Tuesday, January 15, 2008

Akademija midis "ilirëve" dhe "pellazgëve"

Në kundërvënien që kryhet sot nga opozita mbi ndryshimet në Akademinë e Shkencave bije në sy mungesa e ndarjes së dy çështjeve që sipas meje qëllimisht përzjen në një çështje të vetme. Njëra çështje, e para e të gjithave, është ajo që ka të bëjë me atë se ç'është Akadamja e Shkencave e që nuk mund të mos lidhet edhe me pyetjen: çfarë roli ka luajtur Akademija e Shkencave të Shqipërisë në historinë e saj qysh kur është formuar e këtej. Kurse çështja e dytë është ajo se pse po e ndryshon Berisha dhe të tijtë ligjin mbi Akademinë e Shkencave.
Vetëm një analizim i këtyre dy çështjeve ndaras mendoj se mund të na afrojë drejt një mendimi sintetik mbi një reforme në të mirë të dijes shqiptare.

Çka qenë e ç'është Akademija

Pa pretendur të bëj historikun e Akademisë sonë të Shkencave do të thoja, menjëherë, se ajo ishte një institucion i krijuar nga regjimi në 1972, paradoksalisht pikërisht në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar si nga Lindja edhe nga Perëndimi, si pjesë e plotësimit të projektit megalloman të Enver Hoxhës të ndërtimit të shtetit autarkik nacional - kumunist. Kryesisht kjo Akademi ka funksionuar si instrument për të strukturuar edhe më mirë nën pushtetin e partisë të ashtuquajturën inteligjencë popullore që merrej me studime si dhe si një instrument që kishte për qëllim të interpretonte sipas idcolologjisë së pushtetit të gjitha shkencat, por kryesisht shkenca të tilla si historia e Shqipërisë, e gjuhës dhe e letërisës së saj, apo si arkeologjia, studimet folkloristike dhe etnografike. Në fakt, nëse do të flisnim për raportin e Shqipërisë së vogël dhe të izoluar me shkencat e mëdha universale do të ishte mëse pretencioze të flitej për Akademi Shkencash në një Shqipëri që më 1939 kishte 90% analfabetë dhe që universitetin e saj të parë e hapi vetëm në 1957. Të vetmet fusha shkencore ku Shqipëria mund të kishte kontributin e saj kanë qenë kryesisht ato që lidheshim me historinë e Shqipërisë dhe të gjuhës e letërsisë shqipe ashtu sikurse edhe ato që lidheshin me studimet arkeologjike, folklorike apo etnografike.

Jo rastësisht Kryetari dhe nënkryetari i Akademisë, kur ajo u krijua, ishin njëri historian, Aleks Buda, dhe tjetri gjuhëtar, Ekrem Çabej. Është e tepërt të flasim për rolin disinformues, manipulues antishkencor apo dhe thjesht të pakualifikuar që kanë luajtur në fusha të tilla si ajo e shkencave ekonomike, të kritikës letrare, të estetikës, të jurisprudencës deri edhe në shkencat natyrore në periudhën e komunizmit shumë nga akademikët e djeshëm dhe të sotëm të formuar dhe të shtërnguar nga një idelologji që pretendonte se ishte e vërteta e të vërtetave, shkencë dhe fe njëherësh. Nuk është shumë e vështirë, mjafton të shfletosh produktet e asaj kohe, për të kërryer përfundimin se sa pak shkencë është bërë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale dhe se sa shumë manipiulim e shpëlarje trush. E kanë vënë në dukje këtë edhe një numër autorësh që mbështesin projektin e mazhorancës për reformimin e Akademisë. Ajo që nuk preket, megjithatë, është guri i themelit të veprimtarisë antishkencore të Akademisë, ai që ka ndikuar që miti i saj t'i mbijetojë edhe periudhës antikomuniste e të bëjë që opozita ta quajë prekjen e Akademisë një akt antikombëtar. Ky është karakteri nacionalist i ideologjisë së pushtetit të Enver Hoxhës që ka ushqyer ajo Akademi, aq i nevojshëm ky për glorifikimin e izolimit të Shqipërisë për ta paraqitur atë si një kështjellë që i qëndronte në shekuj armiqve lindorë dhe perëndimorë. Dhe ky karakter lidhet me rolin e saj në shkencat e historisë dhe gjuhësisë sonë, të arkeologjisë, të folklorit e etnografisë. Këto shkenca, që kanë qenë e mbeten guri i themelit të Akademisë, kanë qenë thellësisht të infektuara nga ideologjia nacionaliste e partisë në pushtet e cila e përdorte aq shumë këtë për të mbajtur të izoluar shqiptarët ashtu sikurse përdorte edhe pjesën komumniste të kësaj ideologjie kur bëhej fjalë për të dënuar botën e vjetër dhe klasat e saj sunduese në emër të një bote të re, në fakt në emër të pushtetit të saj. Pra çështja se pse Akademija ka mundur të ruajë një status më të qëndrueshëm gjatë periudhës së tranzicionit sesa, le të themi, Lidhja e Shkrimtarëve, megjithë diskreditimin e pushtetit që e krijoi dhe përdori atë, lidhet pikërisht me faktin se një pjesë e rëndësishme e paradigmave nacionaliste të zhvilluara nga akademikët e kohës së komunizmit nuk kanë rënë ende sepse ato ishin edhe paradigmat e nacional romantikës së rilindasve që Enver Hoxha i integroi në ideologjnë e tij të pushtetit e që vazhdojnë të kultivohen edhe sot. Me konkretisht akademkët tanë janë marrë me vërtetimin shkencor të miteve të nacional romantikës shqiptare të tillë si ai i etnogjenezës iliro shqiptare, me paraqitjen e zbulimeve arkeologjike të qytetërimit greko - romak si ilire, me paradigmës se gjuha shqipe jo vetëm ka marrë nga gjuhë të tilla si greqishtja e vjetër dhe e re, latinishtja, sllavishtja, turqishtja, por edhe u ka dhënë këtyre gjuhëve pasi qytetërimi shqiptar ka qenë gjithaq i ndritur si këta, me ndriçimin shqiptar në Mesjetë, me glorifikimin e Skënderbeut si hero kombëtar, me errësimin e 500 vjetëve pjesë e perandorisë otomane, me glorifikimin e Rilindjes si rezistencë me pushkë dhe me penë ndaj pushtimit otoman e në përgjithësi të parrullës se populli shqiptar e ka çarë historinë me shpatë në dorë. Me fjalë të tjera ata janë marrë me diçka që vetëm shkencë e shekullit XX nuk mund të quhet pasi kanë synuar të bëjnë shkencë atë që në të vërtetë ishte mitologji e krijuar në emër të ingjizjes së një identiteti të ri e shndrruar në ideologji pushteti. Sot mjafton të kesh një shkollë të mesme në Perëndim për të kuptuar se kjo gjoja punë shkencore e akademikëve tanë nuk është shkencë, por objek i shkencës, diçka që meriton të futet në studimet shkencore mbi ndërtimin e identitetit të njeriut të ri shqiptar nëpërmjet mitologjisë së nacionalizmit dhe komunizmit.

Pse po e godet Berisha

Nëse bëhet fjalë për reformim të Akademisë me synim ndryshimin e frymës së dijeve shqiptare në fushat që përmenda mendimi im është se shkenca shqiptare të historisë e gjuhësisë që, sikurse u përpoqa të shpjegoj, janë guri i themelit të Akademisë kanë nevojë të reformohen në paradigmat e tyre. Shkencat shqiptare të historisë e gjuhësisë kanë nevojë të çlirohen më së pari nga ideologjia nacionaliste që u ka paracaktuar paradigmat. Kjo do ta çojë atë edhe tek çlirimi nga e ashtuquajtura "albanologji". Në botë nuk ka frankollogji, gjermanologji apo anglologji. Pse? Sepse albanologjia ashtu sikurse balkanologjia e shumë "logji" të tjera janë produkt i një kohe kur perëndimi studionte këta popouj "primitivë" të cilët, sikurse ka thënë nje historian i njohur gjerman i asaj kohe, nuk ishin pjekur ende për të shkruar historinë e tyre. Kjo pikërisht pasi në vend se të bënin shkencë këtaj popuj bënin mitologji duke e përdorur historinë kundër njëri tjetrit. Shkurt historiografia jonë ka nevojë të çlirohet nga mitet e ideologjisë nacionaliste dhe të bëhet histori. E që të bëhet shkencë historike ajo ka nevojë jo vetëm të shkruajë historinë e shekullit XX ndryshe nga ç'e kanë shkruar komunistët, por edhe të dekonstruktojë mitet të tilla si ai i etnogjenezës, të shkruajë historinë e mesjetës sonë, të shkruajë historinë e Skënderbeut, të shkruajë duke nxjerë nga miti i errësirës otomane në dritën e shkencës së historisë pesë shekujt e të ashtuqujaturit pushtim otoman, të shkruajë marëdhëniet tona me fqinjët e me të tjerët, të shkruajë historinë e Lidhjes së Prizerenit atë të luftrave ballkanike e të pavarësisë etj.. E të gjitha këto të mos i bëjë me metodën e zbulimit të të vërtetavet të fundme sipas diktatit të ideollogjisë, por t'i lerë të hapura ndaj kërkimit dhe dyshimit shkencor. Dhe nëse Akademija e komunizmit për këtë jo vetëm se nuk na ka ndihmuar, por na ka futur në rrugë të shtrembër e qorre, kjo e tranzicionit, nuk ka bërë tjetër veçse ka vazhduar të shtyjë me kokëfortësi atë rrugë qorre duke vazhduar të na mbajë larguar nga shkenca. Kur opozita thotë se po bëhet tradhëti kombëtare me ndryshimin e Akademisë mendoj se kryesisht ajo kapet pikërisht tek ky kontribut nacionalist i Akademisë - fatkeqësisht duke treguar se ende, ashtu si në kohën e Hoxhës, eksponentët e saj nuk dinë të dallojë shkencën nga ideologjia e pushtetit, pa harruar se në atë opozitë ka edhe mjaft nga ata që regjimin e Enver Hoxhës e shohin në dritë pozitive. Po a janë vallë Berisha dhe partia e tij të ndërgjegjshëm për çështjet që shtrova më lart kur synojnë reformimin e Akademisë? Përjashtuar faktin se PD e Berishës ka një qëndrim tjetër për shumë figura e ngjarje të shekulit XX që komunizmi i ka zhdukur nga historia me pa të drejtë, në tërësi, për fat të keq, përsa i përket komponentes nacionaliste të ideologjisë së Enver Hoxhës ajo ndan të njëjtat paradigma në mos më keq, me opozitën. Kur them "në mos më keq" kam parasysh, nëse mund të shprehem figurativisht, se në PD mund të gjesh me tepri shumë ndër ata që e kritiikojnë Akademinë jo për ideologjizmin e shkencës me frymë nacionaliste dmth., le të themi, për glorifikimin e shqiptarëve mbi bazën e etnogjenezës iliro shqiptare por sepse këtë e kanë bërë me pakicë, sepse sipas tyre lavdia jonë në shekuj i ka rrënjët shumë më thellë, tek pellazëgët. Me ndonjë përjashtim të rrallë në njerëzit e kulturës që janë brenda apo qëndrojnë përreth PD nuk gjen studiues ndër ata që të përfaqësojnë frymën e kohës në shkenca të tilla të rëndësishme për shqiptarët si historia apo gjuhësia, arkeologjia, kritika letrare, folklori apo etnografia. Mjafton të shikosh se si "shkencëtarët" pd-istë kërkojnë të heqin mozaikun në fasadën e Muzeumit Kombëtar me pretendimin, siç ka delaruar drejtori pd-ist i Muzeumit, se ai nuk përfaqëson "thelbin shqiptar" për të kuptuar se nga shkenca e sotme këta lloj shkencëtarësh janë më larg se ilirët socialistë sepse jetojnë në epokën pellazgjike. Me këtë llogjikë të drejtorit sipas së cilës del se ai kërkon të na verë atje një mozaik që të përfaqësojë thelbin shqiptar ne duhet të zhdukim nga faqja e dheut edhe xhamijat sepse nuk shprehin thelbin e shqiptarit pellazg, por edhe kishat sepse pellazgët nuk kanë qenë të krishterë dhe tek mozaiku duhet të vemë ndonjë simbol pellazgjik që në fakt nuk ekziston siç nuk ekziston as edhe ndonjë thelb i caktuar dhe i pandryshueshëm shqiptar, pasi identiteti është një proces i vazhdueshëm historik ku bën pjesë edhe ajo çka kemi qenë nën udhëheqjen e atij mozaiku sepse përndryshe nuk do të ishim këtu ku jemi, për fatin tonë të zi. Në fakt goditja që po i vjen akademisë nga PD-ja është shumë banale për tu quajtur përpjekje për reformimin e shkencës shqiptare. Ajo ka të bëjë me faktin se Akademija përveç atij roli, le ta quajmë ideologjik, ka luajtur edhe një rol më praktik, por tejet të rëndësishëm. Ajo ka qenë, ashtu sikurse edhe lidhja e Shkrimtarëve e institucione të tjera të ngjashme, një instrument i komprometimit të inteligjencies në funksion të pushtetit. Njeriu para se të bëjë shkencë e muzikë e letërsi ka nevojë të hajë e të pijë e të ketë mundësi të mbajë familjen. Akademija, ashtu sikurse Lidhja, sikurse institute të tjera i jepte për të ngrënë kësaj inteligjencie duke siguruar bashkëpunimn e saj me pushtetin. Të hyje atje ishte një ambicie jo e vogël edhe nga pikëpamja e shpërblimit mujor, por edhe e statusit. Akademija po goditet sot në këtë konteskt, si pjesë e luftës për pushtet midis ilirëve dhe pellazgëve. Ajo është konsideruar si një institucion i krijuar nga komunistët e i mbajtur në këmbë nga pasardhësit e tyre socialistët. Pra si një strofkë për njerëzit e tyre, që, mund të luajë edhe një farë roli mbështetës për ta në opinion. Synimi i PD duket se është që nëpërmjete ristrukturimit të Akademisë të krijojë mundësinë që nga kjo strofkë të dalin ilirët dhe të hyjnë pellazgët. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me nevojën e ndryshimeve të rëndësishme thelbësore që duhet të kryhen në shkencat shqiptare. Kjo është thjesht luftë për pushtet dhe, nëse do ta shohim kështu, siç mendoj se është, vlen të vihet në dukje se nëse Berisha nuk e ka kuptuar se në 97 nuk e rrëzoi nga pushteti revolucioni i ilirëve bolshevikë i mbështetur nga CIA dhe monarkofashistët grekë, por pellazgët e PD me paaftësinë dhe injorancën e tyre, atëhere ne jemi të dënuar të na përsëritet historia.

Si përfundim
Është fakt se sot nuk gjen një punë serioze e me frymë të re të Akademisë apo instituteve që vijnë prej saj, por veç thellim të paradigmave të vjetra. Është po ashtu fakt se shumica e punonjësve të saj kanë gjetur aty një lloj strofke të ngrohtë që u ka krijuar ndonjë mundësi, qoftë edhe modeste, për të mbijetuar materialisht të cilën e kanë kompensuar pastaj me punë të tjera private. Është po ashtu fakt se me gjendjen e mjeruar të Universitetit Publik dhe krijimin e universiteteve private shumica e të cilëve përdorin për qëllime thjesht dhe vetëm fitimi një përzjere akademikësh të vjetër me emra të rinjsh shumica e të cilëve kanë nevojë ta fillojnë shkolln nga e para, është krijuar një kaos i paparë vlerash. Ne nuk dimë se cilët janë dijetarët më të mirë që kemi dhe cilët janë surrogatët, cilët sjellin frymën e kohës dhe cilët janë të super të vjetëruar. Kjo edhe për arësyen pse shpesh ajo që përcakton vlerat e tyre janë afiliacionet politike dhe jo meritat të cilat, në këtë peridhë, janë ngatërruar edhe më shumë për shkak të aftësive të disave për të blerë e shitur influenca e poste e merita gjithashtu. Në këto kushte çështja duhet shtruar duke u nisur nga një nevojë shumë më e thjeshtë: Çfarë duhet të bëjmë ne që të kemi shkencë historike e gjuhësie të vërtetë e studime arkeologjike e folklorike, etnografike të vërteta? Çfarë duhet të bëjmë që të kemi edhe ne studiuesit tanë seriozë të letrësisë sonë të vjetër dhe të re? Vetëm duke u nisur nga kërkesa të tilla të thjeshta, por edhe fondamentale, do të mund të gjejmë mënyrat më efikase për të ristrukturuar institucione të tilla. Dhe që të bëhet sa më mirë kjo mendoj se shumëçka duhet filluar nga e para me thjeshtësi dhe modesti duke patur parasysh sa dëmet që i ka sjellë Akademija shkencës së vërtetë nga njëra anë dhe rrezikun e zëvendësimit të ilirëve me pellazgët nga ana tjetër, pra edhe nevojën e ndryshmit të strukturave dhe të frymës nacional komuniste që ato kanë trashëguar, por edhe, e mbi të gjitha, kërkimin e njerëzve me frymë të re që t'i shërbejnë dijeve e shkencës dhe jo pushteteve politike të njërës apo tjetrës parti. (Korrieri, 15 janar 2008)


8 comments:

Anonymous said...

Zoti Lubonja,

Një falenderim është shumë pak për këtë shkrim. Në fakt këtij artikulli do t’i shtoja një nëntitull “Akadamija midis ‘komunistëve të kuq’ dhe ‘komunistëve blu’.” Mendimi im është se çorientimi gjithëdimensional i shoqërisë shqiptare është mentaliteti komunist që u kultivua gjatë viteve të terrorit komunist. Dhe Akademia e Shkencave ka qëne një nga istitucionet kryesore që ka luajtur një rol të rëndësishëm në denigrimin e personalitetit të njeriut. Jam munduar ta ndjek debatin për Akademinë dhe jam ndier shumë i revoltuar me ata që mbrojnë me ‘dëshirë’ vlerën dhe punën e akademistëve tanë të dashur. Revolta nuk ka zgjatur shumë pasi po të marrësh pak minuta e të mendohesh, revoltohesh me veten. E si mund këta individ të formuar nga mendimi komunist të ofrojnë alternative të ndryshme, ata nuk kanë faj, ata janë rritur me mentalitetin për të dhënë jetën e tyre që Gangsteri Enver Hoxha të rrojë edhe ca ditë. Këto ditë kam filluar të lexoj një libër të Naomi Klein—The Shock Doctrine—i cili në kapitullin e parë flet për një eksperiment të ndërmarrë në vitet 50 nga një psikolog Kanadez. Qëllimi i eksperimentit ishte që të kthente trurin e njerzëve në gjendjen e tijë fillestare (tabula rasa) dhe më pas të ‘shkruante’ në të ata cka dëshironin. Nuk jam i sigurt nësë Klein ka informacion për eksperiminetin 45 vjecar të zbatuar në Shqipëri, i cili quhet Komunizëm. Zoti Lubonja, “pellazgët” apo “ilirët” që Ju i referoheni, janë njerës që mbi ta është shkruar vetëm për komunizmin, për luftën e klasave, për të spiunuar vëllanë e komshiun, për t’ia futur shokut, për të mësuar atë cka thotë i Madhi, e për mos tu bërë njerës. Kështu që akademik të pellazgëve e ilirve do kemi edhe ca kohë. Dimesioni kohë do jetë një factor i rëndësishëm i zhvillimit të shqipërisë. Kuptohet ata që nuk i përkasin ‘trurit të shkruar’ duhet të vazhdojnë të punojnë për dimesionet e tjera. Këta duhet të jëne përsonat që duhet të merren me përgjigjet e pyetjeve në përfundim të artikullit. I vetmja zgjidhje është—ARSIMI, ARSIMI, ARSIMI—të arsimohemi. Jo, jo të marrim diploma, nuk thashë këtë. Të ARSIMOHEMI. Dhe deri tani si vështirë me u arsimuar në vendin tonë.

Anonymous said...

Mua mu duk shumë intresant edhe referimi i termit "albanologji", sepse me intuitë sikur duket që diçka nuk shkon atje, por nuk kam dëgjuar të flitet për të.

Problemi është se disa terma që janë futur në shqipe do të jetë vështirë të alternohen, edhe sikur të zhbëhet krejt Akademia. Sepse çfarë mund të alternosh sot në vend të Albanologjisë, për shembull?

Nëse bën përqasje në universitete perëndimore, gjen "Studime greke", a "Studime italiane", por nëse themi "Studime shqiptare", prapë nuk e zëvendësojmë dot termin "Albanologji", sepse ka shumë gjëra që s'janë studime, por janë "albanologji", dhe të cilat kanë nevojë të njihen e të lexohen.

Një universitet, pra, e ka të lehtë ta zhbëjë termin "albanologji", por mendoj se është e vështirë që ky zëvendësim të bëhet gjithandej, sepse shqipja nuk na jep alternativa me rëndesë të njëjtë.

Për shembull, nëse dikush mbledh materiale e botime të vjetra mbi shqipen e shqiptarët, të cilat nuk janë të gjitha studime, dhe në shumicë janë madje folklorike, por që ky brez nuk i njeh, çfarë emri mund t'i vihet?

Anonimi i Torontos

xixa said...

lidhur me shprehjen "albanologji" po sjell një debat-përgjigje timin lidhur me një temë të ngritur nga A. Klosi në faqet e gazetës "Shekulli" të muajit nëntor 2007:
...Nisur nga njohuritë mbi këtë fushë, mendoj se një nga arsyet qëndron në vetë përkufizimin e shprehjes “albanologji” = shqip(shqiptar, Shqipëri) + fjalë (shprehje, racionalitet i mendimit).
E krijuar gjatë shekullit të njëzetë, ndërkohë kur shkalla e njohjes së botës shqiptare ishte ende e pamjaftë, ajo me kohë grupoi rreth vehtes një varg disiplinash të karakterit shkencor dhe shkencërues që shkojnë nga gjuha shqipe (philo-, gramma-) në arkeologji, nga historia ( iliro-,pelazgo-) në letërsi, nga mendimi filozofik në antropo- kulturore dhe ndoshta përfundojnë në folklor.
Pra, një shumë fushash studimi, për të mos i quajtur që të gjitha shkenca, një varg të gjatë studiuesish, për të mos i quajtur që të gjithë shkencëtarë - nga vendi dhe nga jashtëvendi.
Cilat janë arritjet e saj më të arrira?
- Përcaktimi i natyrës të përveçme, pasuruese dhe të vjetër të gjuhës shqipe si pjestare më se e denjë e familjes së gjuhëve evropiane - me të gjitha dyzimet lidhur me prejardhjen, formimin dhe marrjedhëniet e saj.
- - Thellimi i hulumtimit historik të origjinës së shqiptarëve si një nga popujt më të vjetër të Ballkanit dhe si pasojë, të Evropës - pa mundur ende të sjellë një përgjigje të qartë lidhur me trashëgiminë iliro-arbër.
- - Pasurimin e pashoq të elementëve të arkeologjisë dhe sistemimin e metodologjisë së interpretimit të tyre - pa arritur të sintetizojë opinione përfundimtare lidhur me djepin e “qytetërimit ilir” dhe lidhjen e tij me paraardhësit e tyre, si edhe të provojë bindshëm hallkëzimin e zhvillimit njerëzor mbi trojet shqiptare, deri në çfaqjen e Arbërve.
- - Grumbullimin e një mase të stërmadhe të fakteve dhe elementëve përbërës të historisë së vendit - pa mundur të prodhojë një korpus historik shterrues as edhe një konsensus lidhur me Historinë e shkruar, e cila ndal vrapin në ditën e Pavarësisë dhe nuk guxon të thotë fjaën e vet për atë çka ka ndodhur më vonê.
- - Përzgjedhjen e një materiali fort të pasur etnologjik, antropologjik dhe kulturor - pa arritur t’i përgjigjet çështjes aq shqetësuese të identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Pa dashur t’a zgjasim këtë listë ndërkohë të gjatë, mund të shprehemi se në stadin e tashëm të njohjes, abanologjia në atë formë që ishte konceptuar ndodhet në një fazë amullie dhe ngopjeje. Ja përse lulëzojnë “albanologjitë alternative” të natyrës Pelazgomaniake, gegofile ose historiorishkruese. Ja përse kjo e fundi tërheq gjithnjë e më pak adeptë të ndershëm dhe seriozë dhe gjithnjë e më tepër sharlatanë, karrieristë dhe pseudoshkencëtarë. Ja përse së fundi, ajo largon edhe mjedisin shkencor të huaj, të specializuar.
Ju takon specialistëve të fushave përkatëse si edhe mendimtarëve filozofo-sociologë të përkulen mbi problemin dhe të përcaktojnë drejtimet, rrymat, temat dhe ç’është më e rëndësishmja, të likuidojnë formën e vjetër tashmë fort të papërshtatshme

Anonymous said...

Faleminderit, Xixa, për prurjen, në fakt për freskimin e kujtesës, sepse e kam ndjekur gjithë atë debat.

Por prapë s'fle rehat. Çfarë termi "alternativ" mund t'i jepet albanologjisë? Madje një emër që jo vetëm të ketë rëndësë të njëjtë, por dhe të shkëputet nga e kaluara folklorike.

xixa said...

Ndaj me ju të njejtën përshtypje dhe të njejtën përqasje lidhur me shprehjen në fjalë.
Termi « alternativ » i përdorur me këtë rast, vjen nga një shkrim i XhaXhait « Albanologjia Alternative » (http://xhaxhai.wordpress.com/2007/10/09/albanologjia-alternative/), term të cilin e adoptova pasi diku – diku, krijonte jo vetëm distancë me realitetin albanologjik institucionel por njëkohësisht, përqaste qëndrimin « e ri » - atë të Vlora Falaschi, D’Angéley, Catapanno e të tjerëve Aref të huaj apo vendas ndaj një prej « gurëve të themelit » të albanologjisë : origjinës së shqiptarëve.
Në të vërtetë, jam i mendimit se albanologjia qëndron ndaj disiplinave gjuhësore-historike sikundër alkimia e shekujve të XV-XVII qëndron ndaj shkencës së sotme. Në qoftë se thelbi i ezoterizmit të të parës qëndronte në zbulimin e realitetit të fshehtë të lëndës, kjo e dyta – me të njejtat metoda të mjergullta dhe të tymta – kërkon të deshifrojë mesazhin misterioz të botës shqiptare.
Pa asnjë dyshim - sikundër edhe vëllazëria mistike mesjetare, turma laramane e albanologëve si dhe tempulli i saj akademik përmban në gjirin e vet shën Toma d’Aquinët, Francis Bejkonët ose Paracelsët e vet. Veçse, sikundër dhe e para, ajo nuk mundi të gjejë « gurin filozofik » - një histori koherente të të shkuarës, e cila të mund të shëndrronte plumbin në ar të kulluar – të hyjnizonte të zakonshmen. Por, ndërkohë që instikti i mbijetesës mundi të skiconte fillesën e miteve identitare, ideologjia e gjithëgjendur e një pushteti totalitar mobilizoi regjimente të tëra albanologësh për të përsosur këto mite, për të modeluar një të shkuar në shërbim të të sotmes. Përfundimisht, përtej ndërtimit të miteve dhe utopisë së « njeriut të ri », kjo ndërmarrje atrofizoi vetë mendimin, paralizoi iniciativën dhe asgjësoi guximin e vetë njeriut që ende besonte në shkencën.
Dështimi i historiografisë zyrtare në mjekimn e ndërgjegjes kombëtare dhe ngecja e saj në rrethqarkullin përsëritës, nxiti lulëzimin e tezave paralele ; sikundër dhe paaftësia e mjekësisë eksperimentale për të shëruar trupin e sëmurë nxit çfaqjen e mjekësive « alternative ». Në këtë mënyrë, empirikët tanë pelazgologë « mbështeten mbi faktet » - ato të gjuhës - për të « provuar » se njerëzimi mbarë është ngritur mbi bazën e « kodit gjenetik » shqiptar.

Anonymous said...

Unë tashti ndihem ligsht sepse pa dashje ju provokova të shkruani shumë, aq sa ju ka dalë trungu i një shkrimi tjetër.

Jo pa qëllim i vura thonjëza alterativit, pikërisht për ta dalluar nga albanologjia alternative, tek e cila kanë zbutur frikën e vdekjes shumë bashkëkohës.

Pyetja ime ishte shumë më e thjeshtë, bibliotekare e arkivore,ndoshta, domethënë se çfarë termi tjetër mund të përdoret në një dixhitalizim librash të vjetër shqip, a mbi shqipen, Shqipërinë dhe shqiptarët, kryesisht botuar para 80 vjetësh e tutje, përderisa alternativa të tjera, si "Studime shqiptare", nuk mund të përdoren, sepse në ato botime të shkuara ka dhe folklor e fjalorë. E të tjera.

Por ndoshta unë kam dalë nga tema me këtë pyetje naive, prandaj dhe e lë mënjanë pyetjen.

Gjithsesi, faleminderit.

olti said...

Une verej qe te gjithe komentuesit (dhe vete zotri Lubonja, megjithe respektin qe kam) nuk keni lexuar sa duhet studimet shqiptare ne lidhje me historine kombetare. Nese do ta benit kete atehere nuk do vinit ne dyshim gjithcka dhe do benit debatin shterpe nese duhet te kete nje disipline shkencore te quajtur albanologji, apo jo.
Nuk ka dyshim se historia e shkruar ne kohen e komunizmit kishte shume nuanca ideologjike, por ama ta mohosh teresisht ate dhe te vesh ne dyshim cfare u studjua dhe vertetua, eshte e tepert.
Ju zoterinj jeni me te prirur te besoni ndonje te huaj qe i bazon te dhenat e veta me shqiptaret ne ndonje studim te viteve '30 se sa te besoni punen disa dhjetravjecare te studjuesve shqiptare. Sic thashe, lexoni pak me shume histori shqiptare dhe shihni burimet se ku ehste bazuar kjo pune qe te jeni me te qarte me veten dhe me te tjeret pastaj.

Anonymous said...

I really like your blog and i really appreciate the excellent quality content you are posting here for free for your online readers. thanks peace claudia.