Friday, March 20, 2009

A i patë të rinjtë?

Ndoqa me vëmendje emisionin “Opinion” të Fevziut me të rinjtë e politikës. I kushtova vëmendje sepse të rinjtë janë dimensioni i shpresës, i së ardhmes. Pa këtë dimension e tashmja që jetojmë, bëhet absurde do të thoja, sepse humbet kuptimi i vazhdimësisë së jetës. Mirëpo ndjenja që më la emisionoi ishte pikërisht ajo e një absurdi tragjik pasi ata politikanë të rinj nuk ngjallën tek unë asnjë shpresë, përkundrazi qenë një zhgënjim i madh që sikur ma mbylli shpresën e një të ardhmje më të mirë.
Kanë qenë të shumta komentet që kam dëgjuar pas emisionit që sintetizoheshin në thëniet: “E, a i pe të rinjtë te Fevziu? Të keqen e të vjetërve!”
Nuk ndaj këtë gjykim (“të keqen e të vjetërve!”) edhe pse ndaj ndjenjën e zhgënjimit me ata që e japin këtë gjykim. Shkaku kryesor pse nuk pajtohem është se të rinjtë, sipas meje, nuk duhet t’i mendojmë si diçka që bije papandehur në oborrin e shtëpisë sonë për të jetuar me ne. Ata janë produk i yni; ata janë rritur e selitur në oborrin tonë. Ata janë pasqyra jonë, e edukimit që u kemi dhënë në familje, e shkollave dhe e universiteteve që u kemi ndërtuar, e mësimeve e leksioneve që u kemi dhënë në këto shkolla e universitetete, e gazetave që u kemi ofruar për të lexuar, e ekraneve televizioneve që u kemi nxjerrë përpara për të parë, e vlerave që u kemi inspiruar me sjelljen tonë, e me rradhë. Ata reflektojnë thjesht dhe vetëm të ardhmen që ne kemi ndërtuar për veten tonë. Ata janë thjesht një zgjatim i yni, prandaj, nëse ata bëjnë punë të mira kemi të drejtë të mburremi edhe ne përgjysëm kurse nëse bëjnë keq duhet të ndjehemi përgjegjës më shumë se përgjysëm.
E vërtetë: të rinjtë tanë i pashë krejtësisht të paaftë për të dialoguar, për të dëgjuar tjetrin deri në fund e për t’iu përgjegjur me argumente racionale. I pashë krejtësisht të paaftë për të konceptualizuar probleme. I pashë të mos kishin tjetër model ne kokë veç liderit të partisë së tyre, Sali Berisha, Fatmir Mediu, Ilir Meta, Edi Rama. I pashë ta gjejnë të keqen vetëm e vetëm tek kundërshtari që kishin përballë. I pashë të jenë në gjendje vetëm të denoncojnë biografitë e njëri tjetrin e të demonizojnë njëri tjetrin, por pa arritur të shpjegojnë sadopak psenë e fenomenit që denonconin. I pashë të shtiren si atdhetarë të mëdhenj duke përdorur pikë për pikë të njëjtat sllogane që përdorin më të rriturit. Por, a nuk janë të gjitha këto karakteristika të klasës sonë politike më të rritur? Ata ishin një kopje e keqe e tyrja vetëm për shkak të përvojës më të pakët, por, ju siguroj, pas dhjetë vjetësh ata do të arrijnë të jenë në nivelin e të vjetërve dhe kjo është tragjedia. Për mua, spektakli i mjerueshëm që pamë me të rinjtë në Opinion ishte shprehja më eksplicite e asaj që ka shkruar Konica tre katër breza më parë se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por disa që kanë lindur më parë dhe disa që kanë lindur më prapa.”
Le të qëndrojmë pak tek kjo thënie e Konicës shkrimin e të cilit e kam lexuar dhe rilexuar, e kam komentuar edhe herë tjetër, madje. Konica i referohet një dallimi ideal midis të riut dhe të vjetrit që s’e ka bërë ai për herë të parë (e gjen edhe tek Francis Baconi psh.) e që, për fat të keq, nuk e gjen në Shqipëri. Konica shkruan më 1937 se “Të riut i ndizet méndia me ëndërra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémërave të pastëra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundrë shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak.”
Është e vërtetë: edhe sot ajo çka bije dramatikisht në sy tek të rinjtë tanë është mungesa e dy karakteristikave që sipas meje duhet të jenë thelbësore tek i riu. Së pari, një lloj vetëbesimi, quaje po deshe vetëmburrje e moshës që e bën të riun që, pasi zbulon eksitencën e tij në këtë botë, të thotë se ai nuk ka lindur kot dhe veçanërisht kurrsesi të përsërisë padrejtësitë e hipokrizinë e kësaj bote, por se ka një mision të veçantë, të vetin dhe më të rëndësishmin për ta ndryshuar atë. Kombinuar kjo edhe me besimin se ai do t’i arrijë synimet e tij. Së dyti, sinqeriteti i qëllimeve që e bën të gatshëm të vuajë e sakrifikojë për idealet. Ai mund të jetë edhe i marrë në synimet e tij, por është i sinqertë, beson vërtet në to.
Përshtypja ime është se në tërësinë e vet të rinjve tanë u mungojnë të dy këto karakteristika të të riut. Shumë prej tyre në vend të krenarisë dhe mosbindjes ndaj autoritetit e zëmëratës ndaj padrejtësisë i gjen të gatshëm të bëhen shqytarë të kalorësve dinakë e të padrejtë që gjejnë në rrugën e tyre. U mungon pra ndjenja e sfidës ndaj më të moshuarve të padrejtë e ndaj autoritetit të tyre në përgjithësi, përkundrazi dominohen nga gatishmëria për t’iu bërë urë më të mëdhenjve, për t’u përdorur prej tyre. Me këtë nuk dua të them se nuk ushqejnë ambicie. Por duket se këto janë më shumë për përfitime dhe karrierë sesa për ideale, prandaj dhe nuk i shpallin ato me sinqeritetin e moshës, përkundrazi duket se e dinë fort mirë se këto ambicie mund t’i realizojnë nëpërmjet shqytarllëkut. Dhe kjo lidhet ngushtësisht me mungesën e sinqeritetit. Duke qenë se në vend se të përballen atyre u duhet, që në krye të herës, të konformohen për të bërë përpara, dora dorës, edhe nëse e kanë, e humbasin sinqeritetin, gëlltisin mendimin që kanë ose që mund të kenë derisa arrijnë të mos kenë më asnjë mendim të tyrin sepse ai u është i pavlefshëm për të bërë karrierë. Marrin kështu, si pa kuptuar, pamjen e përshkruar nga Konica: “të ngrysur me sy të turbulluar nga djallëzitë”. Dhe prandaj vijmë në spektaklin e mjerueshëm që pamë ku politikanët tanë të rinj nuk flisnin që t’i dëgjonin njerëzit jetën e të cilëve ata thonë se aspirojnë të ndryshojnë, por liderët e partive të cilave u përkasin me shpresën se të nesërmen e emisionit do të merrnin ndonjë lëvdatë apo gradë prej tyre.
Por, për të kuptuar këtë fenomen, mendoj se përsëri duhet t’u referohemi të vjetërve, dmth modeleve të këtyre të rinjve. Për mua thënia e Konicës se në Shqipëri nuk ka të rinj, por vetëm ca që kanë lindur më parë dhe ca më prapa nuk duhet interpretuar vetëm ashtu siç e interpreton ai se në Shqipëri ka vetëm pleq. Për mua duhet shtruar edhe pyetja: “A ka të rritur shqipëria?” Le ta shpjegoj ç’dua të them me këtë. Një muzikant i njohur botëror emri i të cilit nuk më vjen ndërmend ka thënë: “Kur isha i ri thoja ‘vetëm unë’; kur u poqa edhe ca fillova të them: ‘Unë dhe Mozarti’; tani them ‘vetëm Mozarti’”. Tek kjo thënie mund të gjesh të sintetizuar tërë procesin e pjekurimit dhe mënçurimit të njeriut që rritet jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Nëse karakteristikë e të riut (idealist) është besimi se mjafton të rrahë krahët që ai të fluturojë e të arrijë gjithshka, të vjetrit përvoja e jetës i ka mësuar të njohë limitet e tij, që lidhen me limitet e qënies njerëzore në tërësi, por edhe me limitet e përcaktuara nga realiteti. Pra nëse i riu idealist ka deliret dhe paranojat e tij të moshës i vjetri i ka këmbët shumë më në tokë. Ai po ashtu, nëse është rritur vërtet, ka ditur të mësojë se çka ishte gabim në rininë e tij, në sjelljet ndaj tij, në vlerësimet e tij prandaj dhe të mendojë se çka duhet të ndryshojë në qëndrimin ndaj të rinjve. Ajo çka vërej si fenomenin më të përhapur në vendin tonë është ai i të vjetërve që nuk piqen, përkundrazi të cilët, sa më shumë u kalon mosha aq më shumë humbasin kontaktin me realitetin, që gjithnjë e më pak janë në gjendje të njohin limitet e tyre, që gjithnjë e më shumë thonë “vetëm unë” e që tek të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë nënshtrimin mu si kompensim të poshtërimeve që ata kanë pësuar në rininë e tyre nga më të rriturit. Dhe mu këto karakteristka i bëjnë të shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë me të rinj të parritur që me sjelljen e tyre shkatërrojnë brezin që vjen pas. Janë fenomene tipike të një shoqërie sa autoritare aq edhe e traumatizuar nga autoritarizmi. Pra fare mirë thënien e Konicës mund ta parafrazojmë e të themi se në Shqipëri nuk ka as të rinj në kuptimin e të rinjve të gatshëm të luftojnë e të sakrifikojnë për ideale e të revoltohen nga padrejtësisë dhe as të vjetër në kuptimin e muzikantit që arrin në pjekuri të thotë: “vetëm Mozarti”, por vetëm ca që kanë lindur më parë dhe ca më prapa. Çka do të thotë, në thelb, se kemi të bëjmë me një shoqëri që nuk është në gjendje të përparojë.
Rrugëdalja nga ky reth vicioz për mua duhet kërkuar në shkatërrimin e strukturave autoritare e mafjoze që mbretërojnë në shoqërinë tonë më një anë e në kultivimin e atyre vlerave e idealeve që do t’i bëjnë të rinjtë tanë më në fund të vazhdojnë “mendime të bukura pa interesë vetiak”, “të vuajnë për ideale”, “të dridhen nga padrejtësia dhe mbrapsen nga dinakëritë posi nga murtaja.”
Një punë që duket e vështirë, po të kesh parasysh se sa aktuale tingëllojnë sot fjalët e shkuara tre katër breza më parë nga Konica, por jo e pamundur. (Korrieri, 20 mars 2009)

7 comments:

Endri said...

Kjo eshte teme ku mund te shkruash me dite te tera. Megjithate si "i ri" po mundohem te jap nje spjegim racional pse ate dite ata "te rinj" deshtuan aq keq.

Problemi eshte ne vete sistemin e ngritjes se karrieres ne partite politike shqiptare. Te rinjte e emisionit (te pakten ata qe perfaqesonin partite kryesore) nuk jane ne pozicionin e tyre sepse u jane imponuar lidereve te tyre nepermjet mbeshtetjes se fituar vete gjate luftes politike tek organizatat partiake. Ata jane aty sepse jane vendosur nga lart per dekor dhe jane krejtesisht te izoluar brenda partive te tyre. Dhe natyrisht dekori nuk mund te stonoje me idealet e liderave sepse eshte vene per zbukurim e jo per stonim.

Pra perzgjedhja e "te rinjve" ne elitat e partive shqiptare behet mbi principe krejt te ndryshme nga cmund te behet nje perzgjedhje normale ne ekonomi psh. Prandaj shohim cudira te atilla. Sistemi i brendshem i organizimit partiak shqiptar eshte sistem i ngritur mbi strukturat klanore dhe nenshtrimin ndaj liderit prandaj produktet e kesaj strukture nuk duhet te habisin askend.

Dua te them qe nuk jane pjesemarresit e emisionit rinia shqiptare. Ata nuk perfaqesojne 25 mije e kusur te rinj qe kane studiuar e punojne jashte apo jane kthyer. As perfaqesojne shume te rinj urbane qe punojne tashme neper firma, banka e gjykata.

Ne fund te fundit pluralizmi partiak ne Shqiperi eshte nje institucion i importuar qe funksionon mbi struktura klanore. Pra parlamentarizmi funksionon mbi nje strukture qe eshte krejt e huaj per modelin fillestar perendimor nga te cilin e kemi importuar. Si i tille do te duhet shume kohe para se parlamentarizmi ne Shqiperi te funksionoje sic duhet.

Prandaj me e rendeshme se pluralizmi partiak e parlamantarizmi eshte shteti ligjor. Me ne vecanti gjykata profesionale te forta e te pavarura. Jane me te rendesishem te rinjte profesioniste qe punojne ne te tilla institucione, ne arsim e ne ekonomi sesa bashkemoshataret e tyre neper parti. Ata duhet te ishin ne ate emision te uruar.

Anonymous said...

Mire, pas leximit te artikullit, mund te them keshtu :

Ngacmimi i pare ishte : a besoj une ne ndryshimin e thelbit te nje njeriu te rritur, psh 20 vjec ? E kam fjalen, a eshte i njejti njeri nje 20 vjecar, 40 vjecar, 60 vjecar ?

Per veten time, une jam reaksionar. NUK BESOJ ne ndryshimin e nje njeriu. Eshte e njohur thenia : sa me shume mplakemi, aq me shume vetvetja behemi. E kam fjalen qe ne nuk dalim nga ajo cka kemi bere me veten.

Per ta lidhur me grupin e derdellitesve, une besoj se toci mbetet toc. Ne kete kendveshtrim, te rinjte tane qe u vetepushkatuan nje nate marsi te vitit te nente te mijevjecarit te trete, jane perfundimisht te vdekur. Nuk ka bere vaki qe ndonje i vdekur te ringjallet, ose perndryshe ne perrallat me lugeter.

Jo per t'u mburrur por ka kohe qe i kam parashikuar keto gjera. Ne boten shqiptare qe eshte perqendruar perfundimisht ne duart e nje klike kryeqytetase, klike e cila ka gjetur "vetebekimin" e saj ne krahasimin me "hunjte" e zbritur maleve dhe "horrat" e hipur fushave, nuk krijohet asnje vlere. Organet e shtypit, radios, televizionit, internetit, gjithcka informative eshte perqendruar ne nje grusht njerezish qe e shohin veten, jo pa arsye, te plotfuqishem.

Keto shenja te kesaj mizerje te sotme jane ngrohur dhe kllockuar qe prej shume kohesh. Gjithkush mund te germoje ne kujtesen e vet plot e plot shembuj te skamjes mendore per hir te lumturise se dukjes.

Lubonja ka te drejte kur thote qe shpetimi gjendet nga krahu i shkaterrimit te strukturave mafioze.

Le te ndalemi pak ne kete term : struktura mafioze. C'ka ndermend Lubonja me kete ? Ndoshta kete :

Kam pase gjithmone mendimin qe mendesia shqiptare eshte nje mendesi ne thelb mafioze. Qe nga casti qe nje njeri fillon te mburret me bemat e kusheririt apo stergjyshit te tij, qe nga ketu ne kemi shkelur ne trojet e mafias. Nje mafioz vepron gjithmone i shtytur nga motive gjinore, farefisnore, apo dhe miqesore gati mistike. Ku e kam fjalen ? Ketu : NE SHQIPERI, ESHTE SHUME E VESHTIRE TE GJESH INDIVIDE. Ka njerez, por jo individe. Ka shoqeri, ka miqesi, ka familje, por jo INDIVIDE. Individi eshte i lecitur, mundesisht me ndonje pulle te kuqe nga pas. Ne nje shoqeri ku mbajtja e fjales paraqitet dhe shitet si burreri (dhe jo si nje virtyt i nje individi, pa asnje lidhje me burrerine qe shihet gjithmone ne lidhje me te tjeret), eshte e veshtire te gjesh nje INDIVID.

C'do te thote individ ? In + divid = i pandashem. Dikush qe nuk mund te ndahet me tej, nje qenie e plote, nje qenie unike, e paperseritshme dhe e pazevendesueshme. Por ne shoqerine tone, ndarja vazhdon e vazhdon dhe rralle here arrijme tek ky individ. Para nesh shfaqen gjithfarelloj shtresash dhe levozhgash qe e mbrojne kaq mire nje njeri sa individualiteti i tij nuk mund te gjendet me, si pasoje e tjetersimit te tij te gjate ne kusine e kolektivit.

A eshte nje individ Ajola Xoxe ? Per mua, jo. Thelbi i saj eshte qe t'iu perkase te tjereve dhe jo vetes se vet. Ajo nuk arrin te hyje ne guacken e asaj qe quhet UNE. Kur degjon Xoxen, dhe kur ajo thote "une", mos u genjeni, ajo ka gjithmone ne mendje fjalen "ne". Vetmia e ben me frike Ajolen. "Zhveshja lakuriq" e tmerron. Perse jeton Ajola Xoxe ? Thjesht per inerci. Asaj i eshte dhene per te jetuar dhe ajo deshiron te jetoje. Dhe kaq. Nje deshire sic e perjetojne dhe kafshet e trembura te xhungles kur i ikin luanit. Cfare qellimesh ka ne jete Ajola Xoxe ? Asgje tjeter pervec te ekzistoje. Dmth permes te tjereve. Ajo nuk ekziston ne vete. Ekziston PER te tjeret. Ekzistenca eshte ex-sistere : te dalesh dhe te shfaqesh perkundrejt nje origjine, te kesh nje largesi ne lidhje me veten. Jo me kot, e vetmja qenie qe provon ekstazen eshte njeriu : ne ekstaze, njeriu del nga vetja, jashte vetes.

Shkurt, Ajola Xoxe rri perfundimisht e qepur dhe e gozhduar pas vetes se vet. Ajo nuk arrin ta perjetoje ekstazen e te qenurit njeri.

Anonymous said...

I nderuar zoti Lubonja !
Jeni i sakt si gjithmon.Ju e shtroni problemin pertej partive e pertej rastit ne fjale.
Tek ne nuk lexohen as filozofet e as klasiket,edhe kur ndodh kjo fjalet e tyre sherbejne si zbukurim.
Si mund te arrihet qe njerzve ne Shqiperi,qofshin te rinj apo pleq, tu jepet mundesia te provojne lumturine qe te dhuron ndjekja e nje endrre ne jete.
Ndjekja e nje endrre qe nuk ka te bej me gjera materjale....
Duhet te kete nje rruge per te mbjellur kete lumturi.
Vall shkrimet e Konices ,Vangjel Koces,
Lubonjes do tingellojne edhe ne vitin 2100 sikur sapo jane shkruar!?
Apo brezat do ndjejne se kane hipur ne shpatullat e ketyre viganeve te kombit per ta lartesuar endrren e tyre.
Duhet te kete nje forme ........
Sano

Anonymous said...

Nuk patet guxim ta postoni komentin tim, apo cfare?

Bledi said...

TE GUXOSH NE MBROTJE TE IDEALEVE TE TUA NE SHQIPERI DO TE THOTE TE JESH I SPOSTUAR NE CDO ASPEKT , OSE I BURGOSUR.
Pershendetje z. Lubonja e ndoqa me vemendje opinion mbreme dhe me te vertet goxha teme qe duhesh kosumuar dhe ajo qe rezultoi ne fund ishte thjesht nje rikujtim i asaj se cdo te thote te jesh i ri (per mua te pakten personalisht). Vertet mendon ti se disa te rinj nuk e kane ate karakteristike e atij te riu qe dalin ne mbrotjje te idealve te tyre , po pse mor z. Lubonja , mendoni me te vertet qe kto persona do vlersohen , . PO PSE DUHET TA BEJ UNE NJE GJE TE TILLE , KU NESER PASNESER MUND TA SHOH VETEN MBRAPA KANGJELLAVE? PRA JENI JU ATA QE PO HIDHNI BALTE MBI TE RINJTE (PRA POLITIKANET SHQIPTARE) QE KERKONI DHE VETEM KERKONI SERVILA NE POLITIKE .

Anonymous said...

une kisha nje pyetje per zotin lubonja, per cfare e keni fjalen kur flisni per pjekje te te rinjve, ne humbjen e idealeve te tyre ? une mendoj se jo , me sa ju kam ndjekur por do tju isha shume mirenjohes po te ma sqaronit kete pjese.faleminderit

Anonymous said...

Me vjen keq mor zoti bledi por nese e lexon mire shkrimin thelbi eshte se i riu nuk llogarite asgje po mundohet me mish dhe me shpirt qe te realizoje idealet e tij , endrren e tij , , kjo e dallon te riun nga i vjetri. Edhe pse duhet te them qe ne njefare menyre te kuptoje per veshtirsite qe jane tani ne shqiperi por na qelloje ne qe te jetojme kete periudhe te veshtire dhe ti bejme balle , po te vazhdojjme me kalkulime nuk do te dalim kurre nga kjo katrahure .