Wednesday, January 19, 2011

Tronditje pa revoltë


Nuk ka nevojë të shohësh votime në internet për të nxjerrë përfundimin se numri i atyre shqiptarëve që thonë se edhe pas skandalit të kasetës Meta - Prifti nuk do të ndodhë gjë është më i madhi në numër. Këtë sikur e ndjejmë të gjithë nga përvoja e deridjeshme. E megjithatë pyetja e parë që të vjen ndërmend është: pse ndonëse e dimë fare mirë se çfarë ndodh, ne u tronditëm megjithatë? E shtroj këtë pyetje dhe më duhet të shtoj se  kjo lloj tronditje ka një karakter të veçantë shumë të ndryshëm psh. nga ajo trinditja që ndodhi në Hungari kur doli ai inçizimi ku kryeministri i thoshte një kolegu se e kishin gënjyer me vetëdije elektoratin dhe, si pasojë, njerëzit pushtuan rrugët të revoltuar. Kjo e jona është një tronditje, si ta quaj, e ndrydhur, pa atë ndjenjën e revoltës që të bën të pushtosh rrugët.
Pse kjo tronditje pa revoltë? Përgjigja që të vjen menjëherësh është se tek ne niveli i ndjeshmërisë së shoqërisë ndaj asaj që mund të quhet “skandal” është ulur aq shumë saqë kjo shoqëri mund të quhet në prag të paralizës. Analiza e asaj se çfarë ka ndikuar për ta paralizuar trupin e kësaj shoqërie kërkon më së pari t’i përgjigjemi pyetjes nëse kemi pasur ndonjëherë vërtet ndjeshmëri më të madhe apo kemi të bëjmë me një mënyrë të jetuari prej të nënshtruari ndaj abuzimit të pushtetit, të trashëguar nga komunizmi. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje më duket sa e thjeshtë, kur them se ashtu është, edhe mjaft e komplikuar kur më duhet të them se nuk është tamama ashtu. Sepse rënia e komunizmit do të thoja se edhe çliroi ndjeshmëri të ndrydhura, të paralizuara, ndaj pushteteve abuzive dhe autoritare. Prandaj them se fakti që ato u rimpinë shumë shpejt nën goditjet e reja në forma të reja të pushteti të ri meriton një analizë jo aq të thjeshtë. Për shembull një analizë të veçantë në këtë drejtim gjykoj se meriton fakti se sa ka ndikuar pandëshkueshmëria e djeshme në mungesën e ndjeshmërisë së sotme. Sa psh. ka ndikuar një ngjarje si 97-ta që abuzuesit tanë të mos kenë frikë ta ngulin thikën e abuzimit thellë e më thellë? Sa ndikon fragmentizimi që i ka sjellë shoqërisë sistemi ekonomik në të cilin jetojmë dhe mungesa e strukturimit të atyre që punojnë bashkë?  Vini re: sot nuk mund të flitet më për kolektive punëtorësh që punojnë në një aksh fabrike apo ku di unë ku mund të ngjizej një protestë. Të gjithë jetojnë të ndarë e përçarë si kokrra (e në këtë analizë edhe emigracioni do të kishte peshën e vet); edhe fakti që përballë tyre qëndrojnë të punësuarit në shtet të cilët mund të konsiderohen kokrra të privilegjuarish që duhet të rrinë urtë sepse jeta e tyre varet nga pushteti. Do të meritonte një analizë po ashtu edhe fakti se jetojmë në një sistem që shumicës më të kualifikuar dhe më ambicioze të shoqërisë i imponon, për të mbijetuar, bashkëpunimin me këtë sistem korrupsioni, prandaj dhe bashkëfajësinë.
Ajo çka vihet re përtej analizës së shkaqeve të kësaj paralize të re, si formë edhe e paralizës së vjetër, është se megjithatë tronditja ekziston. Skandali i kasetës Meta - Prifti ka tronditur shumë vetë. Këta të tronditur do t’i ndaja në disa kategori. Në kategorinë e parë do të vendosja ata  që u tronditën jo pse mësuan ndonjë gjë që nuk e dinin, por pasi dalja në shesh e të keqes, që direkt apo indirekt e njohin dhe madje e pësojnë përditë, sikur  i poshtëron dhe demoralizon edhe më shumë duke ua vënë edhe më në dukje pafuqinë e tyre për të reaguar. Kjo kategori përjeton një tronditje ku peshën më të madhe si të thuash e ka poshtërimi e që lidhet sigurisht edhe me mosbesimin tek institucione të tilla si gjyqsori dhe opozita veçanërisht.
Por një tronditje disi ndryshe ka edhe një kategori tjetër.  Kjo është kategoria e atyre që do të thoja se janë ende në  gjendjen infantile në raport me pushtetin e partive dhe liderët e tyre. Këta janë si ata fëmijë të cilëve kaseta u nxorri para sheshit mënyrën se si e “mbajnë familjen” prindërit e tyre: me punë të pista, por edhe që nuk duan ta dinë këtë sepse kështu u tronditet lidhja familjare, besimi që kanë apo duan të kenë për të jetuar. Tek kjo pjesë kemi fenomenin e polarizimit emocional që skandalin kërkon ta shikojë si produkt të armikut, por nuk mund të thuash se për momentin ata nuk janë të tronditur sepse fakti është shumë i pakundërshtueshëm. Kështu që tek tronditja e kësaj kategorie peshën më të madhe e ka turpi, i cili edhe ky e frenon revoltën.
Një kategori tjetër e rëndësishme është ajo e të tronditurve të shtirur: e atyre që bëjnë sikur janë tronditur, por që në fakt u intereson thjesht e vetëm instrumentalizimi i tronditjes. Mjafton të kesh parasysh faktin se kaseta ka një vit që ekziston dhe as nuk ka dalë në media dhe as është çuar në prokurori apo faktin se si një pjesë e saj u pre për të lidhur Berishën domosdo me aferën e tenderit, për të kuptusr se kjo është kategoria e hajdutëve që bërtasin “kapeni hajdutin” të cilët nuk i motivon ndonjë ndjenjë drejtësie prandaj dhe s’mund të jenë vërtet të revoltuar. Fakti që protestat (e vonuara) që thuhet se do të bëhen këto ditë po organizohen nga kjo kategori sikur e paralizon edhe më pjesën tjetër.
Por të gjithë jemi të tronditur megjithatë. Dhe tronditja është një kusht i nevojshëm për të nisur një proces ndryshimi. Pa përjashtuar asnjë formë reagimi personalisht gjykoj se ky proces duhet të shoqërohet me një debat të madh publik që të zbërthejë fëlliqësirën që kemi gatuar këta njëzet vjet dhe njëherësh të denoncojë përgjegjësit kryesorë politikisht, moralisht dhe ligjërisht. Një debat e denoncim që duhet të zhvillohet edhe brenda vetë partive kryesore e jo të devijohet prej tyre në formën e akuzave të ndërsjellta. Në fakt është një debat dhe denoncim që njerëzit e bëjnë përditë me njerëzit më të afërm, por sjellja e tij në skenën e madhe publike sabotohet apo devijohet nga përgjegjësit e së keqes që kanë uzurpuar thuajse krejtësisht skenën publike. E megjithatë gjykoj se ky proces duhet të fillojë të shfaqet sa më parë në skenën e madhe publike që nesër të mos shfaqet në forma të dhunshme e tragjike. (Panorama, 18 janar 2011)
  

4 comments:

Unknown said...

"Tronditje pa revoltë"....
Titull i gjetur. Me pelqen shume menyra se si e trajtoni kete teme.
Mua me duket se ka edhe dicka qe ne nuk duam ta pranojme si shoqeri: Nuk e kemi shpirtin e revoltes.Per te argumentuar kete do te sjell tre fakte historike:
1-U pamvaresuam te fundit.
2-U cliruam kur iku vete pushtuesi.
3-Te fundit e rrezuam edhe komunizmin.

Anonymous said...

Shume faleminderit per kete shkrim zoti Lubonja.
Mendoj se ne vendin tone, pare prej meje qe prej disa vitesh jetoj jashte, ndodhin gjera anormale dhe keto mund te ndodhin vetem ne nje shoqeri te semure dhe jo aktive.
Demokracia lulezon ne nje shoqeri aktive, responsabile, te arsimuar e vetekerkues.

Eshte e cuditshme qe ende sot ne kete vend kemi kryeminister nje person qe deri dje si president i plotefuqishem i republikes lejoj skemat piramidale dhe coi shtetin drejt nje paralise totale
Kemi ne opozite ata qe s'kane lene vende pa marre perqindje interesi ne aktivitet ekonomike - financiare
dhe qe tani po kerkojne te perforzojne pozitat e tyre.
Thuhet se do te kete nje proteste aty nga data 21 janar e drejtuar nga PS e Edi Rama, kjo eshte nje farse dhe nje gje e kote.
I bej thirrje gjithkujt te mos shkoj sepse Rama e Berisha jane e njejta gje jane ato qe quhen "Elite" drejtuese

Eshte nje lufte e veshtire kjo z. Lubonja dhe shoqeria jone duhet te zgjohet para se te jete vone.

Anonymous said...

Cilet jane shqiptaret e sotem pas 500 vjet perandori Otomane e 45 vjet regjimi Enverist e gati 20 vjet pseudo-demokraci ? a kane ata ende te pebasheta vlera fisnike per te cilat gjithandej librat e historise na edukojne e na kerkojne t'na perciellin apo jene tashme vec servila te kapove, partive, te kujt i puneson e u jep mundesi te korruptohne ne kembim te korruptimit ska rendesi cbejne si bejne

Keto pergjime qe u publikuan ne Fiks Fare jane tronditese deri diku per ne qe kemi lexuar lexojme e shohim analizojme dhe kemi arritur ne konkluzion se dhe demokracite me te perfolura e me te reklamuara nuk jane po aq te veteta.
Qendrojne si nje maske dhe shpesh pilotohen nga lobe finanziare - ideologjike.
me pak fjale ate qe Balzak ka thene njehere "Pas cdo pasurie fshihet nje padrejtesi e krim"

Ti kthehemi pak vendit tone.
Sa eshte shqetesues probemi i korrupsionit ? per nje vend te vogel me prodhim kombetar te brendeshem qesharak po ta krahasojme me feqinjet tane evropian drejt te cileve po synojme te shkojme.
Nese ekonomia e vendit paralizohet nga keta narkomane do ti quaja une per interesat e tyre personale cfare mbetet per brezin e ri qe ka nga 2 e 3 doktoratura qe tashme merren kollaj ne kto pseudo-universitete cfare mbetet per pjesen tjeter te njerzve ne nje vend ku nje pakice drejton gjithcka dhe kedo ? Vec therrime buke mbi nje tryeze boshe e s'na mbetet gje tjeter vecse te rrihemi me njeri-tjetrin te pakten marrim pak nga ato therrime te mbetura e te lavdorojme ata qe na i kane lene duke u antarsuar ne parti politike duke mbyllur nje sy ku shohim si vidhet prona publike dhe pasuaria kombetare


Mos valle te respektosh ligjin do te thote jesh budalla e i vonuar menderisht ne fund te fundit ligjin nuk e zbaton vete shteti mjafton te shohim ne cfare nivel qesharake eshte drejtesia shqiptare.
Shume punesohen fale miqesirave e jo per vlerat profesionale e intelektuale qe ata kane.
Ne ato pak sektore private qe jane shumica e te punesuarve as nuk u shkon ndermend te kundershtojne punedhensin e tyre e ne menyre te heshture e mekanike komandon shefi

me pak fjale sa shpresa duhet te kemi per nje te ardhme me te mire ? ne nje vend ku irracionaliteti dhe korrupsioni jane motorret e gjithckaje
Nese ne vendet e zhvilluara ne nje fare menyre korrupsioni mbulohet nga prodhimi i brendeshem (dhe ne keto vende po lindin probleme tashme e ka mjaft te pakenaqur ) sa mund tja lejoj vetes shoqeria shqiptare kete lluks ne nje vend te vogel e me pak prodhim

E vemja zghidhje eshte te ndryshojne ne vetevete si komb e boll pame keta politikane si te derguarit e perendise e mjaft me emigracion skemi lene vend te botes pa shkuar ne kembim te nje jete me te mire kemi lene vendin tone nje vend jetim nje vend mjeran qe vec hesht e pret ndonje lemoshe prej te tjereve
Rritem e me shume kuptoj se jemi nje popull me te vertet i cuditshem e me nje ndienje kombetare pertoke e me nje etike siellje prej jevgu mjafton te shohesh planet urbanistike e qytet tona

Duke shpresuar per me mire duhet luftuar nuk duhet fjetur

Faleminderit

Anonymous said...

Nje person si Ilir Meta nje malok prej Skrapari sote te kete kaq pushtet ? Kush fshihet pas tyre
Nese duam nje vend me te vertet demokratik te gjithe duhet te luftojme per nje sistem te drejtesise jo si ky qesharak qe kemi
te gjithe dujet te lufotjme korrupsionin.
Te luftojme per nje shtet trasparent e per ligje qe bejne trasparent finacimet e partive politike, trasparence ne punesimet ne administraten shteterore .
Te punosohen te aftet profesionalisht dhe jo miqte e mikeshat miqte e miqeve nese kjo nuk ndodh ka vec nje agoni te shoqerise e sdo na mbete gje vecse therrime buke mbi nje tryeze boshe ku sapo hengri nje barkmadh pushtetar i plotfuqishem.
Nje brez i ziri qe ka 2 e 3 diploma po sdi ku ti coj se nuk i lipset askujt.
Nese duam vetet dicka kjo eshte nje zgjithje , te shkosh ne mitingjet e partive eshte lote krokodili
Do te mireprisja cdo lloj manifestimi paqesor ne shesh jashte do partie politike ku mund te ndajme se bashku ide e duke arsyetuar me mendje e jo me barke
ndryshe Tunizia eshte afer sepse kemi ne pushte po ata qe ne 97' na kthyen permbyes gjithe shpresat qe kishim per ket vend
Faleminderit