Wednesday, June 24, 2009

Gjethet pa trung dhe trungu pa gjethe

Një urbanist italian duke dashur t'i shpjegonte një audience që nuk e kishte vizituar Tiranën se si paraqitet ajo nga pikpamja urbanistike përdori një metaforë që më mbeti në mendje. Përfytyroni - tha - një pemë përplot me gjethe, por pa trung dhe pa degë. Si urbanist që ishte e kishte fjalën për morinë e ndërtimeve që janë kryer pa u ndërtuar më parë infrakstruktura rrugore e gjithë hapësirat e tjera publike që e bëjnë një qytet të jetojë në mënyrë organike. Por për mua kjo është një metaforë që na jep jo vetëm nga pikëpamja vizuale kaosin urban që jetojmë përditë, duke nisur që nga Bathorja e deri në qendër, por edhe një realitet më të brendshëm të strukturës sonë ekonomike: atë të kakofonisë së zhvillimit tonë dhe se sa e vështirë është mbijetesa e “gjetheve” njerëzore në këtë lloj peme përçude.
Ky krahasim mu kujtua këto ditët e fundit teksa po përjetojmë një projekt për të cilin kam përshtypjen se, ndryshe nga për të parin, është folur vetëm në mënyrë pozitive, por i cili, sipas meje, është, në një farë mënyre, ekstremi tjetër i pemës pa trung e pa degë.
E kam fjalën për kultin e rrugëve kombëtare që është ngritur në apogje me rrugën Durrës - Kukës dhe që më duket se po përmbyt premtimet elektorale të Berishës si prioritet i prioriteteve të katër vjetëve të ardhshëm. Po flitet për një autostradë të ngjashme me atë të Veriut në Jug, për një tunel që do të shpojë mespërmes malin e Krrabës e do të na e bëjë Elbasanin lagje të Tiranës, për rrugën e Arbërit e plot e plot të tjera premtime kësisoj. Nuk e di, por, duke patur parasysh rrugën Durrës - Kukës dhe duke imagjinuar disa të tjera si ajo teksa ndërtohen këto katër vjetët e ardhshëm, mu shfaq imazhi i përkundërt i figurës së gjetheve pa trung: ai i një Shqipërie që, nëse në bregdetin e saj i shëmbëllen pemës me gjethe, por pa trung, në pjesën e saj të brendëshme kërkon t'i shembëllejë një peme ku ka trung e degë, por jo gjethe.
Një debat i madh është bërë mbi rrugën Durrës -Kukës përsa i përket asaj se sa korrupsion ka pasur atje kundër retorikës patriotike nga ana tjetër. Por të dy palët, sikur të mos ishte akuza e opzitës për vjedhje, do të ishin plotësisht entuziast për të. Fakti është se ajo është propozuar nga Majko dhe po konkretizohet nga Berisha. Problemi është se ndërkohë që kemi pasur me superbollëk retorikë patriotike, nga një anë, dhe akuza për korrupsion, nga ana tjetër, nuk kam gjetur asnjë analizë serioze ekonomike që t'i bëjë bilancin ekonomik kësaj rruge. Me fjalë të tjera që të na thotë se sa ia ka vlejtur barra qiranë, sikurse thotë populli. Sipas ç’kam dëgjuar lart e poshtë “qiraja” e saj është më shumë patriotike sesa ekonomike dhe, nëse do të flitet për avantazhe ekonomike këta duhen llogaritur pas njëzet vjetësh, thonë.
Po nxitoj të shpjegohem në mënyrë që ndonjë patriot nga ata që kanë një thes me fjalë patriotike në krahun e djathtë dhe një thes me korrupsion në krahun e djathët të mos e lerë leximin e shkrimit deri këtu. Me këtë nuk dua të them se vendi nuk ka nevojë për rrugë dhe as që nuk ka nevojë për një rrugë si Durrës - Kukës apo për një autostradë të Jugut. Rrugët janë vërtet një element i rëndësishëm i zhvillimit, por, nëse mund ta çoj më tej metaforën, do të thoja se një zhvillim normal i vendit do të duhej të ishte ai i rritjes ashtu si pema ku rritja e gjethnajës pra, rrit trungun, degët e rrënjët e pemës kurse këto, nga ana tjetër, ushqejnë gjithnjë e më mirë gjethnajën dhe frutat. Kurse çka është vënë re në mënyrë dramatike gjatë gjithë këtyre viteve është pikërisht mungesa e një zhvillimi të tillë E kam shumë të vështirë të bindem psh. se shuma kolosale e parave të investuar për rrugën/trung Durrës – Kukës nuk do të kishte qenë më e efekshme sikur psh. (për të mbetur në Veri) të investohej për rigjallërimin e Veriut të braktisur nëpërmjet stimulimit të investimeve atje të bujqësisë, blegtorisë, turizmit, agroturizmit, pyllëzimit etj. sigurisht në harmoni me ndërtimin e rrugëve/degë të reja në këto zona. Kam parasysh se psh. në Dukagjin, për të shkuar nga një fshat në tjetrin, duhen ende deri tetë orë më këmbë.
Mungesa e një zhvillimi të tillë organik ka ardhur për shkak të mungesës së hartimit nga klasa jonë politike të planeve strategjika afatgjata në të mirë të vendit, nëpërmjet specialistësh dhe në diskutim të hapur me njerëzit. Nga sa kam dijeni, edhe kur ndonjë i tillë është hartuar, e ka sabotuar vetë klasa politike. Kjo sepse asaj i ka ardhur më për shtat lënia e vendit në duart e një spontaniteti kaotik. Dhe kjo sepse kaosi i ka volitur pasi ajo e ka vënë politikën në shërbim të interesave të veta dhe të një pakice që vendin e ka parë dhe vazhdon ta shohë si një lopë që e shfrytëzon në mënyrën më barbare. Deri më 1997 ky spontanitet kaotik prodhoi ekzodin masiv, shfrytëzimin barbar të burimeve natyrore si pyjet, kontrabandën e naftës dhe si pikë kulminante pati piramidat financiare – duke pasuruar nga ana tjetër një grusht njerëzish. Nën udhëheqjen e socialistëve kjo filozofi, edhe pse më e sofistikuar sesa ajo e piramidave, prodhoi hipertrofinë e industrisë së ndërtimit me gjethnajën pa trung e pa degë. Pasojat e kësaj gjethnaje kanë qenë katastrofike. Me këtë nuk kuptoj thjesht mungesë rrugësh, sepse do rrugë edhe janë bërë, por grumbullimin e thuajse tërë popullsisë në pellgun Tiranë – Durrës, mungesën e tërë infrastrukturës normale të ujit të dritave, pengesën që ka sjellë kjo për zhvillimin e diversitetit ekonomik, mungesën e investimeve në arsim dhe shëndetësi për të mos folur për shkatërrimin e bregdetit, lumenjve apo pejsazhit.
Tani rrezikohemi nga një projektpremtim që i mshon ndërtimit të super rrugëve dhe investimeve të të huajve në Shqipëri në formën e termo e hidro e eliko centraleve, fabrikave të çimentos dhe parqeve industriale, si dhe kthimit të gjireve të Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit në porte gjigante . Nuk është e vështirë të imagjinohet se ky projekt e kthen Shqipërinë tamam në një udhëkalim për të huajt, në një copë trung e degë në fuksion të ushqimit të gjetheve tjetërkund. Nëse me gjethe do të kuptojmë cilësinë e jetës atëhere gjethet e frutat e këtij trungu do të jenë në Perëndim ku njerëz më të mençur kanë mësuar tashmë të këqijat e aventurës së industrializimit të shfrenuar. Realizimi i plotë i projektit të Berishës për Vlorën psh. rrezikon t’i bëjë vlonjatët të marrin këmbët e të shkojnë ku të munden sepse atje do të bëhet e vështirë edhe mbijetesa e shëndetëshme e jo më të bëhet fjalë për turizëm e agroturizëm e peshkim e jetë në harmoni me natyrën. Aty do të mbeten vetëm dokerët e argatët e tjerë të të huajve. Realizimi i plotë i këtij projekti do ta shndrronte Shqipërinë nga Zvicra e Evropës, sikurse ëndërrohej nga rilindasit, në vendin më të ndotur e më të pabanueshëm të Evropës. Një trung pa gjethe pra. Duket se ky projekt i Berishës, përveç shkaqeve që lidhen me korrupsionin, me nevojën e mbështetjes nga të huajt për ruajtjen e pushtetit ka lindur edhe si rezultat i ndërgjegjësimit se industria e ndërtimit që lulëzoi në epokën e socialistëve nuk ka më të ardhme sepse numri i ndërtimeve të kryera e tejkalon shumë nevojën e shqiptarëve, ndërkohë që vendi ka nevojë për punësim. Përballë këtij projekti duket më normal ai i PS që thotë se prioritet i saj do të jetë bujqësia dhe turizmi. Mirëpo edhe ky nuk ka asnjë lloj artikulimi të plotë e të detajuar që të bëhet bindës. Ai nuk shqërohet me denoncimin me forcë të projekteve të Berishës dhe aq më pak të të huajve që fatkeqësisht po bëhen edhe ata protagonistë të këtij projekti. Socialistët duket sikur më tepër synojnë të shfrytëzojnë për efekte elektorale ndjeshmërinë e banorëve për të bërë, pastaj, të njëtën gjë, siç bëri edhe Berisha me Vlorën kur denonconte petroliferat dhe premtonte Vlorën turistike. Aq më tepër që projekti për bujqësi e turizëm i PS bije ndesh me megaprojektet e kryebashkiakut Rama për superndërtime të tjera në Tiranë e që do të arrijnë deri bashkimin e Tiranës me Durrësin.
Shkurt, sipas gjykimi tim programet elektorale të dy partive kryesore që presupozohet se do të marrin pushtetin reflektojnë vazhdimësinë e qëllimshme të spontanitetit kaotik që mban vendin në gjendje xhungle ku mbijeton e forcohet më i forti. Rezultati i tyre nuk mund të jetë veçse lloji i pemëve për të cilat fola më lart: me gjethe pa trung dhe me trung pa gjethe, që janë, si të thuash, devijime gjenetike, zhvillime tumorale vrasëse apo qënie monstruzoe nga ato që nuk mund të mbijetojnë. (Korrieri, 22 qershor 2009)


4 comments:

Anonymous said...

Une si nje komentuese e thjeshte, e ngacmuar jo vetem nga nje shkrim i juaji, qe e vleresoj per permbajtjen e tij, ngacmohem nga realiteti qe prek dhe qe i drejtohet ne nje menyre te vertete dhe pse shprehja e tij duket here here metaforike. Mbi cdo shtrese faktesh, ndodhirash, programesh politike, veprimesh ne te mire te popullit ose vendit ekziston kjo shtresa brutale e natyres njerezore qe ne vendin tone shprehet pa finese dhe ne dukje e sofistikuar. Flas si nje person qe nuk behet pjese e nje orientimi politik, jo per per te qene e paanshme po per te shprehur ate revolte dhe ate realitet qe njoh perdite dhe qe i pergjigjet me vertetesi frazimit tuaj mbi kete kaos te qellimshem qe megjithe absurditetin e vet ne predispoziten per te shkaterruar ne te miren personale ekziston dhe duhet njohur si i tille. Mua me vjen shume mire qe ju perpiqeni ta shfaqni kudo kete qendrim,ose konkluzion tuajin sepse njerezit nuk e dine, nuk duan te dine ose nuk orientohen si te njohin por ekziston nje dinamike ndryshimi qe udheheq dhe ne nje perspektive do dime te te njohim, te kerkojme dhe mos fshijme nga ndergjegjia realitetet tona.

Unknown said...

Zoti Lubonja,

Ju pergezoj per shkrimin dhe do te ndalesha pak tek rruga Durres-Morine.

Jeni nga te pakte analiste qe kam lexuar qe pate pertej verberise patriotike dhe evidentuat faktin se ajo rruge eshte ndertuar pa u bere nje studim i thelle mikro dhe makro ekonomik. sic e thate dhe ju nuk u ndal njeri qe te thoshte: prit a ja vlen barra qirane te shpenzojme aq shume per te?

Me sa kam degjuar u hodh ideja qe ajo rruge te jepej me koncesion, pra te mos ndertohej me parate e taksapaguesve po te administrohej totalisht nga nje kompani private. Dhe asnje biznes nuk donte te investonte per te. Nese pretendohet per kete rruge qe do te kete trafik te jashtezakonshem aq sa te justifikoje 4 korsi + 2 emergjence, atehere pse nuk u hodh asnje kompani serioze private qe ta merrte persiper?

Eshte shume e dhimbshme, qe ne shekullin e 21, shqiptaret akoma mendojne per tribalizem, etni etj etj dhe nuk shohin xhepin e tyre individual. Ky lloj mentaliteti eshte OK nese jetojme ne Kibutz, a ne fise ne xhungel kur mendohet vetem per komunitetin por nuk eshte kurrsesi OK per nje shoqeri te bazuar ne industrializem, iniciative private dhe ekonomi tregu.

Gjithe te mirat!

Ariel

Anonymous said...

Zoti Lubonja,

Konstatimi juaj se ndertimi i rrjetit te energjertikes dhe te transportit brenda Shqiperise eshte vecse pjese e kaosit spontan dhe propagandes te shfrenuar patriotike dhe synimeve qe duan ta industrializojne Shqiperine ne menyre te shfrenuar, eshte teresisht i ceket dhe i gabuar.
Bazamenti i cdo ekonomie moderne, qofte kjo e bazuar ne buqesi, turizem, industri te rende, transport, sherbime etj etj., eshte padyshim infrastruktura e transportit dhe energjise. Ne kushte te pranueshme, keto te dyja jane arteriet kryesore te cdo ekonomie moderne qe synon zhvillim dhe begatine e popullates se saj.

Keto dy gjera z. Lubonja kurr nuk mund te quhen industrializem i shfrenuar, sepse jane themele te nje shteti modern qe besoj se Shqiperia synon te behet.

Per arsye kohe nuk do ti hyj analizes ekonomike te vleres te rrugeve kombetare dhe zhvillimit te porteve, por do thoja dhe dikush qe nuk di gje nga ekonomia e kupton qe Shqiperia eshte nje nga hyrjet me te mira ne Ballkan dhe me tej ne te gjithe Europen Lindore.

Gjithe te mirat,

Engjell

LR said...

I nderuar z Lubonja. Ju falenderoj edhe për ngacmimin e mençur krijuar me kete shkrim. Ne fundje askush njerëzor nuk eshte zoterues i se vertetes. Ne vijim te metafores e cila ka nje harmoni te lakmueshme po rrekem të mbetem pjesë e saj.

Ne vetvete ekosistemi eshte kompleks dhe gjethe nuk jane vetem njesite e banimit e trung nuk ështe rrjeti rrugor dhe energjitik. Gjithsesi ekosistemi ka një praksë madhore të përbërë nga 2 burime të zanafilluara nga Lart e që përkëmbehen në sipërfaqen e tokës:

1. -Energjia-(Dielli e cila krijon forca e strukture antigravitacionale-erërat, avullimin, vegjetacionin përmes kapilaritetit, etj)
2. -Uji-(Shiu i cili krijon forca e strukture gravitacionale-relievi, urbanistikat (relativisht), etj)

Me shpresën e një paramarrëveshje me konceptet që po flasim e pa vijuar më tej me keto paragrafe sqarues po komentoj metaforen tuaj.

Duke pasur si referencë Praksën e mësipërme Madhore vullneti njerëzor duhet organikisht t'i bashkangjitet asaj per të mbetur i kuptimshëm e për të prodhuar harmoni.

Nese marrim zhvillimin e nje bime prej fares (idesë) gjithmone kemi të bëjmë me një zgjatim i cili më pas përfundon me një gjethe apo me lule(frut në ngjizje). Janë këto zgjatime që në emrin e “bishtit” apo “kërcellit” apo edhe “trungut” paraprijnë apo krijojnë një “urbanistikë” paraprake për vendosjen e frytshme të gjetheve dhe luleve e jo e anasjellta. Brenda ketyre zgjatimeve ku nuk prodhohet por vetem, sigurohen transmetime pa konflikte të flukseve artikulohet e gjithe ecuria e suksesi i metejshëm (energji, lendë të para, prodhime e përbërësi njerëzor) ndërveprues i njësive të prodhimit (gjethe e lule = qendra banimi e qendra prodhimi) dhe jo e anasjellta.

Sikur të nxitej bujqësia e agroturizmi në xhepa të palidhur, do kishim të bënim vetëm me xhepa mbijetese që nuk e arrijnë kurrë masën kritike urbane e ngjajnë vetëm me gjallesa primitive(njëqelizore pa gjethe e lule) në vetvete pa ndërveprim që pasi kanë konsumuar mjedisin rrethues ose entropohen ose u duhet të kthehen në spore e t'i marrë era për t'i degdisur në kullotën e rradhës ose thjesht zhvendosen pa krijuar urbanizëm por vetëm duke konsumuar beduinizëm.

…me përunjësi buruese nga frika fisnike ndaj Dijes.