Monday, September 24, 2007

Njeriu do-si-do

Në italisht ka një togfjalësh që ka hyrë tashmë në zhargonin politik: "uomo qualunque". Në shqip fjalën "qualunque" mund ta përkthejmë "çfarëdo" apo, ndoshta edhe më saktë, "dosido". Pra togfjalëshi në shqip mund të përkthehet: "njeriu dosido". Do të ishte më vështirë të përkthehej në shqip emri i lëvizjes politike: "qualunquismo", që ka kuptimin e një lëvizjes politike të njeriut dosido. Vështirë të thuhet "çfarëdollojsizmi" apo "dosidosizmi" prandaj është më mirë ta marrim termin nga origjinali, ndonëse nuk më duket keq edhe sikur të futet në shqip në formën "dosidosizëm", çka i jep edhe disa nuanca që nuk i ka italishtja, e, kur të flitet për Italinë, të thuhet "qualunquizëm" kurse për Shqipërinë "dosidosizëm". Qualunquizmi, pra, është një lëvizje që ka lindur në vitet e pas Luftës së Dytë në Itali, nga emri i një reviste "Uomo qualunque", që përfaqësonte një minorancë që nuk e gjente veten as në të majtën komuniste e socialiste as në të djathtën demokristiane. Konsiderohet si lëvizja e njeriut të papjekur për demokracinë që sapo ishte instaluar pas diktaturës fashiste; e njeriut që e kishte futur në krizë ndarja politike ngase i mungonin instrumentet kulturore për të kuptuar retorikën e pasluftës që u kërkonte të gjithëve një përkatësi ideologjike. E gjetën veten në këtë lëvizje edhe një pjesë e ish fashistëve që qenë humbësit e asaj lufte. Ishte një lëvizje që u shkri shumë shpejt për shkak të vitalitetit të partive demokristiane, komuniste apo socialiste që ishin në lulëzim në atë kohë e në të cilat e gjente veten pjesa më e madhe e italianëve.
Kohët e fundit ka lindur një lëvizje që analistët e kritikët italianë e kanë pagëzur "neo-qualunquismo". Është fjala për lëvizjen e komikut të mirënjohur Pepe Grillo i cili e ka nisur këtë punë më së pari në internet. E ka quajtur lëvizja VaFa që është shkurtimi i fjalës "Va ffanculo" që përsëri nuk është e lehtë të përkthehet në shqip, por besoj se më afër do të ishte: "Ik pirdhu" apo edhe "Këput qafën". Pasi u mblodhën e u bënë 300 mijë në botën virtuale të internetit partizanët e lëvizjes neo-qualunquiste "Ik pirdhu" dolën në sheshe duke i kërkuar tërë klasës politike të korruptuar të shporret nga skena politike duke shkaktuar një debat goxha të gjerë midis atyre që i mbështetën dhe atyre që u dolën kundra në mbrojtje të institucioneve dhe rrugëve institucionale për ndryshimin e klasës politike.
Duke shkruar për neo-qualunquizmin e sotëm Umberto Ecco bën një dallim të rëndësishëm me atë të pasluftës. "Njeriu dosido" i pasluftës, sipas tij, përfaqësonte një minorancë të sëmurë që nuk mund ta helmonte tërë trupin e shëndoshë të shoqërisë, kurse lëvizja e tanishme paralajmëron një sëmundje të tërë trupit shoqëror. Neo-qualunquizmi i sotëm, sipas tij, është shprehje e zhgënjimit ndaj klasës politike në tërësi, si të majtë edhe të djathtë. Këto e provon edhe numri shumë i madh i shitjeve të një libri që ka dalë së fundi me titull "Kasta" ku denoncohet pasurimi si dhe shpennzimet e mëdha të klasës politike që zotëron sot skenën politike italiane.Nuk mund të mos mendosh për realitetin shoqëror e politik shqiptar duke ndjekur këtë lëvizje pasi nuk mund të mos të të bijen në sy disa ngjashmëri që në realitetin tonë i gjen të stërfryra, madje në formën e karikaturëss së realitetit që shohim në Itali. Ngjashmëria e parë ka të bëjë me çështjen e "njeriut dosido". Me fjalë të tjera këtë njeri mund ta përkufizojmë si njeriu që nuk ka ndonjë përkatësi e as ndonjë ideal pasi nuk gjen asnjë grupim politik me të cilin të identifikohet, që nuk beson tek institucionet qofshin këto parti apo institucione shtetërore apo edhe fetare pasi i konsideron si të korruptuara që nuk i shërbejnë atij, por kastës që i ka zaptuar e prandaj ai kërkon rrugë jashtë këtyre institucioneve për t'u çliruar prej tyre. Por, nga ana tjetër, ai ndeshet me barrierën që i ve demokracia dhe rruga institucionale - krahas vështirësisë që i del për ta kthyer lëvizjen e vet kaq heterogjene dhe transpartiake në një parti të re. Është një njeri tek e fundit i pafuqishëm. Ky është përshkrimi tij si viktimë që në kontekstin italian e gjen edhe në tentativë për të dalë prej kësaj gjendjeje. Por, në kontekstin shqiptar, ai mund të përshkruhet më negativisht si njeriu që bëhet çfarë të duash, si e do e si ma do, pasi nuk ka asnjë ideal e asnjë përkatësi e as një siguri. E, po ashtu, me një pafuqishmëri shumë herë më të madhe. Nuk do shumë mend për të konstatuar se shoqëria shqiptare është e mbushur me njeriun do-si-do i cili është, për më tepër, i paaftë për të nisur lëvizjen "dosidosiste". Gati mund të thuash se shoqëria jonë është e tëra vetëm do-si-do njeri pasi edhe vetë politikanët aktivë, shpesh, kur shprehen jashtë mikrofonëve të mediave, shfaqen si njerëz dosido që nuk kanë asnjë besim në partitë e tyre e asnjë ideal. Pse ndodh kështu? Shkaqet janë të shumta të lidhura si me të kaluarën komuniste edhe me tranzicionin postkomunist e nuk më duket vendi për t'i hyrë analizës fije për pe. Thjeshtë mund të them si konstatim se duket se shumë shpejt pas rënies së diktaturës, pas një periudhe shumë të shkurtër ëndrrash e idealesh të fillimviteve '90, që krijuan edhe parti edhe lëvizje, shoqëria shqiptare kaloi nga "njeriun skllav" i diktaturës, në "njeriun do-si-do". Vitet e fundit, me zhgënjimin me të dy krahët e politikës, por edhe për shkak të varfërisë e pasigurisë të së ardhmes, mungesë së shkollimit gjithashtu, helmimit moral të marrëdhënieve shoqërore nga një mbijetesë e zhytur në informalitet e kriminalitet, por edhe ekzodeve të pjesës më vitale, numri i njerëzve do-si-do është rritur jashtë mase. Kemi të bëjmë me një shoqëri të shndrruar në një turmë njerëzish do-si-do, që paradoksalisht, mu prej kthimit kaq masiv në këtë kategori, nuk gjen dot Pepe Grillot e vet për të lançuar një lëvizje dosidosiste që t'i thotë "Ik pirdhuni!" partive dhe institucioneve që ato kontrollojnë. Dhe pa dyshim këtu vjen ngjashmëria e dytë karikatureske me realitetin italian: çështja e përgjegjësisë së klasës politike për katandisjen e shoqërisë sonë në një turmë njerëzish do-si-do. Kur shtrohet çështja nëse klasa politike është apo jo pasqyrë e popullit të vet Haveli shpreh një ide, që e kam cituar edhe herë tjetër, sipas së cilës përgjigja thjesht "po" është vetëm gjysma e së vërtetës. Sepse, sipas tij, mund të thuhet edhe se populli është pasqyrë e klasës së vet politike pasi klasa politike ka një rol aktiv në këtë pasyrim të ndërsjelltë. Ka shumë rëndësi se çfarë anësh të popullit zgjedh të promovojë klasa politike sepse dihet se qënia njerëzore ka brenda edhe të mirën edhe të keqen, edhe virtyte edhe vese. E pra, nëse klasa politike zgjedh të promovojë anët pozitive të njerëve, pasi edhe tek ajo ato janë mbizotëruese, atëhere edhe populli bëhet më i mirë pasi pasqyrues i virtyteve të kësaj klase politike. Kurse nëse ajo zgjedh të promovojë anët negative ndodh e kundërta. Me fjalë më konkrete kjo do të thotë se nëse politikanët zgjedhin për bashkëpunëtorë të tyre njerëzit e ulët të shoqërisë, njerëzit pa ideale pasi kështu mund të ralizojnë edhe qëllimet e tyre të ulëta atëhere edhe e tërë shoqëria do të pasqyrojë këtë ulësi. Është një fenomen që ne e njohim shumë mirë nga koha e komunizmit, kohë e sundimit të të paaftëve dhe mediokërve, por që e njohim shumë mirë edhe në epokën postkomuniste. Mjafton të sjellim ndërmend fenomenin Dushku për të mos patur asnjë dyshim se "njeriu do-si-do" i shoqërisë shqiptare është pasqyrimi më eksplicit i "njeriut dushk" të Parlamentit shqiptar, i cili, në vend të mbrojtjes së idealeve, të përkatësisë në një grupim ka promovuar mungesën e çdo ideali apo shitjen e çdo ideali për përfitime meskine vetiake. Një thënie angleze thotë se në parlamentet e gjithë botës do të gjesh 10 për qind më të mirët e një vendi, 10 përqind më të këqijtë dhe 80 përqind popullin e atij vendi. Nuk e di sa i shkon kjo parlamentit tonë të Dushkut, por me siguri di të them se nëse atje ndodhet 10 përqindëshi i më të mirëve atëhere e mira jonë është në nivele shumë të ulëta, çka nuk dua ta besoj. Është më e lehtë të bësh analizën e një situate e shumë më e vështirë të gjesh rrugëdaljen prej saj. Edhe ky shkrim tek e fundit, mbetet në kufijtë e shprehjes së pafuqisë një njeriut do-si-do që nuk gjen asnjë grupim politik me të cilin të identifikohet, që nuk beson tek institucionet pasi i konsideron si të korruptuara, e që e ka vështirë të gjejë rrugëdalje. Por gjithsesi për ata që kanë ende veshë për të dëgjuar besoj se nuk është kurrë e tepërt të thuhet e rithuhet ajo që shpreh kriza e njeriut do-si-do shqiptar se shoqëria jonë ka nevojë urgjente të shohë përtej atyre nevojave emergjente si uji, dritat, pasurimi legalizimi e më the të thashë në të cilat është përthekuar debati ynë e lufta jonë politike e përditëshme duke na kthyer në njerëz do-si-do. Edhe elita shqiptare, ajo çka ka mbetur nga inteligjenca shqiptare, nga shtypi serioz shqiptar nga politika serioze shqiptare (ndoshta ai 10 përdqindëshi) nga kultura shqiptare, nga ata që qoftë edhe vetëm me një pjesë të ndërgjegjes e refuzojnë katandisjen e shoqërisë në turmë njerizish do-si-do, duhet ta kthejnë vështrimin drejt projektesh që do të synonin njeriun me dinjitet e përkatësi që beson në ideale e që nëpërmjet dialektikës demokratike me të tjerë njerëz me ideale e përkatësi të tjera çon përpara edhe shoqërinë edhe personalitetin e dinjitetin e vet. (Korrieri 17 shtator 2007)

5 comments:

N.Ago said...

Ideja interesante, për të krijuar dhe në atdheun tonë, të mbërthyer kryekëput nga mediokriteti i mediokërve, filialin e "Ik Pirdhu"-nit.

Agobooks said...

p.s.: I njëjti person që shkrova më lart.
Këtë shprehjen italianët, mos ndoshta e përdorin me një kuptim akoma më..."intim"?

edrus said...

Më tepër se "dosido", në këtë rast, l'uomo qualunque është:njeriu kushdo.
Dhe vetë "qualunquìsmi", përfaqësonte atë lëvizje politike që përpiqej të përfaqësonte njeriun e zakonshëm, në këtë rast, ata që politika as që ju interesonte, për vetë faktin se kishin humbur besimin tek politika dhe politikanët dhe që kundërshtojnë ç'do iniziativë politike të partive ose të shoqatave pa dallim(ashtu si autori e spiegon më poshtë përsa i përket neoqualunquismit).

Nëse në Itali, klasa politike që ka një pozicion shumë më të fortë dhe se bankat, nuk mund të lejojë që një lëvizje qualunquiste nën pretekstin se mund të dëmtojë "bazat e demokracisë" (dmth partitë politike të organizuara dhe të zgjedhura nga populli në parlament), në Shqipëri, vështirësia është akoma më e madhe, se përveç ruajtjes me ç'do lloj arme dhe makinacioni të statusit dhe kushteve të arritura nga politikanët e ç'do ngjyre, i shtohet dhe verbëria e popullit për ta konsideruar politikën tashmë vetëm dangjyrëshe: kuq/blu.

Para disa ditësh po flisja me një shoqe në chat, po bënim 'biografinë' e njerëzve të mirë... pikërisht të atyre njerëzve çfardo/kushdo, që tashmë, edhe pse mund ta mendojnë ndryshe për shumë probleme përsa i përket mjaft aspekteve të jetës ekonomike, politike o fetare, kur është puna për të diskutuar, arrijnë që të gjejnë një kompromis për të mirën e të gjithëve dhe në interes të të gjithëve.
Po, unë jam një qualunque, një kushdo, bile edhe dosido nëse ju pëlqen, por do të doja që ata njerëzit e mirë, ata 'dosido'-të, të fillonin dhe të shikonin për të gjetur një mënyrë tjetër për të dalë nga bataku i rrënimit, vjedhjes dhe grindjeve.
Përshëndetje të gjithë 'normalëve' dokudo!

meditime-pershtypje said...

Pa e vrare mendjen se si e quajne italianet ate levizjen,une jam me ate komikun qe thote"IK e pirdhuni".Sa mire do te ishte qe ne Shqiperi te gjente terren nje levizje e tille,qe,po te perkrahej,(do te ishte,ndoshta,arritja me ebukur?!)njezeri te bertisnim:-Ik e pirdhuni ju qe per 17-vjet vetem genjeni,mashtroni duke ia hedhur fajin njeri-tjetrit dhe duke e lene Shqiperine mbi trenin e mesjetes.Te ikni te pirdheni me gjithe nepotizmin tuaj te semure dhe duke luajtur arushe me nje popull te tere.Por a do mundet njehere,valle?

bledarbregasi said...

I dashur Fatos,
Ne Itali, shoqeria e dosidoizmit, o e qualunquismit si duam ta quajme, eshte nje reaksion i shoqerise italiane kundrejt nje sistemi politik teje i vjetersuar qe nuk eshte ne gjendje te kryeje reformat politike me urgjente, dhe te pasqyroje deshirat the opinionet e shoqerise italiane. Ky sistem politik eshte katandisur "fine a se stesso", d.m.th. problemi me i madhe i politikes italiane, eshte vet politicka italiane. Levizja e Beppe Grillos, nuk eshte gje tjeter, vecse nje distancim i shoqeris italiane nga ky sistem politike, qe e shef si dicka qe nuk i perket. Distanzimi i shoqeris italiane nga politica eshte nje fenomen qe eshte cituar me shume preokupim edhe nga vete kryeministri Prodi disa muaje me pare nga dita e V-day. Dhe V-day nuk eshte nje fenomen anomal, eshte thjesht pjese e lojes domokrate, ku i perfaqesuari (populli)organizzohet per tu terhequr vemendjen perfaqesuhesve (deputeteve) per te reflektuar mbi opearativitetin e tyre, sepse nuk jane duke bere deshiren e te perfaqesuareve. Eshte thjesht nje aksion qe bazohet ne ndergjegjen dhe pergjegjesin e nje shoqerie per tu aktivuare ne menyre qe ti percjellin sistemit politik te tyre ato impulse te nevpojshme per te korigjuare veprimtarine è tyre. Per ta thene me pake fjale, DEMOKRAZIA nuk eshte si ajo lulja qe mbine, ritet dhe jetone vetem me driten e djelli, por kerkon angazhimin e shoqerise ne mnyre kostante dhe te pergjegjshme per ta mbajture gjalle. Dhe V-day eshte nje thjesht nje reaksion i nje shoqerie demokrate e cila kerkone te ruaje bazat e sistemit demokratik, d.m.th. nje qeveri qe te jete pasqyrim i problemeve dhe nevojave te saja.Ne Shqiperi, populli shqiptare, mendoj se demokrazia ndertohej per disa muaje ne fillim te viteve 90 dhe do vazhdonte te jetonte ne menyre autonome nen driten e diellit. Nese duam demokrazine, duhet te pranojme edhe koston e demokrazise, e cila imponon shoqerise nje konoll konstant te perfaqesuesve te saje, sepse deputetet tan nuk jane te shenjte dhe kane shkuar ne Tirane per te bere te miren e popullit ne menyre korrekte. C'do pushtet pa controllin e shoqerise se vete, heret apo vone degjenerone dhe Shqiperia eshte rasti real.
Me respekt Bledari
26/09/2007