Saturday, January 23, 2010

Bukë, cirk dhe turp

Jam i bindur që futbollistët e Realit të Madridit do ta kujtojnë gjatë historinë e aventurës së tyre në stadiumin Qemal Stafa me atë fikje të dritave që i la një orë e gjysëm në terr përpara fillimit të pjesës së dytë. Por nuk di se si do ta kujtojnë. Një mendje më thotë se do ta tregojnë si punë barcalete për t’i shtuar shijen dhe humorin ndonjë dreke me miqtë. E në këtë version fantazia më thotë se miqtë do t’i pyesin: - po si ndodhi që shkuat në atë vend, ju ra shorti i kupave të Evropës, apo…? Dhe ata do të përgjigjen se një farë sheiku shqiptar i naftës (me siguri emrin do t’ia ngatërrojnë Taçi, Naçi, Paçi - Oil) na organizonte një kupë, për të imituar Berlusconin në Itali, dhe i kishte ftuar të luanin me një skuadër të kategorisë së dytë (Gramazi, Garozi, Grazani), vetëm pse president i saj ishte i ati. Tek e fundit, do t’u thonë, ia vlente të bënim një nga stërvitjet e javës në Tiranë për 2.5 milion euro e për t‘i dhënë kënaqësi tifozëve shqiptarë të Realit. Mundet që, duke qeshur, do të shtojnë se nuk u kishte shkuar ndërmend ta fusnin në kontratën e ndeshjes fikjen e dritave për 90 minuta se atëhere do të kishin kërkuar jo 2.5, por 5 milion Euro. Po pse, kaq naftë ka Shqipëria? – do të pyesin ata të çmeritur dhe ka gjasa që, më të paditurit syresh nga gjeografia, të na mendojnë si shtet arab.
Një mendje tjetër më thotë se futbollisët e Realit do ta kujtojnë me turp faktin që i rrëmbyen 2.5 milion euro një vendi aq të varfër që edhe fushën e stadiumit qendror e kishte si fushë ferme dhe ku s’kishte as edhe një gjenerator në rast fikjeje dritash.

Nxitoj të them se kush mendon se ajo fikje dritash ishte një rastësi fatkeqe, sipas meje, gabohet. Ashtu si veprat artistike që e deformojnë realitetin për ta shprehur atë më mirë edhe ajo fikje dritash ishte një “kryevepër” që e shprehu më mirë se çdo vepër tjetër realitetin shqiptar. Kjo është Shqipëria e vitit 2010. Dhe kush ka hall për imazhin duhet të dijë se as ne dhe as bota nuk kanë nevojë për imazhe makiazhistësh. Ne më së pari kemi nevojë të dimë se cila është Shqipëria reale. Edhe bota po ashtu. Dhe realiteti është ajo që ndodhi: se Shqipëria është një vend ku, ndërsa shumica e njerëzve janë në terr material e shpirtëror, në varfëri, pasiguri jete e përmbytje një grusht njerëzish i lejojnë vetes të hedhin në erë miliona euro; një vend në dorën e bandillëve si ky baron nafte që, pasi i kanë mbjellë të gjitha ish fushat e sportit të kryeqytetit me pallate për të mbushur xhepat, na sjellin ndonjë skuadër të famshme për të na shpëlarë trutë. “Bukë dhe cirk” është shprehja e famshme e Juvenalit që përdoret për të treguar popujt që kënaqeshin me kaq pak, por edhe një formë qeverisjeje të politikanëve mashtrues.
Personalisht, pra, nuk kam asgjë me fikjen e dritave. Përkundrazi gëzohem që ajo ndodhi për të ndëshkuar atë që është thelbi i skandalit: pagesa e 2.5 milionëve euro. Për mua organizimi i kësaj ndeshjeje ishte qesharak dhe revoltues, kurse fikja e dritave sikur erdhi për ta kthyer qesharaken në groteske dhe rovoltën në një kënaqësi shpagimi. Me një fjalë thënies “Bukë dhe cirk” kasta shqiptare në pushtet, me fikjen e dritave, i shtoi edhe fjalën “turp”. Injorancë, vanitet dhe pasuri e vënë shpejt dhe në mënyrë të pamerituar – kjo është përgjigja që jepnin njerëzit duke komentuar turpin. Pa u bashkuar të tre këta elementë zorr se do të bëhej një turp i tillë. Dhe turp është edhe fakti se, sikur të mos ishin fikur dritat, vizita e Realit do të quhej sukses e trumpetohej me të madhe nga mediat tona. Dhe problemi shumë herë më i madh është se vulat e turpeve të këtyre pasanikëve të rinj në një mënyrë apo në një tjetër i sheh në të gjithë vendin jo vetëm në shkatërrimet që kanë sjellë për pasurimin e tyre, por edhe në kulturën kitch që rrezatojnë kudo ku derdhin pasurinë e tyre, dhe në sistemin mjeran të vlerave që përçojnë, pra edhe atje ku u duket se po sjellin përparimin dhe shkëlqimin, siç është edhe rasti i ftesës së Realit.
Sa për ngushëllim mund t’i them lexuesit se njerëz të kategorisë së tyre ka në gjithë botën, veçanërisht në atë ish komuniste nga ku ne vijmë. Pra nja dy vjetësh lexoja një lajm ku thuhej se disa prej oligarkëve rusë, në garë me njëri tjetrin, paguanin disa milionë euro për të ftuar natën e Vitit të Ri në vilat e tyre lluksoze private këngëtarë të njohur perëndimorë për të kënduar vetëm një orë apo edhe gjysëm ore për ta dhe të ftuarit e tyre. Shumica nuk e kishin pranuar si Madona, për shembull. Kurse George Michael kishte shkuar dhe paratë e fituara i kishte shpenzuar për një fondacion që jepte ndihma në Angli. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje në lajmin ishte se rusët e thjeshtë talleshin me oligarkët e tyre duke thënë: “Nuk kanë faj të shkretët, s’e dinë që ekziston CD-ja”. Ja pra ç’do të thotë vanitet, injorancë dhe pasuri e vënë shpejt.
Po e mbyll duke treguar një histori që më tregoi një mik duke më komentuar këtë skandal të rradhës, që si skandale të tjerë paraardhës do të kalojë pa venë mend. Çurçilli duke folur për gjendjen në kohën e sulmeve gjermane në Luftën e Dytë u tha parlamentarëve për t’u dhënë edhe kurajo: “Gjendja është serioze, por jo e pashpresë.” Një deputet irlandez e mori fjalën pas tij për të përshkruar gjendjen në Irlandën e Veriut dhe tha: “Kurse tek ne gjendja është e pashpresë, por jo serioze.” (Korrieri, 23 janar 2010)

15 comments:

Anonymous said...

Ju pergezoj per kete shkrim, dhe ne pergjithesi per cfare shkruani.

Anonymous said...

Rrespekte per Titanin e medias se lire Shqiptare.

Fatos Lubonja nr.1

Tek ky duhet te mesojn, ajo pjese e pseudo Analisteve te tjere,si Muc Nano, Stefani etj etj....

Anonymous said...

Qe shoqeria jone po perjeton nje apati te thelle e deshmon edhe fakti qe ndaj ardhjes se Realit ne Tirane, ne kete kontekst, nuk pati reagime te forta perpara se ngjarja te ndodhte.

Ma do mendja se ne vende serioze mediat dhe shoqeria civile do ishin "shkulur" duke sulmuar idene e perbindshme dhe monstruoze te hedhjes se milionave eurove per teka si keto, nderkohe qe pjesa derrmuese e shoqerise sone lufton perdite per mbijetese ekonomike.

Ne nje klime te tille kerkujt nuk do ti shkonte nder mend te organizonte shfaqje te tilla, "per te bere emer"; pasi i vetmi nam qe do te fitohej do te ishte ai i ziu.

Po ja qe tek ne kjo ndodh dhe ky fakt flet me shume se mijera faqe gazetash.

E ftoj Lubonjen, qe mesa di frekuenton shpesh Italine, te lexoje nje artikull te Mario Deaglio-s te botuar sot ne La Stampa, qe flet per rrezikun global qe na kanoset nga trushpelarja.

1984 said...

Po ju harroni se të ardhurat e ndeshjes do shkonin për bamirësi, për të përmbyturit. Hahaha. U mblodhën thua nja 50mijë euro??

Për sa oi përket apatisë sociale, edhe jam, edhe nuk jam dakort.

E keqja jonë si komb, është që historikisht kemi jetuar për dukjen, dmth për fasadën, dhe jo për brendinë.
Në shtëpitë shqiptare ndodhin lemerira, po rëndësi ka që komshinjtë mos e marrin vesh. Çifte që i punojnë qindin martesës, po rëndësi ka që kur të dalim nga dera, të dalim të qeshur e krah për krah.
Prandaj dhe Reali, dhe Taçi, kanë gjetur fijen që i eksiton shqiptarët, pordhalitetin. Se më habit fakti që të gjtiha komentet njerëzore që dëgjoj për ikjen e dritave në stadium, jnaë "na turpëruan para botës" dhe asnjë koment që jepen 2.5 milionë euro për një stërvitje të Realit, kur me aq para mund të bëhej një[ fushë sportive për kalamajtë e lagjes sime që luajnë në baltë ose në asfalt.
Se më duket vetja si ai që do i bënte atentat perandorit Viktor Emanuelit, e ia bëri në fakt - po vdes nga zilia, se do doja të isha unë ai që i fiku dritat. Sepse, dhe unë, si gjithë të tjerët, vdes për tu dukur pak...

Anonymous said...

zoti lubonja uroj qe shume shpejte te jeni ne panel se bashku me analisitin filosocialiste zotin stefani ne nje nga emisionet e radhes dhe tja tregoni se ku e ka vendin,

Anonymous said...

Shoqerise Shqiptare i mungojne ritualet e guximshme qytetare, kurajo civile, guximi qytetare, solodariteti, individi/heroi, shembulli i se mires... ashtu sic eshte ulur kembekryq e keqja, narkoza e drogimi anestizik qe e kane cuar shoqerine ne nje stres mbarekombetar vertikal. "Peshqit e ngordhur notojne dreyt rrymes" thote Bertohl Brehti. Dhe ne Shqiperi pothuaj te gjithe notojne drejt rrymes! “Ushtrohu, ushtrohu, ushtrohu! Ushtrimi ka të bëjë me: imunitetin kushtetues te njeriut, me ndjeshmerine e persosjes se tij antropologjike per te mposhtur friken." thote filozofi Gjerman Peter Sloterdijk. Apo sic thote Budda “Per cdo gje qe ndodh mos e kerko shkakun te te tjeret po te vetja“ Faliminderit Fatos Bobi qe na karikon baterine shpirterore. Edhe me i “eger“ se: ana tjeter e ka shume te fuqishme dhe intensive narkozen e se pa vertetes.

Anonymous said...

Nje show vulgar dhe i neveritshem ai qe desh te servirte Taci Oil.
E para eshte nje snobizem vulgar te paguash nej shume te tille per te sjell nje ekip te famshem te luaj perballe nje ekipi qe as vete shiptaret nuk e dine se kush eshte. Nqs sillet nje kengetar apo grup i famshen situata eshte me ndryshe sepse ato nuk kane nevoje per partneritet apo per ekip kundershtar te zhvillojne spektakel. ate e bejne vete dhe ne fund te fundit publiku arrin te marri kenaqesine e pritur. Por te sjellesh nje ekip perballe nje fare te ashquajturi ekip futbolli dhe te presesh qe shiptaret te genjehen si femijet me lepireset kjo eshte fyese.
Do te ishte shume me denje qe ato para te hedhura te investoheshin ne sportin shqiptar dhe ekipet tona ne menyre dinjitoze te konkuronin ne ligat a futbollit evropian, the Reali dhe ekipe te nivelit te tij te vinin ne shqiperi ne kuader te nje kampionati dhe te zhvillohej nje ndeshje qe do ti falte emocion shqiptarit dhe ne fund te fundit te ndihej krenar qe eshte shiptar.
Faleminderit Zoti Lubonja per artikujt qe na sillni! Eshte shume e rendeshishme per ne te ndiejme se ne gazetarine shqiptare ekziston nje ze i pamvarur ne te cilin nje pjese e shiptareve ndjejne se nuk jane te vetem ne ate qe mendojne dhe ndiejne...sidoms ne kete kohe te mediave dhe gazetave batakcie!
Entela

fjorent said...

Qe nje kompani te harxhoje 2,5 mln euro nga te ardhurat e saj per nje ndeshje private (dhe marketing per emrin e saj) kjo eshte ne te drejten e saj. Ne perendim keto ndodhin megjithese me shume perpara se te fillonte kriza financiare boterore qe ka ndryshuar perceptimin mbi keto lloj lluksesh.

Megjithate ne nje situate krize te tille une jam dakord qe kjo ishte e tepert sidomos pas krizes dhe permbytjeve. Me duket se i eshte kthyer ne boomerang Tacit.

Me e rendesishme te hetohet e te gjykohet per mendimin tim eshte ceshtja se si u vune ato te ardhura tek Taci Oil: nepermjet monopolit te naftes se rafinerise se Ballshit te cilin e paguan cdo qytetar qofte edhe ata qe u "kenaqen" me nje spektakel prej 90 minutash? Nese eshte keshtu dhe Taci i ka dhene 2,5 mln euro Realit me duket se i ka marre dhjetra here me shume shqiptareve me cmime te larta.

Keto jane gjerat qe hetohen nga nje shoqeri e drejte qe nuk i mbyll syte para fasades se jashtme plot shkelqim dhe nje trupi te kalbezuar te brendshem duke ftuar Milanin per miliona euro te tjere (megjithese keto u mbajten pak me te fshehta) dhe Realin.

Skandal tjeter per mendimin tim eshte servilizmi i pasndeshjes me shoqerim ne polici e heqje nga puna direkte per shkaterrim imazhi te Shqiperise (mjere ata shqiptare nese mendojne se imazhi i Shqiperise shkaterrohet nga nje nderprerje dritash qe ka ndodhur edhe ne Marseje dhe ne nje ndeshje akoma me te rendesishme me Milanin ne Champions League). Imazhi i Shqiperise shkaterrohet nga cuba qe rrahin gazetare dhe nga ministra qe cojne femije te punojne ne Gerdec me arme e nuk gjykohen.

E pra ne kete Shqiperine tone ku ministri rri e nuk ndihet ne faj per vdekjen e 26 personave, ku miliona euro shperdorohen, policia dhe prokuroria jone e zellshme shoqeruan punonjesit dhe mund t'i cojne ne ndjekje penale sepse nje mi prishi kuadrin elektrik. Kjo eshte akoma me skandaloze per mendimin tim.

Dhe shiptaret si zakonishte edhe ne kete rast flene ne gjumin e tyre letargjik 19 vjecar. Mjere ne...

Henri Spahiu said...

Njerëz si ju më ngushullojnë kompleksin e Inferioritetit.

Anonymous said...

Edhe pse ky artikull eshte shume i goditur, jam perseri i indinjuar nga komentet qe lexoj. Jo per arsye se komentusit perkrahin Lubonjen ne kete analize, por per arsye se ata, dhe ne pergjithesi gjithe shqiptaret, preferojne me mire ti nxjerrin geshtenjat me duart e Lubonjes. Sec dua te them me kete po e shpjegoj me poshte. Te gjithe komentusit jane kritike ndaj bemave te ketij dallkauku "sheik," por kjo nuk eshte e mjaftushme sepse eshte vetem pjesa e pare qe Lubonja e ka shtjelluar ne artikullin e tij. Ajo qe me ben me shume pershtypje eshte qe te gjithe komentusit japin opinione te ndryshme se si mund ti perdorte me mire keto 2.5 milion euro ky batakci, por asnjeri prej tyre nuk prek pjesen tjeter me te rendesishme te artikullit qe gjithmone Lubonja ja le lexuesit per ta plotesuar e diskutuar. Pjesa qe duhej plotesuar nga komentusit, duhet te ishte se si shteti dhe drejtesia duhet te merreshin me hetimin e ketij hajduti kavalier. Une mendoj se mbi kete ngjarje, pervec Lubonjes, duhej te ishin degjuar edhe zera te tjere nga media shqiptare per te ushtruar me shume presion mbi organet shteterore dhe kryesisht mbi organet e drejtesise ne Shqiperi. Si eshte e mundur qe nuk procedohet nga organet kompetente per pasurime te tilla injorantesh? Ku e gjeti ky njeri nje pasuri te tille kur dihet fare mire se i ati apo e ema e tij deri dje ishin ne radhen e qumeshtit apo te gjizes se bashku me ne? Si eshte e mundur qe ky shtet i korruptuar dhe drejtesia te mbyllin syte dhe veshet perpara nje banditi te tille? Mendoj se nje diskutim ne kete fryme do te ndihmonte me shume autorin dhe do ushtronte me teper presion ndaj organeve kompetente Shqiptare.

lavdrim said...

E lexova me kujdes shkrimin, por nuk kuptova nese turpi gelltitet me turp, apo kemi nje cirk te gjera mediatik?
sidoqofte nje shkrim i mire, pa pretendime moraliste, gje qe ju shkon per shtat. vecse pak pesimizem i tepruar, etj.
gjithsesi si lexues
Ju pergezoj...vazhdoni keshtu!

Leon Kaza said...

Se ku i shpenzon parate e tija Taci, Naci apo "ACET" e tjere kjo eshte nje e drejte e tyre. Problemi qendron tek fakti se sa shpejt u harrua se si policia tatimore bllokoi depot e "Taci Oil" per evazion fiskal ndersa policia e shtetit i hapi ato. Problemi qendron se si "Taci Oil" siguroi nen nje akt te pashembullt korrupsioni monopolin e prodhim - shitje - importimit te naftes D2. Problemi qendron me shume tek ajo qe citohet ne artikull se nese nuk do ishin fikur dritat ne stadium kjo ndeshje do ishte trumbetuar si fitore e madhe e sipas meje problemi qendron edhe ne faktin se kur nje gazetar si Baze investigon mbi zhvatjen tronditese te ketij "baroni" qeveritar ne kurriz te taksapaguesit shqiptar, shume gazetare e nder to edhe zoti Lubonja ne vend te merren me "kaun" e madh qe po leron si ia ka qejfi mbi financat publike merren ne fakt me shfajesimin e veprimeve te Rezart Tacit e teorite akademike mbi shkeljen e etikes gazetareske. Ja ky eshte nje tjeter problem i madh zoti Lubonja !

Irvi Hyka said...
This comment has been removed by the author.
Anonymous said...

Ishte artikulli i dytë me mjaft vlera që lexova mbi temën e turpit Taçi-Real Madrid, pas atij të Z. Lutfi Dervishi. Përgëzime Z. Lubonja, por kini kujdes me makinën kur udhëtoni se mos ju kthehet përmbys ndonjë ditë kështu si pa lidhje në mes të bulevardit...
Botë e egër kjo jona.... nuk i duron dot antikomformistët që thonë të vërtetën...
Sinagridha Topsheqeri...

Anonymous said...

anonim i ores 12.10,

ky mesazh eshte kercenim apo parlajmerim publik qe po i ben Lubonjes?