Thursday, July 10, 2008

Përtej arrestimit të kirurgut

Lajmi i arrestimit të kirurgut me tituj Prof. Dr. Kastriot Dauti i cili, për një operacion veshkash, ka kërkuar si mitmarje 50 000 lekë dhe se në shtëpinë e tij u gjend shifra 420 000 euro u bë lajm i parë i mediave, por edhe çështje e parë e diskutimve midis njerëzve.
Personalisht më ktheu mbrapa disa muaj më parë kur, gjatë njërit nga emisionet televizive “Opinion”, kam debatuar mbi gjendjen e mjeksisë në Shqipëri. Më kujtohet se edhe në debat edhe pas debatit një nga gjërat që u diskutuan ishte edhe problemi i mitmarrjes.
Le ta marrim shtruar këtë problem. Ajo që pranohej edhe nga ata që e sulmuan ashpër sistemin tonë mjekësor edhe nga ata që e mbronin, ishte fakti se rrogat e mjekëve janë shumë të vogla. Se mitmarrja është një mënyrë mbijetese pasi, me ato rroga, nuk jetohet; thënë më konkretisht me ato rroga e ke të vështirë të paguash një celular, karburantin e makinës dhe dritat e ujin e jo më të të mbetet për ushqim, veshmbathje, për gjithë çka kanë nevojë fëmijët e të tjera e të tjera. Kjo e ve mjekun përpara një situate ku o do të ngordhë, o do të ikë jashtë shtetit të punojë atje o do të çalltisë. Në këto kushte shumica, kuptohet, çalltisin.
Mirëpo rasti në fjalë na bën të themi se edhe “çalltisja” e ka një kufi. Nuk mund të quhet “çalltisje” apo “luftë për mbijetesë” kjo e Prof. Dr. të arrestuar. Kjo quhet babëzi e paturpësi. Mirëpo hajde e ndaje kufirin ku mbaron çalltisja mbijetuese e ku fillon çalltisja e babëzitur. Për disa kufiri mund të jetë diçka si terfishi i rrogës modeste, për të tjerët shumë herë më i lartë. Në fakt ndaj pyetjes se sa fitojnë jashtë rrogës mjekët nëpërmjet mitmarrjes Dr. Halim Kosova në emisionin në fjalë dha përgjigjen se shifrat mund të shkojnë nga trefishi i rrogës deri në afro 20 000 euro.
Sipas Halim Kosovës dalja nga kjo situtatë mund të kryhet duke bërë një reformë ku të hollat që jepen nën tryezë të dalin mbi tryezë dhe ato, pastaj, të shpërndahen në mënyrë sa më racionale edhe për rroga më të mëdha edhe për mirëmbajtje e paisje të spitaleve. Në spitale duket se hyjnë aq të ardhura nën tryezë saqë, sikur këto të dalin mbi tryezë, do të mund të siguronin një shpërndarje të ardhurash që siguron edhe mbijetesën edhe dinjitetin e personelit e të pacientëve njëherësh. Duket gjëja më e lehtë dhe më e arsyeshme. Gjithkush paguan sipas fitimit një sigurim shëndetsor i cili grumbullon pikërisht këto të ardhura ndërkohë që edhe shteti, si në gjithë botën, bën subvencionet e veta dhe ja ku u zgjidh çështja. Dikush mund të shtrojë kundërargumentin se edhe sikur të bëhet një reformë e tillë kjo nuk i ndalon njerëz si Dauti që edhe të marrin këtë rrogë edhe të bëjnë mitmarrje. Them se nëse njerëzit paguajnë sigurim shëndetsor në një shifër të konsiderueshme ata do të jenë shumë më të vetëdijshëm se nuk kanë më pse paguajnë nën dorë. Pra vërtet mund të mos ndalohej mitmarrja krejtësisht, por, gjithsesi, ajo do të reduktohej shumë dhe, po ashtu, sikur të shoqërohej edhe me penalizime të rënda, në rastet kur kapet apo denoncohet, do të arrinte në nivele normale të një shoqërie të shëndoshë ndërkohë që është në një gjendje anormale përtej imagjinatës. Po pse ka 18 vjet që flitet dhe nuk bëhet një reformë e tillë? Sepse këtu lind një çështje tjetër. A duan vërtet ata të kategorisë së Prof. Doktorit të arrestuar të bëhet një reformë e tillë, të kenë pranga të tilla morale dhe ligjore apo u leverdis më mirë kjo xhungël dhe justifikimi moral se me aq sa paguhen nuk jetohet? Pas emisionit në fjalë më erdhi një sms nga një shqiptar që jeton në Vjenë i cili më thoshte se një Prof. Dr. në spitalin e Vjenës e ka rrogën 4000 euro. Kurse ne na rezulton se njerëz si Prof. Dr Dauti këtë rrogë sot e përqeshin. Sipas meje një nga arësyet kryesore pse nuk bëhet një reformë e tillë është pikërisht fakti se kategoria e Dautit, i cili del se është një nga bosët e spitalit, nuk është e interesuar të bëhet një reformë e tillë. Me një reformë të tillë ata do të merrnin, le të themi, 2000 euro dhe kjo u duket pak.
Mirëpo përsëri çështja nuk është kaq e thjeshtë. Shumica e mjekëve, jam i bindur, do ta pranonin një reformë të tillë me rroga të tilla sepse edhe ata nuk e kanë aq të lehtë të jetojnë duke parë duart e pacientëve. Ajo do të implementohej sikur të mos kishte një vështirësi edhe më të madhe. Në fakt historia e mjekëve mitmarrës si Dauti është vetëm një metaforë e tërë shoqërisë. Në rolin e mjekëve mitmarrës janë thuajse të gjitha kategoritë e atyre që mbahen me rroga shtetërore dhe që duhet të jenë shtyllat e shtetit e të shoqërisë. E kam fjalën për gjyqtarët, prokurorët, policët, mësuesit e padagogët e universiteteve, punojësit e administratës por edhe për politikanët tanë. Mbi të gjitha politikanët tanë, ministrat e deputetët tanë, pikërisht ata që duhet të jenë në krye të reformave. Edhe ata, ashtu si mjekët, kanë një rrogë të vogël që marrin nga shteti, por kanë edhe fitimet e majme që nxjerrin nga mbretëria e informalitetit dhe impunitetit që kanë krijuar. Jam i bindur se tek ne ka jo pak politikanë që qeshin me shifrën “modeste” të fitimit që nxjerr Dauti me një mund aq të madh – sepse, le ta themi edhe këtë, të bësh një operacion nuk është njëlloj sikur të firmosësh një tender. Dhe politikanët tanë kanë një justifikim shumë më të fortë sesa doktori që thotë se me këto rroga nuk jetohet. Ata të thonë: mirë se mund të arrish të ngresh rrogat e doktorëve deri në shifra si 1000 - 2000 euro, por duhen rritur po kështu edhe rrogat e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, administratorëve, politikanëve… e, ku t’i gjesh këto para? Prandaj gjithshka do të rregullohet gradualisht me kohën dmth. pasi të ketë vdekur ky brez e të jetë plakur ai pasardhës e kur të jetë harruar se si e kanë bërë ata pasurinë e tyre.
Në këtë pikë të shkrimit të vjen të ngresh pyetjen: po çfarë ka të re në gjithë këtë histori, atëhere, që po e trajton kaq shumë edhe media përveç faktit që është kapur një Prof. Dr. me rryshfet dhe është arrestuar? Ndoshta e reja qëndron tek arrestimi sepse, sikur të bëhej fjalë për ndonjë akuzë mitmarjeje e dërguar në ndonjë media nga ndonjë pacient, lajmi ndoshta nuk do të hynte fare në defter. Sepse akte të tilla pa arrestim qytetarët shqiptarë i jetojnë përditë. Ata e dinë të gjithë se pse jetojnë si në xhungël. Sepse këtë xhungël e duan luenët. Megjithatë më duket shumë i rëndësishëm ky reagim i mediave dhe i opinionit. Dua të besoj se në këtë histori e reja nuk qëndron vetëm tek arrestimi. Sipas meje arestimi ka sjellë një provë tronditëse e revoltuese për qytetarët dhe, për mua, e reja qëndron në atë se qytetarët nuk e kanë humbur krejtësisht ndjeshmërinë dhe aftësinë për t’u revoltuar me një realitet që po i mpin përditë e më shumë. Një i njohur më thoshte para disa ditësh se kemi arritur në një gjendje si ajo e anestezisë ku, pasi të kanë mpirë krejtësisht, mund të të heqin cilin organ të duan pa ndjerë dhembje. Humbja e aftësisë për t’u revoltuar me padrejtësinë është baraz me vdekjen politike e morale të një shoqërie. Fatmirësisht ky arrestim dhe reagimi ndaj tij tregon se kjo vdekje nuk ka ardhur ende. Kjo ndoshta edhe pse e keqja po prek tashmë deri në kockë.
Prandaj rasti në fjalë nuk duhet ndalur tek arrestimi. Ai duhet të rihapë edhe një herë nevojën e reformave në Shqipëri. Rasti duhet të ndërgjegjësojë edhe shumë nga ata aventurierë që pasurohen sot në mënyrë të paligjëshme, - me mendimin se asnjëherë nuk do të vendoset rregull e ligji në këtë vend, që do t‘i vendosë përpara pyetjes “si e vure ti këtë pasuri?” - se jeta është shumë e gjatë dhe Shqipëria shumë e vogël që kjo të ndodhë. Rasti i arrestimit të doktorit mitmarës mbi të gjitha duhet të shkundë e zgjojë çdo ndërgjegje të fjetur, që i është nënshtruar anestezisë politiko morale, në mënyrë që të kërkojë ndryshimin. (Korrieri, 10 korrik 2008)

1 comment:

Fred said...

Eshte e cuditshme se si ish komunistat u bene demokrat, eshte e peshtire te degjosh Sali Berishen si nje demokrat i flakt, Komunizmi nuk ka per te ikur ne Shqiperi perderisa ish kelyshat nuk vdesin. Klasen me fisnike e shkaterroi Enveri, po ashtu po e shkaterron dhe Saliu.