Wednesday, April 28, 2010

Tranzicion apo kalbëzim*

Në fillim të viteve '90 termin tranzicion e kemi konsideruar si mjaft të gjetur për të shprehur rrugën që do të bënin vendet ish komuniste për të kaluar nga sistemi diktatorial në atë demokratik, nga ekonomia e komanduar në tregun e lirë, nga monopartitizmi në pluripartitizëm, nga uniteti i popullit rreth partisë së vetme në ndërtimin e shoqërisë civile si kundërpeshë e pushtetit etj.. Ka pasur edhe revista me tituj që silleshin rreth fjalës tranzicion, apo rubrika të veçanta në periodikë të ndryshëm siç ka pasur edhe revista që unë drejtoj: Përpjekja.
Ndërkaq, sa më shumë kalon koha aq më shumë e gjej termin të papërshtatshëm për të shprehur atë që ka ndodhur, madje e shoh si një mit që u zhvleftësua shumë shpejt. Gjithnjë e më shumë mendoj si më të përshtatshëm termin bashkëudhëtim. Kam filluar të mendoj prej kohësh për këtë i ngacmuar nga një histori që më ka treguar Gerald Nagler, ish Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Helsinkit. Gjatë një vizite që ai bëri në Shqipëri në vitin 1992 më rrëfeu se në Çekosllovaki kishte takuar Havelin dhe, në bisedë e sipër, e kishte pyetur: "më thuaj çfarë mund të bëjmë ne për ju?" Haveli i ishte përgjigjur: "Më duket se kjo është një pyetje e gabuar: çështja nuk shtrohet çfarë mund të bëni ju për ne, por çfarë mund të bëjmë ne për njëri tjetrin, pasi jemi në të njëjtën barkë."
Mendoj se tek keqkuptimi midis Naglerit dhe Havelit – i të qënit apo jo në të njëjtën barkë - qëndron çështja e kontradiktës që jetojmë edhe sot në marrëdhëniet midis vendeve ish komuniste dhe Perëndimit, e që e ngërthen edhe fjala tranzicion. Sepse vështirë të thuash se çfarë është më e drejtë: të themi se kemi të bëjmë me një gjendje ku  njëra  palë po pret në breg dhe tjera është duke shkuar drejt këtij, nëse jemi në të njëjtën barkë duke lëvizur drejt diku, apo apo jemi në barka të ndryshme duke shkuar madje edhe në drejtime të ndryshme. Këta njëzet vjet kanë treguar se nuk është kaq e thjeshtë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve. Nga këndvështrimi im është më e drejtë të themi se jemi të gjithë duke lëvizur në të njëjtën barkë, disa ndoshta si pasagjerë të klasit të parë, disa të klasit të dytë e të tjerë të klasit të tretë, të gjithë me diversitetet tona, por ama jemi në të njëjtën barkë. Madje edhe duke konsideruar si barkën tonë të përbashkët planetin. Dhe ndryshimi midis të ndjerit në një bashkëudhëtim dhe të ndjerit se dikush pret në breg tjetrin që të vijë drejt tij apo se jemi në barka të ndryshme është shumë i rëndësishëm edhe për të përcaktuar drejtimin se ku po shkojmë.


Trashëgimia nacional – komuniste  dhe tranzicioni

Janë dy faktorët kryesorë që e bëjnë shumë më komplekse sesa lëvizja drejtvizore drejt një bregu të palëvizshëm atë që e kemi quajtur tranzicion. Së pari forca gravitacionale e së kaluarës në këto vende, si dhe, së dyti, fakti se ajo që e kemi quajtur forca tërheqëse, bregu tjetër, Perëndimi, nuk është një gjë fikse, por një “barkë"  që lëviz edhe ai vetë në një mënyrë mjaft kntradiktore do të thoja dhe duke vepruar me gjithë kontradiksionin e vet edhe mbi ne.

Për të përcaktuar kohëzgjatjen e tranzicionit është përdorur shumë këto vjet metafora e Biblës: pse ebrejtë duhet të qëndronin për 40 vjet në shkretëtirë kur rruga për në Izrael ishte shumë e shkurtër? Sepse brezi që kishte jetuar në skllavëri, duke përfshirë edhe Moisiun, nuk mund të prekte tokën e premtuar. Do të ishte brezi i lindur në liri që do ta prekte atë. Sipas kësaj edhe ne, të lindur e rritur në diktaturë, do të na duhen dekada për ta kryer kapërcimin tonë për në tokën e premtuar. Është e bukur por për fat të keq, si të gjitha metaforat  është semplifikuese. Përvoja tregon se koha për të “prekur” bregun e tokës së premtuar mund të jetë edhe shumë më e gjatë sesa ndërrimi i një apo dy brezave.
Pater Anton Arapi shtatëdhjetë vjet më parë, duke përshkruar gjendjen e shoqërisë shqiptare në fillimvitet 40 të shekullit të kaluar, shkruan:
"Vallë, pse tash tridhet e sa vjet të pamvarsisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, per mue, ka nji shkas të vetëm, nji spiegim të thjeshtë: rreziku i ynë (është FL) pse vumë leskër kulturore d.m.th nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshatëm; shndrruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, metëm mrapa; u dhamë randsi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetën sa ma të lehtë, zhvleftësuam jetën vetë. Lavrimi i menjes, trajtimin e vullnesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnuer nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqypni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban gjaku, pora sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dish me u majtë dhe me u dukë i tillë.”
Të bëhet sikur po flitet për Shqipërinë e sotme, sikur të mos kemi hedhur as edhe një hap përpara, përkundrazi.

Pak kohë më parë mora pjesë në një konferencë të organizuar në Itali me rastin njëzet vjetorit të rënies së murit të Berlinit të titulluar “89-ta e gjatë”. Paneli im shtronte pyetjen se çfarë i ka karakterizuar këta 20 vjet: Emancipimi, zhgënjimi apo gatopardizmi (ndërrimi i leskrës). Përgjigja ime ndaj kësaj pyetjeje ishte: pak emancipim dhe shumë zhgënjime për shkak të gatopardizmit. Le ta shpjegoj shkurt se ç’kuptoj me këtë.
Kur flas për gatopardizëm kam parasysh dy gjëra si dy anë të së njëjtës medalje: gatopardizmin e një kulture të trashëguar që vesh pra “leskra” të reja për të mbetur ajo që është në thelb dhe gatopardizmin e elitave që e kanë krijuar e tejbartur këtë kulturë.
Në fakt sfida paskomuniste e transformimit kulturor u ndesh me faktin se institucionet e reja demokratike dhe kultura e re që ata presupojnë nuk se do të duhej të implemetoheshin në një tokë të vigjër, por do të duhej të shartoheshin në trungun e kulturës së vjetër autoritare, nacional - komuniste. Mua më rezulton se, në pjesën më të madhe, ky shartim ka përftuar hibride që kanë rezultuar sterilë, pra pa aftësinë për të përftuar një kulturë vëret të re. Për shkak të kulturës së vjetër të trashëguar nga nacional – komunizmi i cili shumë rrënjë i kishte edhe më thellë: në kulturën klanore të dhunës së më të fortit, pluripartitizmi i posaimplementuar degjeneroi shumë shpejt në konflite partish me të njëjtin program që synojnë të eliminojnë njëra tjetrën në emër të pushtetit për pushtet. Po ashtu në vend të një ekonomie tregu të lirë kemi sot një treg të kapur nga monopole dhe krimi i organizuar të lidhur ngushtë me politikën. Mungesa e kulturës së vetorganizimit e shkatërruar krejtësisht nga totalitarizmi bëri që të kemi një ojqë-izim (të ushqyer artificialisht nga Perëndimi) pa shoqëri civile.
Në këtë kontekst rrënjësh historike konsumizmi i kapitalizmit dhe kultura e tij e vlerave që maten me markën dhe targën e çmimit të mallit në vitrinë, që sot në Shqipëri japin, së jashtmi, përshtypjen e një transformimi të madh, në fakt, thellë thellë, nuk janë tjetër veçse një “leskër” e re që ka veshur i njëjti njeri i vjetër,  pa individualitet dhe pa personalitet, i mbajtur në injorancë nga kastat e reja dhe të vjetra njëherësh.
Kjo faqe e gatopardizmit kulturor ka si faqe tjetër të medaljes gatopardizmin e elitës ish komuniste. Regjimi diktatorial krijoi një elitë pa ndjenjë përgjegjësie ndaj komunitetit, me frikë ndaj pushtetit të më të fuqishmit, të paaftë për t’i rezistuar të keqes, për t’u bashkuar e luftuar në emër idealesh, përkundrazi me një mosbesim të thellë tek njëri tjetri, me  një gjuhë të dyfishtë, çka me rënin e komunizmit solli një formë tjetër papërgjegjshmërie dhe abuzimi me pushtetin: atë të individualizmit ekstrem që u shfaq në formën e abuzimit me pushtetin për qëllime pasurimi personal. Kjo elitë vazhdoi të qëndrojë në pushtet duke ndrruar vetëm leskrat, ndër të tjera edhe ideologjinë e pushtetit, të cilën nga nacional komuniste e ktheu në nacional – evropianiste, por gjithë duke mbetur demagoge, e pasinqertë, e papërgjegjëshme.
Timothy Garton Ash ka përdorur termin “refolution” për atë që ka ndodhur në vendet e lindjes kur ra muri i Berlinit. Me fjalë të tjera nuk ka qenë tamam një revolucion, por një përzjerje e tij me reforma. Sinonime të kësaj shprehjeje kanë qenë sipas meje edhe shprehje të tilla si “revolucioni i kadifenjtë” etj., çka ka pasur anën pozitive, por edhe anën e vet negative, të lidhur me  gatopardizmin e elitës për të cilin bëra fjalë. Në Shqipëri nuk janë bërë studime lidhur me atë se kush përfitoi nga të ashtuquajturit “revlucione të kadifenjta”, por në vende më serioze se ne dhe me disidencë shumë të fortë janë bërë. Në një vend si Polonia rezulton se përfituesit kryesorë të kadifesë kanë qenë ish antarët e partive komuniste. Në Shqipëri kadifeja ka mbështjellë në një shkallë shumë më të lartë elitën ish komuniste. Dhe po ashtu humbësit kryesorë kanë qenë ish viktimat e atij regjimi në një shkallë shumë më dramatike.
Këto janë disa arsye që, sipas gjykimit tim, kanë bërë që, vështruar nga konteksti i brendshëm, ajo që ka ndodhur këto njëzet vjet më shumë sesa me emancipim të shëmbëllejmë me një proces të ngjashëm me kalbëzimin e asaj kufome që vdiq në 1991, por që kishte zaptuar krejt truallin shqiptar me trupin e saj të vdekur dhe që vazhdon të deokompozohet edhe sot.

Perëndimi dhe Tranzicioni

Ideja e Perëndimit si e një bregu të palëvizshëm i shkonte shumë për shtat tezës së Fukajamës në fillimivitet ‘90 për fundin e historisë, me çka kuptohej se bregu i palëvizshëm do të ishin ato që e kishin arritur “tokën e premtuar”: demokracitë perëndimore. Por çfarë po ndodh përsa i përket transformimit të shoqërive ish-komuniste në kontekstin e asaj që quhet  “ndihma perëndimore”? Gjykoj se realiteti është shumë komplek pasi jo vetëm nuk mund të flitet për një Perëndim statik, por edhe pse nuk mund të flitet as për një Perëndim të vetëm. Për të shprehur idenë që kam lidhur me këtë kompleksitet do të përdorja dy filozofë që shprehin dy ekstreme përsa i përket qasjes së transformimit të një shoqërie: Marksin dhe Weberit. Sipas Marksit është struktura (baza ekonomike) ajo që përcakton superstrukturën, çka do të thotë se, për ta tranfromuar një shoqëri, duhet të transfromojmë bazën ekonomike të saj, mënyrën e prodhimit. Weberi në librin e tij të famshëm “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” thotë pak a shumë të kundërtën; se kanë qenë idetë (etika protestante) që ka prodhuar kapitalizmin anglo – sakson, çka, në thelb, shpreh forcën e ideve në trasfomimin e një realiteti. Gjykoj se e vërteta qëndron në të dy anët, por le ta shohim më konkretisht, nën optikën e këtyre dy filozofëve, se çfarë ka ndodhur në një vend si Shqipëria përsa i përket ndërhyrjes/ndihmës së Perëndimit.
Duke iu referuar dy filozofëve në fjalë mund të flitet për dy qasje perëndimore ndaj vendeve ish komuniste si Shqipëria. Sipas njerës, le ta quajmë weberiane, kemi një Perëndim që është përpjekur të implementojë vlerat e idetë e veta në këta vende, të lidhura me demokracinë, të drejtat e njeriut, etj., e, nëpërmjet tyre, të ndihmojë në transformimin drejt demokracisë të këtyre vendeve.  Por, nga ana tjetër, krahas kësaj qasjeje në Shqipëri është zhvilluar një ekonomi e cila edhe pse ka karakteristikat e veta të përcaktuara nga vështirësitë e ekonomisë së dështuar ish komuniste, ndjek edhe ajo një model perëndimor dhe që, sipas qasjes marksiste, determinon shumëçka në superstrukturën e vendit: me fjalë të tjera në idetë, vlerat, etikën, politikën, mediat që janë zhvilluar në këtë vend.
Për t'i rënë shkurt do të thoja se Perëndimi i qasjes weberiane: i implementimit të institucioneve që synojnë të promovojnë e mbrojnë idetë e vlerat humaniste, të të drejtave të njeriut e multikulturalizmit, të lirisë së shprehjes është në vështirësi të madhe për të mos thënë është mundur në një vend ish komunist si Shqipëria nga ajo që është zhvilluar realisht në vend e determinuar nga struktura, baza ekonomike dominante: një ekonomi e kapur nga grupe oligarkësh, një ekonomi e piramidave mashtruese, e trafiqeve të qënieve njerëzore të drogës e prostitucioni e kombinuar me  biznesin “kafsho dhe ik” e me spekulantë gjithfarësh.  Rezultati është se shumë shpejt, sipas qasjes marksiste, kjo lloj strukture ekonomike filloi të determonojë superstrukturën, me fjalë të tjera të diktojë politikën të kontrollojë drejtësinë mediat dhe të kërcënojë tek e fundit liritë dhe të drejtat. Dhe kjo nuk mund të ndodhte pa modelin Perëndimor të neoliberizmin triumfal të pas viteve ‘90, i cili, jo rastësisht, sot është në krizë. Në këtë kontekst gjykoj se në rastin Shqiptar impakti i këtij modeli i imituar në trajtën e tij më groteske   ka  qenë edhe më dramatik për shkak të pasjes si pikë referimi të një vendi perëndimor si Italia. Fakti se një individ i pasuruar në mënyrë të dyshimtë si Berlusconi (sipas burimesh vështirësisht të kontestueshme të shtypit italian nga mafja siçiliane) arriti të ndërtojë perandorinë e tij mediatike për të kapur pastaj edhe kreun e qeverisës dhe që sot po shpërndërron edhe ligjet për të bërë të pafuqishme drejtësinë të veprojë kundër tij dhe sistemit që ai ka ngritur nuk është rastësi. Ky “njeri i ri” i kapitalizmit, që, nëpërmjet atij që e quajta “gatopardizëm kulturor dhe i elitave”  zëvendësoi idealin e njeriut të ri të socializmit  në Shqipëri nuk është rastësisht  njeriu më i votuar në Italinë e sotme. Sipas gjykimit tim ai është shprehja më e theksuar e një procesi kalbëzimi edhe në Perëndim.
Le të sjell një shembull për të ilustruar se deri ku mund të shkojë lidhja e një ekonomie të tillë me politikën në një vend si Shqipëria. Në gjatësinë e një bregu të vogël siç është ai shqiptar, sa një copëz e vogël e brigjeve të Italisë, sot qeveria e Berlusconit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare  është marrë vesh të ndërtojë gjashtë fabrika çimetoje që do të prodhojnë çimento për kompani italiane; një termocentral me karbon në Durrës që do të prodhojë 60 përqind për Italinë; në jug, në gadishullin e Karaburunit, për të cilin emisioni i RAI “Linea Blu” ka bërë edhe një reportazh ku thuhet se është një mrekulli sepse është thuajse në gjendjen që ka pasur bregdeti në kohët antike, një ndërmarrjeje siçiliane i është dhënë e drejta e ndërtimit të parkut më të madh eolik në Evropë që do të prodhojë 100 përqind energji për Italinë, duke shkaktuar një katastrofë përsa i përket peisazhit dhe ambjentit. Po ashtu kryetari i qeverisë shqiptare, Berisha, në mënyrë të vazhdueshme i ka ofruar qeverisë dhe bizneseve italiane truallin shqiptar për ndërtimin e një termocentrali bërthamor që në Itali nuk pranohet për shkak të opinionit publik; në Vlorë është ngritur dhe do të vazhdojë të ngrihet një depo e madhe karburanti për të shpërndarë karburant për të gjithë zonën ballkanike. Dhe, ndërkaq, nuk janë vetëm italianët që ndërkohë që më një anë flasin për integrimin e shoqërisë shqiptare, për demokracinë, shoqërinë civile për revolucionin e tretë, më anën tjetër synojnë me mënyra neokoloniale dhe abuzive ta përdorin tokën shqiptare si kosh plehrësh për atë industri që nuk ua lejon popullsia e vendeve të tyre. Janë edhe austriakët edhe grekët etj. Gjykoj se jo rastësisht fenomene të tilla i sheh edhe brenda Italisë ku, për shembull,  Veriu i pasur shfrytëzon faktin se në Jug pushteti është i kapur nga Camorra për të dërguar atje mbetjet toksike në kurriz të territorit të jugut, por në përfitim të camorristëve që kontrollojnë ekonominë dhe politikën atje.
Sikurse shihet jemi larg të menduarit se jemi në një udhëtim të përbashkët në të njëjtën barkë, përkundrazi kemi të bëjmë me një thellim të largësisë, nëpërmjet politikash neokoloniale.
Gianni Amelio ka qenë profetik në këtë aspekt me filmin e tij LAmerica. Perëndimi ka një kontradiktë të fortë brenda vetes. Sipas gjykimit tim ai, paradoksalisht, ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i dobët me rënien e murit, dmth. bash atëhere kur u mendua si modeli i vetëm për t’u imituar. Sepse Perëndimi me rënien e komunizmit humbi edhe ai diçka shumë të rëndësishme: të majtën evropiane. Kuptohet nuk e kam fjalën për atë që i referohej Bashkimit Sovjetik apo edhe vendeve si Shqipëria. E kam fjalën për humbjen e së majtës si shpresa për të ndryshuar botën, për të ndërtuar një tjetër sistem vlerash nga ato të Perëndimit të neoliberizmit e konsumizmit, të klientelizimit të qënies njerëzore, të thaçerizmit sipas të cilit ajo që quhet shoqëri nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët, që po shfaqet sot në një krizë të thellë.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë gjykoj se aventura mjerane e individit pa shoqëri nuk mund të mjaftojë në këtë botë për t'i dhënë një kuptim jetës, por edhe për t’u përballuar me problemet që kemi në barkën tonë që, duam s’duam, bëhet gjithnjë e më e përbashkët. Pas këtyre njëzet vjetëve duke pas jetuar regjimin komunist dhe këta njëzet vjet kapitalizën perëndimor dhe shqiptar  mendoj dhe rimendoj mbi çka mund të rivlerësohet nga idealet e të majtës evropiane të para viteve ‘90. Shpejt e shpejt do të rreshtoja disa gjëra që, sipas mendimit tim, duhen rivlerësuar: duhet rivlerësuar utopia si shtysë për të ecur, për t’u ndjerë, si individë, pjesë e një projekti që vazhdon edhe pas vdekjes sonë e që na shtyn  të ndërtojmë jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët, jo vetëm sot, por edhe ata që do të vijnë; ideja se barazia është më e rëndësishme sesa pabarazia, se vlerat shpirtërore janë më të rëndësishme se ato materiale; se duhet të ndërtojmë për të gjithë dhe jo sejcili për veteveten; duhet rivlerësuar  edhe internacionalizmi po ashtu, jo si ekspansion i kapitalit që sjell homologim dhe shfrytëzim të pamëshirshëm të burimeve të planetit nga më të fortët, por si refuzim i këtyre formave të reja të kolonializmit, në emër të udhëtimit tonë sa më të gjatë, sa më paqësor e të shëndetshëm, në anijen tonë të përbashkët, planetin Tokë.
Janë këto disa ide që, modestisht, mendoj se duhen rivlerësuar. Por, gjithë duke mos harruar të keqen e së kaluarës që përjetuam. E, përsa i përket kësaj, gjykoj se keqja më e madhe, ajo më e shëmtuara e asaj kohe  ishte nomenklatura: me çka kuptoj një grup njerëzish që instrumentalizojnë një ideal një utopi për pushtetin e tyre dhe të cilët etja për këtë pushtet i çon deri në krime. Për ironi, megjithë ndryshimet e pamohueshme përsa i përket krahasimit të egërsisë dhe krimit, në sistemin që po jetojmë, këtë grup njerëzish sot e gjejmë me emra të tjerë si “oligarkia” apo “kasta” çka duhet të na shtyjë të mendojmë se jemi të gjithë larg atij bregu imagjinar që në fillimvitet ‘90 e kemi menduar se ishte në perëndimin tonë.

Ja pse mendoj se më shumë se çdo gjë historisë së përbashkët që kemi filluar pas viteve ’90 i shkon termi bashkëudhëtim drejt një bote të ndryshme nga kjo që kemi sot. (Korrieri, 27 prill 2010)

*Tekst i shkruar sipas shënimeve të fjalës së mbajtur në takimin “Tranzicionet në pasqyrë”, organizuar nga Ambasada Spanjolle në Tiranë, 11 dhjetor 2009




9 comments:

Anonymous said...

I nderuar Z.Lubonja
Mendoj se analiza e hollesishme e Juaja ngec ne faktin qe ju mendoni se perendimi eshte determinant ne zhvillimin e vendit tone.
Kete klase politike qe kemi ne vetem ne mund ta zgjedhim.Nuk eshte faji i berluskoneve qe ne zgjedhim saliun si kryeminister dhe edin si kryetar opozite.
A mund te me pergjigjeni se ne cilin vend perendimor mund te udheheqe klase politike si e jona.
Qe te jemi te qendrueshem ekonomikisht dhe te mos behemi kazan pleherash i europes ,mendoj qe ky popull NUK DUHET TI SHKOJE NE VOTIME KESAJ KLASE POLITIKE.Nese bejme krahasim me italine duhet ti jepet PD dhe PS aq sa i dhane italianet partive te kraksit dhe andreotit,por ne duke qene popull BALTE shkojme ne votime si ne stadium per tifo ose per perfitime si vendi i punes tej.nuk besoj se ne europe shitet vota per nje numer telefoni si eshte bere tek ne disa vite me pare.
Pra ne thelb mendoj qe ne bejme hapa te vegjel perpara si e kemi standartin ne si shoqeri.
Fajin nuk na e kane te huajt POR VETE NE.

Anonymous said...

nje analize per te patur zili .prna te tilla i duhen shqiperise,bile dhe njerezimit.me vjen keq qe ky ze u fut ne kafaz ne kohen e hoshes.te tille njerez i duhen sot shqiperise qe te ece perpara

Murik said...

Nje kufome qe per Zotin deri ketu ne Amerike kuterbon.Mbaj mend pasi arritem ne France ne Korrik 1990 qe bisedoja me disa franceze dhe une si shumica e shokeve mendonim se Shqiperia si vend i vogel do te zhvillohej shume shpejt.Pothuaj te gjithe jepnim "5 vjet" per ndryshimin e madh.Keta francezet qe i dinin punet me mire se ne, me diplomaci,per te mos na "rrezuar si Zenelin e Migjenit", thonin se te pakten do te duhen 10 vjet per ndryshimin e madh ose per ate qe ne e quajme tranzicion.Ne ate kohe akoma nuk perdorej termi tranzicion,por thjesht thuhej se "do te rregullohet" per kaq apo aq vjet.Me vjen te qesh edhe te qaj per naivitetin tone atehere.Kane kaluar 20 vjet qe nga ajo kohe dhe ndryshimi i madh,tranzicioni me nje fjale ose "rregullimi" nuk po duken.Me vone dikush hodhi idene se aq vjet sa ka zgjatur "dammllaja" komuniste, ose nacional-komuniste sic thote Fatos Lubonja, aq vjet do te duhen per ta sheruar.Pra ne qofte se "damllaja" zgjati afersisht 50 vjet, atehere heqim 20 vjetet e shkerdhatokracise, mbeten edhe 30 vjet te tjera deri ne sherim.Shpresoj qe te jemi gjalle deri atehere,por perseri me duken si pak edhe 30 vjetet qe do vijne per t'u sheruar plotesisht.Sidoqofte le te shpresojme.Jemi mesuar ne me shpresa.Njerez pa kurajo qytetare nuk mund te bejne gje tjeter pos te presin, te shpresojne.Ne fund te fundit kohe te lire kemi me bollek.Vetem tek ne e kam hasur shprehjen "po vras kohen" ne kuptimin literal te fjales.

Unknown said...

Shkrim qe te ben te mendosh thelle dhe gjate. Sidomos me terhoqi deshira e autorit per nje shoqeri qe ka nevoje te vere te perbashkten permbi vetiaken, moralin mbi materialin dhe, ne pergjithesi, nevojen per utopi.
Vetem se ka nje kundershti ne shoqerine njerezore. E keqja ka nje veti qe s'e ka e mira: ajo gjithnje triumfon sepse shtysa per te keqen eshte me e forte se sa e mira. E thene ndryshe, njeriu i "keq" ka nje motivim me te forte ne jete per te realizuar c'ka do, motivim qe vjen ndoshta per shkak te komplekseve (boshlleqeve) te krijuara ne femijeri ose gjate jetes. Kurse "i miri", si qenie e permbushur, nuk i ve vehtes objektiva te medha ne kurriz te grupit. Kjo shpjegon pse Shqiperine e drejtojne te ashtuquajturit "maloke", "skizofrene", ose ne nivele lokale, te ashtuquajturit "jabanxhinj".
Faleminderit Lubonja. Je i madh, por specie ne zhdukje.
Iliri

Anonymous said...

Me behet qejfi se keshtu e ka kjo pune edhe pak me tifozllik. Ju pata quajtur Fatos mendimtari dikur per x shkrime te bukura dhe me kete shkrim jeni fatos mendimtari. Bravo shkrim shum i bukur.

1984 said...

Lubonja, pavarësisht sesa komente mund të ketë blogu, dije se janë shumë aty jashtë që ndajnë të njëjtat mendime e preokupime me ty, edhe pse nuk ndihen.

Anonymous said...

E di si eshte kjo pune, mua me duket se je me fat qe je ne shqiperi. Aty eshte mrekullia artistike, aty mund te krijoje cdo njeri, me te vertete cdo njeri boll te ilustroje/tregoje/vizatoje realitetin kjo ja vlen per fushen e gazetarise se per art te mirfllite artistik prap eshte e lehte. aty eshte drama aty eshte tragjedia, aty eshte idiotsia/groteskia e aty eshte rrumpalla Krijimtari te bmare fatos bobi une jam te shishja e trete e veres. kam ne shume varjante te burgosuirn ose me sakte kam nje cikel me dritare, kam jeten ne drtiare kam nudo kam dhimbje kam dashuri kam ulerima kam v ete jeten si dhe kam qejf te te dhuornj nje pikture si gurisht eq eshte shume e bukur. do te shkruaj perseri. mos te shjoek ne mendje eshte vetem nje dhurate nga nje njeri qe vuan dhe mendojeq piktura me shume ka te be ejme ulerimen time s sea tenden

V. Q. said...

Nderkohe qe Shqiperia ndryshonte ndryshon apo do te ndryshoje ne te ardhmen edhe ai Perendimi i shumelakmuar prej nesh (te prapambeturve) per demokracine , lirine e shprehjes e mendimit etj etj ndryshonte ndryshon dhe do te ndryshoje si rregull i vete ekzistences! Demokracia eshte thjesht nje iluzion (se di a eshte fjala me e sakte) dhe ne te pakten zyrtarisht rendim drejt ketij objektiv qe ne thelb eshte dicka e paarritshme duke pasur parasysh veten tone rajonin dhe vendet qe na rrethojne !

Anonymous said...

I Nderuar Zoti Lubonja,
Qe nje sistem totalitar nuk mund te prodhonte nje shoqeri me vlera kete tashme e dime.
Megjithate eshte e frikshme kjo qe po ndodh tek ne.
Eshte e vertet ajo qe thoni ju zoti Lubonja se ne kutit e zgjedhjeve eshte vene dore,por a nuk e bene vet kodin zgjedhor dy partit e medha te tille qe te vjedhin?
Me cfar te drejte njeri nga hajdutet del e bertet kapeni hajdutin ,vetem pse nuk mundi te vidhte me shume se bashkpunetori?
A nuk eshte turp qe ne si popull te mbeshtesim njerin apo tjetrin hajdut?
A eshte normale ne te lejojme qe politika jo vetem te mos ofroj ,por dhe te pengoj ate pak ecje para ,te pengoj mundesine per te hequr vizat e per ti dhene mundesine njerzve te zhduken nga ky vend ku ,vec ekonomis se keqe qe te pengon te jetosh te neveritet televizori se dalin pa pushim hajdute qe bejne thirrje per mbrojtje te vjedhjeve te tyre.
Ti hapin njeher kutit e Rames ta denojne ate eme tej te hapin dhe te Berishes e ti cojne te dy aty ku e kane vendin.
Per kete duhet te bertasim ne.
sano