Tuesday, February 2, 2010

Edi Rama dhe komuniteti

Shpresoj se do të vijë një ditë kur breza shqiptarësh më të mençur e më të ditur se këta të sotmit, e më me personalitet, - kjo është e rëndësishme sepse do të thotë që nuk do të kenë më kompleksin e inferioritetit ndaj perëndimorëve, - do të merren me studimin e një fenomeni “të çuditshëm” të kohës sonë: se si nevoja për të fituar autoritetin e munguar tek bashkëkombasit brenda vendit i ka çuar shumë figura të politikës (dhe jo vetëm) tek teknikat e rritjes së këtij autoriteti nëpërmjet vlerësimeve të të huajve; se si këto teknika kanë përdorur aq shumë edhe mashtrimin e korruptimin e të huajve dhe se si, pastaj, ky autoritet i fituar kësisoj, është ushtruar në mënyrë abuzive mbi shqiptarët.
Midis të tjerave, në kërkimet e tyre, ata do të zbulojnë edhe se si diskursi i drejtuar të huajve nga këta figura, në më të shpeshtën e rasteve, ka qenë krejt i ndryshëm nga diskursi për shqiptarët brenda, madje edhe i kundërt.
Para disa ditësh pashë Edi Ramën, nëpërmjet youtube, të flasë për revolucionin e ngjyrave që ai ka sjellë në Tiranë, në një takim në Harvard Kenedy School (për qeverisje) Cambridge, MA. organizuar në kuadrin e Programit Kokkalis për Evropën Juglindore dhe
Qendrore.
Ajo që më bëri përshtypje ishte se e paraqiti lyerjen e fasadave të ndërtesave me ngjyra të forta  lara lara si një inisiativë që synonte krijimin e komunitetit të munguar në Tiranë. U tha dëgjuesve se, kur ai filloi ngjyrimin e ndërtesave, befas njerëzit harruan gjithë problemet dhe debati kombëtar u përqendrua tek ngjyrat e Tiranës. Dhe ky ishte fillimi i një reaksioni zinxhir emancipues. Njerëzit që kishin dyqane në pallatet e lyera filluan të paguajnë 100% taksat sepse u bënë më të vetëdijshëm për qytetarinë e tyre dhe, po ashtu, ngjyrat ulën shkallën e kriminalitetit. Më pas Rama tregoi se si, në një pyetsor të kryer nga Bashkia, 63% e shqiptarëve e pëlqenin operacionin e lyrejes, por ç’është më e lezetëshmja, ndaj pyetjes nëse ata donin të vazhdonte ky operacion kishin dhënë përgjigje pozitive 85%.  Tregoi po ashtu se si gjatë filmimit të dokumentarit që ka bërë bashkë me Anri Salën për qytetin me ngjyra, Sala i kishte treguar se, kur e vendoste kameran në pjesët e lyera dhe me trotuare të shtruar, njerëzit qëndronin me kënaqësi përpara kamerave (krenar për qytetin e tyre) kurse kur ai e vendoste kameran në pjesët e shëmtuara njerëzit ishin shumë agresivë ndaj kameras. Kësisoj pra, sipas Ramës, ngjyrat e tij jo vetëm na ndihmuan për të dalë nga “Tirana, no man’s land” (Tirana, tokë e askujt), por deri edhe për të ndryshuar sjelljen shoqërore të njerëzve. Nuk ka më bukur. Dëgjuesit dukeshin të kënaqur e entuziastë; veçanërisht drejtuesja e takimit. Duke dëgjuar Ramën të vinte ideja: o burra të lyejmë edhe pallatet që kanë mbetur dhe do të kalojmë në “më të mirën e botëve të mundëshme”.
Mirëpo, për fat të keq, ky është një diskurs për Tiranën virtuale që u serviret të hujave për qëllimin që thashë në krye. Diskursi që bëhet këtej është i ndryshëm, jo vetëm nga protagonisti, por edhe nga tiranasit. Megjithëse Rama ka folur aq shumë e vazhdimisht nuk kujtoj që këtu në Tiranë lyerjen e pallateve të na e ketë shpjeguar ndonjëherë si një aksion që ka ndihmuar krijimin e komunitetit. As gazetarët e shumtë në shërbim të tij nuk i kam dëgjuar të japin këtë argument. Na kanë thënë se ka dashur të na heqë trishtimin e ndërtesave gri të komunizmit. Kur i kemi thënë se ka gjëra më substanciale për të bërë në këtë qytet të varfër na është përgjigjur se fakti që është e varfër nuk e pengon një grua të lyejë buzët me të kuq. E kemi dëgjuar Ramën edhe të thotë se ngjyrat janë si klithmat e Robinson Kruzoit në ishull për t’u thënë anijeve që afroheshin (kupto perëndimorët): hej, jemi këtu, ose jam këtu edhe unë! Por që, nëpërmjet ngjyrave, paska pasur për qëllim të na rrisë ndjenjën e komunitetit është hera e parë që e dëgjoj. Ashtu sikurse është hera e parë që dëgjoj se demokratët i kërkonin në këtë operacion që ballkonet e tyre të lyheshin me blu kurse socialistët me të kuq, gjë që e dëfreu shumë sallën e dëgjuesve.
Personalisht kujtoj se e kam kritikuar këtë aksion.  Ndër argumentet që kam paraqitur kanë qenë ata se arkitektura është një art që flet kryesisht me volume, forma dhe material jo me ngjyra, pra i afërt me skulpturën jo me pikturën,  se ngjyrat e çelura, apo ngjyrat e tokës, që përdoren për të lyer ndërtesat kudo në botë, nuk janë thjesht një rastësi, por nevojë, pasi ndërtesat janë të ekspozuara ndaj diellit dhe shiut  që i shkatërrojnë ngjyrat e forta, apo edhe argumentin se shumë ndërtesa, përfshirë edhe ato të socializmit, duke u shpërndërruar ashtu, humbisnin identitetin e tyre. Megjithatë të gjitha këto argumente do t’i kisha hedhur në koshin e plehërave, me gëzim, sikur ky aksion i nisur nga qytetarët, për qytetarët do të na forconte komunitetin. Mirëpo ne e dimë mirë se në fakt “operacioni ngjyra” u shfaq një ditë për habinë e të gjithëve (edhe sot nuk di nëse ka ndonjë vendim kolektiv që e ligjëron kryerjen e tij), si trilli i një ish artisti që veshi petkun e poliktikanit dhe, duke bërë realitet ëndrrën e shumë shqiptarëve që thonë: po më ra një herë në dorë pushteti do t’i nxjerr ujët e zi, mendoi se do të bëhej i famshëm në Perëndim duke bërë një instalacion të tillë të paparë, dhe kjo famë pastaj do t’i shërbente për t’i rritur autoritetin e pushtetin brenda vendit. Jo rastësisht “operacioni ngjyra” filloi me Rrugën e Durrësit që është rruga prej nga hyjnë në Tiranë të huajt kur vijnë nga aeroporti i Rinasit. Është e vërtetë se komuniteti ndërtohet edhe me aksione të përbashkëta të qytetarëve, veçanërisht ato vullnetare, por  ai i ngjyrave nuk lindi kështu, por nga lart poshtë, madje edhe disa artistë që morën pjesë me rastin e një Bienaleje u sollën nga jashtë pasi shumica e artistëve këtu, nga sa di, nuk deshi të përfshihej në këtë farsë ku, si në kohën e komunizmit, artistët dhe intelektualët, në vend se të denonconin se çfarë ndodh prapa fasadës, morrën pjesë në lyerjen e propagandimin fasadave të pushtetit.
Sot e kësaj dite nëpër tryezat e gazetarëve tregohen anekdota për mënyrën se si organizoi Rama pritjen e gazetarjes së New Yorker, se si u manipula ajo prej Ramës e njerëzve të tij, se si u evituan apo u denigruan kritikët e tij me intriga e shpifje, që, më në fund, artikulli i saj, “Painting the town”, i botuar në revistën prestigjioze,  t’i tundej në fytyrë çdo shqiptari që guxonte të vinte në dyshim punët e Ramës.
Dimë po ashtu se si iu përgjigj Rama njërit prej arkitektëve më të shquar, Petraq Kolevicës, kur ky e kritikoi këtë ndërmarrje si kllouneske dhe se çfarë makinerie interesi media-ndërtim u vu në veprim për të lançuar këtë kryebashkiak që, edhe pas nëntë vjetësh, mu pse ka qenë në shërbim të interesave të një grupi të vogël njerëzish dhe jo të komunitetit, nuk ka hartuar planin rregullues të qytetit, që është kushtetuta e një qyteti, ligji bazë i jetës dhe i zhvillmit të një komuniteti.
Mungesa e komunitetit mbetet një çështje e madhe, por edhe më e madhe është pyetja se si mund ta krijojmë këtë komunitet. E në këtë kontekst dua të them se krijimi i komunitetit bëhet edhe më i vështirë mu pse njerëz si Rama janë armiq të komunitetit, sepse thellë thellë e përçmojnë atë ashtu sikurse edhe institucionet dhe ligjin. Sepse komunitet do të thotë bashkësi njerëzish që merr në dorë fatet e veta. Kurse ajo që duan njerëz si Rama (dhe jo vetëm) është bash e kundërta: një masë njerëzish të bindur që adhuron liderin, fatet e të cilëve janë pikërisht në dorë të liderit. Edhe gjatë bisedës në fjalë Ramës i shpëtoi kjo mendësi kur, duke replikuar me një dëgjues, tha se  zviceranët, pikërisht pse e bëjnë çdo gjë me referendum, nuk do të kenë kurrë ngjyra si të tijat në qytetet e fshatrat e tyre.
Komunitet do të thotë të ruash identitetin, historinë kujtesën e një bashkësie qytetarësh. Ajo që ka ndodhur në Tiranë, nën udhëheqjen e Ramës, është bash e kundërta: një shkulje nga rrënjët e kujtesës e të historisë së tiranasve. Komunitet do të  thotë të ruash e kurosh hapësirat publike, parqet, lulishtet, fushat e sportit ku fëmijët luajnë e bashkohen, kinematë e teatrot ku njerëzit përjetojnë emocione sëbashku. Në këtë aspekt Tirana e Ramës është një shkretëtirë betoni dhe po bëhet gjithnjë e më shkretëtirë. Komuniteti ndërtohet nga individë që bëjnë punë të mëdha duke ndejtur modestë mes pjesëtarëve të tij, jo nga ata që e shohin komunitetin thjesht në rolin e piedestalit për të ngritur delirin e tyre të madhështisë. Komuniteti ndërtohet nga ata që i japin publikes nga pasuria e tyre private dhe jo nga ata që i rrëmbjenë publikes edhe tullën e fundit për t’u pasuruar vetë. Komuniteti ndërtohet nga ata që bashkojnë njerëzit në emër idealesh të mëdha dhe jo nga ata që i përçajnë ata në emër interesash meskine. Komuniteti mbi të gjitha ndërtohet kur marrdhëniet me të dhe qëllimet ndaj tij i ke të sinqerta.
Gjendja e mjerë e Tiranës, me masakrën urbane, me ndotjen e ajrit përtej çdo kufiri të lejueshëm, me mungesën dramatike të hapësirave të gjelbërta, me ekzistencën e vetëm një kinemaje për afro një milion banorë, me mungesën skandaloze të muzeumeve dhe shkatërrimin e atyre që kanë mbetur, me projektet për të privatizuar edhe centimetrin e fundit katror që ka mbetur publik është rezultat politikash të ndërtuar nga njerëz që vetëm ndjenjën e  komunitetit nuk kanë. Këto politika e kanë kthyer Tiranën në një grackë prej betoni e helmi ku cilësia e jetës vjen duke u përkeqësuar. E në kushte të tilla nuk mund të flitet për ndërtim komuniteti, por për shpërbërje të mëtejshme edhe të atij që ka mbetur. (Korrieri, 2 shkurt 2010)

13 comments:

Anonymous said...

Zoti Lubonja, ju kam levduar shpesh per paanshmeri, por me kete artikull s'po tregoheni aspak te paanshem. Po thoni mendimin tuaj. OK, asgje te keqe ketu. Po them dhe une mendimin tim e shpresoj te mos ma fshije njeri nga faqja komentin.
Une e mbaj mend fare mire qe ju i kundershtuat ngjyrat e Tiranes. Madje mbaj mend qe fill pas ketij kundershtimi u larguat nga bashkia, ne mos gaboj.
Ju ketu po perpiqeni ta nxirrni reklamen, fushaten zgjedhore qe nje politikan i ben vetes, si dicka tmerresisht te gabuar. Po te ishit futur ju ne politike, jam i sigurt qe fushaten do ta benit po me te njejten ngjyra fjalesh. E meqe shkruani bukur, rrezik ngjyrat tuaja ne vetereklamim do te dukeshin me bindese se Rama qe kalon deri ne ekstrem me "qytetaret ndjeheshin me mire para kameres me ngjyra dhe u ul niveli i krimit." Fakti eshte qe politikanet tone kane vertet mendimin se kane perpara nje komunitet injorant, prandaj bejne fjalime qe duken se vetem nje injorant mund t'i besoje. Por ja qe kane pasur sukses ne keto vite. Shiko Berishen e Meten, qe bashke me Ramen flasin neper TV sikur kane para nje cope injoranti, prej 20 vjetesh, dhe prape jane qe te tre, tre figurat me te larta te Shqiperise.

Fakti tjeter eshte qe jo gazetarja, por shumica e te huajve qe kane dhene komente neper faqe te ndryshme te internetit ku jane postuar fotot e pallateve me ngjyra ne Tirane, e kane pelqyer idene. Ka pasur dhe qe s'e kane pelqyer. Ka ca pallate qe nuk duken bukur, sic jeni shprehur ju ne mos u gabofsha, (si pizhamat e Edi Rames.")
Une si nje prej popullit e kam pelqyer idene. Ngjyrat gjalleruan qytetin. Te duket sikur ke bere perpara. Vetem si fasade, sigurisht, se mbrapa pallateve eshte nje zymti e gjalle. Del nga prapa pallateve dhe ajo grija eshte vertet deshperuese.
Ngjyrat i dhane pamje qytetit si dicka e rregullt, e mirembajtur. Nuk me shpetuan jeten, nuk me pakesuan krimin, nuk me zgjidhen hallet.
Ama terhoqen te huaj ne Shqiperi, dhe dhane idene se shqiptaret po perpiqen te shkeputen nga e shkuara. Ka njerez qe s'e pelqejne dhe nuk shoh gje te keqe ketu. Nje gje s'mund te pelqehet nga kushdo. Por s'mendoj se beni mire qe perdorni ngjyrat per artikuj te tille. Duket sikur keni nje inat personal qe ju ka ngecur ne fyt prej vitesh. Ngjyrat bene me shume mire se sa keq. Edi Rama nuk eshte me per ne Bashki, sepse ia ka varur fare keto dy vitet e fundit. Por Edi Rama e shnderroi nga nje Bathore te madhe ne kryqytet, me ndihmen e te gjitheve. Sigurisht qe do ta kishte bere edhe dikush tjeter qe do te kishte qene ne Bashki, por ata qe ishin para tij s'e bene.
Ky eshte mendimi im per kete artikull. E vleresoj verejtjen tuaj per komunitetin shqiptar te tanishem, si dhe perpjekjet qe ju beni per te ndergjegjesuar shqiptaret me kete blog.
Gjithe te mirat.

Anonymous said...

Z. Lubonja
Jam dakort me Ju per masakrren qe i ka shkaktuar Tiranes Rama me mendesine mafioze te tij ,duke shkaktuar nje dem qe do te ngele per kohe shume te gjate(pasi pallatet Kioska nuk mund te prishen).Nese shikon Napolin me 1 milion banore e kupton se ku jetojme ne tirane,pasi napoli ka nje shtrirje tre here me te madhe sesa tirana,mos harrojme qe eshte nje qytet shume i vjeter e ka qe nga vitet 70 qe nuk lejohen nderitme.
Por nje gje me habit:megjithese ai me klanin e tij mafioz e ka shkaterruar jeten e tone dhe te femijeve ne kete qytet ,per habi ka fituar tre here zgjedhjet ne menyre te pastert.Pse ka ndodhur kjo,qe nje mashtrues mafioz ka fituar zgjedhjet pastert?
Mendoj qe eshte mendesia mafioze e popullit qe shikon tek ai njeriun qe do ti ngjaje,qe jane dakort.Eshte mjaft e dhimbshme te shikosh se cfare populli balte jemi ne,prandaj nuk e meriton ky popull ti tregosh drejtesine.Jemi popull majmun dhe vetem bishti na mungon
ESHTE TURP TE THUASH QE JAM SHQIPTAR.

Anonymous said...

Faleminderit per kete artikull, z. Lubonja. Si gjithnje e kapni demin per briresh. Dhe Edi Rama, ne kete kontekst, ngjan me nje dem te terbuar, por trishtimi me vjen nga bashkeqytetaret tane, ajo pjese e tyre, qe "ben kryq" per kete sharlatan, delirant dhe cinik. Nje pjese e mire e shqiptareve, per fat te keq, jane shume naive dhe inatcinj per te dalluar te Edi "demin e terbuar".
Personalisht bashkohem me mendimin tuaj se ai ka luajtur me te huajt, duke fituar simpatine e disave ne Perendim qe na shikonin ne ato vite si Haiti i Europes.
Trishtim i madh: Salen do ta kemi edhe nja 15 vjet verdalle, Edin edhe nja 30, pa folur per Meten qe eshte akoma edhe me i ri.
Nje keshille: po sikur ta mprehnit penen ndaj vete shqiptareve qe pjellin keto monstra? Mbase do te ishte me frytedhenese. Vazhdoni keshtu traditen e nderprere te Konices...
Faleminderit nga Toronto

Zirkon said...

Ideja e ngjyrave nuk eshte e Edvinit, por e personave te cilet duhet te gjenin nje mjet i cili ti bente qytetaret e Tiranes te pandjeshem ndaj ndertimeve te pallateve dhe karabinave te cilat ne kete periudhe kane dhe bumin e tyre.

Duke ngjyrosur pallatet e vjetra, ato te rejat te cilat ishin rreth e rrotull tyre ishin te padukshme! Keshtu komuniteti vertete u muar me ngjyrat dhe nuk merrej me ata te cilet ndertonin pallate gjigante para oborrit komunitar te tyre.

Vazhdimesia e lojes me titullin “Endrra qe realizohen”, duhet te merret vete universiteti i Harvard se si mundi qe me nje trick te tille te mund te manipulonte mendjet e qytetareve te Tiranes. Si mundi qe nje Piktor ti vinte Briret e Injorances qytetareve te saj duke e shkaterruar ne menyre te pariparueshme arkitekturen e ketij qyteti.

Urime per shkrimin!

Unknown said...

Ky ishte nje shkrim shume i goditur!! Z. Lubonja ju vini ne qender te vemendjes SPEKULIMIN shumedimesional e oportunist te Rames. Fakti me i dhimbshem ketu lidhet me shkeputjen teresore nga cdo identitet i yne i trasheguar qofte ky imediat apo historik.
Let te urojme se dalja e bojes se fasadave, te nxjerre njehere e mire edhe boje e Rames!

Gjithe te mirat

lavdrim said...

Pershendetje Z. Lubonja,

Nje shkrim shume interesant, shtjellues, jashte banalitetit te fasadave qe hipnotizojne qytetarin, qe jane vecse hi syve per fshehur pazare per gllaberimin e hapesirave publike.
Jo vetem fasadat, por kur e pyesin per masakren e ish-parkut rinia me eko-monstren "Hajvan" te pergjigjet se kam qene kunder, kur e kunderta eshte e verteta pasi nga zyra e tij dhe firma e tij u derguan ne keshillin bashkiak, aty pa pritur doli kunder.
kjo eshte nje prej fakteve eklatante te istalimit te betonarmese ne Tirane apo durres. jemi bere nje kolone ne qytetin tone..
sa per komunitetin Edi Rama (por edhe figura ne te djathte) nuk e ka (-ne) haberin se cfare eshte, pasi duke pasur nje karakter solipsistik nuk di te shohe tjeter njeri perpos vetes...
ju pergezoj per punen tuaj... vazhdoni keshtu!

Anonymous said...

Me kete postim dua me shume t'i pergjigjem komentuesve te tjere, sepse mendimin tim e kam dhene ne postimin e pare fare.
Edi Rama ka shume per t'u qortuar. Nese doni ta kapni, keni shume ku ta kapni, por jo tek ngjyrat dhe kinemate, sepse aty duket sikur po kapeni kot, per inat.
Kinemate, edhe kur kane qene me shume se nje (nuk e di pse tani papritur qenka nje, kujtoja se ishte Imperiali, nje Millenium dhe ajo tek Kristali) por dhe kur ishin me shume se nje, gjysmat e ndenjeseve ishin bosh. Nuk duhen kinema kot me kot ku s'ka kush te hyje se s'ka leke, as pallate kot me kot qe i blejne vetem te pasuruarit e shpejte, qe preferojne te kene prona ne vend qe t'i mbajne parate ne banke. As pallate pa gjelberim, as rruge pa drita, sic eshte e gjithe unaza e re tani, ku jane shtyllat por s'ka ndricim. Apo rruga e durresit pasi kalon kryqezimin e Zogut te Zi.
Iku koha e rregullimeve sa per fasade. Pra, Tirana ka shume gjera ku mund ta kapesh Edi Ramen. Por jo ngjyrat dhe kinemate. Ato kane pasur sukses. Sic na behet qejfi si shqiptare qe jemi per sukseset e z.Lubonja, ashtu na behet qejfi per sukseset e Edi Rames, sukseset e PD-s e te PS-es. Pse duhet te vazhdojme t'ia shajme sukseset tjetrit vetem per inat?

Anonymous said...

Genjshtra dhe mashtrim si mbijetese
Marramendje, truket dhe mashtrimi janë ndër strategjitë e rreklamave. Marrim shembullin me te fundit te rreklames: “E shohim boten si ti“ eshte publiciteti/rreklama e fundit e AMC. Eshte nje magji e genjeshtres qe te mrekullon. Po e verteta eshte se une boten nuk e shoh si AMC! Genjeshtra e persosur per te mos rene pre ose placke dhe per te bere pre ose placke, si mrekulli e mbijeteses. Mashtrimin, iluzionin, genjeshtra eshte mrekullia e mbijeteses ne universin e jetes sone. Kemi bime, peshq kafshe dhe cdo gje qe na rrethon qe ne emer te mbijeteses genjene dhe mashtrojne. Genjejne dhe mashtrojne per te bere pre dhe per tu mos u bere pre. Marramendje, truket dhe mashtrimi janë ndër strategjitë e mbijetesës më të vjeter e me te zakonshme në natyrë. Eshte vete mbijetesa e te gjitha specieve, eshte mbijetese, eshte ekzistence. Eshte ekzistenca konkuruese e diversitetit te jetes. Kameleoni e ka persos mbijetesen me mashtrimin e ngjyrave per te bere pre dhe per tu mos u bere pre. Ka me mijra raste nga bota e kafsheve dhe e bimeve qe te gjithe i dime. I urryer i pa urryer cdo gje behet ne emer te mbijeteses dhe kur del me sukses cdo gje eshte e perligjur. Genjeshtra eshte pjese e zhvillimit te persosmerise njerzore edhe ne qofte se genjeshtra ne vetvete nuk vlen vetem si nje virtut. Shkencetaret e masin intilegjencen me fantazine/ genjeshtren. Te gjithe i kemi pare veshjet e ushtareve nje here me te gjelber nje here me ngjyre kaki e me dreqi e di, me maskime vetem qe te mbijetojne ne fushen e betejes dhe te kene sukses ne eliminimin e kundershtarit. Rasti klasik i mashtrimit i genjeshtres se amerikaneve qe kane zbritur ne hene. vetem genjeshtra dhe mashtrim. dimensioni i papare i mashtrimit, rastin e basteve te futbollit ne te gjthe boten. Politikës aktuale, në çështjet e mëdha dhe të vogla, politikes genjeshtra i eshte kthyer ne domosdoshmeri, duket si një dyqan vetesherbimi nga ku çdo politikan, pa marrë parasysh nga cila parti duke përdorur mandatin e saj me nje agresivitet here duke e persosur genjeshtren here duke duke perdorur me arrogance. Ne parlamentin Gjerman nuk perdoret me betimi e perbetimi per “fjalen e nderit“ Nuk guxon kush se do te krijohej ilaritet dhe kjo vjen nga qe genjeshtaret me te medhenj qe jane betuar ne emer te fjales se nderit dhe kane dale skifo si nje genjeshter e paster. Rasti me i fundit skandali i aferes se Uwe Barschel i kryeministrit te Schleswig- Holstein. Ne jetojmë në një kohë të mahnitshme. Kushdo që dëshiron të mbijetojë duhet të përmbahen nga ligji, pothuajse pa kushte: genjeshtra, genjeshtra, genjeshtra.
Pyetjes se kush ishte bema më e lartë morale e Akilit apo Odisese. Sokrati pergjigjet ne menyre të habitshme: ata që me paramendim tregon një gënjeshtër, si Odiseu, duhet të vlerësohen moralisht më mirë se Akili, i cili ishte gabuar. Odiseu ishte një gënjeshtar par excellence qe mashtronte dhe Zeusin.

Anonymous said...

Se harrova ta shkruaj nje gjysme milioni Shqiptare ne emer te mbijeteses kane ndrruar emrin dhe indititetin dhe genjejne ne emer te ekzistences

Olsi Dervishi said...

Ajo per te cilen nund dhe duhet te kritikohet kryetari i bashkise, per mendimin tim jane trotuaret e ngushte ne shume rruge te Tiranes dhe mungesa e korsive per bicikleta.

Ka shume trotuare ku edhe pse te ngushte kane edhe nje peme ne mes dhe te ecesh ne kembe eshte nje stres me vete.
Mungesa e metrove apo urbaneve me rruge te vecanta per ta, shkakton trafik, zhurme, kaos dhe humbje ne kohe e karburant per shume banore, qe po te llogariten, them se duhet te jene shuma marramendese.

Perdite, per te shkuar ne ato punet tona te vogla perballemi me problemin e mesiperm, pesojme stres dhe humbje.
Pra shkurt, ngjyrat duhet te jene te fundit ne listen e shqetesimeve dhe e para, kerkese llogarie per trotuare te ngushte me shtylla e peme ne mes si dhe korsi per bicikletat, te cilat ne perendim jane mjaft te perdoreshme dhe shume te stimuluara.

Glen Llaçi said...

Sa per te balancuar pak ceshtien e gjuhes mashtruese ndaj nderkombetareve do doja te shtoja qe nga krahu tjeter kemi edhe Berishen qe perdor pak a shume te njejtin model. Rasti me flagrant ishte ai i konferences te ngrohjes globale ne Kopenhagen. Kryeministri yne e paraqiti Shqiperine tone te dashur si nje vend ku pothuajse 100% e energjise elektrike perfitohej nga burime te rinovueshme dhe ekologjike, madie tha edhe se do te ndertoheshin centrale te tjera qe prodhojne energji te rinovueshme. Te gjithe ne e dime qe kjo ishte nje menyre hipokrite per ta paraqitur Shqiperine si nje vend ekologjik dhe mbi te gjitha se gjoja ky Berisha ne sy te nderkombetareve ishte nje progresist dhe i perkore!
Nderkohe realiteti eshte krejt ndryshe duke nisur qe nga gomat e Xhuvelit deri tek rafinerite e naftes jashte standarteve qe ndotin jo pak nje zone te myzeqese. Apo metalurgjikut qe vazhdon sot e kesaj dite te mbysi Elbasanin. I permend jo pa qellim keto dy te fundit, sepse keto jane simbole te diktatures te cilat ajo i ndertoje pa piken e vizionit per qytetaret e republikes se saj dhe qe politikanet tane postkomunist nuk ndermoren asnje mase per ti sistemuar, por perkundrazi nisen ti shfrytezonin pa kritere dhe per perfitime vetiake. Tani si per Ironi te fatit Ata mburren po me keto vepra te kohes se komunizmit (kuptohet jo per metalurgjikun apo rrafinerite e naftes, pavaresisht se po te ishte ndonje konference per burimet fosile do mburreshin edhe me to). Nderkohe qe disa nga keto vepra qe mbase mund te konsiderohen deri diku ekologjike nuk e justifikojne shkaterrimin e vete natyres dhe prones publike Shqiptare.
Pra keta politikanet tane te majte e te djathte nuk ka se si te kene nje vizion per komunitetin nderkohe qe veprat e tyre kan qellim per pasurimin e vetm nje grusht njerezish ne kurriz te pjeses tjeter.
Dhe sa per ceshtien e kinemase mund ti jap deri diku te drejte "Anonimit" qe eshte deri diku faji i qytetareve nese ato nuk mbushen, por dua ti kujtoje dicka qe edhe ne Europe nuk eshte se mbushen plote edhe per filmat me te njohur, ketu eshte shteti apo qeverisja vendore qe duhet te zbatoje politika favorizuese per kinemate ne menyre qe ato te kene hapesira me te medha per te paraqitur shume filma ne te njejten kohe dhe ne kete menyre te kete cmim me te ulet per biletat.
Madie tani mu kutjua qe ka edhe kinema te cilat japin filma jo te kohes, por te shteteve te ndryshme, psh 2 jave i kushtohen filmit italian dhe 2 atij Cek. Te keto kinema maksimumi shkojne 10 persona per Seance! Si mund te qendrojne ne kembe keto kinema nese nuk eshte Shteti qe interesohet dhe te investoje per ekzistencen e tyre?
Po kuptohet kjo mund te jete nje pike ku dallohet nje politikan me vizion dhe nje qe mendon vetem per pasurimin e tij dhe te grupit te tij te interesit!

Anonymous said...

A mundet dikush te me thote nese ka mashtrim me te madh se sa ai i Ilir Metes qe:
1- Deklaroi se gjeja e pare pas fitores ne zgjedhje do te ishte heqja e moratoriumit te skafeve;
2-Deklaroi se ishte kunder marerveshjes per kufinjte detare shqiperi-greqi dhe pastaj u be avokat i saj. Si ka mundesi qe pas vendimit te kushtetueses ju si analist nuk kerkoni te nxirni se paku diku pergjegjesi per kete fakt qe duhet te ishte me trishtues dhe trondites se ngjyrat e Edi Rames zoti Lubonja?
3-Deklaroi se vota per Ilir Meten eshte vote e sigurte kunder Berishes;
4- Deklaroi se do te bente gjithcka per rregullimin e kodit zgjedhor, per amendimin e "atentateve" kushtetuese dhe ne fund u dorezua pa kushte;

E ne kuadrin e vendimmarrejes antikushtetuese te kesaj mazhorance qe ka nje rekord per "t'u pasur zili" si ka mundesi qe ju zoti Lubonja nuk shkruani nje rrjesht? Si ka mundesi qe Ju nje analist kaq i paanshem terhiqeni nga ngjyrat e pallateve te Tiranes qe gjithsesi ka mendime pro e kunder, ndersa nuk nxiteni aspak per te nxjerre me zor te madh se paku nje fjali per gjera te tilla kaq madhore?
A mos eshte me mire te flisni hapur se jeni nje kundershtar i ethshem i Edi Rames dhe si mentalitet burimor shqiptari folklorik edhe ju jeni i idese, ti biem sa mundemi atij qe kemi inat e s'ka problem se c'bejne te tjeret?!
Do te ishte me e ndershme sikur te deklaroheni hapur sepse do te ishte shume me e sinqerte sesa paanesia qe pak te thuash eshte e dyshimte...

Anonymous said...

Me pak fjale, e me thjeshte qytetin tone te dashur e ka "ngrene dreqi".Ne 2007 u ktheva ne Tirane pas 9 vjetesh per te zbuluar nje qytet te shperfytyruar,te piste,te zhurmshem jashte c'do norme,pa hapesira publike,pa nje peme ku te fusesh koken ne hije..
Takova edhe nje ish komshi te vjeter i cili jeton edhe ai jashte prej vitesh dhe u ulem te pime nje kafe e fernet ne nje klub te vogel perballe ish ambasades jugosllave.Ato ndertesa shume te bukura ishin drejt rrenimit total.I veshtroja me nje ndjenje trishtimi dhe mendoja se kur te kthehem perseri ne Tirane me siguri qe ne vend te tyre do te jete ndonje monster betoni.Qyteti pothuaj nuk njihet fare,nuk ka karakter si qytet.Per ne qe u lindem dhe u rritem ne kete qytet eshte e tmerrshme te shohesh kete masaker.Ndoshta nje pjese e madhe e te ardhurve ne keto dy dekadat e fundit nuk e kuptojne shqetesimin tone per dy arsye.E para lidhet me nivelin e tyre kulturor, dhe e dyta ata nuk kane kurrfare lidhje shpirterore me kete qytet.Kjo kategori eshte dominuese sot ne Tirane.Ne nje rast tjeter mora nje taksi per te shkuar deri tek teleferiku dhe rruges shoferi me nje theks juglindor lavderonte pallatet e "bukura" qe ishin ndertuar ne ate zone.E degjova sa per miresjellje kur ne fakt me vinte te ulerija nga ajo qe pashe.Me e tmerrshmja ishte kur vajta ne kopshtin zoologjik.Ato pak kafshe te shkreta qe kishin mbetur jetonin ne kushte skandaloze.Nje burg kafshesh ne fakt se vetem kpsht nuk ishte.Aty prane kishin lulezuar ndertimet.Liqeni ishte zvogeluar dhe dukej tejet i ndotur.U habita kur pashe dy martine peshkatare duke fluturuar pak mbi siperfqen e ujit.I kam pas pare martin peshkataret c'do mengjes kur dilja per vrap nga liqeni para viteve 90.U habita qe kishin mbetur disa gjalle.Ndoshta ata ishin cifti i fundit i martin peshkatareve ne ate liqen qe po vdiste.Sa per bojrat e fasadave, nuk do ta kisha pas edhe aq problem sikur te ishte vene dore edhe nga prapa fasadave ne rregullimin e shesheve,te kazaneve te plehrave,riparimet e hyrjeve,te parvazeve etj.Por eshte ajo qe thote zoti Lubonja qe ka shume fasade dhe pak ose aspak substance jo vetem ne kete rast por ne pothuaj te gjithe problematiken shqiptare.