Tuesday, December 30, 2008

Shpresë!

Përpara se të ulesha të shkruaja këtë shkrim të fundit të vitit po më brente mendimi se i jam angazhuar vetes dhe lexuesit që në shkrimin e fundit të vitit nuk do të merrem me politikën dhe politikanët, por me një temë që nuk ka të bëjë me ta. Mirëpo edhe ky mendim, që mban gjithsesi vulën e kushtëzimit nga politika, sikur më futi në mendime politike. Në mendimet se përse në vendin tonë jemi kaq të uzurpuar nga politika e aktorët e saj saqë nuk gjejmë dot një qoshe ku të futemi e të ndjehemi jashtë rrezatimit të saj rraskapitës as në ditët e festave të fundvitit? Dhe kjo nuk është thjesht sëmundje profesionale e gazetarit. Sipas çka konstatoj me vite kjo është sëmundje e të gjithëve, edhe e atyre që nuk lexojnë kurrë ndonjë gazetë. Madje edhe e atyre që të thonë se nuk shohin më as lajmet nga neveria - pasi edhe neveria e tyre është e kushtëzuar nga kjo politikë. Madje, madje do të thoja se, në kategorinë e të uzurpuarve nga politika, mund të futen edhe vetë uzurpuesit, politikanët, sepse edhe mjaft syresh të thonë, në momente sinqeriteti, se i kanë hyrë një valleje nga e cila nuk dalin dot.
Shkaqet e këtij uzurpimi janë të shumta. Besoj se, nëse do t'i reshtonim, do të vinim në themel të tyre trashëgiminë e politikës së shtetit totalitar, që na bënte të varur tek ajo në gjithshka, që na përcaktonte punën, ekonominë, gëzimet dhe hidhërimet. Shteti totalitar kishte, për këtë, edhe një ideologji zyrtare që e trajtonte edhe si shkencë edhe si fe, të cilën na e impononte njëherësh si instrumentin e vetëm për të kuptuar të vërtetat e kësaj bote dhe si besimin e vetëm fetar. Na duhej, pra, të jetonim me klerikët e saj (politikanë e intelektualë me në krye udhëheqësin e madh e të pagabueshëm) edhe fizikisht, edhe intelektualisht edhe shpirtërisht, edhe ditët e javës edhe të djelën. Shkurt shteti totalitar ishte vetë jeta jonë, ne ishim në një gjendje pafuqie përballë tij, sepse, paradoksalisht, ishim qeliza të trupit të tij.
Sipas gjykimit tim gjithshka përjetojmë sot është vazhdimësi - dekompozuese do të thoja - e atij lloj përbindëshi, e asaj lloj politike e politikanësh, e asaj lloj kulture, e asaj lloj elite. Varësia e jetës sonë nga politika dhe njëherësh pafuqia ndaj saj, që janë evidente edhe sot, e kanë burimin në ripërsëritjen e modeleve të politikës dhe politikanëve të atij regjimi e të kulturës që rrrezatojnë intelektualët në shërbim të tij. Personalisht konsideroj veten ndër ata që tërë jetën e ka parë në papajtueshmëri me këtë lloj shteti, me kësi lloj plitikanësh e me këtë varësi poshtëruese nga pushteti i tyre. E kam parë veten në përpjekjen, herë të dëshpëruar herë më shpresëdhënëse për ta ndryshuar në mos, të paktën, për t'i rezistuar statukuosë që ata kanë vendosur. E, në ditë si këto, kur lihet një vit e hyet në një tjetër, nuk ka se si të mos ndalesh e të bësh një bilanc. Nuk flas dot në emër të të gjithëve, por besoj se ndaj mendimin e një shumice njerëzish të vullnetit të mirë kur them se vitet po kalojnë dhe, me dëshpërim, vërej se mund ta konsideroj veten një humbës. Humbës përpara virulencës së pareshtur të asaj që e konsideroj të keqen më të madhe: "injoranca në veprim". Sepse tek ajo, injoranca në veprim, gjej edhe shkakun e egërsisë njerëzore, të babëzisë, të fanatizmit dritëshkurtër, të padrejtësisë, të pandëshkueshmërisë së të keqes, të hipokrizisë, të kulturës së rrenës e manipulimit, të prirjeve fashistoide e me rradhë, që po e mbajnë shoqërinë tonë në gjendjen e dekompozimit të së djeshmes, në vazhdimësinë e triumfit të së keqes. Ajo që nuk e them dot me siguri është shkalla e humbjes, nëse ajo është totale apo nëse dominimi në jetën tonë i të keqes - për këtë dominim nuk kam dyshim - nuk na le të shohim rrezet e dritës që paralajmërojnë agimin. E, kur them agimin, nuk kam parasysh eliminimin e së keqes, sepse nuk jam aq naiv sa të besoj se e mira dhe e keqja do të ndahen ndonjë ditë. E di mirë se ato do të bashkëjetojnë gjithnjë në këtë botë. Por kam parasysh fillimin e një dinamike kur e mira të shënojë edhe ajo fitoret e saj dhe jo të shënojë çdo ditë humbje. Në fakt, është e vështirë ta gjesh mënyrën e matjes së shkallës së humbjes. Nganjëherë këtë matje e kërkoj duke kërkuar me kandil në mes të ditës të rinjtë. Dhe kur shoh se sa shumë mungojnë të rinjtë që të dalin në skenë me tjetër kulturë, me tjetër peshë dhe fuqi, me tjetër personalitet, me refuzim ndaj pushtetit të të padrejtëve nuk ka se si të mos ndjej edhe më fort humbjen. Mjafton të shihje se çfarë bëri rinia në Greqi muajin e fundit për të parë diferencën e për të rënë në dëshpërim. Atëhere i kthehem një matësi tjetër ndoshta më i mirë: shpresës. A ka shpresë apo nuk ka? Sa shpresë ka? Është një pyetje që e dëgjoj shpesh. Dëgjoj shpesh edhe përgjigjen e saj, nganjëherë nga po ata që bëjnë pyetjen. Janë të shumtë bashkëqytetarët që, duke të parë aktiv në debate e shtypin e shkruar, të thonë: lodhesh kot, këtu nuk ka shpresë. E kur thonë shpresë është e qartë se nënkuptojnë shpresën se e mira do të fitojë mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë, dija mbi injorancën, rendi mbi kaosin, puna mbi vjedhjen, njeriu i ndershëm mbi mafjozin, arësyeja mbi dhunën, e vërteta mbi gënjeshtrën. Personalisht, përsa i përket shpresës dhe angazhimit e gjej vetën tek Jean Paul Sartri kur thotë se "gjithnjë e më shumë mendoj - sot e mendoj në mënyrë absolute - se një karakteristikë thelbësore e veprimit njerëzor … është shpresa. Shpresa nënkupton se unë nuk mund të ndërmarr asnjë veprim pa llogaritur se do ta realizoj atë. Sipas meje … kjo shpresë nuk është një iluzion lirik, ajo është në vetë natyrën e veprimit … tek shpresa ekziston, pra, edhe një lloj domosdoshmërie. Ideja se po sfidoj nuk është tek unë, në këtë moment, themelore; përkundrazi është shpresa - si raport i njeriut me qëllimin e vet, raport që ekziston edhe nëse qëllimi nuk arrihet - ajo që nuk i shqitet asnjëherë mendimit tim."
Më kujtohet se në burgun e Spaçit në vitet më të vështira, policia ndëshkonte me izolim në qeli ata të burgosur të cilëve u gjente ndonjë bllok me fjalë të huaja që tregonte se ai mësonte gjuhë të tilla si anglisht, italisht apo frëngjisht. Ishte një ndëshkim që synonte të vriste bash shpresën. Ti shpreson se do të vijë një ditë kur do të dalësh prej këtej e do të të duhen gjuhët e huaja. Pra shpreson se do të rrëzohet ky pushtet dhe ti do të bëhesh ndonjë ambasador - dukej sikur mendonte gardiani - shko pra ngordh në birucë që të mos guxosh më të shpresosh gjëra të tilla, që ta ngulitësh mirë në mendje se, tërë jetën, do të punosh si skllav për ne. Ishte një akt shpresëvrasës, që, në të vërtetë, ka vrarë jo pak shpresa. Kush mendon se shpresa nuk vdes kurrë gabohet. Shpresa edhe vritet. Kur njeriu nuk e ndërmerr më një veprim, pasi nuk beson se do ta realizojë, kemi të bëjmë me një vrasje shprese. Dhe ne kemi patur fatin e keq të jetojmë në regjime shpresëvrasës në masë.
Që ai i djeshmi ishte një regjim shpresëvrasës mund të bien dakort shumë, por pse ky i sotmi? Sepse edhe pushteti i sotëm ka të njëjtën prirje të regjimit nacional - komunist shqiptar: t'u thotë njerëzve se jeta juaj nuk është në dorën tuaj, por në duart tona; se ne jemi ata që mund t'ju sjellin gëzimin apo hidhërimin, mirëqënien apo varfërimin, lëvizjen e lirë apo lëvizjen e ngujuar, t'ju ndëshkojnë apo t'ju ruajnë nga ndëshikimi, t'ju lartësojnë apo t'ju ulin poshtë, t'ju tregojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën. Sepse pushtatarët e sotëm na vjedhin, na shkatërrojnë vendin për përfitimet e tyre, duke na poshtëruar kështu përditë, dhe ne nuk kemi mundësi të gjejmë drejtësi, as t'i ndëshkojmë për krimet e tyre. Sepse, ashtu si horrat e djeshëm edhe këta të sotmit, i mbulojnë të pabërat e tyre me fjalë të mëdha për atdheun e të ardhmen e tij të ndritur. Sepse, ashtu sikurse regjimi i djeshëm i komprometonte njerëzit me njëmijë mënyra edhe ky i sotmi e ka bërë thuajse të pamundur jetën me nder dhe dinjitet. Sepse edhe ky regjim përballë inteligjencës, dijes dhe mendimit kritik preferon arrogancën, padijen dhe servilizmin. Sepse edhe ky regjim, tek e fundit, pra, synon o të na bëjë qelizën e pafuqishme të trupit të tij të sëmurë, ose të na flakë jashtë.
A është vallë e vërtetë se, kur terri është më i madh, mund të shihen edhe më mirë yjet, sikurse thuhet. Dyshoj se është më e drejtë të thuhet se, kur jemi të zhytur në gjiriz, është më e vështirë të mund të shihen prej andej yjet. Por gjithsesi yjet e shpresës vështirë se shuhen ndonjëherë. Të shpresës, jo si një "iluzion lirik", por si një dimension i yni i brendshëm që na mban në jetë, që na bën të ruajmë e kultivojmë vlerat e idealet, paçka se mund të mos i realizojmë kurrë, të shpresës që mund të na bashkojë nesër në emër të këtyre idealeve e të na nxise veprimin për të kërkur një jetë më të mirë. Prandaj, në këtë fund viti të errët 2008, që paralajmëron një vit edhe më të errët, urimi im për të gjithë ata që ende nuk e kanë humbur shpresën janë fjalët e një vajze gjermano holladeze që shkruante më 15 korrik 1944: "Është një mrekulli e madhe që unë nuk i kam humbur të gjitha shpresat e mija, megjithëse ato duken aq absurde dhe të parealizueshme. Pavarësisht nga gjithë çfarë ka ndodhur, i ruaj ende ato, sepse vazhdoj të besoj tek mirësia e brendëshme e njeriut. E kam të pamundur të ndërtoj gjithshka mbi vdekjen, mjerimin dhe konfuzionin. E shoh botën të shndrrohet pak nga pak në një shkretëtirë, e dëgjoj gjithnjë e më të fortë zhurmën e makinës që do të na vrasë edhe ne, marr pjesë në vuajtjen e miliona njerëzve e, megjithatë, kur shoh qiellin, mendoj se gjithshka do të kthehet përsëri drejt të mirës, se edhe kjo egërsi e pamëshirëshme do të rreshtë, se do të rikthehet rregulli, paqja dhe mendjekthjellësia. E, ndërkaq, më duhet të ruaj të paprekur idealet e mija; ndoshta do të vijë një kohë kur do të jenë të realizueshme." (Korrieri, 29 dhjetor 2008)

6 comments:

Endri said...

I nderuar z. Lubonja,

analiza e shkurter e vitit qe shkoi dhe mesazhi juaj i shpreses per vitin e ardhshem duhet te jete nje shtyse qe mbase te filloni nje analize vetekritike e te mendoni se ku keni gabuar ju apo njerezit me te cilet ju ndani vlera e ideale qe shqiptaret sot kane nje elite aq pa vizion dhe struktura drejtuese aq te paafta e te korruptuara. Duhet te beni nje veteanalize se ku po gaboni ju dhe njerez si ju qe paaftesia e korrupsioni tek strukturat drejtuese shqiptare jo vetem jane aktualisht vlerat mbizoteruese e identifikuese por arrijne te rigjenerohen pertej zevendesimeve te brezave.

Ne vazhden e pergjegjesive te shoqerise shqiptare ne pergjithesi mendoj se nje veteanalize e tille (mbase publike) eshte e domosdoshme duke patur parasysh qe tek shoqeria e prapambetur shqiptare barra e pergjegjesise per ndryshime progresiste bie kryesisht mbi teknokratet/intelektualet/elitat. Kjo pasi ju dhe njerez si ju keni pergjegjesi shume here me te madhe ne krahasim me nje fshatar te thjeshte nga Tropoja, Tepelena, Burreli, Tirana etj.

Ne Shqiperi aktualisht teknokratet e intelektualet nuk duhet e nuk mund ta kene luksin ti kushtohen teresisht vetem profesionit te vet duke harruar se pertej lumturise se tyre profesionale po ngrihet nje sistem qe do te rendoje mbi femijet e niperit/mbesat e tyre.

Historikisht ne Shqiperi njerezve profesionalisht shume te afte e me vlera solide u eshte dashur te sakrifikojne nga koha e zhvillimit te pasionit te tyre profesional e te ndyejne duart batakeve te politikes shqiptare (Noli, Fishta, Konica, etj etj). Dhe jam i bindur se kete ata njerez nuk e kane bere sepse kane patur ndonje shtyse te madhe per ekzibicionizem por nga vetedija se atyre ju duhet te sakrifikojne kohen e nervat e tyre per te ndertuar nje shoqeri te denje. E pa kete sakrifice te tyren strukturat drejtuese e pushtetmbajtese mbushen nga njerez te semure per pushtet, oportuniste etj.

Duhet te keni parasysh qe forca terheqese e strukturave pushtetmbajtese per oportunistet e ekzibicionistet eshte gjithandej shume e madhe. Ky fenomen pra nuk eshte vetem fenomen shqiptar por eshte universal ne cdo shoqeri. Megjithate tek shoqerite qe juve ju sherbejne si model themelet e sistemeve jane vene nga njerez idealiste qe kane sakrifikuar pasionet e tyre private. E jane ato themele, ato korniza qe lejojne funksionimin normal te strukturave drejtuese ne perendim megjithese oportunizmi i lojetareve nuk mungon edhe aty.

Pikerisht terheqja e teknokrateve dhe intelektualeve shqiptare ne sferen private apo ne profesionet e tyre eshte gabimi per te mos thene faji i madh i tyre. Kjo pasi ne jetojme ne nje kohe kur po ngrihen themelet e sistemit te ardhshem dhe ne kohera te tilla intelektualet e teknokratet duhet te marrin pergjegjesi shoqerore nese i pelqen apo jo. Heshtja e pasiviteti i shume intelektualeve e teknokrateve si refleks mbijetese i trasheguar nga periudha e komunizmit nuk jane me te justifikueshme por jane mekat per te cilin ata do te duhet te pergjigjen para femijve te tyre. Pasiviteti po i ben ata dalengadale e indirekt ne mbeshtetes te gjendjes aktuale, ne vegla te heshtura te status-quo-se se padurueshme ekzistuese.

Megjithese ju keni qene shume aktiv nepermjet shkrimesh e nepermjet daljesh publike mbase per vitin tjeter mund te mos kufizoheni vetem tek analizat shkrimet e publikimet por edhe tek mbeshtja aktive apo organizimet e grupeve te reja sfiduese ndaj status quo-se. Mbase duhet te filloni nje vetekritike objekti kryesor i te cilit te jeni ju dhe teknokratet e intelektualet e paperlyer. Mbase vetem kjo do te mjaftonte per ti shkundur, per t'ua u bere te qarte qe jane vetefajtore qe pleqerine do ta kalojne larg femijve te tyre(te degdisur ne perendim). Pse? Sepse fatkeqsisht puna e deritanishme juaj dhe e njerezve si ju nuk mjafton. Sepse nese nuk i merrni disa pergjegjesi ju e njerez te ngjashem me ju atehere detyra e drejtimit te vendit bie pashmangmerisht tek Berishat, Nanot, Ramat e rinj apo te vjeter.

Me kete koment ju uroj nje vit te ri sa me te suksesshem e shpresedhenes.

Endri

Anonymous said...

Zakonisht kur bej koment e ve edhe emrin, por sot, ne nje janar 2009, dua te mbetem anonim. Jam plotesisht dakord me ju endri.

Z. Lubonja shkruan:
Sepse, ashtu sikurse regjimi i djeshëm i komprometonte njerëzit me njëmijë mënyra edhe ky i sotmi e ka bërë thuajse të pamundur jetën me nder dhe dinjitet. Sepse edhe ky regjim përballë inteligjencës, dijes dhe mendimit kritik preferon arrogancën, padijen dhe servilizmin. Sepse edhe ky regjim, tek e fundit, pra, synon o të na bëjë qelizën e pafuqishme të trupit të tij të sëmurë, ose të na flakë jashtë.

simbol i kesaj eshte heqja e Migjenit, e ketij kolosi te kritikes sociale, nga tekstet shkollore. Do te propozoja qe dikush ketu te organizoje nje nisme per rikthimin e Migjenit ne tekstet shkollore. Sepse edhe ajo pak aftesi kritike qe Migjeni brumos tek individi, tash po vritet. Nje shprese me shume e vrare.

Anonymous said...

Ndersa une(Noliani) po hesht duke lene te flase Ervin Hatibin musliman.


KUSHTUAR KALAMAJVE QE E GDHIJNE NE KEMBET E ”PESEMBEDHJETEKATESHIT”

Nates
Vezullojne si peshq jetet tona
I diktojme me avullin tek hov
Nga goja
Tek brof si gisht femije
Prej vrimes ne corap

I ftohti
Me tri pale dhemballe
Shtrengon duart e popullit si me prange
I ftohti po ashtu mpiks e zbardh
vesen e erret mbi trotuar

Naten dimerore ne qytete
Drita ka marre yjet mbi vete
Si cuna te rinj nga provinca
E i puneson
Ne shkronja tabelash me neon
Bar ”London”
Taverna “Blue Sky”,”Alfa Bank”
Hotel “Tirana International”
Shpejtesise se drites i kercen persiper
Anglisht
Pingul i ftohti si nje luzme me pinguine
Qe hidhen vrik nga kati i pesembedhjete
Me koke
dhjetra mije cope pinguine te tejdukshem
Ne ere
Qyteti bombardohet me frigorifere. Te gjithe ne prize

Ne kembe te hotelit
I fshihen qiellit
Femije pa shtepi
Veshtrojne shkronjat neper graffiti
Elektrike
Derisa syte u digjen prej asaj drite
U behen hi
E keshtu ne ate erresi/nis i merr
Gjumi i nates/e i grumbullon
Me autobusin e vet transparent
Xhamathyer/pa shofer

Mos i fol shoferit meqe s’ekziston
Nderro pozicion ne cdo stacion
Qe te mos mpihesh rrotullohu nga pak
Nga e djathta ne te majte
Si nje qengj ne hell symbyllur{sikur enderron}
Me hurin permes vetes qengji, si vija
Kur S-ne e dollarit penetron

kur isha me i vogel, shkronja g
Me ngjante me nje milingone
Pastaj s-ne shikoja qe ne fakt eshte nje dhelper
A-te jane arinj
F-ja ngjan me nje kafshe krejt tjeter
Gjirafe
Po ti ke ftohte, e vec kesaj
Nuk di as te lexosh
Mbyll syte dhe mbush koken me prushe bosh
Tabelash drite
Ku alfabeti rri nuseron
Mbi nje karrige elektrike
Ti mbeshtillesh me teper
Pas qenit qe fle
Bri dritareve te kuzhines se hotelit
Jeni mbeshtjelle
Ambalazhe per banane apo artikuj te tjere
Femije dhe prape femije!Nise te trashegosh boten
Duke u nisur nga i ftohti
Ngroh syte me reklama
Nxjerr avull nga goja dhe je femije
Nise ta trashegosh jeten tone, shoqerine
Per fryme
Nen shkronja nomade qe ecin gjithe naten
E u shmangen shume fjaleve per te dale ketu
Neper elektro-graffiti banale komerciale
Dhe hutohesh;
nje hallkez e vogel je, ne zinxhirin
E te ftohtit klasor
Qe deshmojne
Te gjithe
perfshire dhe ata qe s’merdhijne
Nje halkez ende prej ari je
kapur ne renditje me nje qen
Dhe ai prej ari te ftohur krejt
Kapur rresht, perdore zinxhir
m
Me dyzinat e lypsave te mitur, prostitutave
Me cmim te lire
Dhe me gjunjet te ngrira si gjinj morgjesh ato
Patrullojne krahehapur, te gatshme per t’u vrare
Ne shesh-masakrat e qyteteve te nates anembane

Rrethuar
Nga yjet prej neoni limoni
Te flamurit festiv evropian

Te ftohurit ne kete bote
Jane vete i ftohti
Jane ky zinxhir mishi prej politike dhe moti
Zinxhir ashensori
Vertikal trashegimie qe na vjen thelle nga historia
Qe nxjerr turma-turma me asfiksi
nga zgafelle e minierave fytyrendrakur
Per ne transhete adoleshente te luftes se pare,me debore
U lidhet per kercinjsh reumatike roberve rremtare
Ne galere
Nje zinxhir me ar minierash
Per sahatin me qostek te lare ne ar
Te Bakuinit, Cese, Karlosit-Ilic
Bombe, flamur, draper, cekic
Ti nuk e kupton kete siklet qe vjen
Nga poshte ajrit
E te lidh
Pandalshem-pastaj gishtat nuk jane me te tute
Ke doren tende ne xhep, s’eshte hajdut
Ti vec shtyn orteqet e bardhenjta
Te frymes
Qe te zgjatohen rreth fytyres
Si mjekra fallco
E plakut paftyre te vitit te ri

Te kesh ftohte
Do te thote
Se s’di gje per ty njeri
Gjalle ne bote
Qeveria dhe media te fsheh
Si monedha ne kek
Ne darken e bamiresise se fundvitit. Te fshehin
Pas se vertetes se hidhur te druve te shtetit
Emri yt si formula e gazit te perditshem
Harruar neper tuba
Verret
Perdhe neper zorret e Rusise apo Algjerise qe ha qebap
Me mishin e vet
Teksa luhatet e dridhet bursa
Ti ke ftohte, jo femijet e atyre qe te zhdukin
Nga ekranet, kopertinat me reklama/madama
Nuk merdhin femija
Qe si kangure mbartin ne fund
Te matrioshkes se moshes. Si ca gladiatore te penduar
Te afrohen kokezbuluar ngadale
Pronare kantieresh, qeveritare
Me helmetat e medha publike ne duar

Femije si ti behen sapo i mallengjen ndonje
vjershe e perkthyer apo gote shampanje
Femije,por qe s’kane ftohte si ti jane
ministra, vipa, mendimtare zyrtare
Trashegimtare shtate brezash
Rojtaresh pylli qe ngrohen
Me vatrat te ndezura
Si festa,
Me drute stive
Ata
Qe na vene revolucionin si alternative
Per te na qeverisur me friken nga ai
Ata qe na trembin me anarkine
Ata qe deformojne fene dhe fjaline
Per te mos prishur rehatine
Per mos te te ngrohur
Mbrohen pas faktit se nuk te kane njohur
Personalisht
Nise jeten mbrapsht ta trashegosh
Me hipin nervat
Kam frike
Mos behesh komunist;me keq
Frigohem mos harrosh
Te ftohtin
I cili eshte ata qe te lane
Te kesh ftohte
Frigohem se mos mendosh
se te ftohtin s’taka kush borxh
Semos te duket vetja teper
Se mos behesh i eger
Se mos behesh vrases serial, ku i dihet
Dhe na fut ne shenjester
Si ne nje varr te perbashket
Te gjitheve qe djegim drute e Zotit
Popullin Kain te te ngrohtit

2001-3

ervin hatibi
“pasqyra e lendes”

Anonymous said...

une jetoj jashte Shqiperise qe prej me shume 15 vjetesh dhe kur sheh shqiptaret jashte kupton anen tjeter te medaljes: nuk eshte vetem shteti/klasa drejtuese qe i le shqiptaret ne nje gjendje te pashprese, por edhe vetvetja. 50 vjet jete nen diktaturen komuniste ia kane perdhosur shqiptarit sistemin e vlerave. Nuk e kuptoj se cfare analize vetkritike duhet te beje z. Lubonja, sic sugjeron dikush ketu, kur ai eshte nje i veteflijuar: nen Enverin i burgosur i ndergjegjes dhe tani ne tranzicion i anatemuar nga te kater anet per faktin e thjeshte se thote te verteten. Keep up your good work Mr. Lubonja. Shume njerez te mencur nuk e kane humbur shpresen dhe kur ju flisni ata ju degjojne.
Ilir

Endri said...

Shkrimin e mesiperm te z. Lubonja e kuptova si nje pikenisje vetekritike pikerisht sepse pranohej qe pavaresisht punes se tij gjendja vetem perkeqesohet, njerezit behen gjithnje e me apatike dhe shpresat per ndonje permiresim zveteniten. I gjithe shkrimi dukej sikur rrotullohej rreth pyetjes se cfare po bejme gabim qe jemi ne kete pike ku edhe shpresa humb.

Nje vetekritike e z. Lubonja do te ishte nje sinjal i forte ndaj pjeses se madhe te te heshturve te intelektualeve teknokrateve apo elitave shqiptare qe nuk jane perlyer direkt ne mekanizmat e pushtetit te sotem. Kjo jo sepse sakrificat dhe puna e vete z. Lubonja kane ndonje gje te madhe per vetekritike (perkundrazi...) por sepse simbolika e nje akti te tille ka forcen ti shtyje te terhequrit apo te zhgenjyerit per reflektim. Nese nje njeri me kurajon intelektuale, te kaluaren e te tashmen e z. Lubonja nis e kerkon dhe tek vetja pergjegjesi per gjendjen aktuale atehere askush nga intelektualet e heshtur askush nga te terhequrit apo te paperlyerit nuk mund te thote me "kane qene te tjere, une nuk kam qene i perlyer".

Heshtja e apatia e nje pjese te madhe te intelektualeve dhe teknokrateve duhet bere medoemos objekt diskutimi pasi kjo pjese e shoqerise ka potencial ndryshimi dhe pergjegjesi shoqerore (nuk duhet harruar qe nuk eshte pjese e vogel).

Anonymous said...

I nderuar komentues i dyte!
Per sa i perket shqetesimit tuaj te drejte per shkuljen e poezive te Migjenit nga librat shkollor sapo mora vesh (besueshmeria e lajmit mbetet ne doren tuaj) se Forumi per Demokraci dhe Etike ,pra organizuesit e dites se faljes me rastin e 17 janarit me kryetar Arjan (Saliaj )Galdinin dhe anetar Arben Imamin i kane bere presion te forte Ministrise se Arsimit per heqjen e poezive pasi i shkaktojne shije te hidhura qarqeve te krishtera ne pergjithesi dhe Katolikocentriste ne vecanti . Di me siguri qe ky fondacion ka mbeshtetjen e plote logjistike te ambasades Amerikane.