Sa më shumë përjetoj llumin në të cilin po na zhyt përditë e më thellë politika aq më shumë më mundon një pyetje retorike: si është e mundur që ne na dalin në krye të vendit gjithmonë aventurierë të papërgjegjshëm të cilët, për të arritur qëllimet e tyre, nuk ndalen përpara asnjë marrëzie; individë që vuajnë rëndë nga delire madhështie dhe paranoja, të shkëputur gjithnjë e më shumë nga realiteti? A ndodh kjo pasi vetëm këta mendjesëmurë mund të marrin përgjegjësi në një vend të mbrapsht si ky i yni, sepse njerëzit me arësye të shëndoshë tërhiqen përballë vështirësive që paraqet menaxhimi për mbarë i kësaj shoqërie; apo mos vallë këta sëmuren për shkakun e sëmundjes së shoqërisë; pra, se jemi ne që i bëjmë këta paranojakë dhe delirantë të tillë që sa më shumë rrinë në pushtet aq më shumë humbasin kontaktin me ne? Sipas meje e vërteta është një kombinim i të dyjave: antropologjia vetiake nuk është pa ndikim në daljen në skenë të personazheve të tilla, por, nga ana tjetër, kjo dalje në skenë është thellësisht e kondicionuar nga terreni social - kulturor ku mbillet fara e tyre. Pra fara e tyre nuk do të mbinte dot e të bëhej pemë e lartë në një terren tjetër. Thënë ndryshe, në një vend tjetër, me njerëz të tjerë, në vend se në institucionet e drejtimit të shtetit këta, fare mirë, mund të ndodheshin në institucione kurimi psikoterapeutik. Kjo që thashë vlen për individë si Enver Hoxha, por vlen edhe për tërë liderët që kami pasur e kemi pas komunizmit duke filluar nga Sali Berisha. Vlen edhe për Edi Ramën. Shpeshtësia, për të mos thënë rregullsia, e shfaqjes së fenomenit flet për faktin se s'kemi të bëjmë thjesht me veti personale, por shoqërore, pa mohuar, megjithatë, aspektin individual për të cilin jam ftuar të shprehem në këtë shkrim.
Personalisht, duke njohur karakterin e personit, e kam parë me dyshim të madh hyrjen e Edi Ramës në politikë. Kjo sepse më një një anë kam konstatuar që herët se prirjen ekzibicioniste për t'u dukur, për të dalë në skenë, për të qenë vetëm ai në skenë, e kishte tejet të hipertrofizuar dhe, nga ana tjetër, pasi nuk gjeja tek ai instrumente që të të linin shpresë se do të mund ta moderonte dhe temperonte këtë prirje. E kam fjalën për instrumente të tilla si morali i shëndoshë, aftësia vetëkritikuese, apo një formim intelektual solid.
Si artist e intelektual i ri prirja e tij "e sëmurë" për t'u dukur manifestohej në fillimvitet 90 nëpërmjet rebelimit ndaj shumicës konformiste, ndaj baballarëve, ndaj psudovlerave të instalura në kohën e komunizmit. Imazhi i Edi Ramës, kur u shfaq në skenë, dukej sikur përkonte me atë të një artisti dhe intelektuali që donte të thyente tabu qoftë edhe duke imituar ato që bëheshin tashmë në Perëndim kurse tek ne jo. Dhe në këtë aspekt roli i tij ishte pozitiv, duke patur parasysh një shoqëri si e jona, e ndrydhur nga tabutë e nacional - komunizmit e të patriarkalizmit. Mirëpo ky manifestim kuptohej lehtë, veçanërisht po të vije re dominimin e imitimit, se ishte sipërfaqësor, sepse dukej qartë se thyerjen e tabuve ai nuk e bënte si rrjedhojë e një armiqësimi me to për shkak të një përvoje të thellë të jetuar e të studiuar pastaj edhe nëpër libra, por si mënyrë për t'u dalluar nga të tjerët me çdo kusht. Megjithatë, edhe kështu, kjo mund të ishte një nisje e mirë. Në rini shumëkush mund të niset nga imitimi i të tjerëve apo nga motive të lehta që rrugës i kupton se janë shumë të vegjël në krahasim me kënaqësinë që të jep puna në vetvete. Mund të nisesh, pra, me ambicien që të bëhesh artist i madh, të fitosh famë, çmime e ku di unë dhe dora dorës që piqesh mund të kuptosh se këta motive të fillimit nuk janë asgjë përpara kënaqësisë që të jep puna, përpara impaktit shoqëror që ka vepra jote etj., e, sëbashku me këtë, të kuptosh se përpara historisë je shumë shumë i vogël.
Rama nuk e ndoqi dot këtë rrugë pjekurimi si artist dhe si intelektual dhe aq më pak mund ta ndjekë si politikan, përkundrazi braktisja e artit për politikën ishte shenja e paaftësisë së tij për tu pjekur si artist dhe intelektual do të thoja edhe si njeri e politikan. Dikush thotë se ishte piktor i dështuar sepse i pa talent, prandaj shkoi për kompensim në politikë. Nuk jam i këtij mendimi. Fakti që nuk u pranua nëpër galeritë e Parisit ka ndikuar tek ai sigurisht, por ai ka pasur edhe jo pak suksese në jetë asokohe. Sipas meje shkaku që gjëra të tilla t'i përjetonte si dështim e të hidhej, prandaj, për kompensim, në politikë i ka rrënjët diku tjetër, jo tek mungesa e talentit, sepse është e vështirë të thuash se çfarë është talenti. Van Gogu nuk shiti asnjë pikturë për së gjalli, por qëndroi ngulshëm në artin e tij sepse kishte besim tek vetja dhe tek ajo çka bënte. Shkaku që e shtyu Ramën, sipas meje, të kërcejë nga arti në politikë lidhet me ankthin e pafrenueshëm të tij për t'u dukur në skenë. Ky lloj ankthi, në thelbin e vet, shpreh një pasiguri edhe më të thellë. Këta karaktere nuk i mundon mosuksesi, as mungesa e parasë, por pamjaftueshmëria e çdo suksesi, e çdo paraje, për t'u dhënë atyre sigurinë që u mungon. Shkaqet më të thella të këtyre pasigurive janë objekt i studiove të psikoterapeutëve, i tejkalojnë pra mundësitë e autorit të këtij shkrimi, por, nga ana tjetër, ne duhet të merremi me shfaqjet e tyre shoqërore sepse ato i kapërcejnë pasojat individuale pasi bëhet fjalë për individë që kanë në dorë fatet e një shoqërie të tërë. Në këtë kontekst do të thoja se politika, më saktë pushteti politik, ishte një trampolinë e lehtë suksesi që e kishte joshur qysh herët Ramën ashtu si shumë karaktere të ngjashme. E këtu të mos harrojmë edhe vlerën që mori paraja, krahas pushtetit, si formë e suksesit në shoqërinë tonë pas komuniste. Ky ankth për t'u dukur i suksesshëm e çoi në përdorimin e çdo mjeti për t'i arritur këto. Ai kishte provuar me PD në krye të herës pastaj me Partinë Kristiano Islamike, e me rradhë deri tek PS. Dhe, kur bëhet fjalë për mjete suksesi, politika shqiptare, siç dihet, është më e keqja e mundëshme pasi ajo përdor rëndë gënjeshtrën, mashtrimin, demagogjinë, korruptimin, bashkëpunimin me çdo lloj pisllëku, deri edhe me krimin. Ishte shtysa e tij e sëmurë, sipas meje, që i jepte Ramës forcën e paturpësisë për t'i përdorur të gjitha këto mjete. Por edhe pafuqia, për të mos thënë ndonjëherë edhe admirimi, me të cilin reagon shqëria ndaj tyre. Ndryshe nuk mund t'i përgjigjesh pyetjes që të vjen natyrshëm duke e parë atë në veprim: si ka mundësi që gënjen e mashtron me kaq lehtësi e paturpësi ky njeri? Kështu, pra, ai erdhi në politikë me imazhin e atij që kishte kontestuar fort politikën e vjetër autoritariste, kulturën e vjetër nacional - komuniste etj etj. - mjaft të kemi parasysh çfarë kishte shkruar për PS, figurat e saj kryesore, mitet e saj kryesore duke përfshirë edhe Luftën Nac - Çl. gazetën e saj Zëri i Popullit etj. - por i harroi me lehtësi shumë shpejt të gjitha këto duke u vënë në krye të njerëzve e metodave që deri dje i kishte përqeshur e përçmuar.
Bertrand Rusell thotë: ka njerëz që përpiqen t'i përshtaten botës, ka të tjerë që përpiqen t'ia përshtatin botën vetes së tyre - në kuptimin e farkimit të botës sipas vizioneve dhe idealeve të tyre. Sipas Rusell e ardhmja u përket të dytëve sepse të parët, me përshtatjen e tyre ndaj situatave, nuk sjellin ndonjë ndryshim. Rama u shfaq si një figurë që kërkonte të bënte pjesë në kategorinë e dytë. Dikush mund të thotë se një politikan, për të realizuar idetë e tij, është i detyruar të marr pushtetin dhe, që të marë pushtetin, i duhet të bëjë edhe kompromise. Mirëpo, po ta shohësh, lehtësia me të cilën ai i flaku tej tërë idetë që kishte mbrojtur si intelektual për të përqafuar të kundërtat e tyre si politikan tregoi se përbindëshi i dukjes nëpërmjet pushtetit, pushteti për pushtet dhe para, e jo për të ndryshuar, e çoi në përshtatjen ndaj sitemit që gjeti në politikën shqiptare dhe jo në kompromisin me të për ta ndryshuar më pas atë. Madje sipas meje ai e përkeqësoi atë. Shumë shpejt e pamë të tregohej servil në kulm ndaj atyre që kishte sipër dhe arrogant ndaj atyre që kishte poshtë. E pamë t'u nënshtrohej interesave të të gjithë mafiozëve që i sponsorizonin fushatat elektorale; e pamë të përdorë mjetet më të panderëshme për të blerë gazetarë e pronarë mediash në vend se të inkurajonte mendimin kritik dhe dialogun e hapur me kundërshtarët. E pamë të shesë copa copa sa idetë e tij aq edhe truajt e Tiranës, vilat e shtëpitë e vjetra të Tiranës historike, për ta mbajtur nën kontrollin e pushteti të tij korruptiv dhe jo të ligjit urbanistik qytetin. E pamë deri t'i rrahë supet Berishës ditën e zezë të Gërdecit, por me të njëjtën lehtësi me të cilën nesër i ktheu kurrizin. Shkaku kryesor është se prirja e sëmurë për të cilën fola deri tani i mund të gjitha instrumentet e tjerë që mund të ofrojë morali, racionaliteti apo ideali. E në këtë sëmundje duhet të fusim edhe një element që, paradoksalisht, është shumë i fortë tek këta karaktere: frika. Ndryshe nga ç'mund të mendohet karakteret autoritare kanë thellë thellë një frikë të madhe, frikë se mos humbasin pushtetin, se mos dalin nga skena, sepse, pastaj, jeta e tyre u duket zbrazësirë e bijen në depresion të thellë. Adrenlina atyre u prodhohet vetëm nëpërmjet lojës me pushtetin. Këtë frikë e amplifikon edhe frika e ndëshkimit për të këqijat që kanë bërë. Nëse do t'i referohemi Canettit njerëz të tillë kanë një frikë iracionale, thellë thellë ata do të donin një botë pa njerëz por, në pamundësi të kësaj, kërkojnë një botë me njerëz të nënshtruar ku vetëm ata qëndrojnë në këmbët kurse të tjerët shtrirë (në pamundësi për të qenë të vdekur). Prandaj thotë Canetti në "Masa dhe Pushteti" këtyre karaktereve, kur arrijnë e dalin në pushtet, duhet t'u rrish gati me kurajo dhe guxim, për t'u hequr spinën (e pushtetit) sepse përndryshe bëjnë dëme të mëdha. Rama është ndër ata që, sëbashku me Berishën, duhet t'u ishte hequr spina me kohë, por i mban në prizë ajo gjysma tjetër që nuk ishte objekt i këtij shkrimi: shoqëria dhe strukturat e saj social kulturore që krijojnë terenin ku mbijë e lulëzojnë kaq shumë farëra të tilla të këqija. (Revista Klan, 28 dhjetor 2008)
Tuesday, December 30, 2008
Rama - i duhej hequr spina me kohë
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
2 comments:
Demokracia,presupozon bashkveprim aktiv te qytetareve te vetedijshem per rendesine dhe te pergjegjeshem per vendimet e tyre.
Por si ta sigurosh bashkveprimin aktiv te qytetarve pervecse nepermjet edukimit te tyre.Pasi demokracia nuk eshte dicka natyrale dicka qe kuptohet vet prej vetes.Qe demokracia te arrij qellimin e saje -krijimin e qytetarve te pergjegjshem e te ditur,ky edukim duhet te lidhe tre hapa , te rendesishem.I pari eshte i natyres intelektuale:ai ka detyre te siguroje zgjerimin e pervetsimin e termave themelore e te domosdoshem per te kuptuar thelbin e politikes dhe te rrezes se vendimeve.Por vetem kjo nuk eshte e mjaftueshme se demokracia historikisht ka qene rezultat po aq i arsyes sa dhe i deshires :sipas kesaj edukimi duhet te perfshij dhe formimin e karakterit.Duhet se fundmi qe ne menyre edukuese te veproj dhe ne sjellje:te mesojme te nderojme mendimin e te tjerve dhe te pranojme relativitetin dhe kufizimin e mendimit tone,gje qe nenkupton sjellje te cilat per ne nuk jane natyrale.Kjo i kundervihet instiktit per te dominuar ,deshires per ti imponuar mendimin tend te tjerve.
Per ne qe kemi dal nga nje diktatur ekstreme, keto lloj sjelljesh nuk jane natyrale .Duhet te edukojme femijet e brezat dhe mos shtiremi sikur i kemi keto vlera.
Spinen na e heq e na e fut ai neve sa here te doje ,,,,vertet ne i kemi gatuar kta politikane qe u kemi dhene autoritetin qe te na cmoralizojne ne menyra te ndryshme .Eshte mjerane edhe per neve qe jetome ne emigracion,qe nuk ndikojme direkte ne situaten e gjerave ne Shqiperi.Te shkosh ne vendelindje per "pushime" dhe pas largimit nga andej,te flasesh per mos funksionim te gjerave kjo nuk mjafton,,,,nuk jemi brezi i atij emigracioni qe ishte ne funksion te idealeve,dhe jo te vlerave tona.Besoj qe kjo gjendje nuk do te zgjate aq kohe sa u deshte per ti purmbysur kto vlera .Mendoj qe ushqyes(korrente)i kesaj spine jemi edhe ne per fate te keq tonin dhe aspak te atyre .
Post a Comment