(Mbi debatin për Skënderbeun)
"Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë." Ky titull gazetash që i atribuohej shkrimtarit Ismail Kadare, lexuar në pasqyrën e shtypit të mëngjesit, më tërhoqi vëmendjen sepse më prekte edhe në punën time. Kam mëse dhjetë vjet që botoj një revistë (Përpjekja) synimi i së cilës është futja e frymës kritike në kulturën shqiptare, e, në këtë kontekst, edhe çmitizmi (dekonstruktimi) i shumë miteve të nacional-komunizmit në emër të diturisë dhe lirisë. "Fac sapiens liber eris" (bëhu i ditur që të jesh i lirë) është edhe motoja e revistës. Kurse Kadareja na thotë, se të çmitizosh do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë. Dhe kjo nuk përbën një diferencë të vogël, por është bash e kundërta.
Kur hapa gazetën pashë se teksti ishte edhe më agresiv: "Çmitizimi i figurës së Gjergj Kastriotit është një nga turpet e kombit shqiptar. Ka disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pafytyrë. Te jesh kundër kësaj figure do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë." Me një të rënë goje, çmitizimi bëhet "të jesh kundër" mitit dhe të jesh kundër tij bëhet "të jesh për robërinë". Ca më poshtë del, se kjo do të thotë edhe të bësh një turp që nuk e paska bërë kush në Evropë. Edhe ky pohim është bash e kundërta e asaj që di për Evropën.
Duke shfletuar shtypin pashë se debati qënka ndezur pas botimit të monografisë së Skënderbeut të Oliver Schmitt, përkthyer nga Ardian Klosi. Në fakt, për mua dhe revistën Përpjekja ky është një debat i vjetër dhe i marrë e rimarrë në argumenta gjithashtu. Mjaft të lexosh Përpjekja 15 -16 (Mbi rolin e miteve në historinë e Shqipërisë, Tiranë, Dhjetor 1999) që përmbledh materialet e një konference me të njëjtin titull që u mbajt në Londër, me studiuesit më në zë ndërkombëtarë të historisë së shqiptarëve (ndër të cilët Natalie Calyer, Berndt Fischer, Noel Malcolm), që është botuar edhe në Angli nën titullin "Albanian Identities". Po ashtu, polemizime ndaj veprës së Kadaresë, si një prej farkuesve kryesorë të miteve të nacional-komunizmit, gjenden që në numrin e dytë të Përpjekjes. Megjithatë, është për t'u trishtuar kur sheh se me kalimin e viteve, në vend se të shfaqen historianë, studiues e pedagogë të rinj me frymën e studiuesve të sipërpërmendur shoqëria jonë, duke filluar nga shkollat apo akademitë, ka prirjen të ngurtësohet në klishetë nacional- komuniste, çka reflektohet pastaj në formën më banale në mediat. Duke parë këtë realitet, një studiues i huaj më tha një ditë me të qeshur, se intelektualisht ju duket se nuk jetoni në shekulin XXI, por në mesin e shekullit XIX. Edhe Oliver Schmitt, një nga mendjet e ndritura të shkencës austriake, të cilin kam pasur rastin ta takoj personalisht para disa muajsh, me rastin e një konference shkencore në Vienë, me të qeshur do t'i marrë sulmet që i bëhen. Por, ajo e qeshur ne duhet të na ndihmojë të kuptojmë se ka ardhur koha të rritemi, se në botën e dijes e të qytetërimit nuk mund të hyjmë si fëmijë mbi kalin e Skënderbeut, por si të rritur me punë e studim serioz. Nuk mund të vazhdojmë të jemi ilustrim i thënies së Shtadmylerit, të afro një shekulli më parë, se ballkanasit nuk janë pjekur ende të shkruajnë historinë e tyre.
Miti i Skënderbeut dhe e sotmja
Le ta marrim pak më shtruar. Nëse do të kërkonim të ishim mirëkuptues me nacional-komunistët tanë të shndërruar në nacional-romantikë të vonuar, do të thoshim se thelbi i idesë së tyre konsiston në atë se Skënderbeu është simbol i luftës së shqiptarëve për liri (dhe për bashkim me Evropën thotë Kadareja) dhe, si i tillë, nuk ka pse preket. Ka nga ata që thonë se edhe nëse është përrallë "le ta mbajmë si përrallë" apo se "na duhen heronjtë". (Pëllumb Kulla, Franko Egro, Shekulli, 18 nentor 2008). Me fjalë të tjera, sipas tyre, po të fillosh të shkruash apo të botosh një histori shkencore të Skënderbeut, sipas së cilës del se Skënderbeu mund edhe të mos ketë qenë shqiptar, se ai nuk na paska ndërtuar ndonjë shtet të pavarur shqiptar, se ai nuk është bashkuar për të luftuar vetëm me shqiptarë për interesa shqiptarie, por se është bashkuar edhe me sllavë etj. për interesa fetare dhe pronësie, se ka qenë vasal i mbretit të Napolit dhe, si i tillë, ka bërë edhe ndoca masakra në Puglia, se ka marrë Krujën jo me ndonjë luftë nacional-çlirimtare, por me një ferman të rremë; kjo do të thotë që njerëzit të humbasin dashurinë për të. Dhe kjo humbje dashurie për Skënderbeun do t'u shkaktoka thyerjen e shtyllës kurrizore apo helmimin e palcës së saj dhe rënien përtokë. Pra, edhe humbjen e heroizmit e të ndjenjës së lirisë e me rradhë. Po a është kështu? Aspak. E ka provuar koha e Enver Hoxhës këtë dhe po e provon edhe kjo e sotmja. Ju siguroj unë, sikur të gjithë shqiptarët të marrin vesh e të binden se Skënderbeu paska qenë thjesht një maskara, asgjë nuk do të ndodhë. Ne do të mbetemi po kaq përtokë sa ç'jemi, sepse robëria më e madhe është ajo e paditurisë. Sepse sot problemi nuk është ai i shekullit XIX kur u ngjiz miti i Skënderbeut: të bëhej Shqipëria si shtet dhe shqiptarët të kishin një ndjenjë kombëtare. Sot problemi është të bëhen shqiptarët e shekullit XXI, shqiptarët me një ndjenjë qytetare të kohës që jetojmë sepse Shqipëria, për mirë a për keq të shqiptarëve, është bërë dhe shqiptarët, për mirë a për keq, një ndjenjë kombëtare e kanë. Dhe për këtë nuk na ndihmon dot miti i Skënderbeut, por duhen të tjera instrumente intelektuale e shpirtërore. Poende, sot (ashtu si edhe në kohën e diktaturës) jetojmë në një kohë kur shqiptarët nuk kërkojnë të çlirohen nga ndonjë armik i jashtëm, por nga armiku i brendshëm që janë shqiptarët vetë - në thelb padituria e tyre, - armik ky i njëjtë me Enver Hoxhën i cili, megjithëse e mbushi Shqipërinë anekënd me buste dhe statuja të Skënderbeut, i masakroi shqiptarët në atë farë feje sa ikën nga sytë këmbët nga Shqipëria e tij dhe vazhdojnë të ikin edhe sot e kësaj dite, megjithëse Skënderbeun nuk e ka lëvizur njeri nga kali. (Dikush do të më përmendë shqiptarët e Kosovës, por në thelb mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ta dhe çështjen e tyre: se armiku i tyre më i madh është padituria. Dhe është kulmi i paditurisë, në mos marrëzi, të mendosh se evropianët si Schmitt shkruajnë ashtu për Skënderbeun sepse kanë hall që të diskreditojnë çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht, një mendim i tillë i diskrediton më shumë se çdo gjë ata sepse i tregon të papjekur kulturalisht për t'u bërë pjesë e komunitetit evropian). Në fakt Skënderbeu nuk luan dot nga kali për të na ngritur në këmbët e dijes, përkundrazi ai ka kohë që përdoret nga nacional-komunistët e ricikluar për të mbajtur në këmbë ata që na mbajnë ne përtokë. Dhe vetë ai i gjori ka nevojë të çlirohet nga kali ku e kanë mbërthyer për ta keqpërdorur dhe të dalë në dritë me gjithë vërtetësinë e tij.
Të bëhen shqiptarët e shekulli XXI
Dhe tek problemi "të bëhen shqiptarët e shekullit XXI" hyn edhe debati i fundit mbi nevojën apo jo të dekonstruktimit të miteve nacional - komuniste.
Sipas meje, mjafton të lexosh shumicën e debatuesve për të parë se sa i nevojshëm është dekonstruktimi i miteve. Le të radhis disa argumente.
Së pari, duhet thënë se të dekonstruktosh një mit nuk do të thotë thjesht të jesh kundër tij, apo ta hedhësh poshtë atë (ndonëse edhe kjo mund të jetë), por të kuptosh se si e pse është ndërtuar ai. Në këtë kontekst, edhe dekonstruktimi i mitit të Skënderbeut nuk ka lidhje me njohjen e historisë së shekulit XV, por me njohjen e historisë së shekulit XIX pra me tërë atë proces identitet ndërtues në shekullin XIX që e nxorri Skënderbeun nga historia nëpërmjet një procesi selektiviteti dhe e ktheu në mit e simbol. E, në këtë kuptim, vetë fakti që shqiptarët, ndonëse me vonesë, kanë filluar të ndajnë mitin nga historia përbën një hap përpara drejt njohjes. Vetë fakti që historia e Skënderbeut pranohet se mund të jetë e ndryshme nga ajo çka u është mësuar në kohën e Enver Hoxhës është një hap edhe drejt dekonstruktimit, çka do të thotë një hap drejt njohjes së historisë shkencore të kohës së Skënderbeut dhe, po ashtu, të historisë së ngjizjes së mitit të tij në kohën e Rilindjes. Një hap drejt vetëdijësimit se tjetër është historia e tjetër është miti i nacionalizmit shqiptar; se për tjetër gjë na duhet historia (për të njohur më mirë vetveten) e për tjetër gjë na ka shërbyer apo na shërben miti historik e prandaj njerëzit e ditur e të pjekur këto i ndajnë.
Së dyti, dihet se mitet shërbejnë si fillesa përbashkuese frymëzuese, se ato i japin kuptim jetës së një komuniteti, i japin edhe identitet. Por, nga ana tjetër, edhe ky përbashkim në një identitet kolektiv ka rreziqet e veta që i ka provuar dhe vazhdon t'i provojë historia. Rreziku më i madh është se, duke u bërë pjesë e një komuniteti që ndan disa simbole identitare, njeriu rrezikon të humbasë lirinë e vet si individ. Shpesh njerëzit e kanë më të lehtë të strehohen tek identitete kolektive se sa të zhvillojnë individualitetin e tyre. Por kjo i bën shumë të vegjël si individë përpara kolektivitetit dhe heronjve që i simbolizojnë ata; krijon një ndarje të tillë saqë individi nuk bëhet dot më shpëtimtar i vetvetes, por e pret shpëtimin nga heronjtë imagjinarë që në jetën reale shpesh nuk i gjen kërkund, ose i gjen në trajta aventurierësh paranojakë e delirantë. Ky është një nga rreziqet, por jo i vetmi.
Sikurse thotë një antropolog i njohur italian "identiteti, i cilit çdo lloji qoftë (etnik, nacional, personal etj.) është një varfërim, një heqje e diçkaje, një reduktim i mundësive si për pupujt edhe për individët" (Francesco Remotti "Contro l'identita" 1996). Veçarisht është e vërtetë kjo kur identiteti shihet sipas një qasjeje esencialiste, si gjetje dhe ruajtje e një bërthame të pandryshueshme. Mjaf të kesh parasysh se si ne kërkojmë të heqim e harrojmë historinë e gjatë të bashkjetesës me sllavë, turq, grekë vllehë, maqedonas në emër të identitetit tonë për të kuptuar këtë varfërim.
Jo vetëm kaq, por çështja shtrohet edhe se çfarë mund të ndodhë me ata individë apo grupe që nuk i ndajnë simbolet apo ritet e një komuniteti. Mund të ndodhë deri ajo që u ndodhi çifutëve që, duke u konsideruar si mish i huaj, dikush pati idenë makabre t'i asgjësojë edhe fizikisht. Dhe ideologjia që shkoi deri këtu ishte e ndërtuar bash mbi mite nacionaliste. Dikush mund të thotë se kam shkuar larg në krahasim, por lexoni se ç'shkruan një nga skënderbejanët e shekullit XXI në debatin e fundit: "kombi, atdheu imponohet me të gjithë madhështinë e së shenjtës. Dekretet e tij janë imperative. Bindja ndaj tyre është pa kushte. Ai imponon tabutë e tij, ritet, ceremonitë, heronjtë dhe simbolet e tij – shkelja apo rrëzimi i tyre (qoftë dhe në tentativë) është thjesht tradhti ndaj kombit". (Mira Meksi, Shekulli, 18 nëntor 2008). Këto fjalë, për besë, nuk do të guxonte t'i thoshte kaq hapur edhe Hitleri kur proklamonte madhështinë e kombit gjerman dhe përgatiste zhdukjen e çifutëve, social-demokratëve, priftërinjve në emër të simboleve e riteve të tij. Personalisht m'u ngjethën mishtë duke i lexuar sepse m'u kujtuan tërë ata bashkëvuajtës që për një tentativë arratisjeje dënoheshin nga dhjetë deri në 25 vjet burg, deri edhe me vdekje për "tradhëti" ndaj atdheut.
Prandaj nuk duhet harruar asnjëherë se mitet e atdheut, ata që pretendojnë se janë mbrojtësit e tyre/tij, i kanë përdorur jo rrallë si instrumente pushteti për të shtypur lirinë e individëve dhe grupimeve që mendojnë ndryshe. Sikurse thotë Durrenmatti: "shteti e quan gjithmonë veten atdhe kur përgatit një vrasje".
Së treti, aftësimi i njeriut për të dalluar mitin nga e vërteta shkencore ka të bëjë pikërisht me diturimin e tij, me fjalë të tjera me rritjen e pjekurinë e tij, prandaj edhe të lirisë së tij. Çështja që ngrihet është: a duhet apo nuk duhet që shqiptarët ta lexojmë një libër si ai i historianit Oliver Schmitt? A duhet që tekste të tilla të hyjnë në programet tona shkollore? Apo duhet të bëjmë sikur libra të tilla nuk ekzistojnë?
Disa mbrojtës më të sofistikuar të mosdekonstruktimit të mitit kanë hedhur idenë që të vërtetën shkencore le tua lemë akademikëve, pa e ngatërruar punën e tyre me punën e shkollave: "E vetmja mënyrë që akademia t’i shkoqitë me urtësi mitet kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste, është që të lihet ta bëjë këtë në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të edukimit etik dhe qytetar të shtetasve." "Historia e Shqipërisë, ashtu siç është përpunuar në formë mitologjike, është pjesë e misionit të shkollës për t’u dhënë fëmijëve një identitet qytetar modern. (Ardian Vehbiu Shekulli, 18 nëntor 2008) Po a është vërtet kështu? A formojmë vërtet një identitet qytetar modern duke i ushqyer fëmijët me mite nacionaliste ashtu siç janë farkuar ata një shekull e gjysëm më parë dhe përforcuar me frymë totalitare nga diktatura komuniste? Mjafton të shohësh klishetë nacional-komuniste me të cilat trajtojnë këto argumente gazetat shqiptare, apo reagimet në internet të shumicës së atyre që kanë qenë fëmijë në kohën diktaturës, për të kuptuar se nuk është kështu. Mjafton të shohësh se deklaratat absurde, e njëherësh paternaliste e delirante të Kadaresë, që janë një turp për një intelektual të kohës sonë, shihen prej tyre si fjalë të shenjta, për të kuptuar se nuk është kështu. Nëse fëmijëve tanë do t'u tregojmë gënjeshtra, edhe ata do të vazhdojnë të tregojnë gënjeshtra e ne do të vazhdojmë të kultivojmë kulturën e rrenës dhe manipulimit. Jo vetëm, po cila qenka mosha në të cilën fëmijëve u duhet thënë e vërteta duke patur parasysh se fëmijëria vazhdon deri në moshën 18 vjeç? Si u duhet thënë kjo e vërtetë, mos duke përdorur edhe ca gënjeshtra më të ngrënëshme që të mos traumatizohen? Poende, ky argument të bën të lindë edhe pyetja: pse na duhen akademikët dhe shkenca në përgjithësi? Pse vetëm akademikët u dashka ta kenë gurin e dijes (ndonëse kur ke parasysh këtë klimë bëhet edhe më e kuptueshme se pse nuk dalin dot studiues të rinj seriozë në këtë vend). Pse populli sëbashku me fëmijët paska nevojë të mbetet në padije? Për t'u sunduar më mirë nga elitat dhe akademikët e tyre, apo pse ai nuk e di se çfarë të bëj me diturinë e tij dhe me lirinë e tij? Edhe në kohën e Hoxhës vetëm udhëheqja kishte mundësi të shihte filmat e ndaluar për popullin, të lexonte librat e ndaluar për popullin apo të mësonte lajmet e ndaluara për popullin. Poende, në cilin nivel arsimimi mbarokan akademikët dhe filloka populli, sepse kjo përmban edhe një rrezik tjetër të madh: të të bëjnë "popull". Ta bëjnë "popull" edhe Vehbiun vetë.
Së katërti, mitet duhen dekonstruktuar edhe në emër të frymës së kohës kur jetojmë. Miti i Skënderbeu është një konstrukt historik i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftrash dhe urrejtjesh nacionale. Pra, kur ai trajtohet si mit, çështja nuk duhet shtruar se si "ka qenë" Skënderbeu por "si dhe në ç'kontekst është konstruktuar" miti i Skënderbeut. Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, ai është një mit i rimarrë i rikonstruktuar mëse një herë. Ai është konstruktuar së pari si mit në emër të krishtërimit, kur u mbiquajt "kalorës i krishtërimit", kurse dy tre shekuj më vonë u rimorr në emër të nacionalizmit. Madje, kur bëhet fjalë për nacionalizmin, ai është konstruktuar e rikonstruktuar në një proces të gjatë që meriton një studim më vete. Dihet se ka pasur pretendime për "ta marrë" Sënderbeun nga nacionalizmat e vendeve fqinje ku nuk mungon edhe ndonjë projekt që ai të jetë një simbol shqiptaro/sllav. Për këtë "çudi" na flet një historiane tjetër e njohur Nathalie Clayer. Ajo vëren se ndjenja e shqiptarisë ngjyroset me antisllavizëm (pasi ishte ngjyrosur me antiturqizëm dhe antigreqizëm) në fillim të shekullit të XX nga veprimtarët patriotë katolikë të krahinës së Shkodrës. Ndërkaq, sipas saj, në periudhat e mëparshme, ishin bërë përpjekje të ndryshme, sidomos nga ana e mirditorëve, për të bashkëpunuar me fqinjët malazezë ose serbë, kundër “turqve”. Po ashtu, disa qarqe italiane vazhdonin të mendonin për një afrim midis Malit të Zi ortodoks dhe veriut shqiptar katolik, nën ombrellën e tyre. Kurse Austro-Hungaria, që kërkonte të pengonte përparimin serb dhe malazez në drejtim të Adriatikut, kishte si interes të përforconte dallimet “shqiptar” kundrejt “sllav” dhe “katolik” kundrejt “ortodoks”. Në këtë kontekst një nga promotorët e planit austro-hungarez të veprimit në Shqipëri, Ludwig von Thalloczy, pohonte se duhej vepruar kundër projektit italian dhe sillte shembullin e letërsisë popullore serbe e cila “po përparonte” në malësitë e veriut, në rajonet e Shpuzës dhe të Podgoricës dhe po përhapte një lloj besimi shqiptaro-sllav përmes figurës së Skënderbeut që paraqitej si luftëtar sllav, duke përmendur veprën e priftit françeskan kroat Andrija Kačić- Miošić (Razgovor ugodni naroda slovinskoga, Venise, 1756) e cila i këndonte bëmave të Skënderbeut dhe që ishte bërë shumë popullore (Natalie Clayer, "Aus origines du nationalisme albanais", Paris 2007).
Që ky projekt shqiptaro-sllav të mos realizohet, siç e shpjegon më tej Clayer, ndikuan shumë gjëra, përveç të tjerash edhe nacionalizmat e sllavëve. Por, me çka thashë më sipër, desha të ilustroj se kemi të bëjmë me projekte konstruksionesh identitare të shekullit XIX - XX dhe se, sikur disa rrethana që lidhen me lojën e forcave në shekullin e XIX - XX të kishin qenë ndryshe, do të kishte qenë ndryshe edhe konstrukti i mitit Skënderbe.
Problemi është, se ne kemi patur fatin e keq që dorën e fundit dhe më të gjatë ky konstrukt nacionalist e ka marrë në simbiozë me ideologjinë komuniste të Enver Hoxhës, që e përdori për interesat e veta të pushtetit, veçanërisht pas prishjes me BS, kur Skënderbeu zëvendësoi Stalinin në sheshin qendror të Tiranës. Në sajë të këtij manipulimi me frymë tejet totalitare, që edhe shkencën e vinte në funksion të ideologjisë, sikurse e thotë edhe Oliver Schmitt, Skënderbeu do të merrte përmasat e veta "më irreale", si projeksion në Mesjetë i vetizolimit të Shqipërisë/kështjellë që u bën ballë sulmeve të imperializmit dhe revizionizmit. E kjo pjesë sigurisht i djeg më shumë edhe Kadaresë, si farkues i kësaj mitologjie nacional - komuniste, me librat e tij të shumta për mesjetën shqiptare të trajtuara me këtë simbolikë. Edhe figurativisht, imazhi i Skënderbeut i ndërtuar nëpërmjet skulpturës dhe bustit të Paskalit, e shumë veprave të tjera të asaj kohe, është ai i një luftëtari të egër mbi kalë, shumë i ndryshëm nga imazhi që ka qarkulluar në vendet evropiane: ai i një plaku të urtë e të ditur, njeri i armëve sigurisht, por edhe i qytetëruar dhe i formuar.
Në këtë kontekst, le të them edhe dy fjalë për mitin si përrallë që u tregohet fëmijëve. Sigurisht, fëmijëve të vegjël ne do t'u flasim për Skënderbeun dhe për kalin e tij. Në mos për gjë, sepse ata e shohin kudo në sheshet e qyteteve. Por, sipas meje, assesi nuk duhet t'u flasim ashtu sikurse u është folur gjatë izolimit/dimrit të madh. Kjo nuk ndikon aspak për formimin e tyre me një identitet qytetar modern. Sot edhe përrallat/përralla me njerëz apo me kafshë që u tregohen fëmijëve janë ndryshuar me synimin që të transmetojnë një tjetër kulturë. Ato janë ndryshuar psh. për të edukuar fëmijët me një tjetër frymë përsa i përket raportit të burrit me gruan. Ato janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj kafshëve. Ato janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj luftës dhe paqes. Edhe mitet ndryshohen, apo harrohen, apo ndërtohen të tjera në funksion të kohës që jetojmë dhe aspiratave të tjera që kemi. Pra, nëse Kadareja shkruante në vitet e komunizmit se shpata e shqiptarëve të Skënderbeut ishte e drejtë, pasi shqiptarët ishin të mirë, kurse shpata e turqve (jatagani) ishte e shtrembër sepse ata ishin të këqij (Shih poemën për fëmijë "Në muzeun e armëve", Tiranë, 1989) nuk është me vend që sot, në kohën e aspiratës për të hyrë në Evropë sëbashku me turqit, të krijohet tek fëmijët i njëjti imazh për ta si ai i kohëve të luftrave nacionaliste apo të izolimeve nacional-komuniste. Skënderbeu si mit, ashtu si është ndërtuar në mitologjinë nacional-komuniste, nuk mund të përdoret në kohën e sotme edhe tek fëmijët. Ai nuk mund të jetë njëherësh edhe frymëzues i armiqësisë edhe inspirues i miqësisë dhe bashkimit me turqit, grekët, serbët, maqedonët etj. në Evropë. Jo vetëm, por kjo krijon edhe një skizofreni të rëndë. T'u thuash sot shqiptarëve se Skënderbeu është pararendës i NATO - siç thotë Kadareja duke iu referuar luftrave të tij me perandorinë osmane - ndërkohë që Turqia ka hyrë në NATO para nesh e është kandidate para nesh për të hyrë në Evropë, kjo krijon skizofreni. Koha e sotme kërkon mite e heronj të rinj edhe për fëmijët, por edhe shikimin e miteve të vjetra sa nën filtrin e dijes shkencore aq edhe në funksion të frymës së kohës dhe aspiratave të kohës.
Nga sa di unë, e gjithë Evropa e ka rishkruar historinë e saj në këtë kontekst. Ka pasur gjithashtu edhe projekte për të rishkruar historinë e Ballkanit, po në këtë kontekst, ku kanë marrë pjesë edhe historianë shqiptarë. Duke parë reagimin ndaj librit të Oliver Schmiditt, mund të thuhet se është bërë shumë pak. Dhe i vetmi shpjegimi në thebin e vet, sipas meje, është se ata që e kanë në dorë këtë punë kanë frikë nga diturimi i njerëzve, sepse kjo do t'i bëjë të lirë ndaj pushtetit të tyre, të cilin e kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin në formën më dramatike për atdheun e kuptuar si shoqëri shqiptare. Ja pse ngulmoj se përgjigja më e mirë ndaj histerisë së ngritur kundër librit të Schmittit është: "bëhu i ditur të jesh i lirë". (Korrieri, 30 nentor 2008)
Sunday, November 30, 2008
Bëhu i ditur të jesh i lirë
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
17 comments:
Une e kam ndjekur sporadikisht (prej se largu) debat-sherrin mbi librin e Schmitt. Nje nga problemet e debatit qe me ra ne sy ishte menyra e promovimit te librit dhe konflikti i hapur i interesit te botuesit e perkthyesit te atij libri.
Per vete permbajtjen shkencore te librit pak eshte diskutuar. E gjithe zallahia dmth. nuk zhvillohet mbi faktet shkencore por mbi vrazhdesine dhe jokorrektesine e mediatizimit te librit nga Ardian Klosi nen moton cdo gje qe ngre shitjet eshte mire.
Po e le menjane temen specifike te mitit te Skenderbeut qe ne kete shkrim te z. Lubonja eshte trajtuar me se miri.
Ajo qe ve re ne menyre te vazhdueshme eshte deshira e madhe e nje pjese te intelektualeve shqiptare per tu bere me zor te hiper-evropianizuar duke hedhur poshte ne menyre te vrazhde kontekstin social e tematik shqiptar mbi te cilin ata vete jane zhvilluar. Kjo lloj tendence nuk eshte asgje tjeter pervecse nje lloj i rafinuar majmunerie. Eshte i njejti lloj majmunerie qe ka prekur rendom pjesen me te madhe te elitave shiptare e nga te cilat duket se eshte prekur dhe shtresa e intelektualeve shqiptare.
Me "hiper-europianizem" kam parasysh ate europianizem grotesk me te cilin duan te vishen nje pjese intelektualesh shqiptare nga nevoja per te patur/krijuar nje subkulture te dallueshme nga primitivizmi fshatar qe i rrethon. Megjithate ky hiper-europianizem eshte ne syte e vete europianeve apo atyre qe jetojne ne Europe po aq grotesk e qesharak sa edhe realiteti shqiptar nga i cili kjo pjese intelektualesh kerkojne te distancohen.
eshte kenaqesi te lexosh shkrime te tilla dhe te kuptosh ne te njejten kohe se intelektuali shqiptar eshte ende gjalle, duke i mbijetuar keshtu dimrit te acarte nacionalist dhe erresires se mosdijes qe mbizoteron ne shoqerine shqiptare sot dhe nder shqiptaret kudo qofshin ata...
pershendetje lubonja!
Kjo nuk ka te beje thjeshte me historiografine dhe mitet, kjo nuk ka te beje as edhe me te qenit evropian apo i hiperevropianizuar. Sepse dija nuk ka gjeografi. Ajo eshte dije dhe i perket njerezimit. E pra kjo ka te beje pikerisht me te, me dijen. Sepse per hir te se vertetes duhet thene se Lubonja dhe Perpjekja e tij ka mbi 10 vjet qe po merret me ceshtjen e c'mitizimit te historise dhe me futjen e qasjes kritike ne shkrimin shkencor. Por zhurma behet vetem pas botimit te studimit nga nje i huaj, Schmitti. Atehere tre jane mundesite: 1. Ne kuader te letargjise postsocialiste qe i mbron ata nga analiza e ndergjegjjes se tyre te hiperideologjizuar, si dhe qe u jep atyre kurajon te mbrohen me justifikimin se askusht nuk mund te bente dot gje kunder regjimit, por qe arritjet e tyre shkencore jane te paprekshme, intelektualet shqiptare nuk i kane lexuar ndonjehere Perpjekjen, studimet e Clayerit, apo perkthimin ne shqip te Ballkanit Imagjinar te Todoroves dhe tani lexuan Schmittin vetem prej nxitjes se ketij te fundit per te bere nje promovim publik. E atehere u ndjene te kercenuar, jo sepse u vjen keq per Skenderbeun, por sepse kjo mund t'i detyroje ata te zgjohen nga letargjia, duke e bere te pashmangshme perballjen e tyre me pergjegjesine morale te fallsifikimit te historise dhe te dijes, dhe te keqperdorimit te tyre per qellime te pastra te ideologjise se diktatures.
2. Intelektualet Shqiptare jane perpjekur t'i lexojne ato qe u thane me siper, por duke qene te brumosur nga nje shkolle qe ne vend te dijes u mesonte njerezve propagande, thjeshte nuk jane te pajisur me struktura te tilla konjitive, apo Habituse (sipas termit te njohur te Bourdieus)qe te arrijne te perthithin dije, e te reflektojne mbi te. Por kur behet zallamahi dhe dikush pak me i mencur thote "o burra, po na shajne Skenderbeun", ja ku i ke ata gati per te shfaqur nacionalizmin e tyre aq fallc e pse jo, edhe grotesk.
3. Intelektualet Shqiptare i kane lexuar e kuptuar ato qe thashe me siper, e madje nje pjese e mire e tyre mund te jete dakord, por vetem "ne biseda kafeneje", sepse perbelle, thjeshte nuk kane guxim te debatojne me ata njerez te cileve u detyrohen me ndere e favore te ndryshme.
Por mund te ndodhe qe te jete edhe nje kombinim i ketyre tre mundesive, ku te paret perfaqesohen psh nga Kadareja e koleget e tij, te dytet nga sistemi shteteror i organizimit shkencor te trasheguar nga Akademia e Shkencave- te cilen do ta quaja si trashegimia e paster komuniste ne Shqiperi, dhe te tretet nga ajo pjese intelektualesh te pergatitur ne Universitete te shquara ku mesohet dija boterore, por qe nuk kane interes per aplikimin e kesaj dijeje ne Shqiperi, per sa kohe kjo do te thote cenim pozitash te rehatshme. Kjo do te thote te hapesh debat, por debati nuk eshte pjese e fjalorit shkencor ne Shqiperi. E ndaj Shkencat Humane ne pergjithesi, por sidomos Historiografia e Etnologjia - kane mbetur ne nje pike kritike. E para vuan nga mungesa e debatit dhe e reflektimit, duke siguruar keshtu nje "riprodhim" par excellance te sistemit te mendimit historiografik. E dyta, pervec mungeses se debatit, ka edhe nje mungese te theksuar ne njerez, nje gjendje kjo qe ka cuar ne riprodhimin e imazhit te Etnologjise jo vetem si shkence e studimit te zakoneve tradicionale shpesh te konceptuara si arkaike e prapanike, por edhe te vete asaj si shkence arkaike e prapanike. Reforma e zbatuar nga lart siguroi nje ndryshim te emrit nga Etnologji ne Antropologji Kulturore, por nuk siguroi aspak mekanizmat e debatit shkencor. Ky ndryshim emri i ardhur si pasoje e nje urdheri, dhe jo e nje konceptualizimi bashkekohor te objektit, kuadrit teorik dhe atij metodologjik te kesaj shkence, nuk ka gjetur per pasoje asnje reflektim ne prodhimin shkencor te titullareve te kesaj shkence.
Nuk dua ketu te mbroj me partizaneri studimin e Schmittit. Ajo qe une kerkoj eshte venia e studimit shkencor ne shinat e debatit po ashtu shkencor, sepse vetem kjo sjell gjallerine e mendimit e levron gjithashtu dijen aq te deshiruar. E pra ceshtja e Skenderbeut dhe menyra tejet ofensive si trajtohet kjo, nuk eshte vetem se nje pjese e mekanizmit te deformuar shkencor ne Shqiperi. Sa per Mira Meksin, e po, kam pershtypjen se ketu ka pak xhelozi profesionale te saj perkarshi Klosit. Por pertej ketij fakti personal, te cilin do te perpiqesha ta kuptoja, meqe eshte nje dobesi njerzore nga e cila te gjithe vuajme dikush me pak e dikush me shume, zonjes Meksi do t'i thoja se Diktatura mund te vazhdoje te ekzistoje ne mendjen e saj, por se ajo tashme eshte nje realitet i vdekur. Ajo mund ta burgose mendjen e saj sa te doje, por mendjen time dhe ate te kolegeve te mi, nuk arriten ta burgosin muret e ngurta shkencore qe komunizmi na la si trashegimi e as mungesa totale e investimit shteteror per kerkimin shkencor (literatura, specializimet e mundeshme, pagesa e punes se terrenit, nxitja dhe mbulimi qofte dhe i pjesshem i pjesemarrjes ne konferenca apo aktivitete te tjera shkencore etj). Ne keto kushte, zor se mund te prekem nga deklarata pseudonacionaliste. Sepse kur pavaresisht nga kushtet qe thashe me siper ne arrijme suksese neper arena shkencore nderkombetare, ai qe permiresohet eshte pikerisht imazhi aq i dhunuar i Shqiperise. E sepse, po te flisja me nje gjuhe patriotike, genjeshtra i ka kembet e shkurtra, e per pasoje, edhe vete nacionalizmit shqiptar nuk i intereson me te ngrihet mbi mitizime e keqperdorime te historise, nese kerkon qe ta kete ende jeten e gjate.
Por nga ana tjeter, gjithe ky debat, edhe pse i ngritur ne fryme fyerjesh, tregon se akulli po thyhet. tani nuk duhet tjeter, vetem se edhe pak me shume guxim e kuraje, guxim per te cilin do t'i isha tejet mirenjohese zotit Lubonja qe e ka ngjallur ne shoqeri ne pergjithesi, e tek une ne vecanti.
Armanda kodra Hysa, Ma,
Etnologe, Ish Instituti i Kultures Popullore (ende nuk e meriton te quhet I Antropologjise Kulturore, eshte ende shume larg tij).
Me ne fund nje analize me kembe ne toke. Nje analize qe me ben te ndihem mire pasi e lexoj. Pergjigja me e mire per te gjithe ata qe pyesin gjithe diten "Po pse po zgjat pa fund tranzicioni tek ne?!". Kjo analize eshte sinjal i forte per te kuptuar se jemi prej dekadash, ne mos prej shekujsh te "burgosur" ne fanatizem. Ne fanatizmin e mbrojtjes se miteve. Ne mbrojtje te DOGMES.
Kemi shitur apo mohuar aftesine tone te te arsyetuarit dhe natyrisht do na terheqin prej hunde nje grusht njerezish te ashtuquajtur "elita mit-formuese-blinduese".
FALENDERIME LUBONJA!
Trajtimi dhe zberthimi i mitit te Skenderbeut qofte ne shkrimin e mesiperm qofte ne shkrimet e meparshme te revistes Perpjekja eshte nje trajtim i bere me seriozitet dhe ftohtesi shkencore.
Pasi.., "mitet duhen zberthyer ne menyre shkencore" sic thote vete Lubonja. Mese e drejte.
E megjithate miti ne vetvete nuk eshte detyrimisht e keqja. Vete z. Lubonja ne shume nga shkrimet e tij nderton me ndergjegje mite te reja te huazura e pershtatura kryesisht nga mitet moderne te Europes kontinentale (France, Itali Gjermani). Ne shume nga shkrimet e tij socialo-kritike ai nderton mitin e barazise sociale te hasur rendom ne Europen kontinetale.
Dhe te jemi te qarte, koncepte si barazia sociale per Europen kontinentale apo miti i "endrres amerikane" per Ameriken jane mite.
Mjafton qe si i huaj te dalesh njehere e te kerkosh per te marre nje shtepi me qera ne zona tipike te shtreses se mesme ne Europen kontinentale dhe e sheh se ku ka perfunduar barazia sociale.
Poashtu, Amerikes ju deshen rreth 250 vjet perkujdesje e ndertim te "mitit amerikan" per te zgjedhur nje president afro-amerikan (qe e perdori kete mit fuqishem gjate gjithe fushates se tij). E megjithate te ndertosh kesi mitesh eshte pozitive pasi i jep shprese njerezve dhe i frymezon ata per te punuar per nje te ardhme me te mire per vete e per shoqerine ku jetojne.
Problemi ne Shqiperi nuk jane mitet apo dogmat ne vetvete. Sistemet e vlerave ne shume shoqeri moderne vijne pikerisht nga mite e dogma. Problemi qendron tek ngritja e nje sistemi mitesh e vlerash qe jane shkaterruese per nje shoqeri moderne.
Shoqeria e tranzicionit shqiptar ka ngritur nje sistem mitesh e vlerash ku ai qe ze nje vend pune ne shtet, vjedh per x vjet, ve pasuri dhe iken pa i hyre gjemb ne kembe quhet i suksesshem , fiton rang social, ne vend te ndiqet si kriminel i rendomte. Ai qe punon e ruan integritetin e tij personal e profesional quhet pabuks. Ky sistem vlerash nuk mund te ushqeje nje shoqeri te shendoshe.
Prandaj mitet si ato qe gjen ne shkrimet e z. Lubonja jane pozitive. Zberthimi i mitit te Skenderbeut ne nje kontekst shkencor nuk ka asgje te keqe, perkundrazi. Por mediatizimi idiot i zberthimit te ketij miti aq me teper nese behet per qellim komerzial nga nje intelektual nuk eshte ne rregull.
Analiza bazohet ne ate qe Shqiperia u be, prandaj duhet bere qytetaret. Problemi eshte qe Shqiperia nuk eshte bere, prandaj duhen mitet e llojit te Skenderbeut, qe se pari ta perkufizoje shqiptarin, e pastaj ti bashkoje ata.
Sa mire eshte kur ben debat. Shkembimi i ideve eshte gjeja me e mire qe mund te ndodhe. Ne lidhje me mitet dhe me miresite e tyre, ketu eshte nje problem paksa me i komplikuar. Sepse ne radhe te pare duhet rene dakord se cfare eshte miti. Per mendimin tim, barazia sociale nuk eshte mit, por nje ideal, nje aspirate. E dime fort mire se perderisa njerezit nuk jane te barabarte, por te luftosh per te siguruar shance te barabarta, nuk do te thote te besh lufte per nje mit, por per nje aspirate, per ta bere jeten me te mire dhe me te barabarte. Dhe dyshimi gjithnje mbetet brenda. Une nuk besoj se figura e Skenderbeut eshte jodomethenese. Une e di gjithashtu se miti i tij eshte nje nga mitet me te goditur. Por tani nisin problemet. Njeri prej tyre ka te beje me lirine dhe te drejten per te zgjedhur. Keshtu une si Armanda e dua Skenderbeun dhe te gjithe heronjte e tjere kombetare. Une si Armanda e dua shume Shqiperine, dhe nuk po e them kete per hir te argumentimit te debatit. Kur rektori i Vlores i hoqi emrin e Ismailit universitetit, reagova shume ashper ndaj tij, ne nje kembim personal emailesh. Ka shume arsye pse e bera ate reagim, dhe nuk mund t'i shtjelloj te gjitha ne nje koment. Serish, flamuri yne me pelqen shume si model. E himnin e kendoj me deshire, me pelqen shume muzika dhe fjalet. Por ja qe na del se himni yne nuk eshte tjeter vetem se nje perkthim i nje kenge relativisht te njohur rumune, si teksti ashtu edhe muzika. Tani lind pyetja: Valle ky fakt duhet heshtur? Valle nuk duhet ta dine shqiptaret se himni i tyre eshte nje kenge e huaj? Por nese do te me pyesnin nese duhet nderruar himni, do te thoja serisht qe jo, sepse ne ate tashme e ndjejme si tonin, nuk mund ta degjojme ate muzike e te mos identifikohemi me te. POR, ky eshte mendimi im. A duhet te jete ky edhe mendimi i femijeve te mi? ndoshta po, por, edhe ndoshta jo. Une u ndjeva shume keq vete kur e mora vesh te verteten. Dhe ne punen si etnologe jam ndjere shume keq per shume genjeshtra te tjera, si psh, se Iliria dalmate e deri ne Sllovenine e sotme ishin e njejta Iliri me ate te quajtur jugore. Por me pas mora vesh se nga ana etnike, ato kishin qene te ndryshme, e se pjesa e Kroacise se sotme dhe e Sllovenise jane quajtur ilire prej perandorise robake rreth nje shekull pasi ishin bere territor i saj. Lere pastaj genjeshtren pellazge, qe ende u mesohet femijeve si e vertete shkencore. Pastaj mora vesh se te Batot ishin panone dhe jo Ilire, pra dhe 2 heronj me pak per kombin tone te lashte e heroik apo jo? Pastaj mora vesh se shume doke e zakone jane kaq te perbashketa per popujt ballkanike, saqe eshte realisht e pamundur te percaktosh origjinen etnike te tyre, dhe shume gjera "tipike" shqiptare na doli qe ishin njesoj tipike edhe per shume popuj te tjere, madje edhe pertej ballkanit, e se pothuajse cdo perpjekje per te gjetur origjinen ishte ne fund propagande. Dhe per cdo mit te genjeshtert qe zbuloja, do te kisha dashur te me ishte thene e verteta, e pastaj une vete te zgjidhja. Si me himnin. Si me Skenderbeun. Une me vetedije vazhdoj t'i dua ata. Nese shkolla do te kthehet ne mesim mitesh, atehere le t'u mesojme femijeve tane edhe "mitet" fetare. Por kur femijeve te mij u mesohet se Muhamedi ishte nje genjeshtar qe e shpiku fene per te bashkuar arabet, dhe jepet vetem ky version laik, atehere atij i duhen thene edhe debatet mbi figurat e tjera historike. Pra ne i mesojme femijeve te shkolla tona versionin laik te fakteve kur vjen puna per besimet fetare, kurse u shenjterojme atyre figurat jofetare, duke e kthyer kombin dhe nacionalizmin ne nje pjese esenciale dhe fetare te qenies njerezore. Kjo eshte dhune e dyfishte, sepse femijeve nuk u jepet e drejta te zgjedhin te besojne apo jo ne Zot, ndersa kombi kthehet ne nje Zot, ne ekzistencen e te cilit nuk duhet dyshuar. Nacionalizmi ballkanas u identifikua me te qenit ortodoks, kurse ne Shqiperi, meqe nuk mund te gjeje nje fe, ai u kthye ngadale ne fe, me zotin e saj, kombin.
C'do te thote i dashur anonim i komentit te gjashte te berit Shqiptar? Cili eshte ai proces qe te ben te tille? Permes cilash rite behet kjo? Dhe kush e ka autoritetin te percaktoje se cfare eshte shqiptare e cfare jo, apo t'i thote njerezve qe "ti nuk i permbush kushtet e cilesite per t'u quajtur shqiptar, kurse ti tjetri po". Dhe pasi behet kjo ndarje, c'ndodh me ate qe nuk i permbush keto kushte? C'vend ka ai ne shoqeri? Pse nuk i jepet e drejta te zgjedhe? Sepse duke e percaktuar perkufizimin se mitet duhen per te krijuar shqiptarin (sa me ngjan kjo me krijimin e njeriut te ri socialist) te pakten biem dakord se edhe kombi qenka dukuri kulturore. Jo esenciale. Atehere pse duhen imponuar njerezit me skema te gatshme?
Nese ti anonimi i gjashte je ai qe une mendoj, me shkruaj ne akodrahysa@gmail.com, e e vazhdojme debatin atje.
Te fala,
Armanda Kodra Hysa
z.Lubonja
Me telefonoi im ate nga Shqiperia me porosi speciale qe te shikoja Shekullin ne internet.Nuk ndodh shpesh kjo gje.
E lexova dhe rilexova disa here shkrimin tuaj keto 3 ditet e fundit.Me kenaqen argumentat dhe ironia qe perdoret me beri edhe te qesh.
Pa dashur te beje analize te gjate qe i lodh njerezit.Mendimi im eshte qe, ne fakt, mitet na duhen. I duhen inteligjences se nje kombi qe t'ja ofroj si ushqim masave popullore. Ky proces do jete sekreti jone i vogel. Te informuarit do ta dine qe mbase Gjergj Kastrioti ka qene Gjorgjevic po do ta mbajme mes nesh.Dhe femijeve do vazhdojme ti tregojme perrallat.
Njerezit kane nevoje per perralla dhe kur i tregon te verteton humbasin interes.
Ndryshe nga c'mund te mendoni ju z.Lubonja kjo eshte nje praktike boterore.
Fqinjet tane bejne te njejten gje.Serbet kane mitin e FushKosoves, greket dhe maqedonasit po kacafyten per nje mit tjeter.
Ta leme Ballkanin.Cfare behet ne Perendim? Perendimi vete eshte ndertuar ne mite.Miti i "Athines Demokrate" ku 30% e meshkujve votonte, pjesa tjeter ishin skllave.
Sot Italianet u mesojne femijeve se Garibaldi ishte hero packa se sot ai do klasifikohej si terrorist.Francezet kane Napoleonin qe dogji gjithe Evropen.
Po Amerikanet?Ne librat e historise ne shkollat amerikane faqet jane te mbushura me vizionin dhe dashurine per liri te Washingtonit dhe Jeffersonit po vetem disa paragrafe permendin qe keta "liridashes" kishin skllever ne shtepi, zhduken miliona vendas tribale, eliminuan kundershtare politike etj.
Po miti i Pearl Harbor? Kujtoni ju se guxon njeri te permendi qe, ne fakt, Japonia nuk kishte rruge tjeter mbas bllokades se naftes qe i bene amerikanet.
Po miti i te gjithe miteve moderne.Miti i John Kennedy qe portretizohet si vizionar, revolucionar, atletik kur ne fakt nuk ishte asnje nga keto?
Atehere pse duhet te c'mitizojme nje burre plak ne shqiptaret sot kur heronjte na duhen? Te bejme nje marreveshje.Te mbajme mitin po ta perdorim me pergjegjesi.Na nevojitet te jemi pak pragmatike.
""Pa dashur te beje analize te gjate qe i lodh njerezit.Mendimi im eshte qe, ne fakt, mitet na duhen. I duhen inteligjences se nje kombi qe t'ja ofroj si ushqim masave popullore. Ky proces do jete sekreti jone i vogel. Te informuarit do ta dine qe mbase Gjergj Kastrioti ka qene Gjorgjevic po do ta mbajme mes nesh.Dhe femijeve do vazhdojme ti tregojme perrallat.
Njerezit kane nevoje per perralla dhe kur i tregon te verteton humbasin interes.
Ndryshe nga c'mund te mendoni ju z.Lubonja kjo eshte nje praktike boterore.""
Rrofte PPSH e Shkoku Enver Hoxha, se ne fund te fundit me ane te ketij mekanizmi ata arriten te krijonin nje diktature te atille. E sipas kesaj logjike, paskan bere gjene me te mire, dhe me e bukura eshte se arriten ta bejne kete pikerisht ne emer te ketyre masave popullore.
Me vjen keq, por me duhet te falenderoj Zotin qe arrogante qe kane kete mendje na i ka cuar emigrante. Dhe behet fjale per Korrierin e jo per Shekullin. Nuk arrij ta perfytyroj zotin Lubonja te shkruaje tek shekulli i Kokedhimes.
Nuk ke nevoje te falenderosh zotin pse une jam imigrant.Kjo eshte idiotesi.
Idiotesia tjeter eshte te mendosh se ne jemi te vetmit qe veprojme keshtu.Gjithe bota kultivon mite.Nuk ka pse te ndihemi kaq fajtore po debati i sherben shoqerise.
Mos u mundo te besh polemike aty ku ajo eshte e panevojshme dhe e paprovokuar.Mua artikulli me pelqeu tej mase.Dhe mos me permend komunizmin vecanerisht kur nuk di gje per mua, familjen time dhe kete levizje politike!!!
Megjithese, ne pergjithesi me pelqejne dhe me ngacmojne shkrimet e Z. Lubonja me dihet te them se ka nje mungese konsistence logjike ose parimore ne kete shkrim.Ose mitet duhen ç'mitizuar dhe te paraqitet e verteta historike ose le te lihet miti te konsumoje jeten e vet, pa nevojen e nderhyrjeve te shkencetareve, akademikeve e historianeve. Cfare epersie morale dhe çfare ndryshimi ne realitet do te kishte zevendesimi i nje miti nacinal-komunist me nje mit evro-integrues siç sillet si alternative ne paragrafet e fundit? Lufta e para 500 vjeteve me turqit nuk duhet te na pengoje sot te kemi synime per t'u integruar ne te njejtin bashkesi sot. Nuk ka pse ta rishkruajme historine sipas interesave te dites e po keshtu t'i bejme edhe tualetin miteve. Ndryshe e gjithe vlera e pjese se pare te shkrimit do te asgjesohej.
Personalisht ndjej se Lubonja eshte shume me i fuqishem kur shkruan per çeshtje sociale dhe politike, se sa kur futet ne temat historike dhe debatet me Kadarene dhe disa emra te tjere, ku duket se diskutimet dhe debatet marrin nje karakter me personal ne dem te vlerave parimore qe duhet te mbartin.
anonim,
E para, kjo lloj ligjerate qe perdor (edhe pse me pelqen zakonisht), kete radhe jo - jane ... nuk po i ve emer, por nuk duhet te jene pjese e nje diskutimi midis njerezve qe diskutojne argumentin dhe nuk i vene noten njeri-tjetrit.
Se dyti, ti merr per inkonsistence dy nivele te ndryshme diskutimi: Cmitizimin si distancim nga miti, dhe nevoja per mite te reja.
Lubonja e thote qe ne fgillim perkufizimin e tij te mitit dhe rendesine e tij per nje komb. As ja ka hequr rendesine mitit, dhe as kerkon t'i heqi mitet kombit. Ky eshte nje keqinterpretim, keqlexim i argumentit. Mitet duhen, edhe te lashtet edhe te rinjte, por ne te njejten kohe duhet edhe distanca nga to, si e vetmja menyre per te qene nje komb i shendetshem. Kjo e thene shkurt.
Dhe po, shkolla nuk eshte djepi i kultivimit te miteve dhe as sherbetor i ideologjive, por djepi i dijeve.
Artikull i fuqishem z. Lubonja. Faleminderit.
Dekonstruktimi dhe distancimi nga mitet e meparshme dhe nga ana tjeter krijimi (apo konstruktimi) i miteve te reja, sigurisht qe nuk mund te jene jo-inkonsistente. Ato jane ne fakt e njejta gje! Kete jam perpjekur te shpreh. Eshte si zevendesimi i pantallonave kadife me ato xhinsi!
Edhe me mite, edhe pa mite, edhe afer tyre edhe larg, edhe te ndertuara edhe te dekonstruktuara, edhe njohje e te vertetes me lakuriqesine e saj edhe mbajtja e mitit por ne nje distance ...."te arsyeshme(?)", eshte nje koncept shume interesant.Kjo mund te jete gjithshka, por vetem konsistence logjike dhe parimore jo.
Persa i perket diskutimit te argumentit vs.atij te autorit,jam plotesisht dakord. Komenti kishte ne fakt te bente pikerisht me nje konstatim per fushen ku te pakten sipas pikepamjes sime, argumentet e autorit jane pergjithesisht me te fuqishme dhe me vlera, gje qe eshte besoj edhe ajo çka deshiron ai vete.
Duke qene dakord me ju, mendoj se shprehje te tilla si "artikull i fuqishem... faleminderit " qe hasen shpesh ne komentet e blogeve, pertej miresjelljes se zakonshme, nuk shtojne asgje persa i perket argumenteve.
Nuk mendoj se ka nevoje per stimulim te autoreve ne pergjithesi e aq me pak te Z. Lubonja me menyra te tilla.
Komentet kane qellimin t'i japin autorit nje feed-back te sinqerte dhe te ndershem mbi shkrimin e tij/saj dhe te krijojne diskutime te hapura te pikepamjeve qe mbartin artikujt.
Me duartrokitjet e panevojshme shpresoj se kemi mbaruar pune me kohe... Duke duartrokitur me pak, besoj se do te behemi me te lire...
Ne se nje artikull me tingellon i fuqishem dhe e ndjej se duhet te them faleminderit ... ku eshte problemi me kete? Po, ishte nje forme duartrokitje, sic pas nje shfaqje qe na mahnit, na mbush, na ploteson. Perse duhej rreshtuar ne nivelin e argumentit? Perse duhet vene ne diskutim vlera e nje argumenti nga menyra se si duartrokitet ai? Perse ju shqeteson duartrokita ime? Ju tingelloi si antiduartrokitje per ju? Ne se eshte keshtu, a nuk e keni kaluar diskutimin ne funskion te egos suaj, dhe aspak te argumentit mit-cmitizim?
Po e bej kete diskutim, se e ve re kete lloj reagimi shume shpesh ne boten shqiptare. Ndoshta nuk eshte e rastesishme.
Dhe uen perseri insistoj se ju kerkoni t'i zhdukni disnivelet e argumenteve. Njeri argument eshte, a duhen mitet. Tjetri eshte cfare perfaqesojne ata, si jane krijuar, perse na sherbejne. Lubonja argumenton (per mendimin tim fuqishem, dhe argumentet e tij behen edhe me te fuqishme ne kontekstin e diskutimit shume te dobet te kesaj teme ne shtypin shqiptar) pikerisht ne kete nivel.
Znj para meje ka thene ca fjale te sinqerta, qe me kujtojne se sa te pafuqishem jemi bere ne kete sistem dhe qe jane arsyeja perse une falenderoj z. Lubonja. Ndoshta ju duhet ta respektoni mendimin dhe ndjenjen time ne vend qe te beni diagnozat postmoderniste te sindromit tim (por edhe tuajat, njekohesisht).
I nderuar Lubonja,
Vet ideja qe te mos keshe mite eshte MIT ne vetevete.
Fatos vendosa te te shkruaj sepse dhe une para pakditesh pashe ne internet(dowloding) nje Top Channel lidhur me Atheismin. Jam shume e zhgenjyer nga niveli i atij emisioni. Pervec Gjergj Sinanit dhe asaj poetes qe u munduan te thone dicka te mencur pjesa tjeter ishte nje INJORANCE por dhe ne teresi u diskutua ne thojza per kuptimin filozofik por ne te vertete kishte vetem spekullime dhe gjera fare te pa verteta aq sa nje grua me emrin Mesila Doda arriti te thoshte qe shkenca po provon ato qe feja ka parashikur ose po parashikon: Kjo eshte ABSURDE! To Know and to Believe are very different think! Ajo as nuk e di dhe as nuk e ka kuptuar teorine e Darvinit kur thote se prejardhja jone vjen nga majmuni dhe se ky proces evolucioni ka ndodhur shume kohe me pare dhe ky eshte nje proces qe eshte kuptuar dhe vertetuar shkencerisht dhe nuk ka ndodhur ne 6000 vjet si pretendon feja.
(une mund te jap aq argumente mbi baza shknecore)
Laplasi nuk e pati te nevojshme pranine e hyjnise kur shkroi librin e tij te madh Mekanika Qiellore. Mesa duket qenka krijuar nje lloj argetimi qe vetem ejani dhe mbushni emisionet ejani dhe flisni cfare te doni por se s'ka rendesi se cfare thua ne televizionet tona. Ajo qe eshte me e dhimshme eshte se keta njerez kujtojne se jane me te mencurit por karakterizohen vetem nga arronganca dhe mediokriteti dhe shtoi krenarine qe kane kur hiqen dhe si shume besimtare qe i ben ata dhe me te virtytshem (sa qesharake). Mos harroj te them qe kur kane njerez qe si ideal kane Papen dua t'i kujtoj vetem korrpsionin dhe imoralitetin e dinastise se papeve Borgia ne mesjete dhe se ne kohen e Luigjit te 16 ne France kisha eshte aq e korruptuar sa ishte ajo qe ngjalli dhe urrejtjen me te madhe ne masat popullore. Dua ti kujtoj asaj zonjes se urrejtja ndaj Jewish people ka eksistuar shume shekuj me pare sesa Hitleri erdhi ne fuqi; ai vetem sa e perdori kete si arme per ardhur ne pushtet, e sa kur vjen puna per te kritikuar Nicen flitet me shume kujdes sepse ai ishte dhe eshte nje nder mendjet me te ndritura te shoqerise sone.
Po e mbyll me nje thenie te Richard Feymann-it (shume e sigurt se askush nuk e di se behet fjalet per nje nga fizikantet e shekullit tone dhe atij te kaluar)
It is our nature that works like this
Me pak fjale Fatos linte shume per te deshiruar ai program.
Alles Liebe
Nje e re shkencore qe sapo lexova jepte te dhena qe procesi njeri ka ecur paralelisht me ate te majmunit.Mitet kan ekzistuar ne cdo shoqeri por jo te behen bazat e tyre.Jam skeptike per ndihmesen e tyre ne zhvillimin e drejte te politikave te nje vendi.Padyshim dalja nga erresira kerkon guxim dhe intuite,jo cdo njeri ia del.Te jesh i lir do te thot te clirohesh nga mitet dhe zakonet,te zbatosh politikat integruese bashkekohore dhe ti zgjedhesh ato me te favorshmet qe i sherbejne kesaj dalje prej erresire.Te duash te jesh i lir do te thot te kthesh shpresen ne realtitet dhe ky esht ndergjegjesim.Te jesh i lir do te thot te mendosh per vetveten,te kthehesh tek vetja,te njohesh vetveten
Post a Comment