E kam fjalën për një ngjarje që në Perëndim është aq e njohur, saqë për ta përmendur, mjafton vetëm shifra “68”. Përkujtimi i 40-vjetorit të saj këtë vit u quajt “ngjarja mediatike e vitit” në Perëndim. Kulmi i këtij përkujtimi ishte maji, sepse në këtë muaj, më 1968, ndodhën në Paris revoltat studentore që u shoqëruan me grevën më të madhe të punëtorëve në Evropën e shekullit XX, që rrëzuan De Golin. Por kjo ishte vetëm njëra nga ngjarjet e një reaksioni zinxhir që kishte përfshirë Perëndimin. Nuk kishte ditë të majit, që mediat perëndimore të mos kishin të paktën një material që të përkujtonte, analizonte dhe komentonte këtë ngjarje, që ndryshe e quajnë edhe revolucioni i 68-ës, pikërisht për ndryshimet paradigmatike që solli në jetën kulturore, sociale dhe politike perëndimore.
Duke ndjekur sadopak këto përkujtime mediatike në Perëndim, nuk mund të mos prekesh nga mungesa totale e çdo gjurme të kësaj ngjarjeje në kujtesën kolektive të shqiptarëve, që e tregoi më së miri edhe mungesa totale e përmendjes së përvjetorit të saj në mediat shqiptare. Është një mungesë që vlen të komentohet, pasi flet shumë.
Më së pari vlen të komentohet në kontekstin e asaj, se kohët e fundit, madje për ironi, pikërisht në maj, pas ftesës për në NATO, është folur aq shumë në mediat tona nga elita politike e kulturore për kthimin e shqiptarëve, më në fund, në “brigjet” e familjes evropiane, pas një lundrimi të gjatë shekullor në ujëra të turbullta. Por mungesa të tilla si ajo e 68-ës, që tashmë bën pjesë në ADN evropiane, provon edhe një herë, se ai që e kemi quajtur identiteti evropian, nuk është një gjë e dhënë një herë e përgjithmonë, - që nga koha e ilirëve për disa, që nga ajo e Skënderbeut, për disa të tjerë apo e përcaktuar nga gjeografia për akoma të tjerë, - po është një proces historik. Pra, se nuk mund të flitet për “të qenit” evropian, por për “të bërit” evropian (madje edhe për brezat e vetë perëndimorëve që lindin e rriten në kohën tonë) e se, për t’u bërë të tillë, nuk mjafton vetëm dëshira e madhe, por nevojitet hapja ndaj kulturës evropiane në kuptimin e integrimit në ndërgjegjen sonë, në kulturën tonë dhe të ngjarjeve që kanë vendosur vulë të rëndësishme në atë që sot mund ta quajmë kultura evropiane, si njohje e ideve dhe paradigmave të reja që ato kanë përçuar, ashtu që t’i konsiderojmë edhe si trashëgimi tonën edhe vlera tonat që na udhëheqin në jetë, siç konsiderojmë trashëgimi e vlera tonat shumë nga arritjet më të rëndësishme të njerëzimit.
Në këtë kontekst, nuk mund të mos vëmë në dukje se mungesa e 68-ës ndihet shumë në atë që mund ta quajmë kultura e shqiptarit të sotëm, që përcakton edhe identitetin e tij. Është një identitet i mbresuar fort nga izolimi i gjatë, i cili, në një mënyrë tjetër dhe në forma të tjera nga ato të diktaturës, vazhdon ta mbajë të izoluar kulturalisht.
Për 68-të është folur e flitet në mënyrë lirike, prozaike e kritike. Është glorifikuar nga një pjesë dhe e demonizuar nga të tjerë. Por, ashtu sikurse edhe kur flitet për Revolucionin Francez, askush nuk mohon se ishte një ngjarje që bëri histori. Dhe nëse ka një pikë ku të gjithë bashkohen në vlerësimin e 68-ës, është se ajo, për mirë apo për keq, ishte një revoltë antiautoritare.
Ishte antiautoritare, sepse në traditën e Revolucionit Francez 68-ta iu kundërvu tutelës së dyfishtë të traditës dhe të autoritetit. Të rinjtë u rebeluan ndaj autoritetit e paternalizmit të institucioneve konservatore, si familja, kisha, shkolla, duke i akuzuar, duke filluar nga prindërit, si despotë që terrorizonin pjellat e tyre.
Përgjithësisht, 68-ta konsiderohet si një trashëgimi e së majtës, por edhe brenda së majtës evropiane ajo solli një revolucion antiautoritar. Mjaft të kesh parasysh se, kur në parlamentin francez një deputet arriti të marrë votën e parlamentit për përdorimin e kontraceptivëve në grupin e Partisë Komuniste, u ngritën zëra që thanë se “nuk duhej të infektoheshin edhe të varfrit me veset e të pasurve”.
Vitet 60-të janë pikërisht vitet kur e majta e vjetër evropiane, disa vlera e së cilës njihej edhe në Shqipëri, iu desh t’ia linte vendin të majtës së re, idetë dhe veprat e së cilës mbetën thuajse të panjohura në Shqipërinë e izoluar edhe nga Lindja, edhe nga Perëndimi. Protagonistë të këtyre viteve nuk janë më klasa punëtore, ajo e grevave dhe e sindikatave që u dha nismën lëvizjeve sindikaliste dhe socialiste në fillim të shekullit 20, por të rinjtë universitarë. Lufta e klasës u zëvendësua me politika kulturore, me politikat seksuale, pastaj politikat ambientale. Lulëzimi në rrugët e Parisit të lëvizjeve trockiste, maoiste, kastriste dhe e shumë fraksioneve të tjera, që i interpretonin në mënyrën e tyre këto figura, thyen edhe monopolin e Partive Komuniste të lidhura me Moskën dhe që, në shumë aspekte, ishin konservatorë dhe paternalistë edhe ato. Pak nga pak skenën filluan ta dominojnë lëvizjet e reja që iu imponuan vëmendjes së publikut: lëvizja feministe, lëvizja ambientaliste, antiraciste, lëvizjet për të drejtat e njeriut, për të drejtat e kafshëve, lëvizjet gay. Janë vite që ngjizën ëndrrën për një epokë të re, në të cilën do të respektoheshin të drejtat e njeriut, do të pranoheshin diferencat kulturore, ku askush nuk do të lihej prapa; të një jete në harmoni me natyrën dhe në paqe me njëri-tjetrin.
Janë këto vlera që punojnë edhe sot, si fermenti për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Nëse sot një i zi si Obama ka shumë gjasa të bëhet presidenti i SHBA-ve, kjo i dedikohet, pa dyshim, asaj tradite të viteve 60-të.
Por le të kthehemi tek Shqipëria. Nuk dimë saktë nëse Hoxha i ndiqte ngjarjet e 68-ës dhe me sa interes. Udhëheqja e asaj kohe informohej nga një buletin që quhej “i verdhë”. Sa më i lartë funksioni në parti, aq më i trashë ishte ky buletin. Ne dimë me siguri se në ato vite Hoxha përgatiste ngritjen në apogje të kultit të autoritetit të tij. Dimë se paradoksalisht, komunistët shqiptarë që flisnin tërë ditën kundër borgjezisë kapitaliste, mbanin qëndrime në sintoni me etërit borgjezë, kundër të cilëve ishte ngritur rinia perëndimore. Sigurisht pa u identifikuar me ta, por duke e trajtuar gjithçka të asaj bote “en bloc”. Seksi, rokenrrolli, droga dhe lëvizja hippy që u përhapën kudo në Amerikë dhe prej andej në Evropë, ashtu sikurse edhe flokët e gjata, trajtoheshin në Shqipëri si shprehje të degjenerimit borgjez dhe aspak si shprehje e kësaj proteste të rinisë. Bitëlls dhe Rollingstons që ishin në fakt shprehja e fuqishme muzikore e kësaj lëvizjeje që kërkonte të përmbyste vlerat e vjetra të borgjezisë, në Shqipëri nuk lejoheshin të dëgjoheshin, duke u akuzuar si muzikë borgjeze. Askush nuk e dinte në Shqipëri se John Lenon vështrohej keq nga FBI-ja, për bindjet e tij të radikale të majta. Në Shqipëri, përkundrazi, pikërisht në ato vite, mekanizmi i luftës së klasave që Hoxha e përdorte si instrument pushteti dhe eliminimi, - sepse, nëse kishte vend ku s’mund të flitej më për ekzistencë klasash, pasi këto qenë shumëzuar të gjitha me zero, kjo ishte Shqipëria - u fut edhe në gjirin e partisë. Me goditjen e liberalizmit në vitet në vazhdim, Hoxha i dha goditjen përfundimtare eliminuese brezit të ri. Poetët tanë kombëtarë filluan t’u këndojnë gjithnjë e më shumë “baballarëve”, “shqiponjave që fluturojnë lart”, të cilët mburreshin se ndryshe nga të gjithë vendet e botës, në Shqipërinë e tyre nuk ekzistonte ndonjë konflikt brezash, përkundrazi, rinia shqiptare ishte më e lumtura në botë nën udhëheqjen e tyre të pagabueshme. Nuk dimë të themi nëse kishte apo nuk kishte lidhje me 68-ën në Perëndim ky reaksion i “baballarëve” shqiptarë, por me siguri mund të themi se në thelbin e vet ky ishte një anti-68 në emër të kultit të autoritetit.
Sot, pas dyzet vjetësh, veçanërisht pas rënies së murit të Berlinit, mund të thuhet se shqiptarët njohin jo pak nga idetë e 68-ës. Por vetëm sipërfaqësisht dhe, për fat të keq, më shumë se me gjithçka ata janë në kontakt me atë që sot konsiderohet trashëgimia më e keqe dhe e paparashikuar e 68-ës. Sot bëhet kritika se parullat e 68-ës “jeto pa kohë dhe shijo pa fund”, “merri dëshirat e tua për realitet”, që, në atë kontekst, ishin libertare, sepse ishin kundër ndrydhjeve që vinin nga autoritetet, u shndërruan nga kapitalizmi në reklama për të nxitur konsumizmin pa fre; se teoricientë e hedonizmit të 68-ës pa dashje i hapën rrugën kapitalizmit më agresiv, pasi firmat e mëdha i morën aksiomat e tyre dhe i shndërruan në reklama konsumi. Në fakt, ku jetohet pa kohë dhe shijohet pa fund më shumë sesa në hapësirat e tregut të sotëm real dhe virtual, ku sistemi kapitalist kujdeset të na kënaqë çdo oreks, duke na shndërruar në blerës frenetikë, në fakt në robër të tij, duke na bërë të harrojmë se jeta nuk mund të jetë thjeshtë ky iluzion, por se ajo njeh edhe pengesa edhe sakrifica dhe kënaqësi pune dhe njohjeje mbi të gjitha. E në këtë aspekt, mund të thuhet se shqiptarët pa e ditur, por thjesht për efekt imitimi, janë bij të 68-ës. Por kurrsesi nuk mund të thuhet se 68-ta ka hyrë në ADN e shqiptarit, sepse ajo që na mungon dëshpërimisht është shpirti i 68-ës që, sikurse e thashë, konsiston në antiautoritarizmin e tij. Nuk duhet shumë për të konstatuar se sa konservatorë dhe se sa oportunistë janë shqiptarët ndaj vlerave dhe autoriteteve të njohura dhe pranuara nga shumica. Nuk duhet shumë për të konstatuar se si kulti i autoritetit, i të parit, i kryetarit të familjes apo të klanit vazhdon të mbisundojë i parrezikuar nga ndonjë rebelim në shoqërinë shqiptare. Sesi të rinjtë në vend se të kenë shpirtin e të qenit ndryshe nga etërit në emër të krijimtarisë, lirisë, personalitetit të tyre priren t’i imitojnë “vlerat” e etërve që, më së shumti, janë vese të trashëguara brez pas brezi. Nuk duhet shumë për të konstatuar se lëvizjet feministe apo lëvizjet gay, që në thelb thyejnë autoritetin e traditave të vjetra, janë thuajse krejtësisht munguese në Shqipërinë e sotme.
Duke analizuar këtë diferencë, mund të thuhet se antiautoritarizmi nuk mësohet dot racionalisht. Të rinjtë e 68-ës në Perëndim, kur u erdhi radha të bëhen prindër, refuzuan të sillen me fëmijët e tyre ashtu siç ishin sjellë etërit e tyre me ta, duke u imponuar rregulla shtrënguese e arbitrare. Sepse e kishin përjetuar thellë, me veprime dhe emocione të forta revoltën e tyre, prandaj u sollën ndryshe, sikur të ishin vëllezër dhe motra më të mëdhenj në moshë dhe jo si shtypës autoritarë vullnetesh. “Fjala të mëson, shembulli të udhëheq”, thotë një fjalë e urtë. Lufta kundër autoritarizmit mësohet duke e bërë atë luftë, mundësisht përditë, duke filluar që në familje e duke u bërë shembull për këtë. Nuk do shumë për të parë se sa shumë mungon ky shembull në Shqipëri. Mjafton të shikosh sesi sillen “të rinjtë” tanë sapo vihen në krye të një grupi sado të vogël. Në vend që të thyejnë rregullat e vjetra autoritare, i forcojnë ato në emër të autoritarizmit të tyre. Por për këtë nuk duhen akuzuar ata. Nëse një fëmijë gabon, ai është vetëm përgjysmë fajtor, sepse gjysma tjetër e fajit bie mbi prindërit.
Thënë të gjitha këto mbi 68-ën në Perëndim dhe Shqipërinë dje dhe sot, problemi mbetet: shoqëria shqiptare ka dëshpërimisht nevojë për një revoltë rinore antiautoritare kundër sundimit të një brezi thellësisht konservator, tradicional dhe autoritar e për më tepër i korruptuar, çka e shtrëngon të mbahet edhe më fort tek pushteti i tij autoritar. Kjo revoltë e munguar deri më sot, që shpresojmë të vijë një ditë, ndoshta do ta bënte të aftë edhe të kuptonte më mirë kuptimin e 68-ës, duke e integruar atë, më në fund, në ndërgjegjen e kulturën e vet. (Korrieri, 21 qershor 2008)
Sunday, June 22, 2008
40 vjetori i një ngjarjeje të munguar
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
4 comments:
Ju Lubogna e thoni edhe vete, kapitalizmi arrtiti te marri ato parrulla (qe shpesh ishin edhe populiste) qe revoluzionaret e 68-tes perdoren per te vene ne levizje te rinjte kunder fuqive dhe qeverive konservatore per ti adaptuar strategjive te maketingut te sotem. Sot konsumizmi ka droguar te rinj e te vjeter, dhe asnjeri nuk mendon se eshte me largepamese dhe me me shume prespektive te dedikosh pjese te kohes se lire aktiviteteve sociale culturore dhe politike sesa te konsumosh kohen e lire duke bere shoping apo aktivitete konsumi te tjera. Kapitalizmi jeton dhe lulezon mbi injrancen e shoqeris dhe kerkon te kete gjithmon klient injorante per ti droguar me publicita.
Zoti shpetofte kapitalismin nga kapitalistat dhe nga konsumatoret e droguar.
Ndersa pers i perket perkatjes tone kulturale nuk arrij te shof tek shqiptaret shum feeling ne karakteret, idet, emocionet apo prespektivat mbi te ardhmen e tyre me europen peremdimore. Ne jemi shqipetare ndryshe nga Europa dhe ndryshe nga lindja, dhe duhet te gjejme identitetin dhe kulture tone pa u munduar dhe sforcuar per tu identifikuar me lindjen apo peremdimin. Konformizmi esht vrasesi i origjinalitetit dhe i se kaluares tone. Ne duhet te kultivojme identitetin shqiptare qe eshte nryshe ngai perendimore dhe nga ai i lindjes.
Nuk dua te kaloje per nazionalist por per nje person qe nuk deshiron te konformohet ne asnje lloje kulture perendimore apo lindore duke pare kulturen e shoqerise se vete qe eshte duke degraduar duke filluar qe nga menyra se si perdore t gjuha shqipe neper emisione e lajmeve ne televizionet tregetare deri tek klasa pseudo-culturore shqiptyare e sotme qe eshte kthyer ne nje teater banal ne kerkim te fitimit ekonomik.
Pershendetje
...
The revolution will not be televised, will not be televised,
will not be televised, will not be televised.
The revolution will be no re-run brothers;
The revolution will be live...
Zoti Lubonja,
Ju kam ndjekur vazhdimisht dhe mendoj se keni luajtur nje rol te rendesishem ne formimin tim, dhe te nje pjese te shoqerise qe ju ka ndjekur. Do te kisha deshire te lexoja ndonje nga librat tuaj. Si mund t'ju kontaktoj.
Me falni, se harrova t'ju dergoj adresen e e-mail qe ju mund te me kontaktoni. eraldbelliu@hotmail.com
Faleminderit.
Post a Comment