Thursday, March 25, 2010

Viti 1997 dhe viti 2010

Duke parë lajmet ku opozita premton protesta të reja në pranverë, pasi debatin në Parlament e konsideron si steril dhe humbës, nuk mund të mos më shkojë ndërmend se shpesh mbështetësit e opozitës i referohen, direkt apo indirekt, vitit 1997 si model për t'u aplikuar në vitin 2010. Po i lejoj vetes të bëj ndonjë refleksion mbi këtë temë jo thjesht si ndjekës i politikës, por edhe si një nga protagonistët e atij viti.
Vitin 1997 e kujtojmë, ndër të tjera, si vit pasionesh të forta sociale dhe politike. Mbi rolin e pasioneve në politikë e, më në përgjithësi, për formësimin e shoqërisë është folur e shkruar shumë. Në përgjithësi dallohen dy shkolla mendimi. Politologët e shkollës anglo-saksone, me traditë hobsiane, ngulmojnë në idenë se pasionet luajnë një rol negativ. Sipas Hobsit pasionet e kthejnë njeriun në ujk për njeriun, janë burim dhune dhe konfliktualiteti shkatërrimtar, prandaj njerëzit, të lodhur nga këto, vendosin t'ia japin pushtetin një sovrani në shkëmbim të paqes dhe rendit. Me fjalë të tjera, sipas kësaj shkolle, që na fton të vemë në balancë përfitimet dhe humbjet e një zgjedhjeje të tillë, kur veprojmë në politikë të shtyrë nga pasionet rrezikojmë të krijojmë përbindësha politikë. Ka një shkollë tjetër (Durkheim, Weber etj.), që i kanë dhënë rol konstruktiv pasioneve. Sipas Weberit udhëheqësi karizmatik, që dashurohet nga njerëzit, arrin ta bashkojë grupin me një mesazh besimi dhe shprese duke e formësuar kësisoj shoqërinë me vlerat e këtij besimi. Sociologu italian Francesco Alberoni në librin e tij "Inamoramento e amore" (Dashurimi dhe dashuria) (po përdor këtu fjalën "dashurim" për të shprehur "rënien në dashuri"), duke e zhvilluar këtë ide weberiane, thotë se të gjitha religjionet, partitë, sindikatat  janë formuar në vorbullën emotive të lëvizjeve kolektive nga të cilat, pastaj, ka dalë edhe grupi edhe udhëheqësi i tij. Sipas tij, kësisoj, lëvizja kolektive emotive kthehet e bëhet institucion.  Është një proces i ngjashëm, sipas tij, me atë ku periudha e parë e dashurimit të një çifti kthehet e bëhet, pastaj, dashuri. Edhe përsa i përket dashurimit ka shumë mendimtarë që ngulojnë se ai duhet parë me shumë dyshim, sepse ai është një iluzion i cili mbaron kur fillon ajo që quhet faza prozaike e raportit, ajo e kontaktit me personin real, në të cilën, sikurse thotë edhe Frommi, një rol të rëndësishëm duhet të luajë  edhe vullneti për ta ndërtuar lidhjen dhe për ta selitur atë. Por ka edhe të tjerë që, gjithë me të drejtë, ngulmojnë se dashurimi krijon një lidhje që mund të bëj që dashuria të rezistojë gjatë.
Në përgjithësi rasti i liderit karazmatik është ai i një lidhjeje emotive midis tij dhe popullit, që i shëmbëllen dashurimit.  Ky lider e krijon lidhjen emotive me popullin në sajë të lëvizjes që udhëheq dhe pastaj e mban atë të ndezur shpesh në sajë të distancës. Ata që e njohin nga afër i kuptojnë difektet e tij, por jo ata që janë larg. Alberoni citon Napoleonin i cili thoshte se të gjithë marshallët e tij ishin të bindur se qenë më të zot se ai. Por populli ishte i lidhur emocionalisht me të.
Shekulli i XX na ka dhënë raste të shumta se si dashurimi i popullit me liderin ka pjellë përbindësha politikë si Hitleri, Musolini, Stalini, por ka krijuar  edhe figura të mëdha si Gandi.
De Goli, që bën pjesë në liderët karizmatikë  te suksesshëm, kur kërkoi ndërrim të kushtetutës që të ishte president i zgjedhur direkt nga populli, ndaj frikës së francezëve se mos bëhej diktator tha: pse në këtë moshë (ishte 67 vjeç) do të bëhem diktator? E magjithatë francezët e detyruan të dorëhiqet me protesta. Në SHBA, siç e dimë, presidentët e zgjedhur direkt nga populli, sado të suksesshëm qofshin, nuk qëndrojnë më shumë se tetë vjet në pushtet. Në çdo rast është i padyshimtë fakti se nevoja për liderë karizmatikë nuk është shenjë demokracie të pjekur dhe nëse edhe në votën demokratike vërehet sot kjo tendencë kjo nuk gjykohet si shenjë e mirë. Rasti i Berlusconit në Itali është më domethënësi.
Le t'i kthehemi realitetit tonë të këtyre njëzet vjetëve. Nëse mund të flitet në historinë tonë për lëvizje që, si të thuash, janë karakterizuar nga një dashurim i popullit me liderët  e vet politikë mendoj se këto kanë qenë ato të viteve 90 - 91 dhe 1997. Në të dy rastet kishim një popull të gatshëm për t'u dashuruar me liderët e tij dhe, nga ana tjetër, liderë politikë të rinj që vinin për të përmbushur këtë dashurim të munguar të popullit. Sipas gjykimit tim (personalisht jam partizan i shkollës që është skeptike ndaj dashurimit, por që e njeh forcën frymëzuese të këtij momenti)  "martesat" me këta liderë kanë rezultuar mëse zhgënjyese dhe përvoja e këtyre "martesave" shërben si ilustrim i racionalitetit të shkollës anglo - saksone. Ndërkaq, duke iu referuar përvojës sonë, duhet të vemë re një fenomen që është karakteristikë e popujve ku idetë e shkollës anglo - saksone e kanë vështirë të hyjnë e të bëhen pjesë e kulturës politike. Liderëve tanë, me kalimin e viteve, u krijohet një paranojë që nuk i çon të punojnë për institucionalizimin/dashurinë, por përkundrazi, për të mbajtur gjithjë të ndezur lëvizjen/dashurimin. Dhe kjo vjen ngase nga njëra anë ata nuk arrijnë ta kuptojë se duhet të punojnë që të kalojnë nga lëvizja në institucion dhe, nga ana tjetër, populli nuk arrin t'ua imponojë këtë raport të ri sepse i mungojnë instumentet demokratike. (Pa dyshim në pengimin e kalimit nga lëvizja në institucion kanë një rol aktiv si lideri edhe populli.)
Më konkretisht: një lider si Berisha do të duhej të kishte mësuar se duhej të ndërtonte marrëdhënie institucionale me partinë që lindi lëvizja e viteve 90 - 91, me çka kuptoj se do të duhej të punonte që të bëhej më e rëndësishme partia e tij sesa ai vetë për popullin. Mirëpo, siç shihet qartazi, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë e kundërta. Diçka më ndryshe e filloi marrëdhënien me popullin lideri karizmatik Fatos Nano  pas vitit 1997, por edhe ai përfundoi në të njëjtën hulli. I ardhur nga distanca, nga burgu, ai ishte më i përshtatëshmi për të ndërtuar marrëdhënie dashurimi me popullin, por, nga ana tjetër, ai, duke pasur prapa përvojën e një partie që kishte një të kaluar të errët dhe duke qenë vetë një tip që dukej i paftë për të dashuruar gjë tjetër përveç parasë, në krye të herës ndau më shumë pushtet me udheheqësit e tjerë që kishin krijuar karizmën e tyre gjatë lëvizjes së 97-tës. Gjithsesi mund të thuhet se, në një farë kuptimi, populli në krye të herës, pati një marrëdhënie dashurimi me udhëheqësit politikë që erdhën në pushtet pas Berishës më 1997. Ndërkaq Fatos Nano, në vend se ta thellonte institucionalizimin e kësaj marrëdhënieje që u duk se e nisi (me dorëheqjet mund të thuhet se e ka ndihmuar këtë më shumë sesa Berisha në krahun tjetër), me kalimin e viteve filloi ta vuajë gjithnjë e më shumë  nevojën e lidhjes afektive me popullin e tij.
Në këtë pikë më duhet të ve në dukje se tash e mbrapa kur flasim për "popull" duhet të kemi gjithnjë e më shumë parasysh jo më popullin shqiptar, por ata që mund t'i quajmë "populli PD-ist" dhe "populli PS-ist". Janë këta që tani ruajnë një lidhje afektive me liderin karizmatik të cilit i mjafton kjo duke mos pasur më mundësi të duhet nga i gjithë populli shqiptar. Madje shpesh, sikurse e kam shtjelluar në një shkrim tjetër mbi liderët karizmatikë, dashuria e njërit nga këta dy popuj për liderin e tij është e kondicionuar edhe nga urrejtja për liderin e popullit tjetër. 
Lidhur me procesin e kalimit nga dashurimi i krejt popullit tek ajo e partizanëve  duhet thënë se ka një diferencë midis Nanos dhe Berishës. Fatos Nano ka qenë më i vetëdijshëm për këtë dashuri të pjesëshme. Jo më kot ai gjithnjë e më shumë përmendte fjalën "familja socialiste" ndërkohë që Berisha thellë thellë ka vazhduar dhe vazhdon të aspirojë dashurimin  e të gjithë popullit shqiptar.
Ndërkaq duhet të theksojmë edhe një proces tjetër: ndërkohë që këta dy liderë karizmatikë kanë tentuar të mbeten të dashuruar, të paktën nga populli i tyre, ata që i kanë njohur nga afër në parti, "marshallët" e tyre pra, janë bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm  për difektet që ata kanë. Marrëdhënia e liderit me ta ka mbaruar pra si dashurim dhe është bërë një lidhje interesi "familjar" ku nuk gjemë më afeksion përveçse tek të rinjë (dhe kjo shpjegon prirjen e liderve karizmatikmë për të elimnuar bashkëpunëtorët e vjetër). Po ajo nuk është kthyer dot në dashuri, pra nuk është institucionalizuar. Madje në shumë raste në marrëdhënien e marshallëve  me liderin karizmatik gjejmë vetëm nënshtrim për shkak frike apo interesash të kërcënuara që jo rrallë manifestohet me një dashuri të shtirur. Edhe ky është një fenomen i njohur universalisht. Kush ka lexuar librin e Oliver Schmitt "Skënderbeu" do të kujtohet se edhe lideri karizmatik "par ecellence" i shqiptarëve, Skënderbeu, e siguronte në vitet e fundit të sundimit besnikërinë e kryekështjellarëve të tij duke u mbajtur peng familjet.
Në këtë kontekst le të themi tani dy fjalë lidhur me liderin e ri të socialistëve Edi Rama dhe premtimet për lëvizje të forta popullore këtë pranverë që s'është hera e parë që i premton. Edi Rama edhe ai ka tiparet e një lideri karizmatik me histori të ngjashme. Ai u fut në politikën e socialistëve si një i jashtëm që vinte nga distanca duke shfrytëzuar faktin se Nano kishte nevojë për njerëz jashtë Partisë Socialiste pasi ajo nuk gëzonte dashurinë e asaj pjese të shoqërisë që nuk i donte socialistët për shkak të së kaluarës së tyre. Ai u fut, pra, në politikë si një njeri që tentonte të fitonte dashurinë e atyre që  ishin të zhgënjyer nga klasa plitike e të dy krahëve. Në një farë kuptimi ai kërkoi një dashurim me këtë popull që ai mendonte se ishte shumica e shqiptarëve. Ka vazhduar ta bëjë këtë edhe pasi u bë kryetar i PS. Prej këtu edhe parrulla e tij "përtej të majtës dhe të djathtës." Edhe në fushatën e fundit elektorale doli me këtë parrullë dhe, sipas meje, nuk mori përgjigjen që kërkonte. Përndryshe s'do të kishte manipulim që t'ia prishte fitoren. Edhe sot e kësaj dite kur premton protesta ai kërkon të luajë rolin e liderit karizmatik që pretendon se ka mision eliminimin e kësaj klase politike dhe kërkon besimin e popullit për këtë. Mirëpo është evidente se shkëndija e dashurimit nuk ndizet. Sipas gjykimit tim janë disa gjëra që e  kanë minuar rëndë këtë besim. Së pari fakti se ai ka vite që është në pushtet dhe tashmë  shumëkush e di se ai ka bërë politikën e interesit të atyre që akuzon. Së dyti, jo vetëm katedra nga i akuzon, por edhe mënyra se si i akuzon është shumë jo bindëse për t'i bërë njerëzit të bijen në dashuri. Së treti, pasi u bë lider i PS-së, ai u lidh me familjen socialiste që thellë thellë e kishte përçmuar duke i shëmbëllyer atij që edhe martohet me një grua të divorcuar për shkak të parave të saj, edhe kërkon të mbajë dashnoren e vjetër të varfër, duke humbur, kësisoj, dashurinë e të dyjave.
Ndërkaq, besoj se është e tepërt të them se parrulla se "PS është e keqja më e vogël" nuk mund të krijojë situata dashurimi/lëvizjeje.
Në këto kushte gjykoj se ngulmimi i Ramës për të krijuar lëvizje si ajo e vitit 1997 në vitin 2010  është jo vetëm një përpjekje e dështuar por edhe një kthim prapa për dëmin e së cilit Partia Socialiste duhet të ndërgjegjësohet. Me këtë nuk dua të them se s'duhet të ketë protesta, madje këto duhet të jenë të forta edhe kundër prirjes karizmatike të liderit Berisha, por se këto duhet të kryhen me vetëdijen se ka ardhur koha që të ndërgjegjësohemi se raporti i liderit me partinë dhe raporti i partisë me popullin shqiptar në tërësi duhet të shkojë drejt institucionalimit të mëtejshëm dhe jo në drejtim të kundërt. Me çka kuptoj se Partia Socialiste duhet të kërkojë një raport tjetër me liderin e saj dhe jo atë që ka me Edi Ramën. Një raport ku të jetë ajo primarja dhe jo lideri. Po ashtu, partia duhet të ketë një raport të tillë me vendin ku të jetë vendi primari dhe jo ajo. Nuk ka pikë dyshimi se e njëjta gjë vlen edhe për PD-në.
Borgesi thotë "demokracia ideale do të ishte ajo ku emri i presidentit nuk do të njihej fare." Ky është ideali për të cilin duhet punuar. Viti 2010 na thotë se ka ardhur koha që edhe ne duhet të punojmë për të kaluar nga lideri karizmatik në liderin demokratik.

3 comments:

Anonymous said...

Si shtet mund te bejme hajer vetem kur:

1. Shteti te kete 99% punetore jo-partiak, dmth profesionale qe nuk nderrohen kur nje parti tjeter vjen. Humbja ne zgjedhje do te thote qe gati c'do puntor mund te humbe postin e tij, dmth bejne c'do gje legale apo ilegale ta mbajne punen.

2. Kur c'do parti te mbaje zgjedhjet e tyre per candidatin e tyre cdo 4 vite para zgjedhjeve nacionale. Jo Xhaxhi Edi Rama apo Xhaxhi Sali berisha per 40 vjet rrjesht.

3. Kur te vehet nje limit absolut prej 8 vitesh per cdo KM.

Po fakti Saliu i ka vjedhe zgjedhjet, dhe te gjithe e dime. Kuj si kujtohet fjalimi kur tha qe po fitoi, ai do tu a rrise rrogen atyre qe po numerojne votat, ne te njejten kohe qe ata po numeronin?

Edhe me manipulime, prape pati nevoje per te majten per te siguruar majority, dmth, ka shume pak mbeshtetje ne popull, dhe ky e din. Per te mbajtur pushtetin ky tani po shet vendin dhe interesat tona, duke bere c'don Greqia dhe te tjeret. Kur je i korruptuar dhe i pandershem, eshte shume kollaj te kushtezohesh. Si? P.sh. ne 2011 do te behet fjale per kandidat ne BE. Greqia thote po s'bere kete qe eshte ne interes tim (deklaro Mirditoret e Himares si Greke p.sh.) une te bllokoj per BE.

Ne kushte normale Greqia nuk mund ta beje ate, sepse nuke mund ta perballoje presionin e shteteve te tjera dhe ndeshet me faktin se nuk njeh minoritiet e veta ne Greqi, jo me te njohe Greke si jo-Greke. Po kjo as nuk hapet hic, sepse Greqia thote, nuk te hapi rruge sepse zgjedhjet qene te dyshimta dhe nuk ka debat politik ne Shqiperi qe meriton te shperblehet me kandidature te BE-se, gje qe eshte 100% e vertete. Sala e din se pushteti i tij eshte shume i brishte dhe ka frige se edhe nje gje me e vogel mund ti shkaktoje probleme, keshtuqe i leshon pe Grekut--qe eshte ne prag te falimentimit dhe ne konflit me te gjithe komshijte dhe ndoshta 90% te Evropes--edhe me shume se sa kerkojne ata.

Me pak fjale, une s'do ta kisha care koken shume per vjedhet sepse diferenca midis tyre eshte e vogel, dhe shume gjera s'jane ne dore tone por te EU-se, po shtetit tone po i behet dem shume i madh. Ky eshte dem qe nuk riparohet me para qe EU-ja mund te na jape nje dite, natyrisht po ekzistoi EU-ja deri kur te behemi ne gati. Kur leshon kaq shume pe kundra interesave tona, c'do te beje per 7-10 vitet e tjera qe duhet prape te presim per anetaresim? Ndoshta Sala do te na beje te mesojme 'gjuhen e Homer-it' ne vend te gjuhes tone barbare?

Pra, ik Sale. Shko ne Tropoje, thur ndonje gardh ne toke te babes dhe na le rahat. Atje ben c'te duash, edhe token mund t'ja falish se ate ta ka lene baba.

Landi

Anonymous said...

Nuk kam shume per t'i shtuar asaj qe ka shkruar parashkruesi. Desha te di se cfare mendon zoti Lubonja per faktin se ne Shqiperi edhe nje pastruese shkolle emerohet me urdher partie ! Desha po ashtu te di se si mendon zoti Lubonja cilat jane rruget e largimit te nje qeverie, a mund te largohet nje qeveri me protesta se sipas ketyre te PD keta nuk duan t'ia dine per protesta. Po me duket shume absurde te mendosh se nuk u largoka nje qeveri me protesta sepse keta deputetet tane i kane gjetur pazaret per te mos u ndare. Une mendoj se jo kjo mazhorance e vogel por edhe nje shume me e madhe, natyrisht se mund te largohet me protesta popullore.

Fatosi said...

Zoti Lubonja.
Artikulli juaj, ne te vertete, trajton nje teme qe eshte levruar gjerazi, per nje kohe te gjate nga ju, keshtu qe ky artikull nuk bie ndonje gje te re tek lexusi. Shkrimi juaj le me teper te kuptohet se ju kerkoni te dilni nga kriza e artikullit “Jam homoseksual.” Do te ishte më me interes per ne lexuesit qe te trajtoheshin nga ju me transparence arsyet e verteta te ketij artikulli dhe se kush eshte me shume i interesuar per perhapjen e kesaj epidemie ne Shqiperi. Eshte e ditur qe cifuted me ne krye fondacionin Soros kane futur dhe fusin perdite programe mesimore te infektuara me elemente homoseksuale ne brendi qe kane per qellim shkaterrimin e brezit te ri qe ne moshe te vogel. Mendoj se kjo teme do te ishte me me shume interes per Shqiptaret se sa politika adoleshente e ketij vendi me te cilen ju tashme mund luani me lehtesine me te madhe. Nuk eshte e veshtire te denoncosh pelivanet e politikes, por rrenjet e kesaj epidemie. Provoni qe jeni i vertete.