Wednesday, February 7, 2007

Tirana dhe ndërtesat e komunizmit

Duke parashtruar projektin e tij të rikandidimit për Tiranën, kryetari i aktual i bashkisë Rama tha midis të tjerash diçka që, sipas meje, duhet të tërhiqte vëmendjen edhe të publikut, edhe të kundërshtarit. Problemi që kemi ne - tha Rama - janë ndërtimet e kohës së Hoxhës, të cilët janë të shëmtuara dhe janë bërë edhe më të shëmtuara me shtesat e ndryshme, por po të punojmë mbi to me ngjyrën, Tirana do të bëhet qyteti më turistik në Ballkan.

Ky pohim më duket se flet për një vizion krejt jashtë realitetit dhe problematikës së kryeqytetit e që ve në dyshim edhe ndonjë ide të projektit që mund të dukej pozitive.

Në dy aspekte më duket shqetësuese kjo ide. Së pari, mungesa e vetëdijes së kandidatit për të tretën herë se problemi që ka sot kryeqyteti nuk janë ndërtesat e Hoxhës, por e kundërta: ndërtesat e reja, shumica të ndërkallura midis ndërtimeve të komunizmit. Është e vërtetë se shumica e ndërtesave të komunizmit nuk kanë vlera arkitektonike dhe se shtesat e mballomat e ndryshme i kanë bërë edhe më të shëmtuara, por gjithsesi shumica e tyre janë ndërtuar me një koncept urbanistik shumë më të shëndoshë sesa ai që po përdoret sot. Në ndërtimet e komunizmit është ruajtur, të paktën, raporti ndërtim-gjelbërim si dhe dendësia e banorëve për kilometër katrorë. Ato jo vetëm nuk kanë lartësira të mëdha, por në mes të tyre janë projektuar edhe parqe e lulishte, edhe fusha sporti, edhe çerdhe e kopshte e shkolla. Kurse me ndërtesat e sotme si pyka të larta të futura mes tyre, shpesh mu atje ku ka pasur lulishte apo fusha sportive, (që duhet thënë se pararendëset i kanë në shembullin më të keq të komunizmit, tek ndërtesat me punë vullnetare) janë shkatërruar këto hapësira publike aq të domosdoshme duke ndikuar jashtëzakonisht, jo vetëm në uljen e funksionalitetit e të cilësisë së jetës së banorëve, por edhe estetikisht. Pra, edhe nga pikëpamja estetike si grup ndërtesash apo blloqe banimi, megjithë mungesën e vlerave arkitektonike, një pjesë e ndërtimeve të komunizmit qëndronin më mirë siç ishin sesa ajo çka ka dalë nga kombinimi i tyre me ndërtimet që janë kryer sot në Tiranë. Kjo edhe sepse ndërtimet e ndërkallura mes ndërtesave të vjetra nuk janë projektuar duke kërkuar vlera arkitektonike, por ashtu që t'iu përshtaten truajve të nxjerrë si sheshe ndërtimi nga sekserët e Bashkisë pa marrë parasysh se çfarë ka përreth dhe çfarë do të ketë, sepse pa plan urbanistik. Ato janë projektuar e kanë marrë atë formë që kanë vetëm me pikësynimin që të nxjerrin sipërfaqen maksimale të banimit me qëllim fitimin maksimal nëpërmjet shitjes së tyre. Edhe në rastet kur ndonjë prej këtyre ndërtimeve ka njëfarë vlere në vetvete - siç mund të jetë Torre Drini - ato janë vendosur krejtësisht jashtë kontekstit përreth, duke e shëmtuar atë. Pra edhe kur flitet për estetikën jashtë funksionalitetit - çka në arkitekturë nuk ndahen - kemi të bëjmë me një përkeqësim në raport edhe me komunizmin. Me një konceptim urban normal blloqet e ndërtesave të komunizmit duhet të konsideroheshin si zona të mbyllura arkitektonikisht. Ato ose do të duhej të shembeshin krejtësisht në blloqe të caktuara dhe atje të projektohej e ndërtohej diçka e re ose - çka më duket më e arsyeshmja - do të duhej të restauroheshin e të rivlerësoheshin, duke kuruar edhe zonat publike midis tyre. Një gjë e tillë psh. është bërë me ndërtesat e komunizmit në Berlinin lindor me shumë sukses. Kurse ne nuk kemi bërë as njërën, as tjetrën. Ne thjeshtë kemi mbivendosur dy shëmtira njëra mbi tjetrën duke e bërë Tiranën dy herë të shëmtuar.

Së dyti, është shqetësues vizioni që ka kryetari për bërjen e qytetit tërheqës për turistët nëpërmjet lyerjes së ndërtesave të komunizmit. Kudo në botë një qytet është tërheqës për turistët, kur ai ka veçantinë e vet e cila lidhet më së pari me historinë e vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit. Tiranës këto kanë ardhur duke iu pakësuar dita-ditës edhe në sajë të punës shkatërruese që ka bërë kryetari aktual. Aq e vërtetë është kjo saqë nëse në dy fushatat paraardhëse është folur për ruajtjen e tyre (në të parën Rama hodhi idenë e kthimit të qendrës historike në identitet, kurse kundërshtari Mustafaj foli gjatë për ruajtjen e shtëpive të vjetra të Tiranës, kurse në të dytën kandidati kundërshtar i Ramës, Ngjela, i mëshoi shumë shkatërrimeve të vlerave historike) në këtë fushatë të tretë të Ramës dhe Olldashit nuk flitet fare për ruajtjen e vlerave historike që kanë mbetur. Një qytet, përveç pasurisë arkitektonike që lidhet me historinë e tij, mundet të jetë turistik edhe për kulturën që mbart brenda, ku, mbi të gjitha, kam parasysh muzeumet e ndryshme si ato etnografike, arkeologjike e me radhë apo muzeume të artit të këtij vendi. Edhe në këtë aspekt Tirana është qyteti më joturistik në Ballkan. Ishte domethënës fakti që ndërkohë që studentë e pedagogë të Universitetit të Tiranës, me në krye Rektorin, protestuan disa ditë më parë kundër një projekti që parashikon prishjen e Muzeumit të Shkencave të Natyrës, të dy kandidatët mbajtën heshtje varri ndaj kësaj proteste. E pra bëhet fjalë për një ndër muzeumet e pakta që i kanë mbetur kryeqytetit, ku gjendet flora dhe fauna e Shqipërisë. Por duket se përbindëshi katërkëmbësh shkatërrues i qytetit që ka funksionuar këto 15 vjet: sekser - pronar - Bashki - ndërtues, e ka planifikuar shkatërrimin e tij, cilido qoftë kryetari i ardhshëm.

Mërëpo, duke i dikur këto, Rama kërkon të na mbushë mendjen se qyteti do të bëhet i veçantë dhe më turistiku i Ballkanit në sajë të ngjyrave që do t'u veshë ai ndërtesave të kohës së Hoxhës. Megjithëse bir skulptori, ai harron, ose bën sikur harron, se arkitektura është një art që afrohet më shumë me skulpturën sesa me pikturën, që flet me format e volumet e ndërtesave, me raportet dhe dritëhijet midis tyre, me materialin me të cilin ndërtohen më shumë sesa me ngjyrën me të cilën lyhen ato. E këto, siç e thashë më sipër, janë në gjendje katastrofike. Nuk gjen një grup ndërtesash në Tiranës që të qëndrojë mirë estetikisht. Qyteti edhe estetikisht, pra, është bërë më i shëmtuar sesa çka qenë edhe në kohën e Hoxhës. Për shembull e gjithë zona e asaj që quhej Tirana e Re e ndërtuar kryesisht në kohën e komunizmit jo vetëm është bërë e pabanueshme nga pikëpamja e funksionalitetit, por edhe estetikisht është një shëmtirë. Poende, ne e kemi provuar tashmë lyerjen e qendrës dhe s'kemi parë ndonjë sukses turistik, megjithë mobilizimin propagandistik të kryetarit në botë me artistë dhe intelektualë të vënë në shërbim të tij. Për këtë do të duhet që kryetari të bëhet edhe më i famshëm nga ç'është bërë, aq i famshëm si artist, saqë e tërë bota të vijë në Tiranë për të parë ngjyrat e tij dhe të grupit rreth tij. Por fatkeqësisht ai ka marrë përsipër të drejtojë Partinë Socialiste dhe vështirë se problemet e shumta që ka ajo parti do t'i lenë kohën, qetësinë dhe frymëzimin e duhur për të arritur këtë nivel të lartë artistik. Aq më tepër po të kemi parasysh se ky art i tij është në luftë me natyrën sepse shirat dhe dielli i kanë përvjellur tashmë ngjyrat e qendrës. Jo vetëm kaq, por sipas mendimit tim, kjo puna e lyerjes së ndërtesave të Hoxhës me ngjyra-ngjyra mund të jetë e suksesshme në ndonjë bllok, por lyerja e tërë qytetit ashtu e karikaturizon qytetin. Madje-madje një turist serioz dhe i kulturuar edhe kur bëhet fjalë për ndërtesat e komunizmit do të ishte i interesuar t'i shihte ato në identitetin e tyre të asaj kohe dhe jo të karikaturizuara sipas shijeve të një njeriu që kërkon të bëjë njëkohësisht edhe artistin edhe kryetarin e Bashkisë edhe kryetarin e Qeverisë.

Në fakt Tirana është dhe do të mbetet një qytet shumë më pak turistik jo vetëm në raport me shumicën e qyteteve të Ballkanit, por edhe më pak se shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Ajo është më pak turistike sesa Gjirokastra, Berati, Korça Shkodra, Durrësi, Kruja, Elbasani mu pse i është shkatërruar historia dhe kultura që ka trashëguar nga dyndjet e vazhdueshme të barbarëve injorantë që e kanë pushtuar atë ndër të cilët, fatkeqësisht, bën pjesë edhe kryetari në fjalë. Ndoshta ajo mund të tërhiqte vëmendjen e specialistëve të urbanistikës me shëmtinë e saj, për ta treguar si shembull fatal se si mund të zhvillohet një qytet në një shoqëri të mbetur në izolim kulturor dhe të paaftë për të ndërtuar shtet edhe demokraci njëherësh. Sa për turistët kryetari duhet t'i harrojë. Turisti nuk mund të mendohet veçse si një këmbësor që shëtit me aparat në dorë në qytet kurse Tirana është një qytet ku qytetari nuk mund të ecë dot më në këmbë për shkak të kaosit urban, trafikut të çmendur, pluhurit, plehrave e kutërbimin e tyre e mungesës dramatike të zonave të gjelbra. Qytetari tiranas kur del jashtë nxiton të kthehet në shtëpi ose të futet në kafene se s'ka ku të rrijë tjetër e jo të kundrojë ngjyrat e kryetarit. Prandaj projekti për Tiranën do të ishte mirë të fillonte nga një ide e thjeshtë: si ta bëjmë qytetin tonë për ne qytetarët e saj pak më të ecshëm më këmbë që kështu edhe të mund të shijonim ndonjë bukuri të saj. (Gazeta Korrieri, e Marte, 06 Shkurt 2007)

2 comments:

ET said...

Shqetesim i drejte dhe analize si gjithmone e sakte.
Por, per mendimin tim lobi i ndertusve eshte e do te jete perhere me i fuqishem se ç'do kryetar bashkie.
Nga larg, me duket se ndertimi, ne mos i vetmi eshte aktiviteti me i madh ne Shqiperi.. :(

Anonymous said...

Analizë shumë e drejtë, sa për shqetësim, shqetësuese ka qën ajo që me kohë. Por kjo nuk është vetëm për Tiranën por për të gjithë Shqipërin, në çdo qytetë i shikon ato ndërtimet e sotme që u ngjiten në cdo cep ndërtimeve të vjetra. Për mendimin tim këtë ndërtime nuk po e ndryshojn aspak pamjen e një qyteti apo të një tjetëri. Po ne kështu e kemi e ngatërrojm të shkuarën me të sotëmen dhe e nesërmja thjesht quhet "djesot", pse nuk vepron qeverria, kadastra, urbanistika e ku di unë më të tje e etjera, ku janë këta njerëz që duhen ta ndajën të djeshmen nga e sotmja, ky është qyteti i vjetër dhe pikë, do të bësh lagje të re, qytetë të ri të "demokracis" ja toka ja urbanistika dhe ndërtoje 8 katësh apo 10 por jo ne letëra ësht 8 katësh dhe ai bëhet 10-ç. Shumë tokë në Tiranë apo në qytete të tjerë është zaptuar nga popullsia për të ndërtuar një copë shtëpi si mos më keq, po të ishte vepruar si duhet në vend të atyre shëpive të shëthurura duhet të ishin ndërtuar ato apartamenter shumë katësh, e jo të ndërtoheshin në urbanistikën e vjetër. Urbanistika e vjetër e mirë apo e keqe apo e shëmtuar mbanë historin, kulturën e të shkuarës, por këta që na drejtojën e që ne i votojm nuk mendojën për të shkuarën, por duhet ta dinë se një vend pa të shkuarë nuk as të ardhme.