Tuesday, February 16, 2010

Pse po kthehemi në kosh plehërash

Mbi takimin Berisha Berlusconi

Presidenti i rajonit të Puglias, Nichi Vendola, gjatë një interviste të para disa ditëve, u pyet nga një gazetare italiane edhe për mundësinë e ndërtimit të një termocentrali bërthamor në Puglia. Kjo, sepse flitet se Puglia është një nga zonat e mundshme të projektuara për një ndërtim të tillë. Përgjigja që dha Vendola ishte: « Për të ndërtuar një termocentral bërthamor në Puglia qeverisë do t’i duhet të vijë atje me ushtri. » Në fakt aq e fortë është ndjeshmëria e opinionit publik italian kundër termocentraleve bërthamore saqë qeveria e Berlusconit,  që e ka rihapur çështjen e lejimit të ndërtimit të bërthamorëve, meqënëse është në prag të zgjedhjeve rajonale, ku kandidon edhe Vendola për t’u zgjedhur për herë të dytë president, nuk i ka bërë publike rajonet ku mendon se mund të ndërtojë termocentralet bërthamore sepse kjo do t’i sillte humbjen në ato rajone. Italianët, pra, edhe kur mendojnë se mund të kenë nevojë për bërthamorë thonë se, gjithsesi, kjo duhet të bëhet larg bythës së tyre.
Dhe ja ku u del në ndihmë «presidentit i rajonit të Shqipërisë», Sali Berisha, i cili përsëriti edhe një herë propozimin për të ofruar tokën shqiptare si mundësi për ndërtimin e një termocentrali bërthamor. Dhe kjo pasi kryeministri ynë bëri edhe një ekspoze ku, midis të tjerash, tha se qeveria e tij planifikon të ndërtojë mbi katërqind hidrocentrale të vegjël e të mëdhenj në lumenjtë e Shqipërisë, e tece, e parkun më të madh eolik në Evropë, pa përmendur tecin me qymyr në Durrës. Berisha pra, edhe një herë, pa u marrë leje shqiptarëve, u ofroi tokën e tyre italianëve dhe kujtdo qoftë, për të ndërtuar ato që ata nuk guxojnë t’i ndërtojnë në vendet e tyre pasi nuk i lejon popullsia.
Për të kuptuar se pse italianët ia lejojnë vetes ta përdorin Shqipërinë si «kosh plehërash», siç e quajti edhe vetë shtypi italian këto ditë, mjafton të kesh parasysh batutën e Berlusconit kur tha se, për trafikimin e femrave të bukura shqiptare, italianët janë të gatshëm ta mbyllin një sy, batutë kjo që sikur erdhi për të ilustruar  një vlerësim të shtypit francez të vetëm dy ditëve më parë që shkruan se Italia, nga një vend që ka qenë « laboratori i avangardës së Evropës » po shkon « drejt barbarizimit», po « kthehet në një vend provincial », « me një klasë politike provinciale », « me televizione që kanë mbetur në vitet 80, me programe « të dielëzuar », « me talk show gjithë britma », « me shalë e bythë jashtë », që i ka ndërtuar pikërisht Berlusconi. (Liberation, 11 shkurt 2010)
Pra problemi nuk është pse kërkon Berlusconi ta shndërrojë Shqipërinë në një kosh plehërash të Italisë, por pse kërkon ta shndrrojë kështu një shqiptar si Berisha. Pyetja që mund të shtrohet është: e bën nga halli, e bën nga padituria, apo çfarë ? Gjykimi im është se Berisha e bën këtë nga halli dhe padituria bashkë, e jo vetëm, por   edhe nga një ndjenjë papërgjegjshmërie morale ndaj bashkëqytetarëve të tij, që është karakteristike për të gjithë klasën tonë politike. Mund të quhet edhe kriminale pa patur frikë se po bën ndonjë teprim. Por cili është halli i Berishës që e çon deri në këtë krim ndaj vendit e ndaj brezave që do të vijnë - shtrohet pyetja. Halli i Berishës është i thjeshtë : të qëndrojë në pushtet me çdo kusht. Dhe me këtë ofrim të tokës së Shqipërisë Berlusconit ai mendon se do të mund të zgjidhë dy probleme serioze përsa i përket qëndrimit në pushtet. Së pari, të zgjidhë problemin e mbështetjes ndërkombëtare për qeverisjen e tij, duke patur parasysh edhe gurguletë e kontestimet e kohëve të fundit nga ana e opozitës. Së dyti, çka sipas mendimit tim është kryesorja, synon të zgjidhë një problem edhe më të madh. Arka e shtetit shqiptar është bosh ose është duke u zbrazur pasi vendi është në krizë ekonomike. Për hir të së vërtetës duhet thënë se shkaku i kësaj krize nuk është thjesht e vetëm qeveria Berisha. Sipas gjykimit tim Shqipëria po kalon një krizë ekonomike që lidhet me shterimin e burimeve kryesore që e kanë mbajtur ekonominë më këmbë deri vitet e fundit. Nuk ka dyshim, tashmë, se industria e ndërtimit, që ka qenë ajo kryesorja në vend, është frenuar pas lulëzimit që pati në dhjetëvjeëçarin 1995 – 2005 për disa arësye ndër të cilat do të veçoja si më kryesoret: pakësimin e kërkesës për banim të njerëzve e lidhur kjo edhe me rënien dramatike të cilësisë së jetës në qytetet kryesore të vendit për shkak të urbanizimit të egër, pakësimin e të ardhurave të emigrantëve, pakësimin e investimit të parave të pista të drogës e prostitucionit në këtë industri. Ndërkaq burime të tjera ka pak sepse shumë pak është investuar tjetërkund për shkak të politikave të keqorientuara. Kështu që, për të mbajtur në këmbë administratën dhe kastën rreth tij, që e mban edhe në pushtet, si dhe për të evituar një rënie dramatike të mirëqënies që do ta fuste vendin në krizë edhe më të thellë social politike, Berishës i duhen para. Dhe rruga më e shkurtër për të siguruar këto para dhe për të mbajtur pushtetin është të shesë ç’mund të shitet nga ky vend njëlloj si ai i falimentuari që shet edhe plaçkat e shtëpisë për të paguar borxhet. Dhe në këtë pikë del edhe paaftësia apo padituria e qeverisë së Berishës. Në fakt ekonomia shqiptare, qysh kur erdhi Berisha në pushtet, i ka pasur këto simptoma sëmundjeje dhe një qeveri e aftë e inteligjente do të duhej të projektonte një ndryshim të politikave ekonomike në mënyrë që investimet të kanalizoheshin tjetërkund. Mirëpo kjo nuk është bërë, dhe jo thjesht për shkak të  mungesës së vizioneve, por për shkak të faktit se qeveria nuk ka qenë asnjëherë tek ne shprehëse e interesave të popullsisë së gjerë, por shprehëse e interesave të një ekonomie pakice biznesesh që ndryshe cilësohen si biznese « kafsho dhe ik ». Eshtë kjo që nuk e ka lejuar të ndërtojë politika ekonomike që do të siguronin atë që në botë, prej kaq kohësh, sot quhet zhvillim i qëndrueshëm.
Shkurt, pra, Berisha mendon se duke shitur çka mund të shitet me konçesion tek të huajt do të ketë mundësi të sigurojë, krahas mbështetjes politike, edhe atë të punësimit të ca shqiptarëve dhe të mbledhjes çfarë të mundë për të investuar kryesisht në rrugë apo edhe në vepra të tjera publike të cilat do t’ua japë me tenderime klientelës së tij. Në këto kushte klientela a djeshme e opozitës ose do të falimentojë ose do të mblidhet rreth sofrës së tij për të mbledhur thërrimet që do të lenë klentët besnikë të Berishës. Duke i shtuar kësaj edhe mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht italiane, për heqjen e vizave këtë vit, çka do të shërbente edhe si valvol shkarkimi për shqiptarët që do të jenë pa rrugëdalje në Shqipëri, Berisha mendon se do të mund të qeverisë për bukuri.
Ky është leximi im për lëvizjet e fundit të Berishës në takimin me Berlusconin.
Kësaj i duhet shtuar fakti se opozita, në vend se të bëjë një analizë të thellë kësaj gjendjeje, duke parë edhe përgjegjësitë e saj, në mënyrë që të ndërtojë një alternativë bindëse, bën një luftë krejtësisht superficiale. Sipas meje shkaku i mungesës së alternativës  është përsëri i njëjtë në thelb me atë që e shtyn Berishën në sillet kështu, dmth duke shitur interesat afatgjata të shqiptarëve. Rama dhe njerëzit e tij, të ndodhur përpara rrezikut të humbjes së çdo mundësie për t’u rikthyer në pushtet e për të shpëtuar interesat e tyre nga rreziku në rritje i klientelës së Berishës dhe Metës, po bëjnë një luftë për jetë a vdekje, në të cilën atyre u duhen aleatë nga të mundin, pavarësisht principshmërisë, ideve apo qëllimeve të tyre. Kjo shpjegon edhe faktin se në vend që të kishim një protestë të fortë të kësaj opozite ndaj takimit të Berishës me Berluskonin, qoftë edhe për deklaratën e turpshme të këtij të fundit lidhur me trafikimin e femrave shqiptare, opozita vazhdoi të merret vetëm me « të hapen a të mos hapen kutitë ». Sikur një të dhjetën e energjive që ka shpenzuar për luftën e kutive opozita ta kishte shpenzuar për të denoncuar brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, tek partitë e majta evropiane, projektin e shndrrimit të Shqipërisë në kosh plehërash, e për të projektuar e propozuar një program alternativ për daljen nga kriza, jam i bindur se për këto projekte nuk do të flitej më. Mirëpo për këtë nuk e lejon e njëjta e keqe : funksionimi i saj në shërbim të ekonomisë « kafsho dhe ik. »
Eshtë e qartë se në këto kushte, Shqipëria e kthyer tashmë në një skelet të shqyer nga hijenat, nuk ka alternativë tjetër veçse të kthehet në koshin e plehërave të Evropës e të vazhdojë të ofrojë mish të freskët femrash për evropianë të edukuar sipas modelit Berlusconi. (Korrieri, 16 shkurt 2010)

11 comments:

Anonymous said...

Magji. Mrekulli. Munumental shkrim qe te hyn poshte lekures dhe te mberthen. qe te ben mos e lexosh asnje shkrim tjeter per nje jave, se e ke pire dhe shijuar mrekulline. Bravo. Bravo. Bravo.

Anonymous said...

Pershendetje Z. Lubonja,

Jam nje ndjekes i rregullt i blogut dhe i shkrimeve tuaja. Shpeshhere ndaj te njejtat opinione dhe kendveshtrime me ju per ceshtjet qe trajtoni si ne rastin e ketij shkrimi. Megjithate nuk mund te mos shpreh shqetesimin, pse jo dhe zhgenjimin qe provova kur pashe perpara disa javesh debatin midis jush (analisteve, opinionisteve, gazetareve) dhe pronareve te mediave. Ishte deshperuese te shikoje se si ju (gazetaret) u perkulet perballe presionit te tyre. Ishte shokuese te degjoje se si pranuat qe tu drejtoheshin edhe me tone apo shprehje nga me fyeset (Ju jeni nje hic - tha dikush prej tyre). Te me kuptoni. Nuk kam "merakun" tuaj. Juve jeni plotesisht i afte te mbroni veten dhe personalitetin tuaj (per me teper qe nuk besoj se ngeli te diskutohet kjo gje ne ate debat). Ceshtja eshte se sipas meje aty nuk po perplaseshin gazetaret me pronaret, por dy filozofi te ndryshme, te kunderta qe nuk lidhen domosdoshmerisht vetem me median, por ne pergjithesi me menyren se si duhet te funksionojne gjerat ne kete vend. Dhe te shikosh qe (ne nje menyre ose tjetren) pronaret dolen "fitues" ne ate debat eshte vertet deshperuese pasi mesazhi qe percillet eshte se kjo filozofi e mbrapshte do te vazhdoje te dominoje e pashqetesuar. Dhe pikerisht ju, njerezit me aktive e me te sinqerte ne luften kunder saj u treguat te dobet dhe u terhoqet ne perballjen direkte me te. Nuk dua te abuzoj per arsyet. Sigurisht do te shpresoja qe te mos jete efekti i "gjysem te vertetave" per te cilat keni folur aq shume. Ju faleminderit.


P.S: Ne komentin tim sigurisht nuk i referohem situates qe u krijua nga Nikolle Lesi. E konsideroj ate je episod qe ka te beje me shume me perceptimin e gjithesecilit per menyren e te berit debat.

Glen Llaçi said...

Ne fakt nuk e kam zakon te lavderoje shkrimet e zotit Lubonja ne kete blog (jo se nuk jane per tu lavderuar) Por me kete shkrim nuk kam si mos jap lavderimin tim. Nuk ka se cfare ti shtosh eshte nje shkrim plotesisht i sakte dhe i perkryer. E vetmja gje qe mund te permend ka lidhje me se si e prita takimin Berisha-Berluskoni. Rastesisht u ndodha ne Firence ato dite dhe dy rastesi domeithenese ndodhen ato dite e para ishte partia komuniste ajo qe ngriti zerin kundra Berluskonit duke thene qe nuk kemi pse e trajtojme Shqiperine si kosh plerash dhe rastesija e dyte ishte ngritja e ne proteste e qytetareve te Firences ndaj kryebashkiakut te tyre ne lidhje me nje tunel qe do te behej ne funksion te linjes se re te trenit, por qe sipas qytetarve ai tunel mund te cenonte aspektin muzeal te qytetit!!!!! Dhe ajo qe e mendova nga te gjitha keto ishte se Berluskoni njihet pothjuajse boterisht se kush eshte, por kjo nuk do te thote te behemi si struci. Jemi ne qe nuk duhet t'ia lejojme te na trajtojne si kosh pleherash. Mos duhet valle ta ngreje partia komuniste Italiane zerin me teper se ne?!

Anonymous said...

Per anonymous.
Ne fakt edhe une e ndoqa takimin ne fjale dhe mund te them qe nuk kam mbetur i zhgenjyer nga Lubonja, madje per hir te se vertetes edhe dy gazetaret e tjere Nano dhe Stefani mund te them qe paten nje paraqitje te mire. Problemi nuk eshte qe Lubonja apo te tjeret ti pergjigjeshin pike per pike cdo komenti te tyre si psh kjo qe citoi anonymous me larte. E rendesishme eshte qe Lubonja dhe 2 gazetaret e tjere e paraqiten filozofine e tyre per median, platformen se si mund te rregullohet dhe evidentuan problemet kryesore se pse nuk funksionon ashtu sic duhet media ne Shqiperi.
Personalisht ajo qe me beri pershtypje ishte emisioni "varrezat e fshehta te diktatures".
ajo qe perceptova nepermjet televizorit (interrnetet ne fakt po gjithesesi) ishte gjendja e Lubonjes. Mu duk teper i pezematuar dhe percillte nje zhgenjim te thelle. Nuk e kam pare asnje here ne nje gjendie te tille dhe mendoj se duhet te kete nje zhgenjim te thelle ndaj shoqerise shqiptare e cila te pakten me kete aspakt duhet te tregohej korrekte. Por mesa duket te gjithe bemat qe ne perjetojme jane rezultati i nje ekuacioni te nderlikuar me shume ndryshore ku nese do te keqevleresojme nje parameter te tijin te gjithe ndyshoret e tjere do ti perceptojme gabim dhe si perfundim rezultati final eshte gjendia ku ndodhemi.
g.ll

lavdrim said...

i Nderuari,
Nje shkrim i mire, si gjithome me nje doze pesimizmi 24 karat, i frikshem sikur te materializohet shqiperia berthamore, etj. me pak i balancuar se heret e tjera, per vete faktin se dy B>B kujtojne se jemi ne nje reality show si biG brother, ku gjithcka qe thuhet eshte sepse shihet...
Ne per dreq kemi versionin e Big Bardhi apo Big Bakushe ku aktoret jane politikane te papergjegjshwm, jo nga padituria, por nga mungesa e vizionit...eshte e qarte.
bravo.

Anonymous said...

Ku ta dime ne qe Edi Rama s'e denoncon jo se eshte i zene me kutite, por sepse ka te njejtat plane me Berishen.
Gjithsesi, cfaredo planesh te kete Rama apo cdo politikan tjeter, Berisha e ka qelbur fare. E pashe per te disaten here kur foli prape ne nje gjuhe te huaj qe s'e njeh, duke turperuar pervec vetes edhe Shqiperine, meqe eshte perfaqesuesi yne. E tregoi qarte qe eshte njeri qe nuk e kupton kur ben budallalleqe (te gjithe bejne budallalleqe, por dine t'i dallojne pasi i kane bere e s'i perserisin.)
Me ben te mendoj, mire ky qe s'e kupton kur ben idiotesi e flet si idiot ne nje gjuhe te huaj, po stafi a nuk ia ben kete verejtje? Mos valle jane servila qe i krehin bishtin nga mengjesi ne darke, apo Berisha s'duron dot fjale te keqija dhe hakmerret si femije per cdo verejtje.
I rashe kaq gjate punes se te folures italisht, sepse dua ta lidh me faktin qe ka permendur z.Lubonj, qe e ben nga padituria apo nga halli. Ai kur s'ka keshilltare ta keshillojne per imazhin e tij e te vendit ne nje interviste, s'do te kete keshilltare qe ta keshillojne per mire as per gjera me jetike te vendit, sic jane centralet berthamore. Pra, Berisha e ka kete tipar. Mire qe vete s'di, por as nuk degjon njeri dhe s'ka kush ta mesoje, dhe jo vetem kaq, por s'ka as nje opozite qe te perpiqet per mireqenien e popullit, por jep gjithcka per pushtetin e vet. Ku do te na coje ky lloj drejtimi? Ja ta zeme se iku Berisha (dmth, po i ra ndonje damlla nga Zoti, se vete s'iken ai,) kush do te vije te beje dicka te hajrit? Rama? Gjykata Kushtetuese?
Na mbetet vetem neve si popull te bejme dicka. Kur Berluskonit s'ia mban nga populli, sa as nuk permend emrat e qyteteve, pse Berisha s'ka piken e frikes nga ne? Kaq popull idiot jemi?

Tomas Xheferson ka thene qe kur qeveria ka frike nga populli, eshte demokraci. Kur populli ka frike nga qeveria, eshte tirani.

artian said...

Artikull shume i mire pershkon si nje fill i gjithi te njejtin mendim qe kane te gjithe shqiptaret pothuajse per gjendjen e Shqiperise qe eshte e katandisur si nje toke e destinuar per riciklim mbetjesh urbane qe kontrollohet vetem nga nje pronar,i njohur tashme nga te gjithe jo vetem nga shqiptaret ai eshte Sali Ram Berisha.
Ne qoftese Enver Hoxha do te mbahet mend per diktaturen komuniste, Sali Ram BERISHA do te mbahet mend si transformuesi me i papergjeshem i pasurimeve kombetare ne rush e kumbulla, te gjitha keto vetem per hir te qendrimit te tij ne pushtet.

Iliri said...

Te gjitha sa shkruan z. Lubonja jane te verteta, sikurse edhe stili i tij eshte i perkryer. Urime, z. Lubonja.

Dua vetem te ngre nje shqetesim, qe me siguri e ka edhe vete artikullshkruesi: Shqiperia e vjeter, ajo komunistja, kurre nuk kerkoi ndjese per krimet e periudhes se Hoxhes. Pra, e keqja vazhdon te jete ne trupin tone te semure, si nje kancer qe tani me sa duket i ka shtrire keq metastazat e saj.

Z. Lubonja, a keni ndonje recete se kush dhe se si mund te behet procesi i ndjeses dhe faljes kombetare? Sepse, qe aty fillon sherimi, me duket.

Suksese.
Iliri

Bislim Elshani said...

Keni të drejtë, këtu dështoi jo vetëm opozita, por edhe lëvizja feministe shqiptare (nëse ekzsiston një e tillë). Në vitet 80 të shekullit të shkuar, Fadil Hoxha, një personalitat i lartë komunist,ish-kryetar i federatës jugosllave, u shkarkua nga të gjitha detyrat pas protestës së një grupi të femrave serbe në Prishtinë, sipas të cilave ai i kishte quajtur kurva. Skandali i Hoxhës nuk u vërtetua kurrë nëse ishte i vërtetë, ndërsa ky i dyshes Berisha-Berluskoni ndodhi faqe botës.

redi said...

te ben pershtypje qe organizata Mjaft, pas shume kohesh ne hije (ndoshta qe kur Veliaj vendosi ti hyj politikes) doli te protestoje para kryeministrise per shprehjen e perdorur nga Berlusconi, dmth per te ruajtur "nderin" e kombit....nderkohe qe per planet e qeverise per stacionet berthamore as qe e morren mundimin te thone ndonje llaf, jo vetem Mjaft-i, por asnje organizate/intelektual/proletar tjeter pervec Lubonjes.

eshte sikur nuk ka shume rendesi nqs ka vajza te reja qe detyrohen te prostituojne dhe as shkaqet qe i shtyjne, por kur dikush na e ze ne goje kete gje, atehere indinjohemi dhe na lind ndjenja patriotike.

patriotizem nuk eshte te valvitesh flamurin, te cirresh kunder regjistrimit te popullsise apo te protestosh per deklarata te njerit apo tjetrit politikan te huaj. patriotizem eshte te mendosh sesi ti zvogelosh sado pak padrejtesite qe i behen atij komshiut tend.ndjenja e solidaritetit eshte patriotizem. mosndotja e ambientit eshte patriotizem. mosshkelja e ligjit eshte patriotizem. permbysja e ketij sistemi te korruptuar deri ne palce eshte patriotizem.

Anonymous said...

Shkrim qe ska ç'ti shtosh. Analisa e Lubonjes eshte shume dimensionale dhe perkon totalisht me opinionin qe kam edhe une per situaten e krijuar.
Punen qindra vjeçare dhe djersen e derdhur ne vendin ton keta politikane e shiten brenda ketyre 19 vjeteve dhe tani skane çfare te shesin me se vetem bunkeret dhe ndonje repart ushtarak ka mbetur por dhe keto si çdo gje tjeter i kane zen me perpara siç cdo pasuri tjeter ne shqiperi dhe pastaj bejne ligje per ti privatisuar. Arka e shtetit eshte boshe, kredi smarrin dot se skane shlyer te parat, emigrantet jane ne krize per vete, e vetmja rruge eshte energjia e krijuar me çdo lloj forme qe dhe kjo e nje afati te larget 5-10 vjeçare. Pra as edi as saliu ose asnje force politike qe ka keta politikane nuk i bejne dot derman ketij vendi ashtu siç e kane katandisur. Per momentin kemi nevoj per nje protektoriat mundesisht skandinave ose gjermane dhe te sekuestrohen te gjitha pasurit e ketyre krimineleve dhe hajduteve politikane, jurist pa perjashtim.