Tuesday, December 16, 2008

Në prehërin e Berishës

Shkrimin paraardhës të Korrierit (paragrafi i fundit i të cilit mbeti i këputur në mes për një gabim teknik të faqosjes) e kam mbaruar duke shkruar se përgjegjësia për rrugën e mbrapshtë që ka marrë vendi nuk mund t'i lihet vetëm shoferit Berisha. Sepse, vërtet struktura e tij karakteriale e shtyn të mos pranojë t'i flasë njeri në autobuz, duke e bërë përgjegjësin kryesor për mungesë bashkëpunimi e dialogu, por kjo nuk i lehtëson nga përgjegjësia ata ndihmës të tij të cilët, sa për strukturë të tyre karakteriale e të marrëdhënieve tona hierarkike, aq edhe për kalkulime meskine s'marrin guximin t'i flasin. I premtova lexuesit se për këta "skuthër të politikës", do të shkruaja më vete. Po rrekem ta bëj këtë më poshtë.
Partia Demokratike erdhi në pushtet kryesisht në sajë të tre faktorëve: Së pari, në sajë të korrupsionit galopant e të padurueshëm të socialistëve, denoncimin dhe ndëshkimin e të cilit e bëri lejtmotiv të veprimit të saj opozitar të viteve të fundit. Së dyti, në sajë të thithjes së të rinjve, në rradhët e saj që u paraqitën me një emër shumë premtues: Komiteti i Orientimit të Politikave. Së treti, në sajë të tërheqjes pranë PD të shumë figurave që ishin larguar për shkak të nëpërkëmbjes së personalitetit të tyre apo pse nuk pranuan të ndanin gjer në fund rrugën e Berishës të viteve 1992- 1997. Tema e këtij shkrimi ka të bëjë me dy faktorët e fundit.
Me të rinjtë e KOP-it Berisha dha imazhin e një pastërtie morale më të madhe, të profesionalizmit më të lartë si dhe të energjisë rinovuese të partisë. Me të rithirrurit në parti ai dha imazhin e një lideri që nuk kërkonte më pushtet absolut, si më parë, por që ishte edhe tolerant ndaj kundërshtarëve. Pra, se nuk do të shihnim më skenat e viteve të para të pushteti të tij kur kundërshtarët përjashtoheshin me fishkëllima nga PD-ja. Me të dy palët sëbashku ai ndryshoi një imazh të përhapur në opinion për partinë e sij, sipas të cilit ajo përbëhej prej militantësh më të varfër intelektualisht e më të paaftë sesa militantët e PS e se, pushteti absolut i Berishës në PD, i dedikohej jo pak edhe kësaj "syverbësie" të militantëve të PD-së. Përfaqësuesi më i spikatur i të rinjve u bë Lulzim Basha, por, krahas tij, mund të përmenden edhe Bregu, Bumçi etj.. Ndër të përjashtuarit apo të larguarit e rithirrur përfaqësues më të spikatur qenë figura si Imami, Ruli, Pollo, Zogaj, Xhaferri etj.
Në përgjithësi, mendohej se profesionalizmi i bashkuar me një personalitet më të spikatur do të sillte aftësi më të mëdha jo vetëm menaxhuese, por edhe vetkorrigjuese të PD-së dhe të Berishës vetë. Mirëpo kanë kaluar pak më shumë se tre vjet dhe çfarë mund të themi lidhur me këto premtime rinovuese të PD-së? Ato janë një zhgënjim në të gjitha aspektet e sipërpërmendura. Në thelbin e vet zhgënjimi konsiston në paaftësinë/pafuqinë e të gjithë këtyre figurave për të ngritur qoftë edhe një herë të vetme zërin ndaj gjërave që i mendojnë ndryshe, për të korrigjuar pra trajektoren e PD që po shkon nga gabimi në gabim, gjithë duke lënë përshtypjebn se përgjegjësinë për çdo gjë e mban Sali Berisha, përballë të cilit ata shfaqen gjithnjë e më të zhveshur nga fuqitë, por edhe nga përgjegjësitë.
Është e vertetë se nuk kemi më skena përjashtimi me fishkëllima nga PD-ja; është po ashtu e vërtetë se në krahasim me vitet e herës së parë në pushtet Berisha është shfaqur shumë më i duruar ndaj kundërshtarësh gjithsesi shumë të pakët, por është po aq e vërtetë se zërat kundërshtues janë thuajse krejtësisht të fikur dhe krejtësisht të izoluar, prandaj nuk e dimë se nga vjen kjo tolerancë, nga Berisha apo nga konformizmi pa kufi i shumicës dërrmuese të zotërinjve deputetë e anëtarë të PD. Sot për sot dimë se një zë që u ngrit për të kritikuar dhe kërkuar llogari për premtimet, ai i një prej njerëzve më të afërt të Berishës, gazetarit Mero Baze, u skualifikua duke u bërë një shembull kuptimplotë për të karakterizuar edhe guximin e të tjerëve rreth tij. Besnik Mustafai u largua pa deklaruar në publik shkaqet më të thella të mosmarrëveshjeve me Berishën, Ngjela dhe deputeti Bakalli duken krejtësisht të izoluar nga PD. Flitet për një grup të presidentit Topi, por deri tani nuk ka asnjë artikulim politik që të lidhet me kritika për çështje që i interesojnë gjithë publikut.
Po a ka pasur dhe a ka gjëra për të kundërshtuar? Shpejt e shpejt mund të rendisja ato kryesoret që, në thelb, janë në kundërshtim me programin e premtuar të PD-së edhe nga këta zotërinj që u shpërndanë gjithandej vendit në fushatën elektorale: mosmbajtja, pas marrjes së pushtetit, e premtimit të dënimit të korrupsionit të kryer nga ish mazhoranca përkundrazi shenja të qarta të bashkëpunimit me interesa korruptive (pra kapja e sistemit në vend të luftimit të tij); prirja e bërë tashmë krejtësisht e dukshme për t'i kapur dhe nënshtruar institucionet që duhet të jenë garanci e kontrollit të abuzimit me pushtetin, shnderrimi i premtimit për Shqipëri turistike në projekt për park energjitik të Italianëve me pasoja katastrofike për ambjentin, skandale të tilla si Gërdeci, çështja Fazlliç, rruga Durrës - Kukës që tregojnë qartazi se në vendimarrje vazhdon të mos sundojë ligji dhe insitucionet, por lidhjet e shkurtra korruptive politikë - biznes. Për të gjitha këto, dhe për të tjera, nuk kemi parë asnjë lloj debati apo kërkese për sqarim e jo më kundërshtim brenda PD. A është e vërtetë se të gjithë këta zotërinj rrotull shoferit mendojnë njëlloj me Berishën, se nuk kanë dyshimet e tyre apo pakënaqësitë për rrugën që ka marrë shoferi? Absolutisht jo. Problemi është se një pjesë nuk guxojnë të shprehin qoftë edhe një mendim kundër, kurse të tjerë, edhe më keq, as nuk guxojnë të mendojnë më me kokën e tyre, por kanë zgjedhur ta lenë bosh trurin në mënyrë që ta mbushin me idetë e ndryshme të liderit. Thënë më troç njerëz si Imami, Ruli, Pollo, Zogaj etj. sot nuk kanë më ambiciet që kishin dikur: të thonin edhe ata fjalën e tyre në pritje të një simpatie dhe mbështetjeje të opinionit publik. Ata e shohin politikën si punësimin e vetëm të mundshëm për të siguruar jetën dhe kaq. Me fjalë të tjera nëse kanë treguar ndonjëherë ndonjë fije ndjenje rebelimi ndaj padrejtësive apo gjërave që i mendojnë ndryshe, sot i janë nënshtruar totalisht rregullave të lojës të imponuara nga më të fuqishmit se ata. Sigurisht, bashkë me këtë, për një pjesë, nuk mund të mos përmendim edhe përfitimet "e vogla" korruptive që kanë nga ndarja e sofrës, të cilat shërbejnë jo pak për tu mbyllur edhe gojën. Por ata të KOP-it, sipas meje, janë një zhgënjim edhe më i madh. Sepse, ndërsa për të parët mund të thuhet se e kanë jetuar gjithsesi një moment rebelimi dhe tani dallgët e ashpra të politikës shqiptare i kanë lodhur, për këta të rinj mund të thuhet se as nuk u shkon ndërmend një "aventurë" e tillë. Në fakt, nga të rinjtë pritet të kenë më shumë ideale, më shumë ambicie dhe më shumë kurajo për të sakrifikuar në emër të tyre, prandaj dhe më pak konformizëm. Një i ri mund të ketë më shumë guxim dhe shpresë për të formuar një parti të re, apo për të dalë jashtë një grupimi që po shkon drejt të keqes e të nisë një punë tjetër. Të gjitha këto mund t'i shumëzojmë pa frikë me zero. Shembulli më dëshprues ishte ai i Lulzim Bashës që duket qartë se, me mënyrën se si ka vepruar me çështjen për të cilën e kanë akuzuar, rrugën Durrës - Kukës, dhe me mënyrën se si po vepron për t'u mbrojtur nga akuzat, tregon se është strehuar tërësisht në politikën e njohur tradicionale të bashkëpunimit në grup për kapjen e pushtetit e mbajtjen e tij me forcë duke nëpërkëmbur ligjin e institucionet dhe të mbulimit të të gjitha këtyre abuzimeve me një retorikë nacionaliste. Dhe të mos harrojmë se ky njeri, kaq i ri, kur hyri në politikë kishte një pasuri të deklaruar që do t'ia kishin zili jo vetëm mbi 95% e shqiptarëve, por edhe një përqindje shumë e madhe e perëndimorëve që kanë punuar një jetë të tërë dhe nuk e kanë atë. Dua të them me këtë, se e kishte më të lehtë largimin se disa që të thonë: "s'kam ç'bëj, dua të ushqej kalamajtë".
Montenji thotë: "duhet të dish se sa më lart të ngrihesh aq më shumë je i ulur mbi bythën tënde". Kurse këta zotërinj sa më lart ngrihen aq më shumë zëne vend në prehërin e Berishës.
Duke patur parasysh se edhe në rreshtin e majtë të autobuzit, me në krye pretendentin për shofer Edi Rama, gjendja është pothuajse simetrike, shembulli i këtyre zotërinjve është tejet dëshpërues dhe flet për një gjendje degraduese të demokracisë në vend. (Korrieri, 14 dhjetor 2008)


6 comments:

Anonymous said...

Te uroj per shkrimin z.Lubonja!
Je nje pasqyre reale dhe kritike e realitetit politik ne Shqiperi.
Do doja te kisha mundesi te degjoja dhe me teper zera te tille kritike ndaj cdo devijimi demokratik qe ndodh ne jeten politike, sociale dhe ne vlerat tona.

Anonymous said...

Jam dakort me ju z.LUBONJA.E keqja me e madhe e ketij kombi eshte se edhe politikanet e rinje po na dalin me keqe se sala me shoke.Une e shoh gjendjen shume te veshtire ,ne pergjithsi te rinjte jane ne rruge te gabuar, shpresojme sepse ajo eshte e fundit qe vdes.

Anonymous said...

Zoti Lubonja !
Ne shkrimet e tua kam vene re nje analize te shkelqyer te situates se deshperuar ne te cilen ndodhet vendi yne mirepo cila do te ishte zgjidhja ? Pergjigje teotike mund te japim sa te dush por a mund ti konkretizonme ne vepra? Deshira e mire nuk mjafton duhen organizime konkrete.Me bashkime virtuale online njei ne amerike e tjetri ne Itali apo diku gjetke neper bote kesaj kalbesire qe na ka kapluar i rruajme vetem bishtin. duhet organizim i mirefillte por ne rradhe te pare duhen ideale dhe idealiste , njerez qe e shohin politiken si hedhje dhe perzgjedhje ideshe per te miren e njerezve dhe jo si grumbullim çakenjsh per interesa miskine. Ketij populli po i vritet shpresa .Sa breza u dogjen nen diktature dhe sa do te vazhdojne te digjen ne kete zullumhane qe vetem demokraci nuk mund te quhet?!Keti vendi i mungojne intelektualet e vertete e cila jane palca kurrizore apo ndergjegja e vendit.Pjesen derrmuese e shojti Enver sketerra ndersa filizat e rinj po i djeg e po ja merr frymen ky moçal.Nuk e di nese ju ka rene ne dore Libri i Ervin Hatibit "Republic of Albanania". Ai eshte nje intelektual i vertete dhe nga te paktit qe i sherben me dinjitet ketij vendi.Tek ky i ri bashkemoshataret e tij duhet te gjejne shembullin dhe jo tek Sanco Pancot si Erjon Veliaj dhe kompani qe per dy para ja shesin shpitin djallit.Mund te kesh mbaruar mastera dhe doktoratura pa hesap por nuk vlejne kur vihen ne pune per qelime te mbrapshta .per te vjedhur e per te shitur si ky gjaku i ri i Sali Gerdecit. Personalisht une vazhdoj masterin ne Universitetin e Torinos Rastesisht ne nje faqe interneti pashe qe qeveria ne bashkepunim me UNDP-ne kishte bere nje thirrje per grumbullimin e trurit. E si valle mund ta thithin ata trurin e te rinjve shqipetare kur i kane vrare shpresen ?! Kur nese vjen ne vendin tend rezikohesh te ngelesh edhe pa pune per shkak te nje bindjeje te caktuar ose thjeshte se nuk denjon te perlyhesh me llumin? Nje shoku im i ngushte punon si pedagog prane nje universiteti dhe ju betohem se prej dhjetevjetesh pune aty nuk ka marre as edhe nje qindarke si korrupsion prej studenteve. Ndersa koleget e tij shkojne ne pune me Mercedes ai nuk ka as biciklete,e nese te tjeret mbajne iPHONE dhe Palmarer ai celurarit nuk ja di aj formen.E pra ky eshte nje njeri i ndershem por qe te tjeret e perbuzin pasi nuk do te korruptohet. Une nuk dua te vij ne Shqiperi e te perfundoj pa dinjitet nga nje klase politike qe si vlere ka korrupsionin dhe zhvatjen.Ky popul ka metevertete nevoje per nje ringjallje shpirterore dhe morale ku ju( Lubonja,Hatibi,etj)si intelektuale te vertete te beheni gurute jo dhjesht virtuale por edhe fizike te ketij vendi ne buze te gremines.
Tashme deshiroj ta mbyll kete koment me nje fakt shume interesant nga historia e amerikes ku cdo aktivist politik apo reformator shoqeror nuk i ndante per asnje çast te diskutimeve te tij publike mesazhet Biblike.

Nolian Seitaj vazhdon studimet per master ne studime Amerikane prane universitetit te Torinos Itali.

Armanda said...

Nolian,
Keto qe thote Z. Lubonja, keto qe thoni ju, e disa gjera qe i kam thene edhe vete ne dy komente shkrimesh te meparshme te z. Lubonja, duken ne harmoni me njera tjetren. Atehere qe te mos humbim me kohe, une vete jam dakord me propozimin tuaj qe duhet nje organizim idealistesh, porse vete mundem vetem qe te rreshtohem per momentin e jo te organizoj. Nuk kam asnje cilesi "lideri" fatkeqesisht, jam femer-cka ne shqiperi do te thote se duhet te jesh dyfish me e afte se meshkujt per te arritur gjysmen e atyre gjerave qe meshkujt arrijne, jam me familje e disa femije, jam ne nje pune te cilen per shkak te "bukes se femijeve" nuk mund te rrezikoj me shume se c'kam rrezikuar per ta humbur, jam e dobet financiarish, me mungon "karizma" e per momentin edhe oratoria. Por ide e kontribute te ndryshme "te padukshme" po qe mundem dhe dua te jap.
Pershendetje,
Armanda Kodra Hysa
Etnologe Ish-IKP
Tirane, akodrahysa@gmail.com

Anonymous said...

Ne (te pakten) nje shkrim te meparshem te tijin mendoj se Lubonja e ka shprehur mendimin e tij per zgjidhjen e mundshme: ai tregon si te tille arsimimin (behu i ditur te jesh i lire).

Une personalisht jam gjithashtu i ketij mendimi.

Rritja e nivelit te arsimimit (te dijes) te shoqerise sone, ne cilesi dhe ne vellim, do te sjelle patjeter me vete ndryshime rrenjesore edhe ne strukturat dhe mendesite drejtuese te vendit.

Mendoj se eshte utopike te presesh qe klasa politike te jete shume me e mire sesa mesatarja e shoqerise qe perfaqeson. Ajo, mendoj une, pasqyron me besnikeri shoqerine se ciles i perket.

Per te marre nje shembull te pervetshem, qe eshte sjelle me lart. Perse duhet te presim qe Velia te jete shume me i mire sesa mesatarja e bashkemoshatareve te tij dhe te sillet shume me ndryshe nga ata?

Po keshtu edhe Berisha, fjala qe bie. Cili eshte niveli mesatar i botekuptimit dhe i sjelljes se bashkemoshatareve te tij?

Bashkohu sa te duash pra, me idealiste e me the e te thashe, dac online e dac offline. Nuk ma ha mendja se do te arrihet ndonje ndryshim thelbesor. Pasi politika eshte arti i gjetjes dhe ruajtjes se ekuilibrave mes interesave egzistuese (jo prodhuese e tyre, athere kur nuk egzistojne, per t'ja pershtatur realitetin nje ideje teorike).

Ta kam fjalen, nese, ta zeme, qytetaret e Vlores nuk jane te ndergjegjshem per demet qe do t'ju shkaktoje atyre individualisht, si familje e si shoqeri e marre ne teresine e saj ndertimi i disa veprave energjitike, bej politike mjedisore sa te duash (ne formen p.sh. e shoqatave/organizimeve/protestave mjedisore), rezultati do te jete 0. Sa vlonjate ta ha mendja do te votonin per Partine e Gjelber te Vlores, ne krahasim me ata qe do te votonin per PD/PS-ne?

Anonymous said...

I respektuar komentues i fundit.
Me duket se komentim tim dhe mbeshtetjen qe jep Armanda nuk e keni kuptuar edhe aq mire . Kriza qe ka kapluar shoqerine tone eshte morale dhe jo profesionale sic kam thene dhe me siper arsimi profesionalizmi masterat dhe doktoraturat nuk hyjne ne pune nese keqperdoren. Gjyshi im ndjese paste me thoshte gjithnje se me te ditur e me te mençur ne faqen e dheut se shejtani nuk ka por laneti ka perfunduar ne xhehenem se ate qe di e perdor per keq. Pra nga kjo aforizme e gjyshit tim te njdere dua te them se Shqiperise nuk i mungojne njerzit e pergatitur intelektualisht dhe profesionalisht mirepo ata qe kane skrupull e namuz rrine te tkurrur e nuk gjejne forcen tja perveshin turinjve ketyre hijenave. Si Amerikanist qe pretendoj te jem po te sjell nje argument ala amerikan . Po mar dy shembuj Edward Said-in dhe Bernard Lewis-in. Qe te dy intelektuale te mirenjohur per sa i perket kontributit ne shkencat humane te shekullit qe kemi lene pas. I pari syresh eshte thellesisht shkencor i pa anshem dhe autor i nje sere veprash te qenesishme midis te cilave "Orientalizmi" dhe "Intelektualet dhe Pushteti" e gjithe jeten e tij e ka kaluar prane studenteve.Ndersa i dyti i ka sherbyer politikes imperialiste Amerikane dhe tere jeten e ka kaluar prane Departamentit te Shtetit i perkedhelur . Mes ketyre dy figurave egziston(ose me mire egzistonte pasi Said-i ka nderruar jete)nje debat i hapur publik mbi çeshtjet e kultures,imperializmit,identitetit etj qe fatkeqsisht Pirro Misha dhe shtepia e tij botuese ia kane servirur lexuesit shqiptar ne menyre te njeanshme(turp).Pra qe te dy te ditur qe te dy te njohur por ai i moralshmi margjinalizohet ndersa servili sherbetor perkedhelet. Tani besoj se jam me i qarte. Me respekt Noliani