(Mbi debatin për Skënderbeun)
Përpara se të ilustroj se si është manipuluar historia e Skënderbeut në funksion të regjimit diktatorial e izolacionist të Hoxhës, për të argumetuar se si dhe pse ideologjia nacional - komuniste ka penguar njohjen shkencore të historisë, dhe se si të njëjtat metoda manipuluese, po ripërdoren nga nacional - evropianistët e sotëm në dëm të njohjes shkencore, e shoh me vend të cek disa aspekte teorike të raportit të historisë si shkencë me fenomene të tilla si ato fetare apo ideologjike.
Debati mbi monografinë e Skënderbeut të Schmitt nuk mund të mos të më sillte ndërmend filozofin August Comt, i cili, më shumë se një shekull më parë, dmth. bash asaj kohe kur është konstruktuar edhe miti ynë nacionalist i Skënderbeut, flet për tre stadet e njohjes së njeriut: ai teologjik, ai metafizik dhe ai shkencor, pozitiv. Në stadin e parë, sipas tij, njeriu i shpjegon gjërat dhe shkaqet e tyre nëpërmjet ndërhyrjesh mbinatyrore, në të dytin i zevendëson këto me koncepte abstrakte dhe vetëm në stadin e tretë, atë shkencor, pozitiv, arrin të kuptojë se nuk mund të gjejë arësyen e epërme të gjërave, të vërtetën absolute, dhe kufizohet në zbulimin e ligjeve të fenomeneve të veçanta nëpërmjet përdorimit të arsyes dhe vëzhgimit. Kjo ndarje vlen edhe kur flasim për njohjen që na jep historia si shkencë dhe “njohjen” që ajo na përcjell e shndërruar në fenomen fetar apo ideologjik si dhe për diferencën midis këtyre dy njohjeve.
Mirëpo, siç e thotë edhe Comti (duke folur për kohën e tij), arritja e stadit të tretë nuk se ka ardhur pasi u fshinë dy stadet e tjera; ato bashkjetojnë me njëri tjetrin – gjë që vazhdon edhe sot. Madje stadi i tretë ka përjetuar në Evropën e Comtit (po kufizohem të flas për kontinentin tonë) edhe periudha të rënda mrrudhjeje dhe errësimi, siç ka ndodhur veçanërisht në regjimet fashiste dhe komuniste, ku shkenca është vënë në shërbim ideologjish çnjerëzore. Ashtu sikurse nuk mund të mos vemë re edhe bashkëjetesën e shkencës me besimet fetare, ose, duke përdorur konceptet e Comtit, të stadit shkencor me stadin teologjik.
Përpara se të hyj në raportin midis ideologjisë së regjimit tonë totalitar dhe shkencës, e shoh me vend të them dy fjalë të përgjithëshme edhe për raportin midis shkencës dhe fesë dhe për dallimet midis tyre gjithashtu. Përgjithësisht për dogmat fetare thuhet se ato duhen besuar nuk duhen provuar. Nuk mund ta provosh dot psh. se Krishti ishte njëherësh edhe Zot edhe Bir/Njeri edhe Shpirt i Shenjtë. Këtë duhet ta besosh dhe këto besime nguliten, më të shpeshtën, në fëmijëri, atëhere ku njeriu është, si të thuash, më afër stadit teologjik të shpjegimit të gjërave. Në përgjithësi besimi i njerëzve në dogmat fetare e ka shtyrë Frojdin të thotë në veprën e tij “E ardhmja e një iluzioni” se: "atje ku bëhet fjalë për çështje besimi njerëzit bëhen fajtorë për çdo lloj pandershmërie dhe palegjitimiteti intelektual".
Pa u zgjatur do të thoja se të paktën ç'prej kohës së Comtit, (por edhe më parë) ka një konsensus në botën për të cilën po bëjmë fjalë, se kërkimi shkencor i bindet deontologjisë së vet, e cila përjashton çdo lloj "pandershmërie intelektuale" sepse qëllimi i tij është të arrijë në rezultate të sigurta për momentin e studimit, deri kur kërkime të tjera, zbulime të tjera, dokumente të tjera të mund t'i ndryshojnë këto rezultate për të na propozuar përfundime të tjera. Shkenca, pra, synon perfeksionimin e vazhdueshëm të pohimeve të verifikueshme kurse besimi apo teologjia synon t'i konsiderojë të pandryshueshme të vërtetat e veta edhe kur zbulime të shkencës i bëjnë ato të pabesueshme. Shkenca dhe besimi lëvizin, kësisoj, në dy rrafshe të ndryshme. Një histori e mbështetur mbi dokumente është një gjë shumë e ndryshme nga një konstruksion teologjik apo mitologjik, i cili, ky i fundit, duke synuar kryesisht emocionet dhe ngjalljen e besimit, i duhet t'i ndryshojë e filtrojë faktet nëpërmjet kategorish që i ikin kontrollit të arsyes.
Në këtë pikë besoj se është e rëndësishme të thuhen dy fjalë edhe mbi ngjashmërinë dhe dallimin midis ideologjisë së regjimeve totalitare dhe fesë. Përgjithësisht studiuesit ndahen në dy kategori kur karakterizojnë ideologjitë e regjimeve totalitare - siç ishte edhe nacional-komunizmi shqiptar: në ata që e kanë trajtuar atë si një fe dhe kanë gjetur analogji me historinë e feve si dhe në ata që e kanë trajtuar si një kafshë të veçantë, të papërsëritur ndonjëherë më parë në historinë e njerëzimit. Nëse do t’u mshojmë ngjashmërive midis ideologjisë së regjimeve totalitare dhe fesë (po i referohem historisë së fesë së krishterë që e njoh më mirë) duhet të kthehemi në kohën kur, pas Kostantinit të Madh, krishtërimi, nga një fe e persekutuar që, midis tjerash, mbronte lirinë e besimeve dhe po ashtu ishte kundër pushtetit perandorak (madje edhe kundër botës tokësore) u kthye u bë fe shtetërore. Që nga kjo periudhë, duke përdorur krahun shekullar të pushtetit ai filloi persekutimin e “të ndryshmëve”: praktikuesve të religjionit pagan të perandorisë romake, të sekteve të tjera që kishin buruar nga periudha e parë judeokristiane e tij si arianizmi, donatizmi, pelagjismi manikeizmi etj. ashtu sikurse edhe persekutimin e ebrenjve, të heretikëve të ndryshëm në emër të unifikimit të të gjithëve në një të vërtete të vetme. Do të thoja se krahasimi i ideologjisë së totalitarizmit me fenë të imponohet veçanërisht edhe kur ke parasysh paradigmën mesjetare të Kishës, kur papët qenë edhe luftëtarë e nisnin edhe kryqëzata, kur ke parasysh Inkuizicionin, apo principin e vitit 1555 “Cuius regio, eius religio” të perandorit Karli V të Perandorisë së Shenjtë Romane sipas të cilit të gjithë nënshtetasit ishin të detyruar të kishin fenë e sundimtarit. Pra një element i përbashkët i fesë së krishterë të këtyre periudhave me ideologjinë e totalitarizmit është se kanë qenë fe dhe ideologji shtetërore, që, me fjalë të tjera, mund të quhen instrumente pushteti, që ndanin një të vërtetë të vetme me pushtetin dhe që, nëpërmjet forcës bindëse apo denoncuese të njërit krah, dhe forcës ekzekutuese të krahut tjetër, eliminonin “të ndryshmit” nga ata.
Megjithatë ideologjia e totalitarizmit nuk ka qenë thjeshtë një fe. Diferenca bije në sy jo vetëm kur kemi parasysh evoluimin e raportit të religjionit të krishterë me pushtetin shekullar, veçanërisht pas paqes së Vestfalisë (1648) apo pas Iluminizmit e Revolucionit Francez. Ndryshimi konsiston edhe përsa i përket njohjes. Një nga ndryshimet kryesore është se besimi nënkupton një akt që qëndron mbi njohjen racionale. Kurse ideologjia ka pretenduar të jetë njëherësh dy gjëra: edhe “fe” tek e cila duhet të besojmë edhe “teori”, e argumentuar racionalisht, që pretendon se është e provuar. Pra ajo pretendonte se jepte një shpjegim të plotë shkencor të botës ku jetojmë; si të historisë ashtu edhe të dukurive natyrore dhe shpirtërore. (për më hollësisht mbi këtë argument shih "Privatësia në regjimin totalitar" F. Lubonja, Përpjekja 20). Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është se, ndërsa tek feja autoriteti absolut, Zoti, mbetet transhendent dmth. midis njeriut dhe autoritetit absolut ka hendek që gjithsesi njeriun e bën të nështruar ndaj Tij dhe nëse kristiani ka mbetur, po ashtu, me një ambiguitet përsa i përket pranimit të kësaj bote dhe refuzimit të saj në emër të Qytetit të Zotit, tek ideologjia e totalitarizmit hyjnia, në mënyrë eksplicite, vendoset në tokë. Njeriu që identifikohet me ideologjinë totalitare nuk ka frikë askend sepse e konsideron veten hyjni që premton se po e ndërton mbretërinë e tij mbi tokë. Ai është edhe pushteti shekullar edhe pushteti spiritual edhe përfaqësuesi edhe mbrojtësi i së vërtetës së vetme.
Nëse çka thashë më sipër do ta aplikojmë në kontekstin shqiptar do të thoja se edhe nacional-komunizmi shqiptar ka qenë një nga variantet e ideologjisë së regjimeve totalitare që pretendonte të ishte fe dhe teori shkencore njëherësh.
Për nacionalizmin thuhet përgjithësisht se është një "fe laike", që ka altarin e vet (atdheun, kombin) dhe shenjtorët e vet, ashtu sikurse edhe klerikët e vet. Por, ndërsa për vendet e tjera ballkanike mund të thuhet se ata e përdorën më lehtësisht fenë si një princip identitar, duke identifikuar kombin me fenë, për shqiptarët procesi i konstruktimit të identitetit kombëtar ishte disi më i komplikuar. Për shkak të qënies së shqiptarëve të tre feve të ndryshme, ai ndoqi një rrugë disi tjetër në raportin me fetë, që e reflekton edhe thënia/thirrje e Vaso Pashës "Feja e shqiptarit është shqiptaria" e cila nuk do të thoshte se shqiptarët nuk ishin apo nuk duhet të ishin fetarë, por se ata duhet t’i bashkonte, megjithë ndryshimet fetare, ky besim i ri i madh. Në procesin e ndërtimit të kësaj feje laike në shqipëri mitet e saj u diferencuan kështu edhe më shumë nga fetë. Pra, nëse në vendet e tjera ballkanike si Serbia, Greqia feja si pushtet shpirtëror mbeti, gjithsesi, e fuqishme përballë apo edhe si partnere e pushtetit shekullar, pra edhe në raport me ideologjinë nacionaliste, duke krijuar binomin fe – atdhe si dy anë të së njëjtës medalie (por gjithsesi dy anë), në rastin shqiptar ideologjia nacionaliste pati prirjen t’i mbisundonte dhe t’i linte në plan të dytë tre fetë tradicionale, ose më saktë t’ua pakësonte pushtetin shpirtëror e politik. Edhe Skënderbeu në këtë projekt, që ka disa faza, fillon e bëhet kështu një nga shenjtorët kryesorë të kësaj feje laike, i zhveshur nga përmbajtja fetare që ka miti i tij në Evropën Perëndimore.
Megjithatë vetëm kur nacionalizmi bashkohet me ideologjinë komuniste të materializmit dialektik dhe historik, duke u bërë pra nacional-komunizëm, kemi një ideologji shtetërore që merr tiparet totalitare që i përshkruam më lart duke qenë, paradoksalisht, edhe absolutiste dhe me pretendimin e teorisë shkencore. Pra, nëse nacionalizmi e manipulon historinë në shërbim të identiteteve të shekullit XIX, të ndërtimit të ardhmërisë me mjete mitologjike, duke përcaktuar edhe një destinatë të popullit shqiptar, nëpërmjet materializmit dialektik dhe historik kjo mitologji vishet edhe me një petk teorik, shkencor. Historia nën trysninë deterministe të materializmit dialektik e historik bëhet ilustrim i një filozofie të caktuar të historisë duke dhënë një shpjegim (teleologjik) të ecurisë së botës e, në kontekstin specifik, të historisë së popullit shqiptar në shekuj, por njëkohësisht edhe një e vërtetë shkencore.
Ndërkaq, sa më shumë bëhet fe/ideologji shtetërore nacional - komunizmi aq më shumë synon të pastrojë të gjitha fetë e tjera, gjë që, për arësyet që thashë më lart, e ka më të lehtë sesa vendet e tjera komuniste. Në vitin 1967, kur u ndalua feja dhe u prishën kishat e xhamijat, fushata u mbështet mbi akuzën se fetë dhe klerikët e saj janë agjente të të huajve, armiq ndaj fesë së vërtetë të shqiptarit, shqiptarisë. Që atëhere deri më 1990 nacional – komunizmi u bë e vetmja fe/ideologji në ngritje që kishte shenjëtorët e vet: Skënderbeun, rilindasit, Ismail Qemalin, heronjtë e luftës nacional – çlirimtare, heronjtë e ndërtimit të socializmit etj., që kishte klerikët e vet me në krye Enver Hoxhën, dhe që, nga ana tjetër, besimin nuk e kërkonte vetëm në formën “Credu ut intellegam” (besoj pra kuptoj), por edhe në formën “Intellego ut credam” (kuptoj pra besoj).
Personazhet më të rëndësishme të historisë sonë të manipuluara nga kjo ideologji u kthyen kësisoj në shenjtët e kësaj feje/ideologjie. Kjo është një ndër arësyet pse sot është aq e vështirë të ndahet historia si shkencë nga mitologjia nacional-komuniste. Ky është problemi dhe jo vetëm me Skënderbeun, por me të gjithë historinë tonë të shkruar në atë kohë.
Ajo që bie në sy në dabatin tonë të ndezur me rastin e botimit të librit të Oliver Schmittit është se shumica dërrmuese edhe e pjesës së shkolluar të shqiptarëve nuk arrijnë të dallojnë ndryshimin midis mitit dhe historisë si shkencë, përkundrazi besojnë në përputhjen midis tyre. Ata sillen si besimtarët e një feje të cilëve u preken shenjtët edhe për shkak se “shkencëtarët” e tyre u kanë folur me të njëjtën gjuhë të “klerikëve” të tyre, edhe sepse në shkolla u predikohet feja nuk u mësohet historia.
Në fakt ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, paçka se tek ne shkalla e përhapjes së tij është e paimagjinueshme në Evropë. Për të mbetur në kontinentin tonë, edhe në Italinë e sotme ekziston problemi i mësimit të historisë së fesë së krishterë nëpër shkolla. Atje mësimi i fesë së krishterë është fakultativ, pra ata që nuk besojnë mund të mos e ndjekin atë; por problemi qëndron në faktin se ata që e ndjekin nuk mësojnë historinë e krishtërimit si shkencë por se, në vend të kësaj, në shkolla u bëhet një lloj katekizmi. Një ndër historianët më të njohur italianë të historisë së krishtërimit, Remo Cacitti duke denoncuar këtë fakt që, sipas tij, një pjesë (atë të nxënësve jobesimtarë) i le pa dije mbi historinë e krishtërimit, kurse pjesës tjetër nuk i mëson historinë, por u bën katekizëm, sjell një shembull shumë domethënës: Përballë dëshmive që jepen në ungjijtë se Jezusi ka pasur katër vëllezër dhe disa motra, - thotë ai - një mësues i fesë në shkollat italiane mund të jetë i bindur se bëhet fjalë për vëllezër dhe motra të vërtetë, por nuk mund ta thotë këtë sepse kjo bije ndesh me doktrinën zyrtare të Kishës. E në përgjithësi një besimtar i krishterë sot nuk e di (apo nuk do ta dijë) se Krishti mund të ketë pasur edhe vëllezër e motra, paçka se kjo thuhet shprehimisht në ungjijtë.
A nuk shembëllen kjo shumë me faktin se, ndonëse thuajse në të gjithë librat mbi historinë e Skënderbeut thuhet se e ëma e tij ka qenë sllave, në shkollat tona kjo gjë nuk mësohet dhe thuajse nuk ekziston në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve? Jemi pikërisht në fenomenin e “filtrimit” që bën konstruksioni teologjik apo mitologjik, i cili, për të ngjallur besimin në idenë që don të përçojë, i duhet t'i transformojë faktet, nëpërmjet kategorish që i ikin shkencës dhe kontrollit të arsyes dhe pastaj të ngulmojë se personazhi i historisë dhe personazhi i besimit përputhen.
Pa dyshim ai që lexon çka shkruan Schmitt nuk mund ta gjejë më këtë përputhje, nuk mund të besojë, pra, njëherësh edhe ato që thotë historia që mëson në shkolla për Skënderbeun edhe çka thotë historiani. Skënderbeu nuk mund të jetë njëherësh në mendjen e tij edhe heroi që iku nga Sulltani për të shpëtuar mëmëdheun edhe një gjeneral turk që u prish për vdekje me Sulltanin pasi ky i vrau të atin; nuk mund të jetë njëherësh edhe një princ i gjithpushtetshëm i një shteti sovran edhe një vasal. Ai nuk mund të jetë njëherësh edhe simboli i shqiptarit më të mirë edhe me gjak serb ne dejet e tij. Besimtarit i tronditet një bazament i fortë nëse pranon të lexojë librin e Shmittit. Ai ngulmon të besojë që të kuptojë, ndërkohë që pakkush e ndihmon të kuptojë që të besojë. (Korrieri, 9 shkurt 2009)
Vijon të enjten
Monday, February 9, 2009
Historia dhe nacional – komunizmi si fe shtetërore
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
3 comments:
ne rradhe te pare urime per shkrimin. eshte privilegj te degjosh ne realitetin shqiptar zera si i juaji.
dua te terheq nje tangente ketu, qe ndonese duket e huaj, mendoj se ka lidhje organike me temen ne fjale.
ajo qe me ngacmoi eshte paralelizmi midis fese dhe doktrines nacional-komuniste shqiptare. te njejtin fenomen le t'a shtjellojme ne art.
duke analizuar si artist por edhe studiues, artin e krijuar ne gjysmen e dyte te shekullit te kaluar ne shqiperi (socrealizmin), me artin paleokristian, bizantin, pasbizantin, rilindjen, etj, pra artin dhe artistet qe jetuan dhe punuan nen trysnine e sistemeve politike ne te cilat feja ishte pothuajse e identifikuar me shtetin, na rezulton se ky raport eshte i zhdrejte dhe teresisht ne disfavor te totalitarizmit shqiptar. duket qarte se me gjithe rreptesine dhe skrupulozitetin e dogmave te ndryshme fetare, liria e shprehjes ne art, por edhe prurjet artistike te cilat erdhen ne keto periudha te historise se artit, nuk pesuan kurre ate degradim, zvetnim, ate plackitje dhe rrenim te cilin pesoi artisti dhe arti shqiptar ne periudhen socrealiste.
mendoj se eshte gabim paralelizmi i artit te realizmit socialist me ate fetar.
po te analizojme historine e artit bizantin, qysh ne format e hershme te tij ne periudhen paleokristiane, bizantine dhe ate pasbizantine, si edhe evolimin konceptual, estetik, artistik, trajtimor te kesaj periudhe, do te arrijme ne konkluzionin se behet fjale per nje nga shtyllat vertebrale te historise se artit. nje faze qe ka ushqyer mjaft personalitete te mevonshme, piktore dhe skulptore, poete dhe shkrimtare, muzikante dhe dramaturge. nje djep i qyteterimeve te mepasme perendimore. po keshtu po te flasim per pikturen kishtare te xhotos, mikelanxhelos, leonardos, ticianit, el grekos, rembrandit..., do te magjepsemi prej larmise shprehese dhe nevojes per risi, duke gjetur menyra dhe hapesira krijuese larg shabllonizmave te cdo tipi.
mendoj se arti kishtar ishte nje perpjekje e panderprere e artistit per ti dhene forme vizuale realitetit te tij spiritual, nevojave te tij shpirterore, fetare dhe ekzistenciale. ishte i mbarsur me etjen per analize te gjithesise se tij njerezore, me hulumtime mbi zotin, shenjtet, jeten e eperme, jeten e mepertejme, mbi te miren dhe te keqen. ishte nje art qe buronte nga lidhja e drejtperdrejte -ekzistenciale- e krijuesit ne nje ane, dhe e deshirave, frikave, anktheve, aspiratave te tij njerezore ne anen tjeter.
ne kundershtim me te tera keto verejme se socrealizmi nuk interesohej per shpirtin apo per trurin, por per shprehjen propagandistike dhe ideologjike te doktrines se kuqe permes arteve. nuk ishte rezultante e nevojes per kerkime te asnje tipi. ishte nje art formal, i thate, i vdekur, sepse ishte i mbrujtur vetem nga nevojat dhe parimet e tij dogmatiste. qenesia e tij ekzistenciale konsistonte ne shpalosjen sa me te devotshme dhe rigoroze te dogmes komuniste. kish per qellim te perconte tek masa mendesite e partise, dhe jo nevojen per hulumtim te qenies,apo te ambjentit rrethues. cdo percapje per te tejkaluar keto kufinj (ju kete e dini shume me mire se une), shkaterrohej qysh ne embrion...
e ritheksoj te tera keto i them nga pozitat e studiuesit te historise se artit. dhe nese liria e te shprehurit nuk ekziston ne art, nuk ekziston askund. mendoj se paralelizmi (te pakten ne art) mes ideologjise mbytese nacional-komuniste shqiptare, dhe kanoneve apo pricipeve fetare, nuk eshte fort i sakte, do te thoja edhe i gabuar(duke vezhguar historine ne teresi, jo duke u kapur pas fenomeve social-politike si "inkuzicioni", apo figura fetare-politike ne vecanti) ...
I lexova me vemendje dy pjeset e para, dhe mezi po pres per pjesen e trete te shkrimit. Personalisht mendoj se keto jane dy nga shkrimet me te arritura te shkruara ne gjuhen shqipe ne lidhje me keto probleme. Sepse eshte kapur thelbi i ceshtjes. Eshte e vertete se njerezit tane postsocialiste arrijne te kuptojne vetem permes paradigmave tek te cilat besojne, ndaj ketu lind edhe veshtiresia me e madhe per te kryer reforma, per te ndryshuar dicka ne thelb. Kjo eshte dhe arsyeja kryesore e atyre perqindjeve qe zoti Lubonja permendi ne shkrimin e pare. Nje koleg etnolog nga Beogradi, Slobodan Naumovic, eshte marre hollesisht me analizen e mendimit etnologjik/antropologjik serb, por edhe ballkanas gjate periudhws qe gjeresisht njihet si tranzicion, por qe antropologet kembengulin ta quajne transformim. Naumovici thote se periudha postsocialiste nuk ka te beje thjeshte me kalimin nga nje stad ne nje tjeter - tranzicion - por me procesin e shnderrimit te organizimit te shoqerise ne nje menyre krejt te ndryshme nga ajo scialisto-komuniste - pra transformim. sepse ne qender te nje menyre te organizimit te shoqerise qendron nje filozofi e caktuar, dhe kete filozofi e prodhon mendja njerezore. Ndaj, vazhdon ai, nese nuk transformohet menyra e te menduarit, asesi nuk mund te transformohet shoqeria, e per pasoje ky proces mund te zgjase per vite te tera pa sukses. Pjese e ketij procesi eshte patjeter edhe shkenca - dhe etnologjia serbe, shkruan ai - perderisa nuk e ka transformuar veten, dhe perderisa nuk arrin te jete ndikuese per te ndihmuar procesin e transformimit te shoqerise, eshte e destinuar te deshtoje (sikur ta dinte ai per Shqiperine). Vonesa e transformimit ne shkencat shoqerore, mendon Naumovici, ne rastin serb, ka cuar ne ate refuzim masiv qe popullsia i ben pranimit te krimeve te luftrave te viteve '90, gje qe i ndihmon forcimit te pozitave te klases nacionaliste ekstreme dhe te krimineleve ne pushtet. Si mund te ndjehet etnologu, pyet ai i shqetesuar, kur eshte pjese e nje populli qe ka vrare, por qe edhe eshte dhunuar e vazhdon te dhunohet nga nje klase politike e papergjegjshme dhe kriminale? Ky koleg ka vetem dicka gabim, qe etnologjia serbe ka vite qe perpiqet te zbuse tonet nacionaliste ne Serbi, qe perpiqet t'u thote serbeve cfare eshte miti dhe cfare eshte shkenca, qe perpiqet te gjeje perbashkesine mes popujve, edhe pse temat ne dukje jane po te njejtat. Ai ndjehet fajtor per cka eshte bere ne emer te popullit te tij dhe prej popullit te tij, por ne fakt ata qe e cuan gjendjen ne ate pike, nuk ishin folkloristet e etnologet, por historianet. unifikimi i historiografise me mitologjine ka rezultuar katastrofik per Ballkanin- e ne kete pike Shqiperia nuk mund te beje dallim. Pa u transformuar mendimi intelektual, nuk e di sesa do te mund te transformohej historiografia nga mit me argumente shkencore ne shkence. Dhe pa u kryer ky transformim, a do te kryhet valle ndonjeher ai me i madhi? Shoqerori?
Armanda Kodra Hysa, Etnologe, Tirane
Zoti Lubonja!
Urime per shkrimin. Analizat qe ju beni jane nga me te arrirat por me lini tju them se ne kete shkrim te fundit nuk jam shume dakort me ju persa i perket perdorimit teorik te dogmes ne ilustrimin e argumentit ne fjale. Pse pikerisht kapeni me dogmen fetare? Valle shkenca nuk ka dogma? Kush eshte ai qe do te me vertetoje qe neper dy pika kalon nje drejtez dhe vetem nje ? Kush do te ma perkufizoje piken ? Kush do te ma vertetoje qe materia eshte e ndashme deri ne pafundesi? Epra keto jane dogma qe duhen pranuar pa u vertetuar dhe po te mos i pranosh "antemohesh" nga feja e shkences.Me vjen keq qe askund nuk flitet edhe per dogmat shkencore qe nuk trajtohen si te tilla por perkundrazi vihen edhe emra seksi (aksioma). Ju zoti Lubonja mbase nuk e keni shume qejf fene, dhe keni qellimet tuaja edhe kur shkruani por ju lutem qe per hir te objektivitetit te ma pranoni verejtjen.
Me respekt Noliani.
p.s. nuk jam i krishtere.
Post a Comment