Thursday, October 9, 2008

Dosja Faslliç dhe trashja e zullumit

Nervozizmi i shkaktuar nga dosja Faslliç e shtyu Berishën të bëjë pardje në Parlament ndoshta gafën e tij më të madhe politike që nga koha kur deklaroi, para afro dy vjetësh, në kohën që bëri takimin e famshëm me Nanon, se akuzat që kishte lëshuar për paraardhësin e tij socialist lidhur me korrupsionin i kishte bërë ashtu thjesht për efekt elektoral. Kësaj here, i nervozuar, Kryeministri deklaroi në Parlament se akuzat që po i drejtoheshin nga opozita për korrupsion po e nervozonin aq shumë saqë po e detyronin të thoshte ato që nuk kishte thënë deri tani, të bënte atë transparencë (më të madhen, që s’është kryer ndonjëherë) që do t’i bënte kundërshtarët e tij të mos dinin se ku të futeshin.
Për çdokend që ishte në Parlament, por edhe për ata që e dëgjuan në media, doli qartë se kryeministri pohoi me gojën e tij se nuk ka bërë pikërisht atë që ka premtuar të bëjë e për të cilën shqiptarët i dhanë votën: denoncimin e korrupsionit (madje pikërisht atë që u kërkon qytetarëve të tij të thjeshtë që ta bëjnë nëpërmjet spotit publicitar mbi luftën kundër korrupsionit) dhe se Kryeministri u bëri shantazh kundërshtarëve të tij duke u thënë: duke më akuzuar për korrupsionin po më detyroni të flas për korrupsionin tuaj. Mjafton të kesh parasysh këto për të nxjerrë dy konkluzione dramatike: së pari, se e ashtuquajtura luftë kundër korrupsionit, edhe nëse nuk ka qenë qysh në fillim thjesht një demagogji, një kalë për të marrë pushtetin, tashmë është kthyer në një të tillë, dhe së dyti, se, pas marrjes së pushtetit, edhe Berisha e të tijtë kanë vazhduar të bëjnë të njëjtën gjë si paraardhësit që kanë akuzuar: pasurimin nëpërmjet korrupsionit. Ndryshe, pse nuk i akuzojnë kundërshtarët e korruptuar?
Berisha me fjalën që i shpëtoi pranoi në një mënyrë direkte apo indirekte se ka një pakt me kundërshtarët e tij sipas të cilit shumë shumë mund të flitet për korrupsionin, por jo të veprohet, mund të gjindet edhe ndonjë peshk i vogël si kokë turku, por peshqit e mëdhenj do të lundrojnë të qetë në ujrat e pandëshkueshmërisë.
Çdo shqiptari iu bë edhe më e qartë se mbretëria e pandëshkueshmërisë që sundon sot në Shqipëri është si pasojë e bashkëfajësisë së klasë sonë politike. Por fakti që Berishës i shpëtoi kjo gafë politike ishte dëshpërues në kulm sepse tregoi edhe se sa pak frikë ka klasa jonë politike tashmë nga drejtësia. Sepse, sikur vërtet drejtësia jonë të ishte e fortë dhe e pavarur, Berisha do t’i kishte pasur shumë më të forta impulset e frikës ndaj saj e do të ishte përmbajtur. Kurse ai foli sikur të ishte njëherësh edhe partia edhe pushteti edhe drejtësia. Edhe sikur ta kishte në dorë opozitën.
Fjala e Berishës ishte dëshpëruese gjithashtu edhe sepse provoi në një mënyrë të hidhur se gjuha e shantazhit të ndërsjelltë, e ka kthyer politikën – sikurse e kam thënë edhe herë tjetër – në një teatër të neveritshëm. Politikanët tanë bërtasin aq shumë kundër njëri tjetrit, tentojnë të bindin publikun se cili është vjedhësi më i madh, premtojnë se do ta ndëshkojnë atë, por publiku gjithnjë e më shumë nuk i “dëgjon” më sepse tashmë është i “shurdhuar” nga ajo që ata bëjnë. “Ajo që ti je bërtet aq shumë saqë ajo që ti thua nuk dëgjohet fare”, thotë Jefersoni. Në këtë kontekst: vini re se sa shumë po flitet për boshnjakun Faslliç. Por edhe përmendja e tij kaq shumë dhe kaq fort a nuk është pjesë e këtij teatri. Sepse sado që të ketë fituar boshnjaku Faslliç ato që kanë fituar e fitojnë Faslliçët shqiptarë janë shumë herë më të mëdha. Por askush nuk flet për ta. Në fakt bërtitet kaq shumë për një të huaj sepse ai nuk është nën juridiksionin e drejtësisë shqiptare dhe nuk ka pushtet në Shqipëri gjithashtu, kurse për faslliçët shqiptarë që “sponsorizojnë” partitë, që ndajnë paret publike me pushtetarët tanë nuk flitet fare sepse ata kanë pushtet politik, financiar, mediatik. Berisha vetë na tha se di për këta, por nuk i thotë. Por pse nuk i thotë? Sepse ata dinë për të. Rrethi i mbyllur vazhdon të rrotullohet. Se si e nga kush do të këputet ende nuk dimë të themi gjë. Ndoshta nga trashja e zullumit. (Korrieri, 8 tetor 2008)

2 comments:

Anonymous said...

z.Lubonja tani qe po lexoj shkrimin tuaj koincidon pikerisht me nje bisede qe pata me disa italiane per problemet e mafias te korrupsionit qe kane pasur ne vitet 90.Ajo qe me ben pershtypje eshte se ne itali ne kete periudhe ndodhte pak a shume e njejta gje qe po ndodh te ne tani vetem se atje ndoshta mafia ishte me e organizuar me e fuqishme por nje fakt eshte per tu nenvizuar qe ne kete periudhe ne itali nuk flitej kurre hapur per egzistencen e mafias per korrupsionin pra ne nje fare menyre njesoj si po ndodh te ne tani.Por ndodhi nje ngjarje shume tragjike qe shkaketoi nje metamorfoze,vrasja e dy gjyqtarve FALCONE DHE BORSELLINO ,nder njerzit me te guximshem qe dolen hapur kunder mafias,kjo beri qe shoqeria ta pranonte egzistencen e mafias dhe ta luftonte jo ta shmangte.Nese kjo analogji qendron atehere pyetja ime eshte a ka shqiperia Falcone apo Borsellino qe te luftojne sistemine pandeshkueshmerise sic e quani ju apo kete mos pranim te realitetit qe te kalojme kete shkalle dhe te hidhemi ne nje stade te ri ne kete lufte qe besoj se kurre nuk ka per te perfunduar.eraldi

Anonymous said...

Nje mjedis i kalbur e ka te pamundur gjenerimin e filizave te shendoshe. Por edhe ne dalshin te tille syresh dendesia e helmit rrethues do t'ia beje te pamundur mbijetesen.Lufta ndaj mafias dhe korrupsionot( apo ne pergjithesi ndaj Zullumit fjale mjaft e goditur kjo e gjuhes arabe me nje kuptimesi te nderthukte)eshte nje nga sfidat me te medha ne historine e njerezimit.Kjo lufte ka nevoje per moral te larte dhe karakter te pathyeshem gje te cilen une nuk e verej aspak ne klasen tone politike. Problemi me i madh qendron se edhe brezat e rinj po rriten ne kete moçal amoraliteti dhe zullumi saqe prej aty ku jane thuajse e kane te pamundur te shohin gjendjen ne te cilen ndodhen pasi u duket vetja si krimbi mes bajges ndersa kundermimi i eres se kalbur nuk ua vret flegrat e mesuara me kete ere.Eshte per te ardhur keq se edhe te ashtuquajturit intelektuale qe realisht duhet te jene antenat e shoqerise apo sic thoshte i ndjeri
Edward Said koka e cila qendron siper kokave per ti bertitur fort pushtetit te verber te paskrupullt.fatkeqsisht intlektuhalet tane e kane katandisur veten ne vegla te klaneve te ndyra mafjoze qe dita-dites i pijne gjakun dhe e mpakin ekonomine tone te brishte.Nje nga historiografet dhe sociologet e njohur te Spanjes muslimane te shekullit 13 ibn Halduni prej te cilit mori spunta te fuqishme filozofi italian i shekulit te XVII G.Vico ne analizen qe i ben shtetit dhe pushtetit nxjerr ligjin e arte te funksionimit te shtetit. Ai thote se pushteti brenda shtetit i perket komunitetit moralisht me te forte dhe kur ky degradon pushtetin e mer nje tjeter komunitet e kur nuk ka te tille ai vend bie nen sundimine nje fuqie te huaj te interesuar.Pra kur komuniteti me i fuqishem ne vend jane horrat dhe hajdutet do te thote se praktikisht na ka marre lumi. Per gjendjen aktuale nje pergjegjesi te patolerueshme i mbetet edhe komuniteteve fetare te cilet gjate ketyre viteve kane qene te paafta te ndikojne moralisht ne ndergjegjen e individeve mbase jane tutur nga proverbi i famekeq i Zotit dhe çezarit?!