Monday, December 28, 2009

Punë batakçinjsh

Kam ndjekur me vëmendje në shtyp akuzat e ndërsjellta lidhur me shitblerjen e 1300 metrave katrorë në qendër të Tiranës, tek Tajvani, që, së fundi, është bërë edhe casus belli midis maxhorancës dhe opozitës aq sa, maxhoranca ka hedhur në gjyq për këtë Edi Ramën dhe ky, nga ana tjetër, ka hedhur në gjyq Sali Berishën (të paktën kështu thonë të dy palët). E kam ndjekur me kuriozitet edhe pasi pikërisht në atë kohë kam shkruar një artikull me titullin "Pse u shit/ble gazeta Tema" (nga pronari i Tajvanit) i cili, në thelb, hidhte alarmin se maxhoranca e re, në vend se ta luftonte sistemin e korrupsionit, po fillonte ta kalëronte atë.
Duke bashkuar copat e puzzellit që shkruhen në gazetat e opozitës me ato që shkruhen në gazetat e maxhorancës historia që po na del në skenë lidhur me Tajvanin është emblematike për të ilustruar se si funksion politika jonë, biznesi ynë, mediat tona. Del se ndërtesa e Tajvanit si pronë publike (jo ajo copa e tokës) na qenka privatizuar dhe shitblerë disa herë me çmime që brenda një kohe të shkurtër qënkan dhjetëfishuar: pazari ka filluar me famëkeqen shoqëri Shqiponja që në vitin 1997 ia paska shitur një biznesmeni për një shifër të ulët, i cili, ky biznesmeni, pastaj ia paska shitur një greku për 750 000 dollarë, i cili, ky greku, vetëm pas gjashtë muajsh ia paska shitur Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë. (ndërkaq, sipas gazetave të maxhorancës, këto shifra të dhëna nga Tema nuk përputhen me ato të regjistruara tek noteria, çka është bërë për evazion fiskal).
Me një fjalë kemi të bëjmë me historinë tipike të privatizimeve të pronës publike në Shqipëri gjoja në emër të ndërtimit të një ekonomije tregu të lirë dhe që, në realitet, ka rezultuar në punën e grabitjes së pronës publike nga një grup i vogël njerëzish të lidhur me politikën që ka ndërtuar një sistem ekonomik ku mbizotëron monopolizimi, spekullimi, informaliteti, evazioni, kriminaliteti.
Mirëpo, për të vazhduar historinë, Besos së Tajvanit nuk i ka mjaftuar kaq tokë, por i duheshin edhe ato 1300 e ca metrat katrorë përreth. Duket se i duheshin për lulishte edhe sepse në tokën që kishte pas blerë kishte prishur, i patrazuar, koeficentin e ndërtimit. (Në fakt kujtoj se atë kohë një ndërtues erdhi tek unë i shqetësuar dhe më tha se themelet që ishin hedhur atje nuk qenë për një ndërtesë dy katëshe, por për një pallat mbi njëzet katësh. Por kjo është një tjetër histori). Dhe për të blerë këtë copë tokë Besos i duheshin edhe votat e këshilltarëve të PD sepse këshilltarët e PS-së së Ramës, që i kishte në xhep, nuk mjaftonin. Dhe ky ishte një problem pasi në fushatën elektorale PD kishte premtuar se do ta hiqte kazinon e Besos nga Tajvani dhe e kishte akuzuar këtë biznesmen si simbol të korrupsionit të socialistëve. E këtu hynë në lojë demokratët, që na kishin premtuar të luftonin korrupsionin. Sipas dëshmive që na jep Mero Baze dhe Mitro Çela, që janë dy nga këshilltarët e PD që kanë votuar për Beson, votimi është bërë me bekimin e Berishës tek i cili paskan ndërhyrë që nga Fatmir Mediu e Gramoz Pashko e deri tek Merua e Mitrua të cilët, këta dy të fundit, paskan shkuar në zyrën e Berishës një ditë para votimit për ta biseduar çështjen. Ishin të armatosur edhe me atë që Besua u kishte thënë në një takim të organizuar për këtë punë tek shtëpia e Pashkos, se ai kishte sponsorizuar edhe Partinë Demoraktike për zgjedhjet (pyesni Bertin e PD në Ballsh po deshët) prandaj Berisha mund të kandisej. Sigurisht ky allishverish ose punë e pisët - siç e quan PD sot - nuk bëhej pa bekimin e Berishës prandaj dhe Merua e Mitro kanë shkuar dhe e kanë biseduar me të dhe ky u paska dhënë dorë të lirë. Se si është tamam e vërteta e atyre bisedimeve ne nuk e dimë, por dimë se shitja "u kry". Dhe fakti që shitja u kry nuk mund të mos na bëjë të mendojmë disa gjëra: si psh. se kjo punë nuk bëhej dot pa miratimin e Berishës, por edhe se nuk bëhej dot pa votat e Meros dhe Mitros e të disa prej këshilltarëve të tjerë të PD. Dhe, po ashtu, nuk mund të mos kujtojmë se në këto kohë gazeta Tema, megjithëse me humbje, u shit nga Merua tek Besua për 500 000 euro dhe se versioni që na ka servirur Baze, si një nga njerëzit më të afërt të Berishës, se ky ka qenë i ndershëm në ato kohë, por u prish më vonë, pasi u bë peng i korrupsionit të fëmijëve, është i rremë. Dhe të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se kjo shitje korruptive nuk kryhej nëse në krahun tjetër të mos kishte një këshill të tërë të Edi Ramës që e ka votuar në grup, siç kishte pas votuar më parë edhe shumë bëma të tjera si këto, pasi shumica e këshilltarëve socialistë ndanin, me thikën e Kryetarit, tortën e përfitimeve në formën e lejeve të ndërtimit e tenderave e më the të thashë.

Në fakt historia e 1300 metra katorëve tek Tajvani është metaforë e asaj se si i kanë trajtuar 28000 km katror Shqipëri këta batakçinj të vjetër dhe të rinj. Si histori privatizimesh ajo është aq e rëndomtë sa ndoshta të vetmen vlerë që ka, për të marrë mundimin ta shkrush, është që t'u lihet një dëshmi më shumë nipërve dhe mbesave të këtyre batakçinjve që një ditë të dinë se si janë pasuruar gjyshërit e tyre në kurriz të të gjithë shqiptarëve, se si gjyshërit e tyre politikanë punën publike e kanë pasur thjesht si mundësi për të marë rryshfete dhe përfitime nga gjyshërit bisnesmenë që biznesin e tyre nuk mund ta ndërtonin pa rryshfete dhe se këto biznese mund të lulëzonin edhe më mirë me ndihmën e gjyshërve gazetarë që në vend të punës së gazetarit bënin punën e sekserit.
Por historia e rëndomtë e Tajvanit ka edhe një specifikë që e bën të veçantë. Ajo është ndër të parat, në mos e para, që shenjon një datë të re kur sistemi i korrupsionit filloi të punojë tashmë me dy shina që vende vende kryqëzoheshin dhe vende vende ndaheshin. Dhe këtu duhet të ndalemi në analizën tonë sepse ky është një moment i rëndësishëm për të kuptuar edhe çfarë po ndodh sot. Viti 2005 shënon, pra, herën e parë në historinë e paskomunizmit tonë ku instalohen jo më një, por dy pushtete të korruptuar që punojnë paralelisht me njëri tjetrin, por edhe në konflikt me njëri tjetrin: ai qendror i Berishës dhe ai lokal, i Ramës.
Ajo që më duket për t'u vënë në dukje në këtë kontekst është se konflikti midis tyre, në mënyrën se si po kryhet sot, zbulon krizën në të cilën ndodhen të dy bandat. Duket se vështirësia në të cilën ndodhen i ka bërë të humbasin edhe vetëdijen se punët e pista bëhen nën tryezë, por nuk thuhen, në publik. Të duket gati gati sikur të jenë të arrestuar dhe të kapur me presh në duar dhe po akuzojnë, si të penduarit e mafjes, njëri tjetrin se kush ka qenë më i poshtri në këtë histori. Si shpjegohet kjo, kur ke parasysh që s'ka gjykatë për ta?
Për mua kjo nuk shpjegohet vetëm me karakterin konfliktual e iracional të liderve Berisha dhe Rama, pavarësisht se mendoj se një maturi dhe urtësi e tyre do të ndikonte, për mirë dhe për keq, për ta bërë më racional konfliktin. Në fakt vetëm në sipërfaqe duket sikur situatën e ka acaruar konflikti politik, por, sipas meje, nën të, duhet të kërkojmë edhe konfliktin ekonomik prej nga gjeneron ai. Normalisht duhet pohuar se ne kemi dy grupe interesi (po përdor këtë eufemizëm kësaj here) që janë në konflikt me njëri tjetrin sepse ushqimi në xhungël është në skarcitet. Në këtë situatë të rrezikuarit më të mëdhenj, ata rreth Ramës, kanë shtuar agresivitetin, kurse Berisha nga ana e tij, duke pasur në dorë pushtetin qendror, po përdor luftën e akuzave ndaj tyre për punëra të pista, duke bërë pa dyshim një luftë selektive, në emër të fuqizimit (apo mbijetesës) të grupit të tij të interesit. Pse nuk flitet psh. për shitjen e një cope trualli publike edhe më në qendër se Tajvani, përsëri me një çmim qesharak? Në parim është e njëjta gjë: Kisha Ortodoksde kishte edhe ajo nevojë, si Besua, për më shumë tokë për ndërtimin e kishës sesa ç'i takonte nga kompensimi për tokën që i ishte marrë nga regjimi tek Hotel Tirana. Dhe kjo tokë iu shit/fal atje ku u kompensua, tek lulishtja prapa ministrive, duke shkelur me këtë kompensim e shitje edhe konventën e Ahrusit edhe ligjin e mbrojtjes së monumenteve të kulturës të hartuar nga Rama dhe të aprovuar nga vetë Meta, në dëm të të gjithë banorëve të Tiranës që sot po u merret fryma për pak gjelbërim. Mirëpo kjo shkelje (mesa di, e Metës dhe Ramës bashkë) Berishës nuk i intereson se s'ka pse prishet me Janullatosin dhe Metën ashtu sikurse nuk i interesojnë batakçillëqe të tjera, të bëra në vende të tjera nga Rama, në favor të klientelës së tij të sotme.
Ndërkaq, i dëmtuari i madh i këtyre batakçillëqeve, populli shqiptar, asiston i neveritur dhe i rrasbitur në luftën që po bëhet gjithnjë e më lakuriqe, gjithnjë e më e vështirë për t'u mbuluar me gjethen e fikut politik. Vizat dhe sabotimi i tyre, hapja apo mbyllja e kutive, hyrja ose dalja ne Evropë, korrupsioni e lufta kundër tij, gratë e Edi Ramës dhe familja e Berishës janë gjethefiku që mbulojnë këtë luftë sa të egër aq edhe banale për para. Ata që s'janë dhe s'duan të jenë apo s'mund të jenë pjesë e kësaj lufte janë të destinuar të shohim nga shtëpia, të pafuqishëm, përleshjen e këtyre dy bandave në rrugë ndërkohë që interesi i i tyre është se si të çlirohen prej terrorit të tyre moralvrasës e ekonomivrasës.
Të mendosh se shpëtimi mund të vijë nga ngrënia e kokës që ata do t'i bëjnë njëri tjetrit, dmth. që hundëleshi i rradhës të vijë e t'i thyejë hundën agresorit të rradhës, sipas meje rezulton në përforcimin e së keqes.
Sigurisht është absurde të mendosh se të gjithë pjestarët e këtyre bandave do të duhet të eliminohen. Personalisht mendoj se brenda këtyre partive/banda ka shumë që duan të çlirohen nga kjo situatë ashtu sikurse edhe brenda biznesit dhe mediave, por kanë frikë të ndërmarrin hapa sepse imponimi dhe komprometimi që u është bërë nga kapobandat i nxjerr jashtë loje. Megjithatë mendoj se kjo krizë duhet të ndihmojë që dikush nga politika apo edhe nga biznesi dhe nga mediat të bëjë përpara për të ngulmuar për një projekt që do të synonte transformimin e sistemit kriminal politik, ekonomik e mediatik që kemi ngritur. Kjo kërkon një projekt që do të synonte çarmatosjen e partive/banda nga armët e tyre të paligjëshme ekonomike dhe mediatike, çarmatosjen e bizneseve nga mbështetja e tyre e paligjëshme politike dhe mediatike dhe çarmatosjen e gazetarisë nga lidhjet imorale me politikën dhe me ekonominë. Për t'u lehtësuar kjo do të ishte mirë që nga kjo betejë/krizë të "vriteshin" protagonistët kryesorë të të dyja palëve dhe të dilte në skenë një prapavijë e dytë më e pakomprometuar dhe më racionale. Dikush do të më thotë se dashkam të shembet ngrehina dhe të na zërë brenda të gjithëve. Por, për mua, ngrehina ka filluar të kërcasë nga të katër anët. (Korrieri, 28 dhjetor 2009)

10 comments:

lavdrim said...

I nderuari,
Lubonja gjetja se "konflikti eshte se ushqimi ne xhungel eshte ne skarcitete" eshte perkufizimi me i mire kesaj politike vandale, qe nuk respekton as lojen dhe as rregullat per fituar, pardon, perfituar sa me shume ushqim kur te jete letargji pushteti...
ja e thame se kush jane keto parti apo banda sic i quani reciprokisht Ju, por problemi mbetet, ndergjegjesimi i eufemizmit "populli shqiptar" nga duhet te vije sepse mediet jane kapur duke kurkuar ushqim...
nejse zere se nuk e thashe...
Ju pershendes

Anonymous said...

Lubonja, Shkelqyeshem!
Nje saktesim te vogel, trualli aty nuk ka qene publik, por prone e Shallvarit. "Shallvaret" nuk eshte nje toponim ne ajer , por emri i pronarit te vdekur diku nga 1940-42. Ashtu sic prone e tij ishte edhe cifliku tek gjiri i Lalzit, te cilen ja'u la me testament 5 administratoreve te fermas se tij. Asaj ku ishte edhe rezervati i fazaneve.
Pra puzzle (i Taiwanit) eshte shum me i madh, dhe vazhdon...
Edhe nje here, pergezime.

Anonymous said...

Mendoj se krahasimi i nje qendre me karakter komercial si "Taivani"me ndertimin e Kishes Orthodokse eshte i pallogjikshem. Destinacioni i nj objekti kulti nuk ka lidhje me asnje lloj nga aferat qe permendi ju z. Lubonja. Simbas llogjikes tuaj, ne kohen qe kishes dhe institucioneve fetare ne teresi) ju eshte konfiskuar prona qe me enverin, te japesh nje cope truall per ndertimin e nje kulti kemi te bejme me korrupsion?
Po ta perkufizojme keshtu korrupsionin, fillojme te humbasim konceptin e korrupsionit.
Stefani

Endri said...

I dashur Z. Lubonja,

shkrimi juaj mbi konfliktin e nendheshem ekonomik te sponsoreve te dy partive eshte ne thelb i shume i drejte.

Megjithate rruga qe ju jepni per zgjidhjen e ketij impassi, shprehimisht shembjen e gardes se pare te partive dhe ardhjen e prapavijes (mbase) me te paperlyer te tyre nuk me duket realiste dhe e pamjaftueshme. Se pari sepse llogjika ekonomike te thote qe konflikti i sotem do te zgjase sa kohe palet nuk e kuptojne se nga ky konflikt ka vetem humbes ekonomik pasi asnjera pale nuk eshte aq e forte sa ta gllaberoje palen tjeter perfundimisht. Ne momentin qe gjendet nje kompromis ekonomik konflikti perfundon dhe vazhdohet ne te njejten menyre si me pare.

Vetedija qe te dyja palet politike perfaqesojne ne thelb te njejten kaste gjysem-kriminale te pasuruarish ne kurriz te prones publike ekziston gjeresisht ne shoqerine shqiptare. Megjithate, diskutimeve mbi alternativat e mundshme ndaj kesaj elite te korruptuar nuk ju jepet as rendesia as hapesira e as vemendja e duhur.

Partite kryesore nuk kane pushtet sepse shqiptaret jane te kenaqur me to por sepse nuk ka alternativa bindese. Prandaj dhe energjite duhen perqendruar tek krijimi apo mbeshtetja e alternativave me teper sesa tek denoncimi i elitave aktuale. E thene shkurt, qe keta jane "horra" kete e dime, por sesi mund te ndodhe konkretisht gjenerimi i nje alternative eshte ceshtje ku ka nevoje per mendime kritike e konstruktive. Perndryshe publikut shqiptar tashme nje denoncim me shume nuk i ben gje tjeter pervecse i trash shollen gjithsesi teper te trashe qe i eshte krijuar ndaj "skandaleve" te perjaveshme.

Per mendimin tim vete Tirana si qender kulturore, mediatike e ideologjike duhet te vihet ne nje pikepyetje shume shume serioze pasi ne kete qytet jo vetem eshte ngritur nje kulture korrupsioni e pashembullt qe pershkon te gjitha shtresat shoqerore por madhesia e forca konformuese qe ky qytet rrezaton mbyt cdo levizje alternative qe ne filiz.

Ka ardhur koha kur duhet menduar seriozisht fuqizimi gradual kulturor e ideologjik i nje tjeter qyteti shqiptar ku edhe alternativat eventuale politike do te mund ta kalojne kohen e inkubimit dhe lulezimit te tyre te patrazuara nga korrupsioni dhe forca konformuese e nje qyteti te gjithpushtetshem.

Nje qytet tjeter i ndryshem nga Tirana eshte shume me i pershtatshem per te ushqyer alternativa serioze. Ne nje qytet tjeter, nje levizje kulturore, ideologjike e politike mund te behet shume me e dukshme e ta dominoje terrenin shume me lehte sesa ne Tirane. Pervec kesaj, nje qytet tjeter eshte me i pershtatshem per ta reformuar vete Tiranen e sotme sesa c'jane dinamikat e brendshme.

Mua me vjen keq per gjendjen se si eshte katandisur ish-qyteti im. Por mendoj se Shqiperia ka tashme nevoje per nje fanar jashte rrezes se vezullimit korruptues te Tiranes.

Anonymous said...

Z. Lubonja, you shkruani bukur dhe me talent ata qe populli shqiptar i di, le te themi per 16-17 vjet. Artikull shume I mire dhe ashtu sic thoni do te jete dhe nje prove e shkruar. Tani, pyetja qe lind eshte kjo: si do I veje halli ketij populli te gjore? Si ti " zhdukim" keta rrugac-kriminel! Per mendimin tim duhet te lindi nje force e re me njerez te ndershem dhe idealist. Mendoj se koha eshte me se e pershtateshme por na mungon individi. Si gjithmone na ka munguar. Z. Lubonja , pse nuk ngrini nje parti te re me disa intelektuale te ndershem? Ose mbeshtesni dike tjeter te filloje nje levizje te re. Koha nuk pret......

Leon said...

Zoti Lubonja ju i shkruani shkrimet duke i'ua ditur perfundimin. Ose me shume duke e paragjykuar ate qe ne fillim. Ne mos te ishte keshtu do te duhej te shkruanit se keshilltaret e PS nuk ishin keshilltare te Rames por te Nanos dhe fakti se keni le te themi paragjykime per Ramen ju ben te shkruani kunder tij ne cdo gje. As qe e mendoj se Rama te mos kete bere allishverishe te ndryshme po do te ishte e udhes te komentonit ne kete rast edhe faktin se Rama ishte kunder cmimit te shitjes se ketij trualli. Po ju nuk e shkruani kete sepse qe ne fillim i keni gjetur fajtoret dhe i keni denuar ata, cka nuk te ben shume te ndryshem ty zoti Lubonja nga gjithe te tjeret,politikanet flas, dmth, ti i drejti i pafund e te tjeret te keqinjte e medhenj.

Anonymous said...

Lubonja, kete rradhe ne shenje me te gjitha shigjetat.
Desha te shtoj nje detaj: Kisha Ortodokse tek Hotel Tirana ishte ndertuar ne truallin dhe me kontributin e komunitetit vlleho-shqiptar te Tiranes, nga familje te vjetra dhe autoktone.Ndersa trualli qe u dha ne kembim, ju dha jo ketij komuniteti , por Kishes Orthodhokse te Shqiperise (jo Shqiptare sic ka qene ne statutin e Nolit te Madh). Te administruar teresisht nga fqinjet jugore. Me pasojat qe ndihen gjithnje e me teper nga ky administri.
Gezuar Lubonja, per nje Vit ku shqiptaret do ta respektojne me shume vehten. Kombetarisht dhe Qytetarisht.

Anonymous said...

Demokracia ne Shqiperi?

Simbas Shkrimit tuaj Zoti Lubonja del mese qarte se ku ndodhet sot Shqiperia. Mbas gati 20 vjetesh, Shqiperia eshte akoma ne kerkim te Demokracise fillestare. dmth, qe ne Shqiperi nuk funksion as A-ja e Shtetit te Demokracise Ligjore. Ka nje Kushtetute Demokrate te marre nga vende me Tradita demokrate, por kjo Kushtetute ne Shqiperi ka ngelur vetem ne Liber. Perjashtimet ligjore mbajne vendin peng. Korrupsion dhe Mafia ka ne te gjithe boten, por menyrat se si luftohet ai jane te ndryshme. Arsyet pse nuk funksionon ne Shqiperi jane komplet ndryshe nga ato te rajonit. Kjo ka te beje me vecantine e Shqiperise. Shqiperia nuk ka pasur kurre ne Historine e saj qofte edhe nje nuanse te Demokracise, pa permendur se si funksionon demokracia dhe shteti ligjor. Zhvillimet ne Shqiperi kane qene gjithmone te ndara nga zhvillimet e Evropes. Tani kerkojme me hapa shekullore te ecim brenda disa viteve. Kjo eshte Utopi.
Te kesh dijeni mbi demokracine e shtetit ligjor dhe te perjetosh funksionimin e tij, jane dy gjera krejt te ndryshme.
Shkrimi i juaj tregon shume qarte se ku ndodhet momentalisht Shqiperia.

Anonymous said...

Si gjithnje i sakt ne vlersime i nderuar zoti Lubonja,
Do doja te kujtoja se shume para Russoit dhe te mencurit Locke ,prifti i mesjetes Manegold nga Lautenbacha ka shkruar:
"Mbret nuk eshte emer natyral por emertim sherbimi:nuk e kane ngritur ate njerzit aq larte qe ta lejojne ate me deshire te bej tiranin mes tyre ,por ti mbroj ata nga tiranija.Ate cast kur fillon te sillet si tirane nuk eshte vall e qarte qe humb dinjitetin qe i eshte dhene pasi ka thyer marrvashjen ne themel te se ciles eshte vendosur.
Nese do te merrnim dike qe te ruante derrat e do ti ofronim atij nje page dinjitoze per kete ,kurse ai do gjente menyren qe jo vetem te mos kujdesej per to por ti vidhte , a nuk do ta largonim nga detyra e ofruar?...Meqenese askush nuk mund ta beje veten mbret,populli ngre mbi vete nje persone te caktuar,ne kete detyre,qe ata ti drejtoj e zotroj ne perputhje me arsyen e duhur ,qe secilit ti japi ate qe eshte e tija ,te mbroj te miren e shkaterroj te keqen,dhe ti mbaj drejtesi cdo njeriu.
Por nese thyen marrveshjen ne themel te se ciles eshte zgjedhur ,duke shqetesu e shkaterru ate per te cilen eshte zgjedhur ta drejtoj,ateher populli ne perputhje me drejtesine dhe arsyen eshte cliruar nga detyrimi qe atij ti bindet".
Duhet te kujtojme e te mesojme cdo qytetar se pushteti eshte sherbim.

Anonymous said...

Atehere: ajo, me e bukura, te zoti Lubonja, ose me sakte te shkrimet e tij eshte: ajo cfare thote ai/shkruan, vjen ne menyre te palodhshme deri te mua, vjen si nje mesazh i sakte dhe i plote e i kuptueshem sigurisht dhe artistikisht.

....." fillojme te humbasim konceptin e korrupsionit." Stefani. Qofsha i gabuar po me tingellon si Andrea Stefani. Stefani me pelqejne shkrimet e Juaja aq sa me pelqejne po mos u bej i vogel se Lubonja luan ne nje lige tjeter dhe sa per korrusionin si koncept apo po e humbasim ate nuk shkon fare. Lubonja eshte pothuaj nga te vetmit qe lexoj deri ne fund. Shkrimet e tjera te dobta qe nuk vijne deri te une me bejne te mbyll te gjithe faqen Shqiptare.!!