Në Veriun e Shqipërisë ekziston një epos gojor - “Eposi i kreshnikëve” - i cili është dygjuhësh: është kënduar edhe në shqip nga rapsodë shqiptarë edhe në serbo-kroatisht nga rapsodë sllavë muslimanë, boshnjakët. Në historinë e letërsisë shqipe flitet shumë për këtë epos. Në vitet ’80 shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare ka shkruar edhe një roman të titulluar Dosja H. Shkurtimisht romani tregon për dy studiues perëndimorë, të cilëve u lind ideja të provojnë mundësinë e një transmetimi gojor të poemës homerike nga shekulli në shekull për të arritur deri në “laboratorin e fundit të poezisë gojore, që ka mbijetuar në botë”, diku në malet e Ballkanit. Pas një kërkimi të kujdesshëm ata zbulojnë se vendi i eposit të ngjashëm me atë homerik që kërkojnë ndodhet në malet e Shqipërisë Veriore. Kështu ata vendosen në një bujtinë të vjetër, ku takojnë rapsodët shqiptarë të zonës dhe regjistrojnë këngët e tyre me manjetofon. Kjo punë i çon, hap pas hapi, në vërtetimin e hipotezës së tyre se ky epos është një vazhdim i eposit homerik në këto treva të banuara nga paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, që kanë qenë fqinj me grekët e lashtë. Por ata nuk e dinë se kanë një armik që i gjurmon. Ky është një murg serb i cili ka kohë që sillet vërdallë i shqetësuar për zbulimin e tyre, që do t’u hiqte serbve çdo të drejtë për të pretenduar për “pronësinë” e këtij eposi e jo vetëm. Më në fund murgu serb arrin të nxisë disa njerëz injorantë të zonës të sulmojnë bujtinën dhe të shkatërojnë manjetofonin me shiritat e inçizuar.
Interesantja është se ngjarja e këtij romani fiksion nuk është thjeshtë produkt i fantazisë së shkrimtarit, por është ndërtuar mbi bazën e një historie të vërtetë e cila është kthyer kokësëprapthi. Ka pasur vërtet dy dijetarë që kanë studiuar eposin në periudhën midis dy luftrave. Këta ishin Milman Parry dhe Albert Lord. Në fund të viteve njëzet Milman Parry, i diplomuar në Harward, i vuri vetes detyrën të provojë karakterin oral të poemave homerike. Për këtë, më 1932, ai ndërmorri një punë në terren në Jugosllavi, ku gjeti rapsodë të këngëve epike, analfabetë të poezisë orale, kapaciteti i të cilëve për të memorizuar dhe riprodhuar mijëra vargje, paralelizon ngushtësisht me idetë e tij se edhe poema e Homerit ka qenë një poemë e transmetuar gojarisht. Pas një qëndrimi fillestar prej disa muajsh në rajonin Sanxhak-Novi Pazar, Parry u kthye sërisht në Jugosllavi i shoqëruar nga dishepulli i tij, Albert Lord. Në studimet e tyre ata janë marrë me shumë me përzjerjen e spiritualitetit sllavo-jugor me atë myslimano-osman, por del qartë, gjithashtu, se fakti i ekzistencës së këtij eposi edhe në shqip lidhet pikërisht me periudhën osmane, kur eposi edhe është ndërshkëmbyer e përkthyer gjatë fushatave dhe shërbimeve ushtarake që rekrotonin ushtarë nga popujt e ndryshëm të Perandorisë. Këta rapsodë ishin shumë pupollorë në perandori dhe kështu në zonat shqipfolëse kishte syresh që i këndonin në shqip bëmat e heronjve të këtij eposi. Gjithsesi bëhet fjalë për një kohë larg Homerit, por edhe kur lëvizjet nacionaliste nuk kishin filluar ende.
Po të bësh një krahasim midis historisë së vërtetë të të dy dijetarëve dhe fiksionit të Kadaresë, i cili nuk e ka mohuar se është ngacmuar nga historia e dy dijetarëve për të shkruar këtë libër, do të vemë re disa ndryshime thelbësore që e kthejnë me kokë poshtë historinë. Kadare jo vetëm ka zhvendosur vendin e ngjarjes, por, edhe ka mënjanuar kontekstin osman, i cili, sipas Parry dhe Lord, ka qënë vendimtar në prodhimin e rrethanave që bënë të mundur artin gojor të këtyre teksteve të gjata epike. Po ashtu, ai ka çmontuar edhe unitetin e kësaj tradite epike që u përket të dy palëve dhe ka “rimontuar” një unitet fillestar greko-ilir të eposit duke “nacionalizuar” jo vetëm artistët, por edhe vetë epikën, e cila paraqitet si një “testament i madh kombëtar” shqiptar i legjitimuar nga rrënjët ilire, ndërkohë që sipas dy studiuesve në fjalë, nëse mund të flitet për origjinë të këtij eposi, kjo është sllavo - myslimane. (1)
Kuptohet qartë se një shpërndërrim kësisoj i historisë i shërben një teme të thekur të nacionalizmave në Ballkan: atë të definimit të identitetit në raport me tjetrin, armikun. Ai është shprehje e qartë e asaj se nacionalizmi i vuri shqiptarët dhe sllavët në konflikt me njëri tjetrin, dhe se ky konflikt, që nuk mund ta kuptojmë pa patur parasysh rivalitetin mbi hapësirën gjeografike për çështjet e territorit kombëtar, veçanërisht çështjen e ndezur të Kosovës, shfaqet edhe si një konflikt për të përvetësuar një trashëgimi kulturore të përbashkët. Albert Lord në fund të viteve 50 shkruante duke komentuar këtë fenomen: “Ethja e nacionalizmit në shekullin e nëntëmbëdhjetë çoi në përdorimin e epikës gojore për propagandë nacionaliste. Kështu heroi lindte si një hero “kombëtar”, dhe vetë poemat etiketoheshin si epika “kombëtare”. Të përcaktosh epikën gojore si “kombëtare” është mjerisht sa e pavërtetë, aq edhe një mashtrim djallëzor”. (2)
Identitetet si harta ideologjike imagjinare
Historia e shpërndërrimit të historisë së vërtetë të Parry dhe Lord në subjektin e Dosja H. si dhe ajo e shpërndërrimit të rrënjëve të vërteta të “Eposit të kreshnikëve” janë një ilustrimi i dyfishtë i asaj se ndërtimi i identiteve kombëtare për grupet etnolinguistike të Ballkanit, që më parë ndanin një të kaluar historike e kulturore të përbashkët, ka qenë një proces mistifikimi shumë kompleks dhe “djallëzor” nëse mund të përdorim epitetin e Lord.
Në procesin e krijimit të identitetit kombëtar kjo histori dhe kulturë e përbashkët otomane filloi të copëzohet, të deformohet dhe të interpretohet në emër të interesave të reja kombëtare e prej materialit të saj të ndërtohen/krijohen mite të reja, ku krahas çmontimit, pra, kemi edhe rindërtimin, krahas pasurimit kemi edhe varfërimin. Me fjalë të tjera kemi procesin e krijimit të një kulture të re e cila, për tu rritur, ushqehet edhe nga kultura e vjetër nëpërmjet asaj që Levi-Strauss e quan "kanibalizëm kulturor". Shpërndërrimi i historisë së “Eposit të kreshnikëve” është një nga ilustrimet e shumta të dubliciteti tragjik çmontim – rëndërtim i historisë dhe i trashëgimisë së përbashkët kulturore që vazhdon edhe sot të manifestohet midis shqiptarëve dhe sllavëve të jugut duke marrë edhe trajta akuzash e fyerjesh të ndërsjellta.
Në këtë aspekt krijimi i identiteteve kombëtare dhe politikat identitare të mbështetura mbi to i shëmbëllejnë ndërtimit të hartave imagjinare ideologjike, të cilat në vend të komplektistetit që sheh syri dhe dëgjon veshi në terren, propozojnë diçka krejt tjetër që, veç tjerash, më një anë e deformon thjeshtëzon dhe varfëron realitetin, më anë tjetër kërkon të imponohet si e vërteta dhe synon ta plazmojë realitetin sipas modelit të saj. Sigurisht prapa këtyre rindërtimeve, deformimve dhe thjeshtëzimeve kanë qëndruar interesa të caktuara politike prandaj dhe në këtë proces nuk mund të mos theksojmë rolin e veçantë që kanë luajtur elitat politike e kulturore për të ndërtuar këto “komunitete imagjinare” siç i quan Benedikt Anderson. Në rastin e Ballkanit e atë shqiptar në fjalë, një rol jo të vogël në krijimin e këtyre hartave kanë luajtur edhe fuqitë e mëdha evropiane të kohës, që kishin interesat e tyre në një rajon që dukej se po disintegrohej.
Nëse do të cilësojmë, duke thjeshtëzuar, hartat kryesore që u janë servirur shqiptarëve gjatë shekullit XX do të dallojmë dy syresh: ato nacionaliste gjatë gjysmës së parë të shekullit XX dhe ato nacional – komuniste gjatë thuajse krejt gjysmën së dytë:
Hartat nacionaliste paraqesin procesin fillestar të e kombformimit si lëvizje shqiptariste që me ndihmën e fuqive perëndimore çoi në krijimin e shtetit komb shqiptar më 1912. Ato shenjojnë kalimin pra të grupit etnolinguistik që fliste gjuhën shqipe nga identitetet turq (muslimanë) dhe kaurë (kristianë) që ua kishin dhënë miletet fetare gjatë Perendorisë Otomane në identitetin shqiptar që filloi t’ua japë lëvizja nacionaliste (shqiptariste) dhe pastaj, pas vitit 1912, shteti komb. Në këtë proces krahas diferencimit me turqit fillon edhe diferencimi me armiqtë sllavë e grekë. Ky ishte një proces i gjatë që ka parë ndeshjen e ballafaqimin e shumë projekteve nacionale dhe internacionale që, dora dorës, sollën një projekt dominant të shqiptarizmit. (3)
Në periudhën nacional – komuniste që fillon më 1944 dhe mbaron më 1991 elitat në pushtet rimorrën dhe rinterpretuan shumë mite të nacionalizmit, (siç e tregon edhe Dosja H e Kadaresë) por në kontekstin e një Shqipërie që, veçanërisht pas prishjes me BS në vitin 1961, erdhi duke u izoluar gjithnjë e më shumë nga bota. Kjo Shqipëri u paraqit nga harta ideologjike e pushtetit si një Shqipëri që vazhdon të shkëputet nga trashëgimia e saj osmane, si e rrezikuar nga armiqtë tradicionalë sllavë e grekë, por edhe si një Shqipëri që luftonte në emër të marksizëm - leninizmit kundër kapitalizmit perëndimor dhe revizionizmit sovjetik, ashtu sikurse edhe kundër agjentëve fetarë që historikisht kishin qenë edhe ata instrumente të armikut. Jemi në periudhën pra kur ideologjia nacional komuniste krijon shqiptarin nacional komunist që ushqehet me lavdinë e dyfishtë një bote virtuale, asaj të së kaluarës dhe të së ardhmes, çka nuk e lejonte të analizonte dhe kuptonte mjerimin e botës reale të së tashmes që jetonte. (4)
Çfarë po ndodh sot?
Nënë Tereza dhe nacional – evropianizmi
Në historinë e Shqipërisë së shekullit XX një nga faqet më interesante të politikave mistifikuese identitare ka qenë krijimi i mitit “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Origjina e kësaj thënieje është një poemë e famshme e një prej rilindasve më të njohur, Vaso Pasha, e shkruar në fund të shekullit XIX kur elitat shqiptare filluan lëvizjen nacionaliste (shqiptariste). Vaso Pasha ishte një katolik që shërbente si funksionar i lartë në Perandorinë Osmane. Në kohën e rënies së Perandorisë truajt e banuar nga shqiptarë ishin të ndarë mes muslimanësh që sikurse thashë më lart identifikoheshin më shumë me turq dhe të krishterësh ortodoksë dhe katolikë që identifikoheshin me kaurë me dallime jo të vogla me njëri tjetrin.
Për këtë Vaso Pasha shkroi një poemë ku midis të tjerash u drejtohet këtyre shqiptarëve me fjalët: “Mos vështroni kisha e xhamija/feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo thirrje, pra, i përgjigjej novojës që u lindi shqiptarëve turq e kaurë në fundin e shekullit XIX të mbronin tokat e banuara prej tyre ndaj pretendimve serbe dhe greke në kontekstin e një Perandorie Osmane që po shpërbëhej si nga dekompozimi i brendshëm ashtu edhe nga presionet që vinin nga fuqitë e mëdha perëndimore. Sikurse e shpjegon shumë qartë edhe historiania franceze Nathalie Clayer (5) ky varg nuk ishte një pasqyrë e gjendjes në terren në atë kohë, por një thirrje për të dalë nga ajo gjendje.
Ajo që ndodhi me kalimin e viteve është tipike për procesin e mistifikimit identitar. Vargu i parë, ai që thotë “mos vështroni kisha e xhamija”, që në një farë kuptimi tregon se ku e kishin të orientuar realisht vështrimin shqiptarët deri në atë kohë, ra nga kujtesa ose më saktë nga imagjinimi i shiptarëve për vetveten për të mbetur vetëm vargu i dytë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Nëpërmjet një qasjeje esencialiste ndaj identitetit, me kalimin e viteve, gjatë thuajse gjithë shekullit XX “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” u shndrrua në një nga mitet themelues të nacionalizmit shqiptar dhe shërbeu për të pakësuar rolin ndarës të feve në Shqipëri në emër të ngjizjes së një identiteti të përbashkët kombëtar. Ai ndikoi që në ndërgjegjen kolektive shqiptare të futet ideja se që në krye të herës ata nuk kanë qenë asnjëherë thellësisht fetarë pasi, historikisht, kanë pasur ndjeshmëri më të fortë ndaj një tjetër identiteti, atij kombëtar, dhe fetë e ndryshme në këtë aspekt nuk kanë qenë tjetër veçse rroba të ndryshme që shqiptarët i kanë veshur nga nevoja, por gjithë duke mbetur në thelbin e tyre shqiptarë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet kjo qasje esencialiste u forcua shumë më tepër pasi u bashkua edhe me teorinë marksiste “feja opium për popullin” dhe se fetë ishin agjentë të të huajve. Pas një periudhe përpunimi ideologjik që u shoqërua edhe me arrestime e dënime të klerikëve të shumtë, veçanërisht atyre katolikë, në vitin 1967, nën ndikimin edhe të Revolucioni Kulturor kinez, nacional – komunistët shqiptarë e ndaluan me ligj ushtrimin e fesë në Shqipëri duke e shpallur atë vendin e parë ateist në botë e duke i detyruar besimtarët ta ushtrojnë në fshehtësi besimin e tyre fetar duke shtuar kështu edhe një ndarje tjetër dramatike midis mistifikimit identitar dhe realitetit.
Kështu, në vitin 1989 kur Nënë Tereza bëri vizitën e parë në Shqipëri në një konferencë shtypi një gazetare i drejtoi një pyetje koment:
“ Ju vërtet folët për Jezu Krishtin, por feja e Shqiptarit është shqiptaria.”
Përgjigja e Nënë Terezës ishte:
“Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin.”
Që prej asaj kohe gjatë këtyre njëzet vjetëve në Shqipëri kanë ndodhur shumë ndryshime. Ndër më të rëndësishmit, krahas atyre të sistemit ekonomik dhe politik qenë edhe njohja e të drejtës për të ushtruar besimin fetar si dhe ndrrimi në mik të madh të Shqipërisë i armikut të madh që ishte Perëndimi kapitalist. Ndërkohë në Ballkan, me disintegrimin e Jugosllavisë, siç dihet, filloi një valë nacionaliste që nuk mund të mos prekte edhe Shqipërinë që ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane të banuara nga shqiptarët pas Luftrave Ballkanike më 1912 e kishte përjetuar si një padrejtësi historike me shkëputen e Kosovës dhe të Maqedonisë perëndimore të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në këto kushte të reja shqiptarët u gjendën mes tjerash edhe përballë një krize identitare dhe nevojës së një ridefinimi të identetitit. Më saktë duhet thënë se elita që trashëgoi pushtetin komunist u gjend përpara nevojës për të ndryshuar “hartën identitare” që kishin përdorur nacional - komunistët.
Në këto kushte operacioni që kryen këto elita në pushtet u mbështet mbi një rimodelim të hartës së vjetër të nacional - komunizmit, por duke i hequr asaj kmponentet komuniste dhe duke i aplikuar evropianizmin si ideologji e re, nëpërmjet një mistifikimi të ri identitar.
Ç’është nacional – evropianizmi në thelbin e vet? Diskursi që filloi të qarkullojë dhe të bëhet dominant në vend, pas rënies së komunizmit dhe afrimit me Perëndimin, ishte ai sipas të cilit kombi shqiptar, më në fund, pas pesë shekujsh robëri nën Turqi dhe gjysëm shekulli në Lindjen sllavoortodokse, u kthye, më në fund, në origjinën e tij evropiane. Pra diskursit të vjetër nacionalist të një lloj vetorientalizmi, që ka qenë edhe diskurs i rilindasve shqiptarë në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, kur kërkohej shkëputja nga Turqia, iu shtua diskursi antikomunist që Lindjen e identifikon me botën komuniste dhe që komunizmin, ashtu sikurse edhe pesë shekuj nën Perandorinë Otomane, i konsideron si diçka të huaj për thelbin e shqiptarit, si një aksident historik pra që ia sollën sllavët, por pa arritur ta prishin substancën shqiptare. Ndërkaq mbetej për t’u modifikuar edhe çështja e raportit të shqiptarëve me fetë sepse “feja e shqiptarit është shqiptaria” tingëllonte shumë e fortë në kontekstin e ri kur një pjesë jo e vogël njerëzish iu kthyen besimeve tradicionale musliman e të krishterë (ortodoksë dhe katolikë) ashtu sikurse edhe një numri besimesh të tjera që hynë në vend. Në këtë kontekst vendi është ende në fermentim, por nuk mund të mos shquash një diskurs dominant që, si të thuash, mund të konsiderohet edhe pjesë integrale e “hartës identitare” zyrtare që përdoret nga elita në pushtet . Në këtë diskurs gjejmë vazhdimësinë e tezës nacional – komuniste se feja muslimane është një fe e imponuar nga pushtuesi. Ndërkaq “feja e shqiptartit është shqiptaria” tenton të zëvendësohet me mitin e tolerancës fetare të shqiptarëve, që thellë thellë është një version i zbutur i “feja e shqiptarit është shqiptaria” sepse përmban mitin e indiferencës së shqiptarëve përsa i përket feve. Ish presidenti i Shqipërisë gjatë viteve 2001 – 2006, Alfred Moisiu, në një fjalim në Oksford e ka quajtur tolerancën fetare të shqiptarëve, gjithnjë duke përdorur një qasje esencialiste për identitetin si: « nje tipar etnotipik te shqiptareve », ”nje traditë që vjen nga thellesia e shekujve » që “ka ekzistuar madje edhe para shfaqjes së faktorit osman”. Ai e paraqet këtë si guri i çmuar që ne mund t’i paraqesim Perëndimit për të na pranuar në komunitetin e vet: “toleranca nderfetare ishte nje prej cilesive që tërhoqi menjëhere vëmendjen dashamirëse të të gjithe atyre dijetarëve dhe politikanëve, shqiptarë e të huaj, që besonin dhe kerkonin tek populli shqiptar një imazh tjetër. » (6). Por krahas kësaj, duke qenë se jemi edhe pas 11 shtatorit këtij diskursi i është shtuar gjithnjë e më fort fort edhe identifikimi i kthimit në origjinën evropiana me kthimin në origjinën kristiane, madje katolike. Në fjalën e tij në Oksford Moisiu tha midis të tjerash edhe se: « Shpesh shqiptarët quhen një popull musliman, ose me shumicë muslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane. Si rregull, është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.” (7)
Në këtë diskurs edhe heroi kombëtar Skënderbeu, i cili njihet se ka qenë i krishterë ortodoks kthehet e bëhet katolik. Madje Kadare, i cili është një ndër farkuesit kryesorë të nacional - evropianizmit e ka cilësuar Skënderbeun shpesh në prononcimet e tij mbi identitetin evropian të shqiptarëve si “pararendës i Natos”. Kurse kryeministri Berisha, me rastin e hyrjes së Shqipërisë në Nato në pranverën e vitit 2009, deklaroi shumë herë në fjalimet e tij të rastit se Shqipëria më në fund, pas pesë shekujsh lundrimi në ujëra të mundimnshme kishte mbrritur në brigjet e ëndërruara.
Në kontesktin e këtij mistifikimi të ri identitar një rol të rëndësishëm ka marrë edhe Nënë Tereza. Nga një figurë që nuk njihej thuajse fare nga shqiptarët është kthyer në një heroinë kombëtare e krahasueshme me Skënderbeun. Qënia e saj me origjinë shqiptare dhe katolike njëherësh ka filluar të përdoret si princip identitar me teknikat e njëjta nacionaliste me të cilat është ndërtuar miti i Skënderbeut në shekullin XIX por duke i bashkuar nacionalizmit edhe idenë se paraqitja e shqiptarëve si të krishterë do të na bëjë më të pranueshëm për evropianët. Kjo shpjegon edhe lulëzimin e monumenteve të Nënë Terezës në ambjentet publike shqiptare që nga Aeroporti i tiranës deri në universitetin e Tiranës.
Ndërkohë që elitat ndërtojnë këtë diskurs në realitetin e përditshëm shqiptarët kanë përjetouar ekzodin masiv kryesisht për në Greqi dhe Italia por edhe në Turqi e SHBA Gjermani e Britaninë e Madhe. Po t'i shohim shqiptarët e sotëm ata shkojnë e vijnë në për vendet e Ballkanit. Ata bëjnë shumë tregëti me Turqit punojnë në Greqi, shkojnë përpushime në Malin e Zi, bëjnë tregëti me maqedoninë e Greqinë ku punojnë por edhe ku takohen me turq, grekë, serb, maqedonas e hanë gjellë turke e sallatë greke, shkollat më të mira në Tiranë i kanë turke etj. E megjithatë, kur vjen puna për identitetin e tyre harrojnë shumë nga këto pasurira që ndërtojnë jetën e tyre të përditëshme, ashtu sikurse edhe historinë e tyr të përbashkët shumëshekullore dhe theksojnë e glorifikojnë ato elementë që i bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, deri në urrejtje e armiqësi. Edhe lufta për të përvetësuar Nënë Terezën midis shqiptarëve dhe sllavëve të maqedonisë, që po zhvillohet kohët e fundit tregon se historia e përshkruar në fillim të shkrimit mbi eposin e kreshnikëve vazhdon në këto treva.
Realiteti i jetuar pra është shumë më kompleks nga harta që kërkon t’i mbivendosë elitga në pushtet dhe pikëpyteja që ngrihet është a mundet një nacional – evropianizëm i formuluar si më lart të jetë përgjigja e drejtë në kuadrin e integrimit në Evropë.
Vështirësia që paraqet mistikimi identitar i përshkruar më sipër në këtë kontekst është shumëplanëshe. Më së pari kompondentja nacionaliste e kësaj harte vazhdon ta ndajë Ballkanin e shqiptarëve nga Ballkani i sllavëve apo grekëve apo turqve. Po ashtu si vazhduese e oroientalizmit, ajo është një pengesë për të njohur të kaluarën e përbashkët osmane të shqiptarëve trashëgiminë e përbashkët historinë e përbashkët.
Nacional evropainizmi nuk se i injoron disa nga ato që mund të quhen vlerat evropiane, si ekonomia e tregut pluralizmi politk, të drejtat e njeriut por njëkohësisht ai shihet edhe si një formë e daljes së shqiptarëve në Evropë në bregun tjetër duke i lënë të gjithë të tjerët, armiqtë historikë: sllavë, grekë turq nga ana tjetër e bregut. Një nacional evropianizëm i tillë po ashtu ka prirjen të kthejë në shtresë të diskriminuar pjesën e popullsisë shqiptare të besimit musliman duke rrezikuar që, ndërkohë që elita shqiptare në pushtet predikon Naton, Perëndimin, Jezu Krishtin e Nënë Terezën si fe pushteti duke grabitur e varfëruar edhe në emër të tyre shumicën e shqiptarëve, muslimanizmi të fillojë të bëhet gjithnjë e më shumë "feja e të varfërve", që mund të instrumentalizohet nesër edhe politikisht, për të përmbysur këtë elitë. (8)Ky lloj nacional evropianizmi pra, nuk është përgjigja e duhur për të përballuara sfidat e së ardhmes evropiane të shqiptarëve. Ashtu sikurse nacional – komunizmi në periudhën e diktaturës ai synon të bashkojë në emër të pushtetit të një elite dy diktrina që në thelbin e tyre përjashtojnë njëra tjetrën. Kam parasysh me këtë faktin se ai që mund të konsiderohet si thelbi i identitetit Evropian, si projekt i bashkëjetesë së kombeve të kontinentit në paqe dhe haromoni dhe krijimit të një identiteti mbinacional evropian, është bash e kundërta e asaj që predikon nacionalizmit pasi ky identitet evropian, sikurse e shtjellojnë edhe Jurgen Habermas dhe Jacques Derrida, në artikullin e tyre të përbashkët të botuar në "Frankfurter Algemeine Zeitung" në 2003 është rezultat i ngjarjeve dramatike historike që ka përjetuar Evropa për shkak të luftrave me karakter fetar apo nacional. Është pra identiteti i atyre popujve që "kanë mësuar, me një çmim të lartë, se si diferencat mund të qetësohen, kontrastet të instucionalizohen dhe tensionet të stabilizohen". Është identiteti i një hapësire kulturore ku është kuptuar më mirë se kudo se "njohja reciproke e tjetrit, në diversitetin e tij, mund të bëhet shenja e një identiteti të përbashkët". (Korrieri, 8 prill 2010)
20 comments:
Per mendimin tim, ky eshte nje nga shkrimet me te mira qe z. Lubonja ka botuar. Shpreh ketu edhe kenaqesine, qe mora nje pergjigje per nje kuriozitet qe kisha ne lidhje me pozicionimin e z. Fatos ne lidhje me debatin (Qose-Kadare) per identitetin e shqiptareve. Megjithese vleresoj shume tentativen per te rendur drejt se vertetes dhe nje raporti me te sinqerte me te, mua me ngelen disa pyetje pa pergjigje, te cilat lindin si nga ky shkrim, ashtu edhe nga komentet apo qendrimet e Lubonjes ne media te ndryshme, ne lidhje me mitet por jo vetem.
Disa nga keto pikepyetje jane:
1. Si mund dhe pse duhet te jemi ne te gatshem qe ti rrezojme te gjitha mitet tona apo tentativat mitifikuese qe i behen figurave qe lidhen me identitetin tone (kombesine apo perkatesine tone etnike), ne nje kohe kur ne gjendemi edhe sot e kesaj dite nen nje trysni "kanibale-irridentiste" te fqinjeve tane ne ballkan; per te vjedhur figura, mite, identitete, territore.
2. A nuk e ka shoqeruar zhvillimin dhe progresimin e cdo shoqerie prania e figurave apo nocioneve te mitifikuara.
3. Dihet se kjo ka ndodhur si ne vendet e Lindjes ashtu edhe me shoqerite Perendimore, dhe vazhdon te ndodhe. Si mund te pretendohej qe, nje vend i vogel si ne, i pafuqishem si ne, i pazhvilluar si ne, dhe i shtrire midis fqinjesh sic kemi ne, mund te shkeputej nga tentativa te tilla te cilat teorikisht ngjajne pozitive por qe ne ne disa drejtime mund te sillte pasoja dhe disfata.
Gjithsesi, une do te shgikoja si gje pozitive nderprerjen e tendencave mitifikuese te figurave te diteve tona, sepse konteksti historik i shoqerise sone eshte me i ndryshem. Por qe nje fenomen teper negatriv po merr prirje, konstatohet mjaft lehte. Eshte pikerisht tendenca per te bere disa mitifikime te cilat ne dallim nga rastet e tjera, pergjate historise, kane edhe nje efekt te drejtperdrejte bumerang; ne demtimin e vlerave, identiteteve.
duke menduar, per nje nga ato qe ju me te drejte i quani "mite identitare", si per shembull "feja e shqiptarit" dhe relacioni i neo-shqiptareve me te, verej se ne shumicen e rasteve ata qe flasin sot, te veshur shpesh here edhe me petkat e "studiuesve, analisteve, historianeve postkomuniste-metamoderne shqiptare", nuk jane gje tjeter vecse shprehja me fatlume dhe me e devotshme e mendesive te totalitarizmit nacional-komunist shqiptar.
menyra se si veshtrojne boten, njeriun , nevojat, deshirat, fene, dashurine, seksin, politiken, historine, te drejten e fjales, te mendimit, etj, jane kryekeput te njejta me menyren se si ua kane mesuar t'i shohin ato, qysh ne femijerine e hershme.
urrejta patologjike ndaj "fese" dhe "kultures spirituale" ne teresi, eshte kultivuar tek ta (nga regjimi totalitarist) qysh kur hapen syte dhe belbezuan tingujt e pare.
cdo "konkluzion" i nxjerre prej ketij brezi mbart ne vetvete nje vrer helmues antifetar, te njejte me te asaj kohe kur shqiperia trumpetonte me te madhe se ishte i pari shtet laik/i pafe ne bote, dhe te asaj periudhe kur "njeriu i ri" ishte ne lulezimin e tij total. fatkeqesisht ai "njeri" eshte ende gjalle, dhe eshte shume e veshtire te "mbylle syte" ne hark te shkurter kohor...
dhe ajo qe eshte me e habitshmja, eshte qe te gjitha keto i verej te ndodhin, por dhe i them nga pozitat e nje njeriu, qe ashtu si shumica e bashkemoshatareve te mi, e kam te pamundur te besoj ne nje fuqi te mbinatyrshme, ne zot. diferenca ime me kategorine qe pershkrova me pare eshte se me mungon mekanizmi i urrejtjes ndaj "fese", dhe se mendoj se fakti qe une nuk besoj ne ekzistencen e nje fuqie te mbinatyrshme, nuk do te thote me domosdoshmeri se ajo nuk ekziston.
ti imponosh sot brezit te ri, mendesite gjysmake te kozmotheorise nacional-komuniste shqiptare (te cilat bien ndesh edhe me te vertetat dhe faktet historike), si te vetmen te vertete absolute, ky per mua perben edhe rrezikun me te madh ne emancipimin dhe ndergjegjesimin e brezave te rinj qe do te marrin stafeten me vone. ecja perpara nuk vjen prej te vertetave absolute, por prej nevojes per ti vene ne pikepyetje ato...
Per mitin katolik te Shqiperise punon sot as me pak dhe as me shume por nje insititucion shkencor: Instituti Albanologjik. Ne shembullin me te shemtuar te venies se shkences ne sherbim te ideologjive, ky institut qe dikur u vu ne sherbim te nacional - komunizmit, tani po i sherben ideologjise se re te (neo?)nacionalizmit antikomunist-katolicist. Pinjollet e ketij instituti nuk tuten fare ta fsheshin perdorimin e shkences per qellime ideologjike edhe ne publik, edhe ne media. Pas Nene Terezes tani po krijohet miti i At Zef Pllumit (edhe Kadare, domosdo, nuk kishte harruar ta permendte nje kafe qe kishin pasur se bashku) dhe i nje sere kolaboracionisteve te nazizmit.
Komentuesit/es: Noble
Me falni nese marr une tentativen tu pergjigjem nje pjese te pyetjeve tuaja, jo ngaqe mendoj qe jam me shume apo me pak njohese e mekanizmave ngjizese te mitit, por thjesht per te sjelle nje kendveshtrim tjeter.
Shkrimi i Lubonjes eshte ne thelb nje analize e mekanizmave ngjizeze te mitit ne kontekst universal.Shqiperia dhe Shqiptaret jane pedorur si figura alegorike per te percjelle pikerisht kete, qe kombformimi ne historine "moderne" veteushqehet me simbole qe turmat kane nevoje te identifikohen me to. Per Lubonjen nuk rendesi, nese Skenderbeu ishte shqiptar, serb apo grek,nese vetedija shqiptare i diktonte Nene Terezes atdhedashurine mbi dashurine se saj per Zotin. Filozofia e Lubonjes eshte dekonstruktiviste, "nihiliste", e cliruar nga pasionet infantile, per te pasur nje hero ekskluziv.
Teoria mbi mitin thote qe miti eshte tipar psikologjik i njeriut. Sistemi dodekaik ne lashtesi ishte nje shprehje e persosur artistike, sociale, teologjike e kufirit midis imagjinares dhe reales. Zeusi paraqitej si At i Zotave por edhe si tiran, si mizor, si hakmarres. Te gjithe Zotat kishin funksion te dyfishte. E kunderta ndodh me heronjte "mitologjike" nen modelin romantik te farketimit te kombeve. Idealizimi i tyre deri ne hyjnizim, ishte "opiumi me i mire per popullin".
Vecse procesi i maturimit te pasardhesve te romantizmit,ka ndodhur shume me heret se ne trevat ballkanike. Pretendimeve te shqiptareve qe Napoleon Bonaparti ka origjine shqiptare (qe edhe mund te kete, por c'rendesi ka), si duhet tu pergjigjen Francezet?? Thjesht, do qeshin....
Thua diku ne nje rresht "me fqinj te tille qe kemi ne"..Ti mendon se popujt e Evropes shquhen per dashamiresi te theksuar per njeri tjetrin? Ky eshte MITI me i madh...Historia e njerezimit dhe doemos ajo evropiane eshte mbi te gjitha nje histori perleshjesh dhe luftrash te pergjakshme. Dhe plaget e lufterave te fundit boterore jane ende te hapura, per gjithe ata qe jetuan tmerrin nga afer.Fatkeqesia e shqiptareve nuk qendron ne pozicionin gjeografik te tyre, as ne lakmite "kollufitese" te fqinjeve, qendron ne psikologjine e tyre per te viktimizuar dhe martirizuar qendresen e tyre "heroike" karshi ambicjeve "keqdashese" te te tjereve. Gjithe jeten jemi rritur me parrullat "qe jemi popull paqesor", "qe si kemi rene ne qafe kujt", "qe nuk kemi pushtuar asnje vend por kemi qene gjithmone te pushtuar", etj, etj.
Nuk jemi aspak paqesore, bajraktare kemi qene nje jete te tere, por ne sherbim me teper te tjereve sesa te vendit, nuk kemi pushtuar se na pelqente me teper te na pushtonin :-)))
"Feja e shqiptarit eshte shqiptaria"
Ne fillim te frazes vjen "feja e shqiptarit" pastaj vjen "shqiptaria".
"Feja e shqiptarit" eshte e dhene, given, "dato di fatto" do thoshin italianet, fakt. "Feja e shqiptarit" ka brenda "e shqiptarit", dmth qe "shqiptari" ekziston si identitet, te pakten per Vaso Pashen. Por perderisa ai i drejtohet nje publiku me keto vargje, atehere mund te mendojme qe publiku te cilit i drejtohet do e kuptoje. Asnje shkrimtar nuk i shkruan nje publiku duke perdorur fjale qe publiku nuk i kupton. Ndoshta identiteti i "shqiptarit" nuk eshte i fuqishem dhe eshte duke "veshtruar" kisha e xhamija, por ama nuk mund te hidhet poshte e te thuhet qe nuk ekzistonte.
Duke lexuar Edith Durham ne 1905, ne "the burden of the balkans", ajo thote qe te gjithe njerezit qe takonte i thoshin se ishin "shqiptare".
Komentuesit/es 'ele' dhe per ata qe e lexojne:
Ne komentin tim te mesiperm, theksova se te gjitha shoqerite apo qyteterimet, lindore apo perendimore (pra edhe vendet e Europes Perendimore), veriore apo jugore, shpesh here kane ngritur dhe kane projektuar enderrat, deshirat apo referencat e tyre per ti sherbyer se ardhmes, ne mite e mitologji. Por fakti pse fqinjet tane i permenda me vete, besoj se nxitet nga nje arsye e thjeshte e bazuar ne fakte historike qe jane me sinjifikativ se ne c'do rast tjeter; sigurisht ketu kihet parasyshe raporti historik i shqiptareve me ta.
Gjithashtu theksova se nuk ka asgje te keqe dhe per t'u trembur nga mitifikimet qe i jane bere figurave historike apo te krijimtarise sone epike. Por kjo dukuri po ndodh edhe sot me mitizimin qe po i behet disa figurave te koheve te fundit, te gjalle apo te vdekur, nen nje prapavije te caktuar ideologjike e strategjike. E ne kete pike jam plotesish dakord me trajtimin qe i ben z. Lubonja.
Perndryshe do te theksoja se, ne, le ti kemi disa mite sa per te "konkuruar" me fqinjet apo me boten por, nuk duhet te biem pre e miteve te ngritura nga vete ne; pra nuk duhet te lejojme qe kjo te na kthehet ne bumerang (ne vend qe te ndikoje ne forcimin e pozitave te identitetit tone, te behet nje shperlarje apo nje tjetersim qe i behet ketij identiteti kombetar dhe qe perplaset fort me koshiencen tone ndaj asaj cka vertete jemi).
To Noble
Ajo cka une kuptova nga komenti fillestar, ishte qe,(po bej nje parafrazim) mitet mund te kthehen ne bumerang nese ato ushqehen vazhdimisht nga ideologjia pushtetare per permbushjen e qellimeve te tyre "vitale", por nga ana tjeter nuk eshte e padobishme ekzistenca e tyre, mbasi vlejne si mekanizem unifikimi. Dhe per me teper, keto figura mitike jane ex - sanguine shqiptare,nuk i trilluam apo jua vodhem fqinjeve, sic ndodh te bejne ata me ne?????
Nuk e di ne kishe kete parasysh,por une kete kuptova duke lexuar permes rreshtave
Dhe duke vazhduar parafrazimin tim, ajo cka shkruhej me tej ishte, qe perderisa te gjithe popujt kane mitet e tyre, qofte ne Lindje, qofte ne Perendim, atehere perse te mos kemi dhe ne mitet tona?? Mjafton qe te mos arrijme ne ekzagjerime te shemtuara. Pra i gjithe leimotif i komentit tuaj ishte "ekzagjerimi".
Ajo cka desha te shtoja une eshte qe nevoja jone per tu njejtesuar me identitete mitike eshte e natyrshme, por si "kafshe te arsyeshme" qe jemi, nuk duhet te ndalojme dekonstruktimin e tyre dhe te jemi ne kerkim te thelbesores, te vertetes se persosur. Nuk besoj se ruajtja "pozitive" e miteve (sikurse theksuat), do sherbeje si koracke mbrojtese ndaj fqinjeve. Ishte e nevojshme once upon a time, nuk eshte me...:))) (ndoshta vetem per politikanet, jo per njerezit pertej saj)
Nje korrigjim te vogel " nuk duhet te ndalojme vetem ne dekonstruktimin e tyre, por te jemi ne kerkim te thelbesores, te se vertetes "se persosur".
To ELE:
E lexova dy here komentin tuaj dhe nuk po gjej dot ku kemi kundershti ne kete mes. Besoj se kjo ishte edhe ideja qe shpreha me lart, mitet le te ekzistojne, duke patur parasyshe edhe kontekstin ne te cilin ndodhet shoqeria jone e pse jo ne cfaredo lloj konteksti apo momenti historik te cfaredo shoqerie por, sigurisht te synohet thelbesorja, pozitivja. Pra te mos kemi nje personalizim apo keqperdorim te tyre nga klane te caktuara, nga individe te caktuar.
Nje korrigjim te vogel nese me lejoni, meqe po perdorni shume fjale te huaja: "nuk thuhet dekonstruktivizem por destruktivizem". :)
To Noble,
Flmnd per korrigjimin. Pervec fjales dekonstruvizem v destruktivizem - i kerkoj te falur Jacque Derrida dhe gjuhes shqipe ;-))) - nuk besoj se gjuha ime nuk eshte e strukturuar apo e modeluar sipas normatives dhe standarteve te gj.shqipe. Cdo fjale tjeter e "huaj" qe eshte perdorur ne tekstin tim,jane fjale te asmiluara nga gjuha shqipe dhe bejne pjese ne fjalorin "legjitim" te saj (sikurse shumica e fjaleve).
Komenti mbi komentin tuaj, nuk kishte per synim demonstrimin ne rolin e kompetentes - boteformimi im nuk do ma lejonte nje gje te tille - thjesht desha te theksoja nje lloj kontradikte qe ndesha ne te dhe ndoshta te te "ndihmoja" te kritalizoje me mire mendimin tend(kontradikta nuk ka gjithmone ngjyrim negativ, eshte pjese e mendimti tone).
Thelbi i komentit tend ishte qe te mos nxisim misitifikimet identitare, por nga ana tjeter t'i ruajme ashtu sikurse i kemi, mbasi nuk jemi te vetmit dhe kerkonit opinionin e zotit Lubonja se c'mekanizma zevendesues do mund te perdornim duke marre parasysh pozicionimin historik dhe gjeografik te vendit (te pakten keshtu e perceptova une, perceptimi eshte i ndryshem ne lexues te ndryshem).
Thelbi i komentit tim ishte qe konservimi i miteve ashtu sikurse eshte zhvilluar deri tani, nuk duhet t'i sherbeje me hipnotizimit te masave dhe nuk ka rendesi nese keto mite jane te dobishme apo te demshme, etj, etj... ...
Nejse, kerkoj te falur te gjthe bashkebiseduesve per komentin tim te gjate. Noble, besoj se arritem te kuptojme njera -tjetren (tjetrin) deri diku.
Diten e Mire
To ELE:
Flm per komentin dhe dua te them se absolutisht nuk e keqinterpretova komentin tuja; si kunder nuk e kisha aspak me ironi apo tendence korrigjimn qe i bera asaj fjales ne komentin tuaj. Ishte ne sens shakaje prandaj dhe ne fund te komentit tim kisha shkrua " :) " (buzeqeshje).
Ju pershendes!!
Fatos,
shume Boshnjake jane me origjine Shqiptare. Per shembull Legjenda e Gjergj Elez Alise eshte cuar atje nga Ugljanin qe eshte me origjine Shqiptare (nje nip /sternip i tij eshte Minister Serb tani). Shiko ne Sanxhak, Plave e Guci se sa Shqiptare kane humbur vetedijen e tyre dhe jane bere 'Musliman'. Robert Elsie shkruan per kete shume.
Per sa i perket fese, natyrisht qe duhet nje gje e perbashket per cdo shtet, po edhe para nacionalizimit po lexove Byron, Edith Durham dhe te tjeret, Shqiptaret nuk duken si fetare po gati fanatik te zakoneve Shqiptare. Kjo natyrisht, eshte ne pergjithesi, jo te gjithe.
Kush permendi "mitin Katolik", mendo: Sa do ta urresh kete pune (ndoshta se te kujton nje ngjarje te ndodhur ~ para 200 viteve?) feja katolike as na kerkon te flasim Arabisht, as te marrin tradita Arabe as te flasim Greqisht, e as te marrin emra si Kyriakos. Dokumenti i pare shqip ka qene i shkruar nga priftat Katolik, dhe s'po flas per Ndre Mjeden e Gjergj Fishten me shoke. Sa here shkruhet per Nene Terezen quhet 'Albanian,' nuk eshte pak. Po te kishe lexuar rresh pajtimit te gjaqeve ne Kosove me Anton Ceten, do te kish kuptuar se eshte bere ne bashkepunim me Nene Terezen. Gjithashtu, thuhet se ja ka lene amanet Klintonit Shqiperine /Kosoven. Se sa e vertete eshte nuk e di, po permendet boll dhe cdo President Amerikan e ka adhuruar Nene Terezen.
Po ideja qe ne te heqin dore nga 'nacionalizmi,' ne te njetjen kohe kur Greket po mundohen te na qerojne si qepe duke 'konvertuar' Shqiptare eshte qesharake. Keshtuqe Fatosi e te tjeret si Olsi Jasexhi Ottomani te mundohet te na ndajne ne 100 copa, te tjeret te mundohen te na bashkojne.
"By blood, I am Albanian. By citizenship, an Indian. By faith, I am a Catholic nun. As to my calling, I belong to the world"......(Mother Teresa)
albanian descent
indian citizen
catholic nurse
cosmopolitan spirit
Who decides who belongs to whom? She made her choice "I belong to the world"
Me gjak eshte shqitpare, eshte shqiptare, eshte shqiptare. misionii saj ishte kozmik qiellor dhe per politike erligioze ajo thote i perkas botes. cte ke keqe ka le qe eshte e vertete qe eshte shiqptare ti ngresh monument nje legjende. Je nje inferjor je i keq te rren mendja po edhe pas peseqindvjetesh nuk do te jape njeri te drejte.
E mrekullueshme Landi, pyes veten cili ka qene motivi qe i ka shtyre keta qindra mijera shqiptare te lene identitetin e tyre natyror shqiptar e te perqafojne identitetin e sajuar boshnjak. Jo per gje, po nese nje konvertim i tille etniciteti ka ndodhur, ai ka ndodhur pikerisht ne kohen e formimit te nacionalizmave. Ata shqipo nuk u bene as turq, e 'tia shihnin hajrin, e as serbe, konvertim qe do t'u sillte shume perfitime ne shtetin e ri serb, se ishte e qarte pak a shume qe ajo cope toke Serbise do i takonte. Jo, ata ish-shqiptare preferuan te kalonin drejt nje etniciteti tjeter, por jo drejt nje feje tjeter. Pse valle, vras mendjen, kaq i tmerrshem paska qene per ta projekti i shqiptarise? Mos!
Faleminderit, tani prej teje morem vesh edhe pse e paskesh bombarduar Klintoni Serbine, se ia paskesh lene amanet nena Tereze!
Hapini mire sirtaret e kujtimeve te nenes Tereze, se kushedi ndoshta aty gjeni ndonje amanet per Shqiperine natyrale.
Po mire turp kur i nxirrni keto gjera patologjike nga goja nuk kini? Se kjo qe ju beni me emrin e Terezes eshte njollosja e vertete e emrit te saj. E nese nje dite Shqiperia do shperbehet 1000 copesh, nuk ka per te qene as nga Fatosi e as nga Jazexhiu, por nga enderrat e semura nacionalisto-katolike qe ju ushqeni. Nese do vije ajo dite fatkeqe qe enderrat e juaja shqipo-katoliko-natyrore te kene perkrahje masive, atehere nanen Shqipe e pret nje lufte e mire me fqinjet, lufte e cila do na lere jo vetem pa Shqiperi natyrale, por edhe pa kete artificialen. I bukur patriotizem ky i juaji..........
Ne kohen e diktatures edhe mund te ishte e vlefshme kjo qe thuhet per mistifikimin e te shkuares e heronjve .Tani shqiptari qet gruan te prostituoje per leke e nuk i behet vone per mitet.
Z. Lubonja, nje verejtje kam per bibliografine. Ju thoni psh Nataly Clayer, dhe titullin e librit. Por libri ka mbi 500 faqe. Referenca mendoj se eshte per te ndihmuar ate qe lexon se ku ta gjeje citimin tuaj saktesisht pra eshte i domosdoshem numri i faqes apo i disa faqeve. Se po te jete qe te lexoje gjithe librin per te kuptuar citimin e nje autori, kjo nuk eshte racionale.
Besoj se keni shkruar ne revista shkencore dhe kjo eshte nje kerkese elementare per bibliografine
Stefan
Shkrim shume i mire, por kisha nje pyetje per zotin Lubonja:
A keni informacion ne se ka edhe Serbia apo Maqedonia gazetare si ju qe flasin kaq me objektivitet per nje teme te tille delikate?
Dhe nje pyetje tjeter: eshte karakteri servil i elites qeveritare qe propagandon kaq keq identitetin tone "kristian", apo presion i Evropes?
"Nese do vije ajo dite fatkeqe qe enderrat e juaja shqipo-katoliko-natyrore te kene perkrahje masive, atehere nanen Shqipe e pret nje lufte e mire me fqinjet, lufte e cila do na lere jo vetem pa Shqiperi natyrale, por edhe pa kete artificialen. I bukur patriotizem ky i juaji.........."
Hahahaha! Analist i madh qenke. Po te ishte Shqiperia Katolike ne 1912 s'do te kishte as Serbi as Greqi qe do te guxonte te afrohej, shiko ne Evrope se c'jane fuqite e medhe. Per fat te poshtur qeme shumica Musliman ('Turq'), dhe mezi na e dhane nje cope shtet me 40% te territorit tone. Benu Arab dhe ne luften tjeter ne det perfundon, kete radhe edhe Evropa ndihmon Serbin dhe Greqine.
Dhe nje pyetje tjeter: eshte karakteri servil i elites qeveritare qe propagandon kaq keq identitetin tone "kristian", apo presion i Evropes?
C'karakter kemi pra? Shiko ne Shqiperi dhe shiko ne vendet islamike dhe na trego. A ngjame shume me Arabine, Pakistanin apo me vendet e tjera te Ballkanit?
Shiko ne traditat qe kemi dhe na trego, a jemi Islamike apo jo?
Evropa s'te detyron hic: neser mund te deklarosh shtet islamik dhe te lejosh nje grup mjekrroshash te deklaroj c'behet e se c'behet (Fatwa committee) ; largimi i muzikes, busteve dhe fotove eshte #1, me perce e mjekrra te #2. Natyrisht, Fatosi me shoke jane te paret qe do tu mbyllet goja ne shtet islamik, dhe jo me burg. Shaje kuranin ose nje Muhametin si mund te shash Biblen /Jesus edhe shikon se c'te ndodh.
Mos ja ven fajin askujt: Ne na pelqen Evropa (gati 90% duan te hyjne ne Evrope,) parate e Evropes, liria e Evropes per ata duhet imituar stili i Evropes, qe eshte bazuar....a je gati per kete........ne parime KRISHTERE, jo Talibansash. Lexo pak nga eshte marre flamuri Evropian si ide. Po deshte Albanistan populli neser e zgjedh. Natyrisht Evropa s'te pranon ashty sic se pranon Arabia ne shtet katolik ne gadishullin e tyre. Pra zgjedh: Albanistan apo shtet Evropian! U munduam boll te krijojme sistemin tone me Enver Hoxhen. Na doli mire shume
Post a Comment