Thursday, May 12, 2011

Ekuacioni i zgjedhjeve

Pas një periudhe kur u duk se fushata jonë zgjedhore do të përshkallëzohej përsa i përket tensionit, çka e paralajmëruan një numër atentatesh, që nuk dihet pse nuk përfunduan me vdekje, nga fati apo ngase qenë të  programuar për të mos përfunduar me vdekje,  dy javët e fundit u vu re një ulje e tensionit, që duket se po ngrihet pak këto ditët e fundit, por pa arritur nivele që të na bëjnë të frikësohemi. Gjykoj se kjo i dedikohet kryesisht uljes së retorikave armiqësore në të dy kampet që, pa dyshim,  kanë qenë dhe mbeten nxitësit kryesorë të rritjes së tensionit. Por kjo ulje e retorikave, gjithë sipas meje, nuk duhet interpretuar ashtu dhe aq si pjekurim apo ndryshim në mendësi sesa si një lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve nga të dy palët. Kjo është diktuar sa nga presioni i ndërkombëtarëve të cilët u shqetësuan, por edhe u angazhuan seriozisht, të ndalonin përshkallëzimin në fjalë (për këtë kemi të dhëna të sigurta) aq edhe (kjo është një hamendje e imja) si rezultat i këshillave të kompanive që drejtojnë fushatat elektorale të dy partive që duket se kanë venë re se lufta për elektoratin e pavendosur nuk bëhet me rritje të tensionit, por, përkundrazi, duke ia lënë tjetrit nisiativën e sulmeve urrjetëse e ndezëse të tensionit.
Kjo qetësi sikur i ka hequr edhe një lloj sharmi zgjedhjeve tona që kanë qenë interesante nga pikpamja gazetareske edhe për shkak të tensionit. Megjithatë ajo që i bën përsëri shumë tërheqëse dhe interesante është pasiguria e rezultatit. Kjo edhe për shkak të mungesës së sondazheve të vazhdueshme dhe të besueshme çka gjykoj se është një tregues jo pak i rëndësishëm i gjendjes së demokracisë shqiptare. E megjithatë njerëzit duan të dinë: cili do të jetë rezultati e, në mungesë të sondazheve, bëjnë kalkulimet e tyre. Këtë po rrekem të bëj edhe unë me këtë shkrim.
 Nëse do të hartoja një pyetësor nëpërmjet të cilit të mund të përcaktoja se si do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve do të nisesha nga ideja se rezultati i tyre do të jetë rezultante e disa variablave kryesorë.
Në kërkimi të këtyre variablave së pari, do të ndaja konstantet e ekuacionit dmth. elektoratin militant, të përhershëm. Pra një nga pyetjet e para të pyetësorit tim do të ishte nëse kanë ndryshuar ndonjëherë votë apo jo. Ka që i mshojnë idesë se ky është numri më i madh i votuesve. Edhe unë besoj se kështu është, por, megjithatë, ne nuk do të kishim pasur rezultate të ndryshme sikur të mos lëvizte diçka gjatë zgjedhjeve tona. Pra, pasi të përcaktoja ndarjen e militantëve dhe përqindjen e tyre, që ndoshta mund të kapë deri në 85-90 përqind të atyre që do të marrin pjesë në votim, do të më mbetej kërkim i atyre variablave që kanë bërë e bëjnë të ndryshojë qëndrim ai 10 – 15 përqindëshi i mbetur.
Pyetja e parë që do të më jepte një përgjigje për këtë do të ishte ajo që do të më përcaktonte se sa është rritur numri i të pakënaqurve nga qeverisja qendrore që do ta shprehin këtë pakënaqësi me votën e tyre, me fjalë të tjera që kanë votuar PD dhe nuk do ta votojnë më.  Krahas kësaj do të vija edhe pyetjen se sa janë shtuar të pakënaqurit nga qeverisja lokale. Në këtë aspekt gjykoj se ka qenë një strategji e gjetur elektorale ajo e socialistëve që kanë tentuar t’i përçojnë publikut idenë se vota e tyre duhet të jetë një votë kryesisht kundër kundër qeverisë qendrore dhe po ashtu, duke patur parasysh se qytetet kryesore, me në krye  Tiranën, i kanë qeverisur socialistët gjykoj se është e gjetur edhe strategjia elektorale e PD që t’i bëjë thirrje elektoratit të votojnë për ndryshimin në nivel lokal. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst  është se cila ka më shumë peshë: pakënaqësia ndaj qeverisë qendrore apo ajo ndaj pushteteve lokale? Sipas meje më e madhe është pakënaqësia ndaj qeverisë qendrore dhe, duke patur parasysh vetëm faktorin pakënaqësi, socialistët mund të jenë në avantazh në këtë aspekt.
Fill  pas këtij faktori, personalisht do të kërkoja të gjeja një variabël tjetër: atë se sa është konsoliduar pushteti i njërës forcë dhe i tjetrës gjatë këtyre viteve të fundit. Me këtë kam parasysh edhe ato që quhen mundësi manipulimi të votës (jo domoshdoshmërisht të dukshëm e të dhunshëm) që sot për sot do t’i artikuloja me pyetjet të tilla si : kush ka fuqi më të madhe financiare nga të dy partitë? Cila parti ka më shumë mundësi të shpërndajë privilegje e të mira materiale? Cila parti ka më shumë media nën kontroll? Cila parti ngjall më shumë frikë me pushtetin e saj? Në këtë aspekt gjykoj se PD dhe aletatët e saj janë më përpara se PS dhe aleatët e saj.
Raporti i këtyre dy variabëlve sipas meje ka luajtur rolin më të rëndësishëm për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në vendin tonë. Në vitin 2005 PD ishte pakrahasimisht më e dobët sesa PS nga fuqia, por fitorja i erdhi pasi variabli pakënaqësi ka qenë më i madh në 2005 sesa variabli fuqi - duke mos harruar se PS u dobësua në këtë drejtim edhe për shkak të shkëputjes së LSI. Më 2007 pushteti qendror ishte forcuar përsa i përket fuqisë, nuk ishte rënduar ashtu dhe aq përsa i përket pakënaqësisë, ndërkaq Rama kishte ende fuqi të madhe në Tiranë dhe pakënaqësinë në rritje ndaj pushtetit të tij e kishte më të vogël sesa sot. Më 2009 PD bëhet qartazi më e fuqishme se PS si pushtet politik e finaciar, fillon e brazohet si pushtet mediatik ndërkohë që pakënaqësia ka filluar t’i rëndojë gjithnjë e më shumë,  por ndoshta jo edhe aq sa sot. Në prag të këtyre zgjedhjeve gjykoj se pakënaqësia ndaj Berishës është rritur ashtu sikurse është rritur edhe fuqia e tij më anë tjetër, ndërkohë që pakënaqësia ndaj Ramës dhe PS në pushtet lokal është rritur edhe ajo, ndërkohë që fuqia i është ulur si kurrë ndonjëherë
Një variabël i tretë që do ta formuloja në pyetësorin tim do të kishte të bënte me pyetjen: sa ju ngjallin besim të vërtetë për ndryshim për mirë partitë në këtë fushatë elektorale që lidhet edhe me pyetjen se sa do të ndikojë vetë fushata elektorale në rezultat. Gjykimi im është se besimi është jashtëzakonisht i ulët. Përsa i përket opozitës që është kryesorja që duhet ta ngjallë këtë besim do të thoja se, po t’i referohemi periudhës së zgjedhjeve që nga 2005 e këtej, besimi për ndryshim për mirë ka ardhur duke u ulur në mënyrë drastike.  Berisha i opozitës së vitit 2005 ngjallte shumë më tepër besim për ndryshim të situatës së përgjithshme të vendit nga ç’ngjall Edi Rama i vitit 2011. Mjaft të kujtojmë se së pari, Berisha më 2005 ndërmorrri një fushatë të fortë antikorrupsion duke premtuar çmontimin e sistemit të korrupsionit duke pas qenë tetë vjet në opozitë ndërkohë që Rama, duke patur Tiranën, asnjëherë nuk është konsideruar krejtësisht në opozitë dhe akuzohet vazhdimisht për korrupsion; së dyti, Berisha ngjalli besim pasi akuzoi me emra dhe mbiemra jo vetëm liderët kryesorë Nano, Rama etj. por edhe krejt oligarkët e lidhur me ta; dhe po ashtu bëri disa reforma në partinë e tij për të eliminuar të ashtuquajturin “konflikt interesi” si dhe një lloj autokritike, edhe pse indirekte, për të modifikuar imazhin e tij autoritar. Thuasjse asgjë e tillë nuk duket në PS. Premtimi për goditjen e sistemit mungon krejtësisht dhe i gjithë sulmi përqendrohet në një person të vetëm Sali  Berishën dhe ndoshta familjen e tij. As që bëhet fjalë për korrigjime të gabimeve po ashtu. Përsa i përket besimit për ndryshime për mirë nga ana e mazhorancës mendoj se një farë shkëndije ka arritut të ndezë sadopak Lulzim Basha në Tiranë, pasi Rama ka konsumuar aty tre mandate dhe dëmet që ka bërë janë bërë të dukshme për të gjithë, por këto janë shumë pak dhe tejet të pambështetura me argumente për të ngjallur besimin se kjo maxhorancë do të mbajë premtimet për mirë.
Sikurse u përpoqa të ve në dukje tre janë variablet kryesorë që do të ndikojnë në luhatjen e pjesës së pavendosur të elektoratit për të na dhënë zgjidhjen e ekuacionit të këtyre zgjedhjeve: pakënaqësia në rritje ndaj pushteti qendror dhe atij lokal, që i jep epërsi PS, fuqia financiare politike e dy koalicioneve që përkthehet edhe si mundësi manipulimi më shumë të padukshëm sesa të dukshëm, që është në favor të PD, si dhe besueshmëria e premtimeve në këtë fushatë elektorale që në shkallë vendi do ta lija të barabartë për të dy palët.
Sipas meje në këto kushte jemi përpara një loje krejtësisht të hapur.   (Panorama, 6 maj 2011)

2 comments:

Anonymous said...

Shkendije ndryshimesh per mire, nepermjet Bashes? A jeni mire Z. Lubonja?

Nio said...

Z.Lubanja do kisha deshire te dija mendimin tuaj ne lidhje me keto letrat publike te shkruara se fundmi ne shtyp. Megjithese jam studente, keto zgjedhje me kane shqetesuar mjaft duke me futur ne mendime per te ardhmen qe mund te kete Shqiperia ne varesi se si shkojne gjerat. Mendimin tuaj e vleresoj.