Saturday, October 18, 2008

Lidhja midis të ëmblës dhe të hidhurës

Ndër lajmet kryesore që mbushën rubrikat televizive dhe gazetat tona këto ditë nuk mund të mos të binin në sy dy syresh. Njëri ishte ai mbi vizitën e skuadrës së Milanit në Shqipëri, me pritjen madhështore, me fitoren e Tiranës dhe me pjesëmarrjen në stadium të kryeministrit Berisha që deklaroi se kjo ngjarje ishte fillmi i fushatës së tij elektorale. Tjetri ishte një lajm ku mediat elektronike dhe shtypi denonconin, ku më direkt dhe ku më indirekt, vjedhjen që u është bërë shqiptarëve nëpërmjet mosuljes së çmimit të karburantit në të njëtën përqindje me atë që është bërë në tregjet e tjera evropiane, ndërkohë që çmimi i blerjes është ulur në mënyrë të ndjeshme.
Ajo që më bëri përshtypje është se si mediat tona nuk bënë asnjë lidhje midis këtyre dy lajmeve. I pari u trumpetua me gëzim, si lajm i madh, i ëmbël, sëbashku me fitoren e Tiranës, me pritjet e përcjelljet zhurmëmëdha, me fanellën e Milanit me numrin 1 me emrin Berisha; i dyti tingëllonte hidhët, ndonëse nuk shoqërohej me shifra që do të na jepnin përmasën e asaj se sa na është vjedhur në këtë mënyrë dhe se cilët janë autorët.
Po a ka ndonjë lidhje midis ëmbëlsirës dhe hidhësirës? Sigurisht që ka. Lidhja qëndron tek personi që ka ftuar Milanin dhe sponsorizuar ardhjen e tij, i cili është një nga bosët e naftës, pronari i “Taçi Oil”, që ndodhej kudo: në pritjet e kryeministrit Berisha, në tribunën e ndeshjes e që, gjithashtu, u përmend nga Galiani si mikpritësi kryesor.
Nga sa i kam parë tabelat e karburanteve nuk kam vënë re që “Taçi Oil” të ketë një çmim të ndryshëm nga karburantet që denoncoi media. Pra nuk do shumë mend për të deduktuar se pjesë e kësaj vjedhjeje indirekte është edhe Taçi. Dhe nuk do shumë mend për të deduktuar se vizita e Milanit është sponsorizuar edhe me këto pare tonat. E po ashtu nuk do shumë mend për të deduktuar se vizita të tilla, ku ftohet edhe Kryeminstri, shërbejnë si gjethe fiku për të mbuluar këto përfitime të pamoralëshme (nëse nuk janë edhe të paligjëshme, sepse askush nuk e merr dot më vesh se si janë bërë ligjet tona në raport me moralin). Me fjalë më troç kjo ndeshje me Milanin shërbeu edhe për të rrejtur këtë milet me një shfaqje publike dëfryese. “Panem et circenses” (Bukë dhe cirk) shkruante me përçmim të hidhur Juvenali tek “Satirat” për të treguar se çfarë i mjaftonte romakëve të dekadencës. (Ndonëse çmimi i biletës në Qemal Stafa tregon se “cirku” ynë nuk ishte gratis si ai i romakëve.)
Por problemi bëhet më i rëndë kur sheh se politika nuk e bën fare këtë lidhje midis ëmbëlsirës dhe hidhësirës. Nuk do shumë mend për të deduktuar se sikur ne të kishim një qeveri që e kryen mirë punë e saj do të duhej të kishte ushtruar kontrollin e nevojshëm për të mos na u vjedhur lekët në çmimet e karburantit. Kurse Kryeministri ynë doli në tribunë krahpërkrah Taçit, pa u merakosur fare të bëjë këtë lidhje, duke harruar detyrat e tij, duke harruar madje edhe akuzat e tij të para dy tre vjetëve ndaj pronarit të “Taçi Oil”. Madje shkoi edhe më larg: tha se kjo ngjarje shënon fillimin e fushatës së tij elektorale. Pra “Taçi Oil” në një mënyrë apo tjetër del sposorizues i fushatës elektorale të Berishës me këtë eveniment. Po a nuk na kujton kjo kohën kur PD-ja i bënte fushatat me paret e Vefas e Gjalicës? Kaq budallenj na dijnë ne këta xhanëm? Ndoshta edhe jemi, por duhet ta dinë se kjo nuk është çështje budallallëku. Ajo çka na bën të dukemi edhe më të pafuqishëm në budallallëkun tonë, kur e hamë hidhësirën me duartrokitje, kur i themi edhe derrit dajë, (si në kohën e Hoxhës) është fakti se edhe opozita jonë, që po bërtet kaq shumë për Fazlliçin, nuk flet fare për Taçin dhe fazlliçët shqiptarë. “Jeni të kapur” – u tha Berisha edhe dje në Parlament. Kurse ata qeshnin ha, ha, ha. Të kapur janë, këtë e di dhe bufi, por janë të kapur dorëpërdore edhe me Berishën edhe me “Taçi Oilin” e me djallin vetë. (Korrieri, 17 tetor 2008)

2 comments:

Anonymous said...

Vertet hetuar me thelle ne Shqipo!

Toni said...

Z. Lubonja, se pari urime per guximin tuaj qytetare per te denoncuar padrejtesite ne kete vend. Nuk e di nese eshte e mundur te botoni ketu artikullin tuaj te djeshem mbi TEC-et dhe Berluskonimin sepse nuk munda ta lexoj dot ne gazet.
Faleminderit
Toni