Monday, July 20, 2009

PS, Rama dhe regjimi “alla Putin”

Në shkrimin me titull “A rrezikohemi nga një regjim ‘alla Putin’” i premtova lexuesit se në shkrimin pasardhës do ta shoh këtë rrezik edhe nga perspektiva e opozitës.

Para kësaj më duhet të sqaroj disi më mirë se çfarë kam patur parasysh me “regjim alla Putin”, pasi një pjesë lexuesish, në komentet që më kanë dërguar, i mshojnë një imazhi të Putinit sipas të cilit ai ka rivendosur autoritetin e shtetit në një Rusi që, në vitet e para të Jelcinit, sundohej nga oligarkët që po plaçkisnin vendin e zhytur në gjendje anarkie. E përsëris, nuk kam parasysh këtë imazh, le ta quajmë pozitiv, të Putinit. Ky imazh, sipas kritikëve të tij gjithnjë e më të shumtë, është i rremë ose, të paktën, gjysëm i rremë sepse, sëbashku me rivendosjen e një lloj autoriteti të shtetit, duke shfrytëzuar edhe strukturat e KGB edhe frymën e nacionalizmit rus e të “lavdisë” së BS së dikurshëm, (që ka çuar deri në një si riabilitim të Stalinit), Putini ka instaluar një regjim autoritar të klanit të tij, të oligarkëve të tij, që ushtron pushtet, të pasfidueshëm nga opozita, edhe mbi bazë korrutive. E kam, pra, fjalën për “gjysmën" e tij më të keqe.

Mendimi im, i shprehur mëse një herë, ka qenë se, cilido të fitonte, Berisha apo Rama, do të përbënte një hap drejt rrezikut të regjimit “alla Putin” pasi shumica e interesave kryesore që diktojnë politikën do të përmblidheshin rreth një dore të vetme. Në shkrimin paraardhës shtjellova argumentet se pse koalicioni Berisha - Meta, megjithë faktin që rezultati i zgjedhjeve nxorri një opozitë të fortë në numër deputetësh, rrezikon të jetë një hap drejt këtij regjimi. Gjithë duke i mshuar idesë se bëhet fjalë për një rrezik që duhet luftuar dhe jo për një fat të përcaktuar tashmë, le të shpreh ndonjë mendim se si e shoh të ardhmen e opozitës në këtë kontekst.

Sot po bëhet një debat i madh nëse duhet të ikë apo jo Rama i lidhur ky me çështjen nëse dështoi ai apo jo.
Shumica bashkohen në akuzën që i bëhet Ramës për paaftësinë e tij për të ndërtuar aleanca më të gjera, veçanërisht me LSI, dhe atë për të mbajtur pranë vetes figura me personalitet e, në këtë kontekst, dënohet hartimi i kodit zgjedhor i bërë enkas për fuqizimin e tij në kurriz të të tjerëve. Personalisht bashkohem me këto akuza, por ndërkaq, ve re se pakkush e ngre çështjen e ikjes apo jo të tij lidhur me atë se çfarë PS do të duhet të ndërtohet tash e mbrapa përtej këtyre dobësive që janë personale të Ramës.

Sipas mendimt tim kemi përpara perspektivën e dy formave të bërjes opozitë. E para është ajo çka është bërë deri më sot nga Edi Rama. Këtë do ta quaja një formë e luftës midis kafshëve të ngjashme që do të kishte si kryeprogram të PS atë që ishte edhe gjatë katër vjetëve më parë: si të ikë Berisha sa më parë. Tjetra lidhet me një reformim, do të thoja mjaft më radikal të PS, në mënyrë që të bëhet një opozitë tjetër prej një partie tjetër nga ajo që ka qenë në kohën e Edi Ramës.

Le t’i marrim në analizë të dy variantet. Lidhur me variantin e parë do të thoja se Edi Rama është një nga ndërtuesit e sistemit që sot e ka në dorë kryesisht Berisha dhe Meta. Duke qenë në pushtet (si njeri i PS) për tetë vjet (1998 – 2005) dhe duke vazhduar të ketë Bashkinë e Tiranës në vitet në vazhdim si opozitë e si kryetar i PS, Rama ka ditur, më shumë se kushdo, të mbledhë rrotull vetes grupe interesi, të blejë inteligjencën kritike, veçanërisht mediat, dhe të bëjë atë politikë populiste për të cilën sot akuzon Berishën dhe Metën. Madje do të thoja se PD-ja e Berishës erdhi gjithnjë e më shumë duke u bërë e ngjashme me PS, përsa i përket strukturimit të pushtetit të saj, duke kopjuar “modelin Rama”. Edhe PD krijoi oligarkët e vet (ose mori një pjesë nga ata që ishin me PS); edhe ajo u lidh me mediat e caktuara private duke u mbështetur gjithnjë e më fort në “bërjen politikë” nëpërmjet televizioneve; edhe ajo ka grupet e veta të interesit historik, nëse mund t’i quaj kështu, por që përbëjnë gjithnjë e më pak masën e votuesve (ish të persekutuarit dhe ish pronarët në rastin e saj); edhe ajo thithi të rinj me universitete jashtë për t’i përdorur si ndryshim imazhi, fatkeqësisht duke i kthyer shumë shpejt në militantë të verbër saqë edhe zëdhënëset që dalin shpesh në televizion duken sikur të jenë bunjake; edhe Berisha, ashtu si Rama, bëri rrugë me një politikë sipas parimit “vjedh po punon”. Kësisoj, Berisha tregoi se, duke patur pushtetin, fare mirë mund të konkurronte me një njeri që dukej i pakalueshëm në bërjen e kësaj lloj politike, Edi Ramën. Ndonëse ka treguar shumë më pak talent se Rama për të promovuar imazhin vetiak jashtë e për t’ua imponuar këtë shqiptarëve brenda, Berisha ka bërë një punë jo të vogël për të promovuar imazhin e qeverisjes së tij jashtë për t’ua imponuar shqiptarëve brenda.

Sipas gjykimit tim t’i bësh opozitë Berishës sot, ashtu siç i ka bërë Rama katër vjetët e parë të opozicionit të tij, dmth, si i ngjashëm, është punë e pasuksesëshme jo vetëm për PS, por edhe për vendin, që nënkupton edhe të ardhmen e PD. Dështimi kryesor i Edi Ramës nuk konsistoi në paaftësinë e tij për të bërë aleanca, si me LSI, por në mungesën e krijimit të një fryme opozitare që do të ngjallte besim se diçka do të ndryshonte realisht në vend përsa i përket sistemit të korrupsionit të instaluar. Është e vërtetë se Rama në fushatën e tij elektorale ka përsëritur herë pas here denoncimin e klasës së vjetër politike që ka parë interesat e veta dhe jo të njerëzve, por dështimi konsiston pikërisht në atë se ai nuk ka mundur të ngjallë besimin se e kishte përnjimend dhe në themel sfidimin e saj. Vërtet ai ka folur për Gërdecin e Berishës, por nuk ka arritur të krijojë besimin se e ka pasur përnjimend çrrënjosjen e “sistemit Delijorgji” që prodhoi Gërdecin. Vërtet Rama ka shprehur, gjatë fushatës elektorale, kundërshtimin e PS ndaj projekteve të fabrikave të çimentos, të teceve me qymyr e të çimentifikimit të vendit me parqe industriale, një formë tjetër kjo e shitjes së interesave të të gjithëve në emër të interesave të klasës politike, por përsëri ai nuk ka arritur të ngjallë besimin se e kishte përnjimend anullimin e tyre sikur të vinte në pushtet. Ky është, sipas mendimit tim, dështimi kryesor i Edi Ramës. Besoj se edhe zhgënjimi i njerëzve me Berishën e 2005-sës, që, për hir të së vërtetës, ishte shumë më frymëzues në fushatën e tij antikorrupsion të atij viti, ka ndikuar në këtë dështim. Madje, mosbashkimi aq i përfolur me LSI mund t’i kthehej edhe në favor PS, me në krye Ramën, sikur të kishte pasur kurajon ta denonconte edhe Metën si një nga krijuesit e sistemit të korrupsionit e të oligarkisë në pushtet, por ai nuk mund ta bënte dot këtë përnjimend pasi, mu me Metën, ai ka filluar ndërtimin e këtij sistemi. Edhe refuzimi i Nanos do të bëhej i besueshëm po lidhur me këtë denoncim dhe jo thjesht duke përdorur kundër tij Erjon Velinë apo termin e përgjithshëm “politika e vjetër”. Edhe vetë mosikja e Ramës, kur u bë kryetar i PS, nga Bashkia, për të udhëhequr fushatën opozitare me duar të pastra, ishte tregues i qartë se ai nuk kishte ndërmend të ndryshonte gjë në këtë sistem.

Nuk mohoet se etja e stërmadhe e Ramës për pushtet vetiak ose, me fjalë të tjera, paaftësia për t’u ulur në tryezë me personalitete që nuk kanë adhurim absolut për lidershipin e tij, ka ndikuar për mosarritjen e një fitoreje pragmatike, por, sipas mendimit tim, një fitore e tillë, në bashkëpunim me LSI, nuk do të ishte tjetër veçse fitorja e një partie simetrike me PD, pra nuk do të sillte ndryshim të vërtetë në vend. Madje edhe tre deputetë më shumë që mund t’i sillnin fitoren koalicionit të tij, nuk do të ngjallnin kurrsesi besimin tek një frymë ndryshimi, për të cilën njerëzit janë aq të etur.

Në kontekstin e rrezikut të regjimit “alla Putin”, parë nga perspektiva e opozitës, do të thoja se, nëse PS nuk do të reformohet, por do të bëjë opozitë ashtu siç u bë gjatë këtyre katër vjetëve, me Ramën apo pa Ramën, ajo rrezikon të dobësohet gjithnjë e më shumë sepse do të braktiset gjithnjë e më shumë nga grupet e interesit që e kanë mbështetur deri tani, ndër të cilët një pjesë do t’i falimentojë Berisha – Meta, kurse një pjesë do të kthehen në ortakë me ta. Edi Rama ndoshta ka disa avantazhe më shumë sesa të tjerët për të vazhduar luftën midis të ngjashmëve, sepse është ai që i ka vendosur dhe kontrollon shumicën e lidhjeve me oligarkët e PS, por, nga ana tjetër, ka edhe disavantazhe jo të vogla sepse sulmet ndaj Ramës me akuzën për korrupsion në Bashki do të bëhen shumë më të forta qoftë edhe thjesht me synimin për t’i shkatërruar këto lidhje dhe për ta mbajtur PS në surdinë. Dhe një PS që humbet nesër edhe Bashkinë e Tiranës edhe bashki të tjera të vendit do të ishte një hap më tej drejt regjimit “alla Putin” dmth. rrezik për demokracinë shqiptare. Kam frikë se Rama nuk është në gjendje t’i shohë këto rreziqe, që janë rreziqe të sistemit që ka krijuar vetë dhe që, për ironi të fatit, janë kthyer kundra tij bash në momentin kur ai mendonte se do të bëhej lideri i tij i vetëm.

Ajo për çka ka nevojë vendi është lindja e një opozite të majtë të vërtetë, më së pari, dhe demokratike brenda saj, më së dyti, e cila duhet të hedhë rrënjët në terren dhe pastaj të rritet, të lulëzojë e të japë fruta. Një opozitë pra që, në një farë mënyre, do të duhet të mohonte shumëçka nga sistemi i politikbërjes dhe i përfqësimit, që kanë ndërtuar liderët kryesorë të së majtës Nano, Meta, Rama e të bëhej udhëheqëse për krijimin e një politike vërtet të re në Shqipëri, që do t’i impononte ndryshime edhe PD-së. Por lindja e një partie të tillë duket shumë ideale. Ndërkaq, a ka mundësi që brenda kësaj PS-je, kështu siç është, të ndryshojë diçka që të mund të quhet një kompromis realist midis asaj që është dhe nevojës për këtë gjë të re? Një PS me Ramën që nuk ndahet dot nga vizioni i pushtetit personal absolut, sipas mendimit tim, nuk premton reformim të tillë. Ndërkaq nuk duket e lehtë të gjesh në krye të PS njerëz për ta sfiduar atë dhe pushtetin e tij në PS. Puna e suksesëshme në një institucion është ajo që, edhe kur ikën drejtuesi apo krijuesi i tij, institucioni mbetet i fortë. Rama në këtë aspekt është nga ata udhëheqës që lenë shkretëtirë pas tij dhe më duket se, paradoksalisht, kjo është forca e tij sot në PS. Dyshoj seriozisht se reformimin në drejtimin për të cilin po shkruaj mund ta bëjë një njeri si Ben Blushi, që flitet se do të jetë sfiduesi kryesor i Ramës dhe nuk besoj se këtë mund ta bëjnë të rinjtë e futur në parti nga Rama. Ardhja e Blushit në PS them se do të ishte më produktive përsa i përket faktit se, duke qenë një figurë jo autoritare si Rama, që e ka shumë më pak të theksuar frymën “o me mua o kundra meje”, mund të lehtësonte bashkëpunimin me LSI, në rast të ndonjë krize të kësaj me PD, apo edhe tërheqjen e atyre që përjashtoi Rama, për të mundësuar kthimin nesër në pushtet duke shfrytëzuar edhe gabimet e mëtejshme të Berishës. Por dyshoj se me Blushin në krye PS do të fillonte ndonjë katarsis brenda saj e do të mund të udhëhiqte një luftë kundër sistemit të korrupsionit. Ndoshta nga ana tjetër, me Blushin, PS do të mund të ishte më demokratike brenda saj dhe ndoshta do të mund të krijonte hapësira për lindjen e figurave të reja që do të mund të sillnin ndryshimin historik për të cilin ka nevojë vendi e që nesër do të nënkuptonte edhe ndryshime në PD e LSI të liderve “alla Putin” që kemi sot. Por, sipas meje, kjo PS do të donte kohë për t’u bërë e majta për të cilën ka nevojë dëshpërimisht vendi sepse kjo nënkupton një projekt më afatgjatë që politikanët shqiptarë të këtij të ashtuquajturi tranzicion nuk e kanë për kulturë e traditë. Përvoja ka treguar se ata e kanë më të lehtë të garojnë me njëri tjetrin në rrugët e mashtrimit e përfitimit vetiak kurse në rrugët e moralit e idealit e kanë shumë të vështirë të shkelin. Por kjo nuk është një arsye për të mos folur për to, përkundrazi. (Korrieri, 20 Korrik 2009)

2 comments:

fjorent said...

Ne shume gjera jam dakord me ju Z. Lubonja, por perseri ju i shmangeni shume arsyeve qe bene qe shume shqiptare te mos i besojne politikes se re.

Ju e beni analizen tuaj sikur keto zgjedhje te kene qene te lirae cdo qytetar te mos kete pasur trysni per ke te votoje. Mjafton vetem te mendosh reklamat e pafundme ne 6 muajt e fundit te qeverise me taksat tona per te thene me plot bindje se kane qene nje shperdorim detyre.

Ju ende nuk flisni per kercenimet e fotografimit te votes qe detyruan nje ambasador te dale 1 dite para zgjedhjeve e t'i denoncoje.

Ju paraqiteni ne talk show te Fevziut per t'i dhene nje fare paanshmerie nje emisioni e nje gazetari qe fatkeqesisht u kthye ne Vjollca Vokshin mashkullor te 2009.

Nuk e di nese e beni kete sepse eshte emisioni i vetem qe ju fton dhe te tjeret jane kapluar nga censurimi ndaj jush ( dhe ne kete rast ju jap te drejte) apo sepse ju nuk shkoni ne emisione te tjera.

Media ne kete rast ka luajtur rolin me te keq sepse nga debatet nuk mund te perjashtoheshin partite e vogla.

Une jam dakord qe eshte e papranueshme qe keto media na tregonin kasetat e pergatitura ne selite e tyre dhe ketu faj te madh ka edhe Z. Rama. por nje media e vertete mund t'i thoshte partise qe kete forme censure nuk mund ta pranonte e te dergonte gazetaret e saj ne shume qytete nese nuk ka mundesi ne te gjitha.

E pra Z. Lubonja duheshin zbatuar keto kushte perpara se te fillojme analizat se pse nuk ngjiti tek shqiptaret politika e re.

ai said...

I nderuar zoti Lubonja.

Duke uruar qe kesaj here komenti im te pasqyrohet me "blog"-un Tuaj me lejoni te komentoj dhe kete pjese te dyte te artikullit Tuaj.

Mendoj se ne kete artikull ju rrekeni te parashikoni ne distance efektin e lidhjeve okulte me boten e biznesit per opoziten, dhe "fatin" e ketyre lidhjeve pas disfates se Edi Rames.

Ju i referoheni shembullit rus, por une mendoj se keto fenomene jane po aq te krahasueshme me shembullin italian, per te cilin personalisht mendoj se ne i ngjajme me shume. Vetem se, tragjikomedija jone fillon kur ne ndryshim me Italine por edhe me Rusine(ne pjesen derrmuese te rasteve) ne nuk kemi probleme thjesht dhe vetem me administrimin e pasurise publike , por ne thelb kemi deformime serioze me statusin e pasurise publike, ku ne epiqender te ketij statusi jane problemet me pronat dhe shkeljet flagrante me vule dhe firme shteterore te cilat nxisin cuditerisht ANTILIGJIN.

Personalisht mendoj se Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe cdokush tjeter qe mbledh rreth vetes pushtet, mund te flirtoje gjithe diten me oligarke, per sa kohe qe une si qytetar do jem i garantuar nga sistemi gjyqesor.

Ne kete prizem, une ju sugjeroj qe ju analistet te tregoheni gjitheperfshires ne artikujt tuaj pasi problemi i relatave te politikaneve me biznesin perpara se te jete ceshtje emrash konkrete eshte raporti midis Pushtetit Publik dhe atij privat.

Pra ne thelb eshte balanca mes se drejtes se dikujt per tu pasuruar duke respektuar dhe pa shkelur te tjeret ne kete te drejte. Pra ne thelb eshte nje ceshtje qe lidhet me DREJTESINE SHOQERORE.

Ne kete kontekst une gjykoj se ne debatet publike shume analiste konfondohen dhe shohin si "Target" partite dhe lideret e tyre dhe jo interesin publik. Kaq shume perqendrohen te lideret saqe duket sikur interesi publik eshte nje gje ne funksion te lidereve dhe jo e anasjellta.
E duke fetishizuar lideret deri ne kete pike ne kemi mberritur ne modele mitesh dhe "heronjsh" te tipit "Putin" dhe "Berluskon" aq sa per cudi ne jemi nga te vetmet vende ne planet ku gjysma e popullsise nuk voton dhe ende nuk ka nje parti te re qe te linde nga keto parime dhe te behet faktor pa qene nevoja te qendroje ne sqetullen e partive te medha.

Ju flisni per te majten tone duke shpresuar dhe kembengulur per "misionet tradicionale sociale te se majtes", por nese shikon te majten(dhe te djathten) tone qe nga dita e krijimit e deri me sot, kupton se nuk kane qene parimet dhe vlerat ato qe kane udhehequr keto forca por lidhjet dhe pushteti Okult. Kesisoj mendoj se ne nuk mund te vazhdojme te trajtojme partite e medha si "Pasuri Kombetare" qe duhen sheruar nga lideret, per sa kohe qe ato jane disa organizata vullnetare qe te pakten ne 20 vite te fundit kane demtuar keqaz interesin publik dhe ate kombetar duke instaluar ne te gjitha hierarqite e shoqerise "Kulturen e Bakshishit" dhe duke inflacionuar madje dhe vlerat apo shpresat,pasi te gjitha keto bizantizma na i kane bere gjithnje ne emer te vlerave.

Me pak fjale mendoj se sfida jone nuk ehste thjesht dhe vetem me lideret dhe oligarket por me "Kulturen e Konsoliduar te Bakshishit" qe mbizoteron ne Shqiperi ku noton, politika, media, biznesi, gjyqesori etj.