Thursday, January 10, 2008

Mbi polemikën Baze - RD

Kam ndjekur me vëmendje të veçantë polemikën e gazetës së partisë në pushtet RD ndaj gazetarit të njohur si mbështetës i PD Mero Baze, pasi ky sulmoi kryeministrin Berisha duke e akuzuar as më shumë as më pak si mbrojtës të korrupsionit të njerëzve të tij. Kam ndjekur edhe kundërpërgjigjet e Bazes i cili e nisi këtë polemikë pas fjalës së Kryeministrit në fund të vitit 2007 ku, mes tjerash, deklaroi se shumë kritika i vinin qeverisë pasi pronarët e mediave kërkonin të merrnin tendera që qeveria nuk ua jepte pasi nuk i meritonin, duke përfshirë në këtë akuzë edhe gazetën Tema të Bazes.
Mendoj se ajo plemikë meriton të merret shumë më gjatë në analizë dhe shumë më thellë nga ç'duket se po e merr shtypi ynë, pasi ngërthen në vetvete disa probleme të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me raportin e pushtetit tonë të katërt me pushtetet e tjera, por edhe me krejt atë që po ndodh në vend pas ardhjes së PD në pushtet. Nëpërmjet asaj polemike shoh probleme tashmë të strukturuara si probleme prej kohësh, të instaluar në trupin tonë shoqëror si sëmundje kronike, që bëhen edhe më dramatike kur kemi parasysh se, sikurse tregon polemika, ato po i thellon tashmë partia që e mori pushtetin pikërisht me premtimin se do t'i zgjidhte.
Pa pretenduar një trajtim shterrues le të ngacmoj disa nga problemet kryesore që shoh në atë polemikë e në komentet për të.Problemi i parë që meriton të diskutohet është se Baze, i cili ka kredibilitetin e njeriut që ka qenë afër PD, aq sa mund të thuhet se e ka të lidhur fatin e tij me atë të PD, zbulon se i gjithpushtetëshmi Berisha, ai që ishte garanti i luftës kundër korrupsionit, nuk është, ashtu sikurse mendohet dhe gjykohet nga shumë, i gjithëpushtetshëm, por, përkundrazi, shumë i dobët pasi qeveria e tij është shndërruar në disa miniqeveri, le ti quajmë feude, ku sejcili feudal mjel "sisën" e tij të "lopës publike", kurse Berisha është i pafuqishëm të veprojë kundër tyre sepse, përndryshe, ata e rrëzojnë nga pushteti dhe Berisha pushtetin e do më shumë sesa të mirën publike. Nuk mund të mos të të kujtohet nga përshkrimi i Bazes paraardhësi i Berishës, Nano dhe sistemi i tij i instaluar i korrupsionit. "Mjeshtëria" e tij më e madhe ka qenë pikërisht mbajtja e ekuilibrit midis feudalëve të vegjël e të mëdhenj, midis të cilëve edhe kryefeudali i Tiranës Rama, për t'i lënë ata dhe njerëzit rreth tyre të mjelin lopën publike me sa më pak zhurmë dhe me sa më shumë efikasitet; sigurisht edhe duke kërkuar pjesën e tij që duhet të ishte llokma më e madhe. Baze nuk e shtyn akuzën e tij për Berishën deri këtu. Ai edhe insinuon, por edhe tërhiqet njëkohësisht duke vazhduar të ushqejë mitin se Kryeministri është i vetmi garant i ndershmërisë në politikën shqiptare. Pavarësisht kësaj një gjë del qartë nga polemika: sistemi i ndërtuar nga Nano për të mjelë lopën publike ka dalë më i fortë sesa Berisha që premtoi ta ndryshonte atë. Ky është një problem që meriton të debatohet gjatë sepse gjithnjë e më shumë po del në pah se një sistem i ndërtuar nga një mori faktorësh e aktorësh nuk mund të ndryshohet nga një njeri i vetëm, pasi ai është më i fortë se çdo njeri i vetëm, dhe se akuzat kundër personave të veçantë shpesh nuk janë gjë tjetër veçse mbrojtja më e mirë që i bëhet vetë sistemit. Së dyti meriton të analizohet ajo klithmë që lëshuan shumë ndaj Bazes: "Po tani o i mjerë, ku do të shkosh!" Kuptimi ishte i qartë. "Opozita nuk të duron dot, tani të goditën dhe të tutë. Nga do t'ia mbash?" Në fakt të mos kesh simpatinë e të dy palëve në pushtet ose të të godasin të dy palët që kanë qenë ose janë në pushtet, sepse nuk vlerëson asnjërën prej tyre, dhe i kritikon të dyja, kjo do të ishte gjendja më e mirë për një gazetar jo vetëm sepse tregon pavarësinë e tij nga pushtetet politike, por edhe sepse është e vërteta e shumicës së shqiptarëve. Mjafton të shohësh përqindjen e pjesëmarësve në votimev. Dhe jo vetëm, ka shumë nga ata që kanë votuar duke zgjedhur të keqen më të vogël, pra që gjithsesi nuk është se i duan të dy palët. Pra ky do të ishte pozicioni më i vërtetë për një gazetar, madje edhe më fitimprurësi nga pikpamja e tregut të shtypit sikur ky të ishte vërtet i lirë. Megjithatë nuk është kështu. Klithma ndaj Bazes shpreh një të vërtetë të rëndësishme: se nuk është e lehtë të ekzistojë në Shqipëri një shtyp që godet të dy palët mu pse të dy palët kanë monopolizuar përveç shumëçkaje edhe mediat. Kasta e politikës ka krijuar edhe kastën e gazetarëve të ndarë në dy palë. Hapësirat për të tjerët vijnë duke u ngushtuar megjithë pretendimin e Berishës se liria e shtypit ka bërë përpara. Problemi që shtrohet duke ndjekur polemikën është: si i bëhet që të rritet dhe jo të zvogëlohet hapësira e pushtetit të vërtetë të katërt që do të thotë të rritet edhe kredibiliteti i pushteti të katërt. Në gjendjen që kemi sot të dy palët e kanë shumë kolloj të diskreditojnë kritikët ndaj tyre: nuk je kredibël sepse je me kundërshtarin jo pse thua të vërtetën. Nuk ka gjendje më komode për të dy palët. Baze u identifikua me Braçen duke u hedhur në rradhët e armikut dhe problemi u zgjidh. Sepse midis nesh dhe armikut nuk ekziston asgjë, je në tokën e askujt. Një tjetër problem i vjetër e i ri që nxorri në pah mënyra se si u godit Baze nga PD-ja dhe organi i saj ishte një stil i njohur tashmë i pushtetarëve tanë i goditjes së gazetarëve kritikë ndaj tyre. Në vend se të merren me ato për të cilat i akuzojnë ata "strehoen" në motivet e "e ulta" që e kanë shtyrë autorin t'i thotë ato, deri dhe në biografinë e tij. "Nuk ka marrë tendera, kërcënon për të marrë tendera, kërkon edhe më shumë nga ç'ka marrë, ka bërë pazare me kundërshtarët" këto qenë disa nga akuzat që i erdhën Bazes nga RD-ja për të bindur publikun për pavërtetësinë e akuzave të tija. Kuptohet, gjetja e këtyre shkaqeve të ulta bëhet për të ulur kredibilitetin e atij që i thotë. Jemi përsëri në një sëmundje të njohur e të vjetër të marrëdhënieve të pushtetarëve tanë me kritikën. Sepse faktet e thëna mbeten fakte, pavarësisht nga ajo se kush i thotë dhe pse i thotë, dhe vetëm përgënjeshtrimi bindshëm i fakteve të thëna është arma më e mirë për ta diskredituar një kundërshtar që shpif. Kurse, sikurse ka tregaur historia e deritanishme, futja në kundërakuza të tilla veçse e thellon hendekun midis së vërtetës dhe pushtetit. Kjo mënyrë reagimi është historia e njohur e atij politikani që sa më shumë qëndron në pushtet aq më shumë bëhet autoreferencial duke humbur gjithnjë e më shumë kontaktin me të vërtetën. Duke rritur, për kompnesim arrogancën ndaj kritikëve të tij si mjet për të vërtetuar se e vërteta është me të ai, në fakt, nuk bën tjetër veçse ul edhe më kredibilitetin e tij. Sepse, sikurse thuhet, përgjithësisht pushteti dhe e vërteta rrallë herë koincidojnë, kurse tek ne deri tani e kemi të vështirë të besojmë se kanë koinciduar ndonjëherë. Por problemi kryesor që vazhdon të gjallojë në vendin tonë, e që e nxerr në pah edhe një herë me forcë polemika në fjalë është ai se megjithëse Sollaku iku dhe erdhi me bujë një prokurore e re e angazhaur për luftën kundër krimit e korrupsionit, ne prap vazhdojmë të vuajmë mungesën e një sistemi drejtësie që do të hynte si arbitër i paanshëm në konfliktet midis pushtetit të katërt dhe pushtetit të parë, apo edhe në konflikte të tjera të ngjashme si ai midis mazhorancës dhe opozitës. Akuzat që ngre Baze ndaj Berishës dhe të tijve dhe kundërakuzat që ngre Berisha dhe të tijtë kundër Bazes nuk janë gjëra të lehta. Në thelb janë të njëjtat me akuzat që ngre opozita kundër mazhorancës dhe mazhoranca kundër opiozitës. Në çdo vend sadopak serioz e vërtet demokratik, publiku, i cili sipas këtyre akuzave është i dëmtuari kryesor, ka të drejtën të sqarohet dhe jo vetëm, por ka të drejtën të kërkojë vërtetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve qoftë ky Baze qoftë Barisha dhe të tijtë qoftë të dy palët. Kurse kësisoj mungesa e sistemit të drejtësisë zhvefteson gjithshka - edhe vetë ekzistencën e fjalës së lirë.
Kur e pyeten Çurçillin se çdo te thoshte ai sikur qeveria e tij të ishte korruptuar ai u përgjegj: "Do të pyes si është drejtësia. Nëse më thonë se drejtësia është në rregull atëher do të thoja: nuk ka problem, liria dhe demokracia do të funksionojnë." (Korrieri, 10 janar 2008)

5 comments:

Anonymous said...

Ti Lubonja po e dredh.kur ishte ne pushtet PS nuk le gje pa thene per ta.Tani qe gjithcka ka degjeneruar nuk merr guximin te dalesh kunder perbindeshit Berisha

Anonymous said...

Zoti Lubonja,

Edhe unë i kam ndjekur shkrimet e gazetës Tema në lidhje me performancën e qeverisë dhe me ketë rast dua të falenderoj zotin Baze dhe stafin e tijë për këtë. Fatkeqësisht unë nuk jetoj në Shqipëri dhe nuk më bie rasti të diskutoj me bashkombasit e mi për këtë cështje, por me atë që kam diskutuar kam marrë të njëjtën përgjigje që mund ta merrja nga shumë bashkombas të mi. Përgjigja është ajo që jep edhe gazeta RD, se Baze nuk po plotëson interesat e tijë ekonomike që kishte parashikuar kur të vinte PD në pushtet. Kjo përgjigje me sjell në mend shumë debate që dëgjoja kur isha I vogël për kapitalismin, për të huajt, për armiqt e klasës, etj. Nuk e di pse me ka ngelur në kujtesë një përgjigje që komunistët e asaj kohe I dhanë një projekti për të ndërtuar rrugë të gjëra në Shqipëri—“ata duan të ndërtojnë rrugë të gjëra që të përgatisin pushtimin e Shqipërisë, pasi avionët do ulen direkt në këto rrugë.” Komunizmi, komunizmi, ai e ka fajin. Jo, jo, mos kundërshto, nuk është zhdukur, është në mentalitetin tonë.
Për mua komunizmi I Hoxhës ishte një grumbullim GANGËSTERËSH që kishin vetëm një qëllim, VETEN E TYRE, dhe prandaj vrisnin edhe njëri tjetrin, sepse celi kujdesej per VETEN e VETE. Në komunizëm nuk ka rruge tjetër ose tu shërbesh GANGESTERËVE ose shkon…po munde jashtë, nëse jo bëhu gati se….

Ju uroj një vitë të mbarë edhe të gëzueshëm, më pak plera në Tiranë. Meqë ra fjala të plerat, mirë për plërat në rrugë mund të gjendet zgjidhja, por për plerat në POLITIK?

bledarbregasi said...

Lubonja nuk po e dredh...ai flet per korrupsionin ne menyre objektive, pavaresisht se kush ndodhet ne pushtet. Sistemi i klientelizmit te politikes ideuar nga Nano funksionon mire..dhe do vazhdoje te funksionoje deri sa te shofim Nanon qe fle gjume i qete large nga skena politike....Ne momentin kur do shofim qe Nano do kerkoje te hyje prape ne politike ne menyre seriose eshte se sistemi qe ka ndertuar nuk eshte me i besuheshem dhe duhet rindertuar...ndryshe vete Nanon dhe mdreteria e tije ekonomike jane ne rrezik..
Dhe deri sa opozita te jete e formuar nga perona si Berisha, qe nuk ka asnje lloje kapaciteti intelectual por vetem instikte natyrore tribale, per Nanon dote jete sikur te lozi me kukulla..

Tung.

Meteor said...

( ... Lubonja nuk po e dredh...ai flet per korrupsionin ne menyre objektive, pavaresisht se kush ndodhet ne pushtet. Sistemi i klientelizmit te politikes ideuar nga Nano funksionon mire..dhe do vazhdoje te funksionoje deri sa te shofim Nanon qe fle gjume i qete large nga skena politike....Ne momentin kur do shofim qe Nano do kerkoje te hyje prape ne politike ne menyre seriose eshte se sistemi qe ka ndertuar nuk eshte me i besuheshem dhe duhet rindertuar...ndryshe vete Nanon dhe mdreteria e tije ekonomike jane ne rrezik..
Dhe deri sa opozita te jete e formuar nga perona si Berisha, qe nuk ka asnje lloje kapaciteti intelectual por vetem instikte natyrore tribale, per Nanon dote jete sikur te lozi me kukulla.. )

nga te erdhi kjo teori ose ky vegim me mire...
o zoteri i nderuar fatos nano (se as emrin nuk me vjen t'ia shkruaj me te madhe) edhe sikur profet te ishte koha e tij ka kaluar tashme dhe ti dhe shume te tjere duhet ta fiksojn mire ne mendje. Berisha eshte ne pozite i nderuar dhe jo ne opozite, dhe do z'do ti ai eshte ne pushtet , shkaqet dhe rethanat qe e sollen ne pushtet le ti studioi historia. dhe se fundi cfare do te thuash me "instikte natyrore tribale" se po me kujton ate historin e famshme te Platonit, "SHPELLA".

Anonymous said...

vetem per nje gje me vjen keq qe Lubonja e ka web-in me .net
pra nga abissnet te K.K njeriut te cilit kur eshte diplomuar me miresjelljen me te madhe shefi i departamentit i ka kerkuar vetem ne ate profesion qe po specializohej mos ta ushtronte sepse nuk dinte ta bente nje gje te tille.
ky eshte rasti me ekstrem, pasi ky far K.K-ja tani na eshte nje miliarder (eshe pse i pavlere) por kam pershtypjen se ky rast nuk eshte unik ne shqipri ka me thes...
nuk e dij pse me ngjasojne modeli i flokeve i Rames me ate te K.K mbase kshu me duket mua...
ai i pasur
une derrmuar
ai i privilegjuar
une i masakruar
ai i famshem
une nuk ekzistoj
ai i lumtuar
une as qe jetoj
ai po korr dhe sukseset e te shoqes
.....
ai po korrsukseset e te biajve
une nuk dij a do mund te keme te tilla

gezoju K.K ne nje shoqeri te degjeneruar dhe te degraduar