Sunday, May 24, 2009

Liqeni jemi ne

E kam ndjekur me një ndjenjë të veçantë dëshpërimi ngjarjen e derdhjes në Liqenin e Parkut të Tiranës të sasirave të tilla helmesh kimike (disa thonë bojë hidromat) saqë është shkaktuar ngordhja e peshqve në të, saqë është hedhur deri ideja e nevojës së boshatisjes së tij. Është një ndjenjë e veçantë dëshpërimi që e kam gjetur tek shumë vetë. Po pse e veçantë, - mund të më thoshte dikush - në Shqipëri kanë ndodhur e ndodhin aq shumë ngjarje që të ngjallin dëshpërim, edhe më të rënda se kjo, saqë me këtë nuk ia vlen të merresh, mjafton të kesh parasysh mbytjet në det të anijeve me njerëz në kanalin e Otrantos, vrasjet e 97-tës, Gërdecin apo gjendjen e shkollave publike, të spitaleve publike, shkatërrimin e bregdetit.
E megjithatë kjo për mua është e veçantë sepse dëshpërimi i këtij helmimi merr një dimension simbolik. Liqeni, në këtë histori helmimi, nuk është thjesht Liqeni dhe parku rreth tij. (Në fakt, kur themi "Liqeni", ne, banorët e vjetër të Tiranës, kemi parasysh edhe gjithë zonën e Parkut. "Po shkoj tek Liqeni" - thuhej për të treguar se po shkoje të bëje një shëtitje në Parkun ku një nga kënaqësitë ishte pamja e paqtë e Liqenit, bukuria dhe freskia e tij.)
Problemi është se Liqeni dhe gjelbërimi rreth tij ka qenë një si pikë referimi në mendjen time dhe besoj të shumë Tiranasve si unë si në të kaluarën edhe në të tashmen. Edhe në kujtimet e diktaturës ai ka mbetur si një oaz i përjetimeve tona më të bukura, si një vend i dashurisë, prehjes, lojës, shoqërizimit - i asaj që kishim më të mirë. Edhe më pas, duke ndjekur shkatërrimin e Tiranës nga barbaria njerëzore, Liqeni mbetej aty si për të na dhënë shpresë. Shpresën se e bukura ka ende fuqi të mbrohet nëpërmjet fuqisë së bukurisë së saj. Shpresën se e mira nuk është tretur fare nga jeta jonë. Liqeni dhe gjelbërimi rreth tij, ndonse i ndotur, gjithnjë e më i ndotur e nëpërkëmbur, mbetej atje për të na thënë se, megjithëse na kanë ndodhur gjithë këto të këqija, megjithëse na kanë hedhur kaq shumë helm në jetë, prap na ka mbetur diçka e mirë tek e cila mund të shpresojmë. Edhe kur shikonim shtëpitë e Tiranës historike të shembeshin njëra pas tjetrës, edhe kur shihnim parqet e fushat e sportit të ktheheshin në pallate, edhe kur shihnim rrethinat e qytetit, Saukun, kodrat në rrëzë të Dajtit të shëmtoheshin, ai ishte ay si për të na thënë se ka ende pak shpresë. Thellë tellë, pra, nuk bëhej fjalë thjesht për të bukurën dhe të mirën e Liqenit, por për të bukurën dhe të mirën brenda nesh. Nuk bëhej fjalë thjesht për shpresën se ata, barbarët, nuk do ta shkatërronin Liqenin, por për shpresën se edhe barbaria e tyre ka një kufi, se edhe brenda tyre ka një liqen, ka pak gjelbërim. Liqeni, pra, ishte si një metaforë e pjesë sonë më të mirë.
Kohët e fundit Liqenin e kemi parë të rrezikuar keqas. Kemi parë se si barbarët e kanë kafshuar nga të katër anët me dhëmbët e tyre të shëmtuar duke ia ngrënë gjelbërimin përreth - në vend se t'ia zgjeronin. Kemi parë se si i kanë bërë plane për t'i marrë frymën me monstra të tjera çimentoje dhe betoni. Po prap ai ishte aty, rezistonte, edhe pse duke u shëmtuar gjithnjë e më shumë. Ishte një simbol i asaj se edhe ne po rezistonim, se pjesa jonë më e mirë, shpresa jonë, po rezistonte, ndonëse po vunte, po tkurrrej e shëmtohej. Në kuptimin simbolik më vjen të them se Liqeni jemi ne.
Dëshpërimi i veçantë vjen pikërisht nga helmimi edhe i kësaj shprese, nga konstatimi se edhe ajo u sulmua egër nga e keqja, nga barbaria. Dëshpërimi i veçantë vjen ngase helmimi i Liqenit është simbol i thellimit të paaftësis sonë për ta ndërtuar mirëqënien vetiake pa kafshuar me dhëmbët tanë të helmuar jetën e përbashkët.
Nuk mund të mos më binte në sy në këtë histori heshtja e politikanëve ndaj këtij helmimi. Si ka mundësi që nuk ngritën zërin që të kapen keqbërësit! Si ka mundësi që ata nuk janë kapur ende! Një parandjenjë e keqe më thotë se ata ndjehen shumë më afër me keqbërësit sesa me Liqenin. Përvoja më thotë se duart e tyre dhe duart e keqbërësve që kanë hedhur natën helmin në Liqen janë pjesë e të njëjtit trup të së keqes. Sepse, simbolikisht, liqenin nuk e kanë helmuar thjesht dy tre injorantë. Autorët janë një lukuni njerëzish, të më besoni, që ditën bëjnë fushatë elektorale kurse natën plane për helmimin dhe vrasjen e së mirës në emër të intresave të tyre për para të qelbura dhe kriminale. Është po ajo lukuni që ka mbytur fëmijët në det për para, që krijoi piramidat financiare për para, që bëri 97-tën për para, që hodhi në erë Gërdecin për para, që shkatërroi bregdetin për para, që u ka vënë flakët qendrave historike të qyteteve e bashkë me to kujtesës, për para, që ka betonuar parqet e lulishtet për para. Janë të njëjtët, po po; keqbërësit e Liqenit, në simbolikën e kësaj ngjarjeje, janë pikërisht ata që po helmojnë përditë të mirën dhe të bukurën brenda nesh duke përfshirë edhe të mirën brenda tyre nëse u ka mbetur ndonjë fije bari. Mosndjekja e keqbërësve që kanë helmuar liqenin i bën jehonë në simbolikën e kësaj ngjarjeje marrshimit që po bën përditë e keqja dhe pandëshkueshmëria e saj brenda qënies sonë. Është marshimi i pjesës sonë më të keqe, më barbare që shfaqet ditën me fytyrën e politikanëve, kurse natën me duart e helmonjësve të Liqenit: injorantë deri në dëshpërim, barbarë deri në çnjerëzim. U ngeltë çimentua dhe hidromati, sëbashku me paratë, në fut! - që Liqeni të mund të shpëtojë. (Korrieri, 23 Maj 2009)

3 comments:

Toni Milaqi said...

"...Në fakt, kur themi "Liqeni", ne, banorët e vjetër të Tiranës, kemi parasysh edhe gjithë zonën e Parkut. "Po shkoj tek Liqeni" - thuhej për të treguar se po shkoje të bëje një shëtitje në Parkun ku një nga kënaqësitë ishte pamja e paqtë e Liqenit, bukuria dhe freskia e tij..."

nese gjendjen e tashme te tiranes, do ta percaktonim si rezultat tipik i evolucionit te gjerave, a do te konsiderohesha une "demode" dhe "jo progresist" mbi faktin se ndjej nostalgji per tiranen e dikurshme qe tanime po jep shpirt?!

per tiranen e femijerise time me aroma bliresh dhe manjolash?!

a mund te akuzohem per konservator(ndonese nuk kam bindje te djathta), pikerisht per faktin se me mungojne banoret e dikurshem te tiranes (nuk e kam fjalen vetem per tironcat), dhe se nuk posedoj organin per te kuptuar marredheniet njerezore te tiranes dhe te banoreve te saj -te pas viteve '90?!

Anonymous said...

I nderuar Lubonja!
Shkrimi juaj me coi kujtesen ne vitet e femijerise. Kane qene vitet 75-78, kur komiteti i qytetit te Fierit vendosi te merrej me rregullimin e gjelberimin e lagjeve. Lagja jone, fatmiresish, kishte nje hapesire te madhe ne mes te nje grumbulli pallatesh. Ne pranveren e nje viti, u be mbiellja me bar e hapesires, u ndertuan rrugica kalimi qe lidheshin me rrugen kryesore te qytetit, u vendosen stola brenda pistes se mbjelle me bar, dhe u mbollen pisha ne anet e kesaj fushe, ne cdo l0 metra. Pa hyre vjeshta, te gjitha pishat qene shkulur nga vendi dhe nuk kishte me asnje stol, veper kjo e femijeve te prinderve barbare te lagjes. Me kujtohen dy tre burra te lagjes, te cilet me kete dhimbje qe ju ndjeni sot per liqenin e Tiranes,perpiqeshin me mish e me shpirt ti ruanin pishat e stolat e parkut duke u atakuar gjithmone me keta rrugecer, nderkohe qe edukatoret e femijeve pinin kafe neper ballkonet e pallateve dhe qeshnin me indinjaten e tyre, sikurse qesh sot 80% e Tiranes me indinjaten tuaj. Interesantja eshte qe ne kujtesen time te gjithe keta rrugecer te lagjes ishin femije komunistesh te c'edukuar nga ndjenja e prones private ose shoqerore. Sot ata femije jane ushtria e "biznesmeneve" mafioze te firmave te ndertimit qe po merren me "rregullimin" e qytetit te Tiranes. Doja te bija edhe nje shembull te ndryshem nga ai i vendit tone. Une jetoj ne nje vend ku jane 3 milion liqene. Ndoshta shifra do te duket e egzagjeruar, sepse perkon me numrin e 3 milion shqiptareve, por ju siguroj qe kjo eshte e vertet. Perpara nje viti e gjysem nga qeveria e ketushme eshte ngritur nje grup hetimor per te studiuar problemin e vdekjes se gjallesave ne njerin prej liqeneve. Nuk di shume per masat e marra, por di qe si shkak kryesor ishte perqindja e larte e arsenikut ne shtresat tokesore. E prura kete shembull meqe ka te bej me liqenet, per te treguar shkallen e larte te obligimit te komunitetit dhe te shtetit per nje te 3 milionten pjese te liqeneve te ketij vendi, ne nje kohe kur 3 milion shqiptare nuk jane ne gjendje te mbrojne qofte edhe nje liqen te vetem ne qender te kryeqytetit. Ngushellimet e mia! Mesohuni te jetoni me vdekjen. Talkitna, Alaska.

Anonymous said...

Po unë që filmin e parë në jetën time e kam parë në Kinema Republika?

Kujt ju bë vonë kur e shembën për ta bërë pallat?