Thursday, August 21, 2008

Mbi krizën gjeorgjiane dhe rastin Kosovë

Ngjarjet në Gjeorgji na përkasin më afër nga sa e si i kemi trajtuar në mediat shqiptare. Kjo sepse ndërsa thuajse të gjithë analistët e huaj që janë marrë me krizën e fundit në Kaukaz i janë referuar edhe rastit Kosovë tek ne shumë pak është marrë në analizë seriozisht ky paralelizëm dhe pasojat që mund të ketë. Jemi mjaftuar me një mbajtje ane duke dënuar agresionin rus, pa u thelluar në argumentet komplekse e kontradiktore që paraqet kjo krizë.
Që të rrimë shtrembër dhe të flasin drejt Osetia e Jugut e sulmi Gjeorgjian ndaj saj ka më shumë sesa një arësye të trajtohen si të ngjashme me Kosovën dhe agresionin serb ndaj saj në vitin 1999. Në të dy rastet, si në atë të Millosheviçit më 1999 ashtu dhe në atë të Shakasvilit kemi të bëjmë me ndërhyrjen ushtarake të një shteti në një krahinë separatiste në emër të mbrojtjes së sovranitetit territorial apo principit të monsdryshimit të kufijve të tij. Në të dy rastet kemi ndërhyrje të njëanëshme, dmth. pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, të fuqive ndërkombëtare për të mbrojtur të sulmuarit separatistë. Ndryshimi është se nëse për kosovarët ndërhyri Nato me në krye amerikanët - për hir të së vërtetës pas një aksioni më të gjatë diplomatik e mediatik - për osetët ndërhynë Rusët të cilët kanë qenë atje me një numër ushtarësh që garantonin paqen me mandatin e OKB. Një ndryshim i rëndësishëm sipas meje është ai se Serbia kishte prapa shpine, kur ndërhyri në Kosovë, krimet e Bosnjes, kurse Gjeorgjia nuk ka mbi shpinë luftra të mëparëshme. E po ashtu janë të ndryshëm faktet se për Kosovën ndërhyri një koalicion shtetesh demokratike që s'kishin interesa aneksimi kurse në Gjeorgji ndërhyri vetëm Rusia që jo vetëm nuk e ka reputacionin e një vendi demokratik, por ka edhe interesa të prëfshirjes në territorin e saj të Osetisë së Jugut. Megjithatë këto diferenca nuk e ndryshojnë rastin në raport me respektimin e principit të sovranitetit dhe pandryshueshmërisë së kufijve i cili del se është trajtuar nga Prëndimi ndryshe në rastin kosovar dhe ndryshe në atë gjeorgjian. Pra megjithëse rasti kosovar është përpjekur të trajtohet si i një lloji të veçantë ("sui generis") kur u bë ndërhyrja dhe më pas kur iu njoh pavarësia "lloji i veçnatë" (edhe nëse ka qenë i tillë) ka krijuar "llojin e vet" më vete: ja ku dalin dy raste të ngjashme në Gjeorgji Abkazia dhe Osetia e Jugut. Edhe një numër osetësh të intervistuar nga mediat perëndimore i dëgjon t'i mbështesin pretendimet e tyre për pavarësi duke sjellë shembullin e Kosovës. Në fakt kur u njoh pavarësia e Kosovës nga shtetet kryesore perëndimore Rusia kishte paralajmëruar në mënyrë kërcënuese se do të njihte kërkesat e tyre për pavarësi dhe duket sheshit se ndërhyrja në Oseti është bërë me skenar shumë të ngjashëm me atë të NATOs në Kosovë. Edhe osetët kanë vetëdeklaruar me kohë pavarësinë. Po ashtu 90% e popullsisë ka pasaportë ruse. Edhe ata me lëvizjen e tyre separatiste i kanë detyruar gjeorgjianët të ndërmarrin sulmin e ditëve të fundit ndaj të cilit u gjend gati menjëherë Rusia që ndërhyri në mbrojtje të tyre. Nuk do shumë mend që tani do të ngulmojnë në njohjen e pavarësisë si Kosova.
Ajo që ra në sy në zhvillimet e shpejta të kësaj krize në ditët e para ishte se ajo u konsiderua si një fitore jo vetëm ushtarake, por edhe politike e Putinit. Presidenti gjeorgjia Shakasvili thuhet se ra në një grackë me agresioni që kreu. Ndërhyrja e rusëve ishte e menjëherëshme; reagimi amerikan i dobët e zhgënjyes për gjeorgjianët kurse ajo që e bëri edhe më interesant e më të komplikuar skenarin ishte reagimi evropian.
Edhe një herë ra në sy përçarja midis asaj që u quajt nga Rumesfield në kohën e agresionit në Irak "Evropa e vjetër", ku do të përmendnim shtete si Gjermania, Franca, Italia dhe ajo që ai e quajti "Evropa e re" ajo e vendeve të ish bllokut sovjetik si Polonia, Çekia vendet balltike apo Ukraina. Të parët patën një reagim mjaft të matur ndaj Rusisë. Në fakt Sarkozi, i dërguari i Bashkimit Evropian, me planin e tij gjashtë pikësh thuhet se më shumë shkoi të legjitimojë ndërhyrjen ruse sesa ta kundërshtojë atë. Ne kami interesa të rëndësishme në Rusi; ajo nuk mund të izolohet e të rrethohet nga një luftë e re e ftohtë. - duket se ishte qëndrimi i Evropës së vjetër. Kurse qëndrimi i Evropës së re tregoi qartë se ata nuk e shohin Rusinë e Putinit aq ndryshe nga ish Bashkimi Sovjetik që i mbajti nën sundim, prandaj janë për vazhdimin e një lufte të ftohtë ndaj saj.
Ndërkaq, në ditët në vazhdim, moslargimi i premtuar i trupave ruse në Gjerogji, megjithë firmosjen e planit Sarkozi, bëri që edhe Evropa e Vjetër të ashpërsojë qëndrimin ndaj rusëve. Megjithatë në Bruksel, në mbledhjen e Natos të thirrur nga amerikanët dokumenti që doli u konsiderua "i ekuilibruar", jo ashtu siç do të donin SHBA dhe vendet e Evropës së re, pasi portat e Këshillit të bashkëpunimit NATO - Rusi mbetën te hapura.
Disa gjëra të rëndësishme po ve në dukje kjo krizë ende e pambyllur:
Së pari se ajo është një provë force midis SHBA dhe Rusisë në lojën/luftën për përcaktimin e kufijve të zonave të tyre të influencës dhe se shpesh pavaarësitë apo mohimet e tyre nuk i vendosin normat ndërkombëtare, por kjo lojë force. E në këtë provë force raporti që nga rënia e komunizmit e këtej duket se ka ndryshuar. Rusia e Putinit nuk është më ajo e dobëta e Jelcinit, por ka filluar të nxjerrë dhëmbët.
Së dyti, ajo është edhe një provë force midis SHBA dhe Rusisë për të përcaktuar politikat e "Evropës së vjetër" e cila e ndodhur në këtë darë, po provon edhe një herë dobësinë e saj, por edhe kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj dhe rolin e saj. Në një rast si ai i Gjeorgjisë psh., sikur kjo të ishte në Nato, evropianët do të ishin të detyruar të hynin në luftë me Rusinë. Sigurisht nga ana tjetër Rusia do të mendonte dy herë sikur Gjeorgjia të ishte anëtare e NATOS, por a ia vlen që Evropa të vere veten në rrezik kur nuk rrezikohet nga rusët? Nato në fakt është krijuar më 1947 për të mbrojtur vendet perëndimore nga ekspansioni komunist sovjetik. Mbetja apo jo e NATOs pas rënies së komunizmit është një gjë e diskutuar. Le të kujtojmë se edhe ndërhyrja në Kosovë më 1999 është konsideruar si një rast për të konfirmuar dobinë e saj. Por tani një pjesë e evropianve thonë: mos Nato na hap më shumë telashe sesa na zgjidh? Mos duhet ta organizojmë ndryshe vetëmbrojtjen tonë? Për më tepër gjuha e luftës së re të ftohtë duhet të pësojë modifikime të rëndësishme nëse do të përdoret ndaj Rusisë pasi, nëse dje ajo akuzohej për ndryshimin e sistemit në tërë Evropën, madje botën, sot pretendon se ka një sistem demokratik e të ekonomnisë së tregut, si të gjitha vendet perëndimore. Mbetet rreziku i nacionalizmit rus, por nga ana tjetër, me globalizimin e ekonomisë edhe ky ka pësuar modifikimet e veta. Rusia sot e mbështet fuqizmin e saj ekonomik tek burimet energjitike, por sikur të mos kishte blerës në vendet evropiane si do t'ia bënte? Nga ana tjetër kush nuk i mbron interesat e veta? Ç'duan amerikanët në Gjeorgji përveçse kurimit të interesave të tyre që lidhen me rrugët energjitike?
Së treti, kjo krizë tregoi se politikat agresive dhe unilateraliste të Bushit nuk kanë sjellë frytet e pritura prej neokonservatorëve amerikanë, përkundrazi e kanë dobësuar ndjeshëm supremacinë dhe ligjimitetin që gëzonte SHBA në botë në kohën e Klintonit. Premtimet e tij për futjen e Ukrainës apo edhe Gjeorgjsë në Nato, që janë parë me skepticizëm nga "Evropa e vjetër", kanë nxitur edhe më nacionalizmin rus. Por edhe tensionet në botë po të kemi parasysh konfliktet në botën arabe apo edhe zhvillimet e fundit në Pakistan. Në këtë kontekst parashikimi i Fukajamës se shekulli XXI do të ishte shekulli i dominimit të patrazuar të një superfuqie të vetme botërore SHBA nuk është vërtetuar. Bota duke patur parasysh Rusinë, por edhe Kinën edhe çka po ndodh në botën arabe po bëhet gjithnjë e më multilaterale, po shkon drejt kompeticionit midis disa fuqive dhe kjo ka krijuar një kaos që pret vendosjen e një rendi të ri që duket se nuk mund të realizohet me politikat unilateraliste të Bushit. Ja pse pritet veçanërisht në Evropën e vjetër ardhja e Obamës si një president i interesuar të ketë në Evropë një aleat të fortë për të bërë politika multilaterale çtensionimi dhe jo një vasal të përçarë dhe të pafuqishme ndaj përshkallëzimit të një lufte të re të ftohtë.

Po si do të mund ta vendosnim pozicionin tonë duke patur parasysh analizën e bërë më sipër dhe rastin që na prek më nga afër atë të Kosovë?
Ajo që shohim të ndodhë është se kontradikta midis principit të sovraniteti dhe paprekshmërisë territoriale të shteveve, që e vuri në dukje edhe dokumenti i fundit i Brukselit lidhur me Gjerogjinë, dhe vetvendosjes së popujve rrallë mund të aplikohet në favor të këtij të dytit për shkak të pasojave zinxhir që mund të sjellë. Të rrimë edhe një herë shtrembër dhe të flasim drejt: rasti "sui generis" i Kosovës është një rast vërtet i veçantë. Janë mbledhur një numër faktorësh që zor se do të mbledheshin në të njëjtën kohë dhe vend për t'u mundësuar kosovarëve atë që, megjithë luftrat apo mbështetjet e ndryshme ndërkombëtare, nuk po e arrijnë dot as kurdët as çeçenët as tibetianët as palestinezët e që, pas shumë gjasash, vështirë se do ta arrijnë edhe osetët dhe abkazët, por që edhe kosovarët e kanë arritur përgjysëm. Sot mund të mendohet se zona jonë i përket përfundimisht zonës perëndimore ku rusët nuk mund t'i fusin duart. Do të ishte krejtësisht kështu sikur të mos ishte në mes Serbia e cila është në një udhëkryq kontradiktor. Nëse Kosova e ka të përcaktuar qartë pozicionin e vet Serbia më një anë synon të bëhet pjesë e Evropës më anë tjetër nuk pranon të lëshojë Kosovën dhe për këtë prej kohësh ka mbështetjen e Rusisë. Nuk është pa gjasë që kjo që ndodhi në Kaukaz të shtyjë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur deri tani. Mund të ngrihet edhe hipoteza se mund ta shpejtojë nëse Osetisë dhe Abkazisë do t'u njihet pavarësia në shkëmbim të kësaj. Mirëpo një lëshim tjetër ndaj parimit të sovranitetit të shteteve dhe mosndryshimtt të territorit mund të kthehet shumë shpejt kundër vetë Rusisë duke patur parasysh Çeçeninë, por edhe shumë raste të tjera që janë në botë, madje, edhe në Evropë. Më shumë gjasa ka që situata e krijuar ta vonojë edhe më njohjen e Kosovës nga disa shtete.
Politikanët shqiptarë nuk është se mund të bëjnë shumë për ndryshimin e fateve të kësaj loje të fortësh. Ajo që mund tu kërkohet është të bëjnë sa më shumë për të ndërtuar një shtet serioz e kredibël atje ku qeverisin. Por edhe të mos bëjnë ndonjë budallallëk me vasalitetin e tyre të tepruar. Dhe rreziku i budallallëkut shtohet kur vasalitetit të tepruar i shtohet edhe injorimi i kompleksitetit të situatës së re të krijuar. (Korrieri, 21 Gusht 2008)

2 comments:

Endri said...

Per te qene realiste duhet thene se dy pikat qe jane permendur dhe ne kete artikull mbi ndryshimin e rastit Kosove dhe krizes gjeorgjiane perbejne ndryshime te rendesishme. Ka nje ndryshim te madh kur nje lufte luftohet nga shume shtete demokratike per hir te te drejtave te njeriut e per sigurine afatgjate te nje rajoni ku nuk ka detyrimisht interesa te medha ekonomike me rastin kur nje lufte nxitet e luftohet nga nje shtet i vetem antidemokratik ku dihet se cfare qendrimi ka per te drejtat e njeriut dhe se si shkelen ato mu bash ne territorin e vet, ku lulezon korrupsioni etj. Nisja e nje lufte nga nje shtet i tille me aresyen e mbrojtjes se te drejtave te njeriut eshte qesharake. Lufta ne Gjeorgji ishte nje lufte politike dhe ekonomike, nje lufte kolonizatore qe ka shume pak te beje me te drejtat e njeriut. Lufta ne Kosove nuk ishte aspak e tille.

Fakti qe ushtria ruse nuk po terhiqet nga Gjeorgjia vetem e forcon kete argument. Realisht shteti rus ka me teper interes ti kete osetine e jugut e abkazine si pyka per destabilizimin e vazhdueshem te Gjeorgjise e nuk eshte i interesuar per zgjidhjen afatgjate te problemit te ketyre provincave.

Ndryshim tjeter i rendesishem eshte qe Rusia kete krize po e pergatiste vete me muaj per te mos thene me vite me pare duke shperndare pashaporta duke derguar divizionet e veta te stacionuara ne Pskov e gjetke drejt Gjergjise disa muaj para krizes etj. Por me e rendesshmja ishte mbeshtetja e pakufizuar qe ruset i kishin dhene Osetise se jugut duke i bere keta aq konfidente sa te bojkotonin cdo perpjekje bisedimesh te meparshme me gjeorgjanet per normalizimin e gjendjes. Edhe ky eshte ndryshim i madh me Kosoven. Kriza e Kosoves filloi pikerisht pas braktisjes se perendimit mbas Konferences se Dejtonit. Perendimi ne rastin e Kosoves u gjend para faktit te kryer para ne krize qe po shperthente dhe thjesht reagoi. Ndersa Rusia ishte shkaktare afatgjate e ekstremizimit te situates natyrisht per interesat e saj.

Anonymous said...

lexoni librin e islam laukes:kosova rast sui generis dhe merrni pergjigjen e sakte