Tuesday, September 15, 2009

A do qeverisë Berisha më mirë?

A do të na qeverisë Berisha 2 më mirë se Berisha 1? Kjo është një pyetje që e ngrenë shumë sot, gjithmonë me shqetësim, dhe jo rrallë edhe me debate. Duke përjashtuar militantët socialistë që tek dështimi i kundërshtarit shohin mundësinë e triumfit të tyre e vetëm kaq, besoj se nuk ka shqiptar normal që nuk do të uronte që kjo qeverisje të ishte më e mirë sesa ajo paraardhësja. Por nuk janë kaq të shumtë ata që, kur debatojnë, shprehin besimin se kjo do të ndodhë realisht. Nga ç’kam vënë re numri i atyre që mendojnë se kjo do të jetë një qeverisje më e keqe sesa parardhësja, e kalon numrin e atyre që mendojnë të kundërtën ndonëse kam dëgjuar edhe nga ata që shpresojnë për më mirë. Besoj se edhe një polemikë mbi këtë çështje ndoshta do të ndikonte që gjërat të shkonin pak më mirë sesa parashikimet e pesimistëve.

Personalisht bëj pjesë në kampin e atyre që gjithë duke uruar që kjo të jetë një qeverisja më e mirë kanë shumë, po shumë frikë, se kjo do të jetë një qeverisje më e keqe për të mos thënë shumë më e keqe. Përpara se të sjell argumentet pse mendoj kështu le të rreshtoj më së pari argumentet e atyre që janë në favor të idesë se kjo do të jetë më e mirë se e para. Shumica e venë theksin në këto pika:

Një përvojë dhe pjekuri më e madhe në pushtet e Berishës dhe njerëzve të tij.

Një qetësi dhe siguri më e madhe në krahasim me qeverisjen e parë që sabotohej shumë më kollaj nga opozita.

Argumenti i njohur se tashmë janë ngopur, do të mendojnë një çikë më shumë edhe për ne.

Faktori LSI, udhëheqja e së cilës, në një farë mënyre, mendohet se nuk do ta lejojë veten që të turpërohet ashtu krejt përpara elektoratit të saj dhe prandaj do të ushtrojë ndonjë farë kontrolli.

Ka që paraqesin edhe argumente të tjera, por më duket se këta janë ata kryesorët që meritojnë të vihen në dukje dhe diskutim

Tani le të shtjelloj se ku mbështeten frikërat e mija dhe të shumëve që ndajnë të njëjtin mendim.

Së pari, nuk mund të mos të të bjerë në sy se, ashtu si Nano në qeverisjen e dytë, edhe Berisha ka prirjen për të akumuluar gjithë pushtetin në duart e veta, shoqëruar kjo me një mungesë ndjeshmërie gjithnjë e më të madhe ndaj kritikës, që përkthehet në arrogancë e arbitraritet. Me fjalë të tjera vihet re qartazi një mbyllje e rrethit të njerëzve të besuar të Berishës çka nënkupton se kanë mbetur jashtë rrethit një pjesë e mirë që mendohej se mund të sillnin kontribute. E sipas meje kjo është e kundërta e pjekurisë pavarësisht se për nga metodat e përjashtimit nuk ka të krahasuar me Berishën e viteve 1992 – 1997. Kundër këtij argumenti mund të sillet ai i përfshirjes në qeveri bash i disa prej ish kontestatorëve të viteve 90. Por këta janë ish kontestatorë të viteve ‘90. Gjatë katër vjetëve që posa kaluan nuk u kemi parë e dëgjuar as hijen e ndonjë kontestimi dhe as ndonjë ide origjinale. Kurse kontestatorët e katër viteve të shkuar, ndonëse edhe ata me ndonjë hije kontestimi, janë të gjithë jashtë rrethit të Berishës, madje edhe jashtë Parlamentit.

Në këtë kontekst po del gjithnjë e më qartë se njerëzit që bëjnë karrierë më të gjatë në PD nuk janë ata që dallohen për ide ndryshe, apo edhe për integritet dhe profesionalizëm, por ata që dallohen për konformizëm dhe shërbim ndaj liderin për të mos thënë për besnikëri të verbër ndaj tij. Dhe kjo nuk ka se si të mos e dobësojë një qeverisje që katër vjet më parë u nis me një rreth shumë më të gjerë njerëzish, me më shumë integritet dhe me më shumë profesionalizëm. Aq më tepër po të kemi parasysh se Sali Berisha nuk ka më motivimin e viteve të para për t’u dukur sikur po i mban premtimet. Kështu “rrethi i ngushtë” i kryeministrit rrezikon të bëhet gjithnjë e më i shurdhët ndaj kritikave gjithnjë e më abuziv e gjithnjë e më i pushtuar nga sëmundja e korrupsionit.

Përsa i përket faktorit LSI si faktor kontrollues, diçka mund të shpresohet, por besoj se shenjat që kemi pasur deri tani tregojnë se Ilir Meta është futur në qeveri vetëm me kushte përfitimi për veten dhe partinë e tij, me projektin, ndoshta, të forcimit të partisë së tij nëpërmjet shpërndarjes së punëve e favoreve që i jep pushteti, por kurrsesi që të fitojë respekt në një pjesë gjithnjë e më të madhe shqiptarësh. Vetë fakti që nuk pati asnjë kontestim apo kusht paraprak për mospërfshirjen në qeveri të Fatmir Mediut flet për impotencë ose indiferencë të LSI në këtë drejtim. Vetë fakti që Meta është në rolin e ministrit të jashtëm flet gjithashtu se ai ndoshta ka kënaqur egon e tij për të qenë numri 2 i qeverisë, por përsa i përket mundësive për të bërë diçka për shqiptarët ai ka hapsat e kashtës në dorë. Ndoshta edhe më pak se ç’kishte në kohën kur e bëri Nano ministër të jashtëm dhe Zv/kryeministër.

Një faktor tjetër negativ, do të thoja, është fakti se opozita, që tradiconalisht ka qenë e injoruar nga mazhorancat tona, do të vazhdojë të jetë e injoruar dhe nuk do të luajë ndonjë rol konstruktiv. Për këtë po ndihmon edhe vetë opozita qoftë me bojkotin qoftë edhe me faktin se Edi Rama dhe etja e tij e sëmurë për pushtet, si dhe akuzat e shumta që ai ka për korrupsion në Bashki, do të vazhdojë të jetë një alibi e mirë për Berishën dhe Metën për t’u paraqitur si e keqja më e vogël.

Në këtë hulli shoh edhe dobësimin e fuqisë kritike të mediave. Gjatë katër viteve të para të Berishës është vënë re një dominim i mediave në shërbim të Edi Ramës. Për mirë dhe për keq ato kanë ushtruar edhe një kontroll mbi qeverinë. Në këtë katërvjeçar, duke patur parasysh se interesat e pronarëve të mediave do të jenë gjithnjë e më shumë të varura nga pushteti qëndror, aq më tepër nëse Rama humbet Bashkinë, parashikoj një nënshtrim edhe më të madh të mediave ndaj pushtetit.

Por gjëja kryesore që më çon në përfundime pesimiste është një arsyetim që lidhet me politikat ekonomike të qeverisë Berisha 1. Dihet se çfarë të mbjellësh do të korrësh. Çfarë ka mbjellë qeveria paraardhëse për të korrur kjo pasardhësja? Sipas meje ajo që është mbjellë në tërësinë e vet është rezultat i një politike ekonomike mish mashi të diktuar kryesisht nga një klientelizëm i çoroditur, nëse mund ta quaj kështu, ku interesat klienteliste të individëve që mbështesin partinë në pushtet, të veshura së jashtmi me një retorikë pseudopatriotike dhe me një vizion zhvillimi komunisto kapitalist të viteve 60 (i bazuaar mbi industrializimin ndërkohë që jetojmë kohën e post industrializimit) shpesh janë në kontradikta të hapura me njëra tjetrën, pa asnjë koherencë apo organicitet të ndërtuar nga një vizion largpamës.

E kam të vështirë të gjej ndonjë gjë që është investuar gjatë katër viteve të para që do të rrisë mirëqënien e shqiptarëve gjatë këtyre katër vjetëve të dyta. Investimi kryesor ka qenë rruga Durrës – Kukës, por të gjithë e dinë se kjo ishte një rrugë “patriotike” efektet ekonomike të së cilës, sipas ekpertëve, ndoshta do të duken pas njëzet vjetësh ndërkohë që kontrata që ka bërë qeveria Berisha 1 me ndërtuesin e saj vazhdon të mbetet një gropë e zezë që thith paret tona.

Po ashtu, ato që mund të quhen investime për të ardhmen e Qeverisë Berisha 1 kanë qenë kryesisht dhënie koncesionesh për të huajt që ata të ndërtojnë këtu parqe industriale dhe tece e fabrika çimentosh. Përveç punësimit në punë të rëndomta të një numri të vogël shqiptarësh (me paga shumë më të ulta nga ato që këta marrin si emigrantë) nuk besoj se do të kemi ndonjë rritje punësimi të ndjeshëm, ndërkohë që pasojat afatgjatga të këtyre investimeve do të kenë një kosto shumë të lartë jo vetëm ambjentale, por edhe ekonomike pasi do të vonojnë dhe pengojnë investimeet që i shkojmë më shumë një vendi si shqipëria të tilla si bujqësia, blegtoria, agroturizmi.

Ose le të jap një shembull tjetër të mish mashit. Duke parashikuar krizën ekonomike duket se Barisha kërkoi të imitojë Berluskonin i cili ngriti edhe ai idenë (shumë të kritikuar në Itali) të shtesave të kateve, me shpresë se njerëzit do të nxjerrin lekët e kështu do të vihen në qarkullim ca para në këto kohë të vështira. Mirëpo një pyetje i shtroj kryeministrit Berisha.
Kur udhëton me makinë a i hedh ndonjëherë sytë ai përtej dritareve të saj për të parë se çfarë ka përreth? A e sheh ai se po të heshësh sytë majtas djathtas rrugës Tiranë – Durrës apo Tiranë - Elbasan do të dallosh me mijëra shtëpi dy tre katër katëshe të papërfunduara, (nuk po merrem me pallatet) që kuptohen se janë bosh nga dritaret e pavëna apo suvatë e pambaruara. A e ka parë ai se çfarë dyndjesh ndërtimi ka në bregdetin tonë? Ku e çon mushka kryeministrin që u sugjeron shqiptarëve të vazhdojnë të investojnë në ndërtim? Si ka mundësi që këtej flet për turizëm dhe andej jep konçesione që masakrojnë tërë burimet turistike të vendit? Ose ose: si ka mundësi që këtej flet për mbjellje mijëra rrënjësh ullinj, këtej bën projekte çullinjizimi në funksion të ndërtimeve? Si ka mundësi që këtej flet për masakrën urbane që ka shkaktuar Edi Rama në Tiranë kurse, nga ana tjetër, edhe në ndonjë zonë që Rama në projektin urbanistik e ka lënë për ndërtime të ulëta, vete e u flet qytetarëve atje se kryebashkiaku u ka bërë padrejtësi duke u hequr atyre mundësinë e ndërtimit të pallateve?

Të gjitha këto kundërshti e mjaft të tjera (ekspertë ligjorë thonë se edhe shumë ligje janë bërë çorap ku një herë i japin avantazh pronarit të vjetër një herë atij të riut varësisht nga interesat e klientëve të PD-së) flasin se Kryeminstri dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë projekt afatgjatë të studiuar e të debatuar, por vazhdojnë të bëjnë politika ekonomike të diktuara nga spontaniteti i klientelizmit e korrupsionit miop dhe të babëzitur. Mirëpo nëse disa vjet më parë kjo lloj ekonomie dukej sikur, gjithsesi, po sillte ndonjë zhvillim sepse ishte disi më në përputhje me ligjet e kërkesë ofertës sot është bërë mëse e qartë se zhvillimi që ajo ka sjellë është një pseudozhvillim ose, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, një zhvillim tumoral që ndërkohë që pasuron një grusht të vogël spekulantësh e të korruptuarish dhe ushqen ekonominë e zezë kriminale, vendit po i merr frymën. Dhe kur them “po i merr frymën” nuk kam parasysh vetëm frymën ekonomike, por edhe asfiksinë shpirtërore e intelektuale që ka krijuar ky tumorr, analfabetizmin e injorancën që prodhon me sistemin e vleraver të mbrapshta që stimulon, ankthin e pasigurisë për të ardhmen që përfton tek shumica e njerëzve.

Këtë gjendje të gjërave, sipas meje, e tregon edhe kabineti i ndërtuar i qeverisë Berisha 2. E kam shumë të vështirë të shoh lidhjen profesionale të shumicës së ministrave me karakterin specifik të ministrive që ata drejtojnë. Kabineti reflekton thjesht e vetëm një lojë vazhdimësie e akumulimi pushteti e kujdesi të Kryeministrit për të patur brenda rrethit të tij njerëz sa më pak problematikë për pushtetin e tij, por kurrsesi një kabinet që të jetë i aftë të frenojë, aq më pak operojë, tumorrin që po i merr frymën vendit ditë përditë. Nga sa duket qartë Berisha dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë projekt për ta operuar këtë tumorr, por përkundrazi kanë projektin e bashkjetesës dhe bashfajësisë me të.

Uroj të jem i gabuar në analizën e parashikimin tim, por kam shumë frikë se pesimizmi im do të rezultojë i gabuar vetëm nëse shohim të nisë një betejë sa brenda mazhorancës edhe jashtë saj për ndryshime rrënjësore në politikën tonë; me fjalë të tjera një mrekulli. (Korrieri, 14 shtator 2009

4 comments:

Elia said...

Z. Lubonja,
ne komentin tuaj, ju analizoni shkaqet perse investimet e ndermarra ne kater vitet e kaluara ne Shqiperi nuk do te ndikojne ne zhvillimin (apo ne mireqenjen )e vendit ne vitet e ardhshme.Gjithashtu, shpreheni ne thelb, qe ky kabinet ministrash,do ta kete te pamundur te propozoje reformat per te cilat kemi nevoje. Jam dakord me juve. Por,duke lexuar artikullin, me lindi nje pyetje e ndryshme nga cfare trajtoni atje.
Panvaresisht nese ka apo do te kete reforma ne Shqiperi, kur do te filloje sensibilizimi i njerezve ndaj ndryshimeve qe na duhet te bejme? Sepse, cfare vlere kane disa reforma ne vetvete, ne qofte se nuk paqyrojne vlerat (ne ndryshim) te nje populli? Konkretisht, nuk do te ishte me mire qe shtypi shqiptar te kishte edhe nje rol edukues e emancipues pervec se informues?
Per reformat qe duhen ndermarre, ne drejtesi, ne ekonomi dhe per luften kunder korrupsinit(per mjetet efikase per uljen e korrupsinit) flitet zbehte ne shtyp. Keshtu edhe ne fushen sociale,ndaj proposimit te fundit te Berishes per legalizimin martesat gay nuk kam lexuar ndonje debat te vertete deri tani. ( Kam lexuar te flitet per mungese faji te homoseksualeve si te tille. A mund te jete serios nje argumentim i tille?)
Gjithashtu, ne artikullin tuaj flisni edhe per ekonomine tone, te tashme e te ardhme e per ambientin. Eshte ngjethese cfare shkruani…mbi ceshtjen ambientale, konstatohet qe sensibiliteti ndaj ambjentit nuk egziston as ne vetvete, e as ne lidhje me nevojat ekonomike: per ceshtjen ekonomike, problemi i rishperndarjes se vleres se “krijuar” nuk shqeteson aspak,varferia e njerezve nuk shqeteson, aq sa nuk flitet as per mikrofinancen.
E cfare te thuash pastaj per ceshtjet e tjera jo ekonomike (sociale) si sherbimi sanitar e arsimimi?
Ne te vertete,mendoj se eshte reforma ne arsim qe duhet kryer perpara cdo reforme tjeter…Per mendimin tim, arsimi ne Shqiperi eshte me shume nje “rassegna”e dijes sesa dije e vertete.
Pershendetje!
Elia Botka

Katerina said...

Shkrim i goditur! Pensimist por i vertete e i shprehur me argumenta te forte!

Anonymous said...

parashikime dhe analize e perkryer. Plotesisht e aprovoj.
ena.

Anonymous said...

z. lubonja, pergezime. jeni nder te vetmit analiste te vertete dhe kurajoze ne shqiperi