Monday, August 17, 2009

Krimi i pandëshkuar që vret

Ngjarja e vrasjes së katër njerëve të policisë nuk mund të trajtohet kurrsesi si një aksident nga ata që, sado të rëndë e të dhimbshëm, pas përvajimit dhe ceremonive mortore edhe mund të harrohen – siç mund të ndodhë psh. pas një aksidenti ajror apo natyror. Ajo është një ngjarje nga ato që nuk hyjnë në rastësitë e dhimbshme, por në ato që, krejt ndryshe nga rastësitë, zbulojnë nivelin e sëmundjeve kronike të një shoqërie; është një ngjarje, pra, nga ato që mund të quhen simptomatike.
I them këto pasi kam konstatuar se ndërkohë që tronditja e opinionit publik prej kësaj tragjedie është shumë e madhe mënyra se si ajo u trajtua në mediat shqiptare - ku, në përgjithësi, theksi u vu në atë nëse u zhvillua mirë dhe sipas rregullave operacioni apo jo dhe se cili nga njerëzit e policisë duhej të dorëhiqet, - e veçanërisht nga qeveria që u mjaftua me ceremoni e dekorime, nuk e shpreh thuajse fare tronditjen e opinionit publik.
Nuk është hera e parë që vë re se mënyra se si reagon opinioni në kësi rastesh është mjaft karakteristike. Publiku, në kësi rastesh, reagon më së shumti duke treguar, nisur nga ngjarja që ka ndodhur, të tjera ngjarje që kanë pika takimi me ngjarjen në fjalë, historira personale apo të njerëzve të njohur që i bëjnë jehonë asaj. Në një farë mënyre ai, nëpërmjet këtij reagimi, bën atë që duhet të bëjë, por që nuk e bën, gazetaria investigative. Mund të them se ka qenë i jashtëzakonshëm numri i historirave që kam dëgjuar, me këtë rast, në një hark kohe fare të shkurtër. E po të dëgjosh këto “historira” do të kuptosh se shqetësimi që njerëzit shprehin nëpërmjet tyre është shumë më i thellë dhe shumë më largpamës sesa ato që ngrenë ata që shkruajnë mbi atë nëse u përdorën apo jo teknikat e duhura në arrestimin e kriminelit Dajti. Madje, madje edhe mënyra se si tregohen këto histori përbën, në vetvete, një shqetësim. Sepse shpesh ato tregohen me frikë e kujdes, jo rrallë pa përmendur emra e detaje. Kur i dëgjon disa, të bëhet, gati gati, sikur jetojmë në një regjim të ngjashëm me atë të diktaturës, ku flitej vetëm nëpër rrethe të ngushta, midis njerëzish të besuar, dhe shpesh nuk përmendeshin emra apo detaje që mund të krijonin probleme. Pse kështu? Sepse bëhet fjalë për një pushtet shumë të fuqishëm dhe shumë të rrezikshëm: pushtetin e krimit, përballë të cilit njerëzit ndjehen të pafuqishëm sepse kanë në krah të tyre një shtet që – siç e tregoi edhe tragjedia e fundit e katër njerëzve të policisë - ose është i lidhur me pushtetin e krimit ose është i pafuqishëm për të reaguar ndaj tij.
Ajo që personalisht kam nxjerrë si përfundim, duke dëgjuar këto historira, nuk është diçka e re, është diçka e njohur, por që, gjithsesi, nga përjetimi i tyre sikur kthejllohesh për dramacitetin e situatësh në të cilën ndodhesh, kur sheh se sa afër të keqes jeton, shpesh pa e menduar këtë. Duke u nisur nga “zbulimi” i bërë tashmë objekt i mediave se vrasësi Dajti jetonte i patrazuar prej vitesh, që kur ishte arratisur në një mënyrë jo vetëm spektakolare por edhe të dyshimtë nga selia e gjykatës, se ai na paska pasur edhe nja dhjetë celularë, me të cilët fliste edhe me njerëz të pushtetshëm, se na paska bërë edhe dasëm gjatë kësaj kohe, njerëzit sikur çlirohen disi për të të treguar historirat për të cilat fola, të cilat provojnë se kjo kategori kriminelësh, që shëtit nëpër rrugët e Tiranës me makina super të shtrenjta, me xhama të zinj, është shumë pranë nesh dhe bën ligjin në një mënyrë apo një tjetër. Dëgjon historira sesi edhe trupat e Reneas nuk guxojnë të shkojnë në operacione të caktuara sepse kanë frikë – pasi e kanë provuar tashmë në kurriz – se kolegë të tyre i kanë njoftuar tashmë kriminelët dhe ata mund të bijen në ndonjë pritë. Dëgjon historisa se në shumë klube e disko, ku valon droga dhe ku klientët janë nga ata që shëtisin me BMW X5, nuk guxon të hysh e të kërkosh të ulet zëri i bokseve që terrorizojnë miletin me km largësi sepse ke të bësh me nga ata që “të heqin qafe”. Dhe jo vetëm pse janë kriminelë, por edhe sepse janë të afërmë të aksh politikani të lartë apo miq e shokë të filan ministri apo pse atje shkon e ha e pi “filani”. E me rradhë e me rradhë. Të ngjethet mishtë kur i dëgjon këto histori dhe mendon se njeriu i ndershëm ose duhet të heshtë ose mund të ikë për dhjamë qeni po guxoi të reagojë ndaj kësaj të keqje.
Me ndodhi me këtë rast të dëgjoj edhe për një polic të ndershëm që i paska thënë një të afërmi të tij se ai dhe kolegë të tij kanë frikë se do t’i heqë qafe ajo pjesa e keqe e kolegëve që bashkëpunon me krimin. Mu krijua imazhi i një policie që kapet e bëhet njësh me krimin – çka për fat të keq ka ndodhur në filllimvitet ’90 kur, siç na kujtohet mirë, ishin repartet e antidrogës ato që merreshin me trafikun e drogës.
Shkurt, duke dëgjuar historitë e njerëzve, befas sikur kthjellohesh e zbulon se ku jeton, se kemi të bëjmë me një shoqëri të kapur peng nga krimi, ku e ligjshmja dhe e paligjshmja nuk kanë dallim; ku bota e krimit është shumë e madhe dhe ku duket sheshit se ajo ka kapur segmente të Parlamentit, të partive politike, të policisë, të gjykatave, të ekonomisë, të mediave. Është një si rizbulim pra i faktit se shoqëria jonë dhe shteti ynë i ka këmbët të zhytura në botën e krimit i cili jeton, për të mos thënë sundon, i lirë dhe se midis tij dhe një pjese të shoqërisë e të shtetit funksionon marrëveshja e diktuar nga krimi “mos më prek që të mos të të vras” apo, edhe më keq: “të kam paguar prandaj hesht e më mbro”. Një shoqëri ku njerëzit e ndershëm ulin kokën e heshtin apo durojnë pushtetin e këtij krimi.
Ka pasur dhe ka një teori këtej nga ne sipas së cilës njerëzit e ndershëm, dmth. ata që nuk merren me vrasje, vjedhje, grabitje, trafiqe droge e prostitucioni e më the të thashë nuk kanë pse shqetësohen shumë sepse, tek e fundit, ata të botës së krimit do t’i hanë kokën njëri tjetrit, siç kanë bërë zakonisht. Një ide pra sikur bota e krimit dhe bota e njerëzve që nuk jetojnë në sajë të krimit janë dy botë të ndara nga njëra tjetra që nuk takohen, ku sejcila ka ligjet e veta. Mirëpo krimi nuk trajtohet kështu edhe në ato vende ku mund të thuhet se kjo është pjesërisht e vërtetë. E kam fjalën për ato vende të botës perëndimore kryesisht ku ka një nivel të lartë edukimi, punësimi dhe ku institucionet e shtetit vigjëlojnë rreptë mbi zbatueshmëmërinë e ligjit dhe dënimin e krimit. Edhe atje, megjithatë, bota e krimit nuk shihet si një gjë e ndarë nga shoqëria, sepse efektet e saj janë të lidhura me shoqërinë. Mjafton të kesh parasysh botën e trafiqeve të drogës apo prostitucionit apo riciklimin e parave të pista për të kuptuar se të dy botët janë të lidhur edhe atje e se, madje, bota e krimit “ushqehet”, ashtu si ato bimët kacavjerrëse, mbi trungun e botës së punës së ndershme. Ndërkaq tek ne problemi është shumë më i rëndë se kaq dhe ka shumë më tepër arsye për t’i parë të dy botët në simbiozë me njëra tjetrn. Nëse do ta çoja edhe më tej metaforën do të thoja se tek ne bota parazitare e krimit është rritur e fuqizuar aq shumë saqë i ka marrë frymën, e ka kthyer krejtësisht në shërbim të saj pemën e botës së njerëzve të ndershëm. Për mua guximi me të cilin një kriminel vrau katër policë dhe fakti se, sipas shumë gjasave, ai ishte i informuar se po ndiqej prej tyre nga kolegë të viktimave, është shenjë e këtij fuqizimi deri në marrje fryme të këtij oktapodhi.
Kështu është përjetuar në opinion kjo tragjedi, që, nga ana tjetër tregon se, për fat të mirë, ka ende njerëz të shtetit që guxojnë të ndeshen me krimin.
Ngjarje të tilla të vrasjes së njerëzve të shtetit nga krimi, në vende të infektuara nga krimi, si Italia, kanë shërbyer në momente të caktuara për të motivuar shtetin për të kryer operacione të fuqishme që kanë shënuar epoka në konsolidimin e autoritetit të shtetit. Kam parasysh psh. se ishte vrasja nga mafja e Falkones dhe pas një muaji e Borselinos që shënoi edhe momentin kyç të ndarjes përfundimtare të botës së krimit me segmente të shtetit në Jug të Italisë. Ajo u shoqërua me një operacion të thellë pastrimi në zyrat e administratës e të policisë gjithashtu. A do të mund të shpresonim që, duke u nisur nga një tregjedi e tillë dhe shkalla e tronditjes që ajo ka shkaktuar, të ndodhte edhe në Shqipëri një gjë e ngjashme? Kam frikë se jemi ende larg një mundësie të tillë. (Korrieri, 14 gusht 2009)


1 comment:

Anonymous said...

shkrim i perkryer. Krahasimi me Falkonen eshte i gjetur. Por edhe une mendoj se shteti nuk eshte tronditur edhe aq. U pa edhe me Gerdecin - shifrat e te vdekurve nuk trondisin ne Shqiperi.
ILIR