Wednesday, September 9, 2009

Një propozim fantastik

Këto ditë të fillimshtatorit nuk mund të mos të të bjerë në sy, duke lexuar shtypin, se numri më i madh i shkrimeve është i përqendruar në komentet mbi Kongresin e PS dhe mbetjen e Edi Ramës kryetar i saj. E kuptueshme të mbahet qëndrim për një ngjarje që na intereson të gjithëve. Edhe personalisht kam shkruar për këtë. Megjithatë më duket se ka një shproporcionim në mediat tona. Dua të them se nëse për fatet tona, duam apo nuk duam, edhe këto katër vjet do të vendosë Berisha, ne po vazhdojmë të merremi me Ramën dhe PS-në e tij duke e "harruar" maxhorancën. Nuk e di pse ndodh kjo, pasi PS-ja gjeneron më shumë lajme dhe është më lehtë të shkruhet, prandaj, për to, pse kjo është më e lehtë pasi për krahun tjetër nuk ke shumë për të thënë, apo pse dyshja Berisha - Meta tashmë po bëhet dominuese në pushtetin mediatik.
Me këto ndërdyshje u ula të lexoj një shkrim të para disa ditëve të Mentor Nazarkos, botuar tek Panorama, që merrte në analizë daljen e parë publike, bashkarisht, të kryeministrit Berisha dhe nënkryeministrit Meta. Nuk di të them me siguri nëse shkrimi m'i qartësoi ndërdyshjet, apo m'i thelloi më shumë, por di të them se shkrimi më tronditi. Më tronditi pasi analisti fliste me një vërtetësi të frikëshme për marrëveshjen Berisha - Meta që më nxiti mendime dhe propozime fantastike që do t'i shpreh më poshtë.
E gjithë përmbajtja e shkrimit ishte se Ilir Meta kishte korrur një fitore pasi kishte qenë ai që kishte diktuar në këtë marrëveshje. Pra, megjithëse vetëm me katër deputetë ai kishte marrrë 20 përqind pjesëmarrje në qeveri, kishte siguruar tre vende kryeministrore për veten dhe bashkëpunëtorët e tij, 25% zv/ministra; e se do të punësonte 3000 militantë nëpër administratë.
Autori nxitonte, diku, të thoshte se kjo fitore e Metës ishte "taktike" jo "strategjike", pra se mbetej për të parë nëse LSI do të kishte të njëjtin fat të partive të futura në koalicione me partitë e mëdha, udhëheqësit e të cilave, duke marrë poste ministrash për vete, i katandisën ato në hiç. "Por Meta nuk është si gjithë të tjerë", përfundonte megjithatë autori duke na lënë të kuptojmë se nëse me "taktikë" ai quan lëvizjen e Metës drejt Berishës me "strategji" të tij kupton lëvizjet që do të përkthehen në zgjedhjet e ardhëshme në edhe më shumë ministra, zv/ministra e më the të thash e që, më në fund, ndoshta mund ta nxjerrin Metën edhe në rolin e Kryeministrit.

Nuk kundërshtoj asgjë nga këto që thotë Nazarko, madje as nuk jam i pakënaqur për ato që nuk thotë. Dua të them vetëm se çka thotë mu duk e frikëshme. Sepse shkrimi jo vetëm zbulonte, si pa dashur, se ku është katandisur politika shqiptare, por zbulonte se po arrijmë në një fazë kur nuk kemi më as nevojë të mbulojmë me gjethen e fikut të moralit veprimet e politikanëve tanë - gjë që po bëhet gjithnjë e më shumë gjendje morale e thuajse tërë shoqërisë.
Normalisht, duke parë marrëveshjen LSI - PD, nuk mund të mos shtrosh pyetjen: cili ishte programi i saj i ndryshëm nga i PD, por edhe i ndryshëm nga ai i PS dhe si mund të kombinohen tani programet e PD me të LSI. E vërteta është se këto programe nuk ekzistojnë. E vërteta është se identitetet dhe programet e vërteta të partive tona janë emrat e liderve të partive dhe ambiciet e tyre me njëri tjetrin si dhe paratë e atyre që i shohin këta lider e parti si instrumente të bizneseve të tyre. PD ndryshon nga LSI sepse ekziston Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe disa njerëz rrotull tyre e disa oligarkë prapa tyre që e lakmojnë pushtetin pasi nga ky varet biznesi i tyre. Të njëjtin ndryshim ka edhe PS me PD edhe PS me LSI. Kush pretendon se ka ndonjë ndryshim tjetër le të na e tregojë se ku qëndron ky. Ah harrova, ka një ndryshim në votuesin të cilit i drejtohen, por që, personalisht, më bën për të qeshur. Sepse çuditërisht shumë politikanë e analistë, ende ngulmojnë të thonë se Ilir Meta tradhëtoi "popullin e majtë", se "populli i majtë" duhet bashkuar, madje se Ilir Meta ishte më i majtë sesa PS-ja e cila mund të quhet qendër e majtë.
Po për çfarë të majtësh e kanë fjalën këta? Në fakt e kanë fjalën për gjyshërit dhe gjyshet, bijtë e bijat dhe nipërit e mbesat e atyre që, në kohën e regjmit, kanë qenë me partinë e Punës, në Sigurim, në ushtri, në admnistratë e më the të thashë. Me një fjalë për shtresën më të privilegjuar të kohës së regjimit që, për hir të së vërtetës, duhet thënë se arriti të ketë një shkollim më të mirë se të tjerët, por të cilin, me në krye Nanon, Ramën e Metën e (sh)përdoruan mrekullisht për kthimin e PS në pseudo të djathtën më të korruptuar të Ballkanit.
Sa herë dëgjoj apo lexoj të flitet për "popull të majtë" mua më kujtohet një bisedë - ndër të paktat - që kam pasur rastin të zhvilloj me Fatos Nanon në vitin 1997, kur sapo u bë kryeministër. Meqënse ishim ulur pranë e pranë në një darkë ku kishte pak njerëz shfrytëzova rastin t'i bëj një kritikë (miqësore) pse kishte vënë në një post të rëndësishëm një njeri që njihej në opinion si i korruptuar. Ky e mbrojti me stilin e tij që, kur s'thotë dot një të vërtetë thotë diçka pa kuptim. Atëhere unë, duke dashur të përforcoj idenë time, i thashë: "Po vetë ata të partisë tënde nuk e deshën atë si kandidat për deputet një vit më parë." A e dini se cila ishte përgjigja e Nanos: "E mo, nuk e deshën ata të majtët.". Mu desh t'i përgjigjem: "Ore, kë quan të majtët ti ata të ndershmit?" dhe biseda, kuptohet, u mbyll.
Nëse me të majtët do të quanim vërtet të ndershmit, ose, në mungesë të këtyre, gjysmën apo çerekun që ka mbetur e ndershme të sejcilit shqiptar, atëhere unë them se shumica e tyre janë pa parti. Kurse ata që militojnë në partitë për të cilat po flasim nuk kanë asgjë të majtë dhe asgjë të djathtë. Madje këta as që i kanë studiuar dy ideologjitë dhe as kanë pasur ndonjëherë ndonjë bindje për vlerën e njërës dhe të tjetrës dhe as mendim kritik për njërën apo tjetrën. Ata thjeshtë zhveshën kostumin e komunistit dhe veshën atë të kapitalistit pa asnjë bindje përveç asaj se kjo ishte moda e kohës për karrierën e tyre. Berisha është shembulli i tyre më elokuent, por edhe Meta e Rama, që i përkasin një brezi më të ri, nuk se mbeten prapa, në mos ia kalojnë. Dhe këtyre, nëse, për të ecur përpara, u duhet të mbathin një këpucë të majtë në këmbën e djathtë dhe një të djathtë në të majtën janë gati t'i mbathin pa pikë hezitimi. Siç bëri Meta tani psh. Në fakt këta nuk janë postideologjikë, por paraideologjikë. Nuk janë imoralë por amoralë. Dhe bash lidhur me këtë të fundit ka të bëjë propozimi im.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se tek ne ka mbetur ende një retorikë morale. Ja psh. "tradhëtia" e Ilir Metës nuk se është lënë pa u përfolur. LSI-së i ikën edhe katër pesë burra nga partia, madje, sepse tradhëtoi elektoratin e majtë. Por nëse ky elektorat janë ata që presin të punësohen si dhe familjarët e tyre më duket se s'ka pse shqetësohemi fare. Përkundrazi kjo është besnikëri, jo tradhëti. Ajo që më pëlqen dhe tmerron njëherësh tek shkrimi i Nazarkos është pikërisht se ai e injoron moralin dhe me të drejtë. Sepse moraliteti këtu është krejt relativ ose është vetëm një fasadë. E vërteta e thjeshtë, e pastër, pa fasadë është se partitë tona janë ata 3000 që do të punësojë Ilir Meta, ata mijëra që punëson Berisha, ata mijëra që shpresonin dhe shpresojnë të punësohen tek PS-ja dhe ata që përfitojnë në mënyrë më indirekte nga pushteti i këtyre që kanë edhe gazeta edhe televizione nganjëherë me të cilët i shërbejnë njërës apo tjetrës "parti". Kaq. Më falni harrova: shumëzm me familjarët e tyre.
Deri këtu s'kam thënë asgjëtë re, madje nuk po bëj gjë tjetër veçse po përsëris, me fjalë të tjera, atë që ka thënë Nazarko pak ditë më parë. Po prisni. E reja qëndron në propozimin fantastik që dua të bëj. Sipas meje sot ndoshta ka ardhur koha të shtrohet çështja: a mos duhet të hedhim edhe një hap më tej drejt demokracisë, NATOs dhe Evropës dhe psh. të heqim fare përdorimin e moralit në gjykimin e veprave të politikanëve tanë e tonat në përgjithësi? A nuk ka ardhur koha që ta themi troç se ide të tilla se politikani i suksesshëm është ai që i shërben më mirë shoqërisë, që sakrifikon për të etj. janë broçkulla të vjetëruara që duhen hedhur në koshin e plahërave? Madje madje, a mos vallë duhet menduar, në një fazë të dytë, që të hiqen fare nga Kodi Penal krimet e ndryshme që lidhen me korrupsionin e më the të thashë përderisa ata nuk përdoren? Shikoni, a nuk i fitoi Mediu zgjedhjet e u bë deputet e do të bëhet edhe ministër. A patë njeri në partinë e tij të thotë: jo se ky është i akuzuar për vrasjen e 26 vetëve në Gërdec? Pse budallenj janë ata? Pse budalla është Berisha që e ve ministër? Prokuroria që e respekton? Morali është relativ zotërinj. Ajo që është e moralshme për dikë është e pamoralshme për dikë tjetër dhe pikë.
Sipas meje ia vlen të hapet një debat i gjerë nëpër mediat tona për heqjen e këtyre vjetërsirave. Diçka pra e ngjashme me heqjen e feve në kohën e Enver Hoxhës. Sa për Skënderbeun jo, sigurisht duhet ta mbajmë. Madje njerëzit kanë filluar edhe të martohen në Muzeun e Krujës. Jo, ai, nuk na prish asnjë punë. Po për këto të tjerat mendojeni një herë. Në vend se të merremi me "e lagu", "s'e lagu" Edi Rama PS-në më mirë të përgatisim një revolucion të tillë që të na mbajë mend gjithë bota. Ta shpallim Shqipërinë të parën republikë amorale në botë. Mos më keqkuptoni, nuk po them republikë imorale, por amorale. Me një fjalë diçka si natyra që kur sjell diell apo shi, nuk është se ka vetëdijen se po bën mirë apo keq. Apo si kafshët që nuk e dinë se bëjnë keq kur të hanë. Thjesht një hap të vogël por të lavdishëm po ju propozoj: të kalojmë nga "përtej të majtës dhe të djathtës" në "përtej të mirës dhe të keqes."
Republika e parë amorale në botë. Do të rihyjmë në histori, ju siguroj. Mendojeni një herë. (Korrieri, 9 shtator 2009)

5 comments:

Armanda said...

E di pse nuk do ta pranojme propozimin? Sepse po ta benim, po ta pranonim hapur amoralitetin tone, ky do te ishte nje veprim i sinqerte, pra i moralshem, e per pasoje nuk jemi ne gjendje ta bejme..........

Anonymous said...

Sarkazem,ironi, trishtim, ulerime pa tingull qe te deperton nen lekure. Nje mrekulli artistike. Trishtimi eshte karakteristike i gjenive.

gzimi

Anonymous said...

Pa e tepruar, katastrofa, e keqja, qe ja kemi bere dhe ja bejme vetes, qe na e kane bere dhe na e bejne, drogimi qe na eshte bere, dhe narkoza qe shperndahet cdo dite dhe na injektohet me nje rrapellime histerie manjakesh kudo, kudo, kudo, ne jeten tone. Ne jeten tone zgjyre dhe sfumature, pa profil apo shtylle kurrizore. Ne jeten tone ku jemi te detyruar te mengjezojme, drekojme e darkojme kete narkoze amorale. imorale, kriminale, kete alkimi te shpifur, kete agresivitet, kete cmenduri e absurd nuk duhet te tingelloj banale dhe naive deklamacioni patetik: - Ti duhet ta ndryshosh jeten tende. Ti. Ti duhet ta ndryshosh jeten tende se ky eshte imperativ i kohes ne te cilen jetojme. Eshte imperativ imediat se jane kaluar te gjitha limitet dhe jemi ne kufirin ku narkoza e se keqes eshte ne fuqine e drogimin e saj te plote. Ti duhet te ndryshosh jeten tende nuk i a adreson nje individi por sidomos asaj kategorie te caktuar grupimi njerezish qe eshte pergjegjes dhe asaj kategorire njerezish qe kane rene ne fatalitet, por edhe nje subjekti kolektiv mbare kombetar qe nuk jane aspakt koherent per kohen ne te cilen jetojme. “Nje propozim fantastik“ eshte shkrimi i gazetarit Fatos Lubonja. Nje shkrim sarkazem,ironi, trishtim, ulerime e ftohte, i akullt pa tingull qe te deperton nen lekure dhe ka nje akustike britme qe te trazon te gjitha qelizat e trupit. Ka nje rezonance te fuqishme qe shkon deri ne kufijte e fatalitetit dhe te godet nokdaun, te shtrin perdhe, te derrmon, nuk te gjakos, por eshte nje goditje e brendeshme qe nuk te shkakton hemoragji as te vjella edhe pse eshte helm nuk te helmon, nuk te jeshilon e verdhezon, nuk te rrudh e te poshteron. Eshte nje termet i brendeshem anatomik qe te shkund qelizat dhe te stimulon nje zjarr qe kekon ta ndeze dhe ta ktheje ne vullkan duke te fuqizuar me nje elektroshok per te shkundur dhe per te zgjuar e gjeneruar ato qeliza te shendetshme te moralit. Ne menyre fantastike artistike ne menyre te pa meshirshme Fatos Lubonja skicon me karbon me nje te zeze absolute pa meshire trupin anotomik te shoqerise shqiptare kete qelbesire morale, kete kufome morale te krimbosur dhe ulerin ne shkimin e tij “Nje propzim fantastik“ Ulerin me nje ulerime te pa degjuar ashtu sic dine te ulerijne mjeshtrit e medhenj, pa patetizem, pa rrapellime, por me sarkazem e ironi qe ka mprehtesine e nje bisturie. Nje propozim fantastik une e perkthej me imperativin Ti duhet te ndryshosh. Ti duhet te ndryshosh o shoqeri manjake o shoqeri e semure, ti duhet te tjetersohesh, ti duhet te ndryshosh o njeri se kete ta kerkon koha.

gzimi

Lavdrim said...

I nderuar,
nje shkrim emocional per nje Teme qe mban te berthyer shune veta ne llogore. propozimi nuk eshte aspak fantastik, perkundrazi, perderisa eshte hipotetik moraliteti, imoraliteti dhe amoraliteti nuk duhet te jete shkalle vleresuese per politiken. ndohat Lubonja ka pasur parasysh Etiken polike dhe jo moralin e politikes, sepse ngase ka pasur politike ne bote nuk eshte bazuar kurre ne nje parimi te tille. nejse.
tjeter. ju falenderojme qe mbani nje qendrim "caustico" ndaj politikes ne pergjithesi.
sinqerisht

Anonymous said...

Arsimi ka per qellim edukimin e karakterit.
ka thene Spenser.