Lajmet na thonë se ende pa u futur Lulzim Basha në zyrën e kryetarit të Bashkisë, Jozefina Topalli, apo qeveria, apo të dyja së bashku, kanë rivënë në lëvizje projektin e tyre për shkatërrimin e Piramidës dhe ndërtimin atje të godinës së Parlamentit të ri. Sikurse dihet, Lulzim Basha, kur është shprehur për këtë projekt gjatë fushatës elektorale, ka dhënë një përgjigje që mbështetësit e tij e kanë interpretuar se ishte kundër, jo pro këtij projekti. Dhe kjo kishte një kuptim: sepse ai e dinte se shumica e votuesve, për arsye të ndryshme, që nga ato të lidhura me ruajtjen e kujtesës historike e arkitektonike të kryeqytetit e deri tek ato të lidhura me faktin se një shpenzim i tillë është absurd për një vend që ka një mijë prioritete më të rëndësishme sesa ngritja e një Parlamenti super të shtrenjtë, do të votonin kundër tij. Por, dimë gjithashtu se Lulzim Basha na ka premtuar se do të bëjë një moratorium për lejet e ndërtimit, që do të zgjasë afro një vit, deri në hartimin e një plani urbanistik, të cilin, pastaj ka premtuar se do t’ia nënshtrojë një referendumi. Kurse kjo mënyrë sjelljeje e Topallit të bën të mendosh sikur ajo e ka planin urbanistik të Bashës dhe votën e këtij referendumi në xhep që tani.
Atëherë, si ta komentojmë këtë? E para përgjigje që të vjen është se kemi të bëjmë me mashtrimin e zakonshëm të elektoratit nëpërmjet premtimesh që dihet se nuk do të mbahen. Me fjalë të tjera, me arrogancën e atyre që, pasi kanë hedhur lumin, të thonë “të q… kalin”, ose me “mirësjelljen” e atyre më të moderuarave syresh që të thonë: ju e dini se ne jemi ajo çka bëjmë, jo ajo çka themi dhe e dini mirë se çfarë kemi bërë deri tani, ka qenë e kushtëzuar nga shumë faktorë, jo vetëm nga dëshira e mirë, prandaj na mirëkuptoni për mosmbajtjen e premtimeve.
Këtu, një pyetje e dytë që vlen të ngrihet është ajo nëse Basha bën pjesë në talljen direkte të Topallit & Co me zgjedhësit në Tiranë apo jo? Mendoj se duhet të ndalemi një moment për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje përtej nxitimit të atyre që menjëherë do të thonë: “Pse, kishe ndonjë dyshim ti për këtë?”; apo të atyre që, nga ana tjetër, do të mbrojnë Bashën dhe do të sulmojnë Topallin ose Berishën. Sepse, edhe kur flasim për mashtrim, ky nuk e përjashton inteligjencën njerëzore. Ky akt i Topallit dhe nxitimi që Kushtetuesja të hedhë poshtë padinë e socialistëve për shkatërrimin e Piramidës (që vërteton akuzat se Drejtësia shqiptare është nën diktatin e Berishës), duket shumë poshtë inteligjencës që ka treguar Basha në këtë fushatë elektorale. Boll për hir të gjithë atyre intelektualëve të shquar që e mbështetën Bashën në të ashtuquajturën “Iniciativa për Tiranën”, duhej pritur të paktën edhe ca.
Personalisht, gjatë fushatës kam shprehur dyshimin serioz se shumëçka në premtimet e Bashës ishin pjesë e një shfaqjeje aktoreske që duhej luajtur sa më mirë, për të tërhequr sa më shumë vota spektatorësh. Kjo, kryesisht, duke u nisur nga përvoja e së kaluarës me klasën tonë politike, por edhe nga pabesueshmëria e disa prej premtimeve. Është kjo arsyeja që kam deklaruar publikisht se nuk votoj asnjërën palë, pasi vota është edhe përgjegjësi. Pra, nëse ti i jep votën dikujt dhe nesër ai bën të kundërtën e atyre që i ka premtuar publikut, kjo të ngarkon me përgjegjësi edhe ty që i ke dhënë mbështetje me votën apo fytyrën tënde. E, megjithatë, edhe sikur ta marrim Bashën krejtësisht mashtrues, duke iu referuar inteligjencës që e drejtoi në atë lloj aktrimi, nuk besoj se Basha është ndjerë i kënaqur nga nxitimi i zonjës Topalli & Co për të shpallur fillimin e punimeve për Parlamentin e ri sipas projektit të hartuar për në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërkohë që ai ende s’ka hyrë në zyrën e Bashkisë. Jam i prirur më shumë të besoj se nxitimi i zonjës Topalli & Co kërkon, në fakt, t’i tregojë Bashës vendin: t’i thotë atij, pra, që ta ketë të qartë se ai është një marionetë në duart e udhëheqësve të vërtetë të PD-së, siç ka qenë qyshkur u thirr në KOP-in e famshëm dhe se në Bashkinë e Tiranës do të vazhdojë të luajë këtë rol e të mos e rrejë mendja, siç kanë sugjeruar disa, se ai është fytyra e re e PD-së, e ardhmja më demokratike e saj, numri 2 pas Berishës etj…
E, këtu pyetja tjetër që ngrihet është: po “Doktori”, që dihet se është promovuesi i Bashës e njëherësh më politikan se Jozefina, ç’thotë për këtë akt? Kjo lidhet edhe me një pyetje që është ngritur gjatë fushatës nga mjaft analistë: nëse ishte Basha që e la “Doktorin” jashtë fushatës së tij për Tiranën, në mënyrë që të fitonte më shumë vota, apo nëse ishte “Doktori” që e la Bashën të aplikonte strategjinë e mënjanimit të tij, pasi kjo bëhej kështu më kredibël. Unë gjykoj se “mënjanimi”, nëse mund të quhet kështu, s’bëhej dot pa miratimin e “Doktorit”, i cili ka mësuar nga përvoja që për pushtetin e tij duhet të bëjë edhe sikur shkel mbi veten e tij ndonjëherë. Por, ama, për pushtetin e tij, jo të Bashës. Dhe sërish për pushtetin e tij, mua më duket se nuk i intereson ta poshtërojë Bashën kaq shpejt. Aq më tepër, pasi, sikurse shkruante me të drejtë Shkullaku në “Panorama”, e ardhmja e pushtetit të PD-së vetë do të përcaktohet shumë nga suksesi apo dështimi i Bashës në Tiranë. Atëherë, nxjerrjen e lajmit për Piramidën pa e ulur Basha bythën në karrigen e marrë në mënyrë të padrejtë për gjysmën e tiranasve që kanë votuar Ramën (shtoi këtyre edhe dyshimet e shumicës së atyre që s’kanë votuar), e ka nxjerrë Jozefina me kokë të vet, apo ka dijeni edhe “Doktori”? Unë që kam ngulmuar gjithmonë në idenë se teatri i politikës sonë luhet nga kukulla në skenë dhe oligarkë që tërheqin fijet e tyre në prapaskenë, do të ngrija edhe një pyetje tjetër: po ata në prapaskenë, të cilët presin lejet e ndërtimit e përfitimet e tjera për “investimet” që kanë bërë për PD-në e që janë për pushtetin e “Doktorit”, ndoshta edhe më të rëndësishëm sesa fytyra e freskët e Bashës, ç’rol kanë në këtë nxitim të zonjës Topalli & Co? Nuk mund të japësh një përgjigje të prerë për këtë pyetje. Por, ndërkohë që besoj se ata kanë dorë në këtë punë, dy gjëra më duken të sigurta: së pari, kush mendon se “Doktori” po përgatitet që t’ia lërë pushtetin Bashës e se ky mund të ndërtojë pastaj një parti më demokratike, që do të thotë edhe më në shërbim të njerëzve dhe jo të të fortëve dhe oligarkëve që respektojnë vetëm pushtetin e parasë, kam frikë se gabohet. Basha edhe mund të vijë në krye të Partisë Demokratike një ditë. Por, ashtu si Edi Rama në krye të PS-së, do të vijë kur freskia e shkëlqimi i fytyrës së re të sapopërdorur t’i jetë zvetënuar krejt nga “rrudhat” e “thinjat” e një jete të vështirë nën hijen e së keqes që ka kapluar politikën tonë e që, në fakt, më duket se Basha e ka filluar prej kohësh. Së dyti, sepse është edhe më gabim të besosh se e keqja që ka kapluar politikën tonë mund të kurohet nga ata që vetë e gjenerojnë e se, prandaj, shoqëria duhet të nxitojë të ndërtojë kundërtrupat për ta luftuar atë nëse nuk do të përfundojë nga gjendja e të përgjunjurit në atë të të shtririt krejt përtokë. (Panorama, 11 qershor 2011)
2 comments:
Mendoj se nga te gjithe politikanet shqiptare Basha ka me shume premisa per tu zhnderruar ne diktator!
Me vjen keq qe tashme debati eshte kthyer thjesht ne emra te pervecem te tipit Basha po zhgenjen dhe Rama keshtu e ashtu. Eshte te mos shohesh pyllin nga druret. Mendoj se kemi dy leksione te medha nga keto zgjedhje.
Se pari 30 diteshi i kaluar na thote shume per gjendjen e institucioneve te drejtesise shqiptare, qe jane ne vetvete kyce per nje demokraci te shendoshe e nje shtet te se drejtes. Pas nje sere shkeljesh te renda nga KQZ qe filluan qe me perditesimin e njeanshem te rezultatit zyrtar dhe deri tek akti i vendimit per hapjen e kutive dhe numerimin e fleteve te hedhura gabim kemi vendimet po aq te renda nga kolegji zgjedhor qe legjitimoi vendimet e KQZ me shpjegime legale te qepura shume keq qe reflektonin joprofesionalizem te theksuar. Vendimet e kolegjit ishin nje dite turpi ne historine e drejtesise shqiptare.
Shprehimisht per kedo qe nuk e ha sapunin per djathe ky muaj sherbeu per te pare hapur se sa te manipuluara, te varura dhe joprofesionale jane dhe instancat me te larta te drejtesise. E kjo kur e gjithe vemendja publike ishte e fokusuar tek ta. Imagjinoni c'behet ne instanca me te uleta kur nuk shikon njeri. Pra ato institucione qe duhej te sherbenin si arbitra te paanshem jo vetem qe nuk jane te tilla por cfare eshte akoma me e rende eshte qe as nuk e marrin me mundimin te duken pak si te paanshme. Eshte pra ajo qe vete z. Lubonja e ka thene me pare qe sistemi i arbitrimit eshte teresisht i korruptuar/manipuluar dhe nuk meriton besimin me te vogel.
E dyta, dhe kjo shume e rende ne vetvete, zgjedhjet na tregojne klientelizmin e elektoratit shqiptar. Nje njeri qe i shmanget gjykimit per korrupsion ne rrugen durres-morine nepermjet teknikalitetesh dhe qe ishte minister mbrojtjeje ne kohen qe u kryen kater vrasje votohet nga gjysma e kryeqytetit. Ne cdo vend tjeter ai do te ishte i pavotueshem. Po ashtu pas skandaleve te pastra te korrusionit te eksponenteve te LSI-se kjo parti merr me shume vota... nder te tjerash nga njerezit qe ka punesuar etj etj.
Te shpjegohemi, vete opozita e me konkretisht Rama jane po aq fajtore per kete gjendje ku arbitrat jane kaq te korruptuar e te dobet. Shpresoj se e kane mesuar tani leksionin se nje sistem i drejte arbitrimi duhet me shume se cdo gje tjeter. Por tani nuk eshte momenti per t'ju versulur atyre. Eshte momenti per te fokusuar debatin/kritiken nga personat tek problemet e renda sistemike qe kemi duke filluar nga drejtesia e para.
Post a Comment