Thursday, September 27, 2007

Memoria dhe historia

Pas deklaratës së Berishës që kërkoi nga historianët të shkruajnë të vërtetën është hapur edhe një herë debati mbi rishkrimin apo korrigjimin e historisë të shkruar në kohën e komunizmit. Sipas një pale, këndvështrimin e së cilës kërkon të interpretojë kryeministri, kjo historiografi vazhdon të mbisundojë padrejtësisht me deformimet dhe manipulimet e veta prandaj duhet ndryshuar në mënyrë radikale. Kurse sipas palës që përfaqëson kryesisht mendimin e ish komunistëve ajo ka nevojë për ndryshime, por qëndron, megjithatë, në shumë pjesë dhe këto ndryshime nuk mund të bëhen me udhëzime, por janë punë e historianëve.
Përpara se të shpreh ndonjë mendim mbi këtë çështje më duket me vend të bëj një shtjellim paksa më teorik mbi dallimin midis historisë dhe memories pasi ajo çka bije në sy në debatin tonë është konfondimi midis asaj që quhet histori dhe asaj që quhet memorie. Këto të dyja nuk janë sinonime. “Memoria është jetë e një grupi të gjallësh, gjithmonë në evolucion, e hapur ndaj dialektikës së kujtesës dhe harresës, e pavetëdijëshme për deformimet e saj, e brishtë përballë instrumentalizimeve dhe manipulimeve, e aftë për gjumë të gjatë dhe për zgjime të papritura” – thotë historiani frëng Pierre Nora. Kurse, historia, gjithë sipas tij, është diçka tjetër. “Ajo është rindërtimi problematik dhe gjithmonë i paplotë i asaj që nuk është më.”
Memoria, pra, në kuptimin që i jep asaj Nora, është një fenomen gjithnjë aktual. Nëpërmjet saj ne jetojmë, si të thuash, një të tashme të përjetshme. Ajo është e ngarkuar me dashurira, urrejtje, pasione, nostalgjira. Ajo kënaqet me detajet që e bëjnë të ndjehet mirë dhe ushqehet me kujtime nganjëherë edhe të turbullta, apo ikanake apo edhe simbolike. Ajo i nënshtrohet edhe cenzurave, por edhe projektimeve apo transfertave, nëse do të përdorim një koncept psikanalitik. Kurse historia, përkundrazi është një operacion intelektual dhe laicizant, ajo kërkon analizë dhe diskurs kritik. Ndërsa memoria i jep kujtimit një vlerë të shenjtë, historia e çshenjtëron kujtimin, e bën prozaik. Mund të thuhet se ka aq memorie sa çka edhe grupe dhe fraksione. Kurse, për princip, historia duhet t’u përkasë të gjithëve dhe asnjërit. Kjo i jep historisë një vokacion universal që memoria nuk e ka. Sipas Pierr Nora historia dyshon gjithnjë tek memoria, misioni i saj i vërtetë është ta largojë, ta zbërthejë/dekonstrukojë memorien. Ambicia e historisë, sipas tij, nuk është ekzaltimi i asaj që ka ndodhur realisht, por asgjësimi i saj.

Duke e përthyer debatin tonë në prizmin e këtij dallimi midis historisë dhe memories nuk është vështirë të arrish në konkluzionin se debati ynë është një debat mbi memorien paçka se flasim për histori. Krejt shekulli që sapo kemi lënë është ende në shumë aspekte fushë e memorjes; ai nuk ka hyrë ende në fushën e historisë sipas konceptit që i jep historiani frëng. Ne i kemi ende mbi kurriz ngjarjet e Shekullit të XX dhe vazhdojmë të shfryjmë pasionet tona mbi to apo nëpërmjet tyre duke i ekzaltuar apo harruar. Jo vetëm por çështja jonë bëhet shumë më e komplikuar pasi memoria jonë e periudhës së komunizmit ka qenë edhe instrument pushteti, madje i një regjimi diktatorial totalitar që pretendonte se zotëronte të vërtetën e të vërtetave në të gjitha fushat e dijes e që jo vetëm ka shpëlarë trutë e njerëzve nëpërmjet historësë e memories së shkruar prej tij, por ka kryer edhe shumë krime me duart e këtyre njerëzve trushpëlarë. Dhe kjo e rëndon edhe më shumë emocionalisht memorien tonë. Në debatin tonë po ashtu konfondimi i memories me historinë është pjesë e problemit, pasi historiografia komuniste, ndërkohë që ishte kryesisht memorie, dhe pak histori e ideologjizuar pretendonte se po shpaloste të vërtetën e fundit shkencore pasi ajo pretendonte edhe se zotëronte metodën e drejtë: atë të materializmit historik.
Nëse do të tentojmë të karakterizijmë atë që shumëkush e quan historia jonë mbi të cilën debatohet sot, duke e thjeshtëzuar paksa, mund ta ndajmë në tre faza kryesore. Historia nga lashtësia deri më 1912, historia nga 1912 deri në Luftën e Dytë si dhe historia e Luftës e në vazhdim deri më 1991.Përsa i përket periudhës nga 1912 e poshtë historiografia komuniste mund të thuhet se la të paprekur në frymën e saj një historiografi të filluar së shkruari nga Rilindja me metodën e ideologjisë nacionaliste që shërbeu si mit nacional e që mund të përmblidhet në titullin e një emisioni të Radio Tiranës së asaj kohe “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Për shembull pas Skënderbeut e deri më 1912 historiografia jonë që mësohet nëpër shkollat e mesme përmend vetëm dy tre kryengritje dhe asgjë më tepër, madje glorifikon me frymë nacionaliste edhe një kryengritje si ajo kundër reformës së Tanzimatit e cila në fakt ishte një reformë modernizuese e shtetit. Ky boshllëk gati pesëqind vjeçar shpjegohet me atë se nuk kemi të bëjmë me histori, por me një manipulim me frymë nacional romantike të materies historike, me një mitologji nacionaliste që e përdor historinë si instrument për krijime identitetesh të reja apo për krenari kombëtare. Nevoja e rishkrimit të kësaj historie, çka do të thotë edhe e dekonstruktimit të miteve të nacionalizmit, është diçka që është trajtuar shpesh kudo në Ballkan ku nacionalizmat e ushqyer edhe me manipulimet e historisë shkaktuan tragjedi. Në Shqipëri ky proces rishkrimi ka pasur më pak sukses sa për shkak të prapambetjes së frymës kritike në kulturën shqiptare aq edhe për ndikimin e fortë të historiografisë nacional – komuniste e cila infektoi edhe brezin më të fundit të historianëve. Kjo periudhë nga një anë është më e lehta për tu kthyer në histori në kuptimin që i jep asaj Nora sepse është më larg. Por nga ana tjetër është edhe më e vështira pasi rishkrimi i kësaj historie kërkon historianë sa të ditur aq edhe kurajozë që nuk tremben nga akuzat se po prekin rrënjët e kombit. Të vështirë e bën rishkrimin e kësaj historie edhe fakti se për këtë nuk ka debat serioz as në rrethet akademike as në grupime më të gjera. E vetmja shtysë ka ardhur nga jashtë duke patur parasysh projektet e integrimit evropian që nënkuptojnë edhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët. Nën ideologjinë e paqes e të integrimit pa dyshim historia mund të shkruhet krejt ndryshe nga ajo e shkruar nën optikën nacionaliste pasi në historinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët mund të përmenden edhe ato periudha të harruar nga mitologjia nacionaliste kur ata kanë jetuar në paqe e harmoni me njëri tjetrin gjë që përkon edhe me hapësirën më të madhe kohore. Por përsëri kemi të bëjmë me një histori të ideologjizuar, po që sa më kritike e problematike të jetë aq më shumë do t’i afrohet asaj që e quajta në krye të shkrimit histori. Megjithatë le ta lemë periudhën e para 1912 për tu ndalur më gjatë në periudhën e pas 1912 për të cilën duket se është hapur edhe debati ynë i fundit. Përsa i përket fazës nga Lufta e këtej memoria e komunistëve ka kryer procese të paimagjineshme seleksionimi, cenzurimi e projektimi. Zhdukja deri edhe nga fotografitë historike, me retushim, e figurave të padëshiruar historike tregon nivelin banal të këtij procesi. E tillë është edhe periudha nga 1912 e deri më 1939. Edhe ajo ka njohur seleksionime pa fund e lënie në harresë e hiperbolizimie figurash. Edhe në trajtimin e saj arrihet deri atje sa të hiqen figurat e pjesëmarrësve në ngritjen e flamurit duke lënë në ballkon vetëm Ismail Qemalin. Nuk mund të mohoet se pas rënies së komunizmit kemi një përpjekje për ta rishkruar atë që është shkruar mbi periudhën nga 1912 e këtej. Por nuk mund të mohoet se mbetemi në fushën e memories jo të historisë megjithatë. Korrigjimet që i janë bërë kësaj memorieje, ose që tentohet të bëhen diktohet më së shumti nga pasione dhe ndjenja të grupeve të tjera emergjente të ngarkuara me ndjenjë kundërvënieje për padrejtësitë e bëra nga komunistët, për denigrimin e disa figurave dhe lënien në harresë të disa të tjerave ku jo rrallë bardhe e zija kthehet në zi bardh nga memoria e kundërshtarëve të komunizmit. Jemi pra në një proces në zjerjeje, krijimi si të thuash të materialit për historianët që do të vijnë. Por a duhet për këtë t’u imponohet historianëve heshtja derisa të vijë momenti i tyre? Jo. Më një anë mund të thuhet se memoria është një etapë e detyrueshme që duhet të kapërcehet për të arritur në një pikë tjetër, se kalimi nga memoria në histori kërkon kohë dhe inteligjencë duke shtuar se edhe memoria vetë kërkon inteligjencë sepse nga cilësia e memories së sotme do të varej shumë edhe historia e së nesërmes. Nga ana tjetër kurrsesi nuk mund të flitet për një histori që fillon të shkruhet vetëm pasi mbaron procesi i memories. Diskursi kritik i historianit, i cili punon me memorien, por punon kryesisht me dokumente, dhe në libra e revista serioze e jo në gazeta e televizione, mund të fillojë edhe paralel me memorien. Fatkeqësisht ne këtë aspekt kam përshtypjen se ne kemi ngecur. Tekstet më serioze historike, (një për periudhën e Zogut dhe një për Luftën) i ka shkruar një i huaj, amerikani Bernd Fischer. Por më dramatik është fakti se mungon në shkollat tona e në ndërgjegjen tonë në tërësi e në mësimdhënien tonë metoda, fryma apo këndvështrimi i një autori si Fischer, i cili synon të bëjë histori ashtu siç e përkufizon Nora. Në kontekstin që shtjellova deri këtu mendoj se ndërhyrja e kryeministrit duhet parë në dy aspekte. Si përfaqësuesi i një grupimi antikomunist që kërkon të korrigjojë një memorie tejet deformuese të një të kaluare në emër të identitetit e vlerave të grupimit që ai përfaqëson, por edhe si kryministër që ka nën përgjegjësinë e vet edhe programet arsimore ku duhet të mësohet një histori që t’u përkasë të gjithëve jo vetëm një grupimi e që për këtë ka detyrë të tërheqë vëmendjen edhe të mësuesve edhe të shkruesve të teksteve edhe të historianëve. Sipas gjykimit tim si kryetar i një partie politike që lindi nga lëvizja antikomuniste ai mund të kritikohet se sëbashku me partinë e tij ka bërë pak dhe jo me mënçurinë dhe pjekurinë e duhur për tu ngjizur një memorie ndryshe e shekullit të XX shqiptar. Në këtë aspekt mund t’i kërkohet më shumë pasion rishkiues e rivlerësues sepse, nëse historia është kryesisht punë e shkencëtarëve memoria është punë e të gjithëve, edhe e politikanëve, në mos qoftë kryesisht e tyrja. Pa harruar se, megjithë relativitetin e saj, memoria përsëri kërkon ndershmri dhe sinqeritet dhe ndjenjë drejtësie ose politizim të drejtë, pasi edhe ajo duhet të na mësojë të vërteta dhe jo gënjeshtra dhe të na edukojë se si të vlerësojmë. Edhe grupimet e ashtuquajtura të majta e kan lënë pa prekur memorien e tyre të shkruar në kohën e komunizmit për qëllime manipulimi politik kryesisht, mbijetese, vetëmbrojtjeje duke tentuar të vonojnë sa të mundin një proces që vonon kështu edhe rritjen e ndërgjegjes së shqiptarëve. Në vend se të shpenzohen para për të bërë koncerte rok në Pezë me të rinjtë do të ishte shumë më e shëndetëshme që të bëhej atje një simpozium për të venë në vend historinë e Pezës me tërë kompleksitetin e saj. Historia për të cilën flet Nora si “rindërtimi problematik dhe gjithmonë i paplotë i asaj që nuk është më”, nga vetë definicioni që i jep ai, nuk mbaron kurrë së shkruari. Ajo është gjithmonë e paplotë. Çdo kohë ka këndvështrimin e vet, metodat e veta kërkimore gjithashtu. Por nga ana tjetër ky reletivizëm i memories dhe i historisë kurrsesi nuk mund të nënkuptojë pranimin e falsifikimeve dhe manipulimet e kryera nga historiografia komuniste. Madje dhe këto manipulime sot duhet të jenë objekt i memories dhe historisë së re. Së fundi në këto shënime të paplota dua të ve në dukje se kur flitet për historinë, por edhe për memorien, nuk duhet harruar asnjëherë, krahas dallimit midis memories dhe historisë edhe nevoja e ndryshimit të frymës me të cilën është shkruar edhe memoria edhe historia jonë që ka përcaktuar edhe metodën që vazhdon të reflektohet edhe në debatet aktuale. Kjo ka të lidhje me një pyetje themelore: atë se për çfarë na shërben ne memoria apo historia, përse duam tua mësojmë nxënësve në shkolla të kaluarën. Po ta vesh re metodat që përdor memoria apo edhe historia e mitologjizuar nacional – komuniste ato kanë synuar ta venë memorin apo kujtesën në shërbim të identitetit të një grupi që pretendonte se kishte edhe monopolin e së vërtetës e që e vinte këtë në shërbim të pushteti të tij. Roli i historisë si burim identiteti dhe krenarie kombëtare vazhdon të ekzaltohet edhe nga dy grupet e sotme debatuese. Kurse historia në thelbin e vet është një mësuese - “më e madhe e mësuesve” e quan Polibi - që nuk synon t’i shërbejë as pushtetit as përkatësisë as identitetit apo krenarisë, por njohjes prej nga vijmë për të kuptuar më mirë se ku jemi në mënyrë që të ndërtojmë më me mënçuri të ardhmen. Ne na duhet ta njohim sa më mirë historinë e Zogut jo thjeshë për të rivlerësuar më shumë apo më pak ndonjë figurë, qoftë edhe atë të Zogut, (kjo është diçka dytësore) por mbi të gjitha për të kuptuar më mirë se çfarë faktorësh ishin ata që ndikuan që komunizmi ynë të ishte më i egri në tërë Lindjen, dhe diktatori ynë komunist më mizori. Ashtu sikurse na duhet të njohim sa më mirë histiorinë e komunizmit shqiptar për të kuptuar pse po përjetojmë këtë tranzicion kaq të vështirë. (Korrieri, 22 shtator 2007)

4 comments:

Anonymous said...

I dashur Fatos, ( Me fal qe po te drejtohem me Emer dhe Jo Z Lubonja, se mbase nuk njihemi por gjithmon i kam lexuar me endje shkrimet tuaja)
Mendoj se keni kapur nje teme shume te mire dhe me rendesi. E keni trajtuar ate me shume objektivizim.
Mendoj se fakti qe nuk kemi akoma nje histori te shkrojtur e te pranuar nga te gjthe shqiptaret
( ose te pakten nga shumica tone)eshte nje faktoret e shumte qe duhet fajesuar per tere te keqiat qe kemi pasur dje dhe kemi sot.
Une personalisht nuk jam ndonje njohes i madh i historive te komebve te tjera por gjithmon me ka pelqyer te shikoj se si kombet e tjera e kane perdorur historine ( jo memorjen) ne interes te tyre.
Jetoj ne SHBA dhe me ka bere gjithmon pershtypje sesi Amerikanet trajtojne momeente te historine e se tyre per te mesuar dhe nxjere mesime. Edhe sot ka shtete qe festojne si feste te tyre fitoret e konferderalisteve ndaj forcave te Veriut.( ne kontrast nga ne qe akoma nuk po dime te trajtojme kohen e LNCL/Civile) Me ka bere pershtypje se si trajtohet nga historia Amerikane Lufta e Vietnamit etj etj. Po keshtu me ka bere pershtype se si Francezet trajtojne Revolucionin Frances , ap Gjermanet kohent e Luftes se II Boterore, etj etj. Ndersa ne vazhdojme te shkruajme meomrje dhe jo histori.
Mendoj se ky ndryshim ka lidhje me mentalitetin tone si popull me shume se sa qeverite apo sistemet politike-ekonomke qe ka pasur apo ka ne Shqiperi. Per sa kohe ne si mentalitet nuk dot kemi militatizmin kombetar por ate partiak-politik une nuk shikoj asnje mundesi te kemi nje histori kombetare te shkrojtur, por vec memorje te shkrojtura do te kemi. Mendoj se ketu qendorn edhe problemi yne. Problem ky qe nuk mund te zgjidhet as me nene kushtetuese as me vendime qeverie apo parlamenti. Mendoj se ketu qendorn edhe roli tuaj si gazetar. Ndryshimi e ketij mentaliteti eshte detyra tuaj dhe e kolegeve tuaj, ne bashkpunim me shkollen apo institucionet e tjera edukuese me shume se sa detyre e shtetit apo e parlamentit. Duke ardhur ne kete pike mendoj se shkrimi tuaj eshte shume me vlere por pak si teper akademik e shkencor duke menduar vlerat qe do te kete te une si pjese e atij grupimi duhet influecuar per ndryshimin e mentalitet qe permenda me lart
T.K.

edrus said...

A s'do të ishte më mirë që kryeministri, në vënd të "direktivave" për rishikimin/rishkruajtjen e historisë dhe me caktimin e fondeve për krijimin e një universiteti në Kukës, të caktonte dhe të financionte një grup akademikësh dhe 'minj bibliotekash' që të futeshin dhe të kërkonin seriozisht materiale për ta rishkruar historinë sa më larg emocioneve të memorjes?

Atëhere do të mund 'të lante duart' dhe të ndihej të paktën vetë i pastërt... nëse e ndjen të nevojshme.

xixa said...

Memorja dhe Historia apo e Vërteta dhe Historia ?

Nga çdo kendvështrimi që t’a marrësh, kërkesa e Z. Berisha për t’ju thënë shqiptarëve të vërtetën e tyre historike ose e thënë ndryshe, rishkrimi i historisë mbetet një nismë e lavdërueshme.
Në këtë mënyrë, rishkrimi i historisë kombëtare gjen vendin e merituar në mes të sfidave themelore të Republikës së IIItë : zgjidhja e krizës energjetike dhe sigurimi i ujit të pijshëm, lufta kundër krimit të organizuar dhe korolarit të tij korrupsionit, administrimi i ekonomisë kombëtare dhe sigurimi i mjeteve financiare…
E vetmja e panjohur është se në ç’mënyrë studiuesit dhe historianët mund të rishkruajnë këtë të vërtetë. Pra : cilat janë raportet mes historisë dhe të vërtetës ?

Historia e së vërtetës dhe e vërteta historike.

Pa asnjë dyshim, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në këto debate – në rradhë të parë profanët – noton në mes të një konfuzioni të plotë : kur përmendim Historinë, vallë bëhet fjalë për një realitet tashmë të shkuar apo për « tregimin » e shkruar nga historianët lidhur me të ? As që vihet në dyshim që mes këtyre « kategorive » egziston një dallim thelbësor : ai tregim lidhur me të shkuarën bëhet në të tashmen e historianit. Pikërisht, distanca mes objektit (të shkuarës) dhe subjektit (historianit) përfaqëson edhe esencën e çështjes të të vërtetës në histori.
Elementi i dytë sqarues i dedikohet faktit që, në dallim të madh nga shkenca, qëllimi i historisë nuk është ndërtimi i modeleve, i skemave ose koncepteve përgjithësuese, por pikërisht rindërtimi i realiteteve individuale. Pra historia rendit faktet – faktin që mbetet dukuri e përveçme. Në këtë mënyrë detyra e saj e parë është krijimi i një « konstruksioni historik », i cili në qoftëse nuk mund të karakterizohet nga « objektiviteti », të paktën duhet të reflektojë ndershmërinë e historianit. Në praktikë, kjo ndershmëri reduktohet në një kompromis : ndërgjegjshmëri lidhur me kufijtë e horizontit të tij, gjerësi lidhur me pranimin e debatit dhe të kritikës, garanci e paraqitjes të të gjithë aspekteve të të shkuarës…
Si e gjejnë vehten në këtë skemë historianët dhe studiuesit tanë ? Në mungesë objektive të « objektivitetit », mbetet të vihet në dyshim ndershmëria e tyre. Por, çfarë kanë bërë ata më tepër se sa « interpretimin e Historisë në kontekstin e kohës së tyre » - atë të Komunizmit ? A mjafton vallë të ndrrohet konteksti – dhe me këtë rast shprehja Komunizëm të zëvendësohet me Demokraci – që produkti historik të shëndrrohet në të vërtetë historike ? Pra, në vend që Z Kryeministër të kërkojë rishkrimin e Historisë, është më e udhës që ai të ftojë studiuesit për t’a shkruar atë ndryshe. Në përputhje me zhvillimet e reja demokratike të vendit, fakti historik të gjejë vendin e vet të merituar – të rishkruhen emrat e patriotëve të fshira nga listat si ajo e Pavarësisë dhe me këtë rast, të fshihen me atë gomën e turpit emrat e atyre komitëve dhe kaçakëve të padenjë. Paçka se « karakteri historik nuk gjendet mes fakteve por në botën e njohjes në përgjithësi ». Me këtë rast, ata do të ndërmarrin atë hap aq të domosdoshëm – përfshirjen e faktit politik mes morisë së fakteve historike.
Me që ra rasti, le t’i hedhim një vështrim atyre raporteve të pazgjidhshme mes Historisë dhe politikës, të cilat Z Kryeministër i kqyr sikundër raporti ndaj të vërtetës dhe lirisë. Ndërlidhja univoke që krijon barazvlerën Histori  e vërtetë dhe politikë  liri, mbetet gjithmonë për t’u vërtetuar, aq më tepër që përpara mendimtarit tonë, të tjerë mendimtarë sikundër historiani Maurice Sartre nuk ngurron aspak të pohojë se « çdokush duhet të bjerë dakord se e vërteta në histori i përket utopisë ». Përfundimisht, ne propozojmë një tjetër përçapje, e cila në mos më e thjeshtë, të paktën është më e kjartë :
për hir të ndershmërisë ndaj profesionit, nga njera anë historianët dhe studiuesit duhet t’i rikthehen të kaluarës dhe nga ana tjetër, paraprakisht, ata duhet t’ju thonë me plot gojën shqiptarëve se asnjë prej tyre nuk është në gjendje të sjellë të vërtetën lidhur me Historinë.
Gjatë këtij kërkimi utopik të të vërtetës, i vetmi element që çlirohet dhe vendoset përpara çdo kërkuesi është ai i ruajtjes së kërkesës të të vërtetës, pra : përkushtimi ndaj tendencës drejt të vërtetës si dhe përdorimi i procedurave të vërteta në punën e çdo historiani.

Historia dhe ideologjia.

Nga momenti që historiani është i ndërgjegjshëm për rolin e tij në krijimin e « konstruksionit historik » ai angazhohet në një proces fort delikat pasi para së gjithash, ai ve në lojë përgjegjësinë e tij. Përpjekja e « rindërtimit » nuk mund të jetë e paanshme. Ajo ndërvaret nga botëkuptimi i specialistit, nga formimi i tij, nga mjedisi i tij familjar – nga mbivendosja e fushave të ndryshme (ekonomike, kulturore, fetare etj.. etj) që krijojnë përfundimisht edhe përfytyrimin e tij shoqëror – nga « habitusi » sipas filozofit Bourdieu. Pra : ajo përmban rreziqe të mëdha.
Duke u përpjekur të rikrijojë historinë, historiani rrezikon të « vrasë » memorjen ose të riekuilibrojë memorjet konkurruese, të mjekojë memorjet e plagosura – shpesh të verbra ndaj memorjeve të tjera. Troç, të ndreqë një gjë duke prishur një tjetër. Sidoqoftë, a kemi të drejtë të identifikojmë memorjen, këtë lëndë « të hapur ndaj dialektikës së kujtesës dhe harresës », këtë fenomen gjithnjë aktual, me të tashmen e përjetshme ?
Është krejt e vërtetë se deri diku, debati ynë është një debat mbi memorien paçka se flasim për histori sikundër është i vërtetë edhe fakti tjetër se një varg specialistësh arrijnë të bëjnë dallimin mes historisë së mirëfilltë dhe historisë « imediate » - pra bashkëkohore. Si njera edhe tjetra trajtojnë faktin individual, dukurinë historike paçka se kjo e fundit rrezikohet të destrukturohet – « të asgjësohet » - sipas shprehjes së Pierre Nora. Por na duhet të pranojmë se ai kalim i detyrueshëm drejt historisë nëpër atë etapë sikundër memorja nuk kërkon vetëm kohë dhe inteligjencë. Para së gjithash, ky proces mbështetet mbi njohjen dhe pranimin e principit se jo vetëm memoria jonë e periudhës së komunizmit ka qenë –para së gjithash- një instrument pushteti por edhe se historia në kuptimin e saj më të gjerë i ka shërbyer dhe i shërben një pushteti, pasi ajo është pjesë përbërëse e një ideologjie të caktuar. Le t’a quajë sa të dojë Polibi mësuese - “më e madhe e mësuesve” ! Përderisa procesi i njohjes prej nga vijmë dhe ku shkojmë programohet dhe monitorohet nga pushteti nëpërmjet shkollës dhe i shërben krijimit të një përkatësie, identiteti apo krenarie kombëtare, është e kotë te nanuriset mendimi intelektual me idenë e pavarësisë së Historisë ndaj ideologjisë.
Periodizimi i historisë kombëtare nxjerr në dukje se, krahas epokës Republikë e Parë dhe Monarki e Zogut (1920 – 1939) dhe epokës në vazhdim Republikë e dytë e Hoxhës (1944 – 1991), renditet ajo bashkëkohore – Republikë e Tretë Berisha – Nano – Berisha (1992 – deri në ditën e sotme). Përpara tyre, gjendet mjegullnaja historike e paanë me gjithë konstelacionet e saj : njerëzit e shpellave, Pellazgët, Ilirët, Arbërit, Skënderbeu i pafaan, Turku mysliman, Aliu i Tepelenës, Hasan Zyko Kamberi dhe Rrapo Hekali i xhelepeve, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemal Vlora dhe Esat pashë Toptani…
Për hir të Heroit tonë kombëtar – Kalorësit të krishtërimit dhe shqytit të Katolicizmit - le të ndalemi për disa çaste në epopenë skënderbejane - aq të dashur për çdo zemër shqiptari, me qëllim që të kqyrim ndërtimin e Mitit.

* * *

Ndërkohë që në vitin 1479, kalorësit e parë turq që depërtonin në katedralen e Shënkollit të Lezhës rihapnin varrin e Heroit dhe zhvarrosnin eshtrat e tij për t’i bërë hajmali, vepra e parë letrare që dëshmonte për jetën dhe përpjekjet e tij botohej në Venedik. Ndërkohë legjenda e Skënderbeut kish kaluar detin për të pushtuar zemrat e Evropës : mjaft evropianë kishin luftuar të pafetë turq nën urdhërat e Kreshnikut të Krujës dhe nga ana tjetër, arbërit e shumtë që kishin braktisur vendin, kishin mundur të ruanin figurën e tij në shpirtrat e tyre. Ata mundën të ushqenin atë zjarr gjatë shekujsh, nëpërmjet besimeve të tyre dhe folklorit aq karakteristik të popullit arbëresh të Italisë së jugut dhe të Siqelisë.
Në mënyre paradoksale, vendi në të cilin Skënderbeu lindi, luftoi dhe ndrroi jetë duket sikur e harron pak nga pak, për të mos thënë që e injoron figurën dhe veprën e tij. Nën pushtimin, tutelën dhe më pas përkujdesin otoman, breza të tëra ndjekin njëri tjetrin dhe përjetësojnë traditën e shqiptarit trim, të fituar gradualisht – nëpërmjet shërbimeve të vlefshme dhe besnike. Kjo vlerë e sigurt – luftëtar i paepur, shërbëtor i bindur i Sulltanit dhe mysliman i devotë – do të jetë një mirësi e pafund për Perandorinë dhe një fatkeqësi e përjetshme për armiqtë e saj. Në kohën kur të fundmit e kalorësve të ikur arbër, ata mercenarët stratiotë që kishin fituar lavdi nën hijen e shqipes dykrerëshe, shuheshin njëri pas tjetrit në shërbim të sovranëve evropianë – dhe linin pas vehtes gjurmët e akteve të trimërisë si dhe emrin Arnaout – Arnaud, bashkëatdhetarët e tyre të otomanizuar ngrinin flamurin e gjelbërt te Islamit mbi muret e Budapestit ose de Bagdadit.
Simbioza prej disa shekujsh merr fund në mënyrë të papritur, po atë ditë kur Shqiptarët kuptojnë që interesat e tyre tashmë ndryshojnë nga ato të Otomanëve. Pasi kalojnë ndër mendje, para syve dhe ndër duar dëshmitë e traditave gojore dhe më pas dokumentat e arkivave, ata më të ndriturit mes tyre zbulojnë pak nga pak që ngjashmëritë me otomanët e krijuara pas gjithë atyre shekujve të bashkëjetesës mezi munden të mbulojnë ndryshimet e thella dhe që më në fund vërejnë – ndoshta për hir të një mrekullie – ata paskëshin edhe një histori të tyren dhe për më tepër mjaft të vjetër. Të lumturuar, ata përkulen thellë përpara ikonës së Princit të Krujës, para të cilit dikur dridheshin Sulltanët dhe që prej atij momenti, fantazma e Skënderbeut kthehet mes të gjallëve. Kështu, falë veprës letrare dhe politike të zëdhënësve të Rilindjes Kombëtare të shekullit të XIXtë, Kalorësi ynë Sypatrembur dhe i Panjollosur shëndrrohet në simbolin më të shkëlqyer të nacionalizmit shqiptar.
Me të vërtetë, ai ofronte njëkohësisht shembullin e atij që kish luftuar deri në vdekje për të mbrojtur lirinë e vendit të tij, strumbullarin e bashkimit kombëtar si dhe të një farë ideje të kombit, shpëtimtarin largpamës të qytetërimit kundër barbarisë lindore dhe së fundi, prototipin e luftëtarit – thyesin e zgjedhës otomane. Përveç figurës së tij të lartë, ai huazoi stër-stër-stërnipërve të tij edhe flamurin e tij i cili u shëndrrua në simbolin zyrtar të Shqipërisë së parë të pavarur.
Shfrytëzimi i dytë i Heroit është vepër e monarkisë së Zogut. I interesuar më parë nga madhështia e figurës së Burrit të Shtetit se sa nga principet morale mesjetare që mund t’i shërbenin ndonjë ideali kombëtar, shqetësimi kryesor i sovranit shqiptar ishte ligjësimi i pushtetit të tij nëpërmjet fisnikërimit të farefisit, gjë e cila çoi në një kërkim frenetik të lidhjeve familjare me Shënderbeun e largët. Kështu Dominus Rex noster shëndrrohet në përfaqsues dinastik fillestar, kuintesencë e pushtetit mbretëror. Përveç imazhit dhe flamurit të tij ndërkohë të huazuar, kësaj rradhe Skënderbeu ju « fal » pasardhësve të tij mbretërorë emblemën e familjes si edhe përkrenaren e tij të famshme që me këtë rast shëndrohen në simbole zyrtare të mbretërisë.
Adoptimi i fundit është vepër e pushtetit komunist dhe kësaj rradhe, duke flakur tej instrumentalizmin dinastik, gjithçka që lidhej me Heroin u ripërdor, u rimodelua dhe u kalua nëpërmjet filtrit ideologjik. Shpirti i pavarur skënderbejas doli se paskish qenë një çlirim individual i ndjenjës kolektive të një populli të tërë, etja e tij për liri i nënështrohej shprehjes supreme të atij delli kombëtar i cili vlonte në çdo zemër, fitoret e tij ushtarake i dedikohen pjesëmarrjes të zjarrtë dhe vullnetare të masave popullore në luftën kundër pushtuesit otoman, bile edhe ajo kështjella e papushtueshme e ngritur mbi shkëmbin e Krujës kthehet në një shëmbëlltyrë miniaturë e fortesës së pathyeshme – Shqipërisë bashkëkohore. Edhe përsa i përket anës simbolike, pushteti nuk i kursen aspak mjetet : përveç një ikonografie të bollshme, një shpërthim veprash popullore frymëzohet nga bëmat dhe fitoret e heroit ; institucione, rrugë dhe sheshe të vendit mbajnë tashmë emrin e tij ; bustet e tij dhe statujat zbukurojnë sheshet publike ; dokumentarë, filma bile edhe opera apo poema simfonike i dedikohen Heroit kombëtar ; kështjella e tij restaurohet dhe mbi themelet e vjetra ngrihet një muzeum ndërkohë që qyteti i Krujës shëndrrohet në një qytet-muze.
Për dikë që vjen nga larg, të parregjur me nevrozën ballkanike dhe me histerinë komuniste, kjo lloj mbështjellje historike s’është gjë tjetër veçse një mashtrim. Sigurisht, sensi bashkëkohor i Historisë që mes të tjerash përfaqson vektorin përcjellës të ngjarjeve, hapi i të cilave ndryshon me kohën, e ka tejkaluar së tepërmi idenë tregimtare të dikurshme të metrikës kohore, megjithëse Njeriu përbën gjithmonë metronomin e saj. Të shtangësh momentin e të kaluarës dhe t’a orientosh atë drejt të ardhmes, t’i shtosh këtij momenti një përmasë humanizmi bile po qe se dëshiron edhe një grimë shprese, të dinamizosh këtë bashkësi perceptive me anën e dialektikës hegeliane që e përfytyron zhvillimin si një spirale të hapur ngritëse dhe me këtë rast të vesh në dukje vlerat e saj filozofike : është e vërtetë që instrumenti historik ka përparuar së tepërmi në kohë. Megjithatë, përpunimi i kësaj lënde hapësiro-kohore e ngjizur prej historianëve, ritmika i të cilës i bindet një ndërthurjeje kohësh të ndryshme, të vërejtura me aq mjeshtëri nga një Fernand Braudel, edhe sikur të zbukurohet me një vello determinizmi ose një tregues tjetër progresi, asnjëherë s’ka për të prodhuar ndonjë gjë të ngjashme, të krahasuar me frutin e shkencës historike marksiste. Për të qenë i besueshëm, rindërtimi i Historisë për qëllime politike gjithmonë ka nevojë për atë zhvendosje të shkathët të Njeriut dhe të veprës së tij nga epoka e vet në kohën e sotme. Njëkohësisht, përpjekja e zhdërvjellët dhe e qëllimtë për të rishkruar pjesë të tëra të të kaluarës lejon të sublimojë të tashmen, jep të drejtën për të « justifikuar një koncept ». Nën optikën e diktaturës, përdorimi i historisë për të farkëtuar një armë mbetet gjithmonë tepër tërheqës, mjaft që nëpërmjet saj të mund të nënshtrohen shpirtrat e të gjallëve.
Sidoqoftë, ideja për të shtresëzuar të kaluarën historike me qëllim ngritjeje të një themeli ku mbështetet kombi, ose për të lartësuar ndjenjën patriotike, është tepër e njohur dhe e përdorur në Ballkan dhe gjetkë dhe s’është atribut i komunizmit. Për këtë arsye, shtimi i një fraze të llojit « nën shtrëngimin e ideologjisë marksiste mbizotëruese » mbetet krejt i pamjaftueshëm për t’i thurur lavde « zbulimit të madh » se suksesi i vendosjes dhe i jetëgjatësisë së komunizmit në Shqipëri shpjegohet me faktin e rishkrimit të historisë së vendit. Të gjitha trajtimet e historisë të lashtë dhe të mesjetës të viseve shqiptare të realizuara nga vendasit ngjasin mes tyre ; në të njejtën mënyrë që një pikë uji ngjan me një pikë tjetër uji, pavarësisht faktit që e para vjen nga burimi komunist i supozuar internacionalist dhe e dyta rrjedh nga gurra nacionaliste antikomuniste. Ky vëzhgim ka një rëndësi tepër të veçantë pasi ai sugjeron që për të njejtin objekt studimi, dy ideologji diametralisht të kundërta shpien në përfundime praktikisht analoge ndërkohë që ato frymëzohen nga tema identike, të cilat sipas rradhës quhen ndjenjë patriotike, identitet kombëtar ose lartësim i të kaluarës. Si është e mundur që dy grupe të ndryshëm studiuesish – i pari brenda vendit, i lidhur me pushtetin dhe nga ky fakt, pa patur « tjetër horizont veçse të ndjekin rrugën e treguar », dhe i dyti jashtë vendit, kundërshtar i betuar i atij rregjimi dhe si rrjedhojë i lirë si era në opinionet e tij – riprodhojnë të njejtat skema për të përshkruar këtë « shtresë të thellë » në gur strralli ose në bronz të ilirëve, më pas atë « shtresë të dytë » prej ari të kulluar të trimërisë së Skënderbeut ? Të vetmet përjashtime nga rregulli i përgjithshëm vijnë nga shprehjet e përdorura dhe nga terminologjia e zgjedhur : fakt krejt i kuptueshëm pasi bëhet fjalë për dy kultura politike të ndryshme. Si duhet interpretuar kjo invariancë e lëndës ose e dijes historike në lidhje me ideologjinë ? Ndoshta duke pranuar thjeshtësisht që historiografia dhe ideologjia s’janë gjë tjetër veçse dy aspekte të ndryshme të të njejtit thelb. Përse atëhere duhet të gozhdojmë në shtyllën e turpit historianët shqiptarë për faktin se ata kanë përdorur mitet themeluese gjatë krijimit të identitetit kolektiv ? A egziston së fundi ajo histori që nuk çfaqet si instrumentalizim i të kaluarës për qëllime të sotme ? Le të pranojmë atëhere që historiografia është e aftë veçse në mënyrë të rastësishme që të funksionojë si ideologji dhe që rasti ynë është simptomatik pasi ai është episodik. Cili është ai që mundet të pohojë – në emër të një objektivizmi që përcaktohet nëpërmjet konceptit të asnjanësisë – se është i aftë të ndajë politikën nga ideologjia, këtë të fundit nga historiografia ose të dallojë mitin në lidhje me historinë ?

(Pjesë nga libri « Përjetësisht të Panjohur – një varg vështrimesh mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët » në botim e sipër në Francë)

* * *

Historia dhe naiviteti.

Ajo çka karakterizon mes të tjerash Z Kryeministër është thjeshtësia.Nuk bëhet fjalë aspak për mënyrën e tij origjinale, të përmbledhur aq bukur nga vargu i shprehjeve të llojit : « Nuk kam ndërmend të shkruaj histori… Këtu nuk kam ardhur për mësim historie ». Askush, dhe aq më pak historianët, nuk mund të mendojë qoftë edhe një sekondë se Z. Berisha është i aftë për një gjë të tillë. Në të vërtetë, gjatë jetë së tij, krahas përpjekjeve për të lexuar historinë, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër ai është munduar për t’a bërë (ose zhbërë) atë.
Sidoqoftë, është gjithmonë e nevojshme dhe e dobishme t’i rikujtohet qoftë edhe një profani se historia e njerëzimit është para së gjithash histori e qytetërimeve dhe jo e perandorive, se Kongresi i Lushnjës qëndron po aq larg pluralitetit politik në një Shqipëri pa asnjë parti apo forcë politike sikundër dhe Lidhja e Lezhës përkundrejt Këshillit të Ministrave, se Shqipëria e pas Pavarësisë ishte po aq demokratike dhe e ngjashme sa edhe Shqipëria që ai don dhe po ndërton sot, se mospjesëmarrja e Qeverisë së Tiranës në holokaustin nazist nuk mund të shërbejë si alibi ndaj pjesëmarrjes së saj të vetëdijshme në projektin hitlerjan të nënshtrimit të Evropës.
Së fundi, shprehjes së tij aq të mençur : « Shqiptarët kanë shumë motive për të qenë krenarë me historinë e tyre » do të dëshiroja t’i përgjigjesha me anë të perifrazimit të një shprehjeje të një historiane bullgare – kësaj rradhe të vërtetë : « e dua këtë vend të lartë pa ndjerë nevojën as të jem krenar për të as edhe të ndjej turp nga ai ».

Mon adresse e-mail: xexo.g@hotmail.fr

Bizantin said...

Tani që duket se kaluan vrundujt e temës mbi rishikimin e historisë shqiptare, dhe tani që ka ardhur në tryezat ndërkombëtare tema armene, domethënë e genocidit të armenëve të krishterë, pyes:
-Çfarë ka të thotë historiografia shqiptare mbi këtë temë?
-A nuk morën pjesë shqiptarët në genocidin (shfarosjen) e armenëve?
-A është e drejtë që të vazhdojmë t'i ngremë buste Sulejman Delvinës, i cili, sipas Faik Konicës, mori pjesë (aktivisht) në genocidin armen?