim tek politika dhe politikanët pa u goditur ky proces degradimi. Shpresa që kjo të ndodhte ka qenë katarsisi i Nanos dhe mbahet mend entuziazmi që pushtoi asaj kohe shumë vetë. Kurse tani fjalimet e Ramës tingëllojnë si në vakum, pa jehonë, si një retorikë boshe që nuk ve në lëvizje asnjë mendje dhe zemër shqiptari që vërtet është i lodhur nga politika dhe kjo klasë politike. Sepse shumica e ka të qartë tashmë se një nga faktorët e stërlodhjes është vetë kryebashkiaku i cili nuk ka guxim të akuzojë siç bëri Nano më 2001, sepse ka frikë se mos akuzohet për bëmat e tij korruptive. Kjo kontradiktë midis retorikës për ndryshim dhe nevojës për mosndryshim u shfaq më së miri edhe në përzgjedhjen e udhëheqjes së re të PS. E dominuar nga njerëz të stërkonsumuar që kurrë nuk kanë frymëzuar ndonjë besim tek politika asaj udhëheqjeje i janë shtuar disa emra që përfaqësojnë nanoizmin pa intelektin e Nanos në PS si dhe disa punonjës bashkie që i shtohen Ramës vetëm në funksion të rritjes së pushtetit të tij personal.
Si rezultat i kontradiktës midis nevojës për të nxjerrë në dritë shkakun e vërtetë të humbjes dhe pamundësisë për ta bërë atë përjetojmë edhe një kontradiktë të dytë për të cilën kam shkruar edhe herë tjetër. Kjo konsiston në kontradiktën midis më një anë nevojës për ndryshime radikale të shpallur nga Rama dhe, më anë tjetër, të kohës rekord në të cilën ai kërkon e premton ta bëjë këtë e që buron nga nguti për t’u rikthyer në pushtet. Madje, edhe më keq, Rama i premton ndryshimet radikale duke premtuar njëkohësisht luftë të pandërprerë ndaj armikut. Janë dy luftra njëherësh vështirësisht të përballueshme që çojnë pastaj edhe në humbje si kjo e Presidentit. Ajo ishte edhe rezultat i luftës kundër armiqve në dy fronte: brenda partisë dhe jashtë partisë. Kurse një parti vërtet e re me mendësi vërtet të re dhe me pastrim të vërtetë në rradhët e saj nënkupton një proces që kërkon kohë. E provon këtë përvoja e mjaft partive në vende të tjera demokratike që, pasi janë konsumuar nga abuzimi me pushtetin, u është dashur kohë të rimëkëmben. E provon edhe vetë përvoja e PD në Shqipëri.
(Korrieri, 28 Korrik 2007)

1 comment:

Endri said...

Zgjedhja e presidentit tregoi me se miri se procesi i reformimit te PS kerkon kohe dhe nuk mund te behet tak-fak. Kete gje e di me mire se ne te gjithe besoj vete Rama pasi atij i duhet te perballet me realitetin e PS perdite.

PS ka trasheguar nje grup te madh deputetesh nga 2005 (per te mos thene shumicen) te cilet i bashkon vetem ideja se PS-ja mund ti sherbeje atyre si biznes fitimprures. Per kete lloj trashegimie nuk mund te behet Rama fajtor. Pas zgjedhjes kryetar Rama duket se ka zgjedhur te bashkepunoje me ate pjese te ketyre deputeteve qe jane te bindur se Nano eshte figure perfundimisht e djegur dhe Rama mund ti coje ne fitore. Nderkohe Rama ka zgjedhur te luftoje pjesen e deputeteve qe e shohin Ramen si fillimin e fundit te karrieres se tyre politike. Ky lloj kompromisi me nje pjese te deputeteve te 2005 eshte i domosdoshem duke patur parasysh qe ata jane grup i madh dhe fundja jane deputete dhe 4 vjet per mire ose per keq kane kartonat ne dore. Ky lloj kompromisi ishte e qarte qe do te duhej te behej qe me zgjedhjen e Rames kryetar. Nga ana tjeter ky lloj kompromisi pengon reforma te mirefillta dhe perqendrimin tek tema qe e lidhin PS me elektoratin e saj.

Deri ne zgjedhjet e 2009 do te jete e pritshme qe PS te jete ambivalente mbi tema te rendesishme pikerisht ne saje te kompromisit me pjesen e vjeter. E rendesishme eshte qe baza e anetaresise se PS po zgjerohet dhe kesaj anetaresie po i jepet pushteti per te marre vendime tek PS. Kjo do te mbetet prurja me e rendesishme e Rames tek PS ne plan afatgjate.