Monday, January 12, 2009

Paraja

Para disa ditësh më erdhi nga një mike shqiptaro -amerikane një e-mail ku më thoshte se kishte parë në Top Channel shqiptarë që intervistoheshin në rrugët e Tiranës, të cilëve u kërkohej të jepnin urimin e tyre për shikuesit e televizionit. Ajo që e kishte shokuar ishte se tetë vetëvë ndër dhjetë fjala e parë që u dilte nga goja si urim për Vitin e Ri ishte: "para". "U uroj të gjithëve para, fat dhe sukses" për shembull. "A të duket normale kjo - më shtronte pyetjen e çuditur. Nëse do t'ia bëje dikujt këtë urim këtu në Amerikë do ta merrte si shaka, kurse ata e thoshin këtë urim me gjithë seriozitetin e mundshëm…"
Nuk e kam parë këtë emision të Top Channel; ose ndoshta e kam kaluar shpërfillshëm siç kalojmë shumë gjëra në televizionet tona. Por vëzhgimi i një të huaji është i vlefshëm në raste të tilla sepse sikur na tërheq vëmendjen drejt diçkaje me të cilën jemi ambjentuar aq sa nuk na bën më përshtypje. Para disa kohësh kam shkruar për kutërbimin e rëndë të kazanëve të plehërave pranë të cilëve kalojmë përditë e që nuk na bën përshtypje pasi jemi mësuar, na duket pjesë e aventurës së nuhatjes sonë që do të na ndjekë që nga lindja deri në vdekje. Por, kur sheh një të huaj që, kalon pranë tyre, ndjen erën e qelbësirllëkut, mbyll hundën dhe ikën me tmerr, atëhere ti sikur zbulon se ka diçka që nuk funksionon normalisht në hundën tënde.
Por ky vëzhgimi i urimeve të shumta për para më duket më interesant e më kompleks sesa ai i erës së kazanëve të plehërave. Si t'i shpjegojmë këto urime? Që ato flasin për një shoqëri të sëmurë kjo më duket evidente, por për çfarë sëmundjeje bëhet fjalë? A janë shprehje e një sistemi vlerash ku paraja ka uzurpuar e zhvleftësuar gjithshka tjetër apo janë shprehje e një ankthi ekzistencial për shkak të pasigurisë për të siguruar paranë që është jo vetëm e vetmja vlerë për disa, por edhe mundësi për të mbajtur frymën gjallë për të tjerë? Gjithsesi, në të dyja rastet, apo edhe në rastin e një kombinimi të të dyjave, katandisja e urimeve për vitin e ri tek fjala "para" duhet të ftojë për reflektim tërë shoqërinë përsa i përket vlerave dhe modeleve që ajo po promovon gjatë këtyre 18 vjetëve. M'u kujtua historia e një gruaje të urtë e cila më tha me trishtim një ditë se, kur i kishte thënë të birit: nuk të kam lënë ndonjë pasuri, por të kam lënë një emër të mirë, ai i ishte përgjigjur thatë: më mirë të më kishe lënë pasuri.
Përgjithësisht, në atë që quhet "bonsens" popullor, që është produkt i një përvoje shekullore të njeriut, urimet lidhen, në kësi rastesh, me vlera që sillen rreth shëndetit, lirisë (për ata që nuk e gëzojnë), dashurisë, familjes, punës, dijes, idealeve, besimit (ky është një rreshtim i imi, të tjerë mund t'i rreshtojnë ndryshe). Kurse mbizotërimi i një urimi të tillë si "para, fat, sukses" nuk do mend se tregon se një pjesë e vlerave të sipërpërmendura ose nuk kanë qenë kurrë të ngulitura aq sa duhet në kulturën sonë (si psh liria, dashuria, puna, idealet, dija) ose që, ato që kanë ekzistuar (si psh, familja, besimi), janë pervertuar rëndë sa nga regjimi i kaluar aq edhe nga paraja, vaniteti, dhe injoranca që po kalëron këtë shoqëri traumatike postkomuniste sëbashku me kultin e të fortit që është baraz me të suksesshmin. Urimi "para, fat, sukses" është bash shprehja më eksplicite e njeriut të lehtë e sipërfaqësor që po përfton vaniteti, injoranca dhe mujsharia e kësaj kohe.
Nuk mund të mohoet se, gjithë sipas bonsensit popullor, paraja është një element i rëndësishëm i jetës, e përmendim apo nuk e përmendim. Mungesa e saj do të thotë varfëri dhe varfëri do të thotë shumë të këqija njëherësh. Mirëpo mund t'ia bësh ndryshe një njeriu urimin që të mos bjerë në varfëri; mund t'i thuash "suksese në punë", sepse edhe puna vetë nuk mund të reduktohet kurrsesi thjeshtë në para. Ajo është edhe sociabilitet, edhe solidaritet edhe inspirim, edhe gëzim krijimi edhe shumçka tjetër që nuk mund të matet dot vetëm me para.
Megjithatë duhet pranuar se kjo historia e reduktimit të gjithshkaje tek paraja, nuk është një sëmundje vetëm shqiptare. Në fakt kemi të bëjmë me një histori të vjetër të raportit të njeriut me paranë, por edhe me një histori të re që lidhet me shoqërinë konsumiste që është ndërtuar e zhvilluar veçanërisht në dy tre dekadat e fundit në botë. Thelbi i konsumizmit konsiston në atë që njeriun e shnderron thjeshtë në një klient, e klientizon, aq sa mund të thuash se e përzbraz nga vlerat e tjera për ta shndrruar në një thes me dëshira për të blerë (gjithnjë e më në rritje në sajë të një sistemi reklamash masakrues). Që të plotësojë këto dëshira që i japin gëzim e kënaqësi, që të mbushë pra këtë thes, i cili, në fakt, është pa fund, i duhen para dhe që të ketë para ai bën ç'të mundet. Dhe kjo e shndërron pavetëdijshëm në një skllav të konsumizmit. Ai rropatet që të blejë për të pasuruar një gusht njerëzish që e kanë shnderruar thjesht e vetëm në një blerës. Zigmund Bauman, në një shkrim të tij të fundit mbi krizën botërore, jepte shembullin e një vajze australiane 23 vjeçare të cilës, kur kishte arritur moshën që presupozon autonominë, prindërit i kishin dhuruar një kartë krediti me të cilën mund të blinte vetë më në fund ç'të donte. Pas disa kohësh e pa veten të detyruar, duke ndjekur shembullin e miqve të tjerë, të merrte një kartë të dytë për të mbuluar borxhet e akumuluaar në të parën dhe, pas jo shumë kohësh, kërkoi një të tretë që të mund të paguante një udhëtim, që s'mund të mos e bënte sepse e bënin të gjithë shokët e shoqet, ndërkohë që kishte hyrë me mijëra dollarë australianë borxh.
Ai që e quajta "bonsens popullor" ka qenë historikisht kritik ndaj etjes për para të njeriut, por edhe ndaj pushteti të parasë gjithashtu. Thënia e Krishti se është më e lehtë për një deve të kalojë në vrimën e gjilpërës sesa për një të pasur të shkojë në Parajsë ka qenë bashkudhtare e sistemit të vlerave të njeriut pa mundur, megjithatë, ta mposhtë tundimin e tij për pasuri. Në 1971 në kongresin e Partisë Socialiste franceze të njohur si "kongresi i Epinayt" kryetari i kësaj partie Françoi Mitterand, duke folur për pushtetet e parasë, thoshte: "paraja që korrupton, paraja që blen, paraja që vret, paraja që e shkatërron deri në kalbëzim ndërgjegjen e njerëzve". Mirëpo edhe në këtë aspekt kohët që po kalojmë e kanë ndryshuar mendësinë ndaj parasë. Që nga ajo kohë, që konsiderohet kohë e fundit e ideologjive që projektonin një të ardhme, pra koha kur, si të thuash, njeriu perëndimor reshti së jetuari për të ardhmen në emër të gëzimit të përditshmërisë, dhe veçanërisht me triumfin e neoliberizmit, ka rrjedhur shumë ujë. Aq sa para jo shumë kohësh një intelektual i njohur i së majtës Bernard - Henri Lévy i propozonte Partisë Socialiste franceze: "një kongres të rithemelimit, një anti - Epinay". Tek paraja ai nuk sheh korrupsionin, vdekjen, shkatërrimin, dekompozimin, por "aftësinë për të arritur që tregëtia të zëvendësojë luftën, kufijtë e hapur universet e mbyllur, pra një epokë ku, në sajë të parasë, marrëveshjet, transaksionet dhe kompromiset zëvendësojnë, padurimin, dhunën, allishverishet, plaçkitjen, gjithshka o asgjënë, fanatizmin" (B.H.Levy "Ce grande cadavre alla renverse" (Kjo kufomë e madhe e kthyer përmbys) Grasset Paris 2007, f. 190.)
Në fakt me krizën/krizat që po kalojmë vështirë se mund t'i japësh të drejtë Levyt. Është një mendim i shumëpranuar sot ndër mendimtarët më të njohur të botës se kjo që po ndodh është kriza e një shoqërie me mungesë vlerash, utopish, idealesh, ku e vetmja vlerë ka mbetur paraja e glorifikuar aq shumë nga Levy, por që duket se nuk e ka humbur aspak vetinë e saj kalbëzuese të ndërgjegjes njerëzore. Duke komentuar krizën botërore sociologu i madh frëng Edgar Morin, parashikon lindjen e utopive të vogla të reja siç janë psh mikrokreditë, punët e bëra me kompiuter nga shtëpitë, ikja nga metropolet "çnjerëzore" drejt fshatit, rritjen e bujqësisë biologjike, kujdesin për të vjetrit. Me një fjalë kthimin tek etika. Kultura materialiste, thotë sociologu, do të ketë një perëndim të pandalshëm. "Do të duhen ende vite, ndoshta dhjetëra për këtë. Por herët ose vonë do të zëvendësohet nga kultura e imateriales." E imateriales që, fal mendjeve të ndritura, nuk ka reshtur kurrë së gjalluari në ndërgjegjet njerëzore.
Thënë gjithë këto, për t'u kthyer sërisht tek shoqëria shqiptare, e cila ngulmoj ta them dhe rithem: është një pasqyrë ku shoqëria perëndimore mund të shohë tiparet më të shëmtuara të kulturës së vet të materiales, të parasë, të deformuara në formën më groteske, (siç e tregojnë edhe urimet që u bënë shkak i këtyre refleksioneve), e shoh urgjente nevojën e gjetjes së rrugëve të implementimit të disa vlerave themelore imateriale, mungesa e të cilave po e bën "vlerën" e vetme të mbetur, paranë, një kafshë të rrezikshme në mos shkatërrimtare për shoqërinë tonë. Mjaft të kesh parasysh se sot nuk dëgjon më të flitet për mësues të nderuar e respektuar, sepse shkolla dhe dija janë kthyer thjesht në diploma që blihen me para tek mësues pa emër. Mjaft të kesh parasysh se gjykatësit, mjekët, prokurorët nuk maten më me shkallën e profesionalizmit, ndershmërisë, përkushtimit, guximit, por me madhësinë e vilave e makinave që disponojnë. Mjaft te kesh parasysh se avokatët nuk ushtrojnë njohësin e ligjit, por sekserin midis gjykatësit dhe klientit. Mjaft të kesh parasysh se arkitektët nuk ngurrojnë të projektojnë monstra mbi parqe e lulishte, mbi ndërtesa historike, mbi rrugë, trotuare pa u merakosur për shëmtimin e emrit që lenë, sepse ky nuk ka asnjë vlerë përpara parasë që fusin në xhep. Se gazetarët nuk merakosen për të vërtetën, por për gënjeshtrën dhe manipulimin që u mbush xhepat. Mjaft të kesh prasysh se çdo administrator që ka në dorë një firmë nuk mendon se si ta përdorë atë për t'u shërbyer njerëzve, por se si t'u tërheqë atyre para. Nuk po zgjatem me shembuj që ilustrojnë se ku na ka çuar paraja si urim i vetëm. Dikush mund të më akuzojë se po gaboj duke i futur të gjithë në një kategori e se kështu po vras shpresën për ndryshim. Le të themi tetë në dhjetë që më duket një përqindje që i përgjigjet saktë edhe përqindjes së urimeve për para. Por le të mos harrojmë se në një shoqëri ku mbizotërojnë tetë, dy që mbeten nxirren jashtë loje prandaj mbizotërimi i të keqes bëhet gati dhjetë. Madje mund të thuhet se ky raport është edhe raport i ndarjes së ndërgjegjs së çdo individ. Shpesh e keqja fiton mbi të mirën tek individi pikërisht pse kjo e dyta ndjehet e pafuqishme për ta mbajtur atë në këmbë. Në një shoqëri ku mbisundon e keqja njeriu nxjerr në pah e zhvillon të keqen e tij për të mbijetuar. Sepse askush është vetëm i mirë apo vetëm i keq.
E megjithatë fakti që mbeten dy në dhjetë që vazhdojnë të urojnë tjetërçka nga paraja është një mundësi e mirë, e vetmja do të thoja, që, pikërisht nëpërmjet tyre, shoqëria të fillojë të reflektojë për nevojën e kultivimit të atyre vlerave "imateriale" që do ta nxjerrin nga gropa e rrezikshme ku ka rënë e që do t'i japin dimensionin e vet normal edhe parasë. (Korrieri, 12 janar 2009)

No comments: