E kaluara nuk kapërcehet; ne nuk ndahemi dot prej saj. Ajo na shoqëron në të tashmen dhe në të ardhmen. Çështja shtrohet se si i qasemi asaj, çka do të thotë edhe se si bashkjetojmë me të, me sinqeritet apo me dyfytyrësi, me paqe të brendëshme apo me konflite të pazgjidhura.
Kisha vendosur të mos shkruaja më për çështjen e dosjeve, çfarëdo të bënte politika shqiptare lidhur me këtë çështje. Kjo për të mos u bërë pjesë e një teatri që tashmë është bërë banal, ashtu sikurse edhe shumëçka në këtë shoqërinë tonë ku rëndom bëhet e kundërta e atyre që thuhen, thuhet e kundërta e atyre që bëhen e ku, po ashtu, rëndom, nën maskën e qëllimeve të larta, fshihen motive të ulëta. Por edhe për arësye se isha i bindur se s’mund të shkruaja ndonjë gjë të re në raport me ato që kam shkruar. Mirëpo vizita dhe kontakti me autoritetin gjerman për hapjen e dosjeve, zonjën Berchel, që solli këtu përvojën e vendit të vet, më ndriçoi disa aspekte të çështjes duke më bërë edhe të korrigjoj disa dije të pasakta që kisha, por edhe ta shoh më qartë përvojën shqiptare, sepse, ashtu sikurse gjuhën tënde e njeh dhe kupton më mirë kur njëh edhe një gjuhë tjetër, ashtu edhe përvojën tënde e kupton e vlerëson më mirë kur e krahason me përvoja të të tjerëve.
Gjëja kryesore që korrigjova e që ka të bëjë me thelbin e asaj që më nxiti të shkruaj ishte fakti se e kisha ditur gabim sikur dosjet në Gjermani ishin hapur shtytur nga Gjermania Federale. Jo, kjo e fundit ka dashur që ato të mbyllen për një kohë 30 vjeçare, por ka qenë lëvizja qytetare opozitare gjermanolindore që, kur ka parë të dalë tym nga zyrat e Stazit, është vërsulur për të ndaluar djegjen e dokumentave dhe që ka ngulmuar më pas për hapjen e tyre. Mësova në këtë kontekst se edhe paraardhësi i Berchler, prifti Gauk sikurse edhe ajo, nuk janë gjermanë nga ish RFGJ, por janë ish gjermanolindorë.
Flitet se edhe në Tiranë është parë të dalë tym nga “shtëpia me gjethe” apo nga Ministria e Brendëshme, por asgjë e ngjashme s’ka ndodhur për të ndaluar djegjen. Përkundrazi, sa më shumë kalon koha aq më shumë shtohen të dhënat se në krye të lëvizjes kishte shumë njerëz që, në një mënyrë apo në një tjetër, ishin nën kontrollin e ish Sigurimit. Aq më të shumta janë provat se shumë nga dosjet janë zhdukur dhe janë vazhduar të zhduken në vitet në vazhdim. Për mirë apo për keq apo nëse mund të ndodhte ndryshe këtë nuk po e diskutoj në këtë shkrim. Thjesht po ve në dukje diferencën me gjermanët që më çon tek mendimi tashmë i shprehur nga shumëkush se në vitin 91 liria më shumë iu dhurua shqiptarëve nga vetë komunistët edhe sigurimsit që e panë se ai regjim nuk qëndronte dot më në këmbë sesa u fitua nga kundërshtarë të vendosur të tyre. E kjo ndoshta shpjegon edhe pse njerëzit në vend se të shpejtonin për të ndalur tymin e djegjes së dosjeve i kanë fryrë zjarrit që i rriste shtëllungat e tij asgjësuese.
Një dallim tjetër kryesor për tu vënë në dukje lidhur me përvojat e ndryshme midis Gjermanisë dhe vendit tonë ka të bëjë me atë se atje parrulla bazë e kërkesës së hapjes së dosjeve është bërë në emër të së drejtës së viktimave për të ditur shkakatarët e tragjedisë së tyre. “Dosja ime më përket mua” ishte parrulla bazë e atyre që, në mbështetje të lëvizjes qytetare, kërkuan hapjen e tyre. Kemi të bëjmë, pra, me një lëvizje që vjen më shumë nga poshtë lart sesa nga lart poshtë. Përsëri, nëse do të bëjmë krahasim, do të themi se ajo çka bije në sy është se tek ne pakush ka folur, të paktën deri më sot, për të drejtën e çdo të përndjekuri për të parë dosjen e tij. Debati është përqendruar mbi pastrimin në mos edhe poshtërimin e figurave kryesore politike dhe është përkthyer në luftën për pushtet midis forcave politike; se kush do të shtijë në dorë sekretet e dosjeve për t’i përdorur atë për pushtet politik. Është folur shumë pak për viktimat dhe të drejtat e tyre për të mësuar se nga u ka ardhur e keqja. Kur ka rënë fjala për këtë të drejtë është sjellë argumenti se, po të bëhej kjo, do të kishte hakmarrje apo edhe shumë tragjedi familjare sepse një pjesë do të mësonin se e keqja u ka ardhur nga të afërm të shtrenjtë. Ai i traumave familjare (më shumë sesa argumenti i hakmarrjes) është argument me peshë sepse, po t’i qëndrojmë logjikës së krahasimit, shoqëria shqiptare ndryshon mjaft kulturalisht me shoqërinë gjermane. Në shoqërinë gjermane personaliteti dhe identiteti i një individi nuk janë aq shumë të lidhur me klanin, apo nderin e familjes së cilës i përket siç ndodh në Shqipëri. Nuk mund të thuhet se ky argument nuk qëndron, duke patur parasysh kontekstin shqiptar. Do të ishte pa dyshim tarumatike për fëmijë të bërë sot prindër kur të mësonin se prindi i tyre, sot i moshuar, ka qenë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurmit me pseudonimin “x” apo “y”. E njëjta gjë mund të thuhet për miq të ngushtë. Do ta kishin vështirë të bënin pajtimin e asaj që njohin me atë që nuk njohin. Por, sipas meje, trauma që do të mund të shkaktonte ky moment do të ishte më shumë pastruese, kthjelluese e emancipuese sesa shkatërruese. Ne do të kuptonim më mirë se pse jemi kështu si jemi, se pse marrëdhëniet tona i kemi kështu si i kemi. Sepse kush mendon se ato të fshehta nuk ndikojnë gabohet. Ato janë aty dhe kondicionojnë të tashmen tonë.
Por ka edhe argumente të tjera që i japin të drejtë viktimave të shohin dosjet e tyre. Le ta ilustroj me rastin e Milan Kunderës për të cilin po shkruhet sot edhe në Shqipëri. Së fundi është zbuluar se Kundera kur ishte i ri na paska denoncuar një person që kishte hyrë në Çekosllovak, i cili, si pasojë e këtij denocimi, paska bërë vite të tëra burgu. Edhe në trajtimin e këtij rasti theksi vihet tek njeriu i rëndësishëm, shkrimtari Kundera dhe harrohen viktimat. Kundera mund të jetë i justifikuar me stalinizmin e tij të asaj kohe. Mund të jetë i justifikuar edhe me moshën e re e larjen e truve, ndoshta edhe me frikën e provokimit nga regjimi. Për të gjitha këto ai ka një mirëkuptim dhe fakti që më pas është bërë denoncues i regjimit tregon se njeriu nuk është e njëjta gjë që në krye deri në fund të jetës. Mirëpo nuk mund të thuhet se për hir të këtyre gjërave dosja e tij si informator nuk do të duhej të hapej. Sepse e keqja më e madhe nuk qëndron në kohën kur e ka kryer denoncmin, por në heshtjen e tij ndaj viktimave, që del se nuk janë vetëm personi që u arrestua dhe u dënua, por edhe ata që, për shkak të këtij denoncimi, u implikuan në këtë rast duke pësuar pasojat. Rasti Kundera tegon se i dëmtuari kryesor e ka ditur deri dje se shkaktar i dënimit të tij ka qenë mikja e tij e fëmijërisë dhe i dashuri i saj (më vonë burri i saj). Këta nuk e kanë ditur deri më sot se cili ka qenë shkaku që mund të jenë thërritur nga policia sekrete, siç veprohej në këso rastesh, dhe t’u jetë thënë se ata e dinin se kishte strehuar në shtëpi një armik dhe ta kenë pranuar, pa e ditur burimin, pasi informatorët në këto raste ruheshin. A nuk është e drejta e viktimës kryesore të dijë se cili është burimi i tragjedisë së tij? A nuk është kthim drejtësie për atë grua dhe atë burrë që kanë vuajtur tërë jetën barrën e një akuze që nuk u përket?
Sigurisht historitë e bashkëpunëtorëve dhe aktiviteti i tyre mund të jenë të ndryshme ashtu si edhe fatet e njerëzve në përgjithësi. Ka pasur syresh që janë tërhequr në bashkëpunim të shtrënguar nga kërcënime të rënda, ashtu sikurse ka patur nga ata që kanë bashkëpunuar me zell. Ka pasur nga ata që janë tërhequr në moshë fare të re ashtu sikurse nga ata që janë tërhequr në moshë të pjekur. Ka pasur nga ata që megjithëse janë tërhequr nuk kanë dhënë ashtu sikurse ka pasur nga ata që jo vetëm kanë dhënë, por edhe kanë shpifur. Nuk ka dyshim se rekrutimi i njerëzve si bashkëpunëtorë të Sigurimit është një nga veprat më të shëmtuara të diktaturës. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesore bije mbi partinë e shefat e Sigurimit sepse shumë njerëz janë rekrutuar ose nga injoranca ose për të mbijetuar. Imre Kërtez kur e kanë pyetur se pse ka zgjedhur një fëmijë si protagonist të librit të tij mbi Holokaustin thotë se e ka bërë këtë pasi në këtë mënyrë mund të përshkruante më mirë thelbin e diktaturës; pasi diktatura i kthen njerëzit në fëmijë që kërkojnë të mbijetojnë dhe se “të mbijetosh do të thotë të bashkëpunosh”. Në fakt të gjithë që e kanë jetuar atë kohë e dinë se të jetoje në atë regjim në një mënyrë apo në një tjetër do të thoshte të bashkëpunoje me të sepse ishte ai që të përcaktonte thuajse gjithshka në jetë që nga vendi i lindjes e deri në vendin e varrimit. Të gjithë e dinë se ai regjim nuk synonte ngritjen e personalitetit të njeriut, por nënshtrimin e tij ndaj partisë dhe diktatorit dhe dënimin e poshtërimin e tij kur këtë nënshtrim nuk e manifestonte në shkallën që i pëlqente atij. Të gjithë e dinë se ai i kallte njeriut tmerrin duke e bërë atë të brishtë ndaj gjithpushtetshmërisë së tij. Megjithatë bashkëpunimi në formën e bashkëpunëtorit të Sigurimit, që bënte një jetë të dyfishtë, me emrin e tij dhe me një pseudonim, ka arësye të veçohet si një formë e veçantë e së keqes dhe e dëmit që i është bërë shoqërisë shqiptare. Ka nga ata që argumentojnë se ata kanë punuar ashtu sikurse agjentët e shërbimeve sekrete në vende demokratike. Por nuk është kështu sepse nëse një agjent në një vend demokratik ka punuar kundër të keqes ata kanë punuar për të keqen. Po kush e përcakton të keqen - do të thotë dikush. Historia, koha e provoi të keqen dhe prandaj dhe dosjet duhet të bëjnë pjesë në historisë së kësaj të keqeje. Nga ana tjetër a nuk është padrejtësi që ata që nuk pranuan të bëjnë këtë jetë të dyfishtë në emër të së keqes, duke pësuar për këtë edhe burgime edhe ndëshkime të mëtejshme të vihen në një plan me ata që i shërbyen të keqes. A nuk vlejnë ata pak më shumë si shembull rezistence ndaj të keqes edhe për rininë? Nëse sot ne vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku marrëdhëniet e njeriut me njeriun janë hipokrite e të shtira, ku mungon çdo idealizëm e aftësi për tu bashkuar në emër të një ideali, ku njerëzit i sheh të tregojnë me mburrje pasuritë pa u merakosur se të gjithë e dinë se i kanë vënë me përfitime të pandershme, (pasi askush nuk ua thotë), ku përsëri politika më shumë sesa ngritjen dhe lartësimin e personalitetit të njeriut kërkon nënshtrimin dhe poshtërimin dhe manipulimin e tij, shumëçka i ka rrënjët në atë të kaluar kulturore dhe shpirtërore që kemi trashëguar. Zbulimi dhe dënimi i saj është një mënyrë që ajo të mos përsëritet.
Zonja Berchler ndjehej në vështirësi kur duhet tu shpjegonte gazetarëve shqiptarë se në Gjermani nuk u ndalohet me ligj bashkëpunëtorëve të Stazit për t’u bërë deputetë, për të qenë në administratë, për të punuar në Televizionin publik, për të qenë mësues të fëmijëve, por se kishte një “common sens” nga shoqëria që ata nuk mund t’i bënin këto punë ashtu sikurse për t’u shpjeguar faktin se ata ishin shumë të kujdesshëm për të bërë një gjykim rast pas rasti, apo se thelbi i çështjes nuk ishte lustrimi dmth pastrimi i institucioneve nga individë të caktuar, por ndërgjegjësimi i shoqërisë, nxjerrja në vetëdijen e saj të pjesës së errët që e mundon.
Duke parë vështirësinë e saj nuk mund të mos arrije në përfundimin se pamundësia dhe pafuqia jonë për t’u marrë me dosjet në atë mënyrës siç janë marrë gjermanët (pa e idealizuar gjithsesi përvojën e tyre dhe pa kërkuar që ajo të kopjohet) është një çështje kulturore. Sipas meje bërja tansparente e kësaj përvoje të errët, megjithë kontradiktat që përmban, do të ishte një hap drejt një kulture tjetër. Po e përsëris me atë që e fillova: E kaluara nuk kapërcehet; ne nuk ndahemi dot prej saj. Ajo na shoqëron në të tashmen dhe në të ardhmen tonë. Çështja shtrohet se si i qasemi asaj.
Sunday, October 26, 2008
E drejta e viktimave për të parë dosjet
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Une jetoj larg Tiranes qytetit tim, dhe jam rritur me idene qe sa me pak te dij se cfare ndodh atje aq me mire per mua sepse prinderit e mi ma kane bere te qarte fakti qe jane shqiptare vetem sa i ka penguar dhe demtuar ne jete.
Dhe nga kjo ndarje kaq artificiale, nuk kam qene ne dijeni te debateve mbi dosjet. Mu ka dukur dhe mua gjitmone common sense, dhe ndoshta nga integrimi im me kulturen angleze, me esthe dukur gjithmone nje ide speciale ajo qe thote "cdo dokument qe permban informacion mbi mua, eshte prona ime" The Freedom of Information Act ja jep cdo qytetari ne angli te drejten per te pare dosjet e veta te cfardo natyre qofshin keto.
Per sa i perket rolit te se kaluares ne jeten e perditshme te shqiptareve: Ka qene e pamundur te shprehem qarte dhe pa emocione mbi kete ceshtje. Gjithmone perfundoj ne nje qoshe qe me ben te dukem ne syte e miqve te mi si nje njeri qe i intereson e kaluara vetem sepse jemi ish te persekutuar, ish pronare, ish ish ish ... por ne fakt nuk eshte e vetmja arsye. Prinderit e mi a ken perqafuar realitetin e tyre, te kaluaren dhe fatin qe i ra. Nuk jane te hidhur ndaj kesaj, dhe nuk e kutpojne pse une duhet te jem, ne fund te fundit mua sme ndodhi asnje gje, asnje dem. Jane ata qe i kan demet per brenda por ku ka njeri atje te pa demtuar, thjesht qe ca nuk jane koshjent per kete. Shumica e miqve te mi qe jane nga 25 vjec nuk i njohin as prinderit e vet.
Per mua ka rendesi per arsyet qe dhate ju ne kete shkrim. Shqiptaret jane si te verbuar kur vjen puna tek e kaluara, nuk e dine se cfare dhe si ndodhi, dhe prandaj nuk ndihen pergjegjes per asgje qe i ndodh. Jetojne jashte jetes tyre, te gjithe mendojne se nuk jane krijues te fatit, thjesht viktima, qe u pelqen prania e sa me shume viktimave te tjera.
Ndaj dhe shprehja ime e preferuar eshte "never underestimate the power of denial".
Faleminderit qe ekzgistoni dhe qe keni durimin te shkruani.
Post a Comment