Saturday, July 19, 2008

“Pse”-të e ligjit për dosjet

Një nga shkrimet e mija të fundit, ku shtjellova disa nga arsyet se pse në Shqipëri, sipas meje, nuk do të hapen dosjet seriozisht, me drejtësi dhe përgjegjshmëri, e mbyllja duke shkruar se çështja e ditës lidhur me këtë temë nuk është a do hapen apo nuk do të hapen, as nëse është më mirë të hapen apo jo, dhe as se si duhet të hapen, por se pse, për ç’arësye, bëhet kjo zhurmë, pse u hap përsëri ky debat. I kisha premtuar lexuesit që në shkrimet pasardhës do të përpiqesha t’i jepja përgjigje kësaj pyetjeje. Më duhet të pohoj se bizantinizmi dhe iracionliteti i politikës shqiptare edhe kësaj here i tejkalon mundësitë e një analize që tenton të gjejë racionalen dhe një përgjigje të qartë për një pyetje si kjo. Madje, veçanërisht në një çështje si kjo ku fshehtësia e së sotmes mplekset me fshehtësinë e së djeshmes dhe fshehtësia e së djeshmes me atë të së sotmes, duke e dendësuar terrin, më duket se puna e analistit bëhet shumë e vështirë.
Kështu që do të mbetem në fushën e hipotezave.
Përpara se të hyj në hipotezat më duket me vend të ve në dukje se kësaj here inisiativa e rindezjes së çështjes së dosjeve dhe e bërjes së ligjit për hapjen e tyre na erdhi nga mazhoranca dhe jo nga opozita siç, mesa kujtoj, erdhi herën para kësaj. Prandaj analiza e shkaqeve duhet përqendruar tek dinamikat brenda mazhorancës.
Më duhet të them se personalisht jam skeptik ndaj njërit prej varianteve të hedhur në shtyp: atë se gjithë kjo zhurmë u inskenua enkas, me mendje të ftohtë, për të harruar Gërdecin dhe se, në përgjithësi, sa herë hapet kjo temë bëhet për të harruar ndonjë gjë tjetër. Kjo sipas meje do të thotë të ngatërrosh pasojën me shkakun. Ka dy arësye që më bëjnë ta shoh me dyshim këtë hipotezë. Së pari, sepse politikanët tanë nuk i shoh të jenë aq racionalë sa të arrijnë të bëjnë me mendje të ftohtë plane të tilla, llogaritëse. Makar sikur ta kishin këtë aftësi se kjo do t’i bënte shumë më koherentë dhe më të pagabueshëm e nuk do të kishim as Gërdecin kësisoj. Ata më duken më së shumti të dominuar nga pasione personale të ditës të nxitura nga luftra, shpesh personale opo klanore për pushtet të kombinuara me intreresa përfitimesh materiale dhe me një paqartësi përsa u përket vizioneve afatgjata dhe pasojave afatgjata të veprimeve apo mosveprimeve të tyre. Së dyti, nëse do të mendojmë se gjithshka është bërë kështu, me kalkulim mendjeftohtë, atëhere kjo presupozon të paktën që Berisha, i cili duhet të hamendesohet si një nga protagonistët kryesorë të këtij projekti, të kishte një grup bashkëpunëtorësh të besuar me të cilët të bënte plane në prapaskenë me besim të plotë tek njëri tjetrin. Mua nuk më rezulton se Berisha ka një grup të tillë të besuarish. Politikanët shqiptarë, jo vetëm Berisha, në traditën e udhëheqjes komuniste, nuk kanë dhe as nuk ndërtojnë dot marrëdhënie me njerëz të besuar me të cilët flasin sinqerisht dhe bëjnë plane të përbashkëta. Marrëdhëniet e tyre bazohen në hierarkinë vertikale të pushtetit dhe të interesave të ndërsjellta kryesisht të përfitimit dhe përgjithësisht janë hipokrite, të pasinqerta dhe servile përpos që jo demokratike. Ai që është në krye ka të gjithë kontrollin dhe përgjegjësinë dhe rrethohet nga njerëz që i shërbejnë, që i thonë atë që do të dëgjojë, por jo nga miq të vërtetë me të cilët edhe të mund të konsultohet e t’u dëgjojë fjalën për të ndërruar mendje. Edhe të ashtuquajturat “plane” kundër të tjerëve, apo për të fituar diçka, mbi këtë lloj psikologjie mbështeten. Kjo vlen edhe për ato raste kur dikush ka lidhje joinstitucionale me një politikan, të ashtuquajtura miqësore apo të ndikimit. E gjithë afera e Gërdecit se si është nisur dhe se si po bitiset më duket se është një ilustrim i kësaj. Pra e kam vështirë të besoj – ndonëse nuk e përjashtoj në mënyrë absolute - se Berisha apo dikush tjetër sëbashku me një grup njerëzish, në bashkëpunim janë mbledhur diku dhe kanë thënë: si të bëjmë që të harrohet Gërdeci? Le të hapim edhe një herë muhabetin e dosjeve se kjo është një nga temat që e trullos menjëherë opinionin publik.
Jam i prirur të besoj, gjithë duke mbetur në fushën e hipotezave, se gjërat janë zhvilluar ndryshe dhe për të tjera qëllime. Kësaj here rihapja e plagës së dosjeve - që, siç e kam thënë shepsh, ekziston nën lëkurën e shoqërisë sonë pavarësisht nga shkaqet që e ngacmojnë të shpërthejë herë pas here - lidhet me rivalitetin midis grupimeve të ndryshme në PD dhe më konkretisht do të thoja me konfliktet që kanë lindur midis PD dhe presidentit Topi kohët e fundit. Ky më së shumti është shfaqur në publik si konflikt midis Topallit dhe Topit duke mbetur e paqartë se sa Topalli ka vepruar nga vullneti i vet dhe se sa ajo është shprehëse e vullnetit të Berishës të cilit, në këtë rast, duket qartë se i intereson në mos goditja, nënshtrimi pa kushte i Topit.
Ajo që mund të themi me siguri është se kemi parë qartë se Topalli veproi kundër Topit më anë të ish të përndjekurve duke shfrytëzuar gabimin e pafalshëm të Topit që shkon e dekoron për “merita në drejtësi” njerëz që, në një demokraci normale dhe shtet të së drejtës, sot do të duhet të ishin prapa hekurave për krime kundër drejtësisë. Është e vështirë të thuash nëse inisiativa e hapjes së dosjeve erdhi nga i njëjti krah apo nga krahu kundërshtar me Topallin, pra ai i Topit. E them këtë duke patur parasysh se Topalli është provokuar vazhdimisht nga shtypi, së fundi edhe nga opozita, duke i atashuar pseudonimin “disenjatorja”. Me siguri mund të thuhet gjithashtu edhe se si çështja e ish spiunëve edhe ajo e ish të përndjekurve, në këtë lojë nuk janë gjë tjetër veçse “pretekse për luftë”, mjete jo qëllime. Mirëpo, ndërkaq, ajo që ka ndodhur vazhdimisht është se në këtë lojë me “kobure të zbrazur që tremb edhe atë të cilit i drejtohet edhe atë që e mban në dorë” ndodh që shumica e atyre që janë absolutisht të interesuar që dosjet të mos hapen bërtasin për hapjen e tyre, madje edhe bëhen protagonistë. Në këtë mes, duke patur parasysh edhe një tjetër tipologji protagonisti, Biberajn, i cili u bë inisiatori i ligjit, besoj se nuk është e gabuar të thuash se lufta për pushtet brenda PD ka brenda saj edhe të rinj që duan t’i hapin rrugën karrierës së tyre, por që ndjehen të penguar nga njerëz më të fuqishëm të cilët atyre u rezultojnë me dosje.
Nuk përjashtohet mundësia që në këtë lojë të kemi të bëjmë edhe me një kërcënim ndaj Topit dhe njerëzve të tij, ashtu sikurse mund të ngremë edhe hipotezën se ky ligj nuk synon të zbulojë, por të fshehë: të pastrojë përfundimisht disa PD-istë që janë njollosur shpesh nëpër media.
Duket sikur po bije në kundërshtim me veten kur më një anë them se nuk ka kalkulim dhe më anë tjetër flas për plane e synime. Ajo çka dua të them pra është se më shumë sesa me një kalkulim racional kemi të bëjmë me një luftë sa pasionale aq edhe bizantine që nuk i përjashton kulisat me synime të caktuara, por që, mu për shkak të iracionalitetit që e karakterizon, vetë protagonistët nuk janë në gjendje të kalkulojnë pasojat e asaj që ndërmarrin. Dua të them se nëse kalkulimi ka një rezultat të caktuar, të pritshëm, kjo është e paparashikueshme edhe për vetë protagonistët ku e sigurtë është vetëm një gjë: ajo çka thuhet nuk bëhet. Të zhytur në këtë luftë ku, iracionalitreti dominon mbi racionalitetin, ku interesi vetiak apo klanor dominon mbi atë të shoqërisë dhe ku synimet afatshkurtëra u mbulojnë çdo horizont, ata harrojnë shumëçka: se para se të bëjnë një ligj për hapjen e dosjeve duhet të bëjnë një hetim dhe transparencë për atë se kush i ka zhdukur dhe pse; se kanë pasur një ligj tashmë Bezhani i cili na del se nuk qenka aplikuar, e prandaj, që të mos përsëritet e njëjta histori, duhen analizuar shkaqet e dështimit të tij, se nëse bëjnë një ligjë të tillë nuk mund të venë njerëzit e tyre për hapjen e dosjeve, por duhet të ngrenë një komision të paanshëm dhe gjetja e ndërtimi i një komisioni të tillë është ndoshta edhe më i vështirë sesa gjetja e një presidenti mbi palët etj. etj.
E megjithatë duket se një ligj do ta kemi javën e ardhëshme. E mira e gjithë kësaj është se publiku do t’i jepet ndoshta edhe një copëz e “puzzell”- it të së vërtetës së asaj kohe që mbahet e fshehur. Mund të ketë edhe të mira të tjera, ndër të cilat edhe diskreditimi i mëtejshëm i klasës sonë politike, që realisht e meriton diskreditimin. Por edhe të këqijat besoj se nuk do të jenë të pakta. Veçanërisht duke patur parasysh se qëllimi nuk është i mirë. Le të shohim çdo të ndodhë. (Korrieri, 16 korrik 2008)

No comments: