Para disa ditësh më qëlloi të mësoj për një eksperiment që bëhet në laboratoret e gjenetistëve me mizën e uthullës të cilës, në gjuhë shkencore i thonë drosophila e që në shkollë na e kanë shqipëruar në drosofilla. Për ata që nuk e njohin: është një mizë e vogël, shumë e bukur me kokë të kuqe, trup të verdhë dhe bisht të murrmë. I pëlqejnë shumë ambjentet me lagështirë e të ëmbla dhe është një nga më të përdorurat në eksperimentet shkencore pasi ka aftësinë të shumohet shumë shpejt.
Pak a shumë eksperimenti konsistonte në vendosjen e tufës së mizave të drosofilllës përpara një bananeje e cila (banania) i tërheq shumë ato për shkak të ëmbëlsisë së saj. Synimi i eksperimentit ishte studimi i aftësisë memorizuese të drosofillës. Për këtë, në mes të rrugës për tek banania, drosofillat i nënshtroheshin një elektroshoku. Dhe kjo punë përsëritej. Drosofillat vendoseshin përsëri e përsëri përpara bananes dhe gjithherë, në rrugë e sipër për tek banania, i nënshtroheshin elektroshokut të beftë. I gjithë eksperimenti konsistonte në atë që të veçonte drosofillat që zhvillonin një kujtesë të elektroshokut, të cilat, pra, arrinin të bënin një lidhje midis rrugës drejt bananes dhe elektroshokut, me drosofillat që, megjithë elektroshoket e pësuara një herë e dy herë e tre herë, përsëri nuk arrinin që nuk arrinin ta zhvillonin këtë kujtesë. Të parat, mbas një farë kohe të përsëritjes së goditjes me elektroshok nuk e merrnin më rrugën për nga banania, kurse të dytat shkonin që shkonin tek banania. "Reinforced Memory" quhej ekperimenti në anglisht, dmth. kujtesë e përforcuar apo përforcim i kujtesës. Nëpërmjet tij, mesa kuptova, studioheshin pastaj mekanizmat e kujtesës.
Nuk di se si, por, kur mësova për këtë eksperiment, mendja më bëri një lidhje automatike mendimi me fushatën tonë elektorale të fundit dhe mediat si transmetuesit e saj kryesorë. Le ta shpjegoj. Po të vesh re elektoratin tonë, që po bombardohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, sipas meje, të pamëshirëshme nga kjo fushatë, atë fare mirë mund ta ndash në dy kategoritë në të cilat i ndan drosofillat eksperimenti i gjenetistëve: në elektoratin pa kujtesë dhe në elektoratin me kujtesë, Drosofillat pa kujtesë janë pra, ato që zakonisht në gjuhën gazetareske i quajmë elektorati besnik. Është ai që ka votuar gjithnjë PS-në, edhe kur ishte Ramiz Alia edhe kur ishte Fatos Nano edhe tani që është Edi Rama si dhe ai që ka votuar përherësisht PD me një lider të vetëm, Berishën. Sado që të bjerë elektroshoku i mediave mbi këto drosofilla, ato nuk e ndrrojnë drejtimin. Sikurse kuptohet, po të kishte vetëm drosofilla kësisoj, nuk do të kishte nevojë të harxhonim gjithë ato lekë për fushata elektorale. Por është edhe kategoria tjetër, më e vogël, që ka aftësinë të ndrrojë rrugë për shkak të kujtesës së elektroshokut. E kuptoni pra: e gjithë fushata bëhet për capak drosofilla të ashtuquajtura me kujtesë. Të gjithë elektroshoket me sistemin e memories së përforcuar bëhen për to. I keni parë se sa herë jepen në mediat tona historitë e Gërdecit, rrugës Durrës - Kukës, Shkëlzenit, Argitës. A e keni parë, nga ana tjetër, se si përsëriten e stërpërsëriten lejet e ndërtimit me të cilat ka korruptuar gjysmën e dynjasë Rama. Elektroshoke pafund. E gjitha bëhet për të arritur që disa drosofilla të kujtohen, më në fund, e të mos e marrin rrugën drejt bananes rozë, por të shkojnë tek banania blu dhe anasjelltaz. Dikush në këtë pikë do të më thotë: zotëri, mediat nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen t'u kujtojnë njerëzve elektroshoket që kanë pësuar nga këta politikanë dhe rrethi i tyre. Pse gjë e vogël të duket ty Gërdeci? Gjë e vogël të duken tridhjetë leje ndërtimi për Delijorgjin e Gërdecit? Mirëpo unë e kam hallin gjetkë. Sepse, sikurse thashë, këtu bëhet fjalë për një pakicë drosofillash, ose më shqip mizash uthulle, që konsiderohen inteligjente, me kujtesë. A kanë ato vërtet nevojë për kësi lloj elektroshokësh të fuqishme mediatike? - është pyetja që shtroj. Sepse, sinqerisht, në këto kushte ku jemi katandisur unë e kam të vështirë të them së cila nga dy kategoritë e drosofillave janë më të mënçura: ato besniket që shkojnë gjithmonë tek banania rozë apo banania blu apo ato që çdo katër vjet u duhet të ndryshojnë mendje e të shkojnë nga bluja tek roza apo nga roza tek bluja duke mbetur gjithnjë me gisht në gojë. Këto të dytat do të quheshin më inteligjente sipas disave sepse dinë të dallojnë të keqen, po sipas disa të tjerëve këto mund të quhen thjesht e vetëm drosofilla të çoroditura, për të mos folur për ata që i gjykojnë si krejtësisht budallaqe sepse nuk i janë përshatur këtij ambjenti ku besnikëria ndaj një bananeje të siguron mbijetesën shumë më mirë sesa bredhja nga njëri hu në tjetrin. Unë do t'i quaja të çoroditura. Sepse, pasi e kanë mësuar një herë, më në fund, të lidhin elektroshokun me bananen rozë, tani u duhet të rimësojnë lidhjen e elektroshokut me blunë e të shkojnë tek roza apo anasjelltaz. Kjo është krejt çoroditëse, sepse, ç'dodh me kujtesën e parë? Si i bëhet që ajo të fshihet fare që të reinforcohet kjo e dyta? Elektroshok edhe më i fuqishëm. O burra kush të forcojë elektroshokun mediatik!
Po ç'të keqe ka këtu do të më thotë lexuesi. Fushatat elektorale kështu bëhen edhe në Perëndim: përcaktohen disa prioritete dhe ato përsëriten pafund që të nguliten në mendjen e zgjedhësve. Pastaj, nuk janë vetëm elektroshoket, janë edhe lajmet e mira: ngjyrat që vezullojnë tek bananet blu e rozë, -premtimet do t'i quanim jometaforikisht. Se mos thashë unë se më pëlqejnë fushatat perëndimore. Por problemi që dua të ngre nëpërmjet kësaj metafore - që, si të gjitha metaforat, ka edhe ajo kufizimet e veta - është ai i reduktimit tonë nga qënie njerëzore me arësye që kërkon të kuptojë lidhjen shkak pasojë të fenomeneve në drosofilla që goditen vetëm me elektroshoke pasojash pa u bërë asnjë përpjekje për t'u shpjeguar shkaqet. E kam, pra, me ato media që nuk bëjnë tjetër veçse përpiqen të na bëjë elektroshok që të mos shkojmë tek bananja rozë apo blu, ndërkohë që harrojnë se, ndërkaq, në kujtesat tona të mëparëshme ne kemi mësuar mëse një herë se nuk duhet të shkojmë tek njëra apo tjetra e se logjika e kërkon që, nëse duam të bëjmë një hap evolutiv nga drosofiolla tek njeriu, ne na duhet të kërkojmë rrënjët e së keqes e jo të pësojmë elektroshoke gjithnjë e më të fuqishme nga ato që na e masakrojnë fare trurin. Ne na duhet një rrugë tjetër, pa elektroshoke, dhe, që të kërkojmë një rrugë tjetër, na duhen dy gjëra: së pari një shpjegim se pse ndodh që qoftë tek bananja blu qoftë ajo rozë elektroshokun e kemi të pashmangshm - për ilustrim: pse Delijorgji i Gërdecit pasi u pasurua nëpërmjet lidhjeve me ministrat socialistë dhe lejet e ndërtimit të Ramës arriti fare mirë të bëhet njësh edhe me ministrat (deri të birin) e Berishës - dhe, së dyti, të na mundësohet ndërtimi i alternativave. E pra kjo kërkon më së pari analiza të sistemit që kemi ngritur, kurse ne na bijen mbi kokë vetëm elektroshoke.
Dikush në këtë pikë do të më thotë: qënke çoroditur vërtet përderisa nuk e kupton se kjo s'bëhet për ty, që dashke analiza, por për mizat e uthsullës që e kanë votimin për herë të parë e që kanë nevojë për elektroshoke. Aha, më kishte dalë nga mendja se drosofillat shumohen shumë më shpejt se njerëzit. Po mirë, a nuk mund të ndajnë, të paktën, në lajmet televizive, debatet dhe faqet e gazetave edhe ndonjë hapësirë të vockël, po po të vockël fare, me shënimin "për njerëzit". (Korrieri, 5 qershor 2009)
Friday, June 5, 2009
Mediat dhe miza e uthullës
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
7 comments:
Simbolika e drosofilles me duket se i perngjitet bukur realitetit shqiptar.Shkrimi juaj me la disi perplekse,e konsideroj veten nga ato drosofilat me kujtese edhe pse jam shume e re, por jo naive per te njohur e kuptuar fijet e kashtes se politikes..
Puna eshte se duke mbajtur mend elektroshokun drejt bananes se kuqe apo blu, nje drozofille si puna ime qe ka si reference vetem drejtesine i duket sikur ambjenti i tharte i atjeshem nuk i ofron me asnje kusht per t'u shumuar a mbijetuar, jo me jetuar..
Ndoshta jam nga ato drozofilla qe kane mbetur pa pike referimi apo qe enderron nje dite te ndryshoje vendin, nje vend ku po s'bere pjese ne njeren nga kopete e ujqerve, te hane..
Megjithate une jam nje mize rebele,besnike principeve dhe vlerave qe kam mesuar deri tani,mendoj se nje shoqeri e drejte eshte e mundur dhe se nuk kemi kohe per te qene pesimiste..
Mendoj gjithashtu qe ka njerez te pavarur, me ide perparimtare, ja si puna juaj Z. Lubonja, penet e se cileve sduhet te rrine te heshtura, por te ndezin fanaret ndriçues qe udhezon popullin. Nuk jam don kishote, as nostagjike e periudhes se romnatizmit, dua thjesht qe njerezit e mi te informohen ne menyre qe te mos gabojne rrugen..
Nje filozof i madh francez ka thene qe "te gjitha te keqijat vijne nga injoranca".
Pa dashur te pergjithesoj mendoj, se ka ende shume pune per te bere ne drejtimin e edukimit ne menyre qe mos e marrim me rrugen drejt elektroshokut,por drejt botes se qyteteruar sigurisht duke ruajtur origjinalitetin dhe karakteristikat tona..
Ju pershendes Z. Lubonja!
Liljana/Polis
E Nderuar Liljana!
. Eshte bukur te lexosh komente si juaji,jane pjesezat qe te bejne te shpresosh .... Ndersa e lexoja pata ndjesine se po lexoja mendimet e vajzes sime e cila studjon jasht dhe beson, ose per ta thene me sakt ndjehet e sigurt se do ta ndryshoj vendin. Po te mos kishit shkruar emrin do mendoja qe e ka shkruar ajo komentin.
Ne kete vend ka shume te rinje te etur per dije,por problemi eshte se brenda tyre nuk edukohen principet e vlerat. Qe kur lindin ata mesojne nga bota per rreth se e rendesishme nuk eshte te jesh por te kesh. Keshtu ata edhe kur investojne aq shume per tu plotesuar me dije luftojne qe keto dije neser tu sherbejne per te pasur.
Urime per ate qe jeni.
I Nderuar Zoti Lubonja ne shkrimin tuaj ju thoni:
-Po mirë, a nuk mund të ndajnë, të paktën, në lajmet televizive, debatet dhe faqet e gazetave edhe ndonjë hapësirë të vockël, po po të vockël fare, me shënimin "për njerëzit"
Kush do ta bej kete o zoti Lubonja!
Ndoshta duhet te mendoni ju per hapjen e nje gazete ndryshe.
Me siguri qe do gjendeshin burime financiare dhe zerat per te.
Vetem ju keni autoritetin dijet dhe forcen per ta bere kete.
Mendojeni njeher!Si do ishte te kishte nje hapsir per” njerez”nga “njerezit”
Sado rralle te dilte kjo gazete do ishte e cmuar. sano
Shqetesimi i Lubonjes me duket absoutisht me vend. Personalisht jam pjese e mjedisit mediatik dhe sherbimi apo rreshtimi nen llogore i medias eshte arbitrar deri ne kamikazizem. Mendoj se Lubonja me ne kete rast ka folur me teper per "pasojen" dhe jo per "shkaktaret". Krahasimi i tij me shokun elektrik mbi drosofillat eshte brilant, pasi ne thelb ai proces eshte. Gjithsesi mendoj se ky konstatim i Lubonjes eshte me shume nje britme e nje individi te kulturuar ne kakofonine mbytese mediatike, sesa nje analize e qarte mbi shkaktaret e ketij mjedisi.
Kjo fushate elektorale e gjeti median aty ku e kishte lene ne vitin 2007, 2005, 2003, 2001 e me rradhe. Zoti Lubonja nuk kishte perse te priste ndryshe kete vit perderisa ne terrenin mediatik nuk ka ndryshuar ndonje gje thelbesore por kane ndryshuar vetem ca drejtues, ca nepunes dhe ca aparatura apo ambiente. Rregullat e lojes jane ato qe kane qene: Pa rregulla. Eshte e habitshme se si nje pushtet kaq i madh si media te mos rregullohet me nje ligj te posacem konsensual te gjithepranuar. Te pakten ne kete menyre do te kishte nje taban ku mund te fillonte ngritja nga humnera. Por problemi qe shton zoti Lubonja mendoj se eshte me i gjere sesa vete profesionalizmi i medies. Le te supozojme per nje moment se media jone ne pergjithesi do te ishte kritike dhe filtruese ndaj materialeve qe do te publikonte ne lidhje me fushaten. Cfare do te filtronte? Cilat jane mesazhet qe vijne nga politika? Ku jane programet? Ku jane ballafaqimet e ekipeve? Jemi te gjithe deshmitare te asaj qe po ndodh prej javesh. Ministrat dalin me shifra te gatshme dhe i kendojne ato shifra gjithe diten, pa u thelluar ne ndonje interpretim. Ndersa perfaqesuesit e opozites(me ndonje perjashtim te vogel) kane rene si "peshq" ne kurthin e shifrave duke u perpjekur te japin shpjegime apo te kundershtojne te dhena qe si kuptojne as vete. Pastaj dihet, vjen Gerdeci, Fazllici, lejet e ndertimit Dash Peza e me rradhe.
Por maskarada e vertete fillon kur perfaqesuesit e te dyja paleve nxjerrin raportet e nderkombetareve nga sqetulla dhe ja nisin kenges. Habitem se si keta politikane apo perfaqesues partiake nuk thellohen ndonjehere mbi interpretimin e te dhenave te ketyre raporteve. Permendin konkluzionet e Bankes Boterore sikur ky institucion te mos kishte shpallur qe ne emrin e vete natyren e tij prej BANKE(pra nje organizmi qe kerkon fitime dhe nuk ka ndonje pergjegjesi apo pakt mbi respektimin e drejtesise shoqerore ne Shqiperi) , por sikur keto organizma te ishin ndonje fondacion okult bamiresie qe cdo gje e benin ne raport me parime te shenjta morale.Qe nga momenti kur politikanet tane trajtojne si libra te shenjte raportet e institucioneve financiare nderkombetare qe nuk kane ndonje marreveshje "vellazerore" me ne porbejne thjesht biznes dhe objektivat i kane ne interes te entiteteve qe perfaqesojne atehere mendoj se nuk ka vend fare per tu habitur: Politikanet tane kane probleme te theksuara kuptueshmerie. Thjesht atyre u eshte gjetur nje pune per te bere dhe nuk i eshte gjetur punes(pra politikes) njeriu.
Me kujtohet kur ministri i Integrimit te Bullgarise i deklaronte perpara disa vitesh perfaqesuesit te Bankes Boterore: "Ju nuk mund te merrni rolin e dikujt qe na thote fjale te shenjta te padiskutueshme apo te verteta absolute. Ju ne thelb jeni ruspa qe kerkoni te shembni murin tone per te shitur produktet tuaja. Kete gje e dime mire te dy. Vecse une ne kete karrike jam ulur per te mbajtur murin ne kembe ndersa ju per ta rrezuar. Nese doni marreveshje hajt te flasim per zgjidhje logjike te pranueshme dhe jo per rrezimin e cdo tulle qe ky vend ka vendosur mbi kete mur"
Fatkeqesisht te ne ndodh e kunderta, politikanet tane jo vetem qe nuk kane kete lloj fisnikerie, por shkojne edhe me tej, i marrin konkluzionet e nderkombetareve dhe na i shesin per absolutizma. Njesoj si ne kohen e xhaxhit Ramiz, kur shteti ra dhe ekonomia u rrezua teresisht, ne letra sistemi funksiononte ne menyre perfekte....
Me fal "Ai", por me duket se duhet te mesosh diçka me shume per institucione si Banka Boterore, (dhe FMN , te cilat i perkasin Breton Woods institutions", qellimin pse jane ngritur dhe çfare perfaqesojne, para se te shkruani me siguri, duke u nisur vetem nga emertimi "banke".
Po, BB eshte nje banke, e cila jep krahas granteve (pra fonde qe nuk kthehen) edhe hua shume te buta, te perdorura per zhvillimin si dhe per forcimin e institucioneve.
Sigurisht, si ne Bullgari , si ne vende te tjera si puna e tonit, dhe si ne Shqiperi, BB dhe FMN , e madje edhe instutione te tjera si OSBE, qe kane nje mandat dhe rol qe perfshin edhe nje fare monitorimi te zbatimit te rregullave, nuk jane pare me simpati, pikerisht per shkak te ketij mandati.
Arroganca e perfesuesve te pushtetit ne keto vende, nuk ka njohur kufi, dhe qendrimi ndaj insitucioneve nderkombetare eshte luhatur nga tundja e valevitja e raporteve te tyre, kurdo kur ka patur qofte edhe nje fraze ne to qe u ka interesuar, deri tek sharja dhe tentativat per perzenie.
Une vete punoj ne institucionet nderkombetare (jo ne BB as ne FMN), dhe kam takuar gjate pune shume perfaqesues te pushtetit si ai bullgari, dhe mund t'ju them se perveç vulgaritetit dhe abuzimit me konceptin e Ownershipit, nuk kane asnje argument dhe qendrim qe do meritonte qofte edhe fare pak respekt.
Me te gjitha keto nuk dua te them qe servilizmi ndaj nderkombetareve eshte i justifikuar, siç nuk eshte i justifikuar edhe manipulimi me raportet e tyre. Neqoftese insitucionet drejtuese ne Shqiperi do te ishin cilesore dhe me dinjitet nuk do te kishte nevoje fare per raportet e nderkombetareve. Po keshtu, po qe se publiku dhe qytetaret shqiptare do te kishin konceptete demokarcise dhe mireqeverisjes, si dhe kerkimit te llogarise ndaj perfaqesuesve te tyre, nuk do te kishte serish nevoje per monitorime nga nderkombetaret.
Perderisa jemi ne kete gjendje, bejme mire ta mbyllim gojen e mos bejme shume teorizime mbi natyren dhe qellimet e Bankes Boterore, apo institucioneve simotra te saj, pasi ato gjithsesi, funksionojne mbi baza shume me te shendosha se te gjitha institucionet tona, perfshire edhe ata ministrat sharlatane bashke me batutat e tyre te tipit ballkanik.
Ne pergjigje te ketij trimit anonymous me siper.
Ju zoteri duket qe e keni mesuar arithmetiken dhe per kete duket qe te paguakan mire, por do besh mire qe te marresh vetem ate rrogen prej hajduti nga nje organizem hajdut dhe te mos marresh pjese ne diskutime publike duke ushtruar presion mbi mendimin e lire te njerezve. Organizmat boteror si BB, FMN, e te tjera si keto, eshte e vertete qe kane politika te cilat zoteria juaj nuk i shpjegon por vetem i permend si nje mburoje te paprekshme. Eshte e vertet qe jurista dhe ekonomista shume here me te kualifikuar se ju e qe paguhen shume me teper se ju kane pergatitur politika e platforma ekonomike, te cilat te verber si puna jote, magjepsen kur i lexojne dhe sidomos kur paguhen prej tyre. Por do doja nga keto organizma nderkombetar, te cilat "perpiqen" e "pervelohen" vetem per popujt e varfer, te dija cilat jane rezultatet. Po ti referohesh Afrikes, vendeve te varfera te Azise dhe Amerikes latine vihet re nje zell i madh i bankes boterore apo FMN per te bashkepunuar me qeverite "demokratike" te ketyre vendeve, si Shqipja jone, te cilat jane vendosur nepermjet rrugeve te financuara nga ata politikane qe kane perpiluar skemat e ketyre organizmave. Ka te pakten 30 vjet qe vetem flitet per zhvillime te Afrikes kur gjendja e mjerur e ketyre popujve vjen duke u perkeqesuar, qe kur jane futur investimet e ketyre organizmave qe paguajne zoterine tende. E di qe ti do jesh gati te marresh librin qe te kane dhene e te na lexosh fill e per pe se sa shume investime jane ndermare atje per te luftuar SIDAn, malarjen, etj, por ne ato vende ashtu si edhe ne vendin tone nuk kam pare qe banka boterore te bej investime serioze ne ndertimin e uzinave, hidrocentraleve, sistemet e bonifikimit, ne industrine e lehte dhe ushqimore, ne ndertimin e infrastrukturave per te zhvilluar e per te ulur nivelin e papunesise ne keto vende. Investimi ne keto fusha, duke perfshire dhe bujqesine moderne do te eleminonte ne maksimum papunesine dhe do te sherbente per nje zhvillim te empancipuar te shoqerive te tyre. Si e shpjegon zoteria juaj qe investimet e ketyre bankave, me shume se cdo gje tjeter, perfshijne industrine e ndertimit te banesave e hotelerive private? Pergjigjen te cilen ju refuzoni ta jepni po e jap une. Ne qofte se keto banka do te ndihmonin me investimet e tyre drejtpersedreti per zhvillimin ekonomik te ketyre vendeve, shume shpejt keto vende do te zhvilloheshin dhe do te ishin gjithmone e me teper te panvarur ndaj ketyre bankave e vendeve te tyre. Pikerisht ketu qendron ajo hileja "e vogel" e ketyre institucioneve te madhaja. Qellimi i vertet i ketyre institucioneve eshte qe ta mbajne klientin e tyre varur sa me gjate qe te jete e mundur dhe kete e realizojne nepermjet drejtuesve te ketyre vendeve. Ndryshe si e shpjegon ti zoteri ekzistencen e perhereshme te treshes Rama-Berisha-Nano dhe gjithe kastes politike tradhetare te interesave te popullit Shqiptar. Jam i sigurt qe ju do te heshtni ne kete pik duke kerkuar qe te tregoni maturi se gjoja ju nuk merreni me politiken,por ju merreni me sistemin bankar qe financon kete politik. Qellimi final i ketyre bankave eshte monopolizimi i ekonomise, kultures, dhe zhvillimit te gjithanshem te vendeve te varfera, dhe sinteza e ketij monopolizimi je pikerisht ti zoteri i vogel qe gjendesh vigjilent diten ose naten sa here qe dikush si Ai guxon te ankohet sadopak. Si perfundim me keqardhje ju keshilloj qe jeni ju ai qe duhet te mbyllni gojen.
Melankolia eshte karakteristike e njerzeve te medhenj. Shkrim shume i bukur. Bravo, te lumte.
soo funny, eshte e vertete, nuk kane lene vend per njerezit ne lajme, dmth ato qe i shohin nuk jan njerez por dele.
Post a Comment