Tuesday, September 4, 2007

Sfidat e Topit

Kush e kujton zgjedhjen e presidentit Moisiu pa dyshim nuk mund të mos e lidhë atë me një pranim (të imponuar) fajësie nga PS. Faji qëndronte në atë se nëpërmjet një manipulimi zgjedhor në zonën e Dushkut PS arriti të merrte në një zonë të vetme diçka si dhjetë deputetë më shumë nga ç’meritonte duke bërë të kapërcente bash numrin 84 deputetë për të zgjedhur presidentin. Meqënëse ky numër nuk do të mund të arrihej pa hilen e Dushkun atëhere, me presionin e ndërkombëtarëve, Nano pranoi të zgjidhte një president të propozuar nga PD. Përndryshe nuk kishte pse të zgjidhej një president konsensual. Mazhoranca e asaj kohe formalisht i kishte numrat për të zgjedhur presidentin vetë. Gjithsesi Nanos dhe në tërësi PS e mazhorancës së asaj kohe nuk mund t’i mohoet merita e pranimit të fajësisë, paçka se në ato kohë ndihej shumë më e fortë nga ç'është mazhoranca e sotme për të mos u ndjerë e rrezikuar nga një presidenti i propozuar nga PD.
Pyetja që shtrohet sot, kur presidenti nuk u zgjodh me konsensus, por me disa vota plus që, po të krahasohen me votat e Dushkut 2002, vështirë se mund të cilësohen më të pastra është: a duhet të pranojë PD-ja një lloj fajësie që duhet ta ndjejë edhe presidenti Topi e që duhet ta bëjë atë të qëndrojë edhe më fort përmbi palët si një president i propozuar edhe nga opozita? Mendimi im është se po. Shkaqet janë të shumta. Madje shkojnë shumë më përtej faktit se votat e nanoistëve nuk janë ndryshe nga ato të dushkistëve. Dhe sigurisht shumë më përtej statusit që ka me Kushtetutë presidenti. Shkaku kryesor lidhet me faktin se PD me presidentin në krahun e saj rrezikon të bëhet e pakontrollueshme. Dhe rreziku është i qartë: me presidentin në krahun e PD mund të ndryshohet prokurori, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mënyrë të tillë që jo vetëm opozita, por edhe mediat opozitare, të vihen nën presion e të tulaten. Topi si president i gjithë shqiptarëve ndodhet vërtet përpara një dileme të madhe. Më një anë PD ka akuzuar prokurorin e përgjithshëm që nuk ka hapur dosjet e politikanëve të korruptuar duke penguar realizimin e premtimit të saj të luftës kundër korrupsionit. Në këtë kontekst ai është i detyruar të zgjedhë një prokuror që të ketë kurajon t'i hapë këto dosje. Por nëse këto do të jenë dosje vetëm të liderve opozitarë e do të hapen me urdhër nga jashtë institucionit shumë shpejt kjo mund të kthehet në bumerang. Me një prokuror militant dëmi që mund të sjellë përdorimi i drejtësisë në mënyrë selektive mund ta tejkalojë dëmin që kanë shkaktuar politikanët e korruptuar të opozitës. Topit do t'i duhet të zgjedhë e të mbajë përgjegjësi për zgjedhjen që ka në thelb të saj dilemën e garantimit të lirisë e të drejtave më një anë dhe dënimit me të drejtë të të korruptuarve më anë tjetër. Kjo dilemë nuk duhet të reshtë së qëndruari si alarm në ndërgjegjen e presidentit të ri. Ai duhet paradoksalisht mu pse është njeri i PD të vigjëlojë që PD të mos akuzohet për dhunim të lirive dhe të drejtave me të padrejtë.
Rrezikun e zgjidhjes keq të kësaj dileme të vështirë e bën edhe më të madh fakti se PD nuk ka mbajtur disa premtime bazë nga ato të vitit 2005. Premtimi i parë i pambajtur është (të paktën përsa i përket perceptimit të njerëzve) se ndonëse është përdorur një retorikë kundër korrupsionit pak ose aspak është bërë për ndryshimin e këtij sistemi dhe se edhe PD e segmente të saj po bëjnë korrupsion në rritje. Janë shtuar zërat se administrata po mbushet gjithnjë e më shumë me militantë një pjesë e të cilëve janë jo vetëm abuzivistyë por edhe arrogantë edhe të paaftë. Premtimi i dytë i pambajtur është se nuk ka treguar të njëjtën masë dhe të njëjtën peshë, por ka qenë selektive në atë që ajo e quajti premtim për luftë kundër korrupsionit - për aq sa e ka zhviluar atë në mungesë të një prokurorie aktive. Po ashtu, premtimi për reformimin e mediave rezulton edhe ai i parealizuar. Për të mos folur për krizën e ujit dhe dritave që pavarësisht nga vështirësitë që nuk varen vetëm nga qeveria nuk e shfajësojnë kurrsesi atë.
Pa dyshim në tërë këto dështime - ku nuk mund të mos harrojmë premtimin e pambajtur deri tani të regjistrimit të qytetarëve dhe të reformimit të kodit zgjedhor - do të gjemë dorën obstruksioniste të opozitës e cila ka ndjekur strategjinë e krizës permanente. Është e qartë se mazhoranca nuk mund të bënte luftë korrupsionit pa ndihmën e opozitës që do të duhej të pastronte vetveten pasi humbja i erdhi pikërisht për këtë shkak - çka nuk e ka bërë aspak përkundrazi. Është e qartë se as regjistrimi i qytetarëve dhe as reforma zgjedhore nuk mund të bëhen në kushte krize permanente që synon zgjedhje të prakohëshme në çdo muaj. Është e qartë se reforma në media nuk mund të kryhej kur opozita u bë aleate e paprinciptë me mediat që duheshin reformuar. Është po ashtu e qartë se qeveria nuk do të mund të punojë me largpamësi për më shumë drita dhe ujë kur opozita tërë kohës ia shfrytëzon krizën e dritave e të ujit për ta rrëzuar. Por përsëri mazhoranca ka përgjegjësinë kryesore për këto dështime. Dhe nuk duhet të harrojë se edhe kur ishte ajo në opozitë po këtë strategji të krizës permanente ka ndjekur, madje në vitet e para në mënyrë edhe më destruktive dhe destabilizuese.
Ja pra se sa kontradiktore është situata. Dhe pyetja shtrohet: A do të mund të luajë Bamir Topi rolin e rëndësishëm që pritet prej tij të mbajtjes së një ekuilibri midis këtyre dilemave e kontradiktave në emër të interesit që përfaqëson figura e Presidentit: atë të të gjithë shqiptarëve? (Korieri, 17 gusht 2007)

No comments: