Sunday, May 16, 2010

Pasioni i debateve dhe debati i pasioneve

Duhet thënë se për fat të mirë deri ditët e fundit konflikti i provokuar nga greva e urisë ka qenë një konflikt pasionesh pa shkaktuar dhunë fizike dhe pa infektuar pjesën më të madhe të shoqërisë me ndjenja destruktiviteti. Një nga arsyet e këtij kapsulimi mendoj se është fakti se njerëzit janë të lodhur, nuk kanë besim tek forcat politike dhe fjala e tyre, si dhe, padyshim, prezenca gjithmonë autoritare e ndërkombëtarëve, që janë kundër përshkallëzimit të konfliktualitetit në dhunë. Por ama nuk përjashtohet që ky lloj kapsulimi të shpërthejë në konflikt, dhunë e destruktivitet, siç po duket ditët e fundit. Gjykoj se për këtë ndikimin kryesor e ka gjuha e përdorur e cila, siç e ka provuar tashmë historia, duke qenë mjet i fortë ndikimi, mund të bëhet fare lehtë paradhoma e dhunës fizike. Dhe nuk do shumë për të kuptuar se retorika e përdorur nga palët synon nxitjen e pasioneve iracionale të pjesës më agresive të militantëve, çka po sjell dhe largimin gjithnjë e më të madh të mundësisë së dialogut aq të kërkuar nga njerëzit që e vështrojnë së jashtmi këtë konflikt, duke pasur parasysh interesat e tërë shqiptarëve sot dhe nesër.
Para së gjithash më duhet të rithem se, sipas meje, mjeti i parë nxitës që po e kalon gjendjen në iracionalitet është vetë greva. Ndërkohë që mund të jesh dakord me shumë nga kritikat e opozitës, ky mjet i përdorur dhe mënyra se si po përdoret denoncon në një farë mënyrë edhe synimin e vërtetë të opozitës, që nuk është zgjidhja e problemit të votës së lirë, siç pretendon, por nxitja e konfliktit dhe destabilizimit për të arritur përmbysjen e Qeverisë. Historikisht grevat e urisë janë mjete denoncimi e proteste të të dobëtëve që nuk kanë mjete të tjera. Greva e fundit për të cilën kam dëgjuar të flitet është ajo e të burgosurve politikë në Kubë p.sh. Kurse PS dhe aleatët e saj janë larg së qeni të dobët dhe pa mjete. Janë një parti që ka pothuajse gjysmën e Parlamentit, me pushtetin lokal më të madh në duart e saj, me fuqi financiare dhe me mediatike ndoshta edhe më të madhe sesa vetë maxhoranca. Edhe përdorimi i grevës për të kaluar në bllokime rrugësh e ndeshjeje me policinë tregon se greva po përdoret si mjet nxitjeje konflikti të atij që mendon se është më i fortë dhe jo si mjet paqësor proteste i të dobëtit që s’ka mjete të tjera.
Thënë kjo mendoj se edhe retorikat e përdorura gjatë këtij konflikti janë shumë të rëndësishme në rritjen e konfliktualitetit dhe në këtë kontekst nuk do shumë mend për të kuptuar se edhe maxhoranca, megjithëse duket e vendosur të mos i përgjigjet dhunës me dhunë, po shfaq iracionalitetin e saj në retorikat që po përdor, duke e ndihmuar jo pak përshkallëzimin e konfliktit drejt iracionalitetit.
Ky shkrim synon të dekonstruktojë disa elemente të retorikës politike të përdorur nga opozita dhe maxhoranca, me synim kthimin në racionalitet të palëve në konflikt, çka është edhe premisa e parë për dialog.
Le të ve në dukje disa nga retorikat e opozitës dhe maxhorancës, që synojnë të përshkallëzojnë emocionet e të bëjnë njerëzit të humbasin racionalitetin?
Së pari, kur opozita deklaron se përgjegjës për këtë gjendje është vetëm një njeri, Sali Berisha, nuk do shumë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një teknikë propagandistike, që synon të përqendrojë urrejtje dhe emocione negative ndaj simbolit të kundërshtarit, por jo të kërkojë dialog dhe rrugëzgjidhje racionale me një parti që ka shumë mbështetës dhe shumë anëtarë e që, për më tepër, do të mbetet përsëri në Shqipëri edhe pasi të mbarojë ky konflikt.
Së dyti, opozita abuzon me krizën ekonomike që po përjetojnë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, kur ia vesh thjesht e vetëm Qeverisë dhe Berishës. Për çdo mendje sadopak racionale që ka ndjekur e ndjek zhvillimet ekonomike të Shqipërisë është e qartë se kriza ekonomike ka rrënjë shumë më të thella dhe përgjegjësi shumë më të gjera, prandaj t’u premtosh njerëzve se do t’u zgjidhësh krizën po të hidhen në luftë për jetë a vdekje për ty është një spekulim dhe manipulim me emocionet dhe nevojat e tyre.
Së treti, abuzohet me fjalën transparencë me hapjen e kutive kur thuhet se me hapjen e kutive do të marrë fund problemi i votës së lirë të shqiptarëve. Të gjithë e dinë (e këtu kam parasysh edhe mjaft nga ata pasunarë që janë sot në grevë e shumë të tjerë që i mbështesin ata) se është vjedhja e pasurive të shqiptarëve që ka krijuar vjedhjen e votës nga të dy palët dhe se të premtosh se mund të ketë votë të lirë me këtë sistem grabitjeje të shqiptarëve të ngritur nga ata është vetëm spekulim për të paditurit dhe të painformuarit.
Së katërti, është krejtësisht emocional dhe abuziv premtimi se kjo grevë, që sipas të thënave dhe të mosthënave të opozitës do të sjellë rrëzimin e Qeverisë, do të sjellë shpëtimin përfundimtar, pra a thua se me këtë do të zgjidhen të gjitha problemet e shqiptarëve. Tashmë historia ka provuar se nuk ka “luftëra finale” dhe as “ja vdekje, ja liri” por lufëtra të përditshme për më shumë liri dhe më shumë demokraci. Historia ua ka provuar tashmë shqiptarëve se në emër të luftës finale janë bërë shumë krime.
E njëjta situatë, thuajse simetrike, iracionaliteti vihet re edhe në retorikat e maxhorancës. Një mendje racionale nuk mund të jetë kurrsesi dakord me disa nga shtyllat e retorikës së reagimit të PD ndaj aksionit dhe retorikës opozitare.
Së pari, ashtu sikurse me Berishën, në krahun tjetër nuk mund t’i vihet faji i gjithë këtij konfliktualiteti një njeriu të vetëm, Edi Ramës. Deliret dhe etja e tij për pushtet nuk mjaftojnë për të shpjeguar këtë krizë. Ajo është rezultat i një kompleksiteti gjërash që duhen analizuar me hollësi dhe transparencë nga maxhoranca. Ndër këto janë edhe kusuret që e veshin me përgjegjësi maxhorancën në shumë aspekte për të cilat ajo duhet të reflektojë, duke filluar që nga kodi zgjedhor i mbrapshtë që aprovoi, përdorimi selektiv që i ka bërë ligjit për të dobësuar kundërshtarët e deri tek mjaft politika klienteliste e korruptive, që kanë nxjerrë në rrugë me ndjenjë revolte dhe padrejtësie jo pak njerëz.
Së dyti, vërtet nga njëra anë nuk është e drejtë të thuhet se kriza ekonomike buron thjesht e vetëm nga qeverisja e PD, por nga ana tjetër, është iracionale të thuhet se nuk ka krizë, por ka lulëzim, siç shprehet Berisha. Për hir të së vërtetës Kryeministri ndonjëherë e thotë se ende ka shumë për të bërë, se jemi përsëri të varfër, por gjithsesi ai e mohon thuajse kategorikisht një situatë krize ekonomike, ndërkohë që në fakt, ka shumë tregues që flasin se ajo ekziston dhe kërkon reflektim shumë serioz e shumë bashkëpunues për rrugëdaljet prej saj.
Së treti, një nga teknikat e manipulimit të emocioneve që përdor maxhoranca duke e polarizuar edhe më situatën është akuza se kjo që po bëjnë socialistët vjen ngase bijtë e ish-komunistëve duan të marrin pushtetin me dhunë si baballarët e tyre. Në përgjithësi retorika e fajësimit të bijve për krimet e baballarëve synon një prapaprojektim të situatës së sotme në kujtimet e së djeshmes, pra të nxisë ndjenjat e urrejtjes për të djeshmen të një pjese jo to vogël të shoqërisë, duke i bërë ta përjetojnë situatën e sotme si kërcënim për kthimin e së djeshmes. Edhe kjo retorikë kërkon të prekë vetëm emocione. E vërteta është se marrjen e pushtetit me dhunë dhe destabilizim ne e kemi trashëguar të gjithë, si shqiptarë, nga komunizmi e më herët, duke filluar që nga Zogu e Noli. Me destabilizim dhe dhunë e greva e mori edhe PD-ja në 1992, një vit pasi kishte humbur zgjedhjet. Me destabilizim dhe dhunë e mori edhe PS-ja në 1997. Me destabilizim dhe dhunë tentoi ta rimerrte edhe PD-ja më 1998. Dhe, po ashtu, nëse do të kërkosh rrënjët e përkatësisë së liderëve të të dy partive do të gjesh ish-komunistë në të dyja anët, duke filluar që nga Sali Berisha. Prandaj edhe kjo retorikë synon të prekë emocione dhe është jashtë racionalitetit.
Edhe politikat e antimitingjeve të organizuara nga maxhoranca, që synojnë të rreshtojnë njerëzit në kampe, po e rrisin polarizimin dhe konfliktualitetin.
Pra, ndërkohë që vendi ka kaq shumë nevojë për pasionin e debatit të arsyeshëm për të gjetur rrugëzgjidhje, tek ne po ndizet ditë e përditë debati i pasioneve. Dhe ky nuk mund veçse të gjenerojë konflikt dhe dhunë, pasi “debati” i pasioneve, për nga vetë natyra e këtyre, nuk gjeneron arsye, por dashuri, urrejtje e rreshtime emocionale që bëhen gjithnjë e më syverbra kur nuk ndriçohen nga arsyeja.
Gjykoj se është imperative të fashiten retorikat polarizuese të të vërtetave manipulative të pasioneve e të kërkohen të vërtetat e pakundërshtueshme nga arsyeja e shëndoshë e të dy palëve.
E ndër këto të vërteta do të veçoja disa, të tilla si:
Së pari, se transparenca që kërkohet nuk është e lidhur thjesht me hapjen e kutive, por me tërë sistemin elektoral e jo vetëm me këtë, por me tërë sistemin e korrupsionit që ka çuar në vjedhjen e votës e se, prandaj, kërkesa për votën e lirë nuk mund të ndahet nga kërkesa për transparencën e financimeve të partive dhe transparencën e pasurimit të politikanëve tanë.
Së dyti, se përgjegjës për këtë që po ndodh nuk janë Sali Berisha dhe Edi Rama, por edhe të tjerë rreth e rrotull, që kanë edhe ata përgjegjësitë e tyre për mirë apo për keq, e se do të ishte një kthim prapa qoftë edhe sikur zgjidhja të arrihej nga ulja në tryezë e këtyre të dyve pa përfillur institucionet që duhet të kontrollojnë këta dhe partitë e tyre.
Së treti: vendi ka krizë ekonomike, por kjo krizë nuk është thjesht për shkak të Qeverisë, por për shkak politikash të gabuara për të cilat janë të dy palët përgjegjës dhe pikërisht për këtë, duhet të mos e përshkallëzojnë edhe më këtë krizë ekonomike me një konfliktualitet shkatërrues edhe për ekonominë e mbetur më këmbë.
Së katërti, se kjo që po ndodh nuk është një ripërsëritje e luftës midis ish-bllokmenëve dhe antikomunistëve, por një situatë e re në një kontekst të ri ekonomik, social dhe gjeneracional, ku ashpërsia më e madhe nuk vjen as nga ndarja ideologjike dhe as nga ajo e përkatësisë familjare, por nga konflikti i interesave të lidhur ngushtë me pushtetin, nga një sistem ekonomiko-politik i bazuar mbi abuzimin dhe vjedhjen, që sjell pastaj edhe vjedhjen e votës.
Gjykoj se kjo krizë i ka bërë problemet e këtyre të vërtetave e të të tjerave si këto edhe më evidente dhe se, prandaj, nuk është ende tepër vonë për të thënë se kjo krizë na ka bërë edhe mirë sikur palët të kërkojnë të ballafaqohen me to me rrugë racionale. Përndryshe do të jetë tepër vonë. (Panorama, 14 maj 2010)

1 comment:

Glen Llaçi said...

Ore nje pyetje kam une po kete greven ky Edi mos e beri per te shmangur vemendien nga sheshi skenderbe (sheshi! nga kullat qe do beheshin ne shesh me sakte)? apo nje rruge e dy pune?!