Tuesday, September 1, 2009

Mbi humbjen e të rinjve

Debatet e këtyre zgjedhjeve janë përqendruar në atë që i tërheq më shumë shqiptarët: loja e pushtetit, ku bije në sy, veçanërisht, përqendrimi i baterive tek çfarë do të ndodhë në PS dhe se si do të ndahet pushteti i ministrave midis PD dhe LSI. Ndërkohë zgjedhjet kanë nxjerrë në dukje shumë fenomene që mendoj se meritojnë të analizohen e të thellohen sepse janë problematika bazë e shoqërisë sonë, që lidhen me të ardhmen e saj përtej asaj se kush fitoi e kush humbi të sotmen.
Në këtë kontekst një nga rezultatet më befasuese, që meriton sipas meje analiazë, ishte humbja e të rinjve me çka kam parasysh rezultatin nën 1% të G99 të Erjon Velisë me shokë. Më shqetëson më shumë si fenomen sesa si humbja e një partie. Dhe jo se prisja të kishin rezultat me dy shifra, por të kishin një rezultat të paktën disa përqind.
Nuk pretendoj me këtë shkrim të jap arsyen e plotë të këtij rezultati, por do të përpiqem të bëj komentin tim për këtë humbje. Do të më kishin ndihmuar për këtë edhe prononcimet e Erion Velisë me shokë, por nuk i shoh gjëkundi.
Para së gjithash duhet vënë në dukje se ky rezultat kaq i dobët i partisë së të rinjve ka ardhur si pasojë e atyre fenomeneve që sollën edhe përjashtimin e të vegjëlve të tjerë nga Parlamenti shqiptar, një fenomeni, tashmë të stërthënë, por që besoj se duhet përsëritur: bipolarizimi i fortë i shoqërisë shqiptare si vepër e dy partive të mëdha. Dhe, me këtë bipolarizim, nuk kam parasysh vetëm kodin zgjedhor, as fushatën zgjedhore që shtruan direkt ose indirekt çështjen se të votoje për të vegjëlit ishte humbje e votës e që çoi deri në luftrat brenda llojit ku partitë e mëdha “hëngrën” edhe ushqimin e sivëllezërve të tyre. Kam parasysh tërë klimën bipolarizuese që kanë krijuar këto parti për çdo aktor të jetës sociale, politike, kulturore, mediatike, por edhe të biznesit sipas së cilës, po nuku bëre me njërën nga këto dy parti, nuk ha dot bukë. Mendoj se këto zgjedhje, si test, e provuan më së miri këtë klimë dhe e thelluan, madje. Varfërimi dhe deformimi që po i sjellin këto dy parti shoqërisë është i frikshëm dhe të rinjtë janë thjeshtë viktimë e këtij abuzimi me pushtetin që provon, çka e kam shkruar edhe herë tjetër, se, që të kemi të rinj të shëndetshëm, duhet të kemi më së pari të rritur të shëndetshëm. Në këtë kontekst pasojë e këtij mosshëndeti janë edhe mjaft probleme që lidhen me të rinjtë e G99 ndër të cilët, duke parë edhe rezultatin, bije në sy përdorimi i tyre thjeshtë si imazh televiziv ndërkohë që ekziston një moslidhje dramatike e tyrja me bazën e të rinjve.

G99, në tërë këtë histori zgjedhore, ka një specifikë të veçantë. E para, sepse ishte parti e të rinjve, ndërkohë që nuk kishim një parti tjetër të tillë; e dyta, sepse kishim të bënim, si në asnjë rast tjetër, me politikanë të paprovuar, ndërkohë që të tjerët ishin të provuar tashmë; e treta, dhe më e rëndësishmja, sepse ata hynin në politikë si denoncues të klasës së vjetër politike. Ekzistenca e tyre lidhej, pra, me një problematikë tashmë të evidentuar qartazi në shoqërinë shqiptare: ajo se klasa jonë politike, që tashmë po mbush 20 vjet në pushtet, është një klasë politike e korruptuar, që ka në themel të formimit të saj kulturën e atij regjimi dhe të rinjtë shihen si shpresa për t’i nxjerrë ata jashtë jetës sonë.
Sot fitorja e të vjetërve në përgjithësi dhe e Berishës në veçanti, si i vjetri i të vjetërve, duhet të na nxisë të mendojmë për këtë humbje: a kemi të bëjmë me një triumf të të vjetërve mbi të rinjtë përparimtarë apo me diçka tjetër? Sipas mendimit tim kemi të bëjmë me një triumf të të vjetërve, por jo pse u bë një ndeshje ku të rinjtë luftuan dhe humbën me të vjetrit, por sepse politika e vjetër i mundi ata, pa luftë, duke hyrë brenda tyre.
Organizata “Mjaft” prej të cilës doli G99-ta, në fakt, ishte një projekt perëndimor investimi tek të rinjtë për të eliminuar gardën e vjetër të përfaqësuar nga dyshja Nano – Berisha. Ata u panë nga perëndimorët si grupi i ri mbështetës i një politikani të ri premtues, Edi Rama, i cili investoi shumë për të krijuar këtë imazh të tij tek të huajt. Mirëpo çfarë ndodhi? Sipas meje ndodhi ajo që kishte ndodhur me vetë Ramën vite më parë: thithja nga politika e vjetër e një intelektuali me moshë të re e me investim ndërkombëtar, që vinte nga shoqëria civile, i cili gjeti më të lehtë përshtatjen ndaj sistemit të pushtetit ku hyri sesa përpjekjen për ndryshimin e tij. Në fakt përdorimi i të rinjve si Velia nga Rama ishte “hakmarrja” e një të vjetri për përdorimin që i kishin bërë paraardhësit Ramës vetë. Ishte vazhdimi i një rrethi vicioz prej të cilit duket se është e vështirë të dalim. Në këtë kuptim flas për fitore të së vjetrës. Mjaft të kesh parasysh se format që ushtroi Rama në përdorimin e këtyre të rinjve ishin tërësisht në traditën e bizantinizmit të politikës sonë më të vjetër. Duke synuar të kapë kreun e PS ai i përdori të rinjtë e “Mjaftit” për të goditur rivalët e tij apo gardën e vjetër të PS, veçanërisht Nanon e të tijtë, por duke ruajtur, megjithatë, pranë tij atë pjesë të tyre që nuk e kundërshtonte e mbi të gjitha ndërkohë që ai vetë meritonte kritika po aq të rrepta nga të rinj që kishin dalë në skenë për të goditur korrupsionin e klasë politike dhe të oligarkisë prapa saj. Nuk dihet saktë nëse “Mjaft” u ndërtua pikërisht për të bërë këtë lojë apo iu adoptua kësaj loje me pëlqimin e sponsorve të vet perëndimorë, por me siguri mund të thuhet se kjo lojë është shkaku i disfatës së G99-tës. Ashtu sikurse do të kishte qenë më e shëndetëshme që Rama të kishte dalë në krye të një grupimi të rinjsh në emër të një partie të re po ashtu do të kishte qenë shumë mirë që G99 të kishte kontestuar edhe PS edhe PD, edhe Berishë edhe Nanon edhe Ramën. Mirëpo kjo, ashtu sikurse nuk i siguronte pushtet e përfitime të menjëhershme Ramës dje nuk i siguronte pushtet të menjëhershëm Erjon Velisë me shokë sot. Duke mbetur robër meskinë të së tashmes ata nuk ishin në gjendje të ndërtonin një vizion të së ardhmes e të luftonin për të. E këtu nuk duhet fajësuar vetëm e vjetra që gllabëron, por edhe e reja që gllabërohet me dëshirë duke provuar atë që thotë Thomas Wodrow Wilsonit se “një njeri i paaftë për të patur vizione nuk do të realizojë kurrë një shpresë të madhe e as do të mund të fillojë kurrë një ndërmarrje të madhe”,
Historia e Mjafti të shndrruar pastaj në G99 besoj se duhet të jetë një mësim për të rinjtë shqiptarë që duan të ndryshojnë seriozisht diçka në këtë vend apo që duan të çlirohen nga kjo klasë politike. Një pyetje që të lind vetiu duke parë këtë humbje të çon tek pyetja: a kanë vërtet respekt shqiptarët për të rinjtë? Duket se jo. Por kësaj mund t’i shtohet edhe një pyetje tjetër: a kanë bërë të rinjtë akte publike për tu respektuar? Më duket se jo. Ndër të rinjtë tanë gjen pak, për të mos thënë aspak, nga ata që mendojnë se rrugën e jetës duhet ta çajnë vetë. Shumica ankohen dhe vetëm ankohen se nuk i lenë të rriturit rrugë të lirë, prandaj u duhet të bëjnë kompromise e të konformohen. Ndër të rinjtë tanë bije fort në sy se më shumë sesa disa ideale për një shoqëri ndryshe i shtyn përdrejt politikës thjesht e vetëm ajo ambicia për tu dukur, për të bërë karrierë dhe në shumë raste për të përfituar edhe të mira materiale.
Dardha bije nën dardhë do të thotë dikush, nuk ke ç’pret tjetër.
Megjithatë, po nuk erdhi prej tyre, nuk ka nga vjen ndryshimi. Mësimi ishte shumë i qartë: që të fitojnë respekt dhe besim të rinjtë tanë duhet të tentojnë diçka ndryshe nga kultura e trashëguar nga komunizmi që i konsideronte organizatën e rinisë levë të partisë, apo fidanishte e saj. Ndoshta dikush nga të rinjtë do ta marrë seriozisht këtë mësim do të ndjejë neveri që u përdor për qëllime të vogla dhe shpresa të vogla meskine e do të ndërtojë një shpresë të vërtetë për ndryshim e do të jetë i gatshmë të sakrifikojë për të sipas asaj thënies së Ezra Paund se “po nuk je në gjendje të rrezikosh për idetë e tua kjo do të thotë se këto ide dhe ti vetë nuk vlejnë asgjë”. (27 Korrik 2009)

2 comments:

Armanda said...

Historia e Mjafti të shndrruar pastaj në G99 besoj se duhet të jetë një mësim për të rinjtë shqiptarë që duan të ndryshojnë seriozisht diçka në këtë vend apo që duan të çlirohen nga kjo klasë politike.

Vertete valle tek Mjafti u futen te rinj qe donin te ndryshonin dicka? Une nuk e mendoj. Ju vete thoni se ata u investuan, dhe te gjithe ne Shqiperi e dine se ata jane investuar me shuma marramendese. Mua me duket se tek Mjafti as qe u qasen ata te rinj qe vertete duan ndryshimin, por vetem ata bij baballaresh te kamur a gjysem te kamur, qe e dinin se kjo lloj ojf-je po kishte 'lek te madh', dhe o burra te fusim femijet e t'u sigurojme te ardhmen. Dhe ata te ardhmen financiare e kane siguruar mjaft mire, keshtu qe u mbeti e ardhmja politike. Ketu vertete deshtuan si parti me vete, po hall i madh, baba Edi do i fuse neper strukturat e partise dhe te gjithe ish-mjaftistet do e kene nga nje post te mire ne politike qe gjate kohes se opozites, se kur te marrin pushtetin pas kater vjetesh e? He he, do jene tashme ustallare, po edhe me makaber se te paret e tyre.
Z. Lubonja, une mendoj se ka shume te rinj qe duan qe gjerat te ndryshojne realisht ne kete vend, por qe jane pa perkrahje, dhe kur them perkrahje, nuk kam parasyshe ate financiare. Kush eshte idealist nuk ka nevoje per miliona investime, me pak gjera mund te bejne pune te medha. Ajo qe na mungon eshte perkrahja morale, pikerisht nga ata qe duhet te ishin agjentet e ndryshimit, nga shoqeria civike. Shoqeria civike shqiptare me pak fare perjashtime, sikurse ishte edhe mjafti, mendoi te krijoje vetem monopole, dhe ne asnje moment nuk mendoi te sillte nje ndryshim shoqeror. Eshte shoqeria civike qe ne te rinjve na pengon me shume, se ata te vjetrit qe kemi shefa e drejtora, eshte e kuptueshme qe vetem pengese i kemi, ndersa keta te tjeret qe duhet te ishin perkrahesit dhe zbatuesit e idealizmit tone, fatkeqesisht na kane tradhetuar...
Te flasim pak per brain gainin, meqe bie fjala tek te rinjte. Valle te rinjte studioze qe kthehen nga jashte vijne sepse kane idealizmin te ndryshojne shkencen dhe arsimin shqiptar, apo sepse jashte nuk gjejne dot as gjysem vendi pune me diplomat e tyre shpesh te nivelit mesatar?Menyra sesi braingainistet po pershtaten neper strukturat e ndryshkura universitare, me keq se mjaftistet ne politike, tregon se me shume gjasa, te rinjte nuk kthehen me deshiren per te ndryshuar vertete dicka, por thjeshte per te zene nje vend te mire pune, gje qe diploma e huaj ua lehteson. Ne te rinjte po humbim vazhdimisht... jo prej te vjeterve, por prej deshires se ulet per ndryshim real ne pjesen me te madhe tonen, si dhe, e perseris, per shkak te deshtimit te qellimshem te shoqerise civike, e perbere nga njerez qe e konceptuan ate si nje trampoline drejt nje jete luksoze.
Armanda Kodra Hysa
Etnologe/antropologe,
Tirane

Anonymous said...

Nuk më duket se mjaftistët janë bij baballarësh të kamur ose gjysëm të kamur, duke nisur që nga i pari, Erjon Veliaj.
Aq më tepër që të kesh babain gjysëm të kamur, nu është ndonjë krim.
Unë besoj që ata kanë akoma një idealizëm dhe dëshirë për ndryshim që nuk është çudi t'u zhvoshket me kalimin e viteve.
Ata në fakt do të donin të bënin një revolucion alla Obama.
Problemi i tyre, besoj, është tjetër.
G99 humbi sepse nuk qe në gjendje të frymëzojë.
Ata NUK TREGUAN dot që kishin ekip. Për veç 2 vetave në krye, të tjerët pas ishin të rinj që dinë të lozin mirë volejboll ndoshta, por që nuk të bindin që janë në gjendje për të qeverisur një vend.
Dhe e dyta, NUK DOLËN dot nga hija e Edi Ramës, për ët treguar që janë në gjendje jo vetëm të luajnë lojëra të mëdha vetëm e pa ndihmën e tij, por që janë gati të luajnë dhe kundër tij.