Thursday, December 4, 2008

Superfuqi apo koloni

Para disa kohësh Ben Blushi, duke përshkruar gjendjen në partinë e tij, përdori një metaforë sipas së cilës PS është si një autobuz ku shkruhet "mos i fol shoferit". Është një metaforë e gjetur që po e zhvilloj edhe ca më tej.
Problemi nuk është thjesht se vetëm PS ka një shofer të tillë. Problemi është se ne të gjithë, dmth. të gjithë shqiptarët, jemi të shtrënguar të udhëtojmë në një autobuz të tillë. Ne jemi ndarë në dy rradhë brenda autobuzit sipas dy grupimeve partiake më të mëdha, - ku disa nga pasagjerët ndërrojnë edhe krah - dhe ndonjëherë bëjmë ndërrimin e shoferëve dhe të gardës së tyre. Por, ama, rregulli i shoferëve, edhe kur ndërrohen, është "mos na flisni!".
Le ta zhvilloj edhe ca më tej metaforën. Në një autobus normal, nëse shihet se shoferi është çmendur apo se ka qëllim të shkojë në një vend që s'është drejtimi i caktuar, njerëzit do të fillonin të shihnin jashtë dritareve, do të konstatonin rrugën e gabuar dhe do të fillonin të rebeloheshin. Por, në këtë autobuzin tonë, kjo nuk ndodh. Pse? Për shumnë arësye. Së pari, sepse bukën e gojës ua ka në dorë shoferi dhe garda e tij. Por edhe sepse autobuzi ynë, në fakt, nuk ka xhama transparentë për të parë jashtë. Shumica e xhamave janë bllokuar me ekrane televizionesh që shoferi i ka blerë për të paraqitur një realitet virtual. Nuk mungojnë, për këtë, edhe intelektualët e gazetarët e blerë që përgatisin programet - sigurisht që nga brenda autobuzit. Pasagjerët, me hir apo me pahir, nuk duhet të shikojnë greminat se ku po shkojnë, por lulëzim, ndërtim, rrugë, zhvillim, ullinj e vreshta. Sigurisht kanë mbetur akoma disa xhama nga ku mund të shihen copa greminash në horizont, por shumica e pasagjerëve nuk ka as sy për të parë sepse e tërheqin më shumë të vërtetat e televizioneve ku shohin edhe figurat e mëdha të kombit tua ngrenë lart dinjitetin me Skënderbeun apo me spektaklet "Dua më shumë Shqipërinë". Dikur kishte edhe opozitë brenda autobuzit, që e ngrinte zërin, e pasagjerët lëviznin nën drejtimin e saj. Tani kemi një opozitë kryetari i së cilës, duke pritur të bëjë shoferin e rradhës, sheh gjithë ditën veten nëpër xhamat/erkranet e autobuzit duke kënaqur narçizizmin e tij proverbial.
Çdo metaforë ka kufizimet e veta, dihet. Prandaj po e le deri këtu metaforën dhe po përpiqem ta ilustroj më konkretisht.
Dita që Berlusconi "miku i madh" i Shqipërisë erdhi në Tiranë, e transmetuar me bujë në ekranet e televizonave shqiptare, më gjeti në Itali. Sigurisht i hapa ekranet italiane për të parë se çfarë do të thonin. Dëgjova edhe radiot, madje. Ndryshe nga ç'mund të mendojnë pasagjerët e autobuzit tonë, jashtë "xhamave" të tij, vizita e Berlusconit nuk u lidh fare me Shqipërinë. Në mediat italiane u fol vetëm për çfarë kishte deklaruar në Tiranë kavalieri lidhur me çështjet italiane - konkretisht me skandalin e fundit të konfliktit të interesavce të kavalierit (shtimin e taksave ndaj "Sky" të Murdokut që indirekt favorizon televizionet e familjes së tij) si dhe sulmet ndaj kryeredaktërëve të "Corriere della Sera" dhe "La Stampa". As emri i Berishës nuk u përmend kund. Njëlloj si në Shqipëri kur Berisha bën ndonjë vizitë në ndonjë vend të humbur ku e pret ndonjë kryetar komune kurse televizionet tona japin ato që ai ka thënë për Edi Ramën në Tiranë ndërsa kryetari i komunës mbetet një nga figurantët e skenës. Për turpin e mediave italiane asgjë nuk u tha për projektet neokolonizuese, të paligjëshme, për të mos thënë kriminale, që italianët po përgatisin në Shqipëri sëbashku me klasën e korruptuar politike shqiptare.
Por le të kthehemi në autobuzin tonë që, sikurse e kam thën edhe herë tjetër, është një imitim karikaturesk i autobuzit italian që ka për shofer Berlusconin.
Projekti i kthimit të Shqipërisë në një superfuqi energjitike, për të cilin erdhi kavalieri në Tiranë, është një projekt delirant dhe mashtrues njëherësh. Pse është delirant nuk do shumë të kuptohet. Mjafton të kesh parasysh deklaratën e Berishës: "unë dhe Berluskoni e duam përjetësinë" apo përdorimin e fjalëve "superfuqi energjitike" për Shqipërinë. Po pse është mashtrues? Sepse Shqipëria mund të bëhet superfuqi nëpërmjet këtyre projekteve aq sa ç'u bë superfuqi në kohën e Hoxhës, megjithë deklaratat e vazhdueshme të këtij të fundit se ishim më të fortë se superfuqitë. Ajo thjeshtë do të përdoret vetëm si terren për t'u vendosur parqet energjitike e industriale: më i madhi në Evropë i energjisë eolike në Karaburun, petroliferat, tecet në veri të Durrësit, rigazifikatorët në Fier e ku dihet çfarë tjetër. Ajo do të shërbejë vetëm si terren ku do të vendosen çisternat që do të furnizojnë Ballkanin me naftë e gaz. Kurse energjia që ata do të prodhojnë është për jashtë shtetit, më konkretisht për Italinë. Nafta do të jetë pronë e italianëve e të tjerëve, gjithashtu, që do ta tregëtojnë duke e perdorur vendin tonë vetëm si depo. Par, asgjë nuk do të jenë pronë e shqiptarëve. Këto projekte do të ndihmojnë që Italia të zgjidhë problemet energjitike të saj pa ndotur territorin e vet, pra, duke e transportuar këtë ndotje jashtë Italisë. Sa për dijeni projekte të tilla Italia ka edhe në Libi e gjetkë rrotull saj. Kurse shqiptarët energjinë do ta blejnë, nuk do t'ua falin gratis italianët. Shumë shumë ata do të punësohen me rroga sa për të mbajtur frymën gjallë. Ashtu sikurse edhe në fabrikat e çimentos që do të prodhojnë përsëri për të pasuruar pronarët italianë (sigurisht edhe politikanët tanë të korruptuar).
Askush nuk u ka bërë pasagjerëve të autobuzit një pasqyrë transparente se çfarë do të fitojnë dhe çfarë do të humbasin në terma afatshurtëra dhe në terma afatgjata. Askush nuk u ka kërkuar mendim nëse janë pro apo kundër. As shoferi i opozitës nuk merret me projektet e Berlusconit e as nuk flet me njerëzit për këto megjithëse thotë se është në një dialog të vazhdueshëm me shqiptarët. Pasagjerët dëgjojnë vetëm se do të bëhemi superefuqi. Të tjerat i di partia dhe udhëheqja.
Le të marrim vetëm projektin e Karaburunit sepse, për të tjerët, si ai i Durrësit, është fulur shumë - për hir të së vërtetës, nga një pjesë jo e vogël intelektuale e vendit, paçka se shoferi, siç e thamë, nuk do të dëgjojë.
Që projekti i Karaburunit është një krim ndaj Shqipërisë le ta ilustroj duke përdorur fjalët e një italiani. Genario Belmonte, Profesor i biologjisë detare në universitetin e Salentos thotë se: "Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë e asaj se si ka qenë Mesdheu" "Është aseti më i mirë i rajonit për të tërhequr turistë nga Bashkimi Evropian". Dhe, kur flitet për turizëm, nuk është fjala se atje mund të ndërtohen hotele e motele, por se, si natyrë e virgjër, ai mund të tërhiqte turistë që, për hoteleri, do të kishin hotelet e shtëpitë e shumta në Vlorë e Llogara e fshatrat aty rrotull. Boll të vizitosh Italinë për të parë ç'do të thotë ky turizëm. Pasagjerët e autobuzit duhet të dinë se në Italinë e Berlusconit, në arqipellagun rreth Elbës, Kryetarit të Parlamenti italian, Fini, i vunë një gjobë, që e pagoi duke kërkuar edhe ndjesë publike, vetëm pse bëri zhytje me polumbar në ujra e mbrojtura për shkak të faunës e florës detare të atyre brigjeve. Kurse këta tanët kanë për borxh ta mbysin Adriatikun me naftë vetëm për pushtetin dhe paratë e tyre të qelbura. Kush mendon se pas vendosjen së parkut më të madh energjitik me erë të Evropës në Karaburin mund të shkelin më turistë gabohet. Pra, edhe sikur energjia eolike e këtij projekti të ishte prodhuar për Shqipërinë, një projekt i tillë nuk duhej vendosur në Karaburun, e jo më që është e tëra për Italinë. Pastaj, shtroj edhe një herë pyetjen për qeverinë: pse Italianët - në këtë rast siçilianët, të cilët, për fat të keq, nuk i shpëtojnë dot mbiemrit "mafjozë" - nuk e ndërtojnë në Siçili këtë park? Mos vallë pse atje nuk ka erë?
Jo, kjo nuk është të bëhesh superfuqi, kjo është të bëhesh koloni me duart e tua. Shqiptarët duhet ta dinë këtë gjë. Sipas një studimi të ditëve të fundit të një instituti anglez del se ai që u paraqitet pasagjerëve të autobuzit tonë si zhvillim në sajë të ekonomisë glabale, është një shfrytëzim i egër i burimeve natyrore të planetit që shkon kryesisht për pasurimin e një pakice, përveçse me pasoja dramatike për të ardhmen e planeti. Sipas këtij studimi del se, që një i varfët të pasurohet me 1 dollar, i ashtuquajturi zhvillim global duhet të prodhojë 166 dollarë më shumë. Është një raport që tregon se në duart e kujt shkon përfitimi i 165 dollarëve të tjerë. Sipas po këtij studimi, nëse e gjithë bota do të bënte jetën e amerikanëve, që janë vetëm 4% e popullsisë së botës (dhe nuk jetojnë të gjithë në luks, përkundrazi), do të duheshin pesë planete si i yni (duke konsideruar shfrytëzimin e burimeve energjitike etj.). Në këtë kontekst, lidhur me projektin e Karaburunit pasagjerët e autobuzit tonë duhet të dinë jo vetëm që energjia e prodhuar nga ky park do të shkojë e gjitha në Itali dhe për pasurimin e italianëve, por edhe se paratë që jep Brukseli për energjinë alarnative - siç jepen në këtë rast - përsëri do të shkojnë për kompaninë italiane.
Përjetësia fitohet për mirë ose për keq, kjo dihet. Berisha e ka fituar një herë përjetësinë në vitin 1997 kur, pasi lejoi piramidat financiare dhe i paraqiti si zhvillim, e çoi autobuzin deri në greminë pa u tërhequr nga timoni. Ai kishte vetëm një shans ta korrigjonte përjetësinë për keq që ka fituar. Që njerëzit të mund të thonin se ka bërë keq, por ka bërë edhe ca gjëra të mira, pasi mësoi nga gabimet. Mirëpo jo. Atij i duket pak përjetësia për keq që ka fituar me 97-tën, ai don të lerë vulën e përjetësisë së tij edhe me këto projekte që, për dëmet që do t'i shkaktojnë vendit, i kalojnë në terma afatgjata dëmet që ka shkaktuar lejimi prej tij i piramidave financiare dhe tërë tragjedia që shkaktoi ajo. Edhe në terma jetesh njerëzore, madje, sepse, po të bësh kalkulimin e dëmeve shendetsore që do të sjellë ndotja që ai don t'i bëjë pjesës më të banuar nga shqiptarët, që nga Lezha deri në Vlorë, numri iviktimave do të dalë më i madhe sesa ai i 97-tës. Megjithatë, ashtu sikurse në 97-ën, përgjegjësia për këtë nuk mund t'i lihet vetëm shoferit. Për këtë kanë përgjegjësi edhe shumë nga ata rrotull tij që as nuk duan t'ia dinë për përjetësinë, pasi janë të verbuar pas parasë, e që s'kanë guximin të marrin as përgjegjësi për çka po i gatuajnë vendit duke ia lënë këtë të gjithën Berishës. Por për këta skuthër të politikës, që nesër mund t'i shohim pa problem në ekipin e shoferit tjetër, do të shkruaj një herë tjetër. (Korrieri, 4 nëntor 2008)

5 comments:

Anonymous said...

Te lumte pena o Fatos Lubonja.

Nuk kam kohe tani per nje shkrim me te gjate, por do te kthehem perseri ne blog e meqe punoj edhe ne nje institucion financiar te rendeshishem ne Itali do te bej edhe krahasimet e duhura me katrahuren qe po na e shesin si parajse.

Fjorent Rrushi

Anonymous said...

Z. Lubonja,
Nuk arrij ende t'i gjej fjalet e duhura ne lidhje me apatine qe na ka kapur. Por kjo ndoshta ka te beje me faktin se ndryshimet pozitive ne shoqeri nuk mund te priten menjehere pasi ajo ka dale nga nje sistem malinj e deformues, sic ishte komunizmi tek ne. Analiza do te behej shume e gjate nese do t'i rendisnim te gjithe faktoret historike qe cuan ne kete deformim e shfytyrim. Keshtu qe ne vitet e para pas komunizmit, nuk mund te priteshin gjera te medha nga pjesemarresit direkt ne zullumet qe ai i beri shoqerise shqiptare. Ndryshimet priten ne brezin e dyte, ashtu si ne Gjermanine postnaziste, kur Juergen Habermas nuk mundi e as qe u perpoq te konformohej me profesoret e tij ish-naziste. Perpunoi keshtu bashke me koleget e tij te Frankfurtit, por me karakteristikat e saj individuale, Teorine Kritike. Eshte e vertete se origjina e kritikes i atribuohet se pari Kantit, e pastaj Hegelit, Marksit etj. Por Kritika e Habermasit, njeriu njedimensional i Markuzes, ne pergjithesi filozofia dhe mendimi qe promovoi shkolla e Frankfurtit, cuan ne reflektim te shoqerise gjermane (e shume me gjere), dhe erdhi momenti qe ne vitin 1968, pas 23 vjetesh, studentet t'i kerkonin llogari profesoreve te tyre "Cili ishte kontributi juaj ne nazizem?" Dhe ndodhi me pas reforma si ne shoqeri ashtu edhe ne shkenca. Kjo nuk po ndodh ne brezin e dyte paskomunist te intelektualeve shqiptare. Arsyet pse jane serish te shumta, por nje e vertete e madhe eshte se brezi i dyte realisht nuk kerkon te sjele ndryshim, pasi ndryshimi kerkon sakrifica, por kerkon te siguroje konfort ne strukturat e kalbura ekzistuese. Ndaj nuk eshte rastesi qe megjithe rrogat e vogla, shumica e te rinjve synojne te laureohen ne Mjekesi dhe Juridik. Dhe ndaj nuk eshte cudi qe edhe BrainGaini i famshem eshte duke deshtuar.
"""Mendimi im eshte qe, ne fakt, mitet na duhen. I duhen inteligjences se nje kombi qe t'ja ofroj si ushqim masave popullore. Ky proces do jete sekreti jone i vogel. Te informuarit do ta dine qe mbase Gjergj Kastrioti ka qene Gjorgjevic po do ta mbajme mes nesh.Dhe femijeve do vazhdojme ti tregojme perrallat.

Njerezit kane nevoje per perralla dhe kur i tregon te verteton humbasin interes.

Ndryshe nga c'mund te mendoni ju z.Lubonja kjo eshte nje praktike boterore.""""
Ja pra sesi e keqtrajtojne pushtetin e tyre intelektualet e brezit te dyte.
Ju thoni "Behu i ditur te jeshe i lire" dhe dihet qe dija mblidhet dhe percillet permes intelektualeve. Problemi eshte se ata intelektuale qe mendojne keshtu ne fakt pengojne dhenien e dijes dhe promovojne abuzim me misionin e intelektualit, duke i thene atij se e ka per detyre qe ne vend te dijes te perhape dokrra. njesoj si mjeket, qe ne vend se te sherojne njerez, i semurin ata nga pak, per te pasur vazhdimisht paciente e per pasoje para. Apo si prodhimi i konsumit, qe sa me skarco te prodhoje, aq me shume klientele e per pasoje para te madhe siguron. Te gjitha keto ne dem te qenies njerezore. Per kete arsye, jo Gerdece te plasin, e jo pallate te rrezohen, por edhe ndonje hata me e madhe po te ndodhe, serish nuk do te kete reagim. Sepse asaj shoqerie qe po i vritet humaniteti, te ciles shpirti po i thahet nga pak, Trupi i vdes shume shpejt pastaj. Dhe faj per kete kane sidomos intelektualet, qe ne vend te dijes dhe ndjeshmerise, shesin dokrra dhe luminal per te mos i ndjere dhimbjet
Por ku i dihet, kemi edhe 5 vjet kohe....

Anonymous said...

jam dakort me ju armanda dhe vlersoj shume shkrimin tuaj,por une them se intelektualet kane pjesen e tyre te madhe te fajit per gjendjen e krijuar por mendoj se cdo i ri duhet te marre ne dore fatin e tij te tregoj forcen dhe te mundohet ti kundervihet ketij realiteti dritherues,mendoj se eshte e vetmja shpres qe kemi .gjithe te mirat

Anonymous said...

Do doja te dija se si e komenton Lubonja ate qe ndodhi keto dite ne Greqi, pro apo kunder?

Anonymous said...

DESHMI

Kete vere, ditet e fundit te Gushtit me qelloi ti kaloja ne bregdetin e Vlores.

Nje parajse!

Bregdeti i bukur e shlodhes, klima fantastike, sherbimet me cilesi perhere ne rritje (akomodimi, gje jo perhere e garantuar ne Shqiperi me qelloi shume shume komod dhe cilesia e sherbimit ne restorante po ashtu shume e larte) dhe, embelsira per ne fund, cmimet jashtezakonisht konkurruese ne krahasim me Italine perballe apo Greqine anash.

Magjia e gjirit te Vlores me dhuroi dy dite fantastike e super relaksuese, duke me riperterire fizikisht e shpirterisht.

Mengjeseve bridhja me kanoe pergjate bregut, duke zbuluar gjire te vogla e shkembej me forma e trajta lloj-llojeshe, ndersa pasditet i shijoja i shtrire ne shezllon, ne qetesine e trazuar vetem nga perplasja e dallgeve. Ne sfond kisha vazhdimisht syprinen e ujerave te detit, te mberthyera ne kornizen e tre koordinatave: Karaburunit, Sazanit dhe gadishullit te vogel mbi te cilin qendron Pylli i Sodes.

Prej nga ku ndodhesha une dhe miqte e mi, ne fare pak kohe mund te mberrije ne te pakten 3-4 destinacione te tjera, qe ne shkallen e nivelit te ofertes une vete do ti percaktoja nga te pasura deri ne superlative.

Keshtu, ne pak minuta mberrije ne qytet, rrugeve e dyqaneve te se cilit mund te kalosh pa frike ore te kendshme apo gjithesesi te frytshme.

Ne drejtim te kundert mund ti ngjitesh Llogarase, apo te vizitosh Orikumin.

Ndersa pak me larg Vlores, permes Pyllit te bukur te Sodes mberrin ne nje destinacion fantastik e sugjestionues si Zverneci.

Po aty prane, po dite si te vertitesh, mund te shijosh nje nga gatimet tradicionale me superlative te te gjithe Shqiperise, ne Narte.

U zgjata ne kete pershkrim pasi dua te dal diku.

Tani, mesa di une dhe mendoj se ketu nuk gabohem, Vlora eshte goxha prane Tiranes e Durresit, dy metropoleve me te medha e te levizshme te vendit; gjithesesi padiskutim mjaftueshem afer per te bere te mundur turizmin e fundjaves nga fillimi i pranveres deri ne vjeshten e vone nga keto dy destinacione.

E thene kjo me pelqen edhe te kujtoj se Vlora eshte nje qytet me me pak se 100 mije banore (gjithe-gjithe).

Tani, me nje te rene te thjeshte te lapsit, mua me duket se vija bregdetare e Vlores, qyteti i Vlores dhe prapatoka e gjirit ne teresine e saj jane mese te mjaftueshme per te ndertuar nje numer te atille hotelesh e infrastrukturash te tjera te industrise se turizmit, sa per te garantuar punesimin dhe begatine e te 100 mije vlonjateve per sot e per neser!!

Me taksat e vjela nga kjo veprimtari mund te ndertohen e te mirembahen mire e bukur infrastrukturat publike duke ndertuar keshtu nje cikel virtuoz zhvillimi te mbeshtetshem.

Me pak fjale, Vlora dhe gjiri i saj jane nje vend i bekuar nga Zoti, banoret e te cilit kane mundesine te jetojne ne lluksin e nje mjedisi te shendetshem qe ju garanton njekohesisht pasurim e begati.

Ne kete kontekst me duket cmenduri totale qe fiks ne kete mjedis qeveria e vendit tim te planifikoje, po i rreshtoj:

1. Tecin e Petroliferes ne Pyllin e Sodes (qe do dhjesi me gjithesej pyllin vete, plazhet e bukura, Zvernecin e Narten)

2. Terminalin e Ambos ne portin e Vlores (efektet e te cilit mbi turizmin po ja le imagjinates suaj)

3. 300 mullinjte me ere te Moncades qe do ta bejne shpinen e Karaburunit te duket si nen kuren e akupunktures (dhe kushedi c'pamje e bukur do te jete nga maja e Llogarase...)

Keshtu pra, do ti ruaj si shume te vyera kujtimet e kesaj vere, pasi, sipas te gjitha gjasave, vitin qe vjen Vloren do te duhet ta fshij nga lista e destinacioneve te mia, pasi nuk kam nder mend te vozis me fytyre nga oxhaqet e petroliferes dhe shpine nga mullinjte e moncades.