Sunday, March 15, 2009

Kriza botërore dhe indiferenca shqiptare

Më bën shumë përshtypje se sa pak flitet në Shqipëri për krizën botërore ekonomike dhe se sa cekët mbi të gjitha. Sigurisht kur bëj një pohim të tillë kam një pikë krahasimi: atë se sa dhe si flitet në Perëndim dhe jo vetëm, por edhe në Azi e gjetkë. Atje flitet përditë, për çdo orë madje. Lajmet hapen e mbyllen me njoftime dhe të dhëna rreth krizës. Debatet televizive dhe nëpër mediat e shkruara e kanë krizën temë të përherëshme. Kurse ne flasim ndonjë herë sa për të kaluar rradhën dhe më shumë për të tjerët sesa për veten tonë.
Besoj se një nga shkaqet kryesore të indiferencës sonë qëndron në faktin se na mungojnë instrumentat për të matur atë që të tjerët e quajnë “krizë” dhe në përgjithësi na mungon një sistem imuniteti që, me reagimin e tij, tregon shkallën e rëndësisë së sëmundjes. Kriza sot matet me përqindjet e humbjeve në bursë, me përqindjet e rritjes së papunësisë, me shkallën e falimentimeve të ndërmarrjeve, me shkallën e rënies së fuqisë blerëse, të eksportit e me rradhë. Për të gjitha këto ne nuk kemi tregues seriozë dhe të saktë. Jemi pra si ato makinat primitive mbarëvajtja e motorrit të të cilave matet me vesh dhe që vetëm kur ndalon motorri apo shpërthen flaka mbi kofano ndalemi ta hapim e të shohim se ç’po ndodh. Dhe sa për zhurmat e dëgjuara me veshë ato janë shumë subjektive. Interpretohen si të duash. Për mazhornacën motorri po punon si sahat, kriza thuajse nuk ekziston në vendin tonë, është thjesht një produkt i mediave të lidhura me opozitën. Ndërkaq, për opozitën, motorri është gjithë zhurma që lidhen kryesisht me paaftësinë e shoferit Berisha.
Në fakt kriza është diçka që e tejkalon aktualitetin, që i ka rrënjët më thellë sesa një apo dy mandate elektorale dhe që besoj se do t’i kapërcejë, në impaktin e saj, edhe dy tre mandate të ardhshme elektorale.
Kriza në vendin tonë ka dy aspekte ndër të cilët ndërsa njëri, gjithsesi, trajtohet, tjetri thuasje nuk është pjesë e debatit.
Aspekti i parë është ai ”simptomatik” do të quaja: që merret me format e shfaqjes së krizës dhe që e trajton atë si një emergjencë, si nevojë marrjeje masash për të parandaluar rënien e mëtejshme të nivelit të jetesës së njerëzve, falimentimin e bankave, të sipërmarrjeve e me rradhë.
Në këtë aspekt sot në Shqipëri flitet deri diku. Theksohet psh. fakti se kriza ka ulur (dhe sipas gjasave do të ulë edhe më tej) të ardhurat e emigrantëve, të cilat janë një burim i rëndësishëm për ekonominë tonë. Në emisionin “Zonë e Ndaluar” të Bushatit pamë se një industri jo e vogël, ajo e fasonerisë së veshmbathjes, është në falimentim sepse tregu botëror, për të cilin ajo punon, është tkurrur. Thuhet se është ulur gjithashtu edhe eksporti i minierave. Në përgjithësi vështirë të thuash se çfarë eksporton Shqipëria dhe se sa ky eksport është vital për vendin. Ne jemi një vend që, sipas shifrash të disa viteve më parë, importojmë pesë herë më shumë nga sa eksportojmë kështu që kriza, nga pikpamja ekonomike, tek ne duket se lidhet kryesisht me uljen e aftësisë blerëse të shqiptarëve për shkak të pakësimit të të ardhurave të emigrantëve. Këtu, megjithatë, nuk mund të mos hapësh parantezën që ngrihet në formën e pikëpyetjes se sa janë të ardhurat që vijnë nga kriminaliteti i organzuar, trafiqet e drogës dhe prostitucionit kryesisht, që përsëri, sipas të dhënash të paverifikueshme, kapin shifra të larta dhe se si reagon kjo lloj ekonomie në rast krize. (Sipas specialistëve në rast krize, që shoqërohet me falimentime dhe ulje çmimesh të pasurive imobiliare, mafia, që zotëron likuiditete, shtrin edhe më tentakulat e saj duke blerë.)
Por aspekti më i dukshëm i krizës ekonomike tek ne duket se lidhet me industrinë e ndërtimit që ka qenë baza e të ashtuquajturës rritje ekonomike të vendit dhe po ashtu baza e shpërndarjes së parasë në shtresat e ndryshme të popullsisë. Është thënë se ndër 2000 sipërmarrje ndërtimi 600 vitin e kaluar nuk kanë bërë asnjë punë, - praktiksht mund të quhen të falimentuara - se ka mbi 4000 apartamente pa u shitur, por nuk jepen të dhëna se sa apartamente dhe shtëpi private janë pa mbarur së ndërtuari. As se sa borxhe janë marrë nga bankat për mbarimin e tyre dhe nëse janë paguar ato. Duke patur parasysh se industria e ndërtimit ka mbajtur në vend edhe tregëtinë e të ashtuquajturve materiale ndërtimi merret me mend se niveli i papunësisë që ka krijuar rënia e saj duhet të jetë shumë i madh. Shkaku i rrënimit të kësaj industrie, sipas mendimit tim, është i brendshëm para së gjithash sepse kemi të bëjmë me investim të gabuar, pa strategji, por pa dyshim është edhe rezultat i tërë aspekteve të tjera të krizës.
Ne nuk dimë gjithashtu se sa është investimi i huaj në Shqipëri; me fjalë të tjera se sa janë paratë që bankat perëndimore kanë investuar në vend në formë kredish dhe si është sot gjendja e tyre. Nuk dimë se sa janë borxhet e shtetit tonë gjithashtu që nesër mund të na çojnë në një inflacion shkatërrimtar. Në një shkrim të botuar kohët e fundit në shtypin e huaj, ku përmendej edhe Shqipëria, vihej në dukje se Austria kishte probleme të mëdha ekonomike pasi, me falimentimin e ekonomisë së Hungarisë dhe Çekisë, ku kanë investuar bankat austriake, ai vend do të ketë vështirësi serioze. Përgjithësisht sot po flitet për një falimentim të ekonomive të vendeve të Lindjes me pasoja të paparashkiueshme.
Nuk ka pikë dyshimi se ne jemi në një krizë shumë më të rëndë se ajo që po kalojnë vendet e tjera, paçka se nuk duam ta shohim atë. Për të gjitha këto tek ne flitet shumë pak dhe pa transparencën e duhur/detyrueshme. Tek ne shifrat e besueshme mungojnë sepse ne notojmë në informalitet, por edhe pse forcat politike nuk kanë interes të flasin, por lidhur kjo ngushtësisht edhe me faktin se mjetet e informimit kontrollohen pikërisht nga ata që mund të jenë shkakatarët kryesorë të krizës: biznes - politika. Përshtypja ime është se tek ne do të mund të flitet për krizë vetëm nëse do të vijë momenti kur shteti nuk do të ketë likuiditete për të paguar rrogat dhe kur bankat të mos kthejnë më klietëve të hollat. Por kjo nuk quhet krizë: ky quhet kolaps dhe pas kolapsit vjen më e keqja e mundëshme.
* * *
Por aspekti i krizës për të cilin nuk flitet thuajse fare është ai që ka të bëjë me shkaqet e saj më të thella dhe për eliminimin e tyre. Kudo në botë flitet për sistemin që ka përftuar këtë krizë dhe nevojën e rimendimit mbi të. Po qarkullon nëpër internet edhe një thënie e Marksit e vitit 1867 që jepet si profetike. Marksi shkruante më 1867 se do të vijë një ditë kur: “Pronarët e kapitalit do t’a stimulojnë klasën puntore të blejë gjithnjë e më shumë të mira materiale të shtrenjta, shtëpi dhe teknologji duke i shtytur njerëzit të marrin kredi gjithnjë e më të mëdha, derisa borxhet do të bëhen të papërballueshme. Borxhet e papaguara do të çojnë në falimentim bankash të cilat do të nacionalizohen dhe Shtetit do t’i duhet, atëhere, të marrë atë rrugë që mund të çojë në komunizëm”
Kjo thënie e Marksit pa dyshim përmban një pjesë të së vërtetës së analizës së sistemit edhe sot. Thelbi i shkaqeve të krizës qëndron tek sistemi i ngritur mbi kultin e tregut si regullues i vetëm, mbi kultin e privates, të përfitimit të individit në kushtet e derregullimit të paraqitur si ideologji fitimtare, çka e ka shpërndërruar individin në një klient që kuptimin e jetës e gjen vetëm tek blerja e të mirave materiale që vjen e bëhet gjithnjë e më spekulative. Ajo çka profetizon si rrugëdalje Marksi ka ndodhur herë tjetër në të vërtetë në Perëndim jo në formën e komunizmit, por në formën e forcimit të shtetit social që ka ditur të harmonizojë interesat e individëve dhe sipërmarrjen e tyre të lirë me interesin e tërë shoqërisë. Në SHBA në kohën e Depresionit të Madh kejnesianizmi bazohej në ndërhyrjen e fuqishme të shtetit nëpërmjet investimeve publike. Në përgjithësi reagimi mbrojtës ndaj krizës ka qenë forcimi i rolit të shtetit: (pa harruar se në Evropë forcimi i rolit të shtetit në kohën e Depresionit të Madh prodhoi nazizmin dhe fashizmin).
Habermasi kur flet për shtetin social thotë se ai vjen pas kapitalizmit të egër. Kjo që po ndodh sot është pa dyshim edhe pasojë e rrënimit të shteteve sociale nacionale për shkat të globalizimit. Jo më kot disa e quajnë këtë krizën e parë të madhe të globalizimit që do të imponojë, ndoshta, shtetin social global.
Edgar Morin, duke folur së fundi për krizën thoshte: "Po na shfaqet rasti ta rimendojmë qytetërimin tonë përpara se të jetë shumë vonë. Për shumë kohë kemi besuar se zhvillimi ekonomik dhe teknologjik do të ishte lokomotiva e demokracisë dhe e mirëqënies. Sot duhet të ndryshojmë hegjemoninë e sasisë në favor të cilësisë, të të mirave jomateriale të tilla si dashuria dhe lumturia"
Po ashtu janë gjithnjë e më të shumtë zërat që shtrojnë çështjen se problemi i kësaj krize duhet përballuar si një i tërë dhe jo si çështje emergjencash të izoluara. Denoncohet fakti se njeriu u mësua të mendojë me zona të ndara, sipas specializimeve të ndryshme duke i munguar një metodë për të lidhur njohjet e ndryshme. Sot po ngulmohet se nuk mundet psh. të ndahen reformat ekonomike që duhet të ndërmerren për daljen nga kriza nga ato shoqërore. Morin parashikon lindjen e utopive të vogla të reja të tilla si mikrokredia, telelavoro, ikja nga metropolet "çnjerëzore" drejt fshatit, rritja e bujqësisë biologjike, kujdesi për të vjetrit. Me një fjalë kthimin tek etika. Kultura materialiste thotë sociologu do të ketë një perëndim të pandalshëm. Do të duhen ende vite, ndoshta dhjetëra, për këtë, por herët ose vonë do të zëvendësohet nga kultura e imateriales. "Është edhe e vetmja mënyrë që na mbetet për t’u mundësuar të gjithëve të jetojnë në të njëjtën tokë. Po bëjmë betejën më të vështirë: atë të mbijetesës së njerëzimit tonë."
Po Shqipëria si ka mundësi që as e ve ujin në zjarr mbi tërë këto aspekte? Si shpjegohet që tek ne po ndiqet e gjithë kjo histori dhe pasojat e saj jo sikur të bëhet fjalë për fatet e jetës sonë dhe të fëmijëve tanë, por sikur të jemi duke parë një film të Hollivudit nga ata me katastrofa? Pse na mungon krejtësisht vetëdia e asaj që Friedrich Holderlin do ta formulonte me frazën e njohur: "atje ku rritet rreziku atje rritet edhe shpetimi"? (Obama nuk do të ishte zgjedhur sikur të mos ishte kriza ekonomike dhe kriza në Irak). Shpjegimi besoj se lidhet kryesisht me zhytjen e shoqërisë në një padituri mjerane nga ana e një elite politike e intelektuale krejtësisht e paaftë dhe meskine të cilës kjo padituri i shërben për të mbajtur pushtetin. Ne na mungon ndjenja e rrezikut sepse ata që duhet të jenë sensorët tanë kryesorë janë të zënë me punët e tyre meskine të pushtetit, korrupsionit e pasurimit personal pa çarë kokën për të tjerët. Përpara gjithë kësaj beteje botërore shqiptarët duken dramatikisht indiferentë dhe kundër rryme. Ka një mungesë të hatashme të reflektimit për sistemin e derregullimit të ngritur në Shqipëri me ndihmën e një korrupsioni shkatërrimtar. Kryeministri ynë flet sikur Shqipëria të ketë bërë zgjedhjen më të mirë në më të mirën e botëve duke na dhënë me gëzim lamet e shitjeve të pasurive të tjera të shqiptarëve. Ai mburr privatizimet pa u merakosur për hendekun që po thellon midis një grushti të pasurish dhe shumicës që nesër, në mungesë të të ardhurave të emigrantëve, nuk dihet se ku do të përplasen. Opozita duket thjeshtë e merakosur se si të marrë nesër pushtetin për të zgjidhur problemet e klientelës sës saj, pa u merakosur për nevojnë që ka vendi për të rimenduar tërësisht sistemin që kështu nuk mund të funksionojë. Në këto kushte nuk të mbetet tjetër veçse të thuash: Zoti na shpëtoftë! (Korrieri, 14 mars 2009)

8 comments:

Autori: STALKER said...

ah mor mik...,

Po si ta vere "shqiperia ujin ne zjarr", kur eshte e populluar nga maksimumi 4 miljon banore, teveqelë nga trute ne masen 95% ( e kisha fjalen per cilesine) e qe nuk jane veçse 1/4 e popullsise se Pekinit 16 miljon banoresh ?? (e kisha fjalen per sasine).

Endri said...

Per mendimin tim keni shume te drejte ne analizen mbi trajtimin e krizes ne Shqiperi, mbi mungesen e sensoreve makroekonomike dhe nje elite te paafte.

Sidoqofte kriza aktuale boterore eshte pasoje e standartizimit dhe ndervarjes se madhe te tregjeve financiare. Nje krize lokale financiare amerikane u kthye ne nje katastrofe financiare boterore brenda 6 muajve. Kjo vjen nga ndervarja gjithnje e me e madhe e tregjeve financiare me njera tjetren. Ne teorite e sistemeve komplekse (ku hyjne dhe tregjet financiare e ekonomike) nje nga principet me te rendesishme eshte ruajtja e diversitetit, dmth. ruajtja e "ishujve" qe funksionojne mbi principe alternative. Perparesia e diversitetit eshte qe kur nje ishull deshton, demi mbetet lokal pra nuk perhapet shume tek ishujt e tjere. Standartizimi qe imponon nje sistem global ndrydh diversitetin dhe qofte krizat qofte rritjet ekonomike jane fenomene globale e jo me lokale. Prinicipin e diversitetit e gjen rendom ne natyre ne formen e biodiversitetit. Ne fakt sa me komplekse te jene sistemet aq me e madhe eshte aftesia e tyre per te krijuar diversitet.

Nga kriza aktuale po preken ne menyre te ngjashme qofte ekonomite sociale europiane qofte ekonomite komunisto-kapitaliste aziatike qofte ekonomia amerikane. Leksioni me i rendesishem nga kjo krize eshte pikerisht ruajtja e diversitetit, atij politik, ekonomik e social.

Thirrjet, mbi telepunen, ushqimet biologjike dhe shtetit social global jane ne princip thirrje per zgjidhje naive ndaj nje problemi shume me kompleks. Telepuna psh. eshte nje forme e shkembimit te informacioneve ne kohe reale dmth. te po te njejtit fenomen qe mundesoi standartizimin dhe globalizimin ne radhe te pare. Ushqimet biologjike jane poashtu utopi sepse popullsia boterore rritet me ritme te frikshme dhe siperfaqja e punueshme e tokes globale ka mbetur po ajo. Dmth. rendimenti i prodhimit bujqesor duhet rritur (nepermjet teknologjise gjenetike) per te perballuar rritjen e popullsise boterore. Nuk po i futem fare shtetit global social se nuk besoj se e ka njeri seriozisht me kete ide.

Ne fund te fundit tregjet jane sisteme inteligjente qe funksionojnse ngjashem me sistemet biologjike nepermjet pershtatjes e seleksionimit. Si te tilla edhe kriza aktuale sado e rende qofte ajo do te kalohet. Por kjo pershtatje do te kete kosto sidomos per mireqenien e vendeve Europiane e Amerikane.

Anonymous said...

I nderuar z. Lubonja

pres nje shkrim nga ju mbi debatin fantastik qe u zhvillua dje tek fevziu, me politikanet e rinj.

Anonymous said...

Ai diversifikimi ngjan si nje izolim ishullor, per te mos u perballur me asnje vale sado te vogel e jo me dallge te gjeneruara diku gjetke, qofte edhe tek fqinji me i afert, eshte po aq, ne mos me naiv se sa ideja e telepunes dhe ushqimeve biologjike.

Derisa sisteme te ndryshme po u prekan njelloj nga kriza, diversifikimi i atyre qe jane tashme diverse, si zorr te jete zgjidhje.

Qe nxitja e nje kulture et shfrenuar mbikonsumi dhe materailsite eshte gje si e neveritshme dhe po ashtu edhe shkattrimtare , jam plotesisht dakord. Por qe shteti, me veprimet e tij te jete zgjidhja eshte si besimi i ateistit, qe kur punet nuk i vene mire, mendon: po sikur te kete Zot e te me shpetoje?

Per ate qe i ka ndjekur me kujdes informacionet mbi lindjen e krizes, rezulton se ne fakt ka qene shteti ai qe ka nxitur nje kreditim artificial dhe pa asnje mundesi kthimi per disa shtresa, i cili pastaj ak dale jashte kontrolli dhe ka perfshire masa te gjera, nderkohe qe qeveria kishet dhene ne heshtje garancira se ne rast problemi do et mbulonet humbjet. Per mua eshte me shume nje prove plus qe tregon se sa dem ben shteti me nderyrje et drejtperdrejat ne ekonomi se sa te qenurit e tij shpetimtar.Qeverite kudo, kur eshte fjala per suksese dhe shpetime marrin autoresine persiper me shume qef e buje, por kur eshte fjala per deshtime dhe probleme e bejne hasha femijen e vet.

Anonymous said...

Qeveritë e botës janë marioneta të një grushti njerzëish të fuqishëm që tërheqin fijet nga lart që prej disa shekujsh. Janë ata që vendosin për fatet e njerëzimit sepse janë ata që kontrollojnë paranë. Një sistem financiar bazuar mbi dhënien e parasë me përqindje interesi ka vëtem një përfundim: shtimin e borxhit. Kur paraja prodhohet nga një institucion i vetëm qendror që furnizon qeverinë, bankat e tjera, ndërmarrjet dhe individët dhe kur për çdo lek që jep, kërkon t'i kthehet 1 lek + interesin, kjo do të thotë që qeveria, bankat apo individët janë direkt borxhlinj dhe nuk do të dalin dot kurrë nga ky borxh, sepse për t'a shlyer këtë duhet të prodhohet më shumë para (nga institucioni qëndror), që si rrjedhojë krijon edhe më shumë borxh, mqs edhe kjo para jepet me përqindje. Cfarë ndodh si përfundim? Borxhi shtohet dhe institucioni qendror (banka qendrore), Rezerva Federale në rastin e SHBA-ve, bëhet pronare e borxhlinjve të vet dhe shtrin tentakulat.

Kriza botërore nuk është rastësi, është e paramenduar dhe e planifikuar, siç nuk janë të rastësishme luftërat në lindjen e mesme dhe as nuk kanë qenë ato të mëparshmet. Edhe kësaj rradhe, ky grusht njerëzish do të shtijnë në dorë një pjesë tjetër të mirë të pasurive dhe resurseve të botës, duke hedhur një hap më tutje drejt asaj që vetë e quajnë dhe nuk e fshehin më tashmë: Rendi i Ri Botëror (një shtet, një qeveri). Për sa kohë që njeriu i thjeshtë e ka mendjen të zenë me punë stresuese dhe me kënaqësi materiale e nuk i bën vetes shumë pyetje, çdo gjë është në rregull. Kultura e konsumit i ka dhënë provat në këtë drejtim.

Shtetet po japin përditë diçka nga pavarsia e tyre në përfitim të bashkimeve politike e ekonomike. Popujt nuk i zgjedhin më vetë përfaqësuesit e tyre dhe as nuk votojnë më vetë për kushtetutat që zbatohen në vendet e tyre. Punonjësit janë skllevërit modernë të koroporatave ndërkombëtare, prapa së cilave fshihen po ata që tërheqin fijet nga lart. Frika nga pasiguria dhe terrorizmi shfrytëzohen me qëllim për të uzurpuar çdo ditë e më shumë liritë e individit: bankat e të dhënave biometrike të qytetarëve, kartat e identitetit të pajisuar me çipe që lejojnë lokalizimin e mbajtësit përmes frekuencave radio etj, janë po aq të frikshme sa ç'duken qetësuese për qytetarin e ndershëm.

Shqipëria është vetëm një pikë uji në oqean dhe shqiptarët janë delet më qorre. Kriza që kapur sistemin botëror nuk ka si e kursen këtë vend. E ardhmja është e frikshme përballe kapitullimit. Ka njerëz që mendojnë akoma se ia vlen të punosh dhe të derdhësh taksa për shtetin, sepse nesër pasnesër do dalësh në pension dhe do të mbahesh nga shteti. Eshtë ëndërr zhgënjyese kjo, edhe për qytetarët e vendeve të zhvilluara. Kush mund të sigurojë veten dhe të afërmit e tij sa nuk është vonë, le t'a bëjë...

Endri said...

Per sa kohe nuk ka nje infrastrukture te etabluar vendimmarrese globale vete rendi global ekonomik (aka. globalizimi) eshte i parakohshem.

Zgjidhjet afatgjata te krizes jane dy.

1) Ose te zhvillohet diversifikimi i sistemeve financiare dhe ekonomike dhe rrjedhimisht te ulet ndervaresia e sistemeve nga njeri tjetri.

2) Ose te zhvillohen institucione vendimmarrese globale per te rregulluar nje ekonomi tashme globale. Institucione te tilla ekzistojne vetem nominalisht ose jane me kompetenca shume te kufizuara (FMN, Banka Boterore, OKB). Megjithate shkalla e standartizimit dhe struktura ekonomike globale eshte sot shekuj para standartizimit dhe zhvillimit te strukturave vendimmarrese globale.

Per shume aresye ngritja e strukturave politike globale qe nenkuptojne dorezimin e kompetencave te shteteve eshte krejtesisht joreale. Prandaj zgjidhja e vetme qe mbetet eshte diversifikimi.

Shembulli me i mire se sa e veshtire eshte te ngresh struktura vendimmarrese pertej shteteve e kulturave eshte EU. Me nje histori 50 vjecare zhvillimi te shendoshe institucional EU nuk eshte akoma ne gjendje te marre nje vendim per te reaguar ne menyre te orkestruar ne nje krize te madhe si e tanishmja.

Dhe te jemi te qarte qe nje spanjoll dhe nje hungarez kane te perbashketa me te medha sesa nje spanjoll e nje kinez. Kur EU nuk merret vesh mes vete ne nje cast qe vetem aksioni i koordinuar i shteteve te saj mund te kete ndonje efekt, si mund te pretendohet se do te merret vesh me Kinen e larget?

Anonymous said...

Sistemi yne bankar duke mos qene i integruar i ka shpetuar kolapsit financiar global.Pasojat e krizes do te ndihen dhe ne Shqiperi per shkak te pakesimit te dergesave te emigranteve, pakesimit te ndihmave te qeverive te huaja, pakesimit te investimeve.Por nuk do te kemi kolaps bankar.falimentimi bankar dhe menyra shqiptare e perballimit te krizave do te perbente receten per nje 1997 tjeter.Kriza boterore do te sjelle deflacion.Dobesimi i dollarit do te thote qe mjetet e prodhimit te blihen me lire.kapitalistet shqiptare nese kane para dhe jane ata qe u duuket se jane tani kane nje rast te arte te fillojne manifacturimin vendas.

Anonymous said...

Dikur ne Shqiperi kendohej nje kenge popullore:
"...Sec po bejme koqen e palles
nen Traktatin e Varshaves..."

Mesa duket keta te NATO-s qenkan me doreshtrenguar,nuk leshojne qindarken.
E shqiptaret kane mbetur keq....