Friday, August 21, 2009

Poshtë së majtës dhe të djathtës

Gjatë fillimit të gushtit kalova disa ditë nëpër Kroaci, Mal të Zi dhe pastaj në Shqipëri me një grup miqsh italianë të cilët nuk e kishin vizituar ndonjëherë vendin tonë. Në fund të udhëtimit nuk mund të mos u bëja pyetjen: “Si ju duket Shqipëria?”. Përgjigja që më erdhi nga njëri prej tyre, pasi u mendua pak, ishte: “Duket se ka ardhur koha t’ia filloni.” Mbeta i paqartë se çfarë deshte të thoshte. “Si t’ia fillojmë?”, e pyeta, duke nënkuptuar se po i kërkoja një mendim për ato që janë bërë (për mirë apo për keq) sepse, që janë bërë gjëra në Shqipëri, kjo duket sheshit. Për t’ia lehtësuar përgjigjen i kërkova një krahasim me Kroacinë dhe Malin e Zi, meqënëse sapo kishim zbritur prej andej. Përgjigja e tij, që më sqaroi edhe atë çka deshte të më thoshte në fillim, në thelb ishte kjo: atje vihet re shumë më tepër se tek ju ndjenja e përkatësisë në një komunitet ku gjithsejcili interesin e tij personal nuk e sheh kundër interesit të komunitetit, por shumë më të integruar në këtë, ndonëse edhe atje bije në sy abuzivizmi. Për ta ilustruar këtë e shoqja ndërhyri e më kujtoi se si në Kroaci, një i ri që takuam, na u ankua për sjellje moskujdesi të të huajve turistë ndaj ambjentit, gjë që ata s’mund ta imagjinonin se mund të ndodhte tek ne duke parë masakrën që i kemi bërë ne ambjentit, e cila u fliste qartë për të kundërtën: mungesën e ndjenjës së komunitetit e të pronës publike e të shtetit si mbrojtës të tyre. “Prandaj, shtoi miku, thashë se tani është koha të filloni. Sepse ka shenja se një farë pasurie private është vënë. Ju të kujtoni shumë Italinë e pas Luftës së Dytë kur njerëzit u lëshuan për mbijetesën personale apo të familjes, pa çarë kokën për gjë tjetër.”
E fillova këtë shkrim duke përmendur këtë bisedë sepse u intrigova nga një shkrim i Blendi Kajsiut, botuar në Panorama para disa ditësh, i cili, duke kritikuar prirjen tonë për të imituar Perëndimin pa marrë parasysh kontekstin shqiptar, i mshonte, ndër të tjera, edhe idesë se Perëndimi sot është i djathtë sepse është i bazuar më shumë mbi idenë hobsiane se njeriu është ujk për njeriun, kurse ne kemi nevojë për politika të majta që bazohen kryesisht idenë e Rusoit se njeriu është i mirë në thelbin e tij dhe, mbi këtë, tezë kërkonte që reformimi i Partisë Socialiste, pas dështimit të politikave “përtej të majtës dhe të djathtës”, të shkojë majtas.
Ajo çka dua të ve në dukje, para së gjithash, duke provuar të rithem diçka në debatin mbi reformimin e të majtës shqiptare, që e kam pasur prej kohësh në qendër të një numri shkrimesh të mija, është se Perëndimi, edhepse, veçanërisht pas rënies së komunizmit, ka pësuar një zhvendosje djathtas në favor të politikave ekonomike neoliberiste, në favor pra të asaj që Norberto Bobbio e quan “ndjeshmëria ndaj pabarazisë së njeriut me njeriun”, kurrsesi nuk mund të cilësohet si përgjegjës për ndërtimin e realitetit shqiptar ku njeriu sillet dramatikisht si ujk për njeriun.
Nobelisti anglez William Golding ka shkruar një roman të famshëm, “Zotëria i mizave” (Lord of the Flies) në të cilin imagjinon një grup fëmijësh rreth 12 vjeçarë, të cilët shpëtojnë nga një aksident ajror që ndodh mbi një ishull, ku u vriten prindërit, dhe rriten atje, në mungesë të të rriturve. Ajo çka ata ndërtojnë, duke u rritur, është një shoqëri egërsirash të rrezikëshme. Metafora është e qartë, mugesa e pranisë së të rriturve, që nënkupton mungesën edukimin me rregullat e qytetërimit, me përvojën e akumuluar, me normat morale etj etj, prodhon një shoqëri ku njeriu sillet si ujk ndaj njeriun. Do të thoja se shoqëria shqiptare, e dalë nga gjysëm shekulli izolim, është e krahasueshme më shumë se çdo gjë me këta fëmijë të rritur jashtë qytetërimit. Sepse edhe politikat më të këqija neoliberiste e konsumiste, që kanë ndikuar për keq edhe në Perëndim përsa i përket prishjes së tesutit social të shoqërive perëndimore, edhe “morali i djathtë“ që, duke e cilësuar njeriun si thelbësisht të keq, i mshon imponimi të rregullave në mënyrë shtrënguese - kurrsesi nuk mund të krahasohen me mbrapshtinë e realitetit shoqëror ekonomik shqiptar të paskomunizmit. Sipas Golding “njeriu e prodhon të keqen siç prodhon bleta mjaltin”, pra në thelb, sipas tij, natyra e njeriut është e keqe, por janë rregullat e vendosura nga përvoja e jetës së përbashkët që ndërtojnë komunitet. Të tjerë i mshojnë idesë se njeriu përveç dimensionit të tij individualist e egoist ka, në natyrën e tij, edhe dimensionin social e altruist (mjafton të kesh parasysh dashurinë prindërore apo edhe atë që krijon familjet) e se komuniteti ndërtohet duke u bazuar mbi këtë natyrë sociale të njeriut. Lindja e feve të ndryshme, identifikimi i Zotit me të mirën, dashurinë, janë provë e kësaj. Pra rregullat e komunitetit në shoqëritë që e meritojnë një emër të tillë burojnë qoftë nga përvoja e bëmave të njeriut kundër njeriut qoftë nga dimensioni social e dashuror i tij. Problemi ynë është se jemi ende larg këtyre përvojave.
Nëse do të thellohemi pak më shumë në realitetin tonë do të vemë re se nuk është imitimi i modelit të Perëndimit ‘të djathtë” që ka krijuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, përsa i përket aspektit të moskrijimit të komunitetit e të rregullave të përbashktëta të respektueshme nga të gjithë njëlloj, që reflektohet pastaj edhe në krejt përçudnimet e tregut e të institucioneve shtetërore tek ne. Problemi ynë është se ndërkohë që Perëndimi që duam të imitojmë i ka artikuluar edhe politikisht dy dimensioned e njeriut në të ashtuquajturat politika të majta dhe të djathta ne na mungon ky artikulim. Në këtë kuptim ne jemi një shoqëri poshtë të majtës dhe të djathtës. Prandaj, sipas gjykimit tim, e keqja na vjen më shumë nga e kaluara sesa nga modeli që kemi zgjedhur për të ardhmen. Apo, më saktë, janë mungesat e së kaluarës ato që kanë ndikuar aq keq që ne të përçudnojmë modelin që kemi zgjedhur për të imituar. Në fakt komunizmi ynë dhe post – komunizmi që po ndërtojmë, edhe pse paraqiten së jashtmi si krejt të kundërt, në fakt, në thelb, janë e njëjta gjë: dy ekstreme që puqen apo dy anë të së njëjtës medalje. Kjo sepse që të dy janë produkt i të njëjtit njeri që, në thelbin e vet, mund të karakterizohet si njeri të cilit i mungon ndjenja e përgjegjësiosë ndaj komunitetit, e respektimit të rregullave të përbashkëta, çka e bën atë të papërgjegjshëm ndaj të tjerëve. Sepse, çfarë bëri komunizmi, në thelbin e vet, përsa i përket komunitetit? Duke marrë përsipër gjithshka në jetën e njeriut shteti komunist jo vetëm i hoqi njeriut lirinë individuale, por i hoqi edhe ndjenjën e përgjegjësisë vetiake ndaj komunitetit. Duke u marrë lirinë të gjithëve ai u hoqi edhe përgjegjësinë. Duke u marrë tokën të gjithëve ai jo vetëm i la njerëzit pa lirinë e investimit privat, por u hoqi edhe kulturën e respektimit të tjetrit, të bashkërendimit të punëve me tjetrin në mënyrë të tillë që ata të kuptonin se jo gjithshka që është private është vetëm private, por është edhe publike. Nëse do t’i shtojmë kësaj edhe faktin se komunizmi shkatërroi edhe instrumente të rëndësishme të krijimit të komunitetit, si fetë, do të kuptojmë shumë më mirë shkaqet e mungesës së ndjenjës së komunitetit. Në këtë kuptim, pra, sjellja jonë sot, ku gjoja në emër të pronës private dhe lirisë së privatit bëjmë gjithshka, pa çarë kokën për tjetrin, s’është veçse ana e pasme e medaljes së sjelljes së njeriut të formuar në komunizëm të cilit i mungon ndjenja e përgjegjësisë ndaj tjetrit pasi nuk e ka kultivuar këtë asnjëherë. Besoj se nuk është nevoja të jap shembuj për ta ilustruar këtë sepse i sheh gjithandej nëpër Shqipëri, madje sa hap sytë, siç ndodhi edhe me miqtë e mi italianë.
Nëse do të kërkojmë rrënjë edhe më të thella se komunizmi të këtij fenomeni papërgjegjshmërie ndaj komunitetit, që shfaqet edhe me faktin se, ndërkohë që shtëpitë e shqiptarëve janë goxha të pastra brenda, ambjentet jashtë tyre shpesh notojnë në plehëra, do të thoja se, bashkë me komunizmin, mungesa e përgjegjësisë së njeriut shqiptar ndaj komunitetit buron edhe nga kultura jonë klanore. Njeriu shqiptar është ndjerë tradicionalisht përgjegjës vetëm ndaj families, klanit, gjakut dhe rregullave të tyre, por jo kundrejt hapësirave më të gjera shoqërore, sepse nuk ka krijuar dot kulturën e vendosjes së rregullave që harmonizojnë jetën në këto hapësira. Në këtë kontekst e mira, e keqja dhe normat morale që përcaktojnë ato nuk janë tjetër veçse shprehje e aftësisë apo paaftësisë së njeriut për të jetuar, si qënie sociale, në harmoni me komunitetin.
Gjykoj se kultura klanore dhe kultura komuniste kanë krijuar një njeri që, kur u takua me kapitalizmin, prodhoi monstrën e njeriut të papërgjegjshëm ndaj komunitetit që shfaqet sot (që nga veprimet e krerëve të partive politike deri tek njeriu më i thjeshtë), por se ky është vetëm një nga fytyrat e të njëjtës monstër që jetonte edhe dje. Se njeriu shqiptar, pra, ka qenë “ujk” për njeriun edhe në regjimin komunist, veçse në një formë tjetër, madje edhe më të rrezikëshme.
Prandaj mendoj se sistemi i mbrapshtë që kemi ndërtuar, është produkt i faktit se sistemi kapitalist po kopjohet sot tek ne në mënyrë të ngjashme me atë çka ndodh në librin e Golding, ku komuniteti i fëmijëve kërkon të imitojë institucione, qendrime dhe jerarki të shoqërisë së të rriturve, por që, në fakt, janë kopje që nuk pasqyrojnë atë, por një imitim karikaturesk i tij, që është, si të thuash, qëllim në vetvete i fëmijëve të ishullit, i pambështetur në një kulturë që e bën një shoqëri të vetëdijëshme për atë që është. Prandaj ngulmoj se në këtë aspekt shoqëria shqiptare nuk është as e djathtë dhe as e majtë. Ajo është poshtë të majtës dhe të djathtës, është një shoqëri që mund ta quash parapolitike nëse me politikë do të nënkuptojmë edhe dalektikën e majtë - e djathtë që në Perëndim ka lindur çprej dy shekujsh, të paktën, e që ka në bazë të saj dy dimensione të pandashme të qënies njerëzore: dimensionin e tij si qënie individuale dhe dimensionin e tij si qënie shoqërore. Në fakt në këtë kuptim nuk mund të ketë të majtë pa të djathtë dhe tek ne mungojnë që të dyja.
Çështja sot shtrohet: a mund t’ia fillojmë ne sot ndërtimit të një paradigme të re në emër të krijimit të ndjenjës së komunitetit? Sipas mendimit tim sot mund të thuhet se individualizmi ekstrem, si ana tjetër e medaljes së kolektivizimit të shtrënguar, që në thelb burojnë, që të dyja, nga njeriu të cilit i mungon ndjenja e përgjegjësisë ndaj komunitetit, ka arritur një pikë që kërkon një fillim të ri. A mund të ketë kuptim ta shtrojmë këtë çështje edhe në kontekstin e tronsfromimit të PS. A mund të integrohet ky debat në debatin mbi riformatimin e Partisë Socialiste? Besoj se po. Aq më tepër kur edhe në kontekstin Perëndimor sot po flitet gjithnjë e më shumë për nevojën e ristrukturimit të së majtës, pas krizës që ka shkaktuar neoliberizmi dhe “laisser faire”, çka tregon se në një farë kuptimi metafora e Goldinit është e vlefshme edhe për Perëndimin sepse çdo brez që lind ka nevojë për një edukim që lind nga fillimi.
Nuk mohoet se partitë politike tek ne janë organizmat më të fuqishëm për plazmimin e ndërgjegjes shoqërore Në këtë kontekst mendoj se transformimi i PS do të ishte një nga instrumentet e domosdoshme të transformimit të shoqërisë shqiptare. Por kurrsesi i mjaftueshëm. Aq më tepër duke patur parasysh se partitë politike synojnë të tashmen kurse një projekt i tillë transformues të kujton thënien e Darhendorfit se, për të ndërtuar shoqërinë civile, në vendet ish komuniste do të duhen 60 vjet. Por pa dyshim partitë mund ta ndihmojnë apo ta frenojnë këtë proces. Do të thoja se, nëse flitet për transformim të Partisë Socialiste në kontekstin e transformimit të shoqërisë shqiptare drejt forcimit të ndjenjës së komunitetit, ky transformimi duhet të ndodhë në drejtim të promovimit brenda kësaj partie më së pari dhe në shoqërinë tonë në tërësi të atyre vlerave që ndihmojnë krijimin e ndjenjës së komunitetit që do të thotë edhe të shoqërisë civile. Për fat të keq prirjet e papërgjegjshmërisë të trashëguara nga komunizmi, që janë shfaqur në partitë tona gjithashtu nuk e kanë ndihmuar, por penguar këtë proces edhe në raport me përpjekjet që filluan në vitet e para të pas komunizmit të stimuluara nga Perëndimi. Në vitet e para, duke qenë në opozitë, PS krijoi një aleancë deri diku të shëndetëshme me shoqërinë civile në lindje e sipër, por pasi erdhi në pushtet ajo u dominua nga prirja e trashëguar nga kultura e partisë mëmë për ta kthyer atë në levë të partisë: pra edhe duke e deresponsabilizuar atë. Ε rikthyer në pushtet PS “harroi” edhe teorikisht një numër vlerash që njihen prej kohësh si vlera të së majtës: si barazia e mundësive bashkë me politikat e shpërndarjes së të ardhurave, arsimore apo sanitare që e stimulojnë këtë, solidariteti, vullnetarizmi, mbrojtja e hapësirave publike, etj.. që janë instrumente të krijimit të komuniteteve e të shoaërisë civile më në përgjithësi. Përkundrazi gjatë viteve në pushtet ajo u bë protagonisja e ekspansionit të neoliberizmit si ideologji, por që në fakt, siç u përpoqa ta shpjegoj, ishte vetëm një koperturë e përdorimit parapolitik (poshtë të majtës dhe të djathtës) të pushtetit politik për përfitime personale të bazuar mbi principin se njeriu është “ujk për njeriun”. Dhe problemi nuk ka qenë se vlerat e së majtës nuk kanë qenë të njohura, por se ato nuk janë ndjerë vërtet nga protagonistët e PS sepse nuk kishin qenë asnjëherë mënyrë jetese, kulturë e shoqërisë sonë.
Personalisht dyshoj se është krijuar masa kritike në shoqërinë shqiptare, për një paradigëm të re që do të krijonte njeriun e përgjegjshëm përpara komunitetit, ndonëse është vonë tepër vonë. Edhe përsa i përket PS, nga sa i kam ndjekur zhvillimet atje pas zgjedhjeve, ve re se mungon thuajse krejtësisht ndjenja e nevojës për një vizion të tillë transformues, që do të fillonte nga një qëndrim vetkritik të PS për përgjegjësitë e saj për këtë vonesë. Ajo duket e përqendruar në luftën për pushtet me PD dhe në zgjedhjen e prijësit me të njëjtën kulturë të vjetër “poshtë të majtës dhe të djathtës” dhe duket se është pak e vetëdijshme për faktin se, për t’iu përgjigjur nevojës së shoqërisë shoqërisë shqiptare për të ndërtuar një politikë të re, të njeriut të përgjegjshëm përpara komunitetit, nuk mjafton fitorja e saj ndaj Berishës, por duhet para së gjithash fitorja e saj ndaj vetvetes. (Korrieri, 21 gusht 2009)

2 comments:

Endri said...

Nuk mund te mos gajasesh me teorite "neoliberaliste" qe qarkullojne vitet e fundit ne Shqiperi. Para disa vitesh degjoja nga goja e jo pak njerezve se Amerika ne fillim ashtu si Shqiperia tani, ishte bere medemek nga banditet e nga lufta e paskrupullt per pasuri e mbijetese. Teoria e evolucionit te Darvinit keqperdoret ne menyren me te paskrupullt nga injorante e hajdute te rendomte te mberthyer ne kostume e te veshur me poste. Mbijetesa e me te fortit medemek. Harrojne qe nje nga tiparet me te rendesishme e te hershme qe evolucioni ka gjetur per ate te mjere mbijetese eshte kooperimi (e sheh qe nga njeqelizoret e deri tek krijesat e larta).

Sidoqofte, pak per ate "perendimin" sa te shumepermendur/admiruar aq dhe te keqkuptuar ne Shqiperi. Ne perendim teorite klasike te se majtes dhe se djathtes bashke dhe reformat e tyre klasike nuk i pershtaten me shume realitetit. Nuk e di se sa degjohet kjo ne Shqiperi por partite e medha te djathta e te majta europiane vuajne prej vitesh largimin masiv te anetareve. Per kete ka shume aresye por une mendoj se njera nga ato me te rendesishmet eshte qe partite popullore nuk e kane thekur akoma qe shoqerite perendimore jane kthyer ne shoqeri informacioni, dhe internacionalja apo retorika e vjeter mbi pagabueshmerine e tregut jane passe qe nuk e frymezojne me njeriun e hipernderlidhur te te sotmes. Fuqizimi konstant i te gjelberve dhe dalja e partive kurioze si "the pirate party" jane simptoma te nje zhvendosjeje te interesave dhe temave me relevance te shtreses se mesme. Nderkohe ne Amerike pame daljen e nje figure si Obama qe diti te shfrytezoje potencialin e internetit per te hedhur permbys establishmentin qofte brendapartiak qofte ate te partise kundershtare.

Mjetet e bashkepunimit dhe kooperimit jane persosur nepermjet teknogjive dixhitale ne menyre te atille qe vete nocioni i punes tek nje pjese e madhe e shtreses se mesme po ndryshon rrenjesisht. Kultura te lindura ne internet po i shohim te kapercejne ne realitet.

Shoqerite perendimore gjenden ne tranformim e siper dhe institucionet e tyre perfshi ketu dhe partite e ideologjite mbizoteruese politike jane te trasheguara nga epoka industriale dhe rrjedhimisht tashme mese te superuara. Strukturat decentrale qe mundesojne teknologjite dixhitale po transformojne qe nga strukturat e kompanive dhe organizatave deri tek ato te shteteve. Terma si "Enterprise 2.0" apo "Government 2.0" jane vetem simptomat e fillimit te nje procesi ndryshimi rrenjesor ne format e organizimit. Fatkeqsisht politika dhe ideologjite aktuale kane mbetur shume mbrapa ketyre zhvillimeve komplekse shoqerore.

Anonymous said...

Ndersa lexoja shkrimin tuaj zoti Lubonja po mendoja se sa e vertet eshte ajo qe shkruani.
Ka raste kur sheh dicka te dhimbshme, nuk te mungon ndjenja e pergjegjesise ndaj komunitetit e megjithate ndjehesh aq i pafuqishem sa nuk te mbetet rruge tjeter vecse te perpiqesh te harrosh e dorzohesh.
Jo vetem qe nuk mundesh te kerkosh pergjegjesi ndaj komunitetit,nuk mundesh te ndikosh ne kete mendesi Shqiptare,por perkundrazi kjo mendesi aq mbizotruese ndikon tek ti te "edukon" te thote nese nuk do qe te ndjesh dhimbje behu shurdh-memec.
Sot isha ne spitalin e qytetit te Shkodres ku zotronte nje kaos i vertete,mora vesh se po liroheshin tre kate te nderteses pasi do te kryhej faza e trete e rikonstruksionit te spitalit me investim te bankes botrore.
Pyetja qe me erdhi natyrshem ishte:cfar do ti rikonstruktohet kesaj ndertese te re me mure te patinuara me dyer e dritare te reja durralumini te bardha .
E vetmja pergjigje qe mora ishte se do te zhvishej komplet ndertesa e do te paisej nga e para,10 milion euro kushton ky rikonstruksion.
Po keto dyer e dritare ku shkojne pyeta bashkfolsin tim qe punon ne ambjentet e ketij spitali.
Nuk e di tha ai duke ngritur supet,kur u rikonstruktu materniteti te gjitha u zhduken.
Une kisha shkuar ne spital per te bere nje analize te prostates,per te cilen me thane se nuk behet ne spital,por tek privati.Askush nuk e di se pse nuk mund te behet kjo analize qe kushton 3000 leke te reja e per te cilen kane nevoj aq shume bashkmoshatar te mi.
Mungojne paisjet e laboratorit apo...........
Pse banka botrore nuk financon paisjen e laboratorve!
E thashe o zoti Lubonja por kjo nuk ka per te ndryshuar asgje.
E thashe dhe para mikut tim qe punon ne spital,por ai qeshi e me pa me habi.
Tani mundem te flas, te bertas ,te shfryj,por kete nuk e degjon askush.
Eshte e vertet qe po shkaterrohet nje ndertese ne gjendje shume te mire kur ka aq shume shkolla spitale ne gjendje te mjeruar.