Saturday, September 22, 2007

Shoqëria shqiptare inkubatori i krimit

Nuk e di nëse ka pasur ndonjë rast tjetër në historinë e gazetarisë italiane që fytyra e një shqiptari të dalë në faqe të parë të njërës nga dy gazetat më të mëdha të Italisë, "La Republica". Ndoshta në kohën e ekzodit masiv të viteve '90 mund të ketë pasur në faqe të parë të "La Republica" foto shqiptarësh, por ma merr mendja se duhet të kenë qenë nga ato fotot me turmë. Kurse kjo është një fytyrë e vetme shqiptari. Është fytyra e një vrasësi (mes dy policësh). Është njëri ndër dy shqiptarët të quajtur Artur dhe Naim që kryen në Trevizo një vrasje makabre të një çifti që ruante një vilë pronarët e së cilës ishin me pushime. Vrasja tronditi Italinë për egërsinë e përdorur. Guaja ishte përdhunuar dhe pastaj i ishin futur në vaginë edhe lëngje tubetash të ndryshme. Arma e përdorur, një tip skalpeli, nuk kishte shërbyer vetëm për vrasje, por edhe si mjet torture më së pari. E gjithë kjo me synimin e nxjerrjes së çelsave të kasafortës së pronarëve që çifti as nuk i kishte dhe as mund t'i kishte. Për t'u çliruar nga çdo lloj frenimi të impulseve kriminale rezultoi se para se të niseshin për grabitje kishin marrë doza të forta kokaine të cilën edhe e trafikonin. Edhe në lajmet e mbrëmjes kapja e dy vrasësve të Trevizos ishte lajm i parë. Në diçiturën e fotos thuhej: "një nga të arrestuarit e Trevisos". Fillova ta shikoj me kujdes fytyrën e tij edhe duke kërkuar atje tiparet e një bashkatdhetari. Kur je jashtë edhe një emër i tillë si Naim apo Artur të tërheq vëmendjen e jo më një fytyrë bashkatdhetari. Një fytyrë e keqe, nga ata që sheh me bollëk në Shqipëri - thashë me vete. Fytyra banale e së keqes. Me ca nofulla të gjera të stërfryra edhe nga dhjamosja që në moshën 30 vjeç e me ca sy të futur thellë që para kameras së fotografit, megjithatë, tentonin të ndillnin mëshirë. Por pastaj, sa më shumë e shihja, aq më pak gjeja ndonjë gjë të jashtëzakonshme në atë fytyrë. Madje fytyra e njërit prej dy policëve mu duk mjaft e ngjashme me të tijën. Edhe veshjen e kishte normale, një bluzë të thjeshtë të kaltërt me tre komça.
Kuptova se duhet ta kërkoja krimin më thellë sesa tek fytyra.
Hapa faqet e brendëshme ku jepej lajmi. Atje fotogfrafia ishte më e madhe. Sikur të kishin qenë të një mendjeje me mua redaktorët e kishin hequr policin që i shëmbëllente dhe kishin lënë vetëm njërin që ishte më i ri dhe më i pashëm. Pas përshkrimit të vrasjes makabre dhe detajeve të kapjes në sajë të deponimeve të një të riu rumun, bashkëpunëtor në fshehjen e armës së krimit, jepeshin edhe të dhënat biografike të Arturit dhe Naimit. Të dhëna tashmë të rëndomta në Itali: të dalë nga burgu, me precendete të tjera penale për vjedhje grabitje apo tentativë për vrasje, trafikantë droge dhe prostitutash…

"Bastardë të mallkuar", "Nxirrini jashtë Italisë kriminelët" "Shqiptarë ishin? Sigurisht, burrat janë të gjithë kriminelë, gratë të gjitha prostituta." "Duhen djegur me benzinë pak nga pak", "Italianët nuk do ta kishin bërë kurrë një krim të atillë" "Asnjë mëshirë, duhen varur". Këto ishin disa nga citimet e njerëzve të Trevizos që sillte gazeta. Gazetari distancohej prej tyre. "Nuk janë të gjithë kriminelë." "Ku na çon ky racizëm?" ishte qëndrimi i tij.

Para disa ditësh regjizorit të famshëm Tornatore i qëlloi të sulmohet nga dy të rinj për grabitje në rrugët e Romës. E goditën sa e lanë pa ndjenja. Ishin të huaj. Në lajme u tha se ishin o rumunë o shqiptarë. Pastaj u morr vesh se qenë rumunë. I pyetur të nesërmen nga RAI ai dha mesazhin e njeriut të artit. Pasi tregoi se si e kishin ndalur për ta pyetur për një rrugë dhe pastaj njëri syresh e kishte goditur me egërsi me grusht duke e lënë pa ndjenja vazhdoi: "ishin të huaj, nuk e kuptova qartë rumunë apo shqiptarë." "Por - vazhdoi - kur erdha në spital infermierja që më shërbente, një grua shumë e sjellëshme dhe shumë njerëzore ishte rumune." Mirëpo zëri i Tornatores është një pakicë. Në Itali edhe e majta në pushtet po merr masa nga ato që konsiderohen të së djathtës për shkak të problemeve të krijuara nga kriminaliteti. Togfjalëshi i djathtë "toleranca zere" po hyn edhe në fjalorin e saj. Ndërkaq imazhi i shqiptarëve si kriminel të pamëshirshëm vazhdon të përhapet. Disa ditë pas ngjarjes në fjalë u dha lajmi se u grabit nga njerëz të maskuar në shtëpinë e saj një aktore e njohur që shpëtoi për mrekulli nga ndonjë masakrim pasi u njoftuan në kohë karabinierët. "Ishin të huaj" u tha në lajme "ndoshta shqiptarë". Nuk kaloi një ditë a dy dhe përsëri u dha lajmi për kapjen e njërit prej pjestarëve kryesor të një bande kriminale trafikantësh që kishte vrarë me shtatëmbëdhjetë thika në rrugët e Firences një bashkatdhetar për shkak se ky kishte pasur shije të ndryshme për prostitutat që trafikonin. Çdo emigrant shqiptar kur përgjigjet se nga cili vend është mban me vete edhe damkën e këtyre kriminelëve. Sa herë e pyesin se nga është ai përgjigjet duke shtruar vetmevete pyetjen: "çfarë do të thotë ky ku t'i them se jam shqiptar?"
Ajo që më shtyu të shkruaj këto rradhë megjithatë nuk është Italia, as halli i imazhit dhe as ai i atyre emigrantëve të ndershëm, që edhe vetë italianët me mend e dinë se janë shumica, që ndjehen deri të shtrënguar të mohojnë kombësinë për t'i shpëtuar identifikimit të fytyrës së tyre me fytyra krininelësh shqiptarë që dalin çdo ditë e më shumë në mediat e huaja. Ajo që më shtyu të shkruaj këto radhë është Shqipëria. Problemi është se kur japim lajmet për krimet e shqiptarëve në vendet perëndimore ne sikur kemi një lloj distancimi. Sikur në një farë mënyre nuk na përkasin, sikur nuk jemi ne përgjegjësit pasi ata e kanë kryer krimin atje. Aq më tepër pasi viktimat nuk janë shqiptarë por të huaj. Mirëpo nuk është kështu. Dy vrasësit mizorë të Trevizos ishin njëri tridhjetë vjeç tjetri tridhjetetre. Po të kemi parasysh se karakteri i njeriut formohet në moshën e fëmijërisë dhe se për këtë ndikojnë shumë gjendja familjarëve, marrëdhëniet midis prindërve, kushtet ekonomike e shoqërore, kur ata janë rritur, arsimimi e me rradhë nuk është e vështirë të marrësh me mend se këta kriminelë janë ngjizur karakterialisht në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por Shqipëria është një strehë e tyrja, ku shpesh kthehen pasi kanë kryer krime. Jo vetëm kaq por shpesh Shqipëria është vendi ku ata investojnë paratë e fituara nga trafiqet e drogës dhe prostitucionit që ata kontrollojnë. Ja pse shoqëria shqiptare, politika shqiptare, shteti shqiptar nuk mund të lajnë kurrsesi duart për këto krime. Ato duhet të ndjehen e trajtohen e ndiqen si krimet që ndodhin në Shqipëri e që kryen kundër shqiptarëve pasi shoqëria shqiptare duke qenë inkubatori i këtyre kriminelëve është përgjegjësi kryesor dhe njëherësh viktima kryesore.(Korrieri, 11 shtator 2007)

4 comments:

meditime-pershtypje said...

E,cfare te thuash,o i nderuar Fatos?!Revoltohesh se krimin e kane kryer dy shqiptare dhe s'ke si mos ta ndjesh veten edhe ti si bashkefajtor.vetem se jane bashkekombas tane.Reaksioni eshte krejt racional dhe,kushdo qe te jete,do te humbe arsyen dhe do bertase:-Jashte qe te shpetojme njehere e mire nga keto monstra.Se monstrat nuk kane c'bejne me teper se kaq.Nje torture e tille te streson sikur edhe ta imagjinosh,dhe jo kur e perjeton realisht.Kane marre kokaine,droge apo kushedi cfare,por,kush ka nge qe keto gjera te ulet dhe t'i gjykoj me gjak te ftohte,ku mos pergjithesoj(sic dhe ka ndodhur!),por te qeroje grurin nga egjera.Krimi me makabritetin e vete,ta erreson arsyetimin dhe,do s'do,do bertasesh edhe ti me te njejten vale zanore dhe si dhe vendesit.A shqetesohet shteti per keto krime te shtetasve te vete?Me duket se eshte nje pyetje me vend,por,gjithesesi,sado evazive,pergjigja eshte:po.Po kaq a mjafton?Une besoj qe jo.Dhe shteti yne nuk ka kellqe per te ndaluar vrasjet kanunore(sa familje jane te ndryme brenda kangjelave se u kercenohet jeta?!)dhe jo per t'u thene"ndal" atyre monstrave qe-dhe eshte per te ardhur keq-leshojne metastazat kanceroze ne gjithe shtetet ku kane emigruar.Problemi qe ngre,eshte mese racional,por nuk besoj(me sa kam pare) qe ta veje kush ujte ne zjarr,dhe kjo eshte per t'u alarmuar.
Perparim Hysi,22 shtator 2007

Anonymous said...

Mire mo mire po inkubator krimi eshte edhe italia ne kuptimin qe jepet ketu.
Edhe une ne shqiperi jam edukuar dhe pertej sjelljes paska te bezdisshme per italianet (qe me kenaq ne fakt se me lejon te hap debate) nuk jam kriminel. e te thuash se kam patur te njejtin ikubator me ata kriminelet.
Ne fakt italianet ndeshkohen per krime te kryera jashte vendit.

bledarbregasi said...

Mendoje se nesse do te behej je sondazh qe te maste nivelin e violences ne popuje te ndrishem, dhe menyre se si keta e shprehin, shoqerija jone do zite vendin e pare. Jemi nje popoull pa fe e pa iman (per ta thene ne menyre popullore) dhe nuk kemi asnje fren morale apo fetare. Jemi thjesht individe qe kane si qellim riprodhimin dhe jo ndertimin e nje jete sociale qe te jete e denje per tu jetuar. Jemi nje shoqeri kaqe e shthurur, saqe nuk arrime tu imponojme individeve tane asnje lloje ligji, culturore apo legal. Nganjehere pyes vete se ne shqipetaret jemi me te vertet nje shoqeri apo thjesht nje numer individesh qe banojme nje teritore te quajture Shqiperi, nga i cili marrim edhe emrin Shqipetare.

Bledar Bregasi
23/09/2007

Anonymous said...

Tek lexova shkrimin dhe reagimet, mu kujtua një detaj nga Dostojevski (Vëllezërit Karamazov, në mos gabohem), se njeriu është drejtpërdrejt përgjegjës për mëkatet e të gjithë njerëzve (cituar nga kujtesa). Dëgjohet njëçikë ndryshe, kërkon interpretime, gjithsesi të panevojshme këtu, por unë besoj se është e vërtetë në nivelin tonë, lokal, shqiptar: Secili prej nesh është përgjegjës për krimet e të gjithë shqiptarëve SOT, edhe pse ligji na shfajëson. Por për t’u shfajësuar në ndërgjegje, veç, secli prej nesh ka diçka për të bërë, duke e nisur nga vetja. Ne u rritëm me atë frymë, të jemi sa më shumë kriminelë (diktatura e proletariatit), por krimi duhej kanalizuar diku, atje ku nuk quhej më krim për shërbim ndaj Atdheut. E përse të fshihemi?

Mua më vjen shumë keq për ata djemtë. Shyqyr me aq, le të themi. Si nuk iu ka shkuar në mendje t’i venë zjarrin Romës?

Bizantin