Monday, March 22, 2010

Pritje në kuesturë






Marrëdhënia ime me Firencen është e mbresuar fort nga një kontradiktë që, ndoshta, vështirë se do ta zgjidh ndonjëherë. Janë dy identitete të këtij qyteti brenda meja që shpesh nuk arrij t'i pajtoj. Kur ndodhem në Shqipëri Firencia bëhet për mua ajo e historisë dhe e bukurive të saj. Miqve të mi shqiptarë u tregoj për Firencen e Rilindjes, për faktin se dënimi me vdekje është hequr për herë të parë në botë pikërisht në Toskanë në shekullin XVIII, se banimi pranë një sheshi si ai i Santa Croce-s ka bërë të më duket i shëmtuar edhe një qytet si Vjena. Por, kur kthehem në Firence, gjej një tjetër qytet, atë të përditshmërisë së një të huaji që ndesh një mori vështirësish për t'u ndjerë në shtëpinë e tij, duke filluar që nga aeroporti i Firences, ku shpesh valixhet e shqiptarëve i kontrollojnë edhe me qen.
Kur Gianni Sinni më propozoi të shkruaj diçka mbi qytetin për revistën "FFF" u ndodha në vështirësi mu pse ndjehem i ndarë midis këtyre dy identiteteve; sikur njëri ta pengojë tjetrin për t'u shprehur. Ndoshta, nëse do t'i referohesha Niçes, kjo pengesë më vjen, ngase, duke u ndjerë i huaj, e kam të vështirë të ndërtoj një "histori kritike" të Firences, që mund ta superojë "historinë arkeologjike" dhe "historinë monumentale" të saj.
Mes kësaj mëdyshjeje, më në fund, vendosa t'i jap revistës një faqe të ditarit tim.
Firence, e premte 30 qershor 2004
U zgjuam herët në mëngjes me Deborën për të shkuar në Kuesturë.  Tani që do të na lindë Luna duhet të qëndroj më gjatë në Itali dhe, për këtë, kam nevojë për një leje qëndrimi (permesso). Çudi, tani që po shkruaja fjalën 'kuesturë" në gjuhën shqipe më erdhi një asosacion - që nuk më ka ndodhur kur e dëgjoj apo e them në italisht - me konotacionin pexhiorativ që ka kjo fjalë në shqip, në sajë të gjithë asaj letërise dhe filmave të soc-realizmit mbi pushtimin italian, të lexuar e parë gjatë fëmijërisë dhe rinisë, ku "kuestura" dhe "kuestori" janë bash simboli i të keqes. I çuditshëm ky lloj kthimi prustian në të kaluarën nëpërmjet kalimit nga një gjuhë në një tjetër.  Dhe nuk besoj se kjo më ndodhi për shkak të përvojës së ditës së sotme.
Isha nervoz kur u nisëm në mëngjes sepse, kur shkuam dy ditë më parë në zyrën e informacionit në Kuesturë, ramë në një polic maskara.  Sapo i hodhi vështrimin pasaportës sime tha:
"Kjo vizë ka skaduar. Ti duhet të kthehesh menjëherë në Shqippri."
"Si ka mundësi?" i  thashë.
Kisha një vizë Schengen njëvjeçare me nëntëdhjetë ditë leje qëndrimi në vendet Schengen. Sipas tij, nga muaji maj, kur ishte lëshuar viza, deri atë ditë, kishin kaluar më shumë se nëntëdhjetë ditë. I thashë se nga muaji maj deri ditën që kisha mbrritur në Itali kisha konsumuar vetëm dy udhëtime katër ditore në Austri. Athere ai pa datën e hyrjes sime në Itali, 19 qershor, dhe më tha se kisha shkelur ligjin, sepse do të duhej të isha paraqitur në Kuesturë brenda tetë ditësh ndërkohë që ishte data 27 qershor.  Kisha kaluar, pra, me tre ditë afatin. As nuk e dija që ekzistonte ky ligj. Herë të tjera kam qëndruar në Itali në periudha më të gjata se tetë ditë dhe askush nuk më ka informur se duhet të paraqitem në Kuesturë brenda 8 ditësh .
Debora ndërhyri duke i thënë:
"Presim një fëmijë."
"Të lindë një herë fëmija." u përgjegj ai.
Ndërroi qëndrim kur kuptoi se Debora ishte italiane dhe i tha, me një ton të prerë, se ai ishte punonjës shërbimi publik që e kishte për detyrë të na jepte informacionin që kërkonim.
Na dorëzoi më në fund dy fletë që duheshin mbushur, ku figuronte tërë lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqisnim për permesson, duke na thënë se duhet t'i paraqisnim në Kuesturë javën e ardhëshme.
* * *
Në sektorin Azia - Evropa Lindore të Kuesturës së Firences gjetëm, prapa një kangjelle me hekura, nën portikun e ndërtesës, një rresht të gjatë njerëzish që kishin mbrritur para nesh. Përveç aziatikëve që imagjinohej se ishin pjesa më e madhe kinezë, të tjerët, nga gjuhët që përdornin, kuptohej se ishin shumica sllavë, rumunë dhe shqiptarë. Të gjithë me atë pamjen e nevojtarit që pret me durim që padroni i shtëpisë t'u hapë portën.
Na u desh të qëndronim më shumë se një orë e gjysëm, derisa u hap porta, pa lëvizur nga rreshti. Kjo sepse kur hapej porta në fillim merrnin pasaportat dhe precedencën e kishin ata që e jepnin të parët pasaportën.
Kur, më në fund, porta u hap, prej andej doli i pari një polic rreth të tridhjetave me një kokë të rruar taze dhe një trup të ngjeshur. Filloi të bërtasë: "pasaportat, pasaportat" me një ton sikur të ishte ndonjë gardian burgu që urdhëronte të burgosurit të mblidheshin për apelin. Rradha e nevojtarëve i zgjaste pasaportat në heshtje, por ai nuk reshtte së bërtituri.
Debora u nervozua dhe, sapo pa një kolegun e tij, që filloi të mbledhë edhe ai pasaporta, shkoi t'i thotë se qëndrimi i atij tjetrit ndaj të huajve ishte i shëmtuar. Ai iu përgjegj se italianët nuk janë të gjithë njëlloj.
"Këtu duhet të vijnë aktivistët e të drejtave të njeriut çdo ditë, të marrin shënim çfarë ndodh" - më tha Debora.
Unë isha i përqendruar në shpresën e zgjidhjes së problemit të dorëzimit të dokumenteve po atë ditë.
Pasi u futën të gjtha pasaportat brenda një person i Kuesturës doli tek porta dhe filloi të lexojë emrat e të parëve që do të hynin brenda. Ne na u desh të prisim derisa na erdhi rradha
Kur më në fund hymë brenda pamë dy policët, atë "kokërruarin" dhe tjetrin prapa sporteleve. Ishin ata që pranonin dokumentet. Sapo pa kokërruarin Debora më tha:
"Tek ai nuk shkojmë."
"Varet se tek cili na takon." - iu përgjegja.
"Unë tek ai nuk shkoj." - ngulmoi ajo.
Ishim ulur të dy tek një rradhë karrikesh mbështetur tek muri përballë sporteleve, që ishin jo më shumë se dy metra larg nesh. Filluam të ndjekim çfarë po ndodhte atje.
Kokërruari punonte me shpejtësi të madhe dhe me një përqëndrim maksimal mbi atë që bënte. Kontrollonte fletët, vuloste, kontrollonte, vuloste pa shkëmbyer asnjë fjalë me personin përballë tij.
Duke shpresuar të na qëllonte polici tjetër filluam të ndjekim çfarë po ndodhte atje. Përballë sportelit të tij ishte një vajzë e re. Duket se në atë çast polici sapo kishte mbaruar punë me dokumetet e saj dhe pa e ulur asfare zërin i tha:
"Të them të vërtetën vajza më e bukur që kam takuar këtu ka qenë një iraniane. Por edhe ti, si turke, qenke shumë e bukur."
Vajza uli kokën duke bërë sikur po kërkonte diçka në çantë.
Debora mbeti pa fjalë.
"Më thuaj, ku do të shkosh, tek kokërruari apo te ky tjetri?" - e pyeta.
Na ra të shkonim tek kokërruari.  Ai filloi t'i kontrollonte me shumë seriozitet dokumentet, i ftohtë, pa na hedhur asnjë shikim. Më në fund zbuloi se na mungonte një dokument. Quhej "cessione di fabbricato". Duhet të paraqitesha tek rajoni i policisë të lagjes ku banon Debora për të deklaruar se banoja në shtëpinë e saj. Kjo kërkesë lidhej me ligjet antimafia.
"Mund të vini ta sillni edhe sot deri në orën 11: 30 - na tha kokërruari -  po qe se ia mbërrini." Dhe na i ktheu të gjithë dokumentet mbrapsh.
Kishim ardhur më këmbë sepse Kuestura nuk është shumë larg shtëpisë sonë. U nisëm të vendosur që ta mbyllnim atë histori atë ditë, përndryshe do të na duhej t'ia rinismim me radhën nga fillimi. Mu desh të bëj edhe një vrapim të gjatë për ta  kapur të hapur portën në orën 11:25. Kokërruari ishte atje duke punuar. Tjetri kishte ikur.
Dolëm prej andej të çliruar dhe u nisëm për të bërë një punë më të bukur: të blinim karrocën e Lunës. Në Shqipëri thuhet se nuk është mirë ta blesh përpara lindjes së fëmijës sepse sjell ters, por mua më duket më normale të veprohet si zogjtë që e përgatisin folenë që më parë.
Blemë një karrocë të kuqe, më të veçantë se të tjerat dhe, kur u kthyem, u ndalëm të hamë në restorantin "La pentolla dell oro" (Tigani i artë)  pranë shtëpisë sonë. Gatuhet mirë dhe nuk kushton shtrenjtë. Në mbrëmje aty vjen një kuzhinier i famshëm që përgatit menu rinashimentale të tipit "pjata Brunelleschi" që ne nuk i kemi provuar ende.
  
*Ky tekst është botuar në italisht në revistën FFF (Firenze Fast Forward) në 2009. 

7 comments:

NOBLE said...

Do doja shume te dija, cila Firence eshte me e bukur sipas mendimit te Z. Lubonja, ajo e 2004-es apo 2010-es?!

slavenko said...

Nuk e di a ke qene ketej pertej oqeanit.Do te doja te vinje njehere per te bere krahasime
te fala

Anonymous said...

Z. Lubonja po te kishe qene ne zyrat civile ne Shqiperi do ndiheshe shume me i vogel se ne Firence (si person jo publik e kam fjalen).
Edhe une ketyre momenteve nuk di si ti jap zgjidhje ketu ne Gjermani.
Ose do kerkosh me ngulm te te respektojne si gjithe te tjeret,(ne rastin me te mire do marresh nje sherbim formal aspak njerzor por brenda rregullave ligjore) ose do besh nje vesh shurdh e nje sy qorr duke ditur harbuterine e disa bashkekombesave tane, ose do pres te marre ate qe dua dhe pastaj tja kthej me te njejten monedhe.
Kam vene re qe te respektojne me shume kur nuk i kthen faqen tjeter por i peshtun ne fyture.

e - lira said...

Besoj se kuesturat jane te njelloji, ne cdo vend...Te gjitha fytyrat e shkresaxhinjve jane te nje takemi, flasin ne gjuhen X - esperanto, i sherbejne nje lloj ideologjie " ligjin e ben Maliqi".
Ajo qe ndryshon eshte hakerrimi. Nryshe i hakerrehesh nje bashkekombesi, je gati te provosh dhe burgun per sjellje te pahijshme, vetem e vetem qe te vesh padrejtesine ne vend..ndryshe nje alter - kombesi. Je gati te flijosh cdo grimce dinjiteti personal (kombetar), vetem e vetem t'i shpetosh nuhatjes se tyre te ndersyer dhe ndeshkimit te tyre me origjine "hyjnore".

Anonymous said...

Epo e kemi thene njehere.....
Druri ka dale nga xhehneti ose parajsa shqip.
Po ne shqipot, vete e kemi fajin.
Kur italianet na vrane a na prene ne luften e dyte e ne i shpetuam nga gjermani.E tani na hiqen edhe aristokrate, demek, njerez te dores se pare.

Anonymous said...

ndersa mua me eshte dukur gjithmone se keta qe duken keshtu "te eger" te mbarojne pune me shpejt dhe jane me tolerante ne lidhje me dokumentat qe mungojne (ajo e shtepise harroet gjithmone)

Anonymous said...

Kur italianet na vrane a na prene ne luften e dyte e ne i shpetuam nga gjermani.E tani na hiqen edhe aristokrate, demek, njerez te dores se pare.

I shpetuam se secila familje e beri per vete, sipas tradites. E drejta duhet te thuhet se Italianet per pushtues s'na vrane aq shume sa te tjeret (te kujtoj Turqit, Serbt, Greket p.sh)

Gjithashtu duhet marre parasysh se kemi bere shume, shume, shume, poshtersira ne Itali dhe ne Evrope si popull. Ne fillim (1991) i hapen duert dhe na priten mire po...fjala hapet shpejt.

Po, shume me keq me kane trajuar ne vendim tim se ne cdo zyre emigracioni ne bote, edhe pse se kisha problem te paguaja 20,000 lek te vjetra per nje certificate. Italianet e te tjeret, hajt mund ti kuptosh disesi, po ato plehanet ne vendin tend te ta nxijne jeten per nje certificate qe u duhet ta japin me ligj???