Monday, December 28, 2015

Drejtësia Rama dhe Mesia Lu


Në vitin 1991 kam pasur rastin të jem pjesëtar i një takimi që bëri James Bakeri me një grup përfaqësuesish të partive dhe shoqatave opozitare gjatë vizitës së tij të famshme që kujtohet më së shumti për faktin se Sheshi Skënderbe s’kishte parë ndonjë turmë të atillë në mitingun e organizuar nga PD - ndoshta që nga koha e vdekjes së Stalinit. Më kujtohet se në atë takim, që u bë në Hotel Dajti, njëri nga politikanët që ishin aty, kur mori fjalën, i tha Bakerit vetëm këto dy fraza: “Ne prisnim Mesian. Mesia erdhi.”
Kemi qeshur shumë atëherë duke treguar këtë histori me një grup miqsh. E kujtoj si një qeshje me veten, me kondicionin infantil ku na kishte katandisur izolimi gjysmë shekullor. Por ja që, fatkeqësisht, më është kujtuar shpesh kjo e qeshur edhe këto ditë duke parë infantilizmin me të cilin po e trajton shtypi shqiptar ambasadorin Lu kur ky flet në fushatën që ka marrë përsipër të udhëheqë për të shpëtuar Shqipërinë, nëpërmjet reformës në dreqësi - sikur të ishte Mesia që priste miku im një çerek shekulli më parë. Dhe mendimi që më ka ardhur më shpesh ndërmend është: mos vallë që nga ajo kohë e këtej në vend se të piqemi e të bëhemi më inteligjentë jemi infantilizuar e debilizuar edhe më shumë?
Pse e them këtë? Sepse, përveç të tjerash, gjatë këtyre njëzetepesë vjetëve, që kemi dalë nga izolimi, kemi pasur mundësi sidokudo të shohim botën përtej idealizimeve që kishim ndërtuar në izolim. Megjithë respektin që kemi ruajtur për mjaft vlera të demokracisë amerikane kemi pasur po ashtu mundësi të shohim se jo çdo gjë shkon si në më të mirën e botëve në SHBA. Kemi parë se brenda vendit amerikanët kanë gjithnjë e më pak besim në institucionet e tyre pasi gjithnjë e më shumë jetojnë në një sistem që politologu amerikan Colin Crouch e quan postdemokratik – ku 1%-shi ka më shumë peshë në vendimmarrje sa 99 %-shi. Si rezultat i kësaj, së fundi,  po shohim se një trap si Donald Trump rrezikon të bëhet president i SHBA-ve. Kemi parë se duke dashur të eksportojnë demokracinë (ose të paktën duke përdorur këtë parullë) amerikanët kanë shkaktuar katastrofa të vërteta në Lindjen e Mesme si në Irak, Afganistan, Siri, Libi. Por edhe në politikat në Shqipëri kemi parë se shpesh nuk kanë shkëlqyer. Për secilin ambasador mund të kujtosh gafa e gabime që i kanë nxjerrë zbuluar ngjarjet që kanë ndodhur më pas. Pa hyrë në hollësira, pra, dua të them se kemi pasur goxha material për parë me mendje më kritike edhe angazhimin e tepruar të Lu-së për reformën në drejtësi.
Po përse atëherë gjithë ky ekzaltim për çdo fjalë që nxjerr Lu nga goja? Pjesërisht mendoj se infantilët që, si miku im i atëhershëm, vazhdojnë të presin Mesian, kapen si i mbyturi pas fillit të kashtës tek shpëtimtari që vjen nga jashtë. Kurse kur vjen puna për politikanët dhe mediet këtu mesianizmi i Lu-së duhet parë ndryshe. Këtu s’kemi të bëjmë vetëm me infantilë, debilë apo naivë. Këtu kemi të bëjmë edhe me rrufjanë që e dinë shumë mirë se ambasadori funksionon prandaj duhet përdorur, veçanërisht për të manipuluar infantilët. Një shprehja e gjetur e bashkimit të infantilizmit me rrufjanllëkun ishte paraqitja së fundmi në karikaturën e gazetës Mapo e Lu-së si Plaku i Vitit të Ri që u sjell pranga, si dhurata, të korruptuarve - një ëndërr kjo e shumë fëmijëve të rritur shqiptarë. Por, në këtë rast naivi,  sipas meje, mund të jetë ambasadori, që pandeh se është ai që po u ndan dhuratat, ndërkohë që ai s’është veçse një sajim për fëmijët, kurse dhuratat i kanë blerë rrufjanët, prindërit, që e kanë paracaktuar shpërndarjen e tyre. Për të vërtetuar këtë mjafton që Lu të mos flasë vetëm për orët e gjyqtarëve, por t'i bëjë një kthesë makinës me dhurata për andej nga Rolling Hills apo nga Gjiri i Lalëzit, nga Surreli apo nga lagunat e Golemit të shohë se pronë e kujt janë vilat super të shtrenjta, aty: të gjyqtarëve apo edhe të shumë prej atyre që po e brohorasin dhe po e zgjedhin si njeriu i vitit. Do të shohë se sa shpejt do t'ia heqin mantelin e Plakut të Vitit të Ri me gjithë thesin me dhurata që ka në makinë. Do t’i mjaftonte kaq për të kuptuar disi më mirë shumicën e shqiptarëve të heshtur që nuk beson se e ashtuquajture reformë në drejtësi qenka ilaçi shpëtimtar që do ta nxjerrë Shqipërinë nga koma ku e ka futur kasta që e drejton vendin çprej 25 vjetësh.
Në fakt për këta shqiptarë kjo është një e vërtetë evidente nga ato që s'duan fare diskutim: siç është p.sh evidente që nuk ka gjasë që çakalli ta hajë ujkun pa qenë ky i vdekur. Megjithatë, për hir të ambasadorit, le të përpiqem të arsyetoj se pse nuk ka gjasa që çakalli ta hajë ujkun pa qenë ky i vdekur.
***
Po e nis arsyetimin tim duke venë në dukje faktin se ndërhyrja e ambasadorit Lu - dhe e shumë të huajve të tjerë në punët tona të drejtësisë, që kanë mbërritur deri në deklarimet e disa ambasadorëve  se duhet pushuar nga puna e tërë skota e gjyqtarëve shqiptarë - flet se ne nuk jemi një shtet demokratik i së drejtës, por më së shumti një regjim i së padrejtës. Jo vetëm pse në një vend ku nuk ka drejtësi nuk mund të ketë as edhe demokraci, por edhe sepse vetëm në vende të tilla amerikanët i lejojnë vetes të bëjnë ndërhyrje të tilla në punët e brendshme. Pra jemi në një regjim që dikush e quan oligarkik, dikush bandokratik, dikush shtet i kapur nga mafja, ku një gjë është e sigurt përtej epiteteve: se kasta në pushtet gëzon pandëshkueshmëri të plotë edhe pse është e ngarkuar deri në grykë me vjedhje dhe abuzime. Pyetja që ngre unë është: në një vend ku sundon një regjim i tillë a mund të kryhet ndryshimi nëpërmjet një reforme në drejtësi ndërkohë që ndërtuesit e këtij regjimi kriminal mbeten në pushtet? Jo. Përvoja tregon se ndryshimet e vërteta në regjime të tilla sillen nëpërmjet lëvizjesh politike. Kohëve të fundit në botë kemi parë mjaft lëvizje kundër korrupsionit dhe abuzimit të kastave në pushtet në disa vende të Afrikës Veriore ose edhe në vende si Greqia, Italia, Spanja. Po të përpiqemi të kategorizojmë regjimin në Shqipëri, duke iu referuar këtyre modeleve, mund të thuhet se abuzimet e kastës tek ne, për nga dëmi i abuzimit, janë më afër atyre të vendeve të Afrikës veriore sesa të Greqisë, Italisë apo Spanjës. Gjithsesi, në të dy rastet, nuk kemi parë drejtësinë të vihet në lëvizje për të sjellë ndryshimin, por politikën.  Nga sa di unë një lëvizje që ka namin se ka lindur nga drejtësia është ajo e "Duarve të pastra" në vitin 1992 në Itali, që mban edhe emrin e Di Pietros. Por e vërteta e saj është se edhe ajo ka lindur nga ndryshime të rëndësishme politike në atë kohë si rezultat i dobësimit të sistemit të tangentopulit pas rënies së Murit të Berlinit dhe, megjithatë, sot konsiderohet si një revolucion i dështuar. Vetë fakti i dominimit të politikës italiane pas "Duarve të pastra" nga një njeri si Berluskoni, me një të kaluar krejtësisht të errët, deri me lidhje mafjoze, flet për dështimin e idesë se një vend mund të shpëtojë nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin nëpërmjet proceseve gjyqësore.
***
Dikush mund të thotë se lëvizjen politike kundër kastës po e bëjnë ambasadorët në Shqipëri. Nuk mohet se ajo që po bëjnë ata është politikë, presion politik. Por që këtë presion ta quash lëvizje nuk ka gjasë ta mendojë kush. Në fakt është gjëja më antilëvizje dhe më antidemokratike që mund të mendohet sepse jo vetëm diktohet nga lart poshtë në mënyrën më elitare por, sikurse e thashë, drejtohet edhe kundër një targeti sekondar, prandaj të gabuar. Dhe si e tillë është e destinuar të dështojë. Kush nuk e beson këtë që po them le të shikojë Kosovën ku të huajt, megjithëse kanë pasur dhe kanë  shumë më tepër pushtet sesa në Shqipëri, po bëjnë një vërrë në ujë kundër korrupsionit të kastës në pushtet. Madje gjithnjë e më shumë akuzohen se janë korruptuar prej saj.
Një varianti i dytë është që ambasadorë besojnë se në Shqipëri lëvizja politike antikorrupsion është Rilindja e Edi Ramës, por se ajo do edhe një dorë nga jashtë që të kryejë pastrimin e kastës së të korruptuarve të përbërë nga partia e Sali Berishës dhe partia e Ilir Metës. Sipas meje këtë variant kërkon t'i shesë Rama opinionit brenda dhe jashtë vendit me tellallët e tij jashtë dhe brenda vendit duke krijuar një klimë mbytëse për këdo që ve në dyshim reformën, apo kërkon thellim dhe debat. Mirëpo kjo bije ndesh me faktin se Rama dhe rilindasit e tij kanë të njëjtën dashuri për korrupsionin si ajo që ka Berisha e Meta me të tijtë, në mos edhe më të madhe, çka ne shqiptarët e thjeshtë jo vetëm që e dimë çprej kohës kur Rama drejtonte Bashkinë, por e kemi parë edhe kur e mbushi Parlamentin me kriminelë dhe po e shohim përditë edhe sot me tenderat dhe koncesionet ku 47% janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë – gjë që s’ka bërë vaki as në kohën më të errët të korrupsionit në Shqipëri.
Por atëherë si ta shpjegojmë këtë aleancë të Lu-së dhe ambasadorëve të tjerë me Ramën kundër korrupsionit? Mbetet ajo që thashë se Donald Lu, me dashje apo pa dashje, është shoferi që po e çon makinën me thesin me lodra në drejtimin e gabuar të përcaktuar nga rrufjanët duke u vënë kësisoj në shërbim të bandës së Ramës që, pasi ka marrë në dorë thuajse të gjitha mediat, të gjithë bizneset, të gjithë universitetet private, thuajse krejt shoqërinë civile (gjëra që çuditërisht nuk e prekin fare ambasadorin) kërkon të marrë në dorë edhe Prokurorinë dhe Gjykatat. Është një skenar që nuk dihet se ku mund të na çojë, por sigurisht jo në më shumë drejtësi por, pas shumë gjasash, në një drejtësi edhe më të komprometuar dhe më të korruptuar nga pushteti. Mund të na çojë një “pastrim” të Shqipërinë nga armiqtë e klasës – bandës, por mund të na çojë edhe drejt një destabilizimi, sepse do të doja ta shikoja një Ramë që, pasi merr në dorë koburen e drejtësisë me ndihmën e ambasadorëve, guxon të shtijë vërtet me të për të vrarë Metën, Berishën e gjithë ata rrotull tyre. Do të doja të shihja edhe se cilët janë ata prokurorë dhe gjyqtarë që do të marrin përsipër një selektivitet të tillë. Është një skenar i njohur ky për ne, që dikur, me dashje apo pa dashje, e ka gatuar edhe një azmbasador tjetër amerikan, Rajersoni.

Si përfundim, duke pasur parasysh gjithë sa thashë mendoj se është naivitet dhe padituri të besosh sot se në Shqipëri disa prokurorë apo gjykatës, që nuk u dimë as emrat do tu bëkan, befas, nëpërmjet një reforme, kaq të fuqishëm saqë të fillojnë të ndryshojnë gjendjen e vendit duke e pastruar atë nga krimi dhe kriminelët në politikë, media, ekonomi. Sipas meje nëse duam vërtet të ndryshojmë gjendjen e vendit për të ecur përdrejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës na duhet të mendojmë një proces ku institucione të tilla të demokracisë që presupozohet se duhet të jenë të pavarur dhe të kontrollojnë njëri tjetrin si Ekzekutivi, Legjislativi, Mediet, Drejtësia, Shoqëria Civile por edhe Tregu do të ecnin përpara bashkë dhe të ndara si anijet në një flotë dhe jo të mendojmë se mund të vëmë anijen e Drejtësisë të ecë në drejtimin e duhur ndërkohë që gjithë të tjerat, të kontrolluara nga një grusht super të pushtetshmish, të lundrojnë në drejtimin e kundërt. Dhe, që të ndodhë kjo, e para gjë që duhet bërë është denoncimi i ecjes mbrapsht të të gjitha anijeve nën drejtimin e një kaste që po ngushtohet dhe komprometohet gjithnjë e më shumë; e pastaj, inkurajimi i një lëvizjeje politike edhe brenda, por veçanërisht jashtë partive ekzistuese, që të kërkojë të zhveshë nga pushteti të denoncuarit dhe t’i japë rrugë ndryshimit të drejtimit të anijeve. Vetëm atëherë edhe anija e drejtësisë do të fillojë të ecë në drejtimin e duhur.
Përndryshe, shumë shpejt pas Lu-së, si infantilët dhe rrufjanët do të fillojmë të presim një tjetër mesi amerikan me tjetër emër. (Panorama, 28 dhjetor 2015)

No comments: